Largimet dhe emërimet e paralajmëruara për këtë shtator kanë nisur me zv.ministrat në qeverisje dhe nuk përjashtohen lëvizje më tej, edhe me ministrat.
Rama tha se “të lodhurit” do të ulen në stolin e rezervave.
Dy zëvendës ministra të rinj janë emëruar sot me vendim të Këshillit të Ministrave.
Të dy janë emëruar në Ministrinë e Drejtësisë.
Bëhet fjalë për Adea Pirdeni, pedagoge e së Drejtës Publike dhe Klajd Karameta, jurist dhe një prej pesë ekspertëve që kanë punuar për reformën në drejtësi në Shqipëri.
“Sot gjatë prezantimit të dy zëvendës ministrave të rinj të Drejtësisë, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, znj. Adea Pirdeni dhe z. Klajd Karameta”, – tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
“I uroj suksese të dy kolegëve që janë bërë pjesë e ekipit drejtues politik për të vijuar në përmbushjen e prioriteteve në fushën e drejtësisë”.
‘Jam e sigurt që të dy zëvendës ministrat e sapoemëruar do të jenë vlerë e shtuar në zbatimin e agjendës së Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë Shqiptare”, u shpreh Gjonaj.
Emrat e rinj kanë zënë vendet e Toni Gogu, i cili u bë pjesë e Bashkisë së Tiranës me detyrën e kreut të këshillit Bashkiak, dhe të Fjoralba Caka.
Kjo e fundit dha dorëheqjen pak kohë më parë për arsye personale.
Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, e sheh shumë të gabuar për të rinjtë mesazhin e dhënë nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, se nuk do të kontribuojë në fushatën e ardhshme zgjedhore dhe se do të largohet nga Shqipëria pas mbarimit të detyrës si ministre.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Malaj vlerëson si të drejtë normale të ministres Shahini që të zgjedhë çfarë është më e mira për të dhe familjen e saj, por ai mendon se Besa i ka prerë në besë aspiratat dhe ambiciet e të rinjve që duan të angazhohen në politikë, sidomos grave dhe vajzave.
Deklarata e ministres Shahini se do të largohet nga Shqipëria pas mbarimit të mandatit qeverisës, sipas Malajt tregon mënyrën e papërgjegjshme se si Kryeministri Rama ka ndërtuar kabinetin e tij qeverisës “me përzgjedhjet e tij spontane dhe “individë që betoheshin” publikisht apo në heshtje se do të absolutizonin modelin e tij të lidershipit”.
Malaj shprehet se ndryshe nga socialistët e thjeshtë, të cilët bëjnë fushatë dhe japin votën për PS-në, “besnikë deri në vdekje”, njerëzit që Rama ka ofruar në qeveri dhe në Parlament janë klonuar nga Mjaft-istë në Rilindas dhe zotërojnë 80 për qind të pushtetit të PS-së në të gjitha përfaqësimet, duke i shërbyer Ramës pa asnjë përgjegjësi shtetërore dhe pa asnjë përgjegjësi politike, por thjesht për promovim të pamerituar.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në fushatën zgjedhore të PS-së sepse kërkon t’i bashkohet familjes në Kosovë. Si e vlerësoni politikisht një qëndrim të tillë nga një anëtare e kabinetit qeverisës?
Besoj se znj. Shahini gëzon lirinë e plotë për të bërë zgjidhjet më të mira për familjen e saj dhe për angazhimet e ardhshme shkencore apo politike në Kosovë dhe jashtë saj. Si anëtare kabineti, ajo kishte një karrierë politike pa angazhime partiake, gjë që është normale në demokracitë funksionale, pasi individë të ndryshëm edhe në qeveritë e vendeve perëndimore marrin mandate politike edhe pa qenë anëtarë të partive politike. Por ata duhet të gëzojnë një avantazh publik të spikatur në fushën përkatëse ku shërbejnë, si ministër ose në jetën publike. Në këtë kontekst, znj. Shahini i ka “krahët e lirë” të bëjë zgjedhjen e saj, pa ndierë detyrime ndaj socialistëve apo ndaj opinionit publik në Shqipëri, sepse ndoshta kjo ka qenë kontrata informale me Kryeministrin: “Do të shërbej në qeverinë tuaj deri sa të jem ministër, pas asaj gjithçka kthehet në pikënisje zero”.
Cila është përgjegjësia e Kryeministrit nga një deklaratë e tillë?
Kryeministri nuk ka asnjë përgjegjësi, as morale, as politike dhe as ligjore, të paktën deri në auditimin e Ministrisë së Arsimit pas zgjedhjeve 2021, sepse ai e bazoi përzgjedhjen e ministrave, kryetarëve të bashkive dhe titullarëve në institucione dhe agjenci të rëndësishme të qeverisjes së vendit, te përzgjedhjet spontane dhe thellësisht personale të pushtetit të tij absolut dhe abuziv. Rama e ndërtoi hierarkinë e tij qeverisëse nga qeliza më e vogël përfaqësuese në nivel vendor e qendror deri te mandatet më të larta politike te “kandidatë parafabrikatë”, me përzgjedhjet e tij spontane dhe “individë që betoheshin” publikisht apo në heshtje se do të absolutizonin modelin e tij të lidershipit. I keni parë disa ministra, që sa herë hapin gojën në publik thonë se këtë “dhuratë nga qielli” apo këtë të mirë e ke vetëm nga Kryeministri Rama? Rama nuk ka asnjë përgjegjësi, gjithashtu, sepse shqiptarët e kanë votuar dhe rivotuar edhe pas këtij keqshpërdorimi të pushtetit në përzgjedhjen dhe promovimin e përfaqësuesve politikë të PS-së. Kjo “mbështetje” në parti, në Parlament, në publik e ka bërë Ramën mospërfillës, arrogant dhe abuzues me postin e rëndësishëm të Kryeministrit të një vendi që po varfërohet akoma më shumë edhe nga keqqeverisja e tij dhe po mbetet i bllokuar në perspektivën e tij europiane.
Si duhet të ndihet një socialist, i cili mund të mos e ketë gjetur një vend pune gjatë qeverisjes socialiste dhe përsëri angazhohet në fushatat zgjedhore për ta bërë përsëri fituese PS-në?
Ju lutem, ndani rilindasit nga socialistët e thjeshtë, të cilët janë 99 për qind e PS-së. Ata janë me mijëra njerëz të mirë, shumë prej tyre janë “besnikë deri në vdekje”, të cilët pranojnë të japin votën thjesht dhe vetëm për besnikëri, pa kërkuar asnjë shpërblim personal apo familjar. Ndërsa pjesa prej 0.67 % e G99-ës, që ka sot mbi 80 % të pushtetit real të socialistëve në çdo nivel përfaqësimi, janë klonuar nga Mjaft-istë në Rilindas, duke i shërbyer Ramës pa asnjë përgjegjësi shtetërore dhe pa asnjë përgjegjësi politike, por thjesht për promovim të pamerituar. Por siç thotë me ironinë labe një mik i përhershëm i Ramës në Vlorë, këta nuk janë “gurë themeli të socialistëve”, por janë “gurë të hedhur” në oborrin e PS-së, të cilën e keqpërdorën deri në dhimbje PS-në për pushtetin e tyre të paditur, të papërgjegjshëm, deri edhe të lidhur me krimin.
Cili mund të jetë mësimi që del nga një qëndrim i tillë i një ministreje?
Kjo është pyetja thelbësore e kësaj interviste. Ministrja Shahini, përpara se ta (keq)përdorë lirinë saj për çdo zgjedhje të saj personale, duhet të qartësojë trashëgiminë e saj politike në politikën shqiptare dhe në Ministrinë e Arsimit. Trashëgimia e saj në politikë është një model jopozitiv. Me këtë deklaratë, akoma në postin e ministrit të Arsimit – ajo u jep një mesazh zhgënjyes dhe negativ brezave të të rinjve, të rinjve shqiptarë dhe në veçanti mijëra vajzave dhe grave që kanë ambicie të natyrshme politike. Mesazhi i Besës është mungesa e besës ndaj tyre.
Sepse Besa me veprimin e saj edhe pa folur, u jep mesazhin: Mos u përpiqni të shërbeni, mos u lodhni të sfidoni, thjesht gjeni njeriun e duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe mund të fluturoni në karrierë nga një profil modest, në ministre të Arsimit të një vendi, ku treguesit e arsimit u përkeqësuan akoma më shumë gjatë drejtimit të saj. Mësimi, nga rastet e promovimeve spontane dhe prodhimi i “liderëve parafabrikatë”, është i qartë: partitë politike u shërbejnë mirë interesave të popullit dhe vendit të tyre, i plotësojnë më mirë sfidat ndaj vendit të tyre në pozitë dhe opozitë, në varësi nga cilësitë e liderëve në çdo mandat politik. Rruga më e mirë e identifikimit, promovimit, përmirësimit të cilësisë së liderëve politikë dhe qeverisës duhet të jetë investimi afatgjatë nëpërmjet programeve të lidershipit, intershipet dhe akademitë politike. Në rast të kundërt, cilësia e lidershipit politik do të përkeqësohet dhe për pasojë, edhe qeverisja e vendit do të përkeqësohet, ndërsa Shqipëria rrezikohet të vazhdojë krizën e tejzgjatur të liderëve parafabrikatë, spontanë, të babëzitur dhe arrogantë.
“Besa Shahini nuk duhet thjesht të japë dorëheqjen dhe të largohet, por duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha ato që ka bërë në krye të ministrisë së Arsimit”.
Është kjo deklarata e bërë nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë vijimit të turit të saj në takimet me të rinjtë.
Ajo tha se rinia është baza e një vendi dhe e ardhmja e tyre është një nga prioritetet e LSI.
Për prindërit e ardhmja e fëmijëve është shumë e rëndësishme dhe ministrja e Arsimit, u shpreh Kryemadhi, nuk mund të ikë pa dhënë disa përgjigje të rëndësishme mbi veprimtarinë e saj në këto muaj.
“Prindërit për fëmijët japin jetën dhe ne si LSI gjithë bazën tonë, gjithë forcën tonë e kemi te të rinjtë dhe aty do investohemi tek angazhimi i të rinjve për t’u përfshirë ata, për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Një pjesë e juaja kanë qenë viktimë e maturës shtetërore, një pjesë tjetër janë ende të pasigurt se çdo të ndodhë me maturën shtetërore dhe pastaj dëgjomë që ministrja thotë që “unë do iki tani se mbarova punë dhe nuk rri më në Shqipëri”. Si mund të ikë ajo pa dhënë llogari për atë çfarë ka bërë? Më e pakta të na japë përgjigje se çfarë bëri Turi. Mos lejoni që të vendosin të tjerët për fatin tuaj! Vendosni ju për fatin tuaj!”, deklaroi Kryemadhi. /noa.al
Një minimum prej së paku 74 mandate deputetësh është kërkuar nga Kryeministri Edi Rama nga drejtuesit e Partisë Socialiste në të 12 qarqet e vendit.
Mësohet se gjatë takimit që ka zhvilluar paraditen e sotme, me drejtuesit e shtabit elektoral, Rama ka kërkuar që të mbajnë kontakte me elektoratin, në kërkim të një mandati të tretë.
“Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar nga nesër nis riformatimin. Synojmë minimumi 74 mandate”, u shpreh Rama.
Kjo mbledhje vjen pas asaj të grupit parlamentar në Elbasan, ku u caktuan edhe drejtuesit e shtabit elektoral.
Ilir Beqja u caktua drejtues i fushatës në Shkodër, Lindita Nikolla në Lezhë, teksa vetë kryesocialisti Edi Rama u vendos në Durrës, pas largimit të Vangjush Dakos.
Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali do të jenë drejtues politik në Tiranë, Safet Gjici në Kukës, Olta Xhaçka në Dibër, Taulant Balal në Elbasan, Gramoz Ruçi në Fier, Niko Peleshi në Korçë, Bledi Çuçi në Gjirokastër dhe Damian Gjiknuri në Vlorë. /noa.al
Ish-nënkryetarja e PD Jozefina Topalli akuzon Partinë Demokratike nën drejtimin e kreut aktual Lulzim Basha se ka vepruar me dy standarde, në procesin që ka nisur për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
“Atë e kam në postën time elektronike dhe jam habitur shumë. Por më shumë jam habitur nga qëndrime të ndryshme nga ata që vendosin për të tilla gjëra. Ndoshta në fakt nuk është fjala e duhur “çuditur”, pasi nuk duhet të çuditesh kur ka disa standarde në procese të caktuara që për mua nuk janë thelbësore, por formale”, tha Jozefina Topalli.
Ajo akuzon personalisht edhe kryedemokratin Lulzim Basha se ka dobësuar opozitën dhe shtron nevojën e një lëvizje të shqiptarëve për të sjellë ndryshim.
Por lëvizje, nuk do të thotë për Topallin krijimi i një partie te re politike?
“Nuk kam dëshirë të hyj apo të krijoj parti politike. Dëshira ime është të krijohet një lëvizje për ndryshim pasi ka një të vërtetë të madhe. Nëse gjërat shkojnë keq duhen ndryshuar”, – shtoi ish kryetarja e Kuvendit.
Ndryshim, sipas saj, nuk sjell as rotacioni politik.
“Rotacioni mes tre personave që bashkëpunojmë me njëri-tjetrin nuk kanë sjellë ndryshim. Është riciklim”, nënvizoi Topalli.
Gjatë intervistës sot në studion e A2, ajo u shpreh e fyer, që i është kërkuar të plotësonte formularin e fazës së parë edhe pse një udhëzim i PD e përjashtonte nga ky detyrim.
Topalli përsëriti disa herë se kryedemokrati ka bashkëpunuar me kryeministrin për interesa personale përkundër kauzave të opozitës dhe paralajmëroi se nuk do kthehet në PD, sa kohë Lulzim Basha do të jetë në krye të saj.
Edmond Leka
Mbas një periudhe të gjatë disa ditore me Covid-19, më në fund pranë familjes dhe njerëzve të mi të dashur që ndenjën kaq ditë e netë pa gjumë së bashku me mua.
Mirënjohje pa fund për heronjtë e Spitalit infektiv në QSUT, prof dr Najada Como, prof dr Tritan Kalo, dr Pellumb Pipero, dr Nevila Gjermeni, reanimatorëve, dhe gjithë Stafit të Shërbimit Infektiv, infermierëve dhe sanitarëve, që cdo ditë natë gjendeshin pranë të sëmurëve duke na dhënë shpresë dhe kurajo për ta përballuar me sukses sëmundjen pa marrë parasysh asnjë rrezik për veten.(Edhe pse pothuaj i gjithë personeli ishte përballur me infeksionin Covid-19).
Faleminderit dr Skender Brati, dr Bruna Mersini, dr Dritan Leli, dr Maksi Gega, dr Kujtim Llapi që edhe pse me ngarkesën e punës tuaj nuk rreshtët së interesuari për shëndetin tim.
Faleminderit shumë kolegë, miq, shokë, të afërm që mu gjendët aq pranë në këto ditë të vështira dhe në shumë raste nuk munda t’Ju përgjigjem shumë prej mesazheve tuaja. Më dhatë energji, forcë dhe kurajo cdo ditë, për ta përballuar me sukses këtë periudhë të vështirë.
Miqtë e mi!
Jeta është e bukur kur e jetojmë me shëndet të plotë, prandaj të kujdesemi më shumë për veten dhe për njerëzit tanë të dashur.
Uroj vetëm shëndet në familjet Tuaja!
FALEMINDERIT!
JU JAM SHUME MIRENJOHES TE GJITHEVE!
Këta janë HERONJTE E CDO DITE në luftën kundër COVID -19!
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shprehur se nuk ka pranuar që të bëjë kontratë bashkëqeverisje parazgjedhore me Partinë Demokratike, pasi sipas saj, kjo gjë do ta shkatërronte Partinë Soicaliste.
E ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo”, Kryemadhi u shpreh se ata do të vijnë në pushtet si një maxhorancë e fortë, por që gjithashtu do të kenë nevojë, edhe për një Opozitë të fortë. Teksa u pyet nëse ndjen keqardhje për PS-në, me të cilën ka qenë në koalicion në vitin 2013, Kryemadhi e pranoi këtë gjë, duke shtuar se kanë kaluar shumë gjëra bashkë dhe nuk mund të lërë kryeministrin Edi Rama që ta çojë me 2%.
Pjesë nga Intervista
Kryemadhi: Nëse do të kishim një dalje të tillë, do të dëmtohej PS, do të binte nën 40 mandate. Do të krijoheshin disa rrjedha nënujore, nënrrjedha që do ta dëmtonin shumë.
Ilir Babaramo: A do t’i leverdiste shoqërisë shqiptare rrënimi në përfundim me 5 përqind si PASOK në Greqi?
Monika Kryemadhi: Pavarësisht inateve politike me njëri-tjetrin për momentin ne kemi nevojë për një opozitë, ne pavarësisht ku është katandisur PS, ne do të kishim nevojë për një opozitë të fortë… Edhe ne ndonjë dhimbje të vogël e kemi për PS, nuk do e lejmë Ed Ramën ta cojë në 2 përqind.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se qeveria Rama gjatë 2 mandave të saj nuk ka bërë asnjë për personelin shëndetësor, madje i ka detyruar ata që të largohen nga vendi. Duke iu referuar të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Basha thekson se Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë.
Ai premton se kur të vijë në pushtet do ua rrisë pagat mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët.
Postimi i plotë:
Në Shqipëri, sistemi shëndetësor publik vuan nga mungesa e personelit shëndetësor, investimeve në infrastrukturë dhe pajisjeve mjekësore. Qytetarët duhet të presin orë e ditë të tëra në radhë për të marrë shërbimin bazë. Mungesa e mbështetjes ka larguar me mijëra mjekë dhe infermierë nga vendi, duke bërë që Shqipëria të ketë numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Si rrjedhojë e largimeve masive të stafit mjekësor gjatë viteve të fundit, zona të tëra në Shqipëri janë pa mjekë dhe pa shërbim për qytetarët.
Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë. Ndërkohë që Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8.
Pas 2 mandatesh të qeverisjes së Ramës, mjekët shqiptarë paguhen më pak se në çdo vend të rajonit apo Europës. Sipas një studimi të Institutit Ndërkombëtar për Studime Ekonomike në Vjenë, mjekët në Shqipëri paguhen mesatarisht 435 euro, që është dhe paga më e ulët në rajon.Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoni me mbi 700 euro.
Vitin e kaluar, edhe Kosova i rriti ndjeshëm pagat e personelit shëndetësor, me synim ndalimin e largimit të bluzave të bardha. Mjekët specialistë paguhen 1195 euro (nga 661 euro më parë), mjeku i përgjithshëm 836 euro (nga 566), kryeinfermierët 621 euro (nga 472) dhe infermierët e parë 537 euro (nga 425 më parë).
Personeli shëndetësor në Shqipëri ka nevojë të menjëhershme për mbështetje. Në 7 vjet kjo qeveri i shpenzoi paratë e shqiptarëve për konçensione dhe tendera korruptivë. 120 mil euro shkuan për check up-in e famshëm, para të cilat mund të përdoreshin për të mbështetur personelin shëndetësor apo për të blerë aparatura të reja.
Dështimi me shëndetësinë këto 7 vjet u pa qartë nga të gjithë dhe në menaxhimin e pandemisë. Ende sot, me rritjen e përditshme të numrit të të prekurve nga coronavirus, deklaratat për hapjen e 2 spitaleve të reja Covid mbeten pjesë e propagandës ndërsa në disa raste personeli shëndetêsor nuk ka marrë shpërblimet e premtuara.
Në planin tonë ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur specializimet për mjekët e rinj në mënyrë që të rrisim kapacitetet. Do të rrisim pagat e mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët. Do të mbështesim dhe stimulojmë mjekët që të shërbejnë në zona të ndryshme të vendit ku mungon tërësisht apo pjesërisht personeli shëndetësor.Do të rrisim investimet për aparatura moderne të qëndrave shëndetësore dhe spitaleve. Do të anullojmë konçensionet korruptive dhe do të çojmë para ligjit ata që abuzuan me paratë e shqiptarëve. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë një qeveri normale, që punon për ta dhe jo për një grusht oligarkësh.
Kjo deklaratë e kreut të PD-së Lulzim Basha, vjen pas premtimit kryeministrit Edi Rama se gjatë muajve të ardhëm do ua rrisë rrogat bluzave të bardha. Sakaq, një ditë më parë., kryeministri dha edhe premtimin se qeveria e tij do të rrisë dhe pagat për mësuesit.