Politike

Deputeti i opozitës së re është rikthyer në Parlament pasi fitoi ‘betejën’ me Covid dhe i bën apelin qytetarëve: Bëhuni të ndërgjegjshëm

Deputeti i opozitës së re, Enver Roshi është rikthyer në Parlamenti pasi fitoi “betejën” me koronavirusin.

Enver Roshi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë ishte ndër të parët që kaloi një gjendje të vështirë shëndetësore si pasojë e COVID dhe u dërgua për kura të specializuara jashtë vendit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti Roshi duke i shprehur mirënjohjen kolegëve dhe qytetarëve për mbështetjen që i dhanë, tha se kaloi një situatë kritike shëndetësore.

Ai u bëri apel qytetarëve që të ndërgjegjësohen për tu kujdesur për veten dhe të marrin fatin e tyre në dorë, pasi po kalojmë në një situatë kur virozat e stinës dhe COVID-19 po “bashkëjetojnë”.

Duke lidhur përhapjen e koronavirusit me ndryshimet klimaterike, deputeti i opozitës parlamentare u shpreh se gjatë dimrit situate do të jetë më e vështirë për shqiptarët pasi do qëndrojnë në ambiente të mbyllura, ndërsa bëri thirrje që politika të jetë në një zë.
“Të nderuar kolegë, mjeku më rekomandoi të prisja ulur por unë në respekt të mirënjohjes për ju, për mbështetjen që më dhatë për situatën kritike shëndetësore që kalova ngrihem këtu për të shprehur mirënjohjen time për angazhimin që më dhatë, kurajën, motivimin për të jetuar.

Jam i emocionuar se kalova një situatë të rëndë shëndetësore. Jo vetëm ju, mjekëve, personelit shëndetësor. Dua ti shpreh mirënjohjen qytetarëve të Shqipërisë që me mesazhet e tyre më kanë inkurajuar për t’i shërbyer atyre. Dhe unë iu premtoj se do të jem një qytetar i denjë i gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Kjo situatë e COVID ka të bëjë edhe me ndryshimin e klimës, sepse ndryshimi I klimës, prishja e ekuilibrit të natyrës prej mijëra vitesh cenon sot rëndë jetën e njerëzve në vendin tonë dhe kudo në botë.

Po kalojmë në stinën e virozave dhe bashkë me virozat është edhe COVID, prania e këtyre të dyjave, jetesa në ambiente të mbyllura në stinën e dimrit e bën më emergjente për shqiptarët që të bëhen më të ndërgjegjshëm dhe të marrin në dorë fatet e tyre.

Politika duhet të jetë në një zë në shërbim të qytetarëve dhe të dëgjojnë këshillat e mjekëve. Ndërgjegjësimi kalon tek qytetarët,”– tha deputeti Roshi.

Deputeti i opozitës së re është rikthyer në Parlament pasi fitoi ‘betejën’ me Covid dhe i bën apelin qytetarëve: Bëhuni të ndërgjegjshëm Read More »

Debat në Parlament/ Murrizi: Jo më të fshehur pas fustaneve të partisë

Ka vijuar me replika seanca plenare e ditës së sotme, ku deputetët e opozitës parlamentare mes akuzave që kanë bërë kundrejt palëve kundërshtare, kanë replikuar edhe me njëri tjetrin.

Deputeti Myslim Murrizi ka ngulur këmbë te hapja e listave, ndërsa ka theksuar se në këtë Kuvend të mos ketë më njerëz që sipas tij fshihen pas fustaneve të partisë.

Lidhur me hapjen e listave më pas ka replikuar edhe deputeti Kujtim Gjuzi i cili tha se është pro hapjes 100% të listave por fillimisht mbështeti partinë. Këtu ai më pas ka replikuar edhe me deputetin Korab Lita, i cili nuk dëgjohet nga vendi, por Gjuzi i përgjigjet duke thënë se nuk ka gjë me kryetaren e LSI Monika Kryemadhin, ndërsa shton se ajo është krushkë Dibre.

Murrizi: Në këtë sallë të mos vijnë njerëz të fshehur pas fustaneve të partive. Bëjnë sikur zihen ditën dhe firmosin marrëveshje natën.

Hajt ti hapim ato lista. Shqiptarët presin që humbësi të urojë fituesin dhe kjo nuk ndodh. OSBE ODHIR prej katër vjetësh kërkon administratë zgjedhore…
Komisionerët i keni fimos. Damiani nuk është këtu… Do ta bëjmë apolitikë administratën por jo këto zgjedhje. Ta bëjmë në këto zgjedhje.

Lojërat publike se duam ti hapim 100% po se realizon dot se ia kalon ky vëllai tjetër është pallavër mediatike e stisur, nga kërmij që nuk vijnë dot në këtë sallë sepse nuk guxojnë sepse skanë surrat dhe dinjitet të shkojnë më pas te vota e qytetarëve.

Gjuzi: Ne jemi për hapjen e listave. Skam gjë me zonjën Monika se e kemi krushkë të Dibrës, po s’di gjë ti Korab. Se di ti Korab se je në Kamëz.

Debat në Parlament/ Murrizi: Jo më të fshehur pas fustaneve të partisë Read More »

Myslim Murrizi/ Ja pse e uroi Rama, Fatos Nanon: ‘Meqë jemi 8 muaj para zgjedhjeve kërkon që të zgjeroje elektoratin që ka dashamirësi ndaj Nanos’

Deputeti Myslim Murrizi i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Aktualitet” në Fax News, foli më lidhje me krijimin e partisë së re me të cilën do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

“Kemi krijuar partinë Lëvizja Demokratike Shqiptare. Do ta dërgojmë në Gjykatë për ta regjistruar tek libri i partive politike shqiptare. Kjo është një parti Politike e krijuar nga një grup deputetësh të opozitës të grupit demokrat. Të gjithë ish-funksionar të partisë Demokratike.”- tha Murrizi.

Ndërkohë që duke komentuar mesazhin e urimit të kryeministrit Edi Rama për ish-liderin e PS-së Fatos Nanon, Murrizi tha se me këtë gjë kërkon që të zgjerojë elektoratin dhe të përfitojë nga dashamirësit e Nanos.

“Meqë jemi 8 muaj para zgjedhjeve kërkon që të zgjeroje elektoratin që ka dashamirësi ndaj Nanos, që nuk janë të paktë në elektoratin e majtë. Rilindja bazën e ka tek PPSH-ja. Ka qenë shumë i pranueshëm për të qenë president, por Rama nuk e propozoi. Pra po të dojë nuk është qamet i madh, se këto të vrasin natën dhe të qajnë ditën.”- tha Murrizi.

Myslim Murrizi/ Ja pse e uroi Rama, Fatos Nanon: ‘Meqë jemi 8 muaj para zgjedhjeve kërkon që të zgjeroje elektoratin që ka dashamirësi ndaj Nanos’ Read More »

Punët e bëra në këto tetë vite, karta më e fortë e PS-së në garën e ardhshme elektorale

Karta që opozita përdor si arsye, që pse duhet të humbi Partia Socialiste që ka 8 vite në pushtet, është karta më e fortë që ne kemi për të kërkuar mandatin e tretë të PS-së në zgjedhjet e ardhshme elektorale”.

Kështu u shpreh sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në një intervistë televizive, ku theksoi se, “punët që kemi bërë në këto tetë vite, mënyra sesi jemi sjellë me qytetarët është karta më e fortë që kemi ne, në garën e ardhshme elektorale”.

“Në këtë kontekst, – vijoi ai, – nëse ne do të kishim abuzuar me të drejtën për të qeverisur Shqipërinë, pa dyshim do ta kishim të vështirë për të dalë në garë dhe për të kërkuar një mandat të tretë qeverisës”.

“Do ta kishim të pamundur të dilnim në garë në rast se nuk do t’i kishim shërbyer qytetarëve nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes, kritikës dhe vetëkritikës që kemi pasur dhe përultësisë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarët dhe për të reaguar ndaj opinionit publik për problemet që ka pasur dhe për të ndërtuar politika që kanë ndihmuar përmirësimin e jetës së qytetarëve”, – u shpreh Klosi.

Duke u ndalur konkretisht në sektorin e turizmit, Klosi theksoi se “është një politikë e qartë e ndjekur nga Kryeministri Edi Rama dhe sot pas 8 viteve në pushtet jo vetëm kemi dyfishuar numrin e turistëve të huaj në Shqipëri, por kemi krijuar Shqipërinë destinacion të ri turistik. Pra në kuadër të një politike të caktuar, që në fakt njerëzit për atë të gjykojnë”.

Ai tha se, po afrohemi në fazën, që njerëzit të gjykojnë programin, të gjykojnë lidershipin.

“Nëse bëhet fjalë për politikën e turizmit, kemi bërë më të mirën e mundshme dhe 8 vitet e punës në këtë sektor na dëshmojnë se jemi pozitiv në rrugën e nisur. Për këtë të na gjykojnë qytetarët”, – nënvizoi Klosi.

Duke u ndalur në punën organizative të PS-së, ai shpjegoi se, “ndarja e drejtuesve politikë nëpër qarqe është detyrë që ka funksionuar gjithmonë në PS. Pra PS forcën e saj e ka te organizimi, krahas programit, punës konkrete, lidershipit, bashkëpunimit me qytetarët”.

“Mbi këtë forcë ne fillojmë fushatën prej kohësh dhe jemi pa pushim pranë qytetarit dhe zhvillimin e punëve në dobi të tyre”, – tha Klosi.

Klosi u shpreh se, “në të gjithë strukturën e saj PS është e suksesshme sepse gjeneratat bëjnë pjesë së bashku. PS ka një kombinim ciklesh dhe vlerash të bazuar mbi një program, mbi një filozofi dhe me njerëz që punojnë për të çuar realitete në të mirë të qytetarëve”. /atsh

Punët e bëra në këto tetë vite, karta më e fortë e PS-së në garën e ardhshme elektorale Read More »

Klevis Balliu: Rama është në ditët e fundit

Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu në një deklaratë ka thënë se kryeministri Edi Rama është në ditët e tij të fundit, ndaj edhe po largon orenditë e tij personale nga zyra e kryeministrit.

Balliu i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen për të larguar regjimin e Ramës që ka për qëllim persekutimin e popullit.

“I bëj thirrje të vënë këmbët tek frenat dhe mos persekutojnë qytetaret. Do të marrin përgjegjësi ata që kanë dhunuar banorët e unazës. Na takon ne që njëherë e mirë ti japim fund këtij regjimi që merren me qytetarët ndërkohë që duhet të merreshin me ato shpërthimet që ndodhin në mes të rrugës.

Këta e kanë çuar policinë në funksion të torturës. I bëj thirrje qytetareve që të bashkohemi dhe ta largojmë këtë regjim që ka për mision persekutimin e qytetareve.

Rama është në ditët e fundit dhe kjo është arsyeja pse po largon orenditë e tij personale nga zyra e kryeministrit”, tha Balliu.

Klevis Balliu: Rama është në ditët e fundit Read More »

Kryeministri Rama iu kërkon falje emigrantëve në Greqi për të gjitha problematikat në ambasadë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi të cilëve iu ka kërkuar falje për të gjitha problematikat në ambasadë.

Rama tha se ambasadoren e re e njeh personalisht dhe është e përkushtuar duke treguar dhe mesazhin që i ka dhënë.

“Më vjen keq që personeli dhe drejtuesja e ambasadës nuk kanë dhënë atë që duhet por kjo nuk është për t’ia lënë as asaj e as personelit për çfarë ka ndodhur, është përgjegjësia jonë dhe i kërkoj ndjesë gjithë emigrantëve për çfarë ka ndodhur. Gjërat sot janë sidoqoftë shumë më mirë se ç’ishin. Kemi shërbimet online. Ju jeni të familjarizuar dhe jetoni këtu dhe i përdorni këto instrumente.

Me shërbimet online kemi hequr një pjesë të halleve e sorollatjet. Do kemi deri në fund të vitit një pjesë tjetër shërbimesh online. Megjithatë kjo nuk e zëvendëson dot plotësisht shërbimin fizik. Kemi sjellë këtu një ambasadore të re, një vajzë që e njoh personalisht, të përkushtuar, ka punuar disa vite në agjencinë për komunikim në kryeministri, ka një përvojë jo të vogël për ankesat e qytetarëve. I vetmi mesazh që i kam dhënë është që politikën e madhe e bëjmë dhe ne të tjerët. Ti ke prioritet shqiptarët që jetojnë në Greqi”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama iu kërkon falje emigrantëve në Greqi për të gjitha problematikat në ambasadë Read More »

Taulant Balla uron për ditëlindje Fatos Nanon: Formësoi të majtën moderne

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka uruar sot liderin historik të të majtëve për ditëlindjen, Fatos Nanon.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Balla theksoi se nën drejtimin e Nanos u formësua e majta moderne socialdemokrate.

MESAZHI I BALLËS

Urimet më të mira për ditëlindjen udhëheqësit tonë historik Fatos Nanos.

Nën drejtimin e tij u formësua e majta moderne socialdemokrate dhe progresiste, duke spikatur kontributi i PS në momente të vështira e delikate që do të kalonte Shqipëria në ngjarje me ngarkesë të madhe politike:
si refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë nga diktatura berishiane me projekt-kushtetutën e vitit 1994,

zgjedhjet e vjedhura të 26 Majit 1996 dhe dhunimi masiv i opozitës,

kriza e piramidave në 1997, kolapsi total dhe përgjegjësia jonë për rivendosjen e shtetit,

miratimi i Kushtetutës në 1998,

kontributi i pazëvendësueshëm në luftën e Kosovës në 1999,

hapat e rëndësishëm dhe historikë drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Taulant Balla uron për ditëlindje Fatos Nanon: Formësoi të majtën moderne Read More »

Diplomati i njohur: Ruhuni nga ‘marrëdhëniet e shkëlqyera’ me Greqinë!

Mbrëmjen e djeshme kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë. Mirëpo pas kësaj deklarate të kryeministrit ka ardhur reagimi i diplomatit Shaban Murati, i cili apelon për të pasur kujdes.

“Se si mund të shkëlqejnë marrëdhëniet me shtetin, që rivendikon detin tënd dhe territorin tënd, që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë 75 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, që nuk njeh çështjen çame, që kërkon autonominë e “Protokollit të Korfuzit” për minoritetin grek, që të ka grabitur ujërat e Vjosës, që në tetor 2019 abstenoi në samitin e BE kur votohej për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE”- shkruan Murati.
Postimi i plotë:

Ruhuni nga “marrëdhëniet e shkëlqyera” me Greqinë!

Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Jugosllavinë, kur ishte satelite e saj. Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Bashkimin Sovjetik, kur ishte satelit i tij. Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Kinën, kur ishte satelite e saj.
Në mbrëmje vonën e 15 shtatorit kryeministri shqiptar, pas një darke intime në Athinë me kryeministrin grek, nuk dihet pse shpërtheu në një patetizëm enokulturor dhe deklaroi në emfazë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë të shkëlqyera. Se si mund të shkëlqejnë marrëdhëniet me shtetin, që rivendikon detin tënd dhe territorin tënd, që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë 75 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, që nuk njeh çeshtjen çame, që kërkon autonominë e “Protokollit të Korfuzit” për minoritetin grek, që të ka grabitur ujrat e Vjosës, që në tetor 2019 abstenoi në samitin e BE kur votohej për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE, etj. këtë paradoks vetëm udhëheqës raja dhe shtete raja mund ta besojnë.

Shqipërisë i duhen marrëdhënie normale me shtetet fqinjë, për “të shkëlqyerat” na tremb historia jonë kombëtare. Të dashur shqiptarë, ruhuni nga “marrëdhëniet e shkëlqyera” me Greqinë!

Diplomati i njohur: Ruhuni nga ‘marrëdhëniet e shkëlqyera’ me Greqinë! Read More »