Politike

Koçi: Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të goditjeve të opozitës

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi tha sot në një intervistë televizive se Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të sulmeve të opozitës pasi, sipas tij, kërkohet ringritja e sistemit të vjetër të drejtësisë.

“Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të goditjeve të opozitës. Shumë nga aksionet me goditje të përqendruar kundër stabilitetit dhe institucioneve në vend kanë patur si objektiv rrëzimin e Reformës në Drejtësi dhe pastaj ringritjen e sistemit të vjetër të drejtësisë “berishiane”. Në këtë lojë opozita bashkëpunon me presidentin Ilir Meta, i cili sillet si të jetë në konflikt interesi me këtë reformë. Kështu që, pa presionin ndërkombëtar, drejtësia e re nuk do të ngrihej kurrë”, u shpreh Koçi.

“Dua ta falënderoj ambasadën amerikane për këmbënguljen euroatlantike për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe integrimit europian. Çdo tentativë kundër reformës është në fakt përplasje me frymën euroatlantike të rrugës së shqiptarëve”, u shpreh ai.

Lidhur me godinën e Teatrit, zv.ministriKoçi u shpreh se “unë gjykoj se opcioni i tretë i konsoliduar për të ndërtuar një Teatër Kombëtar në vend të atij popullor është një fitore e madhe e komunitetit dhe interesave artistike të Shqipërisë”.

“Çuditem se si nuk e kuptojnë edhe ai grusht militantësh partiakë në gjirin artistik se teatri i ri është fitore edhe për ta”, u shpreh Koçi.

Ndërsa për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19 nga qeveria shqiptare ai u shpreh se “është meritë e padiskutueshme e kryeministrit Edi Rama dhe ekspertëve. Përtej çdo përpjekjeje për modesti mendoj se çdo syçelët e kupton menaxhimin e shkëlqyer që një vend me shëndetësi akoma pa kapacitetet e duhura i bëri pandemisë së COVID-19”./atsh

Koçi: Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të goditjeve të opozitës Read More »

Katër zv.kryeministra dhe 16 ministra, ja kabineti i Hotit

Me 61 vota pro, 1 abstenim dhe 24 vota kundër deputetët e Kuvendit i thanë “po” qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Në seancën e jashtëzakonshme kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka paraqitur kabinetin e tij qeverisës. Vartës të tij priten të jenë 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra.

Zëvendëskryeministër i parë, Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër Driton Selmanaj, zëvendëskryeministre Albulena Balaj-Halimaj, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal Goran Rakiq.

Sa i përket ministrave, Infrastruktura i është besuar Arban Abrashit. Agim Veliu serish do të jetë ministër i Punëve të Brendshëm. Armend Zemaj ministër i Shëndetësisë, Selim Selimi ministër i Drejtësisë, Blerim Kuqi ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, Hykmete Bajrami ministre e Financave, Besian Mustafa ministër i Bujqësisë, Anton Quni ministër i Mbrojtjes, Vlora Dumoshi ministre e Kulturës.

Meliza Haradinaj-Stublla ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ramë Likaj ministër i Arsimit dhe Shkencës, Skender Reçica ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Krasniqi ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Dalivor Jetiq ministër për Kthim dhe Komunitete. Enis Kervan ministër i Zhvillimit Rajonal./KosovaPress/

Katër zv.kryeministra dhe 16 ministra, ja kabineti i Hotit Read More »

Thaçi uron Qeverinë Hoti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Qeverinë Hoti pas votimit të saj në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se i uron sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare.

“I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Po ashtu, ai tha se duhet të vazhdohet me rimëkëmbjen ekonomike dhe të lëvizet me hapa më të shpejtë drejt integrimeve euroatlantike.

“Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, përfundoi Thaçi./KosovaPress/

Thaçi uron Qeverinë Hoti Read More »

Tabaku: Rama bëhet gati të marrë KLSH

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur sot se “Rama i ka hedhur sytë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit”.

Tabaku u shpreh se KLSH, “është i vetmi institucion që ka folur dhe ka faktuar qartazi abuzimet dhe vjedhjet nga krimi ekonomik me CEZ tek tenderat, që ka treguar se taksat e rritura janë vjedhur”.

“Projektligji i ri që i merr kompetencat presidentit duke ia kaluar qeverisë dhe parlamentit, duke qenë në shkelje të qartë të Kushtetutës dhe uzurpim i kompetencave të presidentit”, tha Tabaku.

“Ato kanë frikë nga qytetarët dhe mendojnë se do e ndalojnë mërinë e tyre karshi vjedhjes dhe abuzimit. Sado të lodhen nuk do ia arrijnë! Me zgjedhje të lira e të ndershme e me programin e qartë ekonomik do t’i rikthejmë njerëzve institucionet, shpresën dhe besimin”, u shpreh Tabaku./atsh

Tabaku: Rama bëhet gati të marrë KLSH Read More »

Meta: Mesazhi i BE-së i qartë, zbatimi i kushteve fillon me konsensusin për reformën zgjedhore

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot pas deklaratës së një dite më parë nga tre Ambasadorët, të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe lidhur e arritjen e një konsensusi për reformën zgjedhore.

Meta thekson se arritja e një konsensusi për këtë Reformë është kusht për integrimin e Bashkimin Europian, sikurse u theksuar dje edhe nga Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

“Mesazhi i djeshëm i Bashkimit Europian është i qartë, zbatimi i kushteve fillon me konsensusin për reformën zgjedhore. 8 qershori po afron! Komisioni Europian mezi po pret të shënojë një lajm pozitiv për Shqipërinë”, shprehet Meta. /atsh

Meta: Mesazhi i BE-së i qartë, zbatimi i kushteve fillon me konsensusin për reformën zgjedhore Read More »

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimet e pagesave”

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

Meta u shpreh se disa nga arsyet e kthimit të ligjit janë mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave; mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave; mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.

Ligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke e përafruar pjesërisht me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, të datës 25 nëntor 2015, “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.

Presidenti shprehet se e shqyrtoi ligjin “Për shërbimet e pagesave” duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke bërë një vlerësim dhe analizë të kujdesshme të parashikimeve të aktit, edhe në raport me rekomandimet që duhet të përmbushë Republika e Shqipërisë në kuadër të raporteve të organizmave ndërkombëtare për eleminimin e rreziqeve për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës së financimit të terrorizmit, përfshirë rekomandimet e Komitetit të Moneyval të Këshillit të Evropës.

“Rregullimi i shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur ky ligj, duke parashikuar mundësinë e operatorëve të tjerë ekonomikë për të zhvilluar aktivitet në fushën e shërbimit të pagesave përkundrejt licencës përkatëse, rrit konkurrencën në treg. Rritja e konkurrencës patjetër që do të ndikojë si në uljen e kostos së transaksioneve të pagesave, si në rritjen e cilësisë së shërbimit, ashtu dhe në rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve mbi mundësitë e kryerjes së pagesave përmes këtij shërbimi. Gjithashtu, ky ligj vlerësohet pasi ofron një mundësi më shumë zgjedhjeje për konsumatorin. Ndërsa parashikimi i krijimit të një zyre të veçantë për shqyrtimin e ankesave të konsumatorit, forcon edhe më shumë mbrojtjen e tij”, u shpreh Meta.

Por nga ana tjetër, sipas tij, në raport me vetë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të licencuara që do të zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimit të pagesave, ligji paraqet disa problematika të cilat krijohen nga paqartësia e disa dispozitave; mungesa e harmonisë së tyre me legjislacionin ekzistues; apo nga hapësira që disa dispozita krijojnë për keqzbatim në praktikë, të cilat do të shtjellohen në vijim.

“Reflektimi mbi këto problematika dhe adresimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë do të ofrojë një terren më të sigurtë ligjor për operatorët ekonomikë dhe në ruajtjen të pacenuar të interesit publik në tërësi”, shprehet Meta. /atsh

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimet e pagesave” Read More »

Basha me Shoqatën e Pronarëve: Zgjidhje përfundimtare sipas standardeve europiane për pronarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati sot një takim me përfaqësues nga Shoqata e Pronarëve, me të cilët, siç u shpreh “ndau shqetësimin për qëndrimin dhe lobimin negativ të qeverisë Rama për çështjen e pronave”.

“I gjithë korpusi ligjor dhe veprimet e qeverisë Rama, kanë qenë kundër pronës private dhe në shërbim të planeve korruptive të biznesmenëve të lidhur me të, pjesë e të cilit është edhe ligji i investimeve strategjike në vitin 2015. Sikundër dhe ligji i ri i pronave i cili e trajton pronën private të individit si një mall në shportën e oligarkëve, pa pasur respekt për shenjtërinë e pronës dhe zotëruesit e saj”, u shpreh Basha.

Duke pranuar përgjegjësitë e PD në të shkuarën për këtë çështje, Basha u shpreh se “i sigurova përfaqësuesit e shoqatës së pronarëve se qeveria e ardhshme do të mundësojë një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve europiane për pronarët, gjithmonë në konsultim me ta”.

“Së bashku me ta u dakordësuam për të hartuar një projekt të qartë dhe gjithashtu piketat kyçe të një projektligji që do të zëvendësojë korpusin kriminal të projektligjeve në lidhje me pronën, të miratuar nga qeveritë Rama. Nën koordinimin e zonjës Ledina Mandia, ne do të ndihmojmë dhe do të ideojmë së bashku me shoqatën e pronarëve një korpus ligjor që do të përpiqet të japë zgjidhjen e duhur për pronën në Shqipëri”, – nënvizoi Basha. /atsh

Basha me Shoqatën e Pronarëve: Zgjidhje përfundimtare sipas standardeve europiane për pronarët Read More »

Meta: Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik

“Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik”, thekson Presidenti Ilir Meta në një mesazh urimi drejtuar Presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella me rastin e Festës së Republikës italiane.

“Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik, të cilat reflektohen në të gjitha fushat e dimensionet e bashkëpunimit dypalësh, shumëpalësh si dhe iniciativave apo organizatave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Konstatoj me kënaqësi se falë traditës dhe vullnetit të mirë të të dyja palëve, këto marrëdhënie janë bërë më të forta e shumë më intensive”, ka theksuar Meta.

“Dy popujt tanë, miq prej shekujsh, ndërveprojnë gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Arbëreshët e Italisë, një urë lidhëse e vjetër dhe e qëndrueshme, si dhe mijëra shqiptarë që pas viteve ’90 gjetën mikpritje e mbështetje në Itali e kanë forcuar në mënyrë të vazhdueshme miqësinë midis dy vendeve. Gëzohem pa masë kur mësoj se numri i qytetarëve italianë që investojnë, bëjnë biznes, punojnë, studiojnë apo që vijnë për turizëm në Shqipëri rritet çdo ditë, duke i bërë më të forta e të pazgjidhshme marrëdhëniet midis dy kombeve tona”, ka shtuar Meta.

“Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen që Ju personalisht dhe të gjitha autoritetet dhe institucionet italiane po i japin Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian. Ndjehemi me fat që në realizimin me sukses të kësaj aspirate kemi një mbështetës dhe avokat të jashtëzakonshëm si Italia”, ka nënvizuar Meta.

“I nderuar mik, ndërsa pandemia e COVID-19-ës po godet mbarë botën dhe vendet tona, uroj që së bashku, me përpjekje të mirëmenduara e të koordinuara, me mençuri dhe forcë, ta kapërcejmë këtë situatë, të rikthehemi së shpejti në normalitetin e jetës së përditshme dhe të kemi një të ardhme sa më të mirë për të gjithë ne”, ka vijuar Meta.

“Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe dëshirën për të vijuar së bashku me Ju forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka përfunduar urimin e tij Presidenti Ilir Meta./atsh

Meta: Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik Read More »