Politike

“Ti Zgjedh” në Elbasan, Rama: Partia Socialiste po ripërtërihet për sfidën e vitit 2021

“Zgjedhjet në PS nuk bëjnë lajm në mediet e zëna me thashetheme, gënjeshtra e të zeza nga vendi e bota, por ato janë një proces me shumë pjesëmarrje, organizatë më organizatë e asamble më asamble, ku Partia Socialiste po ripërtërihet e riorganizohet për sfidën e vitit 2021”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar takimit “Ti Zgjedh” zhvilluar pasdite në Elbasan me pjesëmarrjen e anëtarësisë socialiste të bashkive të këtij qarku. Baza pritet që të përzgjedhë delegatët e Kongresit ku do të përtërihen strukturat.

“Një përgëzim për të gjithë anëtarësinë socialiste dhe për socialistët e socialistet e Elbasanit, që siç tregojnë këto pamje po shkojnë drejt zgjedhjes së delegatëve të Kongresit me energji të reja pozitive”, tha Kryeministri Rama. /atsh

“Ti Zgjedh” në Elbasan, Rama: Partia Socialiste po ripërtërihet për sfidën e vitit 2021 Read More »

Braçe: Berisha nxit kërcënime ndaj jetës sime dhe kryebashkiakut të Divjakës, do përgjigjet në gjykatë

Erjon Braçe ka reaguar sot pas akuzës së Sali Berishës se është i përfshirë në atentatin e së premtes në Shkozet ndaj prokurorit Arjan Ndoja, duke u shprehur se akuza “është sajuar nga Sali Berisha si kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën ndaj meje e kryetarit të bashkisë Divjakë”.

“Ky është Sali Berisha dhe ky është kërcënim për jetën ndaj dy funksionarëve të lartë publikë, të dy të zgjedhur e në detyrë. Që Sali Berisha është një kriminel barbar, këtë pas 21 Janarit, daljes zot të pushkatimeve në mes të bulevardit, e thotë i madh e i vogël në këtë vend. Por, përveç pushkatimeve direkte, si në 21 Janar 2011, ky kriminel barbar, ka nxitur përmes gjuhës së tij kriminale, kërcënime për jetën, akte dhune të drejtpërdrejta deri në rrezikim të jetës, ndaj kundërshtarëve të tij politikë duke i përfshirë kriminalisht në ngjarje që nuk ekzistojnë”, shprehet Braçe.

Ky i sotmi, vijon ai, është një i tillë. “Provohet botërisht që kjo ngjarje që ka sajuar e publikuar, nuk ekziston. Po fare, fare. As nga unë, as nga kryetari i bashkisë Divjakë, zero”, tha ai.

“Vërtetohet lehtësisht; Për shkak të detyrës, çdo lëvizje e imja është nën prezencë të oficerëve të shtetit – jo të mitë por të shtetit; Çdo takim i imi me kryetarin e bashkisë dhe jo vetëm, është në prezencë të tyre, pra, për shkak të detyrës, çdo gjë është e lajmëruar në sallat operative përkatëse nga Garda e Republikës në komisariatet e policisë në territor”, tha zv.kryeministri Braçe.

“Pra, takimi i kryetarit të bashkisë Divjakë me atë person dhe i imi me atë dhe kryetarin,
as që ekziston. Fare! Është sajuar nga Sali Berisha si kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën ndaj meje e kryetarit të bashkisë Divjakë. Mendja kriminale e Sali Berishës kërkon të drejtojë e pse jo të shkrehë pushkë kriminelësh ndaj nesh! Ti Sali Berisha po kërkon jetën tonë. Do përgjigjesh për këtë ligjërisht deri në fund. Çdo ditë nga sot, çdo orë nga dita e sotme e në vijim, unë do merrem me këtë, ty dhe ligjin. Boll më. Ke 25 vite që si kriminel ordiner bën këtë ndaj meje e çdo kundërshtari politik, si kur ke pushtet, si kur je në opozitë”, tha ai.

“Nuk dua nga paratë e tua të ndyra, do kërkoj ligjërisht burg për ty, aq sa ligji thotë për këtë krim penal që ke konsumuar sot ndaj ne të dyve. Kjo e para. E dyta, kurrë, kurrë nuk kam bërë këtë që ti ke konsumuar sot ndaj nesh. Kurrë nuk kam shenjuar jetën e kujt për ta marrë, si politikan, si qeveritar apo si qytetar i thjeshtë”, u shpreh Braçe.

“Nuk jam soji yt, as si shpifës, as si kriminel. Si qytetar e si pushtetar në raport me ligjin, jetën e dinjitetin e çdokujt, ti as që afrohesh tek unë”, tha ai.

“E treta, Fredi Kokoneshi as që njeh prokurorin, as si emër, as si person, as si prokuror, as si aktivitet, as që e njeh personin e përmendur në cilëndo rrethanë. Unë gjithashtu, as si emër e as si person kërrkund e në 48 vite jetë. Unë, po, kam folur për qëndrimin e prokurorit ndaj një zyrtari të shtetit, antiligjor e antikushtetues në hetimin e një çështjeje,
konfirmuar e tillë, siç e kam thënë, nga një gjykatë më e lartë, i paligjshëm e antikushtetues. Kaq më mjaftoi e më mjafton”, tha Braçe.

“Akti ndaj tij është kriminal. Unë, cilido pranë meje si i afërm apo mik e shok e janë aq shumë sa s’ta merr mendja, nuk kam lidhje me atë akt kriminal. Ti si kriminel barbar,
pa asnjë provë, asnjë fakt, në mënyrë kriminale dhe të qëllimtë pa asnjë referencë vendi e kohe, zero, kërkon të nxitësh një tjetër akt kriminal. Për këtë do përgjigjesh. Nuk të fal asnjë germë dhe po ta përsëris, nuk dua paratë e tua të ndyra, dua burgun për ty për këtë krim të konsumuar”, tha ai.

“E fundit, për pluhurin që përmend për mua, sërish do përballesh me ligjin, për çdo germë të fjalës, një për një. Për cilësimin trafikant të kryetarit të bashkisë Divjakë, do përballesh me ligjin. Për shkak të shpifjeve të tua dhe qelbësirave që kishe nën hyqëm, për një vit e më shumë prokuroria vuri nën hetim në të gjithë botën kryetarin e bashkisë, doli i pastër kudo, me çdo akt të çdo institucioni ndërkombëtar që u detyrua të kthejë përgjigje në Prokurorinë e Republikës”, tha Braçe.

“Letrat janë publike e të administruara në prokurori. Çdo germë edhe për këtë do kthehet në përballje ligjore dhe ti do përgjigjesh deri në fund, germë për germë”, përfundoi zv.kryeministri Braçe. /atsh

Braçe: Berisha nxit kërcënime ndaj jetës sime dhe kryebashkiakut të Divjakës, do përgjigjet në gjykatë Read More »

Rama, të shtunën në Ohër në samitin për zbatimin e katër lirive të BE-së

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë të shtunën, më 9 nëntor, në Ohër, Maqedonia e Veriut, për të marrë pjesë në samitin për zbatimin e katër lirive të Bashkimit Europian.

Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, të shtunën Kryeministri Rama do të jetë i pranishëm në darkën e shtruar me këtë rast nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

“Të dielën më 10 nëntor në Ohër do të mbahet Samiti, i cili do të pasohet nga konferenca për shtyp në orën 12.00”, – theksohet në njoftimin e Kryeministrisë./atsh

Rama, të shtunën në Ohër në samitin për zbatimin e katër lirive të BE-së Read More »

Akuzat për banesën luksoze, Basha: Jetoj me qira për një periudhë të përkohshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pranoi sot në mbrëmje në një studio televizive se ka lëvizur nga banesa e tij. mediet kanë nxjerrë së fundmi pamje të një vile lukzose ku thuhet se po jeton kryetari i Partisë Demokratike. I pyetur për të bërë transparencë në lidhje me atë kalimin e tij me qira përkohësisht, ai tha se ka bërë sqarime të plota dhe shteruese.

“Kam lëvizur me qira për një periudhë të përkohshme dhe nuk kam asnjë lidhje me asnjë oligark dhe nuk do të kem lidhje me asnjë oligark. Sulmet ndaj meje kanë për qëllim të heqin vëmendjen nga këto të vërteta. Dhe nuk kam për t’u tërhequr nga beteja ime kundër asnjë oligarku dhe asnjë të inkriminuari. Pra, kanë për qëllim vetëm të heqin vëmendjen nga të vërtetat e hidhura”, tha Basha.

I pyetur nëse mund të botojë një faksimilje të kontratës së qirasë, Basha tha se “kontratat dhe gjithçka tjetër janë të depozituara dhe këto i dinë fare mirë të gjithë”.

“Ajo që po ju them është kjo: E gjitha është një gënjeshtër, pa asnjë bazë në realitet dhe që ka një qëllim të vetëm: të heqë vëmendjen, në radhë të parë nga lista e gjatë e dështimeve të Edi Ramës dhe së dyti nga të vërtetat e hidhura të shqiptarëve.”, tha ai./atsh

Akuzat për banesën luksoze, Basha: Jetoj me qira për një periudhë të përkohshme Read More »

Haradinaj: Heqja e taksës ndaj Serbisë, vetëm kur të njohë Kosovën

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë ditën e sotme theksoi se taksa ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet pa ndodhur njohja e Kosovës nga ky shtet fqinj, ndërsa shtoi se pëlqen idenë e reciprocitetit për çështje të tjera.

Haradinaj po ashtu vlerësoi se taksa, e vendosur një vit më parë ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, ka qenë e dobishme për ekonominë e Kosovës dhe konsolidimin e shtetit.

Masa 100 për qind ndaj mallrave që vinin nga Serbia dhe Bosnja, u vendos nëntorin e vitit të kaluar nga Qeveria Haradinaj dhe me vendosjen e saj u tha se ajo taksë do të hiqej vetëm pasi Serbia të njihte Kosovën. /KosovaPress/

Haradinaj: Heqja e taksës ndaj Serbisë, vetëm kur të njohë Kosovën Read More »

Kuvendi miratoi ligjin “Për Rininë”, plotësohet kuadri ligjor ekzistues

Kuvendi i mbledhur sot në seancë plenare miratoi projektligjin “Për rininë” me 79 vota pro 23 kundër dhe 4 abstenim. Ky projektligj ka si qëllim përcaktimin e veprimtarive, të mekanizmave dhe të autoriteteve përgjegjës për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të rinjve dhe synon plotësimin e kuadrit ligjor ekzistues që ndikon tek të rinjtë si edhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proçeset politikbërëse dhe vendimmarrëse.

Për projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për Luftën Kundër Falsifikimit të Monedhës” në emër të grupit parlamentar te PS, fjalën e mori Elona Gjebrea e cila tha se projektligji ka për qëllim aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare në luftën kundër falsifikimit të monedhës nënshkruar në Gjenevë më 20 Prill 1929. Votimi i këtij projektligji u shty për seancën e radhës

Akti normativ nr. 2, datë 02.10.2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019” u miratua me 80 vota pro 25 kundër dhe 3 abstenim.

Akti normativ nr. 3, datë 02.10.2019, “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar u miratua me 83 vota pro 22 kundër dhe 2 abstenim. /atsh

Kuvendi miratoi ligjin “Për Rininë”, plotësohet kuadri ligjor ekzistues Read More »

Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë, ose frika e Lulzim Bashës nga tërmeti

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali, deklaroi sot se “Lulzim Basha u ankua se historia e dy vilave të tij na qenka sajuar nga qeveria”.

Spiropali thekson se “imagjinoni Edi Ramën, a kë të doni nga radhët tona, që thotë më zuri frika nga tërmeti dhe ika mora dy vila me qira në një nga zonat më të shtrenjta të Shqipërisë. Parafytyrojeni vetë tani se çfarë cikloni balte do të kishte rënë mbi Shqipëri dhe çfarë do kishin nxjerrë nga grykat tërë murtajat e opozitës, duke nisur nga gryka e Lulzim Bashës. Por më e bukura është se askush nga qeveria, por as nga Partia Socialiste s’ka thënë akoma asgjë për dy vilat e Lulzim Bashës, ndërkohë që Lulzim Basha akuzon qeverinë, se e ka sajuar këtë histori”.

“Por çfarë ka sajuar qeveria? Tërmetin që paska lëkundur e trembur aq shumë Lulin sa të ikë nga një apartament e të marrë dy vila? Apo mos vallë ka sajuar qeveria faktin se Luli qenka i vetmi që e paska tronditur tërmeti dhe ia paska bërë të pabanueshëm tripleksin e tij mbi një pallat ku s’ka asnjë shenjë tërmeti? Ose pastaj qeveria ka sajuar faktin që Luli merr dy vila me qira tek lagjja ekskluzive e ndërtuar nga njeriu që vetë Luli e ka bërë copë e çikë si oligark, ndërkohë që nga ana e tij Luli s’tregon asnjë kontratë qiraje”-, nënvizon Spiropali.

Në të vërtetë, sqaron Spiropali, qeveria s’ka kohë të merret me Lulzim Bashën, por Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive sot, si dhe SPAK-u nesër duhet të merren me këtë histori tipike për njeriu që është bërë simbol i asaj shprehjes “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”.

“Lulzim Basha akuzohet nga mediet se qiraja është një “gjethe fiku” për të mbuluar faktin, se në fakt, të dy vilat janë blerë prej tij. A është e vërtetë apo jo kjo akuzë mediatike ne nuk e dimë, por ne dimë që Lulzim Basha është i njohur për dorën e rëndë në lëvizjen e shumave të mëdha të parave. Dhe sot që flasim, ai është i pandehur për më shumë se gjysmë milioni dollarë që kanë lëvizur në emër të Partisë Demokratike, po që nuk figurojnë gjëkundi në arkën e parave të ligjshme të asaj partie”-, tha Spiropali.

Sipas saj, historia e dy vilave të Lulzim Bashës është pavarësisht fakteve, një tjetër e zakonshme e historisë së një politikani abuzues me ligjin e paranë, e përfitues kronik në një terren ku drejtësia i ka garantuar atij paprekshmërinë, por është njëkohësisht edhe historia tipike e një politikani që nuk ndalon së hapuri gropën ku bie vetë.

“Politikisht ai s’e ka problem të bjerë në gropë e të bërtasë “Fitore”, ndërsa ligjërisht do ta ketë me siguri shumë më të vështirë ta kalojë historinë e dy vilave, atë gjysmë milion dollarë të pajustifikuar, duke kënduar Himnin përballë një trupe gjykuese të dalë nga rruga e Vetingut dhe e Drejtësisë së re”-, tha Spiropali./atsh

Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë, ose frika e Lulzim Bashës nga tërmeti Read More »

Meta: Pa medie të lirë, rruga e Shqipërisë në BE është e pamundur

Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve, presidenti Ilir Meta shprehet se “pa medie të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur”.

Presidenti Meta e konsideron lirinë e medieve të përkeqësuar.

“Liria e medias në vendin tonë fatkeqësisht është përkeqësuar ndjeshëm. Mjedisi dhe kushtet e punës së gazetarëve gjithashtu. Censura dhe autocensura ndihen qartësisht në raportimet e tyre të përditshme. Presionet politike të tejskajshme dhe të shumëllojshme kanë mbyllur emisione televizive dhe kanë larguar nga ekranet figura të spikatura të gazetarisë. Ndërsa panelet e emisioneve politike të mbrëmjes më shumë orientohen nga interesat e oligarkëve dhe PPP-ve, se sa nga interesi publik dhe kombëtar”, -tha ai.

Duke folur për portalet dhe lajmin e rremë, Meta shton se “Shumë portale në të zezë e kanë ngritur “Fake News” në sistem, duke u vënë në shërbim të shtetit të propagandës. Ndërsa praktikat e “kasetave të gatshme” dhe të transmetimeve me “regji qendrore” po u imponohen gjithmonë e më shpesh televizioneve.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve apeloj me forcë heqjen dorë nga dhuna fizike e psikologjike, kërcënimi, shantazhimi dhe çdo lloj presioni, ngado që të vijë, ndaj gazetarëve.Shpreh solidaritetin tim të plotë me ta dhe i inkurajoj të vijojnë misionin e tyre me guxim, pa u trembur, në funksion të interesit publik e kombëtar, transparencës e llogaridhënies në çdo nivel shtetëror. Integriteti profesional e njerëzor i tyre të respektohet rigorozisht dhe askush të mos guxojë, për asnjë arsye të intimidojë një gazetar në krye të detyrës. Duke dënuar me forcë dhe ashpërsi çdo formë dhune ndaj reporterëve, theksoj se fjala e lirë dhe liria e medias janë një kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”,- tha ai. /atsh

Meta: Pa medie të lirë, rruga e Shqipërisë në BE është e pamundur Read More »