Politike

Askush nuk e di sa do zgjasë/ Në luftë për ekzistencë me COVID-19, kemi vetëm njëri-tjetrin mbështetje

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në këtë luftë për ekzistencë jemi vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin”.

“Nuk jemi si pas tërmetit kur na ra tavani mbi kokë, varrosëm 51 anëtarë të familjes sonë, kuruam plagët e afro 1 mijë të tjerëve dhe programuam buxhetin tonë për të kthyer në shtëpi 17 mijë motra dhe vëllezër që mbetën me qiellin mbi kokë në mes të dimrit. Morëm rrugët e botës me dorën shtrirë si hallexhinj dhe i hapëm me shkelmin e argumenteve bindëse dyert e botës mbarë duke garantuar fondet e rindërtimit. Jo s’jemi pas tërmetit këtë herë, por jemi pasi na ka hyrë në shtëpi një armik që rrezikon të na marrë qindra, në mos mijëra jetë dhe rrezikon të na shtrijë spitaleve, në mos palestrave dhe sallave të koncerteve mijëra e mijëra njerëz të zemrës nëse nuk zbulojmë përditë brenda vetes fuqinë e durimit më të jashtëzakonshëm dhe nëse nuk e ndajmë mendjen më fort se kurrë se në këtë hall sa një mal mbi kokë jemi vetëm”, tha Rama.

Ai tha se “kemi vetëm veten dhe njëri-tjetrin dhe askush që nuk flet shqip apo qan shqip, nuk na dëgjon”. “Nuk kemi kujt t’ia shtrijmë dorën. Askujt tjetër, sepse askush nuk shikon hallin që na zuri, dhe nuk kemi asnjë derë tjetër, përveç dyerve të zemrave tona ku të trokasim, sepse nuk ka mbetur më derë në botë që nuk është mbyllur”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ose do të luftojmë bashkë, ose të gjithë bashkë do të biem në humnerë, ku nuk do ketë kush të na varrosë e jo më të na qajë”.

Duke prezantuar planin financiar për përballimin e COVID-19, Rama u bëri edhe njëherë apel gjithë shqiptarëve që të ndërgjegjësohen për situatën ku ndodhemi.

“Ju kërkoj përulësisht ndjesë një mijë herë për gjithçka të papëlqyeshme që kam qenë i detyruar t’ju them dhe do t’ju them deri në fund dhe pa ngurim deri sa kjo luftë të mbaroj. Fjalët e sheqerosura janë tradhti. Shikoni çfarë po ndodh me vende shumë më të mëdha se Shqipëria, po e paguajnë një nga një iluzionin se kjo është një ëndërr e keqe që do të mbarojë vetë dhe shpejt. Vendet më të zhvilluara të botës u kapën të gjithë gafil, komplet të paditur dhe të papërgatitur nën agresionin e një virusi të panjohur, një armik që i ka gjetur pa shtretër të mjaftueshëm spitalore, pa aparatura të mjaftueshme frymëmarrje, pa maska dhe veshje të mjaftueshme mbrojtëse, dhe deri pa numra të mjaftueshëm mjekësh të specializuar kundër asfiksimit të qenies njerëzore”, tha Rama.

Ai tha se “për herë të parë si Ballkani i varfër, si Europa e pasur, gjenden në të vetmen anije në det të hapur. “Kanë vetëm një armë në dispozicion, që ka vetëm një fishek, unitetin popullor. Kjo është e para luftë në historinë e njerëzimit ku kazerma është shtëpia dhe çdo ushtar duhet të mbyllet sa më shumë në shtëpi. Tani shohim se si ushtria amerikane, më e pathyeshmja në botë, dhe më e vogla ushtria shqiptare, kanë të njëjtën forcë goditëse: zero. Asnjë aleancë mes shtetesh nuk ekziston. Një luftë botërore, ku secili mbetet më vete dhe Zoti për të gjithë”, tha ai.

Kryeministri tha se “ne nuk jemi më të mençur sesa ato vende që ngurruan për masat shtrënguese dhe që të kufizojnë rëndë lirinë e njerëzve, por pikërisht pse jemi më të dobët se ata ne vrapuam më shpejt të mbyllemi në shtëpi”.

“Do të vazhdojmë kështu pa asnjë iluzion. Nuk e di askush, as SHBA, Gjermania, Franca e me radhë se kur do të vijë dita e çlirimit tonë nga ky makth. Po nuk do të jetë as javës tjetër dhe as pas dy javësh. Vetëm Zoti e di se deri kur do të vazhdojë”, tha Rama./atsh

Askush nuk e di sa do zgjasë/ Në luftë për ekzistencë me COVID-19, kemi vetëm njëri-tjetrin mbështetje Read More »

Kryemadhi: 7 masat që duhet të merren nga qeveria për situatën e krijuar në vend

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka prezantuar sot 7 masa që duhet të marrë qeveria për situatën e jashtëzakonshme të krijuar në vend për shkak të koronavirusit.

Kryemadhi propozoi heqjen e taksave lokale për të gjitha bizneset dhe familjet duke filluar nga muaji mars dhe për gjatë gjithë kohëzgjatjes së kufizime nga karantina. Garantimi i pagesave me vlerë 80% për të gjithë personat, që janë në punë, por nuk mund të punojnë dhe për pasojë nuk punojnë për arsye të mbylljes së aktivitetit të sipërmarrjeve ku ata punojnë për shkak të karantinës, përfshirë dhe të gjithë ushtruesit e profesioneve të lira. Pagesat e tilla pra në këtë masë 80% duhet të kryhen në numrat e llogarisë të punësuarve për të devijuar çdo lloj abuzimi me këtë masë.

Po ashtu, tha ajo “të rimbursohen nga shteti sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të kategorive të punonjësve të trajtuar me 60% të pagës, për të gjithë periudhën në të cilën këta punonjës do të jenë pa punë për shkak të karantinimit dhe kohës që do t’i duhet biznesit për të rikthyer aktivitetin e biznesit dhe pasojat dhe kthimin e tyre në punë. Me shumë rëndësi është subvencionimi për të gjithë fermerët, prodhimet e të cilëve nuk mund të shiten për arsye të bllokimit të transportit dhe masave të tjera të forta kufizuese dhe të pamundësisë së sigurimit të imputeve bujqësore dhe për pasojë mos realizimit të prodhimeve bujqësore. AZHBR duhet të bëjë një disbursim me procedura të përshpejtuara sapo kjo masë të miratohet nga qeveria”.

“Subvecionim të të gjithë pagesave, të palikujduar studentëve, të cilët i kanë këto pagesa si detyrim për vitin shkollor 2019-2020. Shlyerjen e pagesave të TVSH si dhe tatimeve për një periudhë më të vonë, në vlerësimin të kohëzgjatjes së karantinës, por jo më parë se muaji qershor. Për të gjithë ata qytetarë që janë të regjistruar në asistencë si dhe për pensionistët, shteti të marrë përsipër simbursimin e faturave të energjisë elektrike dhe të ujit”, tha Kryemadhi./atsh

Kryemadhi: 7 masat që duhet të merren nga qeveria për situatën e krijuar në vend Read More »

Rama: 7×7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke theksuar se “7×7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave kur të mbarojë lufta shifrat do kapin nivelin e një vendi të G7-ës.
Kreu i qeverisë shprehet se pritet shifra e parashikuar nga Plani për aktorët e Portokallisë, meqë janë mbyllur në shtëpi.
“7×7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave! Deri kur të mbarojë lufta shifrat do kapin nivelin e një vendi të G7-ës! Pritet shifra e parashikuar nga Plani për aktorët e Portokallisë, meqë janë mbyllur në shtëpi, ndërkohë që po u bëhet konkurrencë e pandershme nga 7×7=42”, – tha Rama./atsh

Rama: 7×7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave Read More »

Vokshi: Duhen masa konkrete, situata nuk zgjidhet me gjoba

Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi tha sot se duhen masa për të mbrojtur qytetarët dhe mjekët, situata nuk zgjidhet me gjoba dhe duke sulmuar opozitën.

Vokshi shtoi se “me gjoba nuk zgjidhet asgjë. Duhen masa mbrojtëse për stafin mjekësor, duhen tamponë dhe kite për testimin e popullatës, duhen pajisjet e nevojshme mjekësore për përballimin e fluksit. Asgjë prej këtyre në kohë, megjithëse kryetari i PD Lulzim Basha, prej ditësh, i ka bërë thirrje qeverisë të marrë masa për pajisjen e spitaleve me mjetet e nevojshme, përfshirë aparatet respiratore. Vazhdimisht, kryeministri e ka hedhur poshtë duke theksuar se spitalet kanë pajisje të nevojshme”.

“Situata nuk menaxhohet me shpalljet e gjobave dhe aq më pak, me sulme ndaj çdo propozimi të opozitës. Për shëndetin e mjekëve dhe të shqiptarëve duhen veprime të shpejta, që i paraprijnë përkeqësimit të situatës. Qytetarët kanë nevojë për dikë që qeveris dhe merr vendime në kohën e duhur për interesin e tyre”, tha ajo./atsh

Vokshi: Duhen masa konkrete, situata nuk zgjidhet me gjoba Read More »

Meta, negativ në testin e COVID 19: Detyrim pasi qëndrova në një ambient me një person të infektuar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se ka bërë testin e COVID 19 dhe doli negative.

Në një intervistë televizive, Meta u shpreh se, “unë vetë kam bërë testin, për arsye se mora një informacion që kisha qenë në një palestër, ku kishte rezultuar dikush, një qytetar, që unë e njihja, por që nuk ia kisha dhënë dorën, kishte qëlluar rastësisht”.

“Unë u informova që kishte rezultuar me koronavirus dhe atëherë ishte detyra ime, jo thjeshtë për të mbrojtur veten time, por edhe bashkëpunëtorët apo për të verifikuar nëse unë kisha patur një virus të tillë”, tha Meta.

Ndërkohë, shtoi kreu i Shtetit, “unë i kisha dhënë dorën më parë dhe shumë të tjerëve, përfshi dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të kësaj beteje”.

“Duhet të shprehim mirëkuptimin dhe solidaritetin tonë me të gjithë ata që janë të prekur. Askush nuk duhet të hezitojë, sepse ndoshta ndonjëherë dhe ndjesia jo e këndshme që mund të identifikohesh në publik si bartës i këtij virusi mund t’i çojë njerëzit te frenimi për të bërë testin, për ta pranuar këtë gjë dhe për ta kaluar atë, dhe kjo mund të çojë në pasoja të tjera. Që nga humbja e jetës apo përkeqësimi i shëndetit dhe komplikacionet e ndryshme, që mund ta shoqërojnë për shkak të problemeve të tjera shëndetësore që mund të ketë kushdo. Por, edhe deri te rrezikimi i jetës së familjarëve, të gjyshërve, të fëmijëve dhe njerëzve tanë më të dashur”, tha Meta.

“Ishte kontroll i dyfishtë sepse, theksoj edhe njëherë secili nga ne nuk duhet të mendojë vetëm për veten e tij, por duhet të mendojë dhe për të gjithë te tjerët duhet të jemi shumë të vëmendshëm në të gjithë këtë histori. Padyshim për gjyshërit tanë, për prindërit tanë, që mund të jenë më të rrezikuar edhe për shkak të moshës dhe për shkak të komplikacioneve, sepse kjo është edhe stinë virozash në tërësi, por edhe për fëmijët dhe për të rinjtë se po dalin statistikat të reja që tregojnë se edhe ata janë të kërcënueshëm dhe të rrezikuar”, tha Presidenti Meta.

Meta theksoi se, “kjo është një situatë e jashtëzakonshme, jo vetëm për vendin tonë. Është një situatë e përgjithshme globale. Është një situatë e re, me të cilën duhet të mësohemi çdo orë e më shumë, për të nxjerrë përvojat e reja për ta përballuar me kosto minimale, së pari në interes të mbrojtjes së jetës e të shëndetit të çdo qytetari të vendit tonë, që mund të rrezikohet nga pakujdesia e secilit prej nesh. Pra të çdo qytetari, të çdo familjari, e cilitdo që është në kontakte e në marrëdhënie të vazhdueshme në familje, në mjediset e punës apo kudo që jeton. Është një situatë e detyrueshme me qëllim për të parandaluar rrezikun e përhapjes së këtij virusi ende të panjohur mirë në kuptimin e reagimit apo të vaksinimit për të qenë i mbrojtur prej tij”.

Meta shpreh “mirënjohje për të gjithë personelin mjekësor, për mjekët, për infermierët, sanitarët, por jo vetëm për ata. Për të gjithë që janë në mbështetje të tyre e që janë në kontakt të parë, duke përbërë murin mbrojtës për të gjithë shoqërinë tonë ndaj kësaj pandemie”.

Ndaj, shtoi ai, “dhe vëmendja e parë duhet të shkojë për ta, për mbrojtjen e tyre, sepse kjo kuptohet që do të jetë një betejë e gjatë, që do të zgjasë ende në një kohë të pacaktuar”.

Dhe së dyti, vijoi Meta, “kujdesi duhet të shkojë për të gjithë ata, të cilët aktualisht janë të identifikuar të prekur nga ky virus, për të bërë gjithçka që ata ta kalojnë këtë moment pa rrezikuar jetën e tyre, por edhe të familjarëve të personelit që është në shërbimin e tyre”.

Padyshim, ka nënvizoi Meta, “që impakti do të jetë i përgjithshëm edhe në aspektin e ekonomisë, shoqëror, për sa i takon arsimit, sepse kuptohet që jemi në një moment vetëmbrojtjeje, ku kujdesi duhet të jetë maksimal”.

“Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, duhet të përmirësojmë mekanizmin reagues, parandalues, mbrojtës, në mënyrë që të bëjmë të mundur të funksionojmë edhe si shtet, edhe si shoqëri, edhe si familje, edhe si institucione, por edhe si biznese, sa më mirë që të jetë e mundur pa cenuar kurrë objektivin e parë: Të mbrojmë shëndetin dhe jetën e çdo qytetari shqiptar nga ky virus e nga ky rrezik”, theksoi ai.

Meta u shpreh se nevojitet bashkëpunim nga të gjithë dhe se taskforca në Presidencë nuk dublon asnjë strukturë

“Shqetësimin për këtë çështje unë e kam bërë publik që më 31 janar 2020, kur për herë të parë u identifikuan dy shtetas italianë. Dhe kuptohet se ky do të ishte një rrezik që do të vinte në rritje për arsye sepse përmasat që mori në Kinë, por edhe në vende të tjera, dhe fakti se jetojmë në një epokë të globalizimit, ku jo vetëm të mirat shpërndahen shpejt, por ku edhe rreziqet menjëherë marrin përmasa gjithëpërfshirëse. Dhe në vazhdimësi kam qenë në komunikime me të gjitha institucionet shtetërore e të qeverisë për të kërkuar marrjen e masave brenda kompetencave të secilit prej tyre, në parandalimin dhe përballimin e këtij fenomeni. Jemi në mënyrë të vazhdueshme në këto komunikime, dhe do të vazhdojmë pasi është prioritare që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në parametrat në të cilët ndodhemi, sepse janë disa faktorë që nuk varen vetëm nga ne, por edhe përsa u takon përshkallëzimeve të ndryshme që mund të vihen re në të ardhmen”, tha Meta.

“Pra përshkallëzime përsa u takon përballimit të të gjitha skenarëve të zhvillimit të kësaj pandemie, të përmirësimit apo të përkeqësimit, dhe njëkohësisht edhe të skenarëve të tjerë që duhet të ndiqen paralelisht, të situatës ekonomike, sociale, të sipërmarrjes, sepse impakti padyshim që tashmë ka filluar të mos jetë pozitiv. Pra kjo nuk është vetëm për ne. Kjo është edhe për vende e tjera, por natyrisht këtu nuk kemi të bëjmë me një avantazh, po të kemi parasysh që është një situatë kur çdo vend mobilizon resurset e tij për të mbrojtur veten e vet në radhë të parë, pra nuk është si në rastin e një fatkeqësie tërmeti kur të gjithë përpiqen të ndihmojnë atë që goditet”, shtoi Meta.

Megjithatë, nënvizoi ai, “përvojat e vendeve të tjera: të Kinës, Italisë, që janë goditur më fort e më përpara, duhet të na shërbejnë edhe ne për të ardhmen. Apo të vendeve që kanë arritur të jenë më të mbrojtura në rajonin tonë dhe të na ndihmojnë për të adaptuar masa të reja, edhe parandaluese, edhe përmirësuese të të gjithë mekanizmit reagues të shtetit e të shoqërisë”.

“Përsa i takon Task-Force-s, mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim apo dëshirë për spekulim: Task-Forca në Institucionin e Presidentit është në funksion të Presidentit. Pra nuk është se ajo dublon Task-Force-n e Ministrisë së Shëndetësisë, sepse Presidenti i Republikës nuk ka as këshilltarë funksionalë për shëndetin, pavarësisht se këshillohet në mënyrë të vazhdueshme me profesorë të kësaj fushe, nga më të njohurit në vend, por ajo është një Task-Force, e cila ndihmon, për shkak se jemi në një situatë të jashtëzakonshme, për të monitoruar të gjitha zhvillimet, për të komunikuar me institucionet, shqetësimet që vijnë këtu apo që evidentohen nga mediat me qëllim të vetëm përmirësimin e reagimit shtetëror të menaxhimit të kësaj krize, emergjence”, tha Meta.

Në lidhje me masat e marra Meta tha se, “Duhet të kemi parasysh se dhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk është se ka patur një vizion të qartë që në fillim për përballimin e kësaj sfide, të cilën dhe ajo me pak vonesë e konsideroi si Pandemi. Në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë udhëzime të ndryshme apo të ndryshueshme në varësi edhe me eksperiencat e reja duke qenë se kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur mirë shkencërisht”.

“Ajo që mund të them është se të gjithë duhet të jemi bashkëpunues, të gjithë duhet të jemi reflektues, sepse është një eksperiencë e re, që asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar më parë dhe sigurisht që Shqipëria ka patur disa eksperienca të rëndësishme pozitive në të kaluarën në përballimin e SARS-it apo të gripit të derrit apo të disa fenomeneve relativisht të ngjashme”, theksoi Meta.

Megithatë, Meta, theksoi se, “e para mbrojtja e personelit shëndetësor është prioritet mbi prioritetet, sepse jo vetëm ata janë të rrezikuar në çdo sekondë për shkak të profesionit dhe për shkak të kontaktit të parë dhe të vazhdueshëm që kanë me të gjithë personat e infektuar, apo potencialisht të infektuar, pra ende të pakonfirmuar apo të paverifikuar. Kjo e theksoj edhe një herë që është prioritet mbi çdo prioritet, se është një betejë që do vazhdojë gjatë dhe ata do të jenë gjithmonë në vijën e parë të kësaj beteje”.

Së dyti, shtoi Meta, “padyshim që testimi është mjaft i rëndësishëm dhe marrja e masave për të patur infrastrukturën e duhur është e domosdoshme për të gjithë ata të cilët kanë shqetësime”.

Së treti, tha Meta, “mbetet prioritet marrja e masave për terapinë intensive për të gjithë ata gjendja e të cilëve mund të rëndohet, sepse këtu bëhet fjalë, jo thjeshtë për t’i shëruar, po për t’i shpëtuar jetën e tyre, dhe në këtë drejtim unë kam marr garancitë edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe ekipi që po merret me këtë çështje që janë marr masat edhe për sa i takon respiratorëve shtesë edhe për sa i takon posteve shtesë për sa i takon reanimacionit, në mënyrë që në çdo rast të jepet ndihma dhe të shpëtohet çdo jetë e çdo qytetari në vendin tone”.

Ndërkohë, ënnvizoi Meta, “padyshim që jam takuar edhe me përfaqësues të opozitës të cilët kanë një qasje kritike, që edhe është normale për sa i takon këtij pozicioni opozitar, ashtu sikurse jam i sigurt që edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë çdo ditë mendojnë se ka vend për përmirësime, sepse është një eksperiencë e re. Dhe disa nga shqetësimet e tyre ua kam transmetuar edhe përfaqësuesve të qeverisë, dhe është e rëndësishme thellimi i procesit të bashkëpunimit në përballimin e kësaj sfide në interes të përmirësimit të masave parandaluese dhe njëkohësisht të qetësimit, të ruajtjes së një atmosfere sa më pozitive të jetë e mundur në shoqëri në përgjithësi, në familjet tona kudo, sepse paniku në çdo rast nuk është një aleat i mirë, përkundrazi është një kundërshtar që mund të jetë dhe i pamëshirshëm në momente të caktuara. Të gjithë duhet të punojmë për të dhënë këto mesazhe përgjegjshmërie, bashkëpunimi, transparence”.

Në lidhje me shtetasit shqiptarë që janë jashtë dhe kërkojnë të kthehen në atdhe Meta tha se, “ne kemi marrë vazhdimisht shqetësime në këtë drejtim dhe kemi bërë edhe komunikimet tona me institucionet këtu për të evituar disa raste të cilat mund të lehtësonin moslëvizjen e tyre ndoshta të panevojshme apo për disa arsye në këtë situate”.

“Megjithatë, duhet të kemi parasysh që duhet të jemi pranë çdo qytetari të vendit tonë, i cili dëshiron të vijë në vendin tonë, sidomos të atyre që janë rezidentë në Shqipëri. Duhet të gjejë mënyrën e duhur në mënyrë që kjo gjë të jetë e kontrolluar, të jetë e menaxhueshme dhe sigurisht ata t’i nënshtrohen edhe një karantine të plotë dhe të sigurt”, shtoi Meta.

“Në këtë drejtim sot jam informuar që në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, të Konvaleshenca janë krijuar të gjitha kushtet për të patur një karantinë sa më funksionale për të gjithë ata që do ta kenë të domosdoshme që ta realizojnë këtë detyrim”, tha Meta.

Ndërkohë, theksoi Meta, “do të ndiqen besoj të gjitha hapat për t’iu përshtatur kësaj situate në të gjitha dimensionet që ajo do të shfaqet, kur nuk varet nga ne. Sepse ka edhe faktorë që nuk varen plotësisht nga ne”.

“Nga ne varet që gjithsecili të jetë i kujdesshëm në të gjitha sjelljet e tij, në veprimet e tij dh të respektojë të gjitha ato këshilla dhe instruksione të cilat janë në mjetet e informimit publik në mënyrë të vazhdueshme”, tha Meta./atsh

Meta, negativ në testin e COVID 19: Detyrim pasi qëndrova në një ambient me një person të infektuar Read More »

Rama falënderon shqiptarët në Itali për mesazhet mbështetëse: Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar akoma që jemi në një luftë të vërtetë

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali, për mesazhet mbështetëse të përcjella prej tyre në këtë situatë, ndërsa u ka kërkuar atyre të sensibilizojnë edhe të afërm të tyre në Shqipëri, që të zbatojnë masat.

“Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve ju që jeni në Itali dhe shkruani në faqen time fjalë të ndjera, të mençura, të vërteta nga zona e dhimbjeve më të mëdha të luftës.
Ju lutem shkruani sa të mundeni, kurdo e kudo mundeni përmes fejsbukut tuaj dhe foluni sa më shumë nëpër telefona të afërmve e miqve tuaj këtu në Shqipëri, jepuni kurajo e forcë duke u thënë të vërtetën! Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar apo s’duan ta kuptojnë akoma, që jemi në një luftë të vërtetë dhe ankohen sikur jemi në një lojë kukamçefthi, të vijnë sa më shpejt në vete e të mbledhin mendjen! Viva l’Italia, Rroftë Shqipëria”, u shpreh Kryeministri./atsh

Rama falënderon shqiptarët në Itali për mesazhet mbështetëse: Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar akoma që jemi në një luftë të vërtetë Read More »

Koronavirusi/Basha: Ditët që po kalojmë të paprecedenta, propozimet tona realiste

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reagur sot në lidhje me masat që duhet të marrë qeveria për mbështetjen e qytetarëve dhe të biznesit për shkak të situatës të krijuar nga koronavirusi.

Basha shprehet se “ditët që po kalojmë janë të paprecedenta. Anembanë botës qeveritë dhe opozitat po përpiqen për të gjetur mënyrën më efikase për të ndalur përhapjen e virusit, si edhe për të mbështetur qytetarët dhe bizneset që ta tejkalojnë sa më lehtë këtë”.

“Për çdo propozim ekonomik që kam bërë në dy rastet e fundit të emergjencave, pas tërmetit dhe tani për koronavirusin, kam patur parasysh se detyra numër një e qeverisë duhet të jetë shëndeti i qytetarëve shqiptarë kudo ku jetojnë anembanë vendit, dhe më pas, garancitë për kompensimin e këtij dëmi të madh si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë tonë në tërësi. Në fokusin tim kanë qenë dhe janë njerëzit, familjet e tyre dhe ekonomia”, tha ai.

Po ashtu Basha thekson se “propozimet e mia janë të bazuara në dy parime bazë: 1. “Mos kurse asgjë përpara shëndetit të njerëzve dhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit”, dhe 2. “Mos propozo kurrë diçka që nuk do ta bëje dot vetë”.

“Këto ditë jam në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat e bizneseve, me biznese të vogla dhe të mesme. Janë këto grupe shtyllat e ekonomisë shqiptare, të cilat kanë nevojë të mbështeten në këtë kohë krize. Çdo vend po vepron kështu, duke vënë në dispozicion buxhetin e mjaftueshëm për përballimin e krizës dhe duke aplikuar politika fiskale dhe monetare në mbështetje të ekonomisë. Këto masa fiskale lehtësuese u vijnë në ndihmë si sipërmarrësve të vegjël, ashtu dhe punëtorëve të tyre. Në fund të ditës, gjithsecili duhet të paguajë një qira mujore dhe të ushqehet. Ku do t’i gjejnë paratë për këtë, nëse nuk punojnë gjatë këtyre ditëve? Po për taksat që do të paguajnë tani në mars ku do t’i gjejnë paratë, kur bizneset janë mbyllur?”, tha ai.

Basha shton se “është jo njerëzore që të sillesh rreth e rrotull propozimeve tona apo të sulmosh opozitën në këtë periudhë. Propozimet tona janë realiste dhe të zbatueshme nëse ka mirëmenaxhim, kompetencë dhe transparencë.

“Sot Shqipëria ka nevojë të përballojë emergjencën shëndetësore që ka krijuar kriza e koronavirus. 120 milionë euro që shkojnë dëm me koncesionet, duhet të angazhohen në dy fusha kyçe: mbështetje sociale dhe fonde shtesë për shëndetësinë. Ne si opozitë do të vazhdojmë të mirëinformojmë njerëzit, të kërkojmë e të bëjmë transparencë sa të mundemi dhe të ofrojmë zgjidhje dhe alternativa për tejkalimin e kësaj gjendje”, shprehet ai./atsh

Koronavirusi/Basha: Ditët që po kalojmë të paprecedenta, propozimet tona realiste Read More »

Videomesazhi emocionues nga Rama: Sot jemi një për njëri-tjetrin, për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama u thotë “Mirëmëngjes!” të gjithë shqiptarëve me këngën hit “Po ku ka si ty, moj Shqipëria ime”, interpretuar nga bilbili i muzikës shqiptare Vaçe Zela.

“SOT JEMI NJË PËR NJËRI-TJETRIN PËR SHQIPËRINË”, ky është mesazhi i kurajos dhe besimit që përcjell Kryeministri Edi Rama në këtë situatë të pazakontë krijuar nga pandemia e koronavirusit COVID-19./atsh

Videomesazhi emocionues nga Rama: Sot jemi një për njëri-tjetrin, për Shqipërinë Read More »