Politike

Rama: Lufta kundër krimit të organizuar prioritet, e kemi bërë më fort se çdokush tjetër

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “zbythja e krimit në folenë e krimit është prioriteti ynë dhe këtu duhet të jemi shumë të qartë që lufta jonë me krimin na ka bërë baltë pikërisht se e kemi bërë më fort se askush tjetër”.

Në fjalën e tij në Kongresin e Pastrisë Socialiste, Kryeministri Rama theksoi se “kush lufton me krimin në një vend të molepsur nga krimi siç ishte Shqipëria duhet ta marrë parasysh se do të akuzohet si më krimineli do të baltoset si më i inkriminuari kjo nuk është eksperiencë e Shqipërisë është histori e botës”.

“Prokurorët e antimafias italiane, të cilët u vranë nga mafia po të shikoni se çfarë jete kanë pasur me sulmet që u janë bërë nga krimi, nga mafia me denigrimet me baltën, kuptoni menjëherë këtë që po them. Sot ne jemi në një kapitull të ri ku mund ta materializojmë atë goditje që përpara nuk e bënim dot me këtë, janë të gjitha të lidhura bashkë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “unë e kuptoj shumë mirë që njerëzit kanë padurim të madh për të parë drejtësinë dhe besoj se nuk them ndonjë sekret apo gjë të pasjellshme kur them se gjysma e popullit drejtësinë e lidh me ata të besëlidhjes, po nuk u lidhën ata, thotë, nuk kemi besë tek drejtësia”.

“E kuptoj këtë, por kjo nuk është as detyra jonë as mundësia jonë. Detyra jonë është të bëjmë drejtësi që pastaj merret me kë duhet të merret dhe nga ana tjetër lufta me krimin ka kaluar në një shkallë të re, sepse sot ne kemi një institucion të ri të drejtësisë kemi SPAK, nuk e kishim deri dje. Tek cili prokuror t’i çonim ne këto asetet e OFL, këto që mbledh OFL kujt t’ia çonim, tek cili prokuror mund të besonim se mund të kishim shans që këto të shkonin në gjykatë, tek cila gjykatë do të shkonin pastaj, tek gjykatat që ka liruar 28 kriminelë brenda 2019, në shkelje të ligjit i kanë liruar, nga rastet më ekstreme që janë bërë mediatike tek rastet që janë bërë më pak ose aspak mediatike. Me këta do ta luftonim”, – tha Rama./atsh

Rama: Lufta kundër krimit të organizuar prioritet, e kemi bërë më fort se çdokush tjetër Read More »

Kryemadhi: Në 2 Mars i bashkohem manifestimit si nënë dhe qytetare

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot nga Vlora se do t’i bashkohet manifestimit në 2 mars në Bulevard, por sipas saj, “jo si kryetare e LSI por si nënë dhe qytetare”.

Gjatë një takimi me strukturat në Vlorë, Kryemadhi u shpreh se “nuk do të jem për Ilir Metën si President, as për shkeljen kushtetuese që ka bërë Rilindja dhe Edi Rama, sepse ata e kanë bërë gjithmonë atë gjë. Do të jem në bulevard për të treguar që e gjithë historia e rilindjes që ka ndërtuar dhe gjithë fabula dhe përralla mashtruese e Rilindjes dhe Edi Ramës që ka ndërtuar për Shqipërinë, jo vetëm që është një mashtrim i madh për shqiptarët, por është një mashtrim i madh edhe për ndërkombëtarët të cilëve do t’u bjerë në kokë mashtrimi që kanë ndërtuar dhe që është ndërtuar”.

“Unë në 2 mars do të jem si qytetare, si nënë. Do të jem atje për shkak të të gjithë historisë, për shkak të taksave të larta, të faturave të larta të energjisë elektrike, për shkak të mungesës së punës për të rinjtë dhe të rejat. Por ajo që është më e rëndësishme, do të jem sepse kjo Rilindje dhe ky Parlament ilegjitim, i cili pa pikë turpi falsifikojnë një ligj, një dokument zyrtar ditën për diell, të jeni të bindur që do të na falsifikojnë edhe fëmijët në maternitetet”, tha ajo.

“ Prandaj do të jem atje për të qenë një shqiptare dinjitoze si të gjitha gratë shqiptare që luftojnë për fëmijët e tyre, sepse unë besoj dhe do të bëj çdo gjë që Shqipëria të jetë shtëpia jonë dhe e të gjithë shqiptarëve”, tha Kryemadhi./atsh

Kryemadhi: Në 2 Mars i bashkohem manifestimit si nënë dhe qytetare Read More »

Nisma “Edhe një”/ Nikolla: Numri i grave në Partinë Socialiste u rrit me 10%

Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, deklaroi sot se Partia Socialiste është forca e pakonkurrueshme në vend për mbështetjen që u jep vajzave dhe grave. Nisma “Edhe një” e rriti me 10% numrin e anëtareve të partisë me vajza e gra që vijnë nga profile të ndryshme, nga arsimi, shëndetësia, ekonomia, apo gra në punë dhe të papuna”.

Në fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialistë, që nisi sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Nikolla tha se “33% e anëtareve të reja janë vajza nën moshën 30 vjeç, ose 55 % e tyre janë nën 40 vjeç”.

“Në fund të tetorit të vitit të kaluar shpallëm nismën “Edhe një”. Ishim 559 këshilltare të bashkive në të gjithë vendin, të cilat u angazhuan që do të shtonin edhe një, do të ftonin edhe një vajzë apo grua tjetër anëtare të Partisë Socialiste. Në katër muaj, ne sot jemi mbi 3 mijë vajza e gra të nismës “Edhe një” sepse 2507 vajza e gra të tjera u bënë anëtarë të PS duke iu bashkuar nismës tjetër të PS që organizatat socialiste të bashkëdrejtohen nga një burrë dhe një grua”, – nënvizoi Nikolla.

Deputetja Nikolla u shpreh se “sot 50 % e përfaqësuesve në këshillat bashkiakë të vendit janë gra, standard që e vendosi i pari Edi Rama në bashkinë e Tiranës, 50% e kabinetit janë gra, 47% e zëvendësministrave janë gra, po ashtu 40% e institucioneve qendrore dhe 45% e drejtorive të përgjithshme drejtohen nga gra. Edi Rama është lideri që në bashki, qeveri dhe parti ka vendosur standarde të larta përfaqësimi për gratë edhe këtë ju tashmë e dini”. /atsh

Nisma “Edhe një”/ Nikolla: Numri i grave në Partinë Socialiste u rrit me 10% Read More »

Thirrja për tubim, Meta: Dua të ndërgjegjësoj qytetarët për grushtin e shtetit

Presidenti Ilir Meta i ftuar në një studio televizive sqaroi arsyet që kanë sjellë thirrjen prej tij të tubimit të 2 marsit në bulevard.

“Tashmë kemi dhe disa puçistë, të cilët kanë dalë zbuluar, të cilët kanë realizuar një grusht shteti, që duan të mbyllin aktin final të rrëmbimit mafioz në kundërshtim me Kushtetutën pikërisht dhe Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që anëtarët e ardhshëm të kësaj Gjykate të jenë të standardit Dvorani, të Artave, të Etildave dhe të gjithë atyre që për besnikëri të verbër apo për pengmarrje nga organizata që po drejton sot Shqipërinë janë gati të shkelin Kushtetutën me të dyja këmbët, të shkelin ligjin dhe çdo gjë. Të falsifikojnë dokumente shtetërore në mënyrë të strukturuar, kriminale, sikurse u demonstrua qartë edhe me provat e fundit”, tha presidenti Meta.

Ai solli në vëmendje argumentet që i ka paraqitur në konferencat e njëpasnjëshme për mediet në Presidencë.

“Më 2 mars unë u jam drejtuar qytetarëve shqiptarë. Atyre do t’u isha drejtuar edhe në dhjetor me rastin e Lëvizjes Studentore, por ajo u shty për disa arsye. Tani më 2 mars unë do t’i drejtohem të gjithë popullit shqiptar dhe të gjithë botës ndërkombëtare për t’u bërë të qartë, që mbi Kushtetutën qëndron vetëm sovrani dhe vullneti i tij”, u shpreh Meta.

I pyetur për objektivat e tubimit, Meta tha: “Objektivat e mia janë shumë të qarta. E para, një herë të ndërgjegjësoj të gjithë qytetarët shqiptarë për grushtin e shtetit. Së dyti, t’u bëj të qartë që instalimi i grushtit të shtetit asgjëson përfundimisht liritë dhe të drejtat e tyre demokratike që garanton në letër sot Kushtetuta e Shqipërisë, por që është e pamundur t’i garantojnë institucionet e kapura”.

“Unë përgjegjësinë e marr vetë i pari dhe kam plotësisht të drejtën që përmes dekreteve të rivendos rendin kushtetues në vend në rast se parlamenti do të vazhdojë të thellohet më tej në puçin e tij dhe në veprimtarinë e tij anti-kushtetuese dhe anti-kombëtare. Dhe përgjegjësinë e marr unë. për mua ka rëndësi që populli të përgjigjet dhe unë jam i bindur që populli do të përgjigjet. Do t’i zbatojë populli dekretet e Presidentit meqenëse institucionet janë të kapura dhe praktikisht të vdekura në kuptimin e funksionimit”, u shpreh ai.

Në lidhje me pyetjen përse mazhoranca kërkoi opinion nga Komisioni i Venecias në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Meta u shpreh se: “”ata e kërkuan gjoja Venecian, për të relativizuar përgjegjësitë penale të Dvoranit se ai, nuk është vetëm ai, ka bërë bashkëpunëtorë të shumtë”.

“Ja dolën disa bashkëpunëtorë, por do dalin dhe të tjerë. Kam dyshime, që për fat të keq do dalin dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë. Më këtë akt dhe tentativë të pastër të grushtit të shtetit”, tha Meta.

“Unë kam respektuar Venecian, e kanë kërkuar ata, se unë nuk mund të kërkojë Venecian e të vë në diskutim diçka që e kam bërë në përputhje më Kushtetutën e Republikës se Shqipërisë”, u shpreh ai.

“Por, meqenëse e kërkuan ata, shumë mirë bënë që e kërkuan ata, kërkova edhe unë, për aktet që ka bërë Kuvendi në mënyrë që ata, të shikojnë se çfarë ka ndodhur realisht dhe jam i sigurt që kur unë të shkoj në seancën plenare në Venecia, që po më çon Rilindja, ata do ta kuptojnë edhe më qartë se çfarë ka ndodhur këtu”, tha Meta.atsh

Thirrja për tubim, Meta: Dua të ndërgjegjësoj qytetarët për grushtin e shtetit Read More »

Samiti i BERZH-it/ Rama: Ka vetëm një autostradë që na duhet të ndërtojmë së bashku, ajo mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së

“Ka vetëm një autostradë që na duhet të ndërtojmë së bashku dhe ajo është autostrada Ballkani Perëndimor – Bashkimi Europian, kjo është ajo për të cilën kemi nevojë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në panelin e kryeministrave në Samitin e BERZH-it mbi investimet 2020 në Ballkanin Perëndimor.

Duke vlerësuar këtë nismë të BERZH-it, Rama tha se “jam këtu për të dëshmuar se qysh prej momentit të parë kjo nismë ka qenë kaq e dobishme, kaq rigjallëruese çdo vit”.

“Nga njëra anë procesi i Berlinit i nisur nga Kancelarja Gjermane në të njëjtin vit që BERZH-i nisi këtë nismë ka qenë në njëfarë mënyre ngushëllimi ynë, pasi ndërkohë që në procesin e integrimit europian na është dashur të përballemi me mjaft beteja e me jo pak zhgënjime, në këtë rrugëtim paralel politik dhe ekonomik kemi gjetur mjaft lehtësi, shumë mbështetje dhe sigurisht kemi mundur të bëjmë gjëra konkrete”, tha Rama.

Rama falënderoi veçanërisht kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic që ishte i pranishëm në këtë samit. “Është vërtetë shumë e rëndësishme për të gjithë ne që jemi këtu në panel. I jemi mjaft mirënjohës për këtë Andrejit, pasi Kroacia është agjenti ynë në Bruksel dhe në të njëjtën kohë është edhe përkthyesi i Brukselit në rajon. Është më e lehtë të përkthesh Brukselin te ne, se sa ne te Brukseli por është pjesë e punës tënde dhe ti je diplomat me përvojë, ndaj paç fat me këtë”, iu drejtua Rama, kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkovic.

Kryeministri Rama falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në Konferencën e Donatorëve, ku sipas tij, “pjesa më prekëse ishte pa asnjë dyshim pjesëmarrja e miqve tanë nga rajoni”. Të gjitha këto vende dhe Kroacia kanë dhënë një shembull të shkëlqyer solidariteti. Fryma në rajon ka ndryshuar prej disa viteve edhe falë këtij forumi dhe shumë mbledhjeve të tjera. Deri në 2014 ne nuk ishim ulur kurrë në një takim të gjithë së bashku me përfaqësuesit e këtyre vendeve, për t’u ulur pa armë, urrejtje, gjakderdhje, për t’u fokusuar për të ardhmen. Kjo është e jashtëzakonshme dhe na duhet të bëjmë para”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “nuk është e lehtë të ecësh para dhe të ndërtosh mbi këtë dhe ta shndërrosh paqen në një instrument zhvillimi dhe begatie, sepse e shkuara ende nuk është tërësisht pjesë e historisë”.

“Natyrisht kemi probleme, mosmarrëveshje, ende ka probleme të mëdha që duhen zgjidhur, por ne po punojmë së bashku e po ecim përpara së bashku e duam që së bashku të ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë që të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që trashëguam brez pas brezi, me mosmarrëveshje, luftëra dhe konflikte”, tha Rama.

Kjo, vijoi ai, “nuk ka të bëjë me paqen si e tillë, por me zhvillimin, ekonominë, të ardhmen për popujt tanë”. “Kjo është arsyeja që besoj fort te Shengeni Rajonal. Nuk ka minishengen, nga e kanë gjetur këtë fjalë, ne jemi mesatarisht nga më të gjatët në Europë si rajon. Është Shengen Rajonal, është një hapësirë e përbashkët rajonale që i referohet shengenit thjesht për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë; janë 4 liritë e Europës të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Në rajonin tonë, në kufi njerëzit presin më shumë se 1 mijë vjet në vit”, tha Rama.

Ndërkohë, ai u shpreh se “Shqipëria po ecën para dhe na duhet të tejkalojmë këtë dëm shumë të madh që është shkaktuar nga tërmeti”.

“Kemi një sërë projektesh të mëdha në vazhdim e sipër, si projektin e aeroportit të Vlorës, parqet fotovoltaike, dhe për më tepër për investimet hidrike jemi mes 5 vendeve të Europës në përputhje me vizonin e Ursula von der Leyen, sepse kemi trashëguar një sistem ku thuajse gjithçka mbështetet në energjinë e ripërtëritshme dhe të gjelbër”, tha Rama./atsh

Samiti i BERZH-it/ Rama: Ka vetëm një autostradë që na duhet të ndërtojmë së bashku, ajo mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së Read More »

Meta dorëzon në SPAK kallëzimin për ministren Gjonaj e 2 zyrtarë të tjerë: Ka tentuar një grusht shteti

Presidenti Ilir Meta depozitoi sot personalisht në Prokurorinë e Posaçme SPAK, kallëzimin penal për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe për funksionarë të tjerë të lartë.

Në një prononcim për mediet, Meta tha se “nuk ka ndodhur ngjarje e tillë në historinë e shtetit tonë, ku së fundi rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe celula e strukturuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë, që përmes shkeljes dhe dhunimit të shumë ligjeve ka tentuar një grusht shteti haptazi”.

“Këto fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti. Kallëzimi penal për disa vepra shumë të qarta, është dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, me në krye Ministren. Po vlerësojmë prova të tjera për persona të tjerë të përfshirë për të çuar deri në fund shpartallimin e kësaj tentative të grushtit të shtetit, por edhe gjithë përpjekjes për të finalizuar grushtin e shtetit”, tha Meta.

Ai ftoi në 2 mars të gjithë shqiptarët në bulevard në Tiranë për të bërë të qartë se të gjithë shqiptarët janë me Kushtetutën, jo me Presidentin. “Unë kam dal në sheshin e betejës së vërtetë për çdo qytetar shqiptar që dëshiron të jetojë në liri, demokraci dhe një shtet ku ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës që të shkelet ligji në këtë mënyrë”, tha Meta./atsh

Meta dorëzon në SPAK kallëzimin për ministren Gjonaj e 2 zyrtarë të tjerë: Ka tentuar një grusht shteti Read More »

Rama citon Martin Luther King: Duhet të mësojmë të bashkëjetojmë si vëllezër, ose të dergjemi si të marrë deri në shkatërrim

“Duhet të mësojmë të bashkëjetojmë si vëllezër, ose pastaj le të dergjemi si të marrë deri në shkatërrim”.

Ishin këto fjalë të nobelistit për paqen, Martin Luther King që Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të Çmuara”.

Duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore, Kryeministri Rama ka përcjellë këto muaj apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit./atsh

Rama citon Martin Luther King: Duhet të mësojmë të bashkëjetojmë si vëllezër, ose të dergjemi si të marrë deri në shkatërrim Read More »

Shqipëri-Kosovë/ Rama: Po pres të punojmë me qeverinë e re, kufiri mes dy vendeve të bëhet tërësisht fluid

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Uashington se “Kosova ka tashmë qeverinë e re dhe mezi pres të punoj së bashku me ta dhe është një temë që ka qenë ëndrra ime dhe çdo shqiptari të Kosovës kufiri, të bëhet tërësisht fluid”.

Në Këshillin e Atlantikut në një bashkëbisedim të hapur mbi vizitën në Uashington, Kryeministri Rama tha se “pse nuk ka qenë e mundur kjo sepse menjëherë sapo ta përmendja jo në Beograd, por këtu në Uashington dhe në Bruksel, njerëzit do më thonin mos je çmendur kjo është Shqipëria e Madhe”.

“Po kështu edhe në Beograd do ta thonin një gjë të tillë. Tashmë kemi një marrëveshje, në të cilën kufijtë mund të jenë tërësisht të hapur, ka njerëz që thonë mos duhet t’u kërkojmë leje serbëve për kufirin tonë. Çfarë është kjo? Kjo është të tallesh me njerëzit, kjo është ti marrësh njerëzit për budallenj, natyrisht duhet një marrëveshje e përbashkët dhe më pas mund ta bësh këtë gjë me gjithkënd”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë sqaroi se “pasi binda serbët dhe Presidentin e Serbisë që të mos ta linin jashtë lëvizjen e njerëzve, sepse ata donin vetëm të përfshinin kapitalin, mallrat , lëvizjen e transaksioneve, por ndërkohë që nuk donin lëvizjen e njerëzve sepse kishin frikë nëse do të hapeshin kufijtë shqiptarët do të lëviznin dhe do të bëhej kjo Shqipëria e madhe” .
“Por kjo nuk është e vërtetë, do të kemi dy shtete, siç do të jenë 6 shtete në Ballkanin Perëndimor, por do të kemi komunikim normal ashtu si në Bashkimin Europian. Kjo do të bënte që shqiptarët të lëvizin mes njëri- tjetrit të lirë. Kjo është diçka që mund ta zgjidhim, se kur je ne qeveri është shumë ndryshe. Tashmë mund të punojmë së bashku dhe sa më shpejt të qartësojmë këtë shtrembërim lidhur me Shengenin Rajonal dhe të bëjmë përpara me kufijtë tanë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ka edhe diçka tjetër, nuk është një BE e vogël, që të gjashtët të kenë një konsensus, të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, jo, nuk ka veto, nuk ka paragjykim, nuk ka kushtëzim, gjithsecili mund të bëjë pjesë apo të zbatojë pjesë të saj siç do. Pra ideja është që nuk është e thënë që Kosova të bëjë me ne apo me Serbinë të njëjtën gjë. Mali i Zi është pjesë e iniciativës na pëlqen pjesa më e madhe e saj, ka gjëra që nuk na intereson, por vetëm për faktin që është shumë elastike, nuk ka nevojë të bësh çdo gjë me të njëjtin ritëm” .

“Së dyti është mjaft interesante që ambasadori Grenell nxiti marrjen e vendimit për të rivendosur fluturimet mes Prishtinës dhe Beogradit, të gjithë në Prishtinë e përgëzuan edhe unë e përgëzova, por po ta kisha thënë unë, vetëm ta kisha thënë jo ta kisha bërë ndoshta nuk do të isha këtu sot, do të më kishin prerë kokën”, – tha Rama.

“Kjo nuk ka të bëjë aspak me mendimin apo qëndrimin tim për këtë, pasi qysh prej ditës së parë e gjithë kohës kam thënë që Serbia duhet ta njohë sa më shpejt të jetë e mundur Kosovën. Për Serbinë është një makth, nga i cili Serbia duhet të çlirohet, Kosova është një realitet që nuk mund të ndryshojë. Në të njëjtën kohë na duhet të punojmë së bashku, na duhet të gjejmë se çfarë dhe ku mund të punojmë së bashku. Për këtë mund të mos biem dakord, por kjo nuk është arsye që të ngrimë gjithçka dhe t’i kthejmë shpinën njëri -tjetrit sepse nuk ndihmon askënd”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “aktualisht kemi një konflikt të madh në Ukrainë dhe Presidenti i Ukrainës dhe i Rusisë ulen dhe flasin se si të hedhin hapa përpara, ata janë në luftë aty në këto zona, si mund të shmangësh të flasësh”./atsh

Shqipëri-Kosovë/ Rama: Po pres të punojmë me qeverinë e re, kufiri mes dy vendeve të bëhet tërësisht fluid Read More »