Opinione

Shqipëria e të mjerëve, Shqipëria-Çiflig e të pasurve dhe KM-ja xhingla bërës…

Nga Artur ZHEJI

Gjithmonë e më tepër nëpër mediat shqiptare, shfaqen kërpudhat e lluksit të të pasurve shqiptarë, konkurentë me më të pasurit e Europës, ndonëse vijnë nga vendi më i varfër i kontinentit.
Një pasuri dhe lluks ulëritës nga njera anë dhe një varfëri gulçonjëse nga ana tjetër, një përplasje e pafytyrë imazhesh të panevojshme, porse pasanikët shqiptarë kanë tashmë nevojë ta ulërasin pasurinë e tyre!
Duke ndjellë si pasojë ulërimën e varfërisë që është shpërthyese në të gjitha drejtimet e mundëshme, grabitje me armë, vjedhje “legjitime” shtëpish, makinash, diamantesh… sepse nevoja për ekuilibër, është një nevojë kozmike, e aq më tepër njerëzore e toksore.

Kapitalizmi primitiv shqiptar, prodhon “parvenu”me shumicë, ose si e shpegon fjalori francez që përdor këtë shprehje, parvenu-njerëz të pagdhendur dhe jofisnikë së brendshmi, që bërtasin me të madhe pasurinë e tyre, në telenovela kotësie dhe madje qesharake.
Por i njejti kapitalizëm primitiv shqiptar, prodhon përpjestueshmërisht turma varfanjakësh dhe skllevërish modern, që do të mbyllnin shpenzimet e muajit, vetëm me vlerën e make-up-it, të njerës prej buçeve të ngrehura e të zbukuruara si putana, në majëplehun e korrupsionit shqiptar.
Dhe kjo kontradiktë prodhon thelbin e agresivitetit të shoqërisë shqiptare, ku shqiptarët ndeshen çdo ditë e më shumë me padrejtësi acaruese dhe psikologjikisht të papërballueshme.
Në mungesën e shpresës, humbin arësyen, dhe dufin e nxjerrin verbërisht te dhuna, rrahjet, vrasjet e marrëzitë e tjera si këto.

Por kemi sot një KM, që nuk është tjetër veçse një kujdestar polic, që shërben si një kryeroje e kastës shqiptare, që vjedh taksat, shkel ligjet, blen gjykatat, blen ministra e liçenca, në këmbim të ortakërisë me ta.
I keni parë pikturat e këtyre viteve të KM-së?
Ngjajnë si xhuxha cirku, si majmunka kalamanjsh, krijesa të depersonalizuara e si xhinde, pa formë e pa kahje, që s’kanë asnjë raport me hapësirën, asnjë raport me dritën, që s’kanë as lart e as poshtë, as majtas e as djathtas, as flasin e as shohin, as dëgjohen e as mbahen mend, të copëzuara e n’thelb të trishtuara, t’lindura si dështime jetëshkurtëra, me vetëdijen e palumtur të autorit, që kërkon më kot shpëtimin pa shpëtim, te vesi i dikurshëm i pikturës…
Sepse nga xhuxhi e xhindi, duhet të nënshkruajë shkresa e turpe, që janë nënshtrime e marrëveshje t’ulta n’favor të kastës, dhe kurrënjëherë rrebelim dinjitoz dhe shtetbërës ndaj tyre.

Të asaj kaste që do ti kthejë e para krahët dhe që e përqesh sa mundet restoranteve, e bisedave “serioze”, si t’paaftë për të qeverisur, si një administrator, apo si një guzhinjer i përkohshëm i menysë së interesave të tyre.
Andaj dhe prodhon artistikisht xhingla, ca maska zbukuruese e karnavaleske, për festat e vdekatarëve të famshëm, të kastës së cilës i shërben me përkushtim, devotshmëri e përulje mjerane…

Ndërkohë që populli ende gënjehet nga vetulla e ngritur hark para kamerave, demek një vetull shtetformuese.
Por kasta ja zvesh iluzionin me orgjitë e bërtitura dhe shpërdoruese që ka gjith’e më shumë pasion.
Sa gjynah!

 

Shqipëria e të mjerëve, Shqipëria-Çiflig e të pasurve dhe KM-ja xhingla bërës… Read More »

“Si mund ta kërcënojnë ekonomikisht pogradecarët Korçën, Himarën, Vlorën e Durrësin!”

Artan Fuga

Mëngjesi ka çelur. Nga ana e gjolit vjen një aromë e mirë barishtesh të tretura në ujëra të ëmbla. Në Pogradec, të nisesh nga Tushemishti, ekzaktësisht nga hotel “Pogradeci 2”, një hotel që futur në kontekstin e vet gjeografik do ta kishin zili me qindra qytete europiane, për të vajtur deri te ngrehina “Kapri” në qendër të qytetit, është një shëtitje mrekullie. Një pasqyrë uji gjigante në anën tënde të djathtë, kurse majtas fusha me të mbjella; atje jeshilja duket sikur shpërthen. Thith ajrin e pastër, përthith me sy e lëkurë diellin që të bën bronz, por nuk të djeg aspak, kënaqesh me atë peizazh gjysmë liqenor, gjysmë rural. Kthen kokën djathtas, je në liqen, e kthen majtas, je në një fushë plot gjelbërim. Gjithçka të duket si një parajsë e paqtë, e qartë, plot ndriçim, që nuk do kurrsesi ta braktisësh. Në mënyrë kokëforte dëshiron ta zmbrapsësh një mendim që të vjen nga poshtë e nga thellë vetes dhe të thotë cinikisht në vesh: “Sa të mjerë janë ata që nuk kanë arritur ta shijojnë një mëngjes si ky, krejt pogradecar, kur e gjithë sipërfaqja e liqenit kthehet në ar e flori!”.

Ik, mendim egoist!

Ka pak njerëz, megjithatë, që shëtisin mëngjeseve në pjesën nga restoranti gërmadhë “Dashnorja e fundit” deri te lulishtja “1 Maji”. Rruga buzë liqenit pothuajse është bosh. Disa gra ecin duke bërë muhabet vëndshe me njëra-tjetrën. Diçka tregojnë për vjehrrat e tyre. Burrat, më të vetmuar, ecin si me hap ushtarak. Heq bluzën dhe e lë diellin të më përfshijë trupin. Ndonjë veturë e rrallë kalon në drejtimin Pogradec– Tushemisht sepse në anën tjetër është ndalimkalimi. Dy grupe të rinjsh, ndarë në dy vetura, bëjnë garë me njeri-tjetrin krejt sikur të ishin të çmendur. Hidhem në hendek për t’u mbrojtur. Eh, rini, thuaj!

Përpara meje, burrat që shëtisin me hap të vendosur dhe me ritëm herë pas here zhduken sikur i përpijnë gropat e xhadesë plot me bëlldunga. Pas një copë here që ecja fjetur me sy hapur, konstatova që nuk po i shihja dot më kurrizet që pak më parë i kisha pasur disa hapa përpara meje. Vendos të jem i vëmendshëm këtej e tutje për ta zgjidhur enigmën.

Kush i përpin këta njerëz? Ndjek kurrizin e një mesoburri dhe nuk ia ndaj sytë asnjë çast prej tij. Fillimgushti është, por ai ka veshur një xhaketë, ndonëse gjithë rrudha. Pas nja pesëqind metrash ndalet dhe nis të hyjë në arën e mbjellë majtas nesh. Ecën si somnambul në atë orë mëngjesi, çan përpara gjithë nxitim në mes domatesh. Fillimisht pyes veten: Ku shkon ky? Pastaj diçka kuptoj. Pres veprimin e tij, që do të vërtetonte hamendjen time. Ai çon dorën në “dyqanin” e pantallonave dhe zbërthen me të shpejtë kopsat e tij. Njërën këmbë nuk e di se përse e tund si me padurim. Pastaj, një ujëvarë lëngu del nga trupi i tij, aty sipër mes-shalëve dhe e shoh që pasi shkëlqen disa çaste në diell lëshohet drejt tokës! Me shëndet!

Nuk ka wc në këtë rrugë plazhi! Në të vërtetë është një rrugë që le shumë për të dëshiruar. Ibret! Mund të jetë një nga segmentet rrugore më panoramiket në Shqipëri. Jam i bindur se mund të krahasohet me ato më me famë në Europë. Kurse, po qe se investohet atje, me siguri do të ishte një mrekulli turistike. Por, këtu, bukuroshen, rrugën, e trajtojnë sikurse bënte me Hirushen, njerka e saj. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i përzënë turistët nga një zonë sesa braktisja e mjedisit, sidomos turistët më histerikë, që jo rastësisht janë edhe ata që kanë më shumë parà për të harxhuar.

Anash rrugës kanë mbetur të gremisur pjerrtas bunkerë ushtarakë të kohës të Luftës së Ftohtë. Pritej sulm nga Maqedonia. Ndofta, pse jo? Nuk di ta them. Por, këta bunkerë këtu tanimë nuk kanë më asnjë funksion sepse kanë dalë jashtë përdorimit. Vetëm të kallin datën dhe të sjellin neveri e panik përballë këtij liqeni, që me valët e veta të qeta përshëndet gjithkënd me miqësi si valëvitje duarsh plot me shamiçka të argjendta, dallgët.

Anash rrugës, hendeqet me barishte të rralluara si qime qensh me zgjebe! Vende-vende të rrjepura. Buzët e rrugës të bëra si gëzhdalla të ngrëna nga ujq që presin të kafshojnë natën qengjat e braktisur nga bariu dhe qeni i vet. Kur ecën me këmbë, nuk i ndien shumë gropat e rrugës. Por, udhëtimi me veturë është tepër i vështirë atje. Vetura valëzon sikurse të ishte një motobarkë në një liqen të zemëruar në dimër. Dallgëzon rruga. Veturat përballë teje më tutje rrezikojnë të përplasen me tënden sepse duke evituar gropat, kalojnë në anën e kundërt sikur duan të grinden me ty. Natën, gjendja është fare katastrofike.

Hirushja ima, rruga buzë liqenit, si të kanë lënë ashtu që nga Tushemishti deri te lulishte “1 Maji”?! Ti që je si një vajzë jetime mes motrash prej gjasme, të përdala, që kërkojnë burrë me pagesë e që i quajnë autostrada? Ti, miqësorja, e buta, e mira, e arta! E kanë lënë anash me plehra, shishe plastike, qese, mbeturina ushqimesh. Si është e mundur që nuk sheh askënd të pastrojë e të mirëmbajë këtë pjesë të qytetit? Pa dyshim, një nga rrugët më panoramike të kontinentit. Nuk e lë njerka ta shohë princi i kaltër! Kërkoj në media ndonjë reklamë turistike për Pogradecin. Asnjë për be, ndërkohë që ka televizione që janë non stop duke transmetuar lloj-lloj vanitetesh nga jugu i vendit, një tjetër perlë turistike jona, por jo më e vlefshme sesa Pogradeci, Hirushja e përbuzur.

Shoh ministrin e Turizmit, që, me pantallona të shkurtra, jep intervistë në një televizion kombëtar nga një fshat turistik andej nga jugu, Jala, a Vunoi, a ku e di unë se çfarë zgëqi tjetër. “Zoti ministër, je duke bërë reklamë të padrejtë, favorizuese për disa operatorë dhe denigruese për të tjerët! Po të kishte një institucion si duhet për monitorimin e mediave, do të kishit marrë një gjobë për reklamë të fshehur! Nuk ka nevojë të jesh specialist i komunikimit masiv për ta kuptuar atë. Ju jeni, sipas meje, një njeri i mirë, pranojeni gabimin dhe mos e përsërisni më se do t’ju hedhin në gjyq për favorizim! Aq më shumë me pantallona të shkurtra.

Pantallonat tuaja bërtasin: ‘Unë, ministri, i kaloj në Jug pushimet!’ Po, po, edhe pantallonat tuaja flasin më sinqerisht sesa ju!” Qen të shtrirë e të pisët në rrugët e Pogradecit. Ndriçon me shkëlqimin e vet vetëm një rrugë, nga lulishte “1 Maji” e deri te hotel “Turizmi i vjetër”, aty te kryqëzimi ku duhet të jesh shumë i sjellshëm në atë kaos veturash që krijohet për të mos u fërkuar me vetura të tjera. Rrumpallë qarkullimi i veturave në qytet. Më me rregull lëvizin larvat e peshqve në bregun e cekët të liqenit. A mund të mbahet një qytet turistik me një segment të vetëm rrugor jo më shumë se 500 metra?

Është e vërtetë se po shkon drejt përfundimit rruga paralele që fillon në hyrje të qytetit dhe ngrihet një kuotë më lart sesa rruga hyrëse ekzistuese. Shumë e mirë duket. E çliron disi qarkullimin e veturave në atë segmentin qendrorm që është jo më shumë se 500 metra buzë gjolit. Te sheshi ku mbaron rruga “Rinia”, e cila ngrihet perpendikularisht nga liqeni drejt kodrave jugore të qytetit, po përfundon riparimi i një rruge. Më parë, ajo rrugë ishte si në një qytet të bombarduar nga marsianët në filmat aksion. E bëja dikur zhgrap-zhgrap me veturë për të shkuar te fizioterapistja, besoj nga më të aftat që kam njohur në Europë, Nexhi, që qyteti nuk diti ta mbante!

Iku në Amerikë. Po lëre, hesap tjetër ky! Nuk e di qyteti se çfarë ka humbur me ikjen në emigrim të Nexhit dhe të familjes të saj. Ne edhe qengjat i eksportojmë dhe marrim si shkëmbim lopë të plakura që duhet t’i ziesh mirë e mirë përpara se t’i pjekësh! E mira na ikën, e keqja na vjen! Rrugët e tjera, veç asaj në qendër, buzë gjolit, 500 metra e shumta, janë për ibret.

Dhera, gurë, xhade të rrënuara nga koha. Të ardhurit nga Tirana preferojnë të blejnë apartamente të bukura me fytyrë nga liqeni. Dhe bëjnë shumë mirë. Në një apartament në ato ndërtesa të bukura e solide të brezit të parë të rrugës ke qejf të banosh. Nga dritaret dhe ballkonet, syri ikën larg e zhytet në liqen, tutje andej nga Struga e më tej nga Ohri. Një ekran i vërtetë pamjesh ku malet i shërbejnë si kurorë liqenit. Qytet mbret! Të ardhurit që banojnë gjatë verës sikur i kanë kthyer kurrizin pjesës tjetër të qytetit. Duket se mjaftohen me lulishtet e gjera që kanë përpara syve, liqenin, kafenetë e shumta buzë trotuareve dhe kaq.

Nuk e dinë se çfarë humbasin kur dihet si është gjendja e qytetit pas kurrizit të tyre. Fasada pallatesh të shëmtuara dhe të dala boje, njësi tregtimi që nuk mund t’i shohësh veçse në qytete orientale periferike të dorës të fundit. E gjithë bukuria mahnitëse e natyrës fshihet sapo kthehesh me fytyrë nga qyteti. Tërësisht i braktisur. Ku ka turist të huaj që vjen në këto kushte?

Kur përballë ka Strugën, Ohrin, Shën Naumin! I njëjti liqen, përse duhet të vijë turisti në një qytet që të jep fajësi e brejtje ndërgjegjeje? Ti pushon sikur të kishe qenë Josip Brozi dhe pas kurrizit tënd, një popullsi e tërë jeton në kushte urbane nënnjerëzore! Më kujtohet një studim i Engelsit, “Gjendja e klasës punëtore në Angli”, kur autori i ri, thuajse as te 25 vjetët, ende nuk ishte ideologjizuar. Bir fabrikanti, atje ai shpjegon imtësisht sesi urbanizimi dhe higjienizimi i qyteteve u interesonte më shumë të pasurve dhe të fuqishmëve sesa popullsive të varfra.

Të pasurit dëshironin higjienizimin dhe zbukurimin e qyteteve sepse pasojat e varfërisë, papastërtive, i paguanin ata njësoj ose edhe më tepër sesa të varfrit. Edhe në rrugën e privilegjuar të qytetit, ato 500 metrat e shkreta ku është investuar gjithçka, dikush ka shpikur depo grumbullimi plehrash që është nëntokësore, poshtë trotuarit ku shëtisin pushuesit. Një aromë e ndyrë plehrash të kalbëzuara vjen që andej. Uron të kesh një kundërgaz për të shëtitur. Vërtet, përse nuk shpërndan bashkia kundërgaze së paku! Mund të përdoren edhe për zhytje në liqen.

Dikur, pogradecarët lëshonin për dy muaj vere me qira dhoma dhe banesa të tyre. Por, sot kjo duket si e pamundur me gjendjen e qytetit pas rrugës kryesore buzë liqenit. Kush pranon të shkojë në qytetin e mrekullive natyrore dhe njerëzore dhe të banojë në apartamente që ndodhen në banesa pallatesh, që nga pamja dhe cilësia i gjen vetëm në periferitë e varfra të qyteteve të Amerikës Latine, ca si biçim favellash, dhe të shijojë bukuritë natyrore të qytetit në këto kushte?! Imagjinoni një çast, nëse banorët do të hapnin dyert e banesave të tyre për t’i marrë ato masivisht me qira turistët? Sa të ardhura do të gjeneroheshin! Shërbim urban publik me autobusë nuk të zë syri. As stacione autobusësh urbanë.

Nga hyrja e qytetit deri te dogana në lindje të tij nuk qarkullojnë veçse disa mikrobusë privatë që drejtohen nga shoferë të mirësjellë, ata ndalojnë në mes të rrugës kur ua bën me dorë për të qëndruar çdo kalimtar! Të ardhurit thonë se qyteti është prishur ngaqë pogradecarët e vjetër kanë ikur në Amerikë. Janë bërë amerikanë, duke marrë nënshtetësinë e gjyshërve të tyre të emigruar atje një shekull më parë. Kanë qenë punëtorë pogradecarët! Edhe janë. Më kujtohen në vitet ’60, kishin kulturë perëndimore në jetën e tyre të përditshme. Tani thuhet nën zë se kanë ikur pogradecarët dhe kanë zbritur mokrarët! Dakord, si kudo!

Qendrat urbane janë populluar me flukse demografie rurale dhe kjo ka sjellë sigurisht edhe një lloj ruralizmi të qyteteve tona. E pastaj! Pse nuk ndodhi kështu në pasluftën e dytë botërore? Mos u ankoni ju që shumica po t’ju gërvishtin pak, jo fort por nja tre breza, do të dilni me rrënjë fshatare të ngulur thellë në këto troje. Qyteti e edukon atë që vjen atje. Ky ka qenë historikisht roli i qyteteve në histori. Është e vërtetë se shumica e kësaj popullsie nuk njeh me rrënjë zanate urbane.

Dikur, dikush ka qenë minator, dikush bari, dikush bujk, dikush druvar. Aktualisht jetojmë në një epokë transformimesh të shpejta në botën e zanateve. Të kapesh pas zanateve të vjetra, nuk vlen edhe aq. Këto popullsi të ardhura rishtazi në qytete duhen ndihmuar për t’u integruar sa më shpejt, sepse janë popullsi shumë punëtore, me vullnet të hekurt, me tradita, me vlera morale. “Çfarë bëjnë kaq shumë burra nëpër kafene?”, – më pyet një grua e huaj. Përgjigjem si mundem. Mund të bëhen peshkatarë! Po ku ka më në qytet peshkatarë? Mund të bëhen zdrukthëtarë! Po ku ka vajtur industria e famshme e prodhimit të objekteve dhe e mobileve të drurit e Pogradecit?

Si është e mundur që një numër tepër i rritur familjesh, të cilat duhet të përfitojnë ndihmë ekonomike, e marrin paranë e pakët pa punuar, ndërkohë qyteti që ka nevojë për t’u pastruar, ndërkohë qëndron i papastër? Unë nuk di se çfarë projektesh ka për të kryer transformimin profesional të popullsive rurale që kanë ardhur në qytet. Në qytetin e tyre, ku më parë nuk lejoheshin të vinin për të jetuar e punuar, dhe ku sundonte një formë getoizimi. Por, kjo gjendje është një krizë që duhet zgjidhur.

Qyteti ka nevojë për punë që prodhon të ardhura dhe nga ana tjetër popullsi që nuk integrohet në tregun e punës. Pogradecarët e mirë duhet ta zgjidhin këtë kontradiktë nëse dëshirojnë ta lulëzojnë qytetin e tyre, këtë margaritar ndër vatrat e kulturës urbane shqiptare, këtë pikë rivaliteti turistik mes nesh dhe maqedonasve, grekëve, bullgarëve, këtë zonë turistike që mund të krahasohet vetëm me perlat e turizmit shqiptar. Dikur, Pogradeci nuk ka qenë thjesht qytet. Por ka qenë kulturë civilizimi urban. Duket se ai u zbukurua sepse atje vinte për pushime kreu i diktaturës. Në fakt, qyteti pastrohej kur vinte ai. Pemët afër vilave qeveritare, lotuset, mbaheshin mirë, bëhej kujdes për lulet, por qyteti e pagoi shumëfish dashurinë e shtënë në të. Qytetërimi pogradecar pësoi një goditje të rëndë në infrastrukturën e tij, në habitatin e tij. Si?

“Si mund ta kërcënojnë ekonomikisht pogradecarët Korçën, Himarën, Vlorën e Durrësin!” Read More »

Kjo nuk pritej/ Rama reagon për herë të parë për ngjarjen e Selenicës

Edi Rama po shijon pushimet në jug të vendit, por edhe pasi kanë kaluar pak ditë nga ngjarja e paprecendent e Selenicë, ai nuk ka shkruar asnjë fjalë ngushëllimi për familjarët që humbën të dashurit e tyre, apo për vetë ngjarjen makabre që tronditi opionion publik.

Prej ditësh Rama, poston shifra nga ecuria e biznesit dhe qeverisjes, ndërkaq kanë qenë komentuesit ata që nuk kanë ngurruar të ironizojnë situatën reale të vendit, me pasqyrën virtuale të kryeministrit.

Një qytetar i shkruan se policia duhet të punojë më shumë me armët. Ndërkaq, Rama nuk ka ndijuar të shprehet se qeveria nuk ka lidhje me të tilla ngjarje.

Qytetari Pasqyre e bukur me 8 te vrare?policia duhet te punoj me shume ,me te vertet armet i kemi dhurate nga xhaxhi sali por ju duhet te beni dicka me shume

Edi Rama · Me fal ti jeton ne kete bote apo jeton ne hene, sepse ne kete bote, ndodhira te tilla ekstreme ndodhin edhe ne vendet me te zhvilluara demokratike, e nuk kane asnje lidhje me qeverine!

Kjo nuk pritej/ Rama reagon për herë të parë për ngjarjen e Selenicës Read More »

Qytetarët njëzëri pas masakrës së Selenicës: Të rikthehet dënimi me vdekje! (VIDEO)

Masakra e Selenicës ka rikthyer debatin nëse duhet ashpërsuar legjislacioni për personat që kryejnë krime monstruoze. “News24” mori mendimin e qytetarëve, të cilët kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri.

“Duhet të jetë dënimi me vdekje. Çfarë është kjo? Armëmbajtje pa leje që të bëjnë pazar, gjykatësit dhe prokurorët? Nuk e shef se çfarë po bëhet për vendimet në drejtësi. Duhet të jetë sepse nuk do guxonin të merreshin me shumë gjëra. Jo, pse do riktheheshe ne diktaturë, do e mbash derën pa çelës… Unë kështu mendoj dënimi me vdekje duhet te jetë kapital, është problem tjetër nëse nuk duan qeveritarët, atëherë ata e kanë problemin e familjeve te tyre”, thotë një qytetar.

Çfarë thonë qytetarët e tjerë:

“Unë atë të masakrës së Selenicës e dënoj me vdekje”.

“Këtu duhet të ketë ligj me pushkatim dhe varje, pse Amerika nuk e heq për vete duhet të jetë për kriminelët”.

“Ndëshkime të rënda duhet të ketë për monstra të tilla”.

“Atë ta dënosh me vdekje, është një masakër që s’ka bërë vaki ndonjëherë në botë, s’më ka zënë gjumi për atë fëmijë 6 vjeç dhe vajzën 17 vjeç”.

A duhet ashpërsuar legjislacioni për armëmbajtjen pa leje?

“Po, 10 vjet, 20 vjet”.

“Absolutisht, duhet të veprojë shteti dhe në mënyre sa më urgjente. Nuk ka bërë vaki në Shqipëri të vriten 8 persona nga një pjesëtar i familjes, nga një gen, nga një gjak, e jashtëzakonshme”.

“Për mua ata që kanë armë janë kriminel, për çfarë e mbajnë armën ata? Për të vrarë, për të vjedhur”.
“Duhet te ketë dënime më të ashpra, me varje… s’duhet të ekzistojë arma fare”.

“Ata që mbajnë armë të futen brenda”.

“Duhen dënime maksimale fare pa gjykata fare, jo të paguajnë lekë e të dalin, 15 vjet, 20 vjet, 15 vjet burg”.

Pasiguria për jetën është arsyeja kryesore sepse shqiptarët kërkojnë rikthimin e dënimit kapital.

“Kam frikë, për fëmijët më tepër”.

“Nuk ndihem shumë i sigurtë, dita ditës po e shohim çfarë bëhet”.

“Jo, fare…”

“99 përqind nuk ndihem i sigurtë”.

“Në Shqipëri? Jo! Me tepër jashtë shtetit, madje më shumë siguri ka në Kosovë se në Shqipëri”.

“Çdo gjë mund të ndodhë, kalon një i çmendur në rrugë dhe të vret, si të ndihesh i sigurt, nuk ka asnjë shpresë”.

Dënimi i fundit me vdekje në Shqipëri, u aplikua në maj të vitin ‘92, për masakrën e Libofshës. Dy vëllezër u varën publikisht në mes të qytetit, pasi ekzekutuan gjatë një grabitje me armë 5 anëtarë të një familje mes tyre edhe një foshnje 8-muajshe. Edhe pse nuk pati më dënime kaq të rënda, dënimi me vdekje u shfuqizua nga legjislacioni shqiptar në vitin 2000 pas nënshkrimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut./news24

Qytetarët njëzëri pas masakrës së Selenicës: Të rikthehet dënimi me vdekje! (VIDEO) Read More »

“Në Shqipëri nuk ka më këmbë turku, amerikanët do të eliminojnë korrupsionin trefishor Berisha- Meta- Rama”

Politika shqiptare sot, është një politikë e nivelit të dobët, kurse Shqipëria e ka këtë çast kohën historike të reformimit të saj gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor.

Jajnë dy shtete shqiptarë në Ballkan, dhe politika shqiptare nuk din të bëjë asgjë në dobi të gjithëshqiptarizmës ballkanike. Kjo, sepse lidershipi aktual politik nuk është me shqiptarët, por me pushtuesit e territoreve shqiptarë. Njëlloj si në 100 vjet ekzistencë të shtetit shqiptar.

Serbia, pushtuese e madhe territoresh shqiptare, është e mundur në luftë, dhe e trembur, kurse politika shqiptare në Kosovë dhe këtu në Shqipëri, është në nivel të dobët.

 

Po ç’kanë qenë serbët deri në mesjetë? Të gjithë kanë qenë “kalorës të lirë” që e endeshin në Perandorinë Osmane. Nuk ka kombësi etnike serbe. Të gjithë mbretërit serbë kanë qenë shqiptarë. Edhe themeluesi i tyre Karagjergjoviç, nga Klememdi ka qenë, Gjergji i Zi e ka pasur emrin.

Në Manastirin e Hilindarit, në malet e Pindit në Greqi, është bllokuar i gjithë dokumentacioni shqiptar aty. Aty është kurorëzuar Skënderbeu, se manastiri ka qenë nën mbrojtjen e kastriotëve. Në Hilindar nuk lejohet të hyjë kush, se quhet enklava serbe, dhënë Serbisë nga grekët për të fshehur historinë e Shqiptarëve.

Aty, në Hilindar, do të shihni që mbreti i famshëm serb, Stefan Nimani, ka varrin e tij ku mbi të shkruhet: Rex magnum albanesis – mbreti i madh i shqiptarëve. Kurse serbët mburren me të si mbretin e tyre. E kuptoni se ku janë shqiptarët?

 

Të gjitha këto janë histori që nuk mund t’iu hyjë dot lidershipi i korruptuar i sotëm dhe pa dije shqiptar. Por pyetja që duhet të ngrihet këtu është kjo: a do t’i ndihmojë politika amerikanë shqiptarët që të nxjerrin në dritë të vërtetat historike që fshihen në Manastirin e Hilindarit në malet e Prindit në Greqi?

Sepse dihet që, korrupsioni kryeministror shqiptar Rama – Berisha është kundër historisë së Shqipërisë.

 

ll.

Cila është situata aktuale në Shqipëri.

 

Lidershipi i politikës shqiptare në Tiranë, në të dyja krahët, është i korruptuar dhe i kapur në korrupsion. Ky fakt i përplas liderët, që janë patologjikë për pushtetin, me rrezikimin e pushtetit të tyre politik.

Atëherë çfarë mund të presin nga Rama, Berisha dhe Meta shqiptarët kur këta, të kapur në korrupsion, janë gati të luajnë çdo kartë për interesin e tyre vetjak? Asgjë. Vetëm shitjen e interesit kombëtar të fqinjët pushtues.

 

Këtu qëndron në fakt konflikti i sotshëm midis shqiptarëve dhe lidershipit të tyre politik. Por kjo është arsyeja që kryeministri shqiptar Rama, shkon në Stamboll si pashallarët e qëmotit, për të ndaluar tempin amerikan të ristrukturimit të botës shqiptare sipas një koncepti perëndimor të drejtësisë dhe demokracisë që ajo po kërkon të vendosë në Shqipëri. Është naiv, i paaftë dhe me ligësi antishqiptare. Njëlloj si Berisha.

 

Po kjo është fatkeqësia e fundit e Shqipërisë, sepse kjo klasë politike e korruptuar tani është drejt likuidimit të saj të plotë. Ajo ka vdekur, sepse Serbia është mundur në luftë pikërisht për dorëzimin e territoreve shqiptarë të pushtuara prej saj: dhe do t’i dorëzojë. Lira turke dhe Erdogani i Ramës po shikojnë në faliment.

Po Rama me antiamerikanizmin e tij ku ndidhet ndërkaq? Pas Erdoganit, sigurisht, në ecje drejt degradimit politik, por ky do ta ketë procesin e ndëshkimit dhe konfiskimit në Tiranë njëlloj si Berisha Meta dhe Basha.

Nuk kanë shpëtim.

 

lll.

Në një kohë kur politika shqiptare duhej të drejtohej nga aftësia intelektuale, dhe vendosmëria për rivendosjen e prestigjit gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor, liderët shqiptarë në Tiranë janë të denatyruar nga korrupsioni.

Si gjithmonë në historinë tonë.

 

Po në Prishtinë? Edhe atje po e denatyron korrupsioni politikën. Veçse në Prishtinë është edhe fenomeni agjenturor serb. Është fenomen i vjetër, por të gjithë këta serbofilë që janë në politikë, kuptohen sapo hapin gojën.

Gjithsesi, në Kosovë situatën e kanë në dorë vetë amerikanët, dhe lidershipi drejtues nuk lëviz dot drejt Beogradit apo Moskës, si këta tanët nëTiranë. Kurse Erdogani me neoosmanizmin e tij që paguhej nga serbët në Prishtinë dhe qytetet e tjerë të Kosovës, tani falimenton, dhe dhe kjo sigurisht që do të ndihet shumë në Beograd.

 

Nga të tërë këta liderë shqiptarë, më guxim patriotik po tregon Ramush Haradinaj. Dhe është kryeministër i përkrahur plotësisht nga Uashingtoni. E kundërta e kryeministrit me ligësi antishqiptare që është në Tiranë dhe mendon që me Berishën dhe Erdoganin do të mundë politikën amerikane në Ballkan.(!)

Por, gjithsesi, duhet theksuar se të gjithë këta kanë kohën kundër dhe realisht nuk mund të bëjnë dot asnjë lëvizje bllokuese.

 

Shqiptarët kishin 200 vjet që po prisnin një kohë si kjo, sepse ka 200 vjet që janë të luftuar me shfarosjen e tyre nga fuqitë e mëdha dhe nga fqinjët e tyre.

Ka qenë një armiqësi e ligë fakti historik që me tendencë keqdashëse Perandoria Osmane, Franca, Rusia dhe serbët e grekët, kanë dashur të eliminojnë zotërit e Gadishullit Ilirik. Ka pasur shumë interesa këtu, por më thelbësorja ka qenë pozicioni gjeografik dhe gjuha shqipe.

 

Më e egër kundër shqiptarëve si etni, deri në vitin 1840, ka qenë Perandoria Osmane, për që nga ky vit dalin në skenë Serbia, Greqia dhe Rusia. Të gjithë bashkë kundër popullit më të vjetër të Europës, që në fakt iu ka dhënë vetë gjuhët e tyre lokale.

Dyzet përqind e gjuhës së sotme greke vjen nga shqipja, e gjithë mitologjia e famshme greke, shpjegohet me gjuhën shqipe; dyzet përqind e popullsisë serbe, ka origjinë nga katolikët shqiptarë, të dhunuar nga Stambolli antikatolik, dhe të fshehur nën suazën e kishës ortodokse serbe.

 

Afër gjysma e Greqisë është me arvanitas që flasin shqip, një përqindje e madhe e tyre, janë katolikë të veriut shqiptar që shpërnguleshin nën suazën e kishës ortodokse greke për të mos braktisur kristianizmin. Si ata të tjerët katolikë e ortodoksë shqiptarë që, për t’i shpëtuar ndjekjes vdektare të turqve, pas vdekjes së Skënderbeut, ikën më tmerr për të shpëtuar kokën dhe fenë. Më shumë se një milionë arbër-shqiptarë ikën në Itali dhe në vendet përreth, në Korsikë deri në Spanjë, por edhe në Greqinë e shkatëruar nga shekujt. Kurse shqiptarë katolikë i ke sot me shumicë në Kroaci e në Mal të Zi dhe në Serbi, por edhe një shumicë ortodokse shqiptare që është shkruar sllave në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Sot, si ndryshim i gjëndjes në favor të shqiptarëve, janë 250 mijë ortodoksë në Maqedoni që janë deklaruar shqiptarë. Edhe në Greqi, në Çamëri, ortodoksët shqiptarë po flasin hapur shqip kudo, në të gjithë qytetet e Çamërisë.

 

lV

Koha e solli më në fund që forcimi i Shqipërisë dhe dalja në histori e Kosovës do të fillojë procesin e rigjenerimit gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor. Ja, mu këtu e zë fillin e vet armiqësia sllavë, greke dhe ruse që kërkon që, me anë të lidershipit politik të korruptuar shqiptar të bllokojë zhvillimin gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor.

Por tani ka rënë përfundimisht e gjithë propaganda serbo-greke që shqiptarët janë turq apo osmanë, se koha i përmbysi. Dalja e Shqipërisë nga izolimi e tregoi qartësisht karakterin perëndimor të ndërtimit shpirtëror shqiptar: bota e zhvilluar pa shqiptarë, të krishterë dhe muslimanë, bashkë në harmoni fetare, dhe provoi shkencërisht që shqiptarizmi i shqiptarëve është qytetërimi perëndimor që dominon njëlloj mbi të tria fetë në shoqërinë shqiptare.

Të gjithë sot janë të qartë që në Shqipëri nuk ka këmbë turku; Të gjithë elitat perëndimore e dinë që gjuha shqipe është një thesar i qytetërimit perëndimor;

Të gjithë historianët e spikatur dhe të gjitha katedrat e historisë në Amerikë e dinë dhe po e shkruajnë që shqiptarët janë populli më i vjetër dhe me rezistent i Europës;

Kurse politika amerikane është afektuar me theks të madh historik në aleanca me Shqipërinë, Kosovën dhe me të gjithë shqiptarët e Ballkanit Perëndimor.

Pikërisht në një kohë si kjo, shqiptarët drejtohen nga korrupsioni i madh dhe atishqiptarizmi.

Kjo ishte një fatkeqësi historike, por që për shumë arsye që kanë të bëjnë me të ardhmen, në këtë aksident historik, shqiptarët po ndihmohen realisht fort nga politika amerikane.

Dhe kjo ndihmë do të vijojnë derisa t’i eliminojnë nga skena të gjithë të korruptuarit e korruosionit kryeministror trefish në Tiranë: korrupsionin Berisha, Meta, Rama.

“Në Shqipëri nuk ka më këmbë turku, amerikanët do të eliminojnë korrupsionin trefishor Berisha- Meta- Rama” Read More »

Lëreni Edin të pushojë!

Ndërsa Edi Rama ka nisur pushimet, të gjithë opozitarët e tij i kanë filluar një proces në mungesë për dy nga temat madhore që po zaptojnë këto ditë titujt kryesorë të shtypit.

Disa i kërkojnë llogari për ngjarjen makabre të Selenicës, për faktin se vazhdoi vakancat i qetë, për postimet që bëri pas saj, në Facebook, e kështu me radhë. Në krye të frontit të këtij sulmi janë vënë kryesisht figura qëndrore të LSI-së, të cilët përditë e më shumë e shohin si dekoratë për opzitarizmin e tyre, kritikën e kryeministrit, për çdo gjë dhe me çdo kusht.

Aq të fiksuar janë në shigjetimin e kryerilindasit sa shpesh ngjajnë me atë personazhin e anekdodës së Vlorës së vitit ’97 që edhe kur kapi gruan duke e tradhëtuar me dikë tjetër, rifilloi të shante Berishën për këtë të keqe.

Po me të njëjtin sens humori i kishte trajtuar një media pranë qeverisë kritikat që po i bëhen kryeministrit për mos prononcimin ndaj idesë së ndarjes së kufirit. “Hip se të vrava, zbrit se të vrava” ishte njëri prej titujve të kësaj të diele.

Ai i referohej kërkesave këmbëngulëse që po bënin hierarkë të lartë të PD-së, se Rama duhet të prononcohej për deklaratat e Thaçit dhe Vuçiçit, duke harruar se po të njëjtët njerëz, i kanë përsëritur me nerv dhe insistim që të mos bëjë rolin e protektorit të Kosovës dhe as të flasë në emër të saj.

Pa dyshim se, pas gjithë kësaj fushate, me nota që herë janë për t’u mëshiruar dhe herë për të qeshur,  fshihet një sëmundije maniake e politikës shqiptare për të folur për gjithçka dhe për të mabjtur të pushtuar skenën në çdo moment.

Pa dyshim se, ajo është në traditën më të keqe të protagonistëve të partive që e kanë shndërruar në normë, sulmin kundër kundërshtarit, qoftë edhe vetëm se pse ky i fundit merr frymë.

Pa dyshim se, ajo është, në rastet më të shumta, kundërproduktive dhe rrezikon të shndërrohet në boomerang.

Dhe ky është në fakt një nga problemet e të bërit opozitë: shumfishimi i përditshëm i akuzave deri në zhvlerësimin e tyre. Goditja e Ramës për çdo gjë është gati gati e barabartë me mosgoditjen e tij për asnjë gjë.

Dhe Ramën ke shumë se ku ta kapësh. Mjaftojnë temat e mëdha të hajdutërisë, lidhjes me krimin, mbrojtjes së trafikantëve, krijimit të një kaste që po thellon drejt konfliktit civil, betejën mes të pasurve dhe të varfërve, për të qenë një kundërshtar dinjitoz i tij.

Po t’i kërkosh llogari edhe për krimin e një të sëmuri mendor që mund të ndodhë në ç‘do kënd të globit, apo pse për disa ditë të vetme ka vendosur të n’a lërë në paqe dhe të mos na bëjë pis ekranet, kjo nuk është më opozitë, por parodi.

Problemi i dytë i kësaj strategjie politike, për t’a thirrur kryeministrin me çdo kusht në skenë, nuk përbën as një lëvizje pragmatike në interes të qytetarëve.  Rama i takon asaj race të shpeshtë mes liderve tanë, që bëjnë më shumë dëm duke qenë në punë, sesa kur janë jashtë zyre.

Me siguri që Edi i Dhërmiut, që gëzon vilën qeveritare që e ka dizenjuar vetë, është një përdorues më i mirë i Facebookut në orët e zhegut, një baba më i kujdeshshëm për Zahon, një familjar më i qetë dhe një qytetar më i zakonshëm, sesa Rama që do të rikthehet në zyrë, për të firmosur shembjen e teatrit, favoret për pikat e basteve, ndërtimet e reja te garda dhe rrënimin e stadiumit Dinamo.

Prandaj le të mos e thërrasim atë sa më shpejt në skenë. Le t’i gëzohemi edhe disa ditë ekraneve të çliruara të TV-ve dhe le t’i shtyjmë edhe për pak gjëmat që na ka rezervuar shtatori. Edi n’a duhet edhe disa ditë me pushime./Nga Andi Bushati

Lëreni Edin të pushojë! Read More »

Enver Hoxha ishte grek, quhej Aleksandër Mavrojani

Në një artikull të publikuar nga mediat greke thuhet se lideri komunist shqiptar ishte me origjinë greke dhe kishte emrin Aleksandër.

“Enver Hoxha lindi në fshatin Dushja që më vonë u quajt Kefalari që ndodhet pranë qytetit të Qiatos në Korint. Paraardhësit e Enverit erdhën në rrethin e Korintit pas rënies së qytetit të Konstantinopojës në duart e osmanlinjve, së bashku me familjen e njohur të Notarëve. Fillimisht u sistemua në Trikala të Korintit dhe në vazhdim për siguri, shkuan në fshatin arvanitas, Dushnja, Kefalar i sotëm. Ngaqë i pari i familjes tregtonte drithëra, madje furnizonte të gjithë zonën me cilësinë e mavraganit, mori nofkën Mavroijiani, që me kalimin e kohës u kthye në mbiemrin zyrtar të familjes. Informacionet që lexoni dhe që në vijim janë edhe më tronditëse, janë marrë nga të dhënat e gjeneralit Aifantis, në librin e tij të ri “Mashtrimet e mëdha”. Këto informacione gjenerali Aifantis i ka mbledhur nga dëshmitë e njerëzve të afërm të familjes së Enver Hoxhës“, thuhet në artikullin greqisht, raporton Lajme.al

“Pasardhësi i familjes Apostol Mavrojianis, bëri në fillim të shekulli të 20-të 4 djem dhe tre vajza. Jorgon, Aleksandrin, Leonidën dhe Makun. Jorgo më i madhi i djemve ishte ai i cili u arrestuar nga gjermanët si agjent sekret ku e torturuan shumë, por më pas e lanë të lirë.

Aleksandri përfundoi studimet e juridikut në Universitetin e Athinës dhe u ndoq nga pushteti i Joani Metaksa si i majtë. Por, e përqafoi shërbimet inteligjente dhe e dërgoi në Romë tek Papa, ku aty edhe i mori mësimet e para të gjuhës shqipe dhe të betejës komuniste dhe të menaxhimit administrativ dhe të funksionimit të shërbimeve sekrete.

Më pas e dërguan në Paris ku i plotësuan studimet në komunizëm dhe luftën e çetave (kryengritjen). E martuan me një muslimane e cila njihte shumë mirë gjuhën shqipe dhe e dërguan bashkë me bashkëshorten e tij në Kosovë për të organizuar PKSH (Partinë Komuniste të Shqipërisë).

Me paratë e anglezëve dhe ndihmën e shërbimeve sekrete të Anglisë u ngjit shumë shpejtë në majë të hierarkisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë. Më pas shkoi në Tiranë dhe nxori në qarkullim gazetën “Vatra” dhe javoren “Java”. Rrëzoi nga froni mbretin Zog të cilin vetë anglezët e kishin vendosur por tani veç më kishin vendosur që ta bënin kurban. Kështu Enveri bëhet sundimtari absolut i Shqipërisë dhe duke qenë nën direktivat e huaja vendosi rendin e ateizmit.

Në vitin 1943, i veshur me uniformë ushtarake oficeri gjerman udhëtoi me tren gjerman dhe erdhi në Qiato për të parë të atin e tij, familjen dhe të afërmit. Më pas po i kamufluar me uniformën gjermane u kthye në Shqipëri përsëri me tren. Vëllai i vogël, Leonidha Mavrojani, edhe ky njeri i shërbimeve sekrete si një oficer i lartë Ushtrisë Greke, shërbeu për shumë vite si komisar “SHIG –Shërbimi Informativ i Greqisë”.

Vizitoi më shumë se 36 herë Tiranën për të rregulluar dhe ujdisur me vëllain e tij Aleksandër Mavrojanin – Enver Hoxha politikat dominuese në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme nën udhëzimet e shërbimeve inteligjente. I biri i vëllait të tretë Lenidha, Apostolos Mavrojianis u martua me vajzën e vogël të Miçotaqis, Katigën “Katërinën”, motra e Dora Bakojanit.

Është e mundur që Miçotaqi të ketë dhënë vajzën e tij në një familje që nuk e njihte mirë? Si u njohën të dy familjet? Kush është ai që njeh mes familjeve që komandojnë njerëzimin?”, thuhet në shënimet e gjeneralit ndërsa e mbyll me pyetjen: – Le të përgjigjet çdo kush vetë në këto pyetje!/korrieri

Enver Hoxha ishte grek, quhej Aleksandër Mavrojani Read More »

Dënimi kapital nuk ia zgjidh hallin shoqërisë primitive

Nga Enkel Demi

Është e tmerrshme ajo që ndodhi në Selenicë. Është e papërshkrueshme kjo ngjarje, e cila na rrëfen sa të lirë e ka çmimin e jetës shqiptari. Ne jetojmë ende në një shoqëri primitive, ku për ca pula kryhet një masakër. Primitivizmi i shoqërisë sonë vazhdon me qeverinë që nuk e vë ujin në zjarr, përkundrazi vazhdon të theket në diell, madje ka paturpsinë të flasë për rritje ekonomike. Nuk ka një mbledhje urgjente të kabinetit, dorëheqje apo shkarkime në polici, një qëndrim të ministrit të brendshëm, lëre pastaj një reagim të shëndetshëm si klasë politike që kërkohej nga Namik Dokle.

Nuk ka asgjë; janë vrarë tetë frymorë në një humbëtirë dhe kaq.

Por, shoqëria shqiptare nuk heq dorë nga primitivizmi i saj; zbraz urrejtjen, atje ku mundet të shprehet në liri, në rrjetet sociale. Për paradoks, në të njëjtat rrjete vrasësi kryen sfidën e tij maroke.

Shqiptarët kërkojnë për vrasësin dënime të shumëllojshme, të cilat janë nga varje në litar, plumb ballit, rrjepje lëkure, për të shkuar tek një koleksion të tërë torturash mesjetare para se t’ia ndajnë jetën. Ky farë “referendumi” popullor rrëfen më së miri që në thelb një njeri që tërbohet, meqë e akuzuan se vodhi pulat dhe ca të tjerë që evokojnë rrjepjen e tij të gjallë, janë prodhim i të njëjtës shoqëri primitive, e cila i ka veç për propagandë standartet e demokracisë, zgjedhjet e lira, të drejtën e jetës, pronës e kështu me radhë.

Kjo shpjegon për bukuri, përse shqiptarët udhëhiqen nga dallkaukë që i vjedhin, i grabisin, u marrin plaçkën dhe shpirtin. Kjo shpjegon qartazi, përse qeveria mendon se vetëm me hu udhëhiqet ky milet, prandaj e plasin në burg për një faturë energjie, e lënë të vdesë majë shtyllës për të lidhur korrentin, e lënë pa bukë, i grabisin pronën në mes të Tiranës, policinë ia besojnë narkotrafikantëve, reformën në drejtësi pinjollëve të ish-Bllokut.

Dënimi me vdekje apo çdo alternativë e tij mesjetare, nuk ka për ta zgjidhur kurrë masakrën e radhës që do të vijë mos nesër, në ditët, javët a muajt e ardhshëm. Ideja se frika ruan vreshtin është bërë bozë, nëse nuk gjejmë forcë të dalim nga qerthulli i shoqërisë primitive, ku krimi më popullor ka motivin “pse m’shef?”. Përderisa në shtëpitë e shqiptarëve kërcet druri si “gamori n’duhon”, gruaja, motra, nëna shembet në dru, polici të dhunon në rrugë, prokurori në gjyq, gjykatësi, kur jep vendimin, qeveria, kur të grabit dhe të gjobit ty për hajninë e saj, atëherë përse duhet të çuditemi që njëri vrau tetë njerëz për pulat? Ai është qytetari më i denjë i kësaj shoqërie dhe këtij sistemi, ku mbizotëron kudo vetëm një ligj; ligji i xhunglës ose më mirë: “peshku i madh e ha të voglin”.

Nuk ndodh në politikë e njëjta gjë? Nuk ndodh në media e njëjta gjë? Nuk ndodh në rrjetet sociale? Nuk ndodh në katund dhe qytet? Nuk ndodh në shtëpi?

Prandaj, sikur ta rrjepin dhe më pas ta shkojnë në hell atë gjytyrymin e Selenicës, asgjë nuk ka për t’u zgjidhur, pasi e keqja nuk është heqja e dënimit me vdekje, por shoqëria primitive, ku kemi lëshuar rrënjë.

Dënimi kapital nuk ia zgjidh hallin shoqërisë primitive Read More »