Politike

Deputetja Rudina Hajdari zbulon qytetin ku do të kandidojë për zgjedhje

Përmes një videoje në profilin e saj në “Facebook”, deputetja Rudina Hajdari ka njoftuar se do të kandidojë për deputete nën siglën e “Nismës Thurje” në qytetin e Elbasanit.

Hajdari ka bërë thirrje që elbasanasit t’i bashkohen, ndërkohë që shton se ka ardhur koha për t’u rebeluar kundër klasës së vjetër politike.

“Miq, dua t’ju kërkoj sot mbështetje për një vendim të rëndësishëm që kam marrë së bashku me skuadrën lidhur me zgjedhjet e ardhshme.

Nëse beson te unë dhe te ekipi ynë, të lutem merr pak kohë, më dëgjo, e na jep një dorë. Ka ardhur koha që të gjithë të rebelohemi ndaj klasës së vjetër politike dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndihmojmë ata që marrin guximin të përballen”, shkruan ndër të tjera ajo, përbri videos ku prezanton karrierën e saj politike dhe në jetë.

Hajdari zbulon se ka zgjedhur Elbasanin, jo vetëm se është larë në lumin Shkumbin, siç edhe thotë, por beson se ky qytet mund të bëhet.

“Kam vendosur që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kandidoj në qarkun e Elbasanit si kandidate e Nismës Thurje. Zgjodha Elbasanin jo vetëm se ndjehem e bekuar që jam larë në lumin Shkumbin, kam pirë nga burimet e pastra të ujit dhe kam kaluar një pjesë të fëmijërisë, por sëbashku me të rinjtë besojmë se Elbasani mund të zhvillohet si qendër industriale dhe jo të damkoset si vend i krimit”, shprehet Hajdari. /noa.al/

Deputetja Rudina Hajdari zbulon qytetin ku do të kandidojë për zgjedhje Read More »

Zyrtarizohet koalicioni mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit

Presidentja e përkohshme e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i VV, Albin Kurti kanë dalë në një konferencë të përbashkët, ku kanë njoftuar bashkëpunimin për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Drejtuesja e Lista-s, ka njoftuar se së bashku me Kurtin kanë arritur në një marrëveshje që përfaqëson vullnetin e qytetarëve kosovarë.

“Marrëveshja e arritur sot, përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Bashkimin tonë që shkon përtej.. Ne do të garojmë së bashku në listat që do të flasin me zërin tuaj, do të frymojë siç frymoni ju dhe do të guxojë t’i bëjë ballë çdo sfide ashtu si ju”, ka thënë Osmani.

Sipas asaj që deklaruan në konferencën e përbashkët për shtyp, Osmani do të kandidojë në listat e Vetëvendosjes.

Sipas marrëveshjes, Kurti ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa Osmani do të synojë postin e Presidentes së Kosovës.

Afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit, është deri të shtunën më 16 janar, në ora 18:00.

Lëvizja Vetëvendosje, deri tani nuk ka bërë koalicion parazgjedhor me asnjë nga subjektet politike. /noa.al/

Zyrtarizohet koalicioni mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit Read More »

Kryemadhi: LSI do të ketë kandidatët e vet në të gjitha qarqet e vendit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se LSI do të ketë kandidatët e vet në të gjitha qarqet e vendit.

“Një nga arsyet që e po bëjmë jo vetëm shpërndarjen e kandidatëve të LSI-së, jo vetëm në të gjithë Tiranën, por në të gjithë Shqipërinë, nuk ka të bëjë thjesht me mesazhin apo flamurin e partive politike, por është krijimi i hapësirave dhe mundësive shqiptarëve për të votuar, jo vetëm një emër, por disa emra, për të treguar pushtetin e secilës votë, që ata mendojnë se duan që ta drejtojnë dhe ta çojnë punën e tyre përpara dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes”, theksoi Kryemadhi.

Sipas saj, qeveria synon që të krijojë amulli për të penguar votuesit të votojnë për opozitën.

“E vetmja gjë që sot i ka ngelur Rilindjes për të krijuar një amulli, turbullim apo çorientim të opinionit publik, është për të krijuar kleçka dhe klauzola për të çorientuar njerëzit. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh në taktikat elektorale, e rëndësishme është që në të gjithë të shkojmë drejt kutisë së votimit”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI i lëshoi këto deklarata gjatë një takimi në njësinë 4 në Tiranë.

“Fokusi ynë është punësimi, një punë e mirëpaguar, një punë e cila krijon hapësira për të rinjtë dhe të rejat, për të konkurruar në tregun e punës, për të pasur një pagë të mirë, për të pasur mundësi të mirë”, theksoi Monika Kryemadhi. /NOA.al

Kryemadhi: LSI do të ketë kandidatët e vet në të gjitha qarqet e vendit Read More »

Topalli: Gati të bashkoj votat me opozitën por me kusht.Të largohet Basha

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli pas krijimit të partisë Lëvizjes për Ndryshim thotë se është e gatshme të bëjë koalicion me opozitën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por vetëm me një kusht: Lulzim Basha nuk duhet të jetë kandidati i opozitës për kryeministër.

“Jam e gatshme të bashkoj votat me opozitën me një kusht, të mos ketë të korruptuar si kryeministër. Domethënë që Lulzim Basha nuk do të jetë kryeministër”, tha Topalli, e ftuar në Ditarin e A2. Megjithatë, Topalli tha se nuk ka ende një emër për kandidatin e saj për kryeministër.

“Por kam një parim, të jetë i pa korruptuar dhe të dojë vendin. Duket e thjeshtë, por tejet e rëndësishme”.

Ajo tha se megjithatë partia e re e ngritur prej saj është që të largojë Edi Ramën nga qeverisja, por edhe t’i japë shqiptarëve mundësinë për të larguar 3 kryetarët, siç i quajti ajo kryeministrin, presidentin dhe kreun e opozitës.

“Nëse do të dimë të kapim momentin e 25 prillit, mund të sjelli, ndryshimin. Duke hyrë brenda, duke i kushtëzuar dhe duke bërë të mundur që të bien nga pushteti dhe arroganca. E di që nuk është e thjeshtë, por e di që është e mundshme. Shqiptarët kanë mundësi që me 25 prill të hedhin votën kundër 3 kryetarëve. Votë dhe protestë. Nëse të rinjtë rrinë në shtëpi, votojnë për 3 kryetarët, nëse dalin e votojnë për Lëvizjen për Ndryshim, faktikisht dalin e votojnë kundër 3 kryetarëve”, tha Topalli.

Deri tani, ish-kryetarja e Kuvendit nuk ka prezantuar emrat e kandidatëve për deputetë të partisë së saj, por këtë, tha ajo, do ta bëjë në ditët e ardhshme. “Nuk janë njerëz të politikës së të kaluarës, janë intelektualë dhe njerëz me reputacion në fushat përkatëse. Kemi nevojë për njerëz normalë, nuk na duhen gjeni”, tha Topalli.

Ajo shtoi se është e gatshme të bëjë koalicion me forcat e tjera politike, por theksoi se, “nuk më lidh asgjë me LSI”. “Të gjithë të tjerët, forcat e reja politike kanë lindur nga politikat e përçarjes të së djathtës. Prandaj është shumë e nevojshme të bashkohemi bashkë, për të pasur një pikë kthese. Në kohë krizash, dhe kjo është kohë krizash, ka edhe mundësi. PS nuk do t’ia kishte dalë kurrë që të merrte mandatin e dytë dhe kam frikë se do të marrë edhe të tretin, nëse opozita nuk do të blihej”.

Për Topallin, misioni kryesor është rikthimi i pluralizmit, pasi sipas saj, mungon në vendin tonë. – “Pozitë dhe opozitë janë bashkë. Mbase shqiptarët nuk i dinë ca gjëra që ne i dimë, por e kanë kuptuar që ata janë bashkë. Kur disa qytetarë u ngritën kundër taksës së kombit, kryetari i opozitës e mbylli shpejt e shpejt. Kishte rastin për të fituar betejën, por e zëvendësoi me interesin e familjes së tij. I biri i atij që do të ndërtonte kullat është në radhën e kandidatëve të opozitës. Opozita premtoi lista të hapura, por nuk bëri asgjë të tillë. Sepse ishin bashkë dhe po të shohësh kodin zgjedhor kanë bërë gjithçka që të mos lejojnë partitë e reja, që të “mbretërojnë” në skenën politike të paktën për 15 vite. Ata janë bashkë, kanë pazare. E vetmja gjë që qytetarët shohin kur protestojnë është shantazhi që i bëjnë njëri-tjetrit, dhe kjo është e frikshme”.

E pyetur për marrëdhënien me liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Topalli tha se nuk është konsultuar për krijimin e forcës së re politike. “As nuk i kam kërkuar, as nuk i marrë mendim kur kam marrë vendimin. Është një vendim i marrë pas një dëshire, për të sjellë ndryshim brenda së djathtës, kemi marrë një vendim për të ndryshuar Shqipërinë, por është për ta ndryshuar. A do ta pranojë kushtin për të mos pasur Bashën kryeministër? Kjo nuk është pyetje për mua, por e kam të prerë. Pavarësisht, çfarë mendojnë disa njerëz që nuk mendojnë si unë, por unë kam respekt”, tha Topalli lidhur me ambicjet e saj politike para zgjedhjeve të 25 prillit.
/NOA.al

Topalli: Gati të bashkoj votat me opozitën por me kusht.Të largohet Basha Read More »

Basha akuza qeverisë për darkën në Dubai: ‘Ata nuk kanë turp, Rama nuk ka turp, por mesa duket para ka’

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se qeveria i ka braktisur qytetarët e saj në këtë situatë të vështirë përmbytjesh, duke menduar për veten e saj.

Duke iu referuar darkës së disa ministrave dhe zyrtarëve në Dubai në një nga restorantet më të shtrenjtë në botë, Basha shtoi se sot është koha për ndryshim dhe se qeveritarët që abuzojnë me pushtetin të shkojnë para drejtësisë.

“Duket sikur jemi mësuar me gjithçka dhe kjo është shumë e rrezikshme. Dy ditë më parë qindra e mijëra qytetarë ishin pa mbështetje nga përmbytjet në vend, ndërsa ministrat e Ramës po darkonin në restorantet më të shtrenjta të botës. 1 mijë dollarë bifteku, ndërsa njerëzit po shtyhen në krizën më të thellë ekonomike. Ata nuk kanë turp… Rama nuk ka turp, por mesa duket para ka”, tha Basha.

Ai theksoi se tashmë ka ardhur koha për ndryshim dhe më 25 prill qytetarët do t’i japin përgjigjen e merituar kësaj qeverie. /noa.al/

Basha akuza qeverisë për darkën në Dubai: ‘Ata nuk kanë turp, Rama nuk ka turp, por mesa duket para ka’ Read More »

Nga shtëpia e fëmijës në parlament/ I riu që të vetmen familje kishte fshatin Sos do të vendosë kandidaturën për deputet

Alfred Muharremi, i riu që të vetmen familje kishte fshatin Sos, sot që ka krijuar familjen e tij, pasi ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë dhe punon në sektorin bankar, në moshën 29-vjeçare aspiron të bëhet deputet.

“Duke qenë se unë prej disa viteh kontribuoj në shoqërinë civile, pasi jeta ime ka kaluar pothuajse në institucionet e përkujdesjes sociale dhe dua të them që jeta e një të riu që është rritur pa kujdes prindëror po ashtu e një fëmijë është jashtëzakonisht e vështirë. Kontributi nga ana e qeverive ka lënë për të dëshiruar gjë që mua më bëri të aplikoj që të jem zëri i kësaj kategorie në parlamentin shqiptar”.
Shtysa për të kandiduar në platformën “Deputeti që duam” ishte pikërisht komuniteti ku është rritur, ndërsa ai vetë nuk e kishte menduar asnjëherë veten si pjesë e parlamentit shqiptar, edhe pse beson se një figurë si ai për njerëzit që i kanë arritur me mund gjërat në jetë, për njerëzit e papërfaqësuar mungon në Kuvend.

“Nuk kam pasur shumë besim te politika, sepse unë realisht nuk synoj të bëj karrierë politike në kuptimin e mirë të fjalës ta kem ambicie personale, por ajo që unë synoj që e kam ëndërr, e vetmja gjë që dua të bëj është që të loboj që të jem zëri, forca, fytyra e çdo fëmije dhe çdo problematike, që të marr një zgjidhje në këtë parlament”.

Veç dëshirës që të përzgjidhet, 29-vjeçari ka frikë se me çfarë do të përballet në sferën politike dhe i ka dhënë vetes një premtim.
“Unë jam një i ri i rritur me ideale dhe parime, jam rritur nga 7 nëna dhe mijëra njerëz që më kanë mbështetur në fshatin sos, dhe nëse unë nuk do të gjej ndoshta terrenin e duhur, nuk do të gjej vetveten atëherë do të shkëputem. Unë kam marr një risk përsipër që ti shërbej shoqërisë, këtij komuniteti ku u rrita me çfarëdolloj kosto, por kosto pa prekur integritetin tim apo moralin”./tch

Nga shtëpia e fëmijës në parlament/ I riu që të vetmen familje kishte fshatin Sos do të vendosë kandidaturën për deputet Read More »

Rama, komentuesit: ‘Nuk fiton PD-ja edhe sikur të puthet qielli me tokën’

Ditën e sotme kreu i qeverisë ishte në veri të vendit në disa zona të përmbytura nga reshjet e dendura të shiut që prej disa ditësh kanë përfshirë vendin.

Por në postimet e tij në Facebook ka pasur disa komente kundër dhe me ironi.
Ndërkohë që nuk ka munguar përgjigja e kryeministrit me ironi, batuta, por edhe direkte duke shigjetuar PD-në.

Akuzat nga politika kanë qenë të shumta, qeveria që thotë se situata sot është më shumë herë më e mirë krahasuar me atë që ndodhte me përmbytjet përpara 2013, ndërsa Lulzim Basha i kërkoi Edi Ramës, që të heqë dorë nga propaganda dhe të marrë masa emergjente.

Rama, komentuesit: ‘Nuk fiton PD-ja edhe sikur të puthet qielli me tokën’ Read More »

Astrologu shqiptar: Kush do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit Rama apo Basha?

Jofiel Koço është një astrolog shqiptar i cili bën parashikimin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Sipas tij ‘yjet’ do të jenë në favor të kreut të PD-së Lulzim Basha, teksa ky fat nuk do të ndjek kryeministrin Edi Rama.

Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Këlnit në degën e Shkencave Okulte Orientale.

Mbrëmjen e djeshme ai ka qenë i ftuar në programin ‘Expuls’, ku bëri një bilanc lidhur me faktin se kush nga kandidatët do të jetë më i favorizuar në zgjedhjet e 25 prillit.

“Astrologjikisht, Basha si shenjë karriere dhe shenjë lartësimi, i ka të gjitha shanset të pakten sipas astrologjisë për t’u bërë kryeministër” u shpreh Jofiel Koço.

Basha i përket shenjës së binjakëve, ndërsa kryeministri shenjës së gaforreve.
/NOA.al

Astrologu shqiptar: Kush do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit Rama apo Basha? Read More »