Opinione

Pse nuk i shkon profili paqësor Ilir Metës…

Në një shënim të publikuar në faqen “360gradë” të Artur Zhejit, Presidenti Ilir Meta ftohet që të mbajë qëndrim në një situatë jo të mirë politike në vend. Në shkrim kjo periudhë krahasohet me atë të para zgjedhjeve të vitit 2013 që solli në pushtet Edi Ramën.

Shkrimi

Meta president, është duke zhvilluar një sërë vizitash të gjata, nëpër trevat shqiptare përreth Shqipërisë zyrtare. Politikisht ai po kërkon të zhvendosë vëmendjen e shqiptarëve të Shqipërisë, se realiteti gjeografik i vendit tonë real, është shumë më i madh dhe më interesant se sa duket në të vërtetë.

Është një prirje pozitiviste, pasi “dogji” dy dekrete të qeverisë në heshtjen më të madhe dhe duke mos pranuar të polemizojë me askënd, për arsyet dhe nën-arsyet e mos-nënshkrimit të tyre.Porse, në politikën shqiptare, mungon një aktor aktiv, që mund të vendoste dhe të zhvendoste ekuilibra të reja, por ky aktor energjik, është tashmë president, rrethanë që e gëzon ditë pas dite kryeministrin, që kapërdin me kënaqësi, qoftë edhe mos-dekretimet, mjafton që presidenti të mbetet president.

Ky profil paqësor duket se nuk i shkon Metës, pavarësisht se sondazhet mund të thonë të kundërtën. Pikërisht në një moment, kur kërkohet një Zgjidhje dhe rivendosje ekuilibrash të reja, pikërisht si në Prill të vitit 2013.

Pse nuk i shkon profili paqësor Ilir Metës… Read More »

Godet Ngjela: Berisha në panik se do i kthejë një më një paratë që u ka grabitur shqiptarëve. Po ia mbajti të thotë…

Avokati Spartak Ngjela e sheh si tregues frike thirrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për revolta mbarëpopullore. Deputeti i Partisë Demokratike dy ditë më parë “përdori” protestat e rumunëve kundër shtetit për t’i kërkuar popullit shqiptar që të njëjtën gjë të bëjnë edhe ata.

Berisha bëri thirrje për mosbindje civile në shtator me qëllim që ky muaj të mbahet mend për dhunën me të cilën qeveria aktuale do të shembet.

Mirëpo Spartak Ngjela, në një prononcim të dhënë për gazetën “SOT” ditën e djeshme, deklaroi se Berisha me anë të këtyre thirrjeve po kërkon të kamuflojë frikën e tij nga reforma në drejtësi. Sipas avokatit, ish-kryeministri e di shumë mirë rrezikun që i kanoset nga reforma dhe prandaj shfaq këtë sjellje.

“Ai ka 10 muaj që kërkon revolta. Berisha ka frikë nga reforma në drejtësi dhe prandaj kërkon revolta. Ka frikë, por e kap reforma. Pastaj për sa i përket revoltave, duhet të ishte me reformën në drejtësi që të bënte reforma kundër Ramës. Sepse as Rama nuk e do reformën në drejtësi. Por këta nuk e duan të dyja palët. Por njëri ka frikë që ta thotë, pra Rama, ndërsa tjetri e mbulon”, u shpreh kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi.

Në vijim të reagimit të tij, Ngjela theksoi se pavarësisht tentativave dhe thirrjeve të Sali Berishës, përpjekjet e tij për të penguar reformën në drejtësi janë të kota. Ngjela deklaroi se për sa kohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë të angazhuara në zbatimin e reformës, kjo e fundit nuk pengohet kurrsesi.

“Nuk e realizojnë dot, reforma në drejtësi është domain amerikan. Ia mban Saliut të thotë që jam kundër Amerikës? Thuaje! Fakti që nuk e thotë tregon që është i vogël, liliput. Se është kundër Amerikës dhe thotë do të bëj revolta. Revoltë kundër kujt? Kundër reformës në drejtësi. Por reformën në drejtësi tek ne e kanë bërë amerikanët. Atëherë kundër kujt del?”, tha Spartak Ngjela.

Avokati nënvizoi në fund se me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë të gjithë të korruptuarit shqiptarë, përfshirë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, do ta pësojnë.

“Të gjitha këto janë vuajtje shpirtërore që të mos pranojnë ndëshkimin. Do t’i kthejnë të gjitha paratë që u kanë marrë shqiptarëve. Pastaj, sa forcë do të kenë për dënimin e Gjykatave Speciale dhe Prokurorive Speciale që do të ngrihen, ai është proces gjyqësor. Paratë do t’jua marrin të tëra dhe do t’ia japin shtetit shqiptar”, tha Spartak Ngjela.

Godet Ngjela: Berisha në panik se do i kthejë një më një paratë që u ka grabitur shqiptarëve. Po ia mbajti të thotë… Read More »

Aleatët mesazh të qartë Bashës: Në shtator merren vendimet, kundër braktisjes së Kuvendit, ke dy zgjidhje, dil…

Shtatori po afron dhe së bashku me të edhe sesioni i ri parlamentar. Por aleatët e opozitës janë në kohë me kërkesat e tyre për kryetarin e PD Lulzim Basha. Pa humbur kohë ata e bëjnë të qartë rolin e tyre në stinën e re pralamentare që nis në shtator, duke dalë kundër tezës së bojkotit të Kuvendit. Në një intervistë për In News kreu i LZHK Dashamir Shehi thotë se kjo nuk është rruga e duhur për opozitës, ndërsa lajmëron se ky vendim do të merret në nisje të sesionit të ri kuvendor.

“Jemi jo për djegien e mandateve. Nuk ka kuptim fare në këto momente që të djegien mandatet. Por në shtator e pas do të merren vendimet:, deklaron kreu i LZHK. Por Shehi jep dhe arsyet se përse është kundër bojkotit të Kuvendit, ndryshe nga demokratët. “Nuk është kjo më e rëndësishme, sepse një ushtari të mirë i duhet edhe shpata, i duhet dhe mburoja dhe ushta. Ti heqësh një nga armët kjo nuk ka asnjë vlerë”, deklaron ai.

Por nëse opozita vendos bojkotin e Kuvendit për kreun e LZHK-së Dashamir Shehin ka vetëm dy rrugë. “Kur do të abandonësh parlament duhet të mendosh o të shkosh në zgjedhje o të dalësh në rrugë të mbash një revolucion demokratik”, përfundon Shehi.

Aleatët mesazh të qartë Bashës: Në shtator merren vendimet, kundër braktisjes së Kuvendit, ke dy zgjidhje, dil… Read More »

“Pushimet e opozitës me fjalët të lagura me ujin e kripur të detit, nuk ndezin, KM-ja me një ‘sy shkelur’ ndaj dobësive të saj

Të papriturat qofshin ato pozitive apo negative janë të paparashikueshme. Kështu shprehet analisti Artur Zheji teksa i referohet ngjarjeve të fundit si protestat në Rumani, vrasja e 8-fishtë e psikopatit të Selenicës, ashtu si edhe shembja e paimagjinueshme e Urës në Gjenova.

“Humori i popujve, është si thonin dikur të vjetrit i krahasueshëm me trillet e natyrës, është gjithmonë “kapriçioz” dhe hopet cilësore të akumulimeve sasiore, janë të paparashikueshme. Rasti rumun e rrëfen këtë. Rumunët nuk pritën të kthehen nga pushimet për të protestuar dhe për të tronditur Bukureshtin.Mirëpo Opozita shqiptare, përjashto ca postime të herëpashershme, është me pushime, sepse “jeta është e ëmbël”, edhe për opozitarët…”, thotë Zheji.

Pash Zotin, Opozita le të pushojë, njerëz janë dhe le ta gëzojnë jetën, por të pretendosh pastaj se kur ti bien “bilbilit”, njerëzit duhet të vrapojnë pas tyre, është me pikëpyetje, aq më tepër që Km-ja dhe skuadra e tij mediatike, punon në mënyrë të tillë që krijon përshtypjen se “timonieri” nuk e lëshon drejtimin asnjë minutë. Në këto pushime të Opozitës, që realisht mund të jenë të shkurtra por që perceptohen si të gjata, me tërë këto krime dhe aksidente që po ndodhin, opinioni lexon me të tepërt dobësinë e vullnetit të saj, për të ndryshuar realisht gjërat dhe raportin e forcave.

Sepse nëse situata është realisht kaq dramatike dhe kritike, si e përshkruan Opozita, në fjalimet dhe “statuset” e veta, “pushimet” dhe nxirjet në diell, buzë detit apo buzë lumit, japin një mesazh tjetër, një mesazh që nuk përputhet me fjalët e ndezura, që të lagura me ujin e kripur të detit, nuk ndezin dhe nuk frymëzojnë. Madje, ashtu si në futboll, kur një skuadër ambicioze kërkon të përmbysë rezultatin, ushtron “pressing” te kundërshtari, për të rrëmbyer një top, të përfitojë një gabim të mundshëm, nga euforia e skuadrës tjetër, që është në të shumtën e vet, sot që flasim, jashtë Shqipërisë dhe në plazhet më ndjellëse të botës, edhe Opozita shqiptare, duhet të ishte në “punë”, për të dëshmuar, që ashtu si edhe “deklaron”, situata ka nevojë për një “korrigjim”, sa më të shpejtë…

Nga ana tjetër, KM-ja, mban gjithmonë një “sy shkelur”, ndaj “enturazhit ekonomik” të Opozitës, apo le të themi me delikatesë: “ndaj lobistëve të saj”, të cilët, nga “Tepsia” e pushtetit, me kujdesin e drejtpërdrejtë të KM-së, marrin gjithmonë e më shpesh, lehtësira, favore apo “llokma bakllavaje”, leje ndërtimi apo liçensa special, për ushtrimin e “biznesit” të tyre.

Ndërkohë që këtë vjeshtë, do të kemi një spektakël mediatik proqeveritar të paparë dhe për këtë KM-ja, ka marrë të gjitha masat e duhura në mënyrë të përsosur, me njërën dorë te shkopi dhe me tjetrën te arrat, te lejet e ndërtimit, te liçensat, te llokmat e bakllavasë nga “tepsia” e pushtetit, të cilën si edhe donte e ka të gjithën përpara, në tryezën e vet të punës. “Ciao Rumania!” Në Shqipëri kemi det të bukur dhe opozitarët heqin spinën… Ndërsa mediat do të fillojnë e të këndojnë: “Marsh o KM, edhe nga ditët tona!”…

“Pushimet e opozitës me fjalët të lagura me ujin e kripur të detit, nuk ndezin, KM-ja me një ‘sy shkelur’ ndaj dobësive të saj Read More »

‘Le ta mirëpresim Ritvanin, jemi të gjithë nga pak si ai!’

Nga Arli Minga

Nuk kam dashur në fakt, të ndaj mendimin tim për ngjarjen e rëndë të fshatit Resulaj të Selenicës, por kur shoh se papritur kemi një reaksionin të shtrirë në mendjet dhe zemrën e cdokujt, i cili rreket të japë zgjidhjen e vet, ku cdokush po rreket të ngrejë një kauzë, është e pandershme që të mos ta ndaj mendimin tim me të gjithë.

Kam guximin të pyes këdo që i qenka “prishur” gjaku nga plumbat e kobshëm të Ritvanit të mjerë, me cilin moral po i ngrini të ashtuquajturat “kauza”? Me c’moral po bëni moral? Asnjë nga ne nuk e ka moralin për të kërkuar të bëjë drejtësinë, kur ne nuk kemi tentuar të jemi të drejtë dhe guxoj sërish të besoj, se disa ditë pas lebetisë së Resulajt, gjithcka do të tretet në harresën e gjithëkohshme që na ka karakterizuar.

Sigurisht, nuk dua e as nuk po kërkoj të marr rolin e një antikonformisti të neveritshëm, por thjesht dua të ngre zërin për t’i parë gjërat pak më ftohtë, me një sens të mprehtë realizmi, dhe jo më kot e bëj sot, atëherë gjaku ynë nuk po “zien” nga masakra e Resulajt.

Do të ishte e dhimbshme, do të ishte c’njerëzore, do të ishte e pafre në qoftë se ndonjërit prej nesh nuk do t’i ndizej një zjarr për të bërë drejtësi për ato jetë të marra në atë mënyrë, me atë lebeti që panë në castin e fundit ata fëmijë të pafajshëm, ata prindër që kishin thurur ëndrra për fëmijët, e ata gjyshër që nuk i “ngrysën” ditët e fundit në qetësinë që fati do duhej të kishte rezervuar. Por a është e drejtë mënyra se si ne të gjithë kërkuam drejtësi?! Unë mendoj që jo.

Pse jo? Sepse nuk është e drejtë të bësh drejtësi duke patur alibi një ngjarje të tillë. Pak apo shumë, ne jemi të gjithë fajtorë për masakrën e Resulajt, për jetët e humbura, por edhe për Ritvan ditëziun, apo shumë e shumë “ritvanë” të tjerë që kanë qenë e kanë ikur, që janë e do të vijnë, apo vet ne “ritvanët” modernë, që kurrë nuk mendojmë për shkaqet, por “turremi” të mbledhim copëzat e pasojës.

Ju ftoj të reflektojmë pakëz mbi veprimet tona të përditshme. Detajet në të cilat djalli është fshehur gjithmonë, aty ku syri nuk depërton lehtë, pasi injorimin ndaj realitetit ne e kemi sindromë të avancuar, e medoemos syri nuk mund të kapë ato detaje.

Kur ka qenë hera e fundit që si prindër u kemi thënë fëmijëve se kush është më i dobët ka nevojë për një dorë të ngrihet? Dyshoj të ketë patur një herë të fundit, sepse në të vertetë nuk ka patur asnjë herë të parë. Madje prindërit bëhen aq diskriminues nga “adhurimi” që kanë për fëmijën e tyre, sa u thonë fëmijëve që më të dobëtit t’i injorojnë, t’i diskriminojnë, t’i mënjanojnë, t’i fyejnë, sepse ata (të dobtit) nuk i përgjigjen nivelit të hamendësuar që prindërit vizatojnë në kokë për fëmijët e tyre.

Kur ka qenë hera e fundit kur ne vet kemi ndihmuar dikë me cfarë kemi patur mundësi, dikë të panjohur, të dobët, në nevojë? Logjika do të qëndronte e njëjtë në mungesë të herës së parë. Sepse ne nuk kemi kohë, oh sa të zënë jemi me hallet tona, të dehur mes të mirash, në ekstazë për të arritur “qiej” të tjerë, pa menduar aspak se atje poshtë ka një botë që lëngon.

Kur ka qenë hera e fundit që mësuesit e këtij vendi fatkeq të kenë menduar të ndihmojnë një fëmijë, një nxënës problematik, me zemrën plot, pa obligimin që ushtron detyra në ndërgjegjen e tyre profesionale, por me ndërgjegjen e pastër kristal të njerëzores? Logjika qëndron prapë e njëjtë, sepse hera e parë nuk ka ndodhur.

Kur ka qenë hera e fundit që vëmendja ndaj fshatit ka qenë e mirëfilltë? Asnjëherë! Instutucionet arsimore, por dhe të cilitdo lloji në fshatra janë “ku thërret qameti”. Po duke mos garantuar një edukim të shëndetshëm për brezat, nuk mund të presësh nga brezat një rezultat më të mirë se fara që ke mbjellë.

E pra, i dashur populli im, ne nuk mund të “klithnim” për vdekje kur shumë pak përpara, ishin humbur 8 jetë. Ne nuk mund të dënonim pa kurrfarë mase një viktimë, që shkaktoi viktima. I dashur populli im, ne jemi vrasës të heshur përditë, ne vrasim pa kallashnikov përditë, ne nuk japim jetë shumë shpesh duke përjashtuar shumimin. Ne e kemi thellë në instikt eleminimin e më të dobtit, por mos harroni: sic ne evolojmë mënyrat tona në shfarosjen e më të dobtëve, ashtu evolon dhe i dobti mënyrat e veta për të na bërë ballë. Në rastin tonë mori kallashnikovin dhe vrau 8 prej nesh.

Moralin njerëzor e kemi përtokë. Atë institucional e kami fare pa moral. Për të reflektuar nuk bëhet fjalë. Atëherë, le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë mish i huaj, ata janë thjesht produkt i keq i shoqërisë sonë që i ka luftuar vlerat deri në rrënjë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”! Fundja i kemi në shtëpi, në shkollë, në punë, kudo ku ne injorojmë sensin njerëzor që aq shumë kemi dashur ta mbrojmë ndër mijëvjecar, që aq shume e kemi adhuruar në rreshtat e letërsisë, që aq shume e propagandojmë e që me aq qetësi e vrasim ngadalë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë aspak më të ndryshëm nga ne, jemi të gjithë nga pak si Ritvani, edhe unë…

‘Le ta mirëpresim Ritvanin, jemi të gjithë nga pak si ai!’ Read More »

Përtesa popullore!

NGA DENIS DYRNJAJA

Aq e dëshpëruese është gjendja e reagimit publik në këtë vend sa tani doli teza që qeverinë duhet te vijnë e ta rrëzojnë, emigrantët tanë. Kjo ide u përhap pasi një foto e protestuesve rumunë bëri xhiron e saj në Facebook me një pankartë ku shkruhej “Ne nuk jemi Shqipëria” dhe njerëzit e bënin pa ndalim share edhe pse dukej qartë që foto nuk ishte koherente, pasi njerëzit në protestën rumune shfaqeshin me kapuçë, shalle e pallto në kohë dimri. Por vërtetësia e fotos është një çështje periferike. I rëndësishëm është mesazhi i fotos. Ajo që bën përshtypje është reaksioni që kjo foto krijoi dhe etja për reagim që gjithmonë mbetet një reagim fjalësh në rrjetet sociale, pa veprim real në Shqipëri. Po pse shqiptarët e kanë te vaktë reagimin popullor dhe protestën?!

Faktori kryesor është mungesa e kulturës së protestës që nuk u krijua dhe zhvillua siç duhet në një vend demokratik. Protesta është njëri nga elementët bazik të reagimit në demokraci, por demokracia nuk u vendos dhe ushtrua kurrë siç do të duhej me të gjithë elementët e saj ku mes të tjerash të promovohej, kultivohej dhe zhvillohej kultura e protestës. Ajo është shëndeti i demokracisë. Protesta ndërgjegjëson individin dhe mban në presion qeverinë në veçanti e shtetin në tërësi për detyrimet që për një pushtet në shërbim të tij, jo në shfrytëzim të tij. Por cilët janë mekanizmat që e vendosin në lëvizje protestën?

Dy prej tyre janë Sindikatat dhe Shoqëria Civile. Asnjëri prej tyre nuk është në rolin e vet natural demokratik. Sindikatat u formuan, ekzistojnë dhe vegjetojnë si shtojca të krahëve politik, pasi prej tyre individët dhe grupet që “i kapën” këto sindikata i përdorën për përfitime dhe axhenda personale. Ato tashmë nuk gëzojnë as besimin më minimal publik, ndërkohë që thuajse janë inekzistente si forma në organizimin strukturor të ndërmarrjeve shtetërore apo sipërmarrjeve private. Një situatë e ngjashme shfaqet edhe mes Organizatave Joqeveritare (OJQ).

Janë me dhjetëra e qindra me emra shumëllojesh por fantazma në aktivitetin real publik dhe mision ndërgjegjësues. Një burim tjetër reagimi janë studentët. Edhe ata janë në një letargji shumëvjeçare përjashto grupime shumë të vogla që reagojnë, por që janë të pafuqishme për të krijuar vorbulla dhe presion të fortë për kauzat apo problematikat shqetësuese që burojnë nga keqqeverisja ose ushtrimi arrogant i pushtetit ndër vite. Pra në mendësinë publike është krijuar idea që duhet protestuar, por protestën ta bëjnë të tjerët dhe meqë të tjerët nuk gjenden këtu brenda vendit, tani na erdhi një ide nga rumunët që shpresa e protestës, organizimi dhe vetë protesta të organizohet nga emigrantët. Dhe për këtë shërbeu një foto e supozuar nga një protestë antiqeveritare e emigrantëve romunë ku shkruhej “Ne nuk jemi Shqipëria”.

Një popull që pret që gjërat t’i ndryshojnë të tjerët për të është i destinuar të keqpërdoret dhe nëpërkëmbet. Ndaj politika ka bërë ç’i ka dashur qejfi këto 28 vjet sepse ky popull pret dhe pret, pret që dikush të protestojë për të, të revoltohet dhe të kërkojë të drejtat në emër të tij. Dhe derisa të gjendet politika do të bëjë ç’i ka qejfi sepse është vetë zot e vetë shkop, me një popull që është edhe shurdh edhe miop.

Përtesa popullore! Read More »

“Papërgjegjësi e paparë, s’di se çfarë do ndodhë”, analisti: Klasa politike i ka hipur kalit, sheh interesin e vet

Vala e protestave që ka përfshirë Rumaninë ditët e fundit nuk mund të mendohet të ndodhë edhe në Shqipëri, pasi atje rol thelbësor kanë luajtur emigrantët rumunë. Në gjykimin e analisitit Fatos Lubonja, diaspora shqiptare nuk mund të bëjë këtë rol, aq më pak një protestë apo revoltë.

“Emigrantët tanë janë më shumë me qeverinë. Nëse do ishin të përfshirë në jetën e vendit si janë këta (rumunët), atëherë do ishte e rëndësishme se krahasimi do ishte motivues. Njerëz që jetojnë atje (jashtë vendit) s’do duronin që jeta këtu të ishte kështu siç është. Por, duhet të ishin më të pranishëm, më të informuar. Por në nivelin që janë, s’besoj se ndikojnë në jetën politike. S’mund të sillnin ndryshimin, e aq më pak një revoltë”.

“Te ne vëmë re një prirje për të ikur, kurse atje nuk i kanë këputur urat, por është edhe një ndjenjë e përkatësisë. Edhe shqiptarët e kanë, por ne më shumë na bashkon Skënderbeu dhe Kombëtarja dhe jo problemet. Diaspora merret me shumë për të treguar: shiko sa të mirë jemi ne je shqiptarët”, thotë Lubonja.

Ai hedh akuza edhe ndaj klasës politike në Shqipëri: “Ne kemi një klasë politike që i kanë hipur kalit dhe shikon secili interesin e vete. Sikur i dalë turpi fare. Shkojnë interesat e tyre dhe s’duan t’ia dinë se po vuan populli. Një papërgjegjësi e paparë. Nuk e di se çfarë do ndodhë”.

“Papërgjegjësi e paparë, s’di se çfarë do ndodhë”, analisti: Klasa politike i ka hipur kalit, sheh interesin e vet Read More »

Plazhi në Shqipëri: Fara dhe celularë. Ose silikon dhe misra të pjekur

Nga Edlira Gjoni

Do ishte mirë të postohej për fluksin e makinave që më në fund u rrit në Jug, qoftë edhe për dy ditë të vetme; apo për larminë e gjuhëve e karaktereve në breg; apo për zonjën në plazh me buzët me silikon, por ama misrin e pjekur e blen sa herë kalon tregtari ambulant (pa kupon). Apo për zotërinë me zë të butë që kalon poshtë çadrave me një mal me libra e fton me mirësjellje “Letërsi e zgjedhur. Merrni librat e autorëve klasikë”. Mallrat e tij janë më pak të shiturat. Ambulantët e fiqve, misrave, topave, komerdareve, letrave e lojërave ndalin shpesh e malli u fluturon. Ama askush nuk i konkuron dot tregëtarët e farave. Ata mbajnë kampion.

Fara të pjekura, të papjekura, të paketuara, të kaushuara me shumicë nëpër çadra. Fara dhe celularë. Ose silikon dhe misra të pjekur. Vetëm librat nuk i blen pothuajse askush. Zotëria rikthehet duke mezi-mbajtur në krahë togun e rëndë me Balzakun, Mopasanin, Floberin, De Amicis, Eccon, Pamukun. Farat fluturojnë. Librat jo! Aty, duke e bërë ujë në djersë nga rëndesa zotërinë që mundohet të shesë pakëz kulturë! Do ishte mirë të shkruhej gjatë për këto. Por dhe farat u sfiduan. Del një koment që i përmbys të gjitha “shqetësimet” ­e të hënës paradite buzë detit në Jugun e Shqipërisë. Kryeministri i vendit më në fund reagon për ngjarjen e Selenicës. “Epo shyqyr” – mendon njeriu.

Dhe lexon reagimin, që na qenka thjesht përgjigje e një komenti kritik në Facebook, ku kryeministri thënka: “Në hënë jeton ti? Ngjarje të tilla ndodhin në gjithë botën. Nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë” ….Me kaq, qetësohet shqiptari pushues dhe vazhdon i qetë të blejë fara. Se tek e fundit, asgjë që ndodh përreth çadrës së tyre, jetës së tyre, vdekjes masive, nuk ka lidhje me qeverinë. As ngushëllimet madje nuk janë të nevojshme.

I nxehtë Gushti i Shqipërisë!

Plazhi në Shqipëri: Fara dhe celularë. Ose silikon dhe misra të pjekur Read More »