Politike

“Fjala tani i takon Parlamentit”/ Ambasadori italian: Marrëveshja për reformën zgjedhore, hap i rëndësishëm drejt BE-së

Një hap vendimtar në drejtim të Bashkimit Europian, e ka cilësuar Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci arritjen e dakordësisë mes palëve politike për reformën zgjedhore.

Ambasadori Bucci ka uruar për marrëveshjen politike të nënshkruar mbrëmjen e djeshme për reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Diplomati italian thekson se tani fjala i takon Parlamentit, ndërsa bën thirrje për vazhdimin e reformave të tjera.

“Urime për marrëveshjen politike për reformën zgjedhore në përputhje me Rekomandimet OSBE-ODIHR. Një rezultat i rëndësishëm i të gjithë liderëve politikë dhe i të gjithë Këshillit Politik, një hap i rëndësishëm drejt BE-së. Fjala tani i takon Parlamentit dhe përpara me reformat e tjera”, shprehet Ambasadori italian në Shqipëri. /atsh

“Fjala tani i takon Parlamentit”/ Ambasadori italian: Marrëveshja për reformën zgjedhore, hap i rëndësishëm drejt BE-së Read More »

Ngjarjet kriminale/ Alibeaj: Situatë e përkeqësuar për sigurinë e jetës së qytetarëve

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj shprehu sot shqetësimin për situatën e rendit në vend, pas disa ngjarjeve kriminale të regjistruara gjatë ditëve të fundit.

“2 vrasje mafioze në Krujë, 2 vrasje të njëpasnjëshme në Vlorë, njëra në formën e një atentati mafioz, 2 vrasje për larje hesapesh në Kurbin, shpërthim tritoli nga Tirana në Vlorë, ky është bilanci i policisë së Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt brenda 10 ditëve të fundit”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha se “mungesa totale e shtetit dhe lënia e territorit nën thundrën e krimit, ka krijuar një situatë të përkeqësuar për sigurinë e jetës së qytetarëve”.

“Vrasja e dyfishtë mbrëmë, në Krujë, është vetëm episodi i radhës, që ka plotësuar serialin e gjakshëm në vend, ku fjalët ligj, rend, siguri tashmë janë bërë të huaja”, tha ai./atsh

Ngjarjet kriminale/ Alibeaj: Situatë e përkeqësuar për sigurinë e jetës së qytetarëve Read More »

Ta marrin dhe ta bëjnë vetë elektronikën, nëse ka certifikimin ndërkombëtar ne jemi dakord

“Nga momenti i firmosjes së kontratës, deri në momentin e realizimit të sistemit elektronik duhen minimumi 6 muaj”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama foli për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje.

“Ne duke pasur parasysh edhe një nga konkluzionet e atij studimi që bëmë dhe të eksperimenteve që bëmë dhe nga kompanitë, se nuk janë 100 kompani në botë që e bëjnë këtë punë, janë shumë pak kompani në botë që e bëjnë këtë punë, sepse nuk ka shumë kërkesë në botë për të futur teknologjinë në zgjedhje, na thanë të gjitha nga momenti i firmosjes së kontratës, deri në momentin e realizimit të sistemit elektronik duhen minimumi 6 muaj”, tha Rama.

“Sot jemi shumë vonë, jemi në qershor. Procesi këtu në parlament kërkon javët e veta. Po le ta zëmë se do të miratohet në fund të qershorit. Do të duhet të votohet nga parlamenti e gjithë struktura, emër për emër e KQZ-së së re që është komplet model tjetër. Do të marrë gjithë korrikun në rastin më të mirë. Ja do t’u duhet atyre po them 40 ditë që është shumë pak për të përgatitur gjithë studimin dhe termat e referencës. Ja edhe 2 javë deri në fund të shtatorit për ta hedhur në garë ndërkombëtare. Kush do vijë ta bëjë?. Në tetor-nëntor 60 ditë tenderi ndërkombëtar. Po ja dhe 30 ditë të tjera ankimet, jo ma mori jo s’ma mori. Pastaj në janar kontratat. Në shkurt fillon puna për ta bërë sistemin. Në 15 prill, 15 maj është vendosur midis një date aty do bëhen zgjedhjet. Si do bëhen?”, u shpreh Rama.

“Atëherë ne thamë nuk ka problem. Ne pranojmë që të bëhen 100% nëse arrihet dhe të hyjë identifikimi elektronik për aq sa arrihet 5%, 10, 20, 30, 70, pjesa tjetër të vazhdojë me tradicionalen dhe PD ta gjejë një njeri vetë. Ta zgjedhi brenda në një nga dhomat SHQUPI-it, nuk na intereson fare se sa i depolitizuar apo i politizuar është. Ta vendosi atje me votën tonë, tuajën e dini vetë, po tonën ta vendos atje zëvendës/kryetar të KQZ-së me mandatin ekskluziv që të merret me teknologjinë. Vetë. Që mos thonë pastaj jo tenderi kështu, jo Edi Rama ashtu, jo Ogerta andej, jo Lindita Nikolla këtej, jo qafiri këtu e jo ndrikulla atje. Ta bëjnë vetë. Nëse arrijnë ta bëjnë, e njohim. Me një ekspert ndërkombëtar për këtë fushë që të jetë bashkë me ata aty dhe ne nuk kemi punë. Nuk duam ne fare, fare të hyjmë në asnjë lloj mënyre në këtë proces. Ta bëjnë dhe ta marrin elektronikën ta bëjnë vetë. E bënë, ka certifikimin ndërkombëtar. Vjen kompania, i bën elektronike të gjitha qendrat. Ne jemi dakord s’ka problem. Ta bëjnë vetë ata”, u shpreh kreu i qeverisë. /atsh

Ta marrin dhe ta bëjnë vetë elektronikën, nëse ka certifikimin ndërkombëtar ne jemi dakord Read More »

“Të presim ata që kanë topin”/ Vota e emigrantëve është një sistem, KQZ-ja merr detyrën ta realizojë

“Ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama foli për votën e emigrantëve, duke theksuar se, “realizimi i votës së emigrantëve është një sistem dhe ti nuk mund ta fillosh punën kur të vjen në fund veza, midis dilemës a të hyj, apo të mos hyj në kotec”.

“Vota e emigrantëve. Se pashë emigrantë që i kemi këtu në Tiranë që shkruanin: ‘ne emigrantët duam votën’. Pashë edhe mediat që thonin ‘mashtroi’. Se këto fjalët e mëdha që kanë humbur çdo kuptim në Shqipëri, që fjala krim është njësuar me fjalën ajër i kondicionuar, ujë, drita. Fjala korrupsion, vjedhje, grabitje, hajdut mashtrues, janë njehsuar me fjalën zonjë, zotëri, si jeni nga shtëpia e këto”, tha Rama.

“Mashtroi emigrantët Partia Socialiste. Si i mashtruam? Ne njësoj si për elektronikën, edhe për këtë e dimë shumë mirë që nuk është thjesht ta thuash, por duhet ta bësh dhe ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve”, u shpreh Rama.

“Të presim ata që kanë ‘topin’, sipas asaj që u tha. Të thonë se ku e do e çojnë topin. Do e nxjerrin nga stadiumi? A do e krosojnë? A do e kapin do thonë ‘topi është i imi, penalltinë do e gjuaj unë’? Po të presim. Po t’i referohemi Bibliotekës së Fëmijëve në Kamëz, topi nuk do gjuhet, po do mbahet poshtë fanellës”, tha Rama.

“Nuk e dimë se si do shkojë procesi. Ajo që dimë është që ne nuk e kemi harruar, të tjerët mund ta kenë harruar, ne s’e kemi harruar që ka dhe një opozitë tjetër këtu dhe që duhet të votojë këtu dhe procesi do të vazhdojë duke ndarë draftin e marrëveshjes me ju. Pa ju lënë që ta merrni këtë nga mediet, nga gazetarët, nga analistët, nga moralistët që e keni parasysh na akuzojnë të gjithëve që jemi të gjithë njësoj”, tha Rama. /atsh

“Të presim ata që kanë topin”/ Vota e emigrantëve është një sistem, KQZ-ja merr detyrën ta realizojë Read More »

Kuvendi miraton raportet vjetore të 3 institucioneve të pavarura dhe 2 projektligje

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot raportet vjetore të 3 institucioneve të pavarura dhe 2 projektligje.

Kuvendi miratoi me 81 vota pro, raportin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019.

Kuvendi miratoi me 80 vota pro raportin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2019.

Kuvendi miratoi me 86 vota pro raportin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2019.

Kuvendi miratoi me 85 vota pro, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.

Kuvendi miratoi me 86 vota pro projektligjin “Për Eurobondin që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”. /atsh

Kuvendi miraton raportet vjetore të 3 institucioneve të pavarura dhe 2 projektligje Read More »

Kuvend/ Interpelancë me ministrin e Brendshëm

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare ku do të ketë një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm kërkuar nga një grup deputetësh lidhur me dhunën e ushtruar nga forcat e policisë gjatë operacionit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar si dhe me kriminalitetin në vend.

Gjithashtu në Kuvend do të prezantohet raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019.

Në kuvend do të bëhet edhe Raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2019.

Në Kuvend pritet të diskutohet edhe raporti i veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2019.

Kuvendi diskuton sot edhe Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për Eurobondin që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë sot projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 102/2017 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm për realizimin e reformës zgjedhore” të ndryshuar””./atsh

Kuvend/ Interpelancë me ministrin e Brendshëm Read More »

Rama: U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit

Kryeministri Rama ka përshëndetur votimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës duke i uruar rrugëtim të mbarë qeverisë së re dhe opozitës gjithashtu.

“U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit të tyre, me besim e shpresë se pas një periudhe jo të lehtë përpëlitjesh në procesin e maturimit demokratik, do të bëjnë së bashku punë të mira për Kosovën”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Me 61 vota pro, 1 abstenim dhe 24 vota kundër, deputetët e Kuvendit i thanë “po” sot qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së./atsh

Rama: U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit Read More »

Reforma Zgjedhore, ambasadorja Kim: Kemi një marrëveshje shumë të mirë, merita të veçanta partisë në pushtet; topi në fushën e Bashës që t’i thotë “po” integrimit në BE

“E përgëzoj partinë në pushtet për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, që mban masat e adresuara nga OSBE/ODIHR”.

Kështu deklaroi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim pas gati 9 orë të tjera diskutimesh me Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, që nuk ka dalë ende në marrëveshje.

Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare nuk janë kthyer në tryezën e bisedimeve të Këshillit Politik, ndërsa aty prisnin ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe si dhe anëtarët e tjerë nga mazhoranca dhe opozita parlamentare.

Ambasadorja e SHBA, Yurim, gjatë një deklarate për mediet, theksoi se marrëveshja për reformën zgjedhore është në duart e opozitës dhe topi është në fushën e Partisë Demokratike.

“Faleminderit që pritët. Kemi pasur një ditë të gjatë. U takuam për 9 orë dje dhe kemi bërë progres të madh dhe u takuam sot për 9 orë të tjera dhe bëmë progres të jashtëzakonshëm, por pa rezultat. Kjo reformë kaq e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë duhet të ketë mbështetje nga palët. Çdo palë dhe çdo parti i kërkohet të japë që Shqipëria të fitojë. Çdo palë fitoi, populli shqiptar mund të fitojë edhe më shumë. Çdo palë dha, por duhet t’i jap merita të veçanta partisë në pushtet”, – theksoi Kim.

“Ne e bëmë të qartë se partia në pushtet ka privilegje, e për këtë arsye ata duhet të jepnin më shumë. E përgëzoj partinë në pushtet për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, që mban masat e adresuara nga OSBE/ODIHR”, – tha Kim.

“Përmban disa hapa domethënëse që nuk janë rekomanduar dhe nga OHDIR, por që do të shihen si një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë. Ka ardhur koha, për opozitën, për PD-në, për mikun tim Luli Basha, që të baraspeshojnë, të balancojnë të gjithë faktorët dhe të thonë ‘po’ për popullin shqiptar, dhe të thonë ‘po’ për Shqipërinë në Europë. Topi është në fushën e tij, e ardhmja është në duart e tij”, tha Kim gjatë deklaratës së saj për mediet. /atsh

Reforma Zgjedhore, ambasadorja Kim: Kemi një marrëveshje shumë të mirë, merita të veçanta partisë në pushtet; topi në fushën e Bashës që t’i thotë “po” integrimit në BE Read More »