Politike

Spahia: Rruga e vetme për kthimin sa më shpejt në normalitet është shtimi i testimeve

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia deklaroi sot se “rruga e vetme për kthim në normalitete është shtimi i testimeve”.

“Rezultatet pozitive te pacientit ndërsa merrte shërbim në spitalin e Traumës, pas aksidentit automobilistik, tregojnë dhe njëherë rëndësinë e rritjes së testimeve, pasi në këtë mënyrë jo vetëm nuk arrijmë të shkëpusim dot zinxhirin e infektimit, por po vihet çdo ditë në rrezik shëndeti i mjekëve dhe infermierëve dhe rritja e të infektuarve nëpër spitale.

“Sot kemi disa mjekë dhe infermierë nga spitali i Traumës të vetëkarantinuar. Uroj me zemër që t’i kenë shpëtuar infektimit dhe të kthehen shpejt në krye të detyrës aty ku ka dhe shumë nevojë”, tha Spahia.

Ai theksoi se “testimet kanë garantuar suksesin e menaxhimit të përhapjes së COVID-19 në shumë vende që sot po bëhen gati t’i hedhin hapat e parë drejt normalizimit. Prandaj pa humbur kohe duhet shtuar numri i testimeve në mënyrë që të nisë hapja dhe kthimin në normalitet në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme”./atsh

Spahia: Rruga e vetme për kthimin sa më shpejt në normalitet është shtimi i testimeve Read More »

Braçe : Sakrificat gjithnjë kanë një fund të mirë

Zv/ kryeministri Erion Braçe ka uruar sot besimtarët katolikë për Pashkën.

Referuar edhe situatës nga koronavirusi, Braçe thotë se sakrificat gjithnjë kanë një fund të mirë.

“Gëzuar Pashkën! Çdo shqiptari të krishterë, të besimit katolik, kudo që ndodhet, dua t’i uroj Pashkën! Sakrificat gjithnjë kanë një fund të mirë”, ka theksuar Braçe.

“E di që shumë ndër ju e përtej jush po vuajnë, po sakrifikojnë, shërbejnë për jetën duke ndihmuar, kuruar e shpëtuar jetë, njëri tjetrin!”, është shprehur Braçe.

“Lutjet e gjithkujt shkojnë për ata që vuajnë e për ata që shërbejnë! Jemi bashkë, në vuajtje e shërbim! Do jetë më mirë. Shpresa është e madhe” shprehet Braçe në mesazhin e urimit të tij./atsh

Braçe : Sakrificat gjithnjë kanë një fund të mirë Read More »

Në shtëpi krah dy fëmijëve të vegjël, ministrja Spiropali uron Pashkën: Nuk ka forcë më madhore se dashuria njerëzore. Zoti qoftë me ju

Përmes një fotoje të ëmbël, teksa mban në krahë djalin Kren dhe vajzën e saj Nalta, ministrja Elisa Spiropali ka uruar të gjithë shqiptarëve Pashkën.

“Pashka në kohë të tilla na kujton se nuk ka dhimbje që nuk shërohet, nuk ka të keqe që nuk mposhtet, nuk ka errësirë që nuk thyhet edhe nga drita më e zbehtë, nuk ka forcë më madhore se dashuria njerëzore”, shprehet ministrja në mesazhin e urimit të saj.

“Zoti qoftë me ju dhe familjet tuaja, Gëzuar!”, shkruan ministrja në përmbyllje të urimit të saj./atsh

Në shtëpi krah dy fëmijëve të vegjël, ministrja Spiropali uron Pashkën: Nuk ka forcë më madhore se dashuria njerëzore. Zoti qoftë me ju Read More »

Meta uron për Pashkët: Lutjet tona shkojnë për mjekët dhe infermierët në vijën e parë të luftës

Presidenti Ilir Meta ka uruar për Festën e Shenjtë të Pashkëve për besimtarët katolikë dhe ungjillorë ndërsa ka thënë se sot më shumë se kurrë të gjithë kemi nevojë të ndjejmë mesazhin e Krishtit të Ringjallur.

‘Sot Pashkët po i kremtojmë me “dyer të mbyllura” për shkak të pandemisë, që po shkakton shumë dhimbje, varfëri dhe frikë. Ndaj më shumë se kurrë të gjithë kemi nevojë të ndjejmë thellë në shpirt e në zemrat tona mesazhin e Krishtit të Ringjallur, i cili na porosit: “Unë jam i Gjallë në mesin Tuaj, prandaj MOS KINI FRIKË”. Ringjallja e Krishtit na siguron se Zoti, për këdo që e beson, është i pranishëm kudo, në çdo vend dhe në çdo kohë. Ndaj le t’i shndërrojmë këto momente të vështira që po përjetojmë, në forcë e kurajo, sepse edhe fizikisht larg njëri-tjetrit, por me solidaritet e gjithëpërfshirje, ne mund dhe do t’ia dalim. Sepse siç na porosit edhe Papa Françesku: “Ringjallja e Krishtit është forcë dhe kurajo në momentet më të vështira për mbarë njerëzimin. Dashuria na bën të shpresojmë në një botë më të mirë”, thotë Meta.

Ndërsa i gëzohemi thjeshtësisë së Festës së Pashkës, Meta thotë se lutja shkon për mjekët dhe infermierët të cilët po shërbejnë me përshkushtim e sakrifica të pashembullta në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.

“T’i gëzohemi thjeshtësisë së Festës së Pashkëve në familjet tona, dhe le ta ndajmë gëzimin tonë në lutje për shëndetin e të afërmve tanë, për shërimin e të prekurve nga kjo pandemi dhe për të gjithë mjekët e infermierët, heronjtë tanë, që po shërbejnë me përkushtim e sakrifica të pashembullta në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari. Të lutemi edhe për priftërinjtë dhe klerikët që po ndihmojnë sa mundin dhe janë pranë kategorive më të përvuajtura. Të ndajmë të mirat dhe lumturinë tonë veçanërisht me të moshuarit, të vetmuarit dhe njerëzit më në nevojë, të cilët më shumë se kurrë kanë sot nevojë, jo vetëm për dhembshuri, por për dashuri dhe ndihmë. Ju uroj të gjithëve Pashkë të bardha e të bekuara, me shpresën që mesazhi i kësaj Dite të Shenjtë të sjellë ringjallje të vërtetë në shpirtrat e zemrat tona, në familjet tona, në shoqërinë dhe në mbarë kombin tonë”, thotë Meta.

Mandej, Presidenti ka uruar edhe komunitetin e shqiptarëve në Itali. “Një urim të veçantë kam për komunitetin e dashur të shqiptarëve në Italinë mike të prekur rëndë nga pandemia, për arbëreshët e mrekullueshëm, për arbanasit fisnikë të Kroacisë, dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë kudo ndodhen”, u shpreh ai./atsh

Meta uron për Pashkët: Lutjet tona shkojnë për mjekët dhe infermierët në vijën e parë të luftës Read More »

Ambasadorja Kim mesazh kryebashkiakëve: Të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19

“Le të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19”, deklaroi sot ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

Ambasadorja Kim zhvilloi sot një takim virtual me kryetarët e bashkive të Tiranës, Korçës dhe Fierit dhe prefektin e Durrësit.

Ambasadorja Kim i falënderoi ata që i mbajnë qytetarët të sigurt dhe të shëndetshëm duke zbatuar rigorozisht masat e distancimit social.

“Shpresoj të takohemi nga afër së shpejti, por për momentin, pata kënaqësinë të takoja virtualisht kryetarët e bashkive të Tiranës, Korçës dhe Fierit dhe prefektin e Durrësit. Faleminderit që i mbani qytetarët të sigurt dhe të shëndetshëm duke zbatuar rigorozisht masat e distancimit social. Le të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19”, u shpreh ambasadorja Yuri Kim./atsh

Ambasadorja Kim mesazh kryebashkiakëve: Të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19 Read More »

Anëtarët e KQZ-së japin një pjesë të pagës së tyre për përballimin e COVID-19

Anëtarët e KQZ-së, do të japin një pjesë të pagës së tyre, si kontribut për lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se i përgjigjet pozitivisht thirrjes së Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për kontributin financiar për lehtësimin e përballimin e situatës së pandemisë COVID-19.

Anëtarët e KQZ-së, kanë vendosur të japin një pjesë të pagës së tyre, si kontribut për lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes se këtij virusi të rrezikshëm, thekson KQZ në njoftim.

Ditën e djeshme drejtuesit e institucioneve të pavarura njoftuan se kanë pranuar përgjysmimin e pages së tyre për tre muaj, duke iu përgjigjur thirrjes së kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ruçi, iu drejtua me një thirrje drejtuesve institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19./atsh

Anëtarët e KQZ-së japin një pjesë të pagës së tyre për përballimin e COVID-19 Read More »

Seanca e radhës së Kuvendit mbahet të enjten më 16 prill

Konferenca e Kryetarëve miratoi sot ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020 dhe vendosi thirrjen e seancës plenare në 16 prill.

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, sot u zhvillua Konferenca e Kryetarëve. Konferenca u zhvillua online, me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex).

Pasi i njohu anëtarët e Konferencës me rendin e ditës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, informoi Konferencën e Kryetarëve se “Kuvendi i Shqipërisë ka vazhduar të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Dy javët e fundit komisionet e përhershme parlamentare janë mbledhur rregullisht online dhe kanë shqyrtuar e projektaktet e depozituara, të cilat janë përcjellë për shqyrtim në seancën plenare. Kjo situatë ka sjellë si domosdoshmëri edhe ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, për të parashikuar dispozitat e nevojshme të funksionimit të Kuvendit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kur nuk është e mundur zhvillimi i mbledhjes me prezencën fizike të deputetëve.

Përvojat e parlamenteve të vendeve të BE-së, të përshtatura për kushtet e pandemisë, parashikojnë mbledhjen e seancave plenare me numër të kufizuar deputetësh, pa cenuar të drejtën e secilit deputet për të votuar. Prandaj edhe ndryshimet e propozuara, reduktimi i kuorumit e pjesëmarrjes dhe zhvillimi i mbledhjeve online, nuk cenojnë të drejtën e deputetëve të Kuvendit për te votuar. Ndërkohë, këto forma mbledhjesh nuk duhet të cenojnë etikën parlamentare, kërkesat dhe standardet për të cilën mbeten po aq rigoroze sa në kushtet e zakonshme.”

Konferenca miratoi me konsensus plotësimet në Rregulloren e Kuvendit, për rregullimin e funksionimit te veprimtarisë parlamentare në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të pandemisë.

Konferenca shqyrtoi dhe miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020, të cilët parashikojnë zhvillimin e seancave plenare në datat 16, 23 dhe 30 prill.

Në këto seanca do të kenë prioritet shqyrtimi e miratimi i akteve normative me fuqinë e ligjit dhe i projektligjeve që kanë lidhje me pandeminë COVID-19.

Seancat do të zhvillohen me pjesëmarrjen dhe prezencën në sallë të të gjithë deputetëve, me numër dhe kohë të kufizuar diskutimesh, dhe për të zbatuar standardin e distancimit social, për uljen e deputetëve do të shfrytëzohen edhe mjediset e tjera të sallës së seancave plenare.

Seancat do të jenë të mbyllura për publikun dhe do të sigurojnë akses për RTSH, i cili do të transmetojë live dhe do t’u mundësojë sinjalin edhe medieve të tjera.

Konferenca miratoi edhe rendin e ditës të mbledhjes së seancës plenare të datës 16 prill./atsh

Seanca e radhës së Kuvendit mbahet të enjten më 16 prill Read More »

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve

Mazhoranca përveç ndryshimeve në Kodin Penal dhe atë Rrugor është duke vlerësuar dhe aktualizimin me situatën të rregullores së Kuvendit.

“Së pari duhet të sqarojmë se këtu bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve dhe dua të sqarojë se 99.9% e shqiptarëve i kanë zbatuar masat shtrënguese të deritanishme në mënyrën më të shkëlqyer dhe përfitoj nga rasti t’i falënderoj. Por kemi dhe një 0.01% të personave që jetojnë në Shqipëri të cilët ende nuk e kanë kuptuar që kjo është një luftë. Një luftë me një armik të padukshëm, që edhe pse jemi në një moment të mirë sa i takon shifrave dhe kurbës së ecurisë së kësaj pandemie në vendin tonë, na duhet që për këta 0.01%, ashtu sikurse dhe vendet e tjera, dhe në disa parlamente të tjera, janë depozituar dhe po diskutohen masa të tilla të aktualizimit të Kodit Penal”,- tha Balla.

“Një situatë e tillë nuk është parë kurrë. Kujtoj këtu, ashtu sikurse tha Kancelarja Angela Merkel, një situatë e tillë për Gjermaninë nuk ishte parë që nga lufta e dytë botërore. E pra, Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë sikurse dhe në vendet e tjera ka pasur deficite që duhen rregulluar, sepse moszbatimi i urdhrit të karantinës, apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, ngjitëse përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për COVID-19”, – tha Balla.

“Po bëjmë disa ndryshime penale jo vetëm për këtë pandemi, por duhet të jemi parashikues dhe për raste të tjera. Por betejën dhe luftën e kemi me COVID-19 momentalisht. Në këtë kontekst veç masave administrative, është e domosdoshme të aktualizojmë kodin tonë penal edhe me këtë rast”, – tha Balla.

“Unë ju ndoqa teksa ju transmetuat 9 raste të reja të identifikuara me COVID-19 në Shqipëri. Tre prej tyre janë në Elbasan dhe këta në Elbasan janë për fajin e disa personave të tjerë që kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm. Këta janë kontaminuar me virusin për shkak të moszbatimit të masave të sigurisë që kemi vendosur”, – tha Balla.

Duke folur për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, Balla tha se do shqyrtohet dhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit. “Në fund të fundit kuvendi duhet të japë një shembull të mirë të distancimit social. Kuvendi i Shqipërisë ka ushtruar aktivitetin e tij të domosdoshëm legjislativ duke përdorur teknologjinë. Situata të tilla të shkaktuara nga COVID 19 nuk i kemi parashikuar në rregulloren e Kuvendit, prandaj duhet që dhe në rregullore të ndërhyjmë. Kuvendi do mblidhet në datë 16 dhe do të diskutojë edhe për këto ndryshime”,- tha Balla, gjatë intervistës së dhënë pasditen e të enjtes për një media vizive. /atsh

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve Read More »