Politike

Spiropali: Qëndrojmë deri në fund dhe padyshim që e fitojmë këtë luftë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali u bëri thirrje sot qytetarëve të qëndrojnë deri në fund me zbatimin e masave për ta fituar këtë luftë”.

Përmes një video me pamje nga kryeqyteti në karantinë, Spriopali inkurajon qytetarët që të bëjnë durim dhe të vazhdojnë përpjekjet deri në fund.

“Qëndrojmë deri në fund sikurse këto ditë dhe i kemi vendosur vetes dy alternativa përpara: ose e fitojmë ose padyshim që e fitojmë këtë luftë”, tha ajo./atsh

https://www.facebook.com/espiropali/videos/537551193575545/?t=0

Spiropali: Qëndrojmë deri në fund dhe padyshim që e fitojmë këtë luftë Read More »

Meta: Qytetarët të respektojnë me përpikëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka ftuar sot të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi ka theksuar ai, “kjo është në interesin tonë të përbashkët”.

“Në këtë mënyrë”, ka nënvizuar Meta, “jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne”.

Ndërkohë, ka shtuar ai, “është me rëndësi që çdo akt i Këshillit të Ministrave që miratohet në këtë situatë, t’i nënshtrohet paraprakisht një vlerësimi sa më të thelluar, në proporcion me gjendjen që dikton domosdoshmërisht miratimin e tyre”.

“Çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe në harmoni me hierarkinë e normave në fuqi, në mënyrë që miratimi i masave kufizuese të mos rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore”, ka theksuar Meta.

“Masat kufizuese duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të ligjeve në fuqi, por edhe t’i përgjigjen vetëm nevojës dhe urgjencës së përballimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur nga Këshilli i Ministrave”, ka vijuar Kreu i Shtetit.

“Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie për të gjithë”, ka përfunduar Presidenti Meta./atsh

Meta: Qytetarët të respektojnë me përpikëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet Read More »

Braçe citon Martin Luther King: Për të bërë armiq nuk është nevoja të shpallësh luftë, mjafton të thuash atë që mendon

“Për të bërë armiq nuk është nevoja të shpallësh luftë, mjafton të thuash atë që mendon!”

Zv/kryeministri Erion Braçe e ka nisur ditën sot me një shprehje të Martin Luther King.

“Për të bërë armiq nuk është nevoja të shpallësh luftë, mjafton të thuash atë që mendon”, u shpreh sot zv/kryeministri Braçe.

“Martin Luther King e vranë në një ditë si kjo për ato që mendonte dhe i thoshte. Mirëmëngjes!”, theksoi Braçe./atsh

Braçe citon Martin Luther King: Për të bërë armiq nuk është nevoja të shpallësh luftë, mjafton të thuash atë që mendon Read More »

Basha: Qeveria të rialokojë buxhetin dhe të shtojë fondet e emergjencës

“Qeveria të anulojë menjëherë koncesionet, të rialokojë buxhetin dhe të shtojë pa vonesë fondet e emergjencës në ndihmë të shëndetit dhe njerëzve dhe bizneseve në nevojë”, deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve, kemi kërkuar që qeveria të subvencionojë qiratë dhe pagesat e qytetarëve dhe bizneseve në nevojë, ashtu si kanë bërë shumë vende duke nisur me Kosovën. Boll me fyerje dhe sulme ordinere: ato nuk i mbushin xhepat dhe tryezat bosh të shqiptarëve”, tha Basha.

“Fyerjet dhe sharjet ndaj opozitës tregojnë se kryeministri nervoz nuk ka as ide dhe as plan masash për emergjencën. Çfarë thotë në drekë, e ndryshon në darkë! Ai sot po tregon se nuk ka hallin e shqiptarëve, por ka vetëm merakun e oligarkëve”, u shpreh Basha.

“Qeveria të anulojë menjëherë koncesionet, të rialokojë buxhetin dhe të shtojë pa vonesë fondet e emergjencës në ndihmë të shëndetit dhe njerëzve dhe bizneseve në nevojë. Koha nuk pret”, shtoi Basha./atsh

Basha: Qeveria të rialokojë buxhetin dhe të shtojë fondet e emergjencës Read More »

Deklarata e Thaçit për krijimin e një qeverie të re/Kurti: Do t’i përgjigjemi në një moment të përshtatshëm

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka quajtur të panevojshëm angazhimin e presidentit Thaçi për krijimin e një qeverie të re.

Ai pretendon se Thaçi me këtë rast ka shkelur Kushtetutën, ndërsa shprehet se përgjigje rreth mandatarit të ri për kryeministër do t’i kthejë “në një moment të përshtatshëm”.

“Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë”, thekson Kurti.

“Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, shprehet ai./atsh

Deklarata e Thaçit për krijimin e një qeverie të re/Kurti: Do t’i përgjigjemi në një moment të përshtatshëm Read More »

Meta: Qytetarët të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë

Presidenti Ilir Meta deklaroi mbrëmjen e sotme se “jam duke ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët ndodhen të bllokuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Malin e Zi”.

Ai shprehet se “situata e pritjes së tyre në kufirin shqiptar dhe pengesa që po hasin kërkon një zgjidhje të shpejtë”.

“Autoritetet shqiptare përgjegjëse të informojnë pa vonesë qytetarët tanë mbi gjendjen dhe procedurat e reja që duhen respektuar në pikat tona kufitare, të imponuara nga pandemia COVID-19, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime të pamenaxhueshme. Në të mirë të të gjithëve, shtetasit tanë duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat dhe konsullatat tona, si dhe të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë”, deklaron Meta.

Ai u bën thirrje të gjithëve që “duke forcuar bashkëpunimin midis qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjëse në këtë situatë të vështirë, të tregojmë mirëkuptim e bashkëpunim, por veçanërisht solidaritet dhe përgjegjshmëri të lartë për të kapërcyer me sa më pak kosto këtë sfidë të jashtëzakonshme”. /atsh

Meta: Qytetarët të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë Read More »

Masat ndaj COVID-19/ Përgjysmohen pagat e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore

Këshilli i Ministrave vendosi sot që Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 deri në përfundim të saj, por jo më shumë se tre muaj, përfitojnë page mujore neto në masën 50% të pagës mujore neto aktuale.

Në mbështetje të ligjit “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi që nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, për periudhën nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, por jo më shumë se tre muaj, nuk e përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

“Përjashtohen nga zbatimi i pikës 2, të këtij vendimi, nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në kuptim të këtij vendimi, institucione të administratës shtetërore janë ato të përcaktuara sipas ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Institucionet përkatëse, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, të derdhin shumat e papaguara në buxhetin e shtetit, në fondin anti COVID-19, të miratuar për vitin 2020, në bankën e nivelit të dytë Credins Bank, me numër llogarie në lekë nr. 1348338, me IBAN: AL 152121 1016 0000 0000 0134 8338.6”, – theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Kryeministria, aparatet e ministrive, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror si dhe institucionet e administratës shtetërore, të cilat sipas legjislacionit të tyre specifik, kanë këshilla apo borde drejtuese me të drejtë pagese.
Atsh
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare./

Masat ndaj COVID-19/ Përgjysmohen pagat e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore Read More »

Rama për ”La Stampa”: Ja se si Shqipëria ime e ndihmoi Italinë

Unë kurrë nuk kam parë që një luftë të fitohet duke u mbrojtur, duhet të sulmosh, ky është një armik i vështirë dhe ne duhet të bëjmë si Milani i Arrigo Sacchit, të gjithë në mbrojtje dhe të gjithë në sulm, ai që luan vetëm humbet, deklaroi kryeministri Edi Rama për gazetën e njohur italiane ”La Stampa”.

”Nuk e tradhton dashurinë e tij për Italinë edhe te metaforat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili dje goditi imagjinatën italiane me fjalët e tij të solidaritetit dhe dërgimin e 30 vullnetarëve, përfshirë mjekë dhe infermierë, për të ofruar ndihmën për qendrat më të prekura në Lombardi”, shkruan ‘La Stampa”.

Kryeministri Rama, pikërisht në një kohë kur Europa po mundohet të tregojë solidaritet, Shqipëria nuk mungoi për t’i dhënë mbështetjen e saj Italisë. Si lindi ideja?

“Ne kemi jetuar me Italinë çdo ditë, përgjithmonë, dhe kur kuptuam se kishte nevojë për forcat e vijës së parë i thashë vetes: “Le të bëjmë diçka, nuk do të jetë shumë, por prapë një ndihmë është… “Kështu që telefonova ministrin Luigi Di Maio dhe së bashku organizuam operacionin, duke u koordinuar edhe me Shëndetësinë. E shkëlqyer ishte përgjigjja e menjëhershme nga mjekët dhe infermierët tanë. Edhe këtu kemi vdekje dhe të infektuar, por situata italiane është më serioze, dhe mobilizimi është ndjerë “.

Si mendoni si po sillet Bashkimi Europian në këtë fazë?

“Për ne, Bashkimi Europian është rruga e vetme dhe destinacioni i vetëm, edhe nëse është një projekt i papërsosur, i cili ndonjëherë është bllokuar, është i vetmi që mund të ketë sukses. Ky është një armik i padukshëm, i cili nuk ka nevojë për viza, që nuk shikon kufijtë e Schengenit dhe që nuk mund të hidhet në det: përballë një armiku që sfidon vetë kuptimin e komunitetit tonë njerëzor, frikësohet të shohë vendet europiane të cilat mbyllen dhe bëjnë dekrete shpesh kontradiktore. Kjo jep idenë e pamundësisë për të luajtur të gjithë së bashku ”.

A mendoni se dobësia europiane rrezikon të lërë një boshllëk politik që të tjerët mund ta mbushnin?

“Askush nuk mund të zëvendësojë Bashkimin Europian dhe shpresoj se kjo dobësi do të shndërrohet në mundësi për të gjetur një kohezion të ri të brendshëm”.

Shqipëria ka parë bllokimin e negociatave vetëm disa muaj më parë. Si e konsideroi këtë opinion publik shqiptar?

“Ishte një tërmet i tmerrshëm psikologjik, madje edhe para atij gjeologjik që pasoi. Për ne, BE është i vetmi vend ku mund të ulemi, një hapësirë ​​ku fati është në duart tona dhe jo në duart e të tjerëve. Në fund të fundit, nuk është hera e parë që ka ndodhur: Unë kam parë mirë zhgënjimin e Italisë të lënë vetëm në krizën e migrantëve, dhe pjesërisht edhe tani, ndërsa po lufton një luftë që nuk është një luftë italiane … ”

Çfarë prisni nga Komisioni i Ursula von der Leyen?

“Ne kemi marrë ‘po’-në për të hapur negociatat vetëm disa ditë më parë, kam një admirim të madh për të, ajo është një grua e jashtëzakonshme, me një ndjeshmëri të veçantë, dhe me një sens të fortë gjeopolitik, mendoj se ajo dëshiron t’i japë një kthesë të thellë strategjike Europës. ”

Cili është mësimi politik që duhet të nxirret nga kjo krizë e madhe globale?

“Unë nuk mendoj se ky virus ka mbërritur për të mirën tonë, por siç tha papa Françesku gjithashtu na jep mundësinë të reflektojmë mbi marrëdhëniet që kemi me natyrën, me familjet tona, me nivelin e komunikimit midis shteteve. Askush nuk mund të përjashtojë që Kina në vetvete nuk do të bjerë viktimë e virusit ose se infeksioni nuk do të kthehet në vendin ku dukej i zhdukur. Është një iluzion të mendosh që nuk duhet të veprojmë së bashku ”.

Çfarë mendoni për menaxhimin aktual të pandemisë?

“Unë mendoj se duhet të reagojmë nga ana ekonomike. Nuk mund ta mbyllim veten për të bërë vetëvrasje, përsëris, ne nuk e fitojmë ndeshjen vetëm në mbrojtje, e as nuk mund ta imagjinojmë se jemi mbyllur në shtëpi për një vit. Por, reagimi duhet të jetë i zakonshëm, i koordinuar, pasi fenomenet nuk mund të funksionojnë të vetmuar. Unë nuk kam iluzione, njeriu nuk u krijua të jetë i përsosur, por duhet të mësojmë të jetojmë me gabimet tona, jo të jetojmë me mëkatet tona “./atsh

Rama për ”La Stampa”: Ja se si Shqipëria ime e ndihmoi Italinë Read More »