Opinione

Amerika i shpëtoi dy herë shqiptarët, rradha të shpërthejë faktet kundër korrupsionit kryeministror Berisha- Rama-Meta

Nga Spartak Ngjela

Shqiptarët janë në një cak historik shumë të rëndësishëm të historisë kombëtare. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, madje, edhe në Greqi. Caku historik është bashkimi kombëtar. Janë fuqitë e mëdha, përkatësisht politika amerikane, që duan shqiptarët dhe jo, as sllavët e as grekët, për politikën e re në Ballkanin Perëndimor. Në të gjithë këtë involvim të madh politik, gjithçka varet nga politika në Tiranë. Dhe pikërisht për këtë arsye, likuidimi i klasës së korruptuar politike, është një kusht historik i zhvillimit perëndimor të Shqipërisë.

Por shqiptarët drejtohen në Tiranë nga njerëz sa të paaftë, edhe të korruptuar. Vobegtësia mendore, i ka çuar këta në pasion korruptiv – edhe Berishën, edhe Ramën edhe Metën. Që të tre kanë taborret e tyre të vjedhësve dhe dëshirën për destabilizim të Shqipërisë. Koha e ka sjellë që, që të tre, duhet të likudohen nga Reforma në Drejtësi. Kjo treshe përfaqëson korrupsionin kryeministror shqiptar, por tani e ka humbur mundësinë e sundimit mbi shqiptarët. Të tre janë nën rrezikun e ndëshkimit penal dhe konfiskimit të pasurisë që kanë vënë me anë të korrupsionit. Por, si kundërveprim, këta e shohin destabilizimin e Shqipërisë si të vetmen mundësi të shpëtimit të tyre edhe nga goditja penale, por edhe të shpëtimit si të pacenuar të pasurisë së grabitur me forcën e shtetit shqiptar që kanë drejtuar. Destabilizimi i Shqipërisë sot është vërtetësisht një pamundësi absolute.

Por pyetja që ngrihet këtu është kjo: si ka mundësi që duke pasur edhe kryeministrin aktual me vete, hordhitë Berisha-Meta nuk mund ta bëjnë dot destabilizimin shoqëror në Shqipëri? Sepse, në sferën e maxhorancës dhe të qeverisjes, politika amerikane e ka në krah substancën politike të fortë të maxhorancës socialiste. Por, është ndërkaq edhe kontrolli i plotë i gjendjes shqiptare nga ndërkombëtarët. Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe ndërkohë është e synuar nga Rusia dhe Turqia, nëpërmes korrupsionit kryeministror shqiptar. Si pasojë, kontrolli dhe vëmendja amerikane është e plotë në Shqipëri. Në këtë ndërkohë ajo i ka kapur edhe lidhjet e Berishës dhe Bashës në Moskën, por edhe lidhjet infantile të Ramës më presidentin turk që po pritet të rrëzohet.

Të gjitha këto, në politikën që po luhet brenda Shqipërisë, vinë dhe përqëndrohen vetëm në një pikë – te Reforma në Drejtësi. E gjithë vëmendja ndërkombëtare, me anë të politikës amerikane, është e përqëndruar te ecuria e Reformës në Drejtësi, sepse kjo i zgjidh të gjitha. Kryesorja është likuidimi i të gjithë klasës së korruptuar në Tiranë. Kjo klasë politike tani është kundër shqiptarëve dhe luan për mbytjen e çështjes shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Saliu në jerm po bërtet për revolucion, kurse amerikanët që ia dinë hallin, po qeshin me të. Kjo sepse politika shqiptare për Shqipërinë tani ka hyrë në një spirale globale, dhe ky globalizëm është kundër korrupsionit shqiptar. Por kaq naivë dhe të paaftë janë këta hajdutët tanë që nuk po duan ta kuptojnë që kundër tyre nuk janë vetëm shqiptarët, por është e gjithë politika globaliste perëndimore!

Si mund të punojë politika globaliste perëndimore, me këtë orientim mesjetar që ka sot në Tiranë elita e korruptuar politikë! Sigurisht që kjo elitë duhet likuiduar. Shqiptarët e kishin të pamundur që t’i likuidonin vetë. Atëherë doli në pahun politik të kohës Reforma në Drejtësi dhe forca e politikës amerikane që po e drejton atë. Tani gjithçka që duhej është marrë. Ka mbetur vetëm likuidimi i korrupsionit kryeministror shqiptar: Berisha, Rama, Meta, i cili sigurisht që do të vijë pas likuidimit të të gjithë pushtetit gjyqësor të kurruptuar, i cili ka filluar të shkatërrohet me ritëm të shpejtë nga Organi Ndërkombëtar i Monitorimit.

Në të vërtetë, në funksion të faktit historik që përmbledh shtetin shqiptar në njëqind vjet, konstatohet se gjithçka bllokuese, tiranike dhe abuzuese që ka ardhur nga drejtimi i shtetit shqiptar, është rrjedhojë direkte e padrejtësisë. Shteti shqiptar, që kur u formua e deri më sot, nuk ka pasur mundësi që të vendosë drejtësinë shoqërorë, sepse ka qenë nën sundimin e individëve abuzues, tiranë, hajdutë dhe injorantë. Varfëria shqiptare dhe mungesa e qytetërimit në shoqërinë shqiptare, është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e abuzimit dhe sundimit tiranik shtetëror njëqindvjeçar. Shqiptarët nuk e ndërtuan dot shtetin e drejtë, prandaj, pas përmbysjes së komunizmit, si pasojë e korrupsionit kryeministror të ushqyer politikisht nga Beogradi dhe nga Athina, po shkonin drejt shpërbërjes së tyre si komb.

Ishte forca amerikane që i shpëtoi shqiptarët dy herë në njëzet vjetët e fundit, edhe në vitin 1997, edhe në vitin 1999. Madje, kur të dalin në pah faktet kundër Berishës, do të shihet nga të gjithë që, në vitin 1997, po të mos kishte shpërthyer “ashpërsia patriotike vlonjate”, gjendja e Shqipërisë do të kishte shkuar drejt mjerimit antikombëtar, dhe po kështu, në të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Sot është e njëjta gjendje për kërkesën e korrupsionit kryeministror shqiptat: Berisha- Rama-Meta, po tani forca amerikane është prezente, dhe të tre këta janë jashtë mundësisë të destabilizimit që po kërkojnë.

Politika amerikanë e ka vënë korrupsionin kryeministror shqiptar nën një morsë shtrënguese nga e cila nuk del dot: nëpërmjet Reformës në Drejtësi, dhe nëpërmjet ekspozimit paraqitës të fakteve realë diskredituesë kundër liderëve të korrupruar në Tiranë. Të dy këta ingredientë të kohës së sotme politike në Shqipëri, përfaqësojnë risinë historike për bashkimin kombëtar të të gjithë etnisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Amerika i shpëtoi dy herë shqiptarët, rradha të shpërthejë faktet kundër korrupsionit kryeministror Berisha- Rama-Meta Read More »

Pak ditë pas ngjarjes në Selenicë, pedagogu bën propozimin që nuk ua kishte marrë mendja. Ai thotë se…

Kasaphana që ndodhi në Selenicë ka nevojë për reflektim të të gjithë shoqërisë. Pavarësisht specifikave të ngjarjeve makabër, ato kanë mjaft të përbashkëta. Shoqëria në mënyrë konstante po kalon dhe po krijon gjendje depresive. Të gjitha ngjarjet përgjatë këtyre 25 viteve kanë të përbashkët mungesën e pjesës sociale të këtyre individëve.

Individët nuk arrijnë ekuilibrat e mjaftueshëm socialë dhe ata emocionalë për të marrë vendimet dhe veprimet e caktuara, shprehet profesori i njohur i psikologjisë sociale. Ata nuk arrijnë pjekurinë e nevojshme sociale dhe emocionale ..e kanë të vështirë të orientojnë emocionet e veta, dëshirat, pasionet, instinktet, agresivitetin, sepse ju ka munguar pjesa sociale, ajo që kontrollon përgjegjësinë e çdo individi.

Kështu që tipa të tillë, që janë të izoluar, të vetizoluar, që jetojnë kryesisht me veten dhe jo me të tjerët, janë të predispozuar të kryejnë veprime antisociale. Shoqëria është një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit mendor të individit… Ndoshta sociologu e ka fjalën për një shoqëri të organizuar dhe jo për shoqërinë tonë kaotike, ku shteti nuk ka arritur të kryejë asnjë rol në ndërgjegjësimin e saj. Në këtë kontekst, qëllimi i këtij shkrimi është për të debatuar rreth idesë së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Përse shërbimi i detyrueshëm ushtarak? Vendi i vetëm dhe koha më e mirë ku individi mund të marrë aftësitë për t’u bërë dhe ndjerë pjesë e komunitetit është shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Sigurisht për çfarë përmendet më lart është më pak çështje ushtarake… Por ndërkohë që roli i familjes po dobësohet gjithnjë e më tepër, ai i shkollës po sulmohet nga gjendja virusale e përgjithshme e shoqërisë, e shtetit që edhe pas 25 vitesh nuk ka arritur të qartësojë raportet e tij me individin dhe shoqërinë atëherë kaosi është i vetmi faktor që është prezent në gjithë rritjen dhe formimin e një individi.

Ku po shkojmë e çfarë duhet të bëjmë? Nuk ka receta por mund të mësojmë nga përvoja dhe nga të tjerët. Janë kushtet kur shërbimi ushtarak më së paku, por jo vetëm, mund të rekomandohet si një preventiv afatgjatë në problemin që po diskutojmë. Është si një antidote që mund t’i vijë në ndihmë shoqërisë, që tashmë duket e helmuar që në qelizë. Të tjerë më parë janë shprehur se në një vend ku nuk ekziston asnjë institucion formal apo joformal i shoqërizimit, përveç stadiumeve të futbollit, shërbimi i detyrueshëm është i vetmi institucion që mund të vendosë qytetarët e vet në mënyrë të barabartë përballë të njëjtës ndjenjë përgjegjësie.

Të rinj/të reja, që vijnë që nga shtresa super të pasura deri në ato ekstremisht të varfra mund të jenë në një vend e në një kohë ku të ndihen të barabartë përballë një përgjegjësie më të madhe seç përfaqësojnë veç e veç. Të ndjerët të barabartë do t’i sensibilizojë edhe më shumë se kur ndjekin një ndeshje të kombëtares.

Shërbimi ushtarak ju jep mundësi të sfidohen dhe të sensibilizohen përballë të njëjtës përgjegjësi, që është më e madhe se individët, më thellë se besimet, më shumë se kulturat, apo të barabartë me sakrificën. Nuk është vetëm ajo që do të ndjejnë , por më tepër ajo që individët dhe shoqëria përfiton e në këto kushte, shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër, në ndjenjën dhe sjelljen sociale të individit në një shoqëri të dërrmuar në të gjitha nivelet e vlerave të saj.

Në ditët e sotme asnjë institucion tjetër, veç ushtrisë nuk mund ta zhvilloj këtë proces. Ajo ka aftësinë, kapacitetet dhe eksperiencën për ta kryer ketë detyrim. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak mundëson që njerëzit të ndihen së bashku, sidomos kur përballen me sfida apo kërcënime të identitetit, me ndarje kulturore apo religjioze, politike apo ideologjike, nga çfarëdo lloj drejtimi, që mund të veprojë. Ai ua mundëson të rinjve për të mësuar dhe trajnuar së bashku, duke mundësuar që të ndajnë eksperienca të përbashkëta. Më tej, ndihmon të kuptuarit e përgjithshëm për jetesën, vështirësinë dhe përgjegjësinë, që thuajse është e nevojshme për çdo lloj angazhimi të mëvonshëm. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk nxit nacionalizmin, por ndërgjegjëson qytetarët e vet për konceptin real të kombit dhe përgjegjësinë e secilit për vendin tënd.

A ndihmon shërbimi ushtarak në këtë model shoqërie? – Shërbimi ushtarak ofron përvoja të paçmueshme për çdo individ. Ai është një ndryshim i rëndësishëm nga përvojat e mëparshme për të rinjtë/të rejat; një ndryshim në perspektivë që mund t’i ndihmojë ata të shohin të ardhmen në një nivel tjetër nga ai spontan, të frymëzojë ata që të jenë më serioz, të përballen me probleme duke respektuar veten dhe të tjerët, dhe të nxisë një ndjenjë më të madhe të interesit, por edhe përgjegjësisë qytetare. Për të rinjtë (por jo vetëm) shërbimi i detyrueshëm kthehet në një benefit që prodhon cilësi të rëndësishme për shoqërinë, po aq të dukshme sa edhe të karakterit të individit.

Dhe vërtet, gjatë shërbimit të detyrueshëm , të rinjve iu mësohet jo vetëm respektimi i autoritetit, i vetëdisiplinës, të sjellurit dhe punuarit në grup, por edhe aftësi të tjera, të përballjes me problemin dhe vështirësinë, aftësi menaxhuese apo drejtuese, cilësi këto për të cilat shërbimi i detyrueshëm është unik. Në të kundërt, mungesa e tyre, edhe siç po provohet dita-ditës, po kthehet në një fenomen virusal.

Shërbimi ushtarak nxit ndjenjën e ndërgjegjes kolektive qytetare, një fenomen i dërrmuar aq rëndë nga ndasitë politike, kulturore, religjioze, të origjinës apo të vendlindjes. Shoqëria jonë gjithmonë e më tepër po demonstron frikshëm ndarjet dhe dallimet sociale. Asnjë strukturë institucionale nuk përballet me fenomenin. Shërbimi i detyrueshëm është një ambient ku mundësohet që dallimet të shkrihen dhe unifikohen.

Shërbimi ushtarak është një terren i të gjithëve, të atyre që vijnë nga shtëpitë e pasura dhe të varfra, nga grupe religjioze të ndryshme e me praktikë në besime fetare, por edhe laike, me ngjyra të ndryshme të lëkurës, të zgjuar, apo edhe të ngadalshëm, me aftësi të kufizuara, por edhe të shëndetshme, të guximshëm dhe hezitues. Shërbimi i nxit të gjithë brenda një procesi më të njëjtin standard, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë, duke i vendosur nën të njëjtat kërkesa dhe duke iu besuar të njëjtat përgjegjësi të mëdha, pavarësisht nga besimi, përkatësia, gjendja sociale apo etiketat e përkatësive të tjera.

A ka NATO, apo BE standard për modelin e shërbimit ushtarak? – JO. Ideja e heqjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak mori për bazë veç të tjerash edhe ‘rekomandimet’ e NATO-s. Kjo nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë. Vendet anëtare të NATO-s apo BE aplikojnë modele, që përcaktohen tërësisht në referenca kombëtare.

Nuk ka kërkesë standarde të NATO-s apo BE, që përcaktojnë modelin e shërbimit. Danimarka, Norvegjia, Greqia, Turqia e anëtarë të tjerë në NATO zbatojnë modelin e shërbimit të detyrueshëm. Franca dhe Gjermania shumë shpejt do të aplikojnë shërbimin e detyrueshëm. Edhe vende të tjera europiane, jo anëtare të NATO-s, Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra etj., zbatojnë shërbimin e detyrueshëm.

Nga Kristaq Xharo

*Kristaq Xharo ka titullin ‘Profesor’ dhe është pedagog për Çështjet e Sigurisë në UET

Pak ditë pas ngjarjes në Selenicë, pedagogu bën propozimin që nuk ua kishte marrë mendja. Ai thotë se… Read More »

Ish ministri mbrojtjes: Berisha i vetmi që s’duhet të flasë për Kosovën, tradhtar i kombit e shërbëtor i serbëve

I vetmi person që nuk duhet të flasë për çështjen e Kosovës është Sali Berisha. Kështu shprehet ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj teksa ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend dhe jo vetëm. Ndërsa ka folur në një interviste për gazetën “Sot”, ish-numri një i Ministrisë së Mbrojtjes vuri në dukje faktin se Berisha jo vetëm që është tradhtar i kombit shqiptar, por edhe një shërbëtor besnik i serbëve.

Duke u ndalur tek vendimi i NATO për të ndërtuar një bazë të saj në Kuçovë, Brokaj deklaroi se ky investim do forcojë rolin e Shqipërisë në rajon dhe se vendi jonë do të jetë më i sigurtë nga ndërtimi i kësaj vepre të aleancës.
Sa i takon akuzave të prokurorisë në adresë të ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, të cilët për pasojë sollën edhe vënien në sekuestro të pasurive të tij, Brokaj jovetëm që përshëndeti vendimin e gjykatës, por deklaroi se ish-numri një i akuzës duhet të arrestohet.

Z. Brokaj, NATO ka vendosur të ngrejë një bazë të saj në Kuçovë. Ju si ish-ministri i Mbrojtjes si e shihni këtë investim dhe çfarë përfitimesh do të ketë Shqipëria?
Investimi i NATO-s: në Kuçovë është një investim ushtarak i madh dhe tejet strategjik. Vjen në përputhje edhe që ne jemi anëtar i kësaj aleance dhe jo vetëm që është normale, por edhe korrekte. Pra vendet anëtare domosdoshmërisht dhe natyrisht kanë detyrimet e tyre, kështu që investimi në Shqipëri forcon imazhin e vendit tonë. Nga ana tjetër, që të hyj në temë të pyetjes për mendimin tim, ne si vend kemi përfitime.

Mirëpo, në optikën time unë nuk shikoj përfitime ato miliona dollarë që thonë, por shikoj përftimin që në kushtet kur Shqipëria me kapacitetet e mbrojtjes është shumë dobët, ky investim përbën elementë jetikë për sigurinë e vendit tonë. Kështu që në këtë pikëpamje investimi i NATO në Kuçovë është një investim i madh dhe shumë, madje shumë i rëndësishëm në aspektin strategjik. Madje, mendoj se tanimë që është vendosur që NATO do të ketë një bazë në Shqipëri, vendi jonë do të ketë një influencë të fortë duke u bërë kësisoj lider në rajon.

Investimi i NATO në Kuçovë ka lidhje me ndikimin rus në Ballkan, apo NATO kërkon të faktorizojë rolin shqiptar në rajon?
Për mendimin tim NATO nuk është se ka interes vetëm tek Shqipëria, ku përmes kësaj baze kërkon të faktorizojë rolin e Shqipërisë në Ballkan. Por mendoj se ky investim është i lidhur fort me planet gjeo-strategjike që ka NATO. Dhe natyrisht në këtë aspekt ne përfitojmë nga ky fakt. Pra NATO shikon në tërësi dhe shumë më gjerë nga çfarë mendojmë ne.

NATO nuk është se ka bërë një bazë për shqiptarët por për gjithë aleancën në rajonin ku ndodhet vendi jonë. Nga ana tjetër, ne si vend kemi interes pasi duke mos patur shumë kapacitete mbrojtjeje përmes kësaj baze do të ndihemi më të fortë, më të mbrojtur dhe më komod përballë çdo lloj kërcënimi. Ndërkohë që sa i takon ndikimit rus dhe ideve të hedhura se ky investim ka lidhje me këtë shkaka, është në të drejtën e cilitdo që të thotë se sa na faktorizon apo jo. Kështu që NATO shikon në planin strategjik që të ketë një bazë në hapësirën e Ballkanit dhe vendosi që të zgjedhë Shqipërinë për disa arsye.

Mos harrojmë që Shqipëria është një vend i sigurtë. Dhe duke qënë se është një popull 100% pro NATO dhe pro Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, domethënë më shumë se gjithë të tjerët pro NATO dhe Amerikës, janë këto elementët që e përcaktojnë qartë se përse NATO zgjodhi Shqipërinë për të investuar. Po ashtu, një tjetër arsye se përse NATO zgjodhi Shqipërinë për të investuar është edhe pozicioni jonë strategjik, siç është siguria e bazës. Megjithë, Shqipëria nuk diskutohet që e ka përfitimin e vetë nga ky investim, siç është ai në aspektin e sigurisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hedhur idenë e korrigjimit të kufijve. Keni ndonjë koment për këtë dhe a duket një lëvizje e zgjuar?
Mendoj se teza e artikuluar nga presidenti Thaçi është vetëm gjysma e problemit dhe se nuk është thënë i tërë problemi. Kështu që të nxitohesh dhe të thuash mendimet, është e parakohshme. Thaçi ka thënë që do të bashkohet krahina e Preshevës. Por nuk ka thënë më tej se çfarë do të bëhet. Mendoj se nuk ka korrigjim kufijsh në favor të një vendi, pa dhënë pjesën tënde ti, të atij vendit tjetër.

Pra, Thaçi ka thënë vetëm njërën anë. Natyrisht që dëshira e popullit të Preshevës, ma merr mendja edhe të gjithë shqiptarëve, që të bashkohen gjithë ato copa që janë lënë andej-këtej nga konferenca e Londrës është një dëshirë e madhe kuptohet. Por ama se çfarë do të bëhet më tej, ka të bëjë me faktin se pjesën tjetër nuk e ka thënë Thaçi. Kështu që kur Presidenti kosovar do të thotë pjesën tjetër, atëherë unë apo ne do të kemi mendimin e plotë dhe do të japin një opinion definitiv.

Ndër të parët që ka dalë kundër Thaçit është Sali Berisha. Si i shihni reagimet e tij?
Ish-kryeministrin Sali Berisha nuk e llogaris, pasi ai njihet si tradhtari më i madh i shqiptarëve. Berisha ka provuar që ka dhënë territore, madje këto territore që ia ka kafshuar Shqipërisë i ka firmosur, siç është hapësira detare, etj. Kështu që t’i dalësh kundër Thaçit, në një kohë kur ky i fundit nuk ka dhënë asgjë akoma, më duket si hipokrizi dhe arrogancë histerike nga ana e Saliut.

Jo vetëm unë por gjithë Shqipëria, madje gjithë diaspora dhe bota e dinë se lojtari i kujt është Sali Berisha. Berisha është një beniamin dhe shërbëtor besnik serb. Berisha e ka provuar dhe dokumentuar tradhtinë në çdo aspekt, duke i bërë shumë të këqija vendit të tij. Pra, për Thaçin kritikët e kanë hipotezë kritikat për të. Ndërsa Berisha natyrisht duhet të merrte dënimin sipas ligjeve për të këqijat që ka bërë, që natyrisht i dinë gjithë shqiptarët.

Prokuroria pak ditë më parë vuri në sekuestro pasurinë e ish-kryeprokurorit Llalla. A mendoni se po afrojnë arrestimet në nivele të larta?
Veprimi i prokurorisë sa i takon sekuestrove të pasurive të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është veprimi më korrekt që mund të bëhet ndaj mafiozëve të tipit Llalla. Zgjedhja e Adriatik Llallës në krye të institucionit të akuzës ishte një turp i madh për kombin, pasi ai gjatë pesë viteve si drejtues i akuzës, nuk bëri asgjë, por fjeti mbi dosjet dhe bënte qoka. Kështu që të hyj në brendi të pyetjes suaj, veprimi i prokurorisë siç është sekuestrimi i pasurisë së Llallës, është shumë më adap, madje më i drejtë se vetë hekurat e burgut. Edhe pse për mendimin tim Llalla duhet të shkojë në burg.

Ky moment siç është vënia nën sekuestro e pasurive të ish-kryeprokurorit, tregon se në Shqipëri po fryn një erë e re ndryshimi, ku drejtësia më në fund po flet në mënyrë racionale dhe objektive dhe a epa ndikuar nga presionet politike dhe jovetëm. Ky është një tregues i seriozitetit në të cilën ka hyrë drejtësia e re në Shqipëri, sidomos tani pasi ka nisur edhe procesi i vetingut. Më në fund falë reformës në drejtësi, shqiptarët po shohin një dritë jeshile në fund të tunelit duke parë një sistem drejtësie të pastër.

A mendoni se nëse bie Adriatik Llalla pas tij mund të shkojnë dhe ata që e kanë emëruar aty?
Mendoj se pas Llallës kohën për tu arrestuar duhet ta kenë edhe gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët e korruptuar. Megjithatë, mendoj se për gjyqtarët dhe prokurorët ka nisur përgatitja, si të thuash është hapur rruga për burgosje. Kjo dhe për faktin se deri më tani kemi parë që shumë gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar, pasi jovetëm që nuk justifikonin pasurinë, por rezultonin sipas hetimeve të vetingut si të lidhur me krimin e organizuar. Ndërsa sa i takon politikanëve që duhet të kalojnë në veting dhe të shkojnë para drejtësisë nëse kanë bërë korrupsion, ne shpresojmë që të ndodhë një gjë e tillë.

Pasi nëse nuk nis vetingu tek politikanët, shoqëruar ky proces edhe me çuarjen para drejtësisë për cilindo që rezulton si i përfshirë në afera, është e kotë që të vijohet me këtë reformë. Në thelb reforma në drejtësi nënkupton pastrimin e drejtësisë nga të korruptuarit por edhe të politikanëve, pasi janë këtë të fundit, ata të cilët kanë ndikuar në emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si rasti Llalla, etj, etj. Kështu që ne shpresojmë dhe është logjike që vetingu në politikë të jetë edhe shumë më i rreptë se vetingu i nisur në sistemin gjyqësor. Ndryshe po nuk u bë veting në politikë, kjo e fundit do të riprodhojë sërish prokurorë si Llalla, apo gjyqtarë si soji i këtyre që zbuloi procesi i rivlerësimit.

Një tjetër çështje është ajo e vrasjes së Azem Hajdarit. Gjyqi ndaj Izet Haxhisë nuk ka nisur akoma. A i tremben gjyqtarët kësaj dosjeje?
Dosja “Hajdari” duhet të zbardhet dhe pavarësisht zvarritjeve artificiale, ka ardhur koha që përgjegjësit që kanë shtrembëruar atë ngjarje të dalin para drejtësisë.

PD e LSI kanë bllokuar ligjin për magjistratët, mendoni se në vjeshtë ndërkombëtarët do i detyrojnë të ndryshojnë qëndrim?
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e jep konsensusin për ligjin për magjistratët, pasi kanë frikë se do tju ikë pushteti dhe impakti që kanë akoma tek gjyqtarët dhe prokurorët. Opozita ka frikë nga reforma në drejtësi, sepse gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kontrollohen prej saj.

Ish ministri mbrojtjes: Berisha i vetmi që s’duhet të flasë për Kosovën, tradhtar i kombit e shërbëtor i serbëve Read More »

Korrigjimi i kufijve me Serbinë/ Albin Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjë pazare me territorin e Kosovës. Përndryshe, Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata.

Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se nuk e pranojnë asnjë marrëveshje që nënshkruhet ndërmjet presidentit të Kosovës dhe të Serbisë, sepse, sipas tij, presidenti Thaçi nuk ka legjitimitet as autorizim nga Kuvendi që ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë.

Lidhur me idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, Albin Kurti tha se korrigjimi i kufijve është shprehje e gabueshme me pasoja të dëmshme.

Korrigjimi i kufijve me Serbinë/ Albin Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata Read More »

Si të ndërtohet një Ballkan më i mirë

Nga James Jay Carafano pjesërisht një dëshirë që luftërat në këtë rajon, të mbeten një gjë e së kaluarës. Po aq e rëndësishme, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, do të jetë ajo e një kontributori të paqes dhe prosperitetit në komunitetin transatlantik.

Ankesat se Shtetet e Bashkuara po heqin dorë nga Europa, dhe janë indiferente ndaj fatit të rajonit, janë thjesht të gabuara. Megjithatë, Uashingtoni mund të bëjë shumë më tepër se të menduarit e dëshiruar, për të transformuar Ballkanin Perëndimor, nga një “fuçi baruti”, në një rajon që rrezaton progres. Në vend se të përfaqësojë fragmentimin dhe ndarjen, rajoni duhet të jetë një shembull i integrimit.

Ndarja e Ballkanit nga kaosi

Pak më shumë se një vit nga tani do të jetë një tjetër përvjetor:20-vjetori i përfundimi të luftës së fundit ballkanike. Ndërsa rajoni nuk ka vuajtur nga një konflikt i hapur gjatë kësaj periudhe, Ballkani Perëndimor mbetet ende një vend i trazuar, shpesh i cituar si pjesa më e brishtë e Europës. “Pothuajse dy dekada pas luftës, kjo nuk është paqe”- pohoi një aktivist i të drejtave të njeriut. “Çështja shqiptare dhe serbe, nuk janë të mbyllura në Ballkan; është Izraeli dhe Palestina e Europës”.

Gjendja aktuale e shteteve të Ballkanit Perëndimor, bën nervozë shumë njerëz. Në një epokë ankthi në të gjithë Europën, nuk është e dobishme nëse pjesët e saj më problematike të fillojnë të lëkunden. Problemet në Ballkan, refuzojnë të zhduken për dy arsye:paratë dhe gjeografia.

Ekonomitë e rajonit, po dëmtojnë pjesën tjetër të Europës.

Lajmi i mire, është se rajoni është destinacioni kryesor për pushime të lira. Lajmi i keq, është se Ballkani është një vend ku me pak para, blihet shumë ndikim. I vendosur ndërmjet Adriatikut dhe Detit të Zi, Ballkani është udhëkryqi midis Veriut dhe Jugut. dhe Lindjes dhe Perëndimit.

Pak pjesë të Europës, kanë një pozitë të tillë.

Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, lojtarët kryesorë përfshijnë Rusinë, Kinën, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë dhe Kinën. Përveç kësaj, fqinjët e afërt të rajonit, duke përfshirë Greqinë, Austrinë dhe Kroacinë, kanë interesat e tyre për të mbrojtur.

Një rëndësi të madhe, ka se si përdoren paratë dhe ndikimi. Ndër shqetësimet kryesore, janë masat aktive nga ana e rusëve për të penguar integrimin në BE, duke penguar zgjerimin e NATO-s, dhe për të siguruar dominimin e fuqisë ruse. E dëmtuar nga ekonomitë e paqëndrueshme dhe ndërhyrjet e jashtme, Ballkani Perëndimor përballet me dy sfida të vazhdueshme.

E para është siguria. E dyta është hapja e vendeve të pakta të punës, dhe krijimi i pasurisë. Në fushën e sigurisë, rajoni jeton nën hijen e vazhdueshme të konflikteve të pazgjidhura, të cilat edhe pse nuk kërcënojnë të përshkallëzohen në luftë të hapur, krijojnë marrëdhënie ndarëse, që minojnë stabilitetin dhe integrimin rajonal.

Shqetësimi kryesor është e ardhmja e Bosnje-Hercegovinës, ndërsa problematike mbetet edhe marrëveshja e statusit përfundimtar të pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dobësia e dytë e madhe e rajonit, është mungesa e zhvillimit ekonomik dhe integrimit.

Për më tepër, pabarazitë në rajon janë shqetësuese. Ekonomikisht, Serbia po i tejkalon fqinjët e saj në ecurinë ekonomike. Kjo krijon disbalanca, që mund të destabilizojnë më tej rajonin. Ndikimet kundërvepruese për të adresuar këto sfida janë zbehur, ndërsa kërcënimet janë zvogëluar– një gjendje vegjetative që thjesht e lejojn “tumorin” të zgjerohet dhe jo e kundërta.

Dikur, shumë njerëz besonin se anëtarësimi në BE, do t’i zgjidhte të gjitha këto sfida. Kjo nuk është më e vërtetë.

Rruga drejt anëtarësimit në BE, është dëshmuar kokëfortësisht e ngadaltë. Për më tepër, angazhimi i BE-së me rajonin, pësoi një pengesë të turpshme në konferencën e fundit të Londrës, që sipas shumë dëshmive nuk shënoi asnjë përparim. Një sfidë shtesë, është se nëse rajoni nuk zbaton reforma që do të liberalizonin realisht ekonominë (duke nxitur kështu rritjen dhe krijimin e vendeve të punës), hyrja në BE do të inkurajonte vetëm largimin e popullsisë dhe kapitalit në pjesë të tjera të Evropës.

“Amerika e Para” dhe Ballkani

Një partneritet i fortë transatlantik, është një element kyç i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë të SHBA-së. Zhvillimi i fundit që Shtetet e Bashkuara do të dëshiron të shihnin, është një Europë e destabilizuar nga problemet e Ballkanit, sikurse ishte në vitet 1990.

Zyrtarët amerikanë, duke përfshirë zv/presidentin dhe sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes, kanë shprehur tashmë interesin e madh të Amerikës, për të luajtur një rol më të fuqishëm në rajon. Ballkani Perëndimor, mund të luajë një rol kryesor në vizionin e Amerikës, për një komunitet më të fortë transatlantik.

Një rajon i integruar dhe i begatë, mund të ndihmojë në ndërtimin e bazës së një Europe më të fortë. Përveç sigurisë së ofruar nga NATO, dhe kohezionit të komunitetit europian, Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë në nxitjen e një sërë marrëdhëniesh dypalëshe, që do të bëhen një motor i fuqishëm i rritjes ekonomike, një korridor për të siguruar pavarësinë energjetike të tregut të lirë dhe një besim realisht ndërtues për sigurinë evropiane.

Këto marrëdhënie dypalëshe, nuk do të zëvendësonin BE-në apo NATO-n. Përkundrazi, ato do të siguronin një themel të shteteve-kombe të forta dhe të sigurta, që do t’i bënin më të forta këto aleanca.

Plani 5-pikësh

Të dëshirosh dhe të ndërtosh një Ballkan më të mirë, janë dy gjëra të ndryshme. Në fund, Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen seriozisht. Elementet ekzistojnë në strategjinë amerikane, por Uashingtoni duhet të lëvizë më shpejt.

Amerika duhet të promovojë në mënyrë aktive një ekuilibër të sigurisë rajonale, rritje ekonomike dhe qeverisje së përgjegjshme në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe vendet përreth. Ky është ilaçi më i mirë si ndaj luftërave të brendshme në rajon, por edhe ndikimit të dëmshëm të aktorëve të jashtëm.

Energjia

Nuk mjafton që Shtetet e Bashkuara të mbështesin ndërtimin e një korridori energjitik Veri-Jug. Uashingtoni duhet të ndihmojë për ta bërë atë realitet. SHBA-ja, duhet të vazhdojë të kundërshtojë seriozisht ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream II”, dhe të ofrojnë mbështetje të fuqishme për Iniciativën e Tri Detrave. Për më tepër, Uashingtoni duhet të mbështesë zhvillimin e energjisë bërthamore në rajon, dhe ndërtimin e një korridori jugor të gazit, që nuk varet nga Rusia.

Investimet ekonomike

Korporata e Investimeve Private Përtej Detit, USAID dhe Korporata e Mijëvjeçarit, janë të gjitha aktive në rajon. Sidoqoftë, rajoni ka nevojë për investimet amerikane private.

Qeverisja

Investimet e reja në Ballkanin Perëndimor, nuk do ta bëjnë atë një vend më të mirë, pa një qeverisje të përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara, duhet të përqendrohen në mënyrë konstruktive në elementet e qeverisjes që ndikojnë tek liria ekonomike, duke përfshirë luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe reduktimin e punësimit në sektorin publik, uljen e taksave dhe borxhit publik.

Siguria

Uashingtoni duhet të vazhdojë të ecë në dy shtigje në të njëjtën kohë në Ballkan – zgjerimin e NATO-s (në veçanti, pranimin e Maqedonisë në NATO), dhe nxitjen e bashkëpunimit të sigurisë dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Ballkanit dhe fqinjët e tyre.

Strategjia

Shtetet e Bashkuara, duhet të vazhdojnë të zbatojnë një strategji globale, që i nxit rivalët strategjikë – duke përfshirë Rusinë, Iranin dhe Kinën – t’i japin fund politikave të jashtme destabilizuese që dëmtojnë interesat e SHBA-së.

Ushtrimi i presionit ndaj tyre, do të bëjë që në fund edhe Rusia dhe Kina ta cilësojnë një Ballkan Perëndimor të lirë, të qëndrueshëm dhe të begatë, si një mundësi të mirë për të pasur më shumë fitime të ndershme në rrafshin ekonomik, se sa si një treg i varfër brenda sferës së tyre të ndikimit. / “National Interest” – Bota.al

Si të ndërtohet një Ballkan më i mirë Read More »

Shpërthen Elton Deda: Unaza e Fierit, kjo njollë turpi e çdo qeverie! Pushime të mbara kampiona…

Këngëtari i njohur, Elton Deda, është shprehur i revoltuar për faktin se prej vitesh, Unaza e Fierit zvarritet dhe nuk po përfundon, duke krijuar një trafik të tmerrshëm.

“Unaza e Fierit! Kjo njolle turpi e çdo qeverie!

Turiste e femije te pafajshem duke u dergjur makinave ne pisk te vapes. Shofere amatore qe e bejne lemsh trafikun. Vetem per nje bypass torturohen njerezit e shkrete.

Perveç kesaj, ka gjithmone nje vend te sqetlla e njerit qe hipen ne ashensorin tim per ata, qe nga makinat me targa te turli vendesh, hedhin letra, kanaçe, shishe uji, pampersa dhe ishalla hidhen dhe vete ndonje dite. Pushime te mbara kampiona”, shprehet ai.

Shpërthen Elton Deda: Unaza e Fierit, kjo njollë turpi e çdo qeverie! Pushime të mbara kampiona… Read More »

Shqipëria ka nevojë për frymë, për energji, për pasion, mendësi, për më shumë dashuri, për më pak fjalë e me tepër punë

Shqipëria ka nevojë për frymë, për energji, për pasion, mendësi, për më shumë dashuri, për më pak fjalë e me tepër punë.

Për njerëz të vërtetë qe nuk duan ta ndukin e rrjepin, por te zhvillojnë e forcojnë këtë vend të bekuar nga perëndia, por të mallkuar nga politika…

Bashkangjituni në këtë faqe e shpërndani këtë mesazh kushtuar vetëm shqiptarëve të ndershëm kudo ata ndodhen !!

Fotografia e Marin MEMA Shqiperia Tjeter

Shqipëria ka nevojë për frymë, për energji, për pasion, mendësi, për më shumë dashuri, për më pak fjalë e me tepër punë Read More »

Pak femra, shumë plastikë… Shumë meshkuj, pak burra!

Nga Holta Heba

Keqardhja sa vjen dhe shtohet kur sheh se femrave të sotme i ka humbur pastërtia dhe dlirësia shpirtërore e fizike.

Kanë humbur gjithçka.

Të gjitha gati njësoj.

Të mbushura me botokse e ndërhyrje kirurgjikale me qëllimin e vetëm për të qenë moderne dhe të pranuara nga kjo shoqëri që me keqardhje po i kthen femrat në imituese të shëmtuara të ashtuquajturave femra seksi.

Janë aq shumë njësoj sa hera-herës të krijohet përshtypja se i ka lindur e njëjta nënë.

Në imitimin më të shëmtuar të buzëve si patë apo si viç, me takat 12 pond, të lyera rëndë që në pikë të mëngjesit, nisin ditën e tyre.

Të merr malli të dëgjosh një femër që flet qartë dhe pastër për një problem aktual të shoqërisë ku jetojmë.

Mjafton t’i bësh një pyetje të thjeshtë dhe ato nuk do dinë të hapin gojën.

I pyet se ç’mendim kanë për modën e kësaj vere të nxehtë dhe ato të përgjigjen: E pe atë që doli te Çani dje?

I pyet se ç’libër do të lexojnë këtë verë dhe ato të përgjigjen: Të shohim ç’po ndodh tani në facebook.

A kanë ideal?

Patjetër që kanë?

Të bëjnë një jetë si nëpër videoklipet e Noizyt dhe Stresit.

Dëshira e madhe e tyre për të qenë të ashtuquajtura moderne i kthen në skllave të shëmtimit shpirtëror dhe fizik.

Plastike jashtë dhe plastike brenda, ato nuk zgjedhin më djalin inteligjent dhe punëtor, por djalin që duket i fortë dhe i pushtetshëm në këtë shoqëri me lekët dhe makinën e babit.

Harrojnë këto femra se njeriu ka një staturë të vetën dhe e krijon atë në mënyrë individuale dhe kështu me dashje apo pa dashje, veshjen dhe sjelljen e kthejnë në diçka kolektive.

Në kolektive kthejnë dhe ndjenjat e tyre.

Jetojnë për të tjerët.

Nuk quhesh më vajzë trendy nëse nuk nxjerr në rrjetet sociale foto me tufën e luleve, mundësisht më të madhe se shoqja, ushqimet nëpër restorante dhe pushimet në jug.

Të përvillet kur sheh se sa shumë femra dalin nga vetja e tyre dhe krijojnë këtë vetveten “në thonjëza” që nuk ka lidhje fare me prejardhjen dhe formimin e tyre.

Intrigojnë pafundësisht për të arritur atë që duan.

Madje dhe puthjen dhe përqafimin e të ashtuajturës dashuri e japin të mirëprojektuar me plan pune të paracaktuar.

Shiten si të vërteta, kur në fakt janë thjesht një falsë e dhimbshme e shoqërisë.

Janë gati të ndyjnë çdo njeri që u del parpara vetëm e vetëm për të arritur aty ku duan.

Lyhen dhe zhgërryhen për të shkëlqyer, por në fakt vetëm shtojnë pisllëkun.

Zhyten në pisllëk dhe harrojnë normat e shoqërisë.

E ç’ rëndësi kanë normat dhe etika për to?

Rëndësi ka të duken bukur dhe të ngulen fort diku, por këtë herë me këmbë në makinën lluksoze dhe jo me këmbë në tokë.

A ka femra të mençura që nuk bien pre e papastërtive shoqërore?

Sigurisht që ka, por janë pak.

Meshkujt sot…

Nëse do të kthejmë kokën disi pas në kohë, do të shohim se figura e burrit ka ndryshuar shumë.

Dikur një mashkull i vërtetë ishte ai punëtori, zjarrfikësi, makinisti kasapi etj me duar të pista dhe gjithë djersë.

Një mashkull i vërtetë nuk binte pre e thashethemeve të grave dhe fliste shumë pak.

Sot?

Me dhimbje ndihet se gjërat kanë ndryshuar.

Dashtë zoti të mos bëhesh pjesë e thashethemeve të një mashkulli se të bëhet një analizë që as ti vetë nuk do ta kishe menduar.

Mashkullit të sotëm i mungojnë mustakët dhe të qenurit leshtor.

Madje sot ai është edhe më i kuruar, me vetulla të hequra dhe më i depiluar se vetë femrat.

Mashkullit të sotëm i mungon fraku dhe veshja mashkullore.

Ato janë zëvendësuar me streçe dhe këmisha mëndafshi me lule.

Pantallonat e kostumit janë bërë treçerekëshe dhe këpucët fosforescente si balerina.

Ti nuk arrin të kuptosh se ku dallon femra nga mashkulli i ditëve të sotme nëse do t’i shohësh nga koka tek këmbët.

Për të nuk ka më rëndësi se si ndihet personalisht me femrën që ka në krah, por se si e shohin të tjerët.

Sa më e zhveshur dhe e stukuar të jetë femra e tij, aq më i pushtetshëm duket ai përpara të tjerëve.

Nuk kam asgjë kundër modës, por edhe modernizmi ka kufij.

Nuk mundesh ti që nuk di të lidhësh dy fjalë të jesh i mirëpranuar nga shoqëria vetëm se lekët e babit të bëjnë me një makinë luksoze.

Nuk mundesh ti të jesh mashkulli ideal kur nuk investon për veten me shkollim dhe me punë.

Po, po, meshkuj ka plot, por burra thuajse fare!!

Pak femra, shumë plastikë… Shumë meshkuj, pak burra! Read More »