Politike

‘Polici në Shqipëri gogol, në SHBA shpërndan maska’

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi sot se gjobitja e gjyqtarëve për mosmbajtjen e maskave nuk është zgjidhja për të frenuar pandeminë.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se maska është masa e fundit kundër Covid 19, duke vënë theksin se triada e famshme e OBSH-së, testim-gjurmim-trajtim.
Teksa publikoi një video nga SHBA ku policia shpërndan maska për qytetarët në rrugë, Vasili tha se ky është misioni i vërtetë i uniformave blu dhe jo gjobëvënia si në rastin tonë.

Vasili: Qindra gjoba vendosen përditë, masa dhe një gogolizim policor që del rrugëve për të dënuar dhe trembur njerëzit. Misioni është krejtësisht i kundërt. Maska është mjeti i fundit nga të gjitha masat e tjera që merren për pandeminë. Pandemia nuk përballohet me mjetin e saj më të fundit, maskën. Por duke ndjekur triadën testim-gjurmim-trajtim.Së dyti trajtimi falas i qindra të sëmurëve që po trajtohen në banesë, familjet e të cilëve po hyjnë në borxhe. Po marrin oksigjen me qira në banesë.Këto janë masa themelore jo demagogji me masa.

Sipas Vasilit, për faj të qeverisë sot pandemia është një “lumë i dalë nga shtrati”.

‘Polici në Shqipëri gogol, në SHBA shpërndan maska’ Read More »

Briseida Shehaj: ‘Pse e braktisa PS-në për LSI-në’

Pse socialistët e vërtetë nuk përfaqësohen më nga Partia Socialiste dhe si “klani rilindas” e ka keqpërdorur pushtetin për interesa të ngushtë.

Ish-drejtoresha dhe zv.ministrja e PS-së në një intervistë për MAPO sqaron arsyet e largimit nga kjo parti drejt LSI-së.

Ardhja në pushtet e PS-së në 2013-ën me moton e rilindjes së vendit solli dhe një grup të rinjsh e të rejash që u emëruan në detyra të rëndësishme të administratës. Një prej tyre ishte Briseida Shehaj e cila kishte milituar në këtë parti që prej vitit 2000 dhe vinte nga një eksperiencë pune në sektorin bankar. Ajo u emërua drejtoreshë e Tatimeve në një kohë kur Elisa Spiropali u emërua drejtoreshë e Doganave.

Po ndërsa Spiropali vijoi karrierën politike dhe sot shihet si një ndër njerëzit më të afërt të kryeministrit Edi Rama si pjesë e kabinetit të tij qeveritar, Shehaj u tërhoq nga angazhimi i saj politik 3 vite më vonë. Ajo dha dorëheqjen nga detyra e dytë që i caktoi Rama si zv.ministre e Ekonomisë vetëm 2 muaj pas emërimit, duke vijuar karrierën e saj në sektorin privat dhe larg prozhektorëve të politikës.

Shehaj ka tërhequr sërish vëmendjen e medias me rikthimin në politikë, tani jo më në PS, por në LSI, parti që u krijua nga Ilir Meta në vitin 2004 pas përplasjeve brenda PS-së.

Shehaj, ka pohuar arsyet e këtij kapërcimi me zhgënjimin e saj me partinë në pushtet, për keqqeverisjen dhe largimin e saj nga principet e majta që ka në bazën e ideologjisë së saj PS-ja.

Në një intervistë për gazetën MAPO, Shehaj thotë se PS-ja erdhi në pushtet nga socialistët, por pushteti u keqpërdor nga “klani rilindas”, siç etiketohen prej vitesh tashmë bashkëpunëtorët e Ramës. Më tej ajo akuzon qeverinë aktuale se e ka rrënuar ekonominë me kontratat e PPP-ve dhe thotë se vendi nga pikëpamja ekonomike është një “pacient në fazën terminale në urgjencë” , të cilit nuk i duhen “kasapë”, por “mjekë të përgjegjshëm”.

Znj. Shehaj, pas një shkëputjeje nga administrata shtetërore, ku keni provuar pozicione me rëndësi si drejtoreshë e Tatimeve dhe më pas zv.ministre, jeni rikthyer në politikë, po këtë herë jo më pranë partisë ku keni milituar, PS-së, por LSI-së. Si erdhi ky vendim dhe pse zgjodhe LSI?

E nisim me një saktësim, ky nuk është rikthim në politikë, por vendimi im i parë për t’u marrë me politikë aktive. Si një shqiptare, që kam vendosur të jetoj e punoj në këtë vend, si qytetare e angazhuar, për mua 25 prilli nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por shpresa e fundit për Shqipërinë. Unë kam qenë e majtë, mbetem e majtë, kam bindjen e plotë se Shqipëria e varfër ka nevojë për një të majtë të vërtetë e në vend atë e përfaqëson tashmë vetëm LSI.

Nëse janë bindjet ideologjike që ju kanë udhëhequr në këto zgjedhje, çfarë ka LSI më socialiste se Partia Socialiste?

Për të qenë e saktë sërish, pyetja do duhej të ish çfarë e bën LSI-në më socialiste se Rilindja. Dhe Rilindja nuk ka asgjë socialiste. Partia Socialiste ishte thjesht mjeti i saj për të arritur qëllimin. Se cili qe ky qëllim mjafton të shihni me sy të lirë qendrën e Tiranës, shndërrimin e qytetit në një lavatriçe gjigante, që po ndot me vrull shqiptarët.

Ju jeni aktivizuar pranë strukturave socialiste që në rini, çfarë ndodhi që u zhgënjyet pikërisht kur kjo parti ishte në pushtet?

Unë jam rritur nga dy prindër të majtë, me kontribut të ndjerë e modest në Partinë Socialiste. Në vitet 2001-2002, Monika Kryemadhi, asokohe kryetare e Forumit Rinor ndikoi të ktheja bindjet e mia të majta në angazhim konkret. Dhe e mora seriozisht këtë përfshirje në strukturat e partisë, duke bërë rrugëtimin e plotë brenda saj në shumë funksione, si komisionere, numëruese, e deleguar në njësitë 1 dhe 3 në Tiranë, e deleguar në Kongresin e PS-së, anëtare e Asamblesë Kombëtare, pjesë e grupit të punës për ngritjen e Forumit të Gruas, koordinatore elektorale e njësisë nr.3, funksione, që i kam ushtruar deri në vitin 2017.

Arsyet e votës së jashtëzakonshme të vitit 2013 nisën të zhbëhen 3 vjet pas marrjes së pushtetit, premtimet me të cilat iu kërkua besimi shqiptarëve nuk po mbaheshin, karriera nisi të bëhej një mundësi, që varej nga afërsia me Rilindjen, ku puna e grupit, që kish karakterizuar këtë forcë në ditë me dhe pa pushtet, po zëvendësohej nga klanet brenda partisë. Klane që në vend t’u shërbenin shqiptarëve, sulmonin njëri-tjetrin deri në pikën “o me ne, o je armiku”. Kjo nuk qe më partia në emër të së cilës kërkuam votën, ndaj me bindje të plotë dhashë dorëheqjen kur Rilindja qe në kulmin e pushtetit. Kjo ngjan e paimagjinueshme për ata, që varkën e lënë zakonisht vetëm kur është duke u mbytur.

Flitet shpesh për një dualizëm brenda PS-së për Rilindjen, që nënkupton një grupim të ardhur rishtas në këtë parti pas ardhjes së Edi Ramës kryetar dhe socialistëve të vjetër, apo ai grupim që ruan akoma ato vlera me të cilat e gjejnë veten. A ekziston ky dualizëm? Dhe pas kaq vitesh a mund të themi se ka akoma socialistë brenda ‘Rilindjes’?

Socialistët e vërtetë, asetet e patjetërsueshme të kësaj force, janë ata, që sollën Partinë Socialiste në pushtet, pushtet që sot po e ushtron dhe keqpërdor Rilindja.

Vetëm para pak ditësh pamë një spektakël të çuditshëm në Asamblenë e PS-së, ku pas një fjalimi të gjatë të kryetarit, nuk u bë votimi i kryesisë së re, qëllimi pse ishte mbledhur ky forum. Po ta krahasosh këtë me KPD-në e dikurshme, ku debatohej dhe kishte garë, çfarë do të thotë për një socialiste si ju?

Socialistët e vërtetë janë mësuar me garën dhe konkurrencën. Rilindasit i frigohen garës dhe përballjes me socialistët. Nuk kam nguruar të flas si në struktura edhe publikisht për zhdukjen e institucionit të zgjedhjeve në këtë forcë politike. Kjo është humbja më e madhe për këtë forcë: shndërrimi i zgjedhjeve dhe garës në tabu.

Gjatë karrierës suaj në administratë pa dyshim detyra e Drejtoreshës së Tatimeve ka qenë domethënëse, si një njohëse e problemeve ekonomike, çfarë po ndodh sot me ekonominë e vendit, sa e rëndë është kriza për të cilën po flasin raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe çfarë duhet të bëjë qeveria për të menaxhuar këtë situatë?

Sot Shqipëria është pacienti që ka mbërritur në fazën terminale në urgjencë. Duhen rikthyer parametrat jetikë në normalitet, zhbërja e investimeve abuzive, analizë në detaje e zbatimit të kontratave PPP, ato miliardëshe të AKSH-it, fokusimi në mbledhjen e të ardhurave, ku vetëm në 8 muajt e parë të vitit janë mbledhur 340 milionë dollarë më pak se një vit më parë. Mirëkuptoj ndikimin e pandemisë në këtë situatë, por tatëpjeta kish nisur para saj.

Mjafton të shihen të ardhurat e mbledhura në vitin 2019 në raport me ato të arkëtuara në vitin 2018. Mjafton të shohësh zërin e TVSH-së për të kuptuar që investimet dhe miliardat e hedhura në PPP janë kthyer në skema të evazionit fiskal. Deri në atë pikë sa kompanitë blejnë pula dhe të brendshme e shesin beton. Qeveria duhet të kuptojë se miradministrimi nuk mund të jetë zhytja në borxhe në nivel rekord. Ne jemi një vend ku rritja ekonomike varet nga tekat e motit, bie a s’bie shi. Në fund të ditës këtij pacienti i duhen mjekë të përgjegjshëm dhe jo kasapë.

/NOA.al

Briseida Shehaj: ‘Pse e braktisa PS-në për LSI-në’ Read More »

Sot është Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë/ Meta: ‘Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por…’

Sot është Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, por kjo ditë e gjen Shqipërinë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pikërisht në këtë ditë, duke fajësuar qeverinë mbi gjendjen ekonomike të shqiptarëve.

Meta shkruan se sipas raporteve të organizatave të huaja prestigjoze niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton 2 herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit.

Kreu i Shtetit shprehet se me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.

Meta foli sërish për shpërndarjen e parlamentit, duke thënë se shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin.

Postimi i plotë:

Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, e gjen Shqipërinë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike, sipas raporteve të organizatave të huaja prestigjoze.

Banka Botërore në konkluzionet e fundit vjetore e rendit vendin tonë me recesionin më të lartë në rajon, me një rënie të madhe ekonomike që parashikohet nga – 8% në -9% për vitin 2020.

Edhe për shkak të pandemisë COVID-19, me mijëra biznese janë mbyllur, ndërkohë që niveli i papunësisë krahasuar me një vit më parë ka arritur në 11.9% në gjashtë mujorin e parë të vitit.

Dërgesat nga diaspora janë ulur ndjeshëm duke ndikuar në një rënie drastike të të ardhurave të familjeve më në nevojë, që reflektohen në uljen e konsumit.

Tronditës është fakti se niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është rritur në 41.5%, nga 35.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton 2 herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit, ku konkretisht kjo përqindje rezulton:

në Maqedoninë e Veriut 23.3 %,

në Kosovë 22,9%,

në Malin e Zi 20,4%

në Serbi 18,9%.

Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.

Varfëria është dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, ndaj lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni në radhë të parë është luftë për të garantuar dinjitetin e çdo qytetari dhe drejtësinë sociale, aq të domosdoshme, që meriton një shoqëri si e jona, për t’u zhvilluar sipas standardeve europiane.

Varfëria nuk zgjidhet as me propagandë, as me statistika nga televizori, as me një thes miell, as me nxitjen e fenomeneve kriminale si kanabisi, që dihet se çfarë dëmesh dhe pasojash tepër të rënda sociale kanë shkaktuar.

Është e papranueshme që një grusht oligarkësh dhe banditësh, siç është edhe mafia e inceneratorëve, të pasurohen çdo ditë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa një qytetar në nevojë apo një pensionist me fëmijët në emigracion të mbijetojë me 5.5 USD/dita, në kushtet e rritjes së shfrenuar të çmimeve.

Çdo i varfër në Shqipëri dhe çdo qytetar i ndershëm, më shumë se për solidaritet ka nevojë sot t’i dëgjohet zëri i tij.

Ndaj është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të arritur drejtësinë sociale të munguar.

Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit.

ZËRI I POPULLIT, ZËRI I ZOTIT!

ORA E PËRBALLJES PO AFRON!

Sot është Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë/ Meta: ‘Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por…’ Read More »

Kryemadhi: ‘Edi Rama është frikacak edhe përpara shoferit të tij’

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka folur sonte për vendimin e mbajtjes së maskës me detyrim duke thënë se Rama e bëri këtë sepse çon të njëjtët njerëz në takime dhe e bën që të mos i njohin.

Kryemadhi nuk lë pa përmendur ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor duke i thënë publikisht kryeministrit se këto taktika a nuk e ndryshojnë dot votën e qytetarëve.

“Jam e qetë sepse çdo ditë minimumi takoj 100-150 vetë.

Takoj policë që ulërasin për mënyrën se si i trajton shteti i tyre. Takoj mjekë që kanë pagë 480 mijë lekë dhe u thuhet të blejnë maska dhe dezinfektantë.
A e dini ju pse ka vendosur maska ai? Sepse të njëjtët njerëz i çon në takime edhe në Tiranë, edhe në Durrës dhe u vë maska që të mos i njohin. Të ndryshosh Kushtetutën nuk e ndryshon votën. Taktikat elektorale nuk të shpëtojnë.
Nuk do të guxojë njeri të trokasë në derën e një qytetari për ta kërcënuar për vendin e punës. Unë e njoh Edi Ramën shumë mirë. Është bërë tre herë kryetar bashkie me LSI-në. Në 2013 fitoi për shkak të LSI-së dhe në 2017 për shkak të PD-së. Një herë që kishte LSI-në kundër humbi. Edi Rama është frikacak edhe përpara shoferit të tij”, tha ajo në emisionin “Java” në RTSH.

Sa i përket dekoratave që bën Presidenti Ilir Meta, kryetarja e LSI thotë se dashuria e tij për Margaritën është e vërtetë ndërsa sqaron se i pëlqen që të përmenden heronjtë e kombit.

“Dashuria e Ilir Metës për Margarita Tutulanin është e vërtetë, për më tepër që Afërdita Tutulani ka qenë një nga themelueset e LSI-së. Nuk është keq që t’i përmendim heronjtë. Është e turpshme që të hyni në Wikipedia për Vojo Kushin thonë se është jugosllav. Sa hynë për të kontrolluar kush i bën like opozitës, të shpenzoj ca para për këtë”, shtoi Kryemadhi në RTSH.

Kryemadhi: ‘Edi Rama është frikacak edhe përpara shoferit të tij’ Read More »

Arjan Çani: Fatkeqësisht Rama i fiton zgjedhjet

I drejtëpërdrejtë si gjithmonë, Arjan Çani iu përgjigj pyetjeve rreth personazheve kryesore politikë në vend, në një intervistë televizive mbrëmjen e djeshme.

Ai parashikon që Basha do të jetë kryeministër një ditë, por jo në një ardhme të shpejtë pasi sipas tij Rama merr edhe mandatin e tretë vitin e ardhshëm.

Çani thotë se “zgjedhjet inxhinierike” e pengojnë Bashën të jetë kryeministër pas 25 prillit 2021 dhe për këtë, parashikon sërish PS-në në pushtet.

Arjan Çani thotë se Berisha është personazhi më interesant që ka pasur ndonjëherë në emisionet e tij.

Çani gjatë intervistës analizoi Bashën dhe Metën, përballë Ramës, në betejën aktuale politike në vend:

Çfarë ke kundër Erion Velisë?

Unë nuk kam asgjë kundër.

Pse e quan Vilajet Qyrku?

Po më pyet për histori të para 10 viteve. Unë kam memorie shumë të dobët dhe nuk mbaj mend asgjë rreth këtij personazhi. As nga e kaluara as nga kjo e sotmja. Nuk më thotë gjë ai. Aq shumë s’më thotë sa nuk jam fare i vëmendshëm ndaj gjërave që ai bën.

Kush ka qenë personazhi më interesant në emision?

Në 18 vite emision personazhi më interesant është Sali Berisha. Është i ditur, di të dëgjojë, të të respektojë. Berisha është një nga klientët më interesantë dhe më të bukur të emisionit. Nuk e them politikisht, por realisht më intrigon. Ka një staturë që nuk e gjen në asnjë personazh tjetër.

Ku ndryshon nga zoti Basha?

Është tjetër gjë. Si nata me ditën.

Çfarë është Basha?

Basha është kryeministër i ardhshën. Nuk e di se kur, por ai do të jetë sepse i ka cilësitë për të qenë i tillë. Është një njeri që nuk i beson dot kollaj dhe për këtë do të bëhet kryeministër. Kur ai të thotë diçka ti nuk e beson dhe këtë e ka favor.

Edi Rama?

Është njeriu që njoh më shumë se të gjithë. Vonë e kam kuptuar që është një bullist i niveleve të larta.

Bullist është dikush që të nxin jetën, të përndjek, të thotë më të zezat, të cënon në pikat më të dobëta e bën fizikisht dhe shpirtërisht. Këtë doni të thoni për Edi Ramën?

Jo me mua çuditërisht, por me të gjithë dynjanë, me vartësit, gazetarët që nuk i njeh dhe do ti poshtërojë. Por duke qenë i tillë është dhe i talentuar.

Po pse është kaq i sukseshëm duke qenë bullist profesionist?

Sepse është mjeshtër i kukullave. Është trim dhe frikacak, është dhe naiv dhe i djallëzuar. Është i gjatë, por dhe di të bëhet dhe i shkurtër. Është dhe orator, por di të bëhet dhe batutaxhi. I ka të gjitha. Ka vetëm diçka që i mungon por që ndoshta nuk i hynë në punë. Është që qeveris gabim. Ky është gabimi më i madh por njerëzit mesaduket nuk e kanë këtë kriter kur votojnë.

Çfarë kriteri kanë njerëzit kur votojnë?

Shumica e njerëzve këtu pëlqejnë show-n dhe batutat dhe kjo është fatkeqësi e madhe

A do ia sigurojnë këto një mandat të tretë Ramës?

Jo vetëm ato (zgjedhjet 25 prillit). Ato (Batutat) e ndihmojnë. Unë them që ai po luan për një mandat të katërt.

Prandaj e thatë që Basha do bëhet kryeministër por pas shumë kohësh?

Jam i bindur që Basha do të bëhet, por jo tani dhe jo për faj të tij, por për shkak të inxhinierisë së votave që Rama ka ditur të prodhojë.

A do ta presë PD Bashën dhe dy mandate të tjera?

Nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm nëse del ndonjë gjeni që unë deri tani nuk e shoh. Sikur të bëheshin zgjedhjet e ndershme në Shqipëri e sigurtë që Basha do të fitonte, por këtu nuk bëhen zgjedhje të lira. Këtu bëhen zgjedhje inxhinierike. Ka një deformim, cënim, shumë bukur të rafinuar, që herë pas here lë dhe gjurmë si në zgjedhjet e kaluara.

Pse sherri është zhvendosur në trajektoren Rama-Meta. A është Meta i treti i pashmangshëm?

Meta është i pashmangshëm. Nuk arrij ta kuptoj pse ka nisur kaq herët ky konflikt. Me siguri do të ketë arsye më të thella se ato që dëgjojmë por që do të bëhen publike në javët apo muajt e ardhshëm.

A i ngjan vitit 2017?

Po, por atëherë Basha i binte Metës, tani nuk e di a do të shkojmë prapë në atë histori. Janë të hapura letrat. Mendoj se nl të gjitha rastet, Rama është më i fortë.

A do ta moderoje ti një debat Rama- Basha?

Jo! Ia kam lënë Fevziut këto gjëra. E para përtoj.

Nëse do t’ju zgjedhin ju?

Nëse do më zgjidhni patjetër, por që ti futem vetë që të punoj për këtë punë jo jo.

Basha e Meta kanë hedhur dorashkën e sfidës për debat, por Rama i shmanget Pse?

Me aq sa e njoh Ramën si karakter politik e profil, mendoj se Rama thellë-thellë jo vetëm që nuk do debat ), por nuk do të donte as opozitë. Fare. Rama i ka tmerr. Përton shumë të merret me kundërshtarin. Edhe kur e bën, e bën i detyruar se mendon se do të fitojë pikë. Në këtë rast ai është në pushtet dhe veçse humb në debat, ndërsa Meta e Basha nuk kanë çfarë të humbasin. Është strategji interesante kjo e zgjedhur nga Meta dhe Basha. Këto Rama i ka në disfavor. Në disfavor jo në zgjedhje se ato janë inxhinierike por në debatet që bëjnë në studio.

Çfarë ndodh më 26 prill?

Vazhdon jeta normalisht.

Le përshtypjen që Rama do të jetë fituesi?

Fatkeqësisht po. Unë do të votoj kundër tij, e kam thënë publikisht. Në historinë moderne të këtij vendi nuk ka rëndësi fare kush është i ndershëm dhe i mirë, e rëndësishme është kush është i fortë.

Përderisa amerikanët thanë se “5 qershori” nuk është prishur, ishte sinjal për ti thënë të gjatit “Jepi, ne ta dhamë viston”. Vetëm budallenjtë nuk e shikojnë, vetëm qorrat.

Amerikanët janë duke ndihmuar Ramën thua ti?

Indirekt po. Edhe Kim dhe Soreka e thanë që “5 qershori” nuk është prishur nga ky kod i ri zgjedhor. Pse e thanë? Mund të rrinin indiferentë, por i shkelën syrin dhe i thanë vazhdo. Duhet t’ia themi njerëzve disa të vërteta të thjeshtë: Këtu pritet shumë nga të huajt por harrojnë që të huajt në fakt bëjnë gjithmonë me më të fortin dhe jo demokratin. Kur shohin kush është më i fortë ata e respektojnë.

A do të mundet që populli të kuptojë?

Po ndodhi është diskutim tjetër. Por deri tani nuk shoh gjë.

A janë qëndrimet e të huajve, si ‘gishti i mesit të Boschardit”?

Unë uroj të gaboj, por sigurisht. Ata e dinë më mirë se të gjithë se këtu jemi në xhungël dhe në xhungël do të fitojë më i forti. Këtu shumica e njerëzve mendojnë se do na ndihmojnë të tjerët. Por kush të tjerë?!

/NOA.al

Arjan Çani: Fatkeqësisht Rama i fiton zgjedhjet Read More »

Ironia e Astrit Patozit: ‘Ruhu sot Enver, se mund te hash ndonjë dekoratë qorre, si ditë me qokë që është’

Sot në ditëlindjen e Enver Hoxhës ka ironizuar klasën politike kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi.

Ai i ka ironizuar politikanët që kanë në dorë fatet e vendit me simpatizantë të Enverit, të cilët sot në 112-vjetorin e lindjes së tij, si çdo vit e kanë kujtuar, madje kanë shkuar për ta nderuar para varrit.

“Eh mor komandant, si vajti kjo punë! Kanë mbetur shumë pak në këtë vend që i merr malli për ty. Dhe akoma më pak nga ata, që të vijnë tek varri për ditëlindje”, – tha Patozi..

“Kanë ndryshuar shumë gjëra në Shqipëri këto vite, gati gjithçka. Vetëm një gjë ka mbetur siç ka qenë: udhëheqësit e partisë dhe të popullit i largon veç vdekja nga pushteti, megjithëse ti nuk e kishe lënë amanet”, – shkroi ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, në Facebook.

“Dhe ruhu sot, se mund te hash ndonjë dekoratë qorre, si ditë me qokë që është”, – tha Patozi, duke përdorur një tjetër ironi për dekoratat që jep Presidenti Ilir Meta.

Ironia e Astrit Patozit: ‘Ruhu sot Enver, se mund te hash ndonjë dekoratë qorre, si ditë me qokë që është’ Read More »

Rama ‘Duan s’duan Lulëzimi dhe balonat e tij Shqipëria do pastrohet nga malet e plehrave’

Kryeministri Rama pas daljes së kreut të opozitës, Lulzim Basha në konferencën e ditës së sotme.

Permes një postimi në Twitter, Rama tha se Basha vazhdon të ngatërrojë investimin privat me atë shtetëror me 29 Euro për ton.

“Sipas Lulëzimit nuk duhen paguar plehrat që shkojnë në Sharrë po duhen bërë mal me re helmi mbi Kombinat! Vazhdon të ngatërrojë investimin privat me pagesën 29€ për ton nga shteti, kur në Europë shtetet paguajnë deri 150€ tonin për të njëjtën gjë! Çfarë mjerimi ky debat absurd!”, – theksoio Rama.

Kryeminisitri akuzoi opozitës, se në mungesë të argumenteve, merret me familjen e tij.

“Merren me nënën time të ndjerë dhe shajnë si të dehur, e kujtojnë se do gënjejnë shqiptarët duke ua bërë të bardhën të zezë me balonat tabake e tauke që i nxjerrin nëpër dyert e fushave sanitare sa në Sharrë e sa në Fier, për të recituar vjershat e mjerimit që në fakt e mishêrojnë!” – shtoi Rama.

“Duan s’duan Lulëzimi dhe balonat e tij Shqipëria do pastrohet nga malet e plehrave, Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora e me radhë nuk do rë kthehen tek malet e plehrave të Saliut e të partisë që ka program rrënimin e rrëmujën në çdo fushë të jetës shqiptare!”.

Kryeministri Edi Rama reagoi pasi Lulzim Basha në një takim me gazetarët ngriti akuza të rënda ndaj tij në lidhje me inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit.

“Edi Rama i ka dhënë dhejtëra million euro një personi që ka regjstruar tre kompani offshore dhe është pronar i tre incerenatorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë”.

“Në Tiranë është regjistruar një ditë para se të niste kontrata, nuk ekzistonte dhe është regjistruar pa asnjë përvojë në fushën e administrimit të mbetjeve.”

“Në Fier është regjistruar bashkë më një kompani italiane me pervojë, sa mori tenderin ia bleu kuotat kompanisë italiane për 200 mijë lekë të vjetra. E ka prapë i njëjti person me një zinxhir kompanish të regjistruara në parajsa fiskale. As në Tiranë as në Fier nuk ekziston.”

“ Në Elbasan nuk është marrë nga bashkia sepse nuk plotëson kushtet e kontratës. 75 milion euro të parave të shqiptarëve janë paguar deri më sot për këtë aferë pa garë, pa transparencë”.

Basha ka renditur një sërë pyetjesh me tone akuzuese ndaj Ramës, teksa kërkon të dijë marrëdhënien e kryeministrit me Mikel/Klodian Mërtiri apo me Klodjan Zoto.

“Çfarë e ka detyruar Edi Ramën të bëjë këtë? Çfarë e lidh Edi Ramën me Mirel dhe Klodiana Mërtirin dhe Klodjan Zoton? Çfarë eksperience kanë në fushën e administrimit të plehrave? Pse atyre u janë dhënë dhjetëra million euro pa pasur asnjë investim?”

“ Pse i kanë shpikur këta miqtë tuaj kompanitë guaca, me drejtorë fiktivë? Pse i kanë ndryshuar emrat? Pse nuk është ndryshuar kontrata për inceneratorin e Fierit apo Tiranës? Kanë nxjerrë 75 milion euro nga buxheti, pyeti Basha teksa kërkon që “SPAK të bëjë detyrën dhe të tregojë se është në anën e duhur”.

/NOA.al

Rama ‘Duan s’duan Lulëzimi dhe balonat e tij Shqipëria do pastrohet nga malet e plehrave’ Read More »

Menduat se vetëm për pak kohë? Jeni gabim, Rama zbulon se për sa kohë do jenë të detyrueshme maskat

Kryeministri Edi Rama është shprehur në emisionin “Opinion” se nuk do të ketë më falje gjobash për morespektim të rregullave të COVID, pasi gjobat do të paguhen në faturat mujore të energjisë.

Për sa i përket detyrimit për të mbajtur maskën, Rama tha se maska do të qëndrojë e detyrueshme për një kohë të gjatë, të paktën deri sa të dalë dimri.
“Ne kemi vendosur gjoba dhe një pjesë e rëndësishme janë paguar. Kjo është një luftë e gjatë dhe sidoqoftë njerëzve u janë bllokuar me muaj të tërë makinat, ideja që t’jau kthejmë është një ide që shkon në sensin e mirëkuptimit. Unë nevoja elektorale nuk kam. Sikur sot të ndaloj së bëri cdo gjë, në 25 prill unë partinë tënde do ta mund. Problemi me gjobat është ky: Maska do të qëndrojë gjatë e detyrueshme, deri në dalje të dimrit. Do ët shohim se cfarë do të sjellë gripi sezonal. Gjobat do të merren cdo muaj në faturën e dritave dhe nuk do të kenë mundësi të falen”, tha Rama.

Menduat se vetëm për pak kohë? Jeni gabim, Rama zbulon se për sa kohë do jenë të detyrueshme maskat Read More »