Politike

Meta takon Bashën: Marrëveshja e 5 qershorit të zbatohet me përpikmëri dhe pa vonesa

Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri thirrje sot që Marrëveshja e 5 qershorit të zbatohet me përpikmëri dhe pa vonesa, duke hapur rrugën e zbatimit të 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane të Bashkimit Europian.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Kryetarin e Opozitës së Bashkuar, Lulzim Basha.

Presidenti Meta vlerësoi qëndrimin e opozitës për rikthimin në institucione dhe për t’i shërbyer stabilitetit dhe të ardhmes europiane të vendit.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu sjelljen e përgjegjshme të opozitës gjatë situatës së pandemisë dhe kontributin konstruktiv që u dha gjatë mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për përballimin e situatës në vend.

Presidenti Meta theksoi veçanërisht faktin që opozita u vetëpërmbajt duke mos rënë në kurthin e prishjes së Teatrit Kombëtar, si dhe faktin që nuk vendosi si kusht qeverinë tranzitore duke bërë të mundur arritjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit, që u përshëndet nga të gjithë partnerët strategjikë të vendit.

Kreu i Shtetit u shpreh se përveç gjuhës, flamurit dhe Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shqiptarët janë të gjithë të bashkuar edhe përreth Kushtetutës dhe të ardhmes europiane të vendit.

Presidenti i Republikës i kërkoi Kryetarit Basha që të vazhdojnë t’i qëndrojnë Marrëveshjes së 5 Qershorit, pavarësisht përpjekjeve të pashpresa për të cënuar Kushtetutën, duke paralajmëruar se çdokush që punon kundër të ardhmes europiane të vendit do të mbajë përgjegjësi individuale dhe të drejtpërdrejtë.

Presidenti Meta bëri edhe një herë thirrje që marrëveshja e 5 qershorit të zbatohet me përpikmëri dhe pa vonesa, duke hapur rrugën e zbatimit të 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane të Bashkimit Europian.

Kreu i Shtetit kërkoi braktisjen e menjëhershme të çdo përpjekjeje që minon këtë proces dhe që do të prapësonte për herë të parë në historinë e Shqipërisë një marrëveshje të dakordësuar me ndërmjetësimin më të lartë ndërkombëtar./atsh

Meta takon Bashën: Marrëveshja e 5 qershorit të zbatohet me përpikmëri dhe pa vonesa Read More »

Basha: Rama kërkon të heqë vëmendjen nga kriza ekonomike

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka vizituar sot një fasoneri në Kombinat.

Basha tha se “Edi Rama po provon çdo lojë politike për të hequr vëmendjen nga dështimi i tmerrshëm në menaxhimin e pandemisë dhe nga kriza ekonomike, që shqiptarët po e vuajnë çdo ditë dhe që po zbraz xhepat e tyre”.

“Sot gjatë bisedës që zhvillova me punonjës të një fasonerie në zonën e Kombinatit, folëm për planin se si të dalim nga kjo krizë e thellë dhe të shpëtojmë ekonominë dhe shëndetin e njerëzve. Ne nuk luajmë lojëra politike, ne po punojmë çdo ditë për nxjerrjen e vendit nga kriza”, tha ai. /atsh

Basha: Rama kërkon të heqë vëmendjen nga kriza ekonomike Read More »

Masat kufizuese në studiot televizive gjatë pandemisë/ Meta kthen në Kuvend ligjin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për miratimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave”, “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19’, të ndryshuar”.

Institucioni i Presidentit të Republikës thekson se,”ky ligj është kthyer pasi Kuvendi, duke miratuar aktin normativ të Këshillit të Ministrave që paraqitet si një akt që “lehtësonte” masat kufizuese për jo më shumë se 2 persona të pranishëm në një studio epidemie, në fakt përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë ose vendosjen e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, ndërkohë që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur me ligj, ka përfunduar vetëm 5 ditë pasi Kuvendi ka miratuar këtë akt”.

Sipas argumenteve shoqëruese të Dekretit, kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional.

Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të medieve, jo më nga një organ i pavarur, por nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës, thekson Institucioni i Presidentit të Republikës./atsh

Masat kufizuese në studiot televizive gjatë pandemisë/ Meta kthen në Kuvend ligjin Read More »

Hajdari publikon videon e Bashës: Gënjeu shqiptarët për listat e hapura

Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, gjatë një konference sot për gazetarët publikoi një video të kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke deklaruar se ai po gënjen shqiptarët në lidhje me listat e hapura.

Hajdari tha se para 3 vitesh, Basha u premtoi shqiptarëve hapjen e tyre, ndërsa një ditë më parë doli kundër hapjes së listave.

Sipas saj, në politik kërkohet një qëndrim i qartë, por që për Bashën kjo është e vështirë pasi jo vetëm nuk është koherent por nuk mban premtimet e bëra qytetarëve.

“Që në 2017 kur PD hapi fushën elektorale, premtoi lista të hapura dhe se lista do të zgjidhej nga qytetarët dhe jo më kryetari i partisë. Një zotim që unë e kam marrë seriozisht dhe se kjo do të jetë beteja që unë kam vendosur për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme”, tha Hajdari.

Sipas saj, ky ishte një premtim që nuk u mbajt, duke shtuar se në politikë duhet të mbash një qëndrim të qartë dhe të jesh koherent me publikun.

“Nuk e di nëse e kam këtë prej origjinës apo i ka ardhur koha që të mbahen premtimet ndaj qytetareve. Dua t’i them qytetarëve që ajo që kërkoj unë të dal si kandidate në një listë të mbyllur ashtu siç u futa në një të tillë si e bija e Azem Hajdarit, por që nesër të dal si Rudina Azem Hajdari që nuk ka frikë nga vota e qytetarëve dhe ta marrë atë votë me meritë të plotë“, tha Hajdari.

“U tha se listat e hapura janë një ndryshim i madh që duan kohë për tu implementuar. Kjo nuk është e vërtetë. Kemi që në 2019 që objekti i reformës zgjedhore u ndryshua me këmbëngulje të madhe që ne të futnim ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave. Më pas u pasua me iniciativën qytetare për hapjen e listave. Ironia këtu është që PD, LSI edhe pse braktisën mandatet i përdorën qytetarët për të imponuar një agjende që nuk kishin asnjë rol në parlament. Pra ata braktisën vullnetin e qytetarëve dhe i përdoren njerëzit për të bërë pazar”, shtoi Hajdari.

“Nëse PD dhe LSI kërkojnë sërish të imponohen duke thënë se ata do kenë monopolin e opozitës kjo për mua shkon në një shterpë sepse janë në interesa të ngushta familjare. Unë nuk jam në parlament për të mbështetur interesa familjare, por për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.”,- bëri të ditur Hajdari.

“Më vjen keq që Basha nuk arriti dot që të kishte lartësinë e duhur për të mbështetur iniciativën për listat e hapura. Basha nuk e mbajti këtë premtim dhe sot goditi këtë premtim që vetë e ka bërë. Unë mendoj që një politikan duhet të ketë qëndrueshmëri. Listat e hapura është një premtim që po i jepet qytetarëve shqiptarë që nesër ata të zgjedhin atë person që meriton të shkojë në parlament”,- tha Hajdari gjatë konferencës për mediat./atsh

Hajdari publikon videon e Bashës: Gënjeu shqiptarët për listat e hapura Read More »

“Mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju”/Peng Kuvendin e zgjedhësit nuk i merrni dot

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me marrëveshjen e 5 qershorit, duke theksuar se “lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne”.

Rama the se “ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se s’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo, pasi morët gjithçka deshët”.

“Një këshillë miqësore për Lulzim Bashën e kolegët opozitarë jashtë Kuvendit: Lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne! Ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se s’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo, pasi morët gjithçka deshët! Peng Kuvendin e zgjedhësit, të cilëve do t’u japim mundësinë të votojnë për deputetin e jo vetëm për partinë, nuk i merrni dot! Po mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju po na lini ta votojmë”, – tha Rama. /atsh

“Mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju”/Peng Kuvendin e zgjedhësit nuk i merrni dot Read More »

Basha: Me taksën e sheshtë do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për të investuar

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se me vendosjen e taksës së sheshtë do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për të punuar, investuar dhe bërë biznes.

Në një reagim të tijin, Basha thekson se “të punosh dhe bësh biznes në Shqipëri është një luftë e përditshme me qeverinë dhe zyrtarët e korruptuar.”

Ai tha se sistemi që Rama ka ngritur për të zhvatur bizneset, u vjedh atyre 32 ditë në vit për të paguar 35 lloje të ndryshme taksash dhe tarifash. “Kjo llogari e publikuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, fakton sa i drejtë është vendimi ynë për të ndryshuar këtë sistem mbytës për ekonominë e çdo familje”,- thekson Basha.

“Me taksën e sheshtë 9%, me një sistem taksimi të unifikuar, të lehtë dhe të parashikueshëm, do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për të punuar, investuar dhe bërë biznes”,- thekson kreu i PD.

“Ekonomia nuk do të punojë për të pasuruar qeveritarët dhe klientët e tyre, por do të prodhojë mirëqenie, duke hapur vende të reja pune. Ndryshimin nuk ka forcë ta ndalë askush!”,- thekson Basha. /atsh

Basha: Me taksën e sheshtë do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për të investuar Read More »

Ambasadorja Kim mesazh sensibilizues: Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur, vendosim maskat dhe ta mposhtim COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpërndarë sot mesazhin sensibilizues për COVID-19 drejtuar qytetarëve të ambasadores së Shteteve të Bashkuar të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim.

Kim në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve thekson dhe njëherë nevojën e vënies së maskës në ambientet ku nuk është i mundur distancimi social.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, por lufta kundër COVID-19 ende nuk ka mbaruar. Masat e rrepta kanë ndihmuar në kontrollin e virusit, por tani nuk është koha për t’u çlodhur. Tani më shumë se kurrë duhet të sillemi me përgjegjësi. Le të bëjmë të gjithë pjesën tonë për njëri-tjetrin”, shprehet Kim në mesazhin e saj.

“Unë do të vendos maskë për ty, nis ti do ta vendosësh maskë për mua. E pranoj, ndonjëherë jam fajtore, sepse nuk e kam vendosur maskën, por nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur. Prandaj, kur distancimi social nuk është i mundur, le të vendosim maskat dhe ta mposhtim COVID-19 së bashku”, përfundon Kim mesazhin e saj drejtuar qytetarëve./atsh

Ambasadorja Kim mesazh sensibilizues: Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur, vendosim maskat dhe ta mposhtim COVID-19 Read More »

Miratohet në parim nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese/ Manja: Shkon në favor të qytetarëve

/ Nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese në hapjen e listave dhe eliminimin e koalicioneve parazgjedhore u miratua sot në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit.

16 deputetë votuan pro në parim kësaj nisme, asnjë abstenim, kurse kundër ishte vetëm deputeti Adriatik Alimadhi.

Relatorët e mazhorancës e quajtën nismën në favor të qytetarëve, pasi, sipas tyre, votuesit mund të zgjedhin kandidatin që dëshirojnë dhe partitë e vogla nuk do të kenë më mundësi të vegjetojnë në listat e partive të mëdha për aq kohë sa hiqet koalicioni.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ylli Manja u shpreh se “duhet të fokusohemi te thelbi i nismës, sepse sot jemi në diskutimin e nismës në parim dhe jo në formalizimin e nismës”.

“Nuk duhet të spostohet vëmendja nga thelbi i kësaj nisme shumë të rëndësishme që kanë depozituar 28 deputetë të opozitës. Duhet të fokusohemi te nisma, jemi në diskutimin në parim të një nisme që në fakt sot ka gjithë vëmendjen e opinionit publi”, tha ai.

Manja tha se “nëse dikush kërkon koalicionet parazgjedhore, sepse do të vegjetojë 30 vjet nën ombrellën e një partie të madhe natyrisht që është i lirë ta kërkojë koalicionin parazgjedhor ose jo”.

“Kush ka interesa të tjera për të konkurruar i vetëm sigurisht që mund të kërkoj heqjen e koalicioneve parazgjedhore, por thelbi i kësaj nisme është liria dhe barazia e votës së qytetarëve shqiptarë, ashtu siç e kam kuptuar unë”, tha Manja.

Ai u shpreh se “qytetarët shqiptarë kërkojnë të dinë kë subjekt do votojnë dhe kë deputet do të çojnë në Kuvendin e Shqipërisë”.

“Elementët e tjera të orekseve politike, të vogla apo të mëdha janë pjesë e kësaj nisme në diskutimin në parim”, tha ai.

Nga e hëna do të nisin diskutimet nen për nen dhe deputetët e mazhorancës do të paraqesin edhe propozimet e tyre, ndërsa më 14 korrik do të dilet me një relacion që do t’i dërgohet seancës plenare nëse do të votohen ose jo ndryshimet kushtetuese. Votimi final është në datën 30 korrik, kur do të votohet pro ose kundër nismës së opozitës parlamentare. /atsh

Miratohet në parim nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese/ Manja: Shkon në favor të qytetarëve Read More »