Opinione

“Nuk fiksova dot targën” Berisha: Ish-drejtori në kërkim Jaeld Çela lëviz lirshëm në Durrës

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka publikuar një mesazh ku sipas tij ish-drejtori i Policisë së Vlorës tashmë në kërkim, Jaeld Çela është parë në Durrës.

Qytetari shkruan në mesazhin  e tij, që Çela ka qenë rreth orës tre të ditës së djeshme në Durrës dhe ka lëvizur me një fouristradë, dhe ka shkuar drejt Porto Romanos.

Postimi i plotë

Qytetari dixhital i informon:

Famozi Jaeld Çela leviz lirshem ne Durres!

Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. sb

“Mirembrema z.Berisha!

Ju informojme se ne oren 14.40 minuta te dates 18.04.2018 shume i kerkuari Jaeld Çela(ish drejtor i policise vlore) eshte pare duke levizur me nje foristrade me ngjyre te bardhe nga Durresi ne drejtim te Porto Romanes! Ishte vete ne drejtimin e mjetit,dhe nga pas e shoqeronin dy makina me ngjyre te zeze. Nuk jane fiksuar targat per shkak te shpejtesise.

Ju lutem anonim! Me shume respekt.”

sali berisha

“Nuk fiksova dot targën” Berisha: Ish-drejtori në kërkim Jaeld Çela lëviz lirshëm në Durrës Read More »

Cfare eshte nje komb ?

(Shkëputur nga “PËRPJEKJA” Viti XI, nr.20 Tiranë, pranverë 2005)

Nga Ernest Renan

Elementi i racës, dikur shumë i rëndësishëm, po e humbet me kalimin e kohës rëndësinë e tij.
II. Ajo që thamë për racën duhet thënë edhe për gjuhën. Gjuha ka nevojë për riunifikim, ajo nuk e arrin dot atë vetë. Shtetet e Bashkuara dhe Anglia, Amerika Latine dhe Spanja flasin të njëjtën gjë, por ato nuk përbëjnë kombe të njëjta. Nga ana tjetër, Zvicra, që u bashkua aq mirë në bazë të pëlqimit të krahinave të ndryshme të saj, përmbledh tre ose katër gjuhë. Brënda njeriut ka diçka që është më e lartë se gjuha, dhe ky është vullneti i tij. Vullneti i zviceranëve për të qëndruar bashkë, megjithë gjuhët e ndryshme që ata flasin, është një fakt shumë më i rëndësishëm sesa ngjashmëria gjuhësore, e cila nga ana e saj shpeshherë arrihet nëpërmjet persekutimit.
Një fakt me vlerë për Francën është se ajo nuk ka kërkuar asnjëherë të arrijë unitetin gjuhësor me anën e mjeteve shtrënguese. A nuk mund të kemi ne të njëjtat ndjenja, të njëjtat mendime dhe të duam të njëjtat gjëra të shprehura në gjuhë të ndryshme? Pak më lart folëm se cilat ishin dizavantazhet kur politika ndërkombëtare varet nga etnografia, por e njëjta gjë do të ishte edhe po të varej nga filologjia krahasuese.
Le t’ i lëmë këto studime interesante të vazhdojnë punën e tyre në liri të plotë dhe mos t’i ngatërrojmë me gjëra që mund t ua prishin gjykimin e ftohtë. Rëndësia politike që ne u japim gjuhëve vjen sepse i shohim ato si tregues të racës. Nuk ka ide më të gabuar se kjo. Në Prusi, ku flitet vetëm gjermanisht, disa shekuj më parë flitej sllavisht; Uellsi flet anglisht, galët dhe spanjollët flasin një idiomë të vjetër të Alba Longa; Egjipti flet arabisht dhe kështu me radhë mund të rendisim shembuj të panumërt. Por edhe në kohën e origjinës së lashtë, ngjashmëria gjuhësore nuk do të thoshte ngjashmëri racore.
Le të marrim për shembull fiset protoariane dhe protosemite; aty ku banonin ata kishte skllevër që flisnin të njëjtën gjuhë, ndërkohë që skllevërit shumë shpesh rridhnin nga raca të ndryshme nga ajo e zotërve të tyre. Po ta përsërisim do të thoshim: grupet e gjuhëve indoeuropiane, semitike dhe të tjera, të cilat u krijuan në sajë të gjetjeve fantastike të filologjisë së krahasuar, në bazë të po këtyre gjetjeve mund të thuhet se nuk përkojnë me grupimet antropologjike. Gjuhët janë krijime historike që na tregojnë shumë pak përsa i përket gjakut të atyre që i flasin ato, dhe nuk munden në asnjë mënyrë që të cënojnë lirinë njerëzore, kur bëhet fjalë për të përcaktuar origjinën e dikujt.
Marrja në shqyrtim e gjuhës si një faktor i veçuar do të çonte po ashtu në gabime, njëlloj si me vëmendjen e tepruar ndaj racës. Kur këto gjëra i çojmë në ekstreme, ne e mbyllim veten brenda një kulture të caktuar që mbahet si kulture kombëtare; ne i vëmë vetes caqe, dhe e ndajmë nga bota. Duke bërë kështu nuk mund të thithim dot ajrin e pastër të fushës së gjerë të njerëzimit, por vetëm mbyllemi në furriçkat e patriotizmit. S ka gjë më të keqe për mendjen dhe s ka gjë më të vajtueshme për njerëzimin.

III. Po ashtu edhe feja nuk është në gjendje të na ofrojë një bazë të mjaftueshme mbi bazën e së cilës të përcaktohet kombësia moderne. Në fillesat e saj feja doli nga ekzistenca e grupeve sociale. Grupi social ishte një zgjatim i familjes. Feja dhe ritet ishin ritet e familjes. Feja athinase ishte kulti për Athinën vetë, për themeluesit e saj mitikë, për ligjet dhe zakonet e saj. Nuk ishte assesi një teologji dogmatike. Në kuptimine saj më të ngushtë, feja ka qënë fe e shtetit. Një njeri nuk bëhej athinas nëse refuzontë të praktikonte këtë fe. Në themel të saj qëndronte kulti i Akropolisit. Të betoheshe mbi altarin e Aglauros ishte njëlloj si të jepje fjalën e nderit se do të vdisje për vendin tënd.
Feja në atë kohë ishte siç është sot shërbimi ushtarak ose kulti i flamurit. Të refuzoje tëmerrje pjesë në nderimin e këtij kulti ishte njëlloj si të mos pranoje të shkoje ushtar. Ai do të merrte kuptimin e deklarimit se nuk ishe athinas. Nëse nga njëra anë është e qartë se ky kult nuk kishte asnjë kuptim për ata që nuk ishin nga Athina, nga ana tjetër nuk ushtrohej asnjë masë prozelitizmi për të detyruar me force të huajt ta pranonin atë. As skllevërit nuk merrnin pjesë në këtë kult. Po e njëjta gjë është vërejtur edhe në disa republika të vogla gjatë Mesjetës. Nuk mund të ishe venedikas i mire nëse nuk kishe bërë betimin për Shën Mark; nuk mund të ishe amalfitan i mire nëse nuk vije Shën Andrean, të parin e gjithë shenjtorëve në parajsë. Në këto shoqëri të vogla, ajo që në ditët tona mund të merret si persekutim apo si tirani në ato kohë ishte diçka e ligjshme, dhe ishte po aq e zakonshme sa ç mund të jetë sot për ne t i urojmë babait ditën e emrit, ose t i dërgojmë atij urime me ratsin e Vitit të Ri. Ajo që ndodhte në Spartë dhe në Athinë nuk ishte e vërtetë në mbretëritë që u krijuan në territoret e pushtuara nga Aleksandri dhe veçanërisht në Perandorinë Romake.
Persekutimet e Antiok Epifanit për të futur në vendet e Orientit kultin olimpik të Jupiterit
dhe ato të Perandorisë Romake për të ruajtur të ashtuquajturën fe shtetërore ishin gabime, krime dhe një absurditet i gjallë. Për këtë do të ishim të qartë sot. Sot nuk ekziston një fe e vetme në mes të popullsisë. Çdokush beson dhe praktikon atë që i pëlqen, atë që mundet dhe atë që dëshiron. Nuk ka më fe shtetërore; dikush mund të jetë francez, anglez ose gjerman, ndërkohë që është katolik, protestant ose çifut, ose edhe nuk praktikon asnjë kult. Feja është bërë një problem vetjak, një çështje që i takon ndërgjegjes së gjithëkujt. Nuk ka më ndarje midis kombeve në bazë të të qenit katolik apo protestant.
Feja që ishte kaq e rëndësishme 52 vjet më parë (1831) në krijimin e Belgjikës, e ruan rëndësinë e saj brenda çdo njeriu; por ajo është bërë një element që nuk ka të bëjë me arsyet që shënojnë kufijtë mes popujve.

IV. Bashkësia e interesave është padyshim një lidhje e fuqishme midis njerëzve. Megjithatë, a janë këto interesa të mjaftueshme për të krijuar një komb? Unë nuk mendoj kështu. Bashkësia e interesave mund të realizojë traktate tregtare. Brenda kombësisë ka një aspekt që lidhet me ndjenjën, që është në të njëjtën kohë edhe trup edhe shpirt. Një Zollverein nuk mund të bëhet atdhe. V. Gjeografia, ato që quhen si kufijtë natyrorë, sigurisht që luan një rol të konsiderueshëm në ndarjen e kombeve. Gjeografia është një nga faktorët e qenësishëm në histori. Lumenjtë i kanë ndihmuar racat që të lëvizin, ndërkohë që malet kanë qenë pengesa. Të parët ndihmonin lëvizjet historike, ndërsa të dytët i kufizonin ato. A kemi të drejtë, siç besojnë disa, të themi se kufijtë e kombit janë skalitur në hartë, se ky komb ka të drejtë të marrë për vete atë që është e nevojshme për të vizatuar disa konture, për të arritur te aksh mal ose lumë, të cilëve ne u atribuojmë a priori disa cilësi përkufizuese? Nuk di të ketë doktrine më arbitrare dhe më fatale se kjo. Me anë të saj ne përligjim çdo lloj dhune. Dhe megjithatë, a janë malet apo lumenjtë që krijojnë këta të ashtuquajtur kufij natyrorë? Nuk ka asnjë dyshim se malet ndajnë, ndërsa lumenjtë në të kundërt bashkojnë. Por, ndërkohë jo të gjithë malet ndajnë shtete. Atëhere cilët janë ato male që ndajnë dhe cilët ato që nuk ndajnë? Nga Biarritzi në Tornea ka më shumë se një grykë lumi, që mund të shërbente fare mirë si një vijë kufizuese natyrore.
Nëse do të kishte dashur historia, Luara, Sena, Meuse, dhe Elba ose Oderi mund ta kishin statusin e kufirit natyror siç e ka Rhini, i cili ka cënuar aq shumë një të drejtë themelore të njeriut, siç është vullneti i njerëzve. Kjo ka të bëjë me arsye strategjike. Asgjë nuk është absolute: është e qartë se nevojitet të bëhen koncesione. Por, nuk ka nevojë që koncesionet të shkojnë shumë larg. Përndryshe, e gjithë bota do të kërkonte ato që ka fituar nga fushatat ushtarake, gjë që do të thoshte luftra pafund. Jo, kombin nuk e bën dot as toka dhe as raca. Toka ofron substratumin, fushën edhe për konflikte edhe për punë; njeriu vë shpirtin e tij mbi të. Njeriu është gjithçka në formimin e asaj gjësë së shenjtë që e quajmë popull. Asgjë materiale nuk është e mjaftueshme. Një komb është një parim shpirtëror që rrjedh nga ndërthurje të thella historike, një familje shpirtërore dhe jo një grup i përcaktuar nga konfigurimi i tokës.
Deri këtu kemi parë se çfarë është e pamjaftueshme që të krijohet ky parim shpirtëror: raca, gjuha, interesat, përkatësia fetar, gjeografia dhe nevojat ushtarake. Atëhere çfarë tjetër duhet? Në vazhdim të atyre që sapo u thanë, nuk është nevoja të ndalemi gjatë. Një komb është një shpirt, është një parim shpirtëror. Dy gjëra, që janë si një e vetme, përbëjnë këtë shpirt, këtë parim shpirtëror. Njëra është e kaluara dhe tjetra e tashmja. Njëra është zotërimi i përbashkët i një trashëgimie të pasur kujtimesh, tjetra është të japësh sot pëlqimin, të kesh dëshirën për të jetuar sëbashku, vullnetin për të vazhduar të vlerësojmë trashëgiminë që na është lënë. Njeriu nuk mund të improvizohet dot. Ashtu si njeriu, edhe kombi është rezultat i një të kaluare të mundimshme dhe të gjatë sakrificash dhe përkushtimi. Nga të gjitha kultet, ai për parardhësit është kulti më i legjitimuar, sepse parardhësit tanë na bënë këta që jemi. Një e kaluar heroike lavdie (këtu e kam fjalën për lavdi të njëmendtë) dhe burrash të mëdhenj: ky është kapitali social mbi të cilin është vendosur ideja kombëtare. Ajo që duhet është të kesh lavdi të përbashkëta në të kaluarën dhe një vullnet të përbashkët në të tashmen, të kesh bërë punëra të mëdha bashkërisht dhe të kesh vullnetin që t i bësh ato përsëri sot: këto janë kushtet thelbësore për të qënë një popull. Ne ushqejmë dashuri në përpjestim me sakrificat që kemi hequr dhe me të këqijat që kemi vuajtur. Ne e duam shtëpinë ku jetojmë dhe duam ta lëmë atë si trashëgim. Kënga spartane ne jemi ata që ju ishit, dhe do të jemi ata që ju jeni , në thjeshtësinë e saj është shembëlltyra e një himni për çdo atdhe.
Trashëgimia e lavdisë dhe e vuajtjeve është ajo që ne kemi të përbashkët nga e kaluara, ndërsa për të ardhmen kemi vetëm një program për të përmbushur. Vuajtjet, gëzimet dhe shpresat e përjetuara së bashku janë shumë më të vlefshme se disa marrëveshje tregtare dhe kufij që u vijnë për mbarë ideve strategjike, dhe këtë ne e kuptojmë pavarësisht nga diversiteti racor apo gjuhësor. Pak më lart thashë të kemi vuajtur së bashku : dhe me të vërtetë, përjetimi i vuajtjes së bashku përbashkon më tepër sesa gëzimi. Në çështjet që lidhen me kujtesën kombëtare përjetimi i zisë është më i vlefshëm sesa ngadhënjimet, përderisa ai parashtron disa detyra që kërkojnë një përpjekje të përbashkët.
Një komb pra, është shprehja e një ndjenje solidariteti të madh, që mbështetet te ndjenjat për sakrificat e përbashkëta që janë kryer dhe që është i përgatitur t i kryejë sërish në të ardhmen. Kombi parakupton një të kaluar, megjithatë në kohën e tashme ai
na vjen permes shëmbëlltyrës së një fakti të prekshëm: dhënia e pëlqimit, një dëshire shprehur qartë për të vazhduar jetën së bashku. Ekzistenca e një kombi është, dhe më falni për metaforën, një plebishit i përditshëm, njëlloj si ekzistenca e çdo individi është një afirmimin i vazhdueshëm i jetës. Oh, e di që kjo nuk është aq metafizike sesa e drejta hyjnore, aq brutale sa e ashtuquajtura e drejtë historike. Nga mënyra sesi i kam paraqitur gjërat del se një komb nuk ka më shumë të drejtë sesa një mbret, i cili i drejtohej provincës me fjalët: ti më përket mua, prandaj unë po të marr . Province për ne do të thotë banorët e saj, dhe nëse dikush duhet të konsultohet në lidhje me këtë çështje, të parët duhet të jenë banorët e saj. Nuk mund të jetë kurrë në interesat e vërteta të një kombi aneksimi ose marrja e një vendi në kundërshtim me vullnetin e këtij të fundit. Në fund të fundit, i vetmi kriter i ligjshëm është dëshira e kombit, dhe atij duhet
t i referohemi të gjithë. Në këtë parashtresë i kemi lënë jashtë politikës abstragimet metafizike dhe teologjike. Po çfarë mbetet pas kësaj? Ajo që mbetet është njeriu, dëshirat, nevojat e tij. Ju do të thoni se secesioni dhe ndarja e kombeve janë rrjedhimet e një sistemi që i lënë këto organizma të vjetra shpesh në mëshirën e vullneteve jo të përcaktuara qartë, Eshtë e qartë se në çështje të tilla asnjë parim nuk duhet të mbizotërojë me tepri në dëm të të tjerëve. Të vërtetat e kësaj kategorie mund të zbatohen vetëm si një e tërë dhe në një mënyrë shumë të përgjithshme. Vullnetet njerëzore ndryshojnë, por çfarë mbetet e pandryshueshme në këtë botë? Kombet nuk janë diçka e përjetshme. Ato lindën në një kohë dhe do të shkojnë drejt zhdukjes. Ndoshta një konfederate europiane do t ‘i zëvëndësojë ata. Megjithatë, ky nuk është ligji i shekullit tonë. Në kohën tonë ekzistenca e kombeve është një gjë e mirë, madje edhe e nevojshme. Ekzistenca e tyre është një garanci për liri, e cila do të humbiste nëse do të kishim një ligj dhe një zot.
Nëpërmjet cilësive të ndryshme dhe shpesh here konfliktuale kombet japin ndihmesën e tyre në punën e përbashkët të qytetërimit; secili prej tyre sjell një notë në koncertin e madh të njerëzimit, i cili, me pak fjalë, është edhe realiteti ideal më i lartë që mund të arrijmë. Nëse do të rrinë të veçuar, atyre do t u duken pikat e dobëta. Të dashur zotërinj, le t i përmbledhim ato që thamë. Njeriu nuk është skllav i racës, gjuhës, apo i fesë së tij; dhe aq më pak i lumenjve dhe vargmaleve. Një bashkim i fortë njerëzish, me shpirt të shëndoshë dhe zemër të ngrohtë, krijon një ndërgjegje morale që quhet komb. Derisa kjo ndërgjegje morale e tregon fuqinë e vet nëpërmjet sakrificash që kryhen me heqjen dorë nga interesat individuale për të mirën e komunitetit, atëhere ajo është e ligjshme dhe gëzon të drejtën të jetojë. Nëse ngrihen dyshime në lidhje me kufijtë e tij, atëhere duhet të merret mendimi i popullsisë në fjalë. Sigurisht që ata kanë të drejtën e dhëniessë opinionit për këtë çështje. Kjo mund t i bëjë politikanët profesionistë të qeshin nën buzë, këta burra të pagabueshëm që kaluan jetën e tyre duke u vetgënjyer dhe që tani mund të na mëshirojnë për pikëpamjet tona nga lartësia e parimeve të tyre të mëdha.
Të marrim mendimin e popullit, me tërë mend e keni! Çfarë naiviteti! Këto janë ato ide të dobëta franceze që kërkojnë të zëvëndësojnë diplomacinë dhe luftën me një thjeshtësi foshnjarake. Pa le të marrim frymë për një çast; ta lemë mbretërimin e politikanëve profesionistë të fanitet dhe të mësojmë se si t i qëndrojmë përçmimit të më të fortit. Ndoshta pas shumë eksperimentesh të dështuara, ata do të vijnë te zgjidhjet tona të thjeshta empirike. Ndonjëherë, të dish sesi të ecësh me kohën të ndihmon të jesh sa më i drejtë në të ardhmen.

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Cfare eshte nje komb ? Read More »

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”

Me pak fjalë, Shqipëria ka ditur të ecë gjithnjë në rrugë të gabuar sepse pas atyre bëmave që i dedikojmë vetes, u jemi dorëzuar osmanëve, italianëve, gjermanëve, sllavëve, kinezëve dhe në të gjitha rastet, Shqipërinë e kanë sunduar të fortët. Ata, që ne i identifikojmë më së shumti me politikanët në fuqi, që i imitojmë dhe që na marrin jetën nga pak për çdo ditë. Të paktën, në këto pak ditë, na duhet të gëzohemi me Rekomandimin.
Shkruan  Ben Andoni

Shqipëria është një shtet 100 vjeçar, që po t’i heqësh nuancat patetike që i veshin artikullshkrues të ndryshëm, duhet quajtur vend i maturuar. Ka institucionet e veta, por më shumë se kaq brenda historisë së saj ka hartuar politikën e vet në interes të ekzistencës por edhe klasave që e kanë qeverisur. Shpesh me një lloj padrejtësie dhe si revansh ndaj të tjerëve të llojit. Rezultati mijëra e mijëra të vdekur më kot. Miliona e miliona të zhdukura dhe të qeverisura kot. Nuk duhet të harrojmë se ky shtet ka kaluar në tre regjime politiko social-ekonomike të ndryshme. Ka qenë Monarki, ka qenë Republikë Socialiste dhe tashti është një lloj formacioni Demokratik.

Nëse këtyre do t’u shtonim dhe një periudhë Kolaboracionizmi 1939-1944 dhe një tjetër me një regjim miks pas viteve ’20, por si Republikë Parlamentare, Shqipëria mund të quhet një vend i vërtetë eksperimental ballkanik.

“Nëqoftëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Kjo thënie Faik Konicës mund të thuhet se është nga më të goditurat sa i përket qartësisë së shprehjes por edhe realitetit të krijuar nga bashkatdhetarët e tij. Ai, vetë, ka kontribuar jo pak në kaosin shqiptar, kurse me ulje-ngritjet personale ka treguar hiç më shumë se ishte pjesë e këtij realiteti.

Shqipëria është konsideruar si një nga vendet më të begata dhe me resurset e mjaftueshme për ekzistencën e saj, porse menaxhimi ynë dhe mënyrat që kemi ndjekur përgjatë 10 dekadave jo thjesht kanë lënë shumë për të dëshiruar por ato na kanë treguar sesa i mungon individit shqiptar gjetja e mënyrës së duhur për të mbijetuar dhe për t’i shërbyer jetës më të mirë.

Më në fund, ja ku jemi në Pranverën e vitit 2018, kur Shqipëria ka marrë rekomandimet më të mirat ndonjëherë për anëtarësim, por tashmë do t’i duhet mbështetja njëzëri në qershor e të gjitha vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian. Për fat të keq, shtetet anëtare s’e kanë atë vrull që po na tregojnë politikanët shqiptarë, e këtë e ndjen nga predispozita që mbizotëron tek të dy vendet kryesore, Gjermania dhe Franca.

Presidenti francez Macron u shpreh hapur dhe tejet skeptik para disa orësh lidhur me të ardhmen e Zgjerimit, kurse Gjermania është duke kërkuar shumë për vendet që e marrin vetëm një herë statusin e kandidatit, por që duhet ta tregojnë shumë. Në radhë, Vuçiç sapo e ka marrë dozën e kritikës dhe prej ditësh nuk ndihet në shtyp prej kërkesës që i është bërë për Kosovën, kurse Rama do të njihet me të njëjtën masë por për realitete të tjera në Berlin, pak ditë më vonë. Kuptohet se nga vendi i shpresuar kandidat deri në anëtarësim do shumë kohë dhe me gjithë ekspozetë e shqiptarëve, duhet të provojmë se kemi bërë realisht shumë.

A mundesh Shqipëria, përgjatë 30 viteve demokraci, të bënte më shumë për të pasur udhë dhe axhendë tjetër?! Të gjithë bien dakord, por sot e kësaj dite problemi i pronës, nga më akutët në kapitalizëm, është i pazgjidhur, kurse ende Shqipëria vuan problemet e Kujtesës e shumë të tjera.

Që para luftës së Dytë Botërore Shqipëria u orientua gabim dhe kreditë e frikshme që mori nga Italia i ndërruan fatin vendit, që u pushtua prej saj, e nga ana tjetër iu dorëzua për inerci Komunizmit një ideologji, që sot e kësaj ditë nuk është çrrënjosur.

Ajo që ndodhi pas Luftës së Dytë është e dhimbshme edhe pse do të ketë deridiku rezultate pozitive. Shqipëria mbart pesëmbëdhjetë vjet të mrekullueshme miqësi me Bashkimin Sovjetik atëherë liderin e jashtëzakonshëm të Lindjes, kredibiliteti i të cilit ishte ngritur sidomos pas fitores mbi Nazizmin. Pati gati po kaq kohë me Kinën, për t’iu dorëzuar pa kushte dhe duke arritur deri në nivel absurd marrëdhënie, duke e imituar deri në budallallëk. Dhe, shkoi më tej në vitet ’80, kur filluan bisedimet e reparacioneve të luftës me Gjermaninë, kur u paraqit për herë të fundit momenti i artë për të bërë largimin e butë nga absurdi e për të kaluar në një kamp, që do t’i jepte mundësisë që tranzicionin demokratik ta bënte që në kohën e Perdes së Hekurt.

Megjithë gjërat që i mveshin, Shqipëria nuk mundi, sepse njerëzit e saj kur nuk e kanë parë Evropën si shtëpinë e tyre zyrtare. Është e vërtetë se në anketime janë mbi 80% të shqiptarëve që e duan përkatësinë evropiane, ashtu si të gjithë ballkanasit, porse në praktikë neve e kemi të përcaktuar dhe e ndjekim shembullin lindor. Osmanizmi është ende i pa avulluar nga poret tona ballkanike.

Sot konjuktura e kërkon Ballkanin dhe Shqipërinë të jetë pjesë e BE-së, kur të plotësojë kushtet, por edhe në Bruksel janë të bindur se vendasit e kanë të pamundur. Krimi i organizuar dhe droga janë të papërballueshëm nga strukturat vendase kurse Shqipëria s’ka as kapacitete ta luftojë, përpos që informaliteti e ndih të bëjë këtë zhvillim kaotik, të cilit i leverdis.

Mbi të gjitha, klasa politike është e kapur kaq shumë saqë rruga evropiane do të zgjatet pafund. Vetëm se Evropa me hapjen e negociatave, i ka dhënë një sinjal vendit se Shqipëria nuk do jetë e vetme, porse do asistohet që sensi i saj pozitiv sa i përket Evropës, do të shpërblehet. A do mundet Shqipëria të orientohet këtë herë si duhet drejt Evropës? Me sa duket trendi ballkanik e ka këtë vështrim, porse vetë Evropa duket se po shpërbëhet.

Rasti i Brexit mund të pasojë në të ardhmen në një frymë më të ngritur të skepticizmit evropian. Dhe, në këtë rast Shqipëria me vendet e tjera do ta ndjenin veten si në shkuarje të askundit, ashtu si u tall pak kohë më parë dikush nga zyrtarët evropianë kur thoshte se hyrja e Shqipërisë është fundi i BE-së. Në fakt ka një të vërtetë, sepse njerëzit më të interesuar që të zgjatet ky realitet në Shqipëri dhe Ballkan janë grupet politike dhe financiare që do kenë më shumë mundësi për të na i kufizuar liritë dhe të drejtat tona civile (siç e bëjnë rëndom), për të na marrë pronat me lloj-lloj marifetesh, apo për të na marrë nëpërkëmbur ashtu edhe si po ndodh.

Me pak fjalë, Shqipëria ka ditur të ecë gjithnjë në rrugë të gabuar sepse pas atyre bëmave që i dedikojmë vetes, u jemi dorëzuar osmanëve, italianëve, gjermanëve, sllavëve, kinezëve dhe në të gjitha rastet, Shqipërinë e kanë sunduar të fortët. Ata, që ne i identifikojmë më së shumti me politikanët në fuqi, që i imitojmë dhe që na marrin jetën nga pak për çdo ditë. Të paktën, në këto pak ditë, na duhet të gëzohemi me Rekomandimin. Sepse vërtetë si në Himnin Kombëtar: Zoti lidhet me Shqipërinë, por deri më sot na ka ruajtur rastësia, pasi vendin tonë po e vdesin për çdo ditë e nga pak politikanët. (Homo Albanicus)

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët” Read More »

Analiza: Terrorizmi i sotëm islamik në Europë, pasojë e gabimit 100-vjeçar të Perëndimit

Sa herë që qytetet europiane goditen nga ndonjë sulm terrorist islamik, gazetat më me peshë të kontinentit ndizen në debate se çfarë mund ta ketë shkaktuar.

Disa pyesin nëse shtetet Europiane duhej t’i ishin përgjigjur ndryshe pakënaqësive të pakicave myslimane: ndoshta duke u ofruar hapësirë më bujare ndryshimeve të tyre kulturore; të tjerë thonë se ndoshta duhej t’ua kufizonin më shumë.

Edhe kur është e qartë që Islami nuk është një faktor domethënës në Europë, diskutimet vazhdojnë.

Bisedës i është bashkuar një nga njohësit më të mirë të Islamit europian në Amerikë, duke dhënë argumente shumë interesante.

Për t’iu përgjigjur atyre që thonë se terrorizmi ka të bëjë me islamin, studiuesi amerikan Jonathan Laurence argumenton në një artikull për “Franfurter Allgemeine Zeitung” se problemet që vijnë nga islami i sotëm janë pasojat e një gabimi që perëndimi e ka bërë gati 100 vite më parë.

Në verën e vitit 1916, qeveria britanike dhe aleatët e saj nisën të ushqejnë një revoltë arabe kundër autoriteteve politike e shpirtërore otomane.

Kjo çoi në marrjen e Jerusalemit, nën drejtimin britanik, dhe u hoqi kontrollin otomanëve nga vendet e shenjta, që nga Levanti e deri në Arabi.

Për të zëvendësuar otomanët, britanikët mbështetën dinastinë Hashemite, e cila vazhdon të sundojë edhe sot në Jordani.

Por përfituesit më të mëdhenj ishin familja mbretërore saudite, të cilët morën Mekën dhe Medinën në vitin 1924.

Sipas z.Laurence, profesor në Boston College, kjo ngjarje i dha fund dekadave të tëra gjatë të cilave kalifati (një institucion me rol shpirtëror të cilin otomanët e kishin kombinuar me autoritetin botëror të sulltanit, deri në vitin 1922) e kishte ndikuar islamin botëror në mënyrë pozitive. Jo vetëm brenda mbretërisë osmane, por edhe më tej.

Kalifati drejtohej nga një rrjet ndërkombëtar studiuesish, predikuesish dhe gjykatësish. Siç tregohet nga Halil Inalcuk, një historian otoman që vdiq në vitin 2016, pushteti i sulltanit ndaj kalifatit ka ndryshuar shumë gjatë kohëve: disa sulltanë arrinin t’i vinin nën kontroll studiuesit myslimanë, të tjerë jo.

Por roli shpirtëror i këtij institucioni ishte domethënës në të gjithë botën, sidomos gjatë shekullit të 19-të dhe fillim-shekullit të 20, kur ishte i pranuar nga rreth 100 milionë myslimanë që jetonin nën sundimin britanik (në Azinë e Jugut) dhe nën sundimin holandez (Indonezia e sotme).

Siç shkruan shkrimtari turk Mustafa Akyol, ndikimi i kalifatit mbi myslimanët në Azinë e Paqësorit ka dhënë përfitime për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Abdulhamid II, (ai që shihni në foton e lajmit), sulltani i fundit otoman, i bindi myslimanët e ishujve Filipine që të pranonin pushtetin amerikan në arkipelagun e tyre.

(Të tjerë kanë kujtime të hidhura nga ky sundimtar. Armenët e quajnë fajtor për vrasjen e dhjetëra mijëra bashkatdhetarëve në vitin 1895.)

Pikërisht sepse kalifati otoman i tërhiqte shumë popujt e pushtuar nga europianët, fuqitë perëndimore bënë çmos për t’ia sabotuar pushtetin.

Që nga viti 1879, diplomacia britanike është përpjekur vazhdimisht ta heqë qendrën shpirtërore të islamit nga turqit e ta kalojë te arabët. Holandezët i detyruan myslimanët e tyre që të mos i referohen kalifatit gjatë lutjeve.

Francezët patën më shumë sukses. Ata reklamonin qendra të tjera shpirtërore për myslimanët e tyre në Algjeri e Marok.

Kalifati vazhdoi të kontrollonte Afrikën e Veriut vetëm për shkak të kontrollit që kishin otomanët në Libi.

Por kur nacionalistët laikë të Turqisë u përpoqën ta rrëzojnë kalifatin në vitin 1924, përpjekjet e tyre u lehtësuan shumë nga fakti që fuqitë europiane kishin dekada që e sabotonin punën e zyrës së shenjtë.

Sipas z.Laurence, rrëzimi i kalifatit të vjetër krijoi një boshllëk që është mbushur vazhdimisht gjatë shekullit pasardhës nga drejtues shumë më të errët, që nga ajo kohë e deri te Abu Bakr al-Bagdadi i sotëm, drejtuesi i ISIS-it

Edhe kur ata ndalojnë së prodhuari urrejtje kundër perëndimit, rrjete të tjera ekstremiste, që nga

Pakistani e deri në Arabinë Saudite, kanë zëvendësuar me ashpërsi tonin e butë fetar që kishin vendosur kalifët otomanë, të cilët ishin gjithashtu njohës të artit dhe muzikës perëndimore.

A është kjo diçka më shumë se thjesht një detaj interesant i historisë? Po, është më tepër se aq, sipas z.Laurence.

Është naivitet të mendosh se islami i sotëm Europian mund të qëndrojë i ndarë nga vendet ku islami mbizotëron shoqërinë. Në një mënyrë a një tjetër, myslimanët në Europë do të vazhdojnë të preken nga idetë që vijnë nga vendet që kontrollohen nga feja.

Qeveritë e sotme europiane kanë nevojë ta kuptojnë me imtësi të sofistikuar se si funksionon ndikimi i tyre, dhe, mbi të gjitha, të kuptojnë rreziqet që krijohen në mënyrë të paqëllimshme.

Duke mbështetur njëanshmërisht vetëm një rrymë kulturore apo teologjike, ata mund të lënë hapur rryma të tjera, shumë më të rrezikshme.

Analiza: Terrorizmi i sotëm islamik në Europë, pasojë e gabimit 100-vjeçar të Perëndimit Read More »

Spartak Ngjela tregon pse janë trembur të korruptuarit ‘trima’ të qeverive shqiptare nga rekomandimi i KE?

Pse janë trembur të korruptuarit trima të qeverive shqiptare nga rekomandimi i Komisionit Europian?Por më i trembur dhe që ka dalë nga mendja fare është kryeministri shqiptar Edi Rama. Ky ka që dje pasdite e gjithë ditën sot që flet përçart.

Shkruan Spartak Ngjela

E ka humbur toruan. Po si mund të jetë kryeministër në Shqipëri një palaço panairesh?

Rama po hidhet degë më degë: një herë kërcënon gjyqtarët dhe i lidh me Rekomandimin, pastaj hidhet dhe thotë që “ka shtete të Bashkimit Europian që nuk na pranojnë në BE”.

Të gjitha i ka nga halli.

Asnjë ndalim nuk i bëhet më dot Shqipërisë, se Rekomandimi është bërë nën influencën e Shteteve të Bashkuara dhe të Gjermanisë, dhe asnjë shtet i BE nuk mund të dalë kundër Amerikës e Gjermanisë; sepse interesat e tyre janë në qëndër të Bashkimit Europian.

Shqipëria sot nuk ka më asnjë vështirësi për pranimin e saj në BE. Dhe, në funksion të sigurisë së Shqipërisë për anëtarësim në BE, janë dy ingredientë që e përforcojnë këtë siguri: forca amerikane kundrejt shteteve të Bashkimit Europian që ndiejnë kërcënimin rus, dhe presioni i borxhit të madh që i kanë Gjermanisë dhe bankave gjermane Franca, Greqia e disa shtete të tjera të Bashkimit Europian.

E pra, ku hyn Edi Rama këtu me injorancën dhe ligësinë e tij? Askund.

Asnjë ndalesë nuk ka më Shqipëria drejt anëtarësimit në BE. Por Rama duhet ta lexojë me vëmendje pjesën kundër Rexhep Taip Erdoganit në Raportin që po pret t’i vijë, dhe të japë dorëheqjen, sepse, nga Raporti, ky kryeministër del si njeri i padëshirueshëm për BE, pikërisht për marrëdhëniet e tij të dyshimta me presidentin turk Erdogan.

ll.

Po opozita, si u gjend përballë Rekomandimit?

Edhe kjo e përjetoi shumë keq. U fut nën heshtjen e marrëzisë së saj dhe doli me mendime sporadike; që kuptohen se janë shprehje e ligësisë që iu buron nga frika. Më i trembur u pa të ishte Sali Berisha, derisa u shfaq duke shkruar ca mendime që nuk mund të nxirren nga një mendje normale.

Kjo tregon se i gjithë korrupsioni kryeministror shqiptar është i trembur. Por frika që kanë nuk duhet t’ua çojë arsyen deri në zerot e një mendimi politik dhe të mos kuptojnë që ndërkohë i gjithë korrupsioni kryeministror i dhjetë vjetëve të fundit në Shqipëri, është në një presion dyfish: nga kërkesat e Kushtetutës së Shqipërisë për reformëm në drejtësi, dhe nga kërkesat e drejtpërdrejta të Komisionit Europian.

Kjo është arsyeja që të gjitha palët e korruptuara nuk shpëtojnë dot nga reforma në drejtësi, sepse të gjithë bashkë janë të implikuar në korrupsion, dhe bashkërisht janë autorë të krimeve shtetërorë. Për këtë shkak, tani, të trysnuar edhe nga kërkesat kompetente dhe detyruese të Brukselit, korrupsioni kryeministror shqiptar nuk mund të këtë më asnjë shpresë.

Gjithçka, shumë shpejt do të marrë trajtë të plotë ekzekutuese, dhe pikërisht për këtë kuptohet qartë se korrupsioni shqiptar dje, indirekt, ka shpallur falimentimin e tij.

Spartak Ngjela tregon pse janë trembur të korruptuarit ‘trima’ të qeverive shqiptare nga rekomandimi i KE? Read More »

Negociatat/ Majlinda Bregu ‘tallet’ me Bashën: Komisioni e kishte vendosur nuk priti telefonatë nga Belindi i CDU-së

Majlinda Bregu një nga zërat më kritik ndaj Bashës, në një intervistë tregon se vendim i Komisionit Evropian, ishte marrë që para dy ditësh.

Bregu në emisionin 7 pa 5, tregon se askush nuk priti telefonta e nga Kreu i Forumit Rinor të CDU, që të takohej me Bashën, duke thënë se kreu i PD është takur me njerëz të parëndësishëm në Bundestag.

A ka lobuar vërtet Basha për hapjen e negociatave gjatë vizitës së fundit në Gjermani, apo e ka nxirë si ka bërë dhe këtu?

Ju keni të gjithë mundësinë ta pyesni kryetarin e opozitës, se çfarë kishte bërë. Raporti kishte të paktën nga dy ditë, dje kolegji komisionerëve nuk priste të merrte telefonatë nga Kryetari Rinor i CDU, i cili ishte në takim me Bashën. Belindin e kam shumë xhan, nga Belindi i CDU domethënë, që të kishte në dorë fatin e Shqipërisë.

Negociatat/ Majlinda Bregu ‘tallet’ me Bashën: Komisioni e kishte vendosur nuk priti telefonatë nga Belindi i CDU-së Read More »

E ardhur enkas nga Parisi/ A do ta shpëtojë dot Ornela Vorpsi imazhin e Ed Ramës?

Shkruan Artur Zheji

E ardhur enkas nga Parisi, dhe e vënë në qendër të vëmendjes si një ish mike e dashuruar me kryeministrin e sotëm, Ornela, duket tërë kohës në një rol të mirëmenduar.

Ekspozita e saj në ambientet e kryeministrisë, në zyrat dhe nën përkujdesin e ish të dashurit të saj platonik, sot kryeministër, përbën në vetvete një “karem” dhe një joshje mediatike, në të cilën ranë më së shumti mediat e lodhura nga konflikti politik në fshatin shqiptar dhe nga ripërsëritja e temave, shpesh bajate dhe gjit’e me pak ndjellëse.

Nëse do të merreshin thjesht me dukurinë “Ornela”, do të kishim thjesht të bënim me një dukuri sezonale, sepse, shqiptarët kanë kurreshtje për profile të tilla, të cilat u japin një gëzimin naiv se edhe ndoshta fëmijët e tyre do të mund të shndrroheshin nga një kubiste trupgjatë, në një piktore apo në një shkrimtare që mbijeton në Paris…

Mirëpo si mundet një shkrimtare apo një piktore, bukuroshe dhe tërheqëse në të njejtën kohë, të shpenzojë një energji dhe një vëmendje të posaçme, për të lajkatuar kryeministrin, nga intervista në intervistë?

Këtu edhe ngec mallëngjimi apo nostalgjia, përkundrejt kësaj dame të ftohtë, që rikthehet në vendin ku e kanë trajtuar padyshim, keq dhe padrejtësisht.

Sepse, a munden të jenë, shkrimtarët apo piktorët e mirë, që rrespektojnë vetveten, edhe vërtetashkrues edhe lajkatarë të pushtetit në të njejtën kohë?

Kjo rrëfen se “dukuria Ornela”, është në Tiranë, më shumë një dukuri elektorale lokale dhe kjo është e mjerueshme për një artiste, me një mision të mirëfilltë politik të paracaktuar, që ka pak ose asapak lidhje me artin, që mjerisht duket se është një koperturë e misionit të vet të vërtetë.

Sepse ajo, “Ornela artiste”, nuk lodhet së ripërsërituri nga intervista në intervistë, ofshama teatrale, për “lidhjen e saj të dështuar me Ed Ramën, ngase ai nuk e dashuroi por njëkohësisht e formoi si njeri dhe si artiste…” dhe se “Edi është shumë i zënë duke u kujdesur për Shqipërinë…”

E të tjera, blablabla të tjera si këto… që dalin nga buzët e saja të ngrira e të ngurtësuara, nga lufta e dëshpëruar estetike, kundër kohës dhe kundër rrudhave…

Është ky pra tipari rrebel i artistes “self made”? Lajkatimi i pushtetit dhe i të pushtetshmëve, nën fjalët e trukuara të një ish studenteje të viteve ‘90?

Ornela, nuk është kthyer në Shqipëri, për të ringjallur dashurinë e saj të vjetër, përshkruar si nëpër telenovela, por dukshëm për gjëra shumë më konkrete… aspak platonike, shumë toksore dhe lëndore.

Ka ardhur në Shqipëri si artiste apo si një kubiste e qeverisë Ornela? (Kubistet janë vajza që kërcejnë pothuajse pjeshkëjashtë, mbi ca kuba të ndriçuar, duke u mbajtur në ca tuba, me të cilat fërkohen provokueshëm…)

E njoh Ornelën e viteve ’80-’90, në planin personal, por nuk kam ndërmend ta komentoj, të paktën për ca kohë…

Di edhe shumë detaje që ajo nuk thotë, në lidhje me Ramën, asokohe i martuar me Matilda Makoçin, por nuk është rasti të lëndojmë askënd.

Pas 30 vitesh, duhet me pa e me dëgju: Komedinë e re, “Vorpsi-Rama”, për me harru kukësianët në burg, zhvatjen e ministrave të korruptuar të kësaj qeverisjeje dhe me restauru imazhin e shkalafitur të kryeministrit në krizë popullariteti.

Tepër antiestetike për besë!

Gjithësesi, duhet thënë se Ornela, nuk ka asnjë arësye ta dojë Shqipërinë, që është sjellë keq me jetën e saj. Pra le të marrë edhe ajo ndonjë kompensim të tërthortë nga taksat tona.

Por a do ta shpëtojë dot Ornela Vorpsi imazhin e EdRamës?

Ka shumë mundësi që “po”… të paktën përkohësisht…deri në zullumin tjetër të rradhës të ish profesorit të pikturës, të përshkruar nga Ornela, e mbrritur nga Parisi si restauratore imazhi…

Sinqerisht nuk ndjehem mirë që kjo grua e hirshme dhe inteligjente, paska halle reale në Parisin e shtrenjtë dhe ka mbrritur në oborrin e dorëshpuarve shqiptarë, për të zbukuruar muret e njollosura me mëkate korruptive të kryeministrisë shqiptare./360grade.al

E ardhur enkas nga Parisi/ A do ta shpëtojë dot Ornela Vorpsi imazhin e Ed Ramës? Read More »

Spartak Ngjela: E prisnim këtë ditë që nga viti 1468

Pas publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë nga Komisioni Evropian, ku do të nisin edhe hapat për çeljen e negociatave me BE, ka reaguar avokati Spartak Ngjela.

Ky i fundit përmes një statusi në ‘Facebook’ shkruan se tashmë shqiptarët do të ecin sipas motivit arbëror.

“Sot dita e shumëpritur që nga viti 1468. Tani ne do të ecim sipas motivit arbëror. Të gjithë shqiptarët në Bruksel. Gëzuar!”, shkruan Ngjela.

Spartak Ngjela: E prisnim këtë ditë që nga viti 1468 Read More »