Opinione

Përse LSI është shpresa e vetme e Berishës!

Nga Mero Baze

Ajo që është e pazakontë në këtë histori, është fakti që udhëheqësi shpirtëror i PD, ka mbetur një gjeneral që ushtarët e vetëm në horizont, shikon forumin rinor të LSI. Dhe nuk duket se ka faj. LSI është një parti shumë më e qartë, më e strukturuar dhe më e gatshme për aksione. Nëse sot do të bënim një bilanc njëvjetor të aksioneve të paralajmëruara të PD dhe fundin e tyre, do ti japim të drejt Sali Berishës.

Vjeshta e vitit të kaluar nisi me stuhinë ndaj Saimir Tahirit pas arrestimit të një bande vlonjatësh në Katania. Tahiri u tërhoq për të mos u bërë ngarkesë politike për PS edhe pse deri më sot, nuk ka ende asnjë fakt nga dosja e famshme e kushërinjve të tij, që ta implikoj atë. Biles personi më i përfolur pse u ekstradua në Itali, e nuk u gjykua në Shqipëri, u lirua nga gjykata italiane. Komsioni heitmor për Tahirin mbeti rrugës dhe PD e harroi për t’u kapur pas një flluske tjetër sapuni që ishte “Babalja”. Pas një inskenimi ordiner në përpjekje për të kapur vëllain e Ministrit të Brendshëm PD dhe vet Basha u investuan personalisht për ta provuar se ajo ishte e vërtet. Sot çështja është në Gjykatë.

Prokuroria ka siguruar dëshmi nga personi që ka inskenuar ngjarjen, ndërsa “Babalja” është në Kosovë i larguar nga vendi për ti shpëtuar drejtësisë. Për të kuptuar se çfarë ishte ajo histori, mjafton të lexoni këto ditë replikat mes Myslym Murrizit dhe Jetmir Olldashit, njëri deputet i PD, e tjetri pjesë e projekteve të shtypit të PD për propoagandë politike. Deputeti më luftarak i Lulzim Bashës, dhe kryetar i PD së Lushnjës, e akuzon njeriun e Bashës që prodhoi çështjen “Babale” si mashtrues që diskretitoi PD me atë çështje. Pra në fund të kësaj historie, Lulzim Basha nuk arriti t’i mbush mendjen, as Myslym Murrizit me “Babalen”.

Kështu pasi u betua nja dy herë që Fatmir Xhafa do kalonte mbi trupin e Bashës për në ministri, e harroi dhe u mor me godinën në krah të Xhafës, Tetarin Kombëtar. Duke i pëlqyer kauza e disa aktorëve për të ruajtur Teatrin e vjetër , PD u investua politikisht në një histori që nuk ka të bëj fare me të. Si një institucion gjobëvënës, ajo filloi sulmet ndaj biznesmenit që do ndërtoj Tetarin përmes një ligji të veçant dhe tashmë nga çështje të aktorëve, e ka kthyer në kauzë të saj. Biles është aq banale sa sheshi para Teatrit, është kthyer si çadra një vitë më parë ku shpalosen refleksione për programin e ri të PD e nuk flitet më për Teatrin.

Me këtë rast gjithë beteja e saj është përqëndruar më shumë kundër Erion Veliaj se sa kundër Edi Ramës. Biles kundër Veliaj, po investohet dhe me incidente të pështira zjarresh të sajuara në çerdhe, me shpresë se do ta dëmtojnë para zgjedhjeve. Kështu që këtë fillim Shtatori, Sali Berisha nuk di se çfarë t’u thotë demokratëve. T’u thotë që Fatmir Xhafa do kaloj për herë të tretë mbi trupin e tyre, ka frikë se ai kalon prap. T’u thotë se Saimir Tahirin do ta fusi në burg gjykata italiane, ajo po liron dhe ata që u akuzuan. T’u thotë që Tetarin s’do ta ndërtojnë, pa kaluar mbi trupin e Salianjit, ka frikë se do kalojnë.

Në këto kushte Sali Berisha të vetmen gjë të qartë që ka parë këto ditë si opozitarë, ka qenë ai kori “këmishkuqëve” të LSI dhe e ka bërë entuziast. Nuk ka faj. Të paktën ka parë diçka që e beson se mund të ndodh. Tek PD me sa duket nuk shikon më asnjë shenjë. Dhe kur s’ke pulën tënde do hash sorrën e botës.

Përse LSI është shpresa e vetme e Berishës! Read More »

Skulptura “Vlora”, debat në mediat italiane, flet autorja Ledi Shabani

Artistja shqiptare Ledi Shabani “turpëron” gazetarin italian që e akuzon për braktisje të “Vlorës”. Ajo rrëfen për “Shekullin” se si reagojnë emigrantët shqiptarë para skulpturës kur zbresin nga trageti. Si dhe zbulon disa nga “sekretet” e projekteve të ardhshme

Anila Dedaj

Shqiptarët sapo zbresin nga trageti, drejtohen për të fotografuar anijen më të veçantë të portit të Barit. Afrohen, bëhen kuriozë dhe sapo lexojnë “Vlora” marrin një pamje melankolike. Pastaj lumturohen, pasi kjo është memoria, aty është shqiponja edhe një pjesë e historisë. Bëhet fjalë për “Anijen e shpresës”, skulpturën e artistes Ledi Shabani, që kujton zanafillën e emigrimit për shumë shqiptarë. Edhe pse italianët, ashtu si edhe mediet e vendit fqinjë e kanë mirëpritur duke e cilësuar si “anijen e mirënjohjes”, dikush padrejtësisht e quan monumentin si “të braktisur” apo “të ndryshkur”. Gazetari Daniele Leuzzi, i cili shkoi në “Borderline 24”, me sa duket i painformuar, rrezikon të mbetet i turpëruar pasi artistja shqiptare i argumenton se “Vlora” është e përbërë me materialet më cilësore dhe ajo që ai ka quajtur abandonim, është në fakt “efekti skenik”. Në këtë intervistë për “Shekullin” Shabani shpreh qëndrimin e saj si dhe zbulon dëshirën që “Vlora” të mbërrijë në portin e Durrësit dhe atë të Brindisit.

Mediet italianet kanë shkruar rreth “ndryshkjes” së monumentit “Anija e shpresës”, çfarë po ndodh në realitet me veprën tuaj 20 ditë pas inaugurimit?

Një gazetar i një medie online, fatkeqësisht i painformuar për materialet që janë përdorur për këtë vepër, ka quajtur çelikun e oksiduar, metal. Ndërsa gurin e bardhë të qytetit, Tranin e ka përmendur si mermer. Pra është bërë një artikull i rremë, rreth të cilit kam sqaruar situatën që të përgënjeshtrohej.

Mund të na e shpjegoni se çfarë mesazhi përcillet me një efekt të tillë skenik?

Korten Çeliku që unë kam përdorur është një nga materialet më të përdorura nga arkitektët bashkëkohorë për efektin e saj ekspresiv dhe për kromatizimin karakteristik. Pra, duket si diçka antike, e vjetër falë efektit “të ndryshkut” që reflekton. Dallohet për rezistencën e lartë dhe po ashtu për cilësitë e veçanta estetike të dhëna nga oksidimi i kontrolluar. Ngjyra ndryshon, në fakt, në rrjedhën e oksidimit nga një ngjyrë portokalli fillestare në një ngjyrë të kuqe-kafe. Kalimi i kohës nuk e shkatërron materialin, por përkundrazi jep atë aspekt “të jetuar” që kërkojnë arkitektët dhe projektuesit. Shumë vepra arti janë të realizuara nga artistë, arkitektë, në të gjithë botën dhe po ashtu i shikojmë në pavijone të ekspozitave të EXPO-së kudo nëpër botë.

Ledi, kjo skulpturë për ju është një mënyrë për të lidhur më shumë dy vende si Italia dhe Shqipëria. Si është pritur nga qytetarët e Barit?

Duke pasur parasysh rëndësinë aktuale të temës së emigracionit që tani përfshin gjithë Evropën dhe duke pasur historinë e jashtëzakonshme të Vlorës, ajo menjëherë ngjall interesin dhe miratimin e institucioneve, kompanive dhe profesionistëve që pranuan dhe u bashkuan në kauzën financimin e projektit. Po ashtu qytetarët e Barit na përgëzuan për këtë projekt.

Po shqiptarët çfarë reagimi kanë pasur?

Gjithashtu dhe nga shtetasit shqiptarë u mirëprit kjo vepër që u kujton atyre fenomenin e migracionit. Disa prej tyre zbresin nga trageti dhe afrohen për të bërë një fotografi, si dhe shprehin kureshtje e duan të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Por sapo lexojnë “Vlora”, kujtojnë historinë e së kaluarës. E shikojnë me një pamje të trishtuar, por në të njëjtën kohë lumturohen duke menduar që nga atje filloi udhëtimi për shumë nga ne. Për ne që jetojmë këtu, Italia është bërë si një vendi i dytë “nënë” pavarësisht se familjet tona janë në Shqipëri. E njëjta gjë për Italinë, Shqipëria është rajoni tjetër përtej Adriatikut.

Brenda një kohe të shkurtër po flitet për ty si autorja e skulpturës së “mirënjohjes”?

Kënaqësi e madhe dhe dëshirë për ta ndarë këtë vepër me botën, për të kujtuar për ata që harrojnë lehtë çfarë ndodhi në gusht të vitit 1991. I gjithë qyteti i Barit u mobilizua, duke ndihmuar rreth 20 000 njerëz që vinin nga ana tjetër e detit.

Për ata që ende nuk e kanë dëgjuar mund të thuash diçka më tepër rreth krijimit të kësaj skulpture. Si lindi ideja dhe sa kohë u desh për realizimin e saj?

Nga skica deri në punën përfundimtare, u deshën 3 muaj punë. Zgjedhja e materialeve është studiuar në detaje, duke marrë në konsideratë qëndrueshmërinë e gjatë dhe pastaj zonën ku është vendosur puna. Për erën, diellin dhe ndryshimet e motit, lidha menjëherë idenë e përdorimit të dy materialeve shumë rezistente si guri i Tranit dhe çeliku Korten. Ky projekt, që ishte në parim ideja ime, u mirëprit nga shoqata artistike “Noi che l’arte” dhe autoriteti i portit që e pëlqeu dhe ra dakord. Ideja vjen si rezultat i qëndrimit tim të gjatë në qytetin e Barit, në të cilin, pas viteve të studimit, punës dhe përvojës midis Italisë dhe Shqipërisë, si artiste e ndjeva nevojën të dhuroja veprën që përmbante një mesazh të “Shpresës”.

Nëse do të riktheheshe në kohë do ta realizoje njësoj?

Patjetër që po. Shpresoj që një kopje e atillë të jetë e mundur e të pozicionohet gjithashtu në Durrës, Brindizi etj. Jam shumë e sigurt që do të bënte efektin e vet edhe në këto porte.

Jeni shprehur se mesazhet sociale janë në fokus të punës suaj, cilat janë projektet e ardhshme?

“In cantiere” (Në kantier), kam projekte shumë interesante. Natyrisht disa prej tyre përmbajnë një mesazh të fortë dhe me siguri nevojitet kohë studimi dhe në të njëjtën kohë duhet të kenë vëmendjen e njerëzve të duhur. Projekti i ardhshëm do të doja të kujtonte Kalabrinë. Kjo të mbetet midis nesh. Me siguri projekti do të zbulohet në kohën e duhur./shekulli

Skulptura “Vlora”, debat në mediat italiane, flet autorja Ledi Shabani Read More »

Rruga e Lumit te Vlores … /Nga Albert Abazaj

Verë 2018, vepër arti në rrugën e Lumit. Foto Albert Habazaj

Tungjatjeta, vendlindje! Lumi i Vlorës, i dashuri im, i bardhi im, që s’të këmbej të më falin botën, se një thërrime e frymës tënde të pastër, të ndershme e dinjtioze jam edhe unë! Emërmadhi im, Lumi i Vlorës që të kanë kujtuar e të kujtojnë për historitë e tua gjëmimtare e të varin dekorata, tituj, urdhëra e medalje gjithandej trupit tënd të thatë nga rrebeshet e të thantë në tufane … O hallemadhi im shekullor, që, si një transoqeanik gjigand natyror shtrihesh dritërueshëm e drithërueshëm nga Kuçi, “që ka hije të jetë fodull”, qysh nga “ato gryka, ato male,/ ku dhe zogu shkon ngadale”, siç këndonte Çajupi, deri në Vjosë, që ende e quajnë “perla e egër e Europës”. Këtyre hënave ka patur banorë që pa ardhur lumi!… Sa të ka dashur Atdheu, kërkonte : “Lum’ i Vlorës të më vijë!”…, apo sa herë të tjerët kanë patur nevojë për ty, lëshohej kushtrimi: “Dil, o Lum i Vlorës-o!”. Por, pastaj, vertikalët të harronin. Të paktën, të të hidhnin sytë. Mos i ndjekshin udhët mosmirënjohëse të të parëve këta të pasmit! … Përse vallë janë treguar kaq mosmirënjohës ndaj humanizmit, solidaritetit dhe sakrificave të këtyre banorëve të mirë, të urtë, të dashur, mikpritës e fisnikë të Lumit tim?! Vetëm të mira kanë parë të tjerët nga Lumasit. Mos i ndjekshin udhët mosmirënjohëse të të parëve këta të pasmit! … Po sa të duruar që janë këta njerëz! Sa duron mali me borë durojnë banorët e Lumit në Vlorë. Sa duron mali me borë! Janë, jo rrallë herë dhe naivë në besimin e tyre ndaj mikut, ndaj të madhit. Me këtë cilësi që mishërojnë këta banorë brezash, hipokritët e derrat e bukur abuzojnë. Prandaj aq të sertë bëhen këta labë kur ua ke me hile. Mos u dil përpara! Të vënë qylafin …

Lumi i Vlorës, krahinë etnografike – historike kompakte. Lugina e Lumit të Vlorës është cilësuar nga të tjerët, që janë marrë me traditat e zonës, si krahinë historike me banorë të ashpër. Të parët e këtyre anëve, siç kanë qenë, janë dhe do të jenë përmendore shpirtërore dhe standarde morale në memorjen e banorëve, se kanë bërë detyrën dhe historinë e tyre. Për këto cilësi të rralla dhe virtyte të larta, janë nderuar, sepse sakrificat kushtuar Atdheut qenë sublime. E vërteta është që banorët e kësaj krahine janë edhe artistë prej natyre, me botë të brendshme të pasur, me shpirt të pastër e të lirë si zogjtë që fluturojnë mbi qiellin e Lumit të Bardhë, që përshkon këtë krahinë etnografike të Labërisë së Brendshme, brenda formatit të kulturës materiale dhe jomateriale të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, (njërës nga dy grupimet e mëdha, të përbashkta etnike të quajtur Toskëri). Në mozaikun lirik të këtyre banorëve këngëtarë ndjen freskët e këndshëm aromën e malit e të lumit, të lulëkuqes e trëndelinës, sepse ata këndojnë, sipas mënyrës së tyre, ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet e tjera të jetës me diell e furtunë, atje ku jetonin qyshkur, në malësi, në vërri; buzë lumit e në shkrepa të malit, me blegtori e bujqësi, ëmbël e me ndjenjë, dhembshur e me shpirt, që, kur i dëgjon, të rrëmbejnë, si me një magji gati hyjnore. Edhe pse me jo një logjikë binare (bardhë e zi), duke qenë një komunitet patriakal, bota e tyre lirike u këndon halleve e punës, gëzimeve dhe hidhërimeve të jetës, që nga lindja e djalit e dasma e tij deri tek vajet dhe këngët e përvajshme, ku përmbajtja e fuqishme emocionale, me ngarkesë të veçantë, interpretohet me një nivel të lartë artistik. Që nga kohët parake, nëpër rrjedhat e shekujve, në truallin e kësaj treve, kultura jomateriale në këngë e valle ka ardhur e mbushur trëndelinë e manushaqe shpirti të banorëve të kësaj treve aq të bukur e të fisme. Lumi i Vlorës njihet si një krahinë etnografike-historike kompakte, pjesë e së tërës në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, me përbashkimet e shumta dhe përveçimet e pakta të traditës foklorike, etnografike e dokësore, me një mozaik të pasur e të bukur fiziko-gjeografik, me male e vargmale, pllaja, fusha e fushëza. Banorëve e Lumit të Vlorës u thonë lumas e janë labë. Sipas Zojzit, “Labëria është krahinë e madhe etnografike në Shqipërinë JP. Emërtimi është lidhur me emërtimin e hershëm etnik “Arbër”, që më vonë u zëvendësua nga emri “shqiptar”. Sipas traditës popullore, Labëria shtrihet brenda tri urave: Urës së Drashovicës (mbi lumin Shushicë), urës së Leklit (mbi lumin Drino) dhe Urës së lumit të Kalasës (në rrugën Sarandë-Delvinë)”.[1] Njëra nga tri urat dhe pikërisht Ura e Drashovicës, është porta për të hyrë në Luginën e Lumit të Vlorës, Shushicës apo Lumit të Bardhë, e cila përmendet në të dy luftërat që zhvilluan labët kundër pushtuesve italianë në verën e vitit 1920 dhe pushtuesve gjermanë në dimrin e vitit 1943. Në anë të urës së famshme, në rrugën e Lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë – Kurvelesh, është ngritur, i tëri në bronz, monumenti i bukur historik, që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme dhe banorët e quajnë “Harku i Triumfit shqiptar”. Lumi i Vlorës, si krahinë fillon aty ku buron Shushica, në Qafë të Dërrasës (950 mmd), Kuç dhe natyrshëm mbaron kur Lumi i Bardhë (81.6 km i gjatë, me sipërfaqe 132 km²) derdhet në Vjosë. Është në përbërje të Krahinës Malore Jugore, njërës nga katër krahinat (trevat e mëdha) gjeografike të Shqipërisë. Ndodhet në VP të Krahinës Malore Jugore, ndërmjet Malësisë së Kurveleshit nga Lindja dhe vargut Çikë- Lungarë nga Perëndimi. Nëse rajoni i Vlorës shtrihet në pjesën qendrore të zonës mesdhetare detare, Lumi i Vlorës përfshin këto katër nënzona klimatike: 1. nënzonën mesdhetare fushore qendrore, 2. nënzonën mesdhetare fushore jugore, 3. nënzonën mesdhetare kodrinore JL, 4. nënzonën mesdhetare malore jugore. Ultësira e Lumit dhe malësia, qysh nga parahistoria, epoka e gurit të ri (neolitit) “mijëvjeçari IV p.e.s.”[2] dëshmohet nga kalatë (fortesat), urat, gurët e mëdhenj, shpellat natyrore etj., se ka qenë e banuar nga fise parailire, e ilire amantine, me vazhdimësi arbërore në mesjetë e atë shqiptaro-labërore në kohët e derisotme. Krahina ka formën e një anije të madhe të gjelbër, ku përzihet ngjyra lirike blu me atë epike gri, në krahët e së cilës,  në rrjedhën e mesme shtrihen dy vargmale, që u ngjajnë labërve që heqin vallen e rëndë të burrave në sy të vetëtimës. Në krahun e djathtë janë vargjet malorë Kurvelesh – Gribë, me majën më të lartë Këndrevicën (2122mmd), mali më i lartë i L.V. (njëkohësisht dhe i rrethit të Vlorës), ku është një vend i mirë për besimtarët e njerëzit që falen, në vendin e quajtur “Kurora e Malit”. Në faqen e majtë të luginës, ngrihen hijshëm vargmalet e Vetëtimës (Akrokeraunet), me majën më të lartë, që ngrihet si një kështjellë natyrale malin e Çikës, 2045mmd (i dyti në LV për nga lartësia, pas Këndrevicës dhe më i larti në Shqipërinë Jugperëndimore. Në pjesën e poshtme të Lumit, relievi është kodrinor me valëzime të lehta me lartësi nën 600 m. Klima është mesdhetare detare me dimër të butë e të lagët dhe verë të nxehtë e të thatë, ndërkohë që në rrjedha e sipërme e Lumit është ndër zonat më të lagështa të Shqipërisë (në Kuç regjistrohet sasia më e madhe e reshjeve (2400 mm/ vit). Me gjithë lëvizjet e popullsisë, sidomos pas proceseve demografike, në zonën e Lumit të Vlorës, që njihet si një nga hapësirat më me vlerë në qarkun e Vlorës edhe për resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, ka mbi 50.000 banorë që jetojnë në këtë trevë, të shpërndarë në 62 fshatra që lidhin Vlorën e Selenicën me Bregun në Himarë nëpërmjet luginës që përshkon Lumi i Shushicës (Vlorës). Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat e Gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vogël (e Vlorës), pra që nga burimi i Lumit në Kuç e deri sa derdhet në lumin e Vjosës, para se t’i bashkohet detit Adriatik. Me ndarjen e mëparshme admistrative në krahinën e Lumit përfshiheshin 7 komuna: Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë, Armen, të cilat Harta Administrative Territoriale e Republikës së Shqipërisë (2015) i reduktoi në njësi vendore të përfshira në tri bashki: Himarë, Selenicë e Vlorë (rrethi i Vlorës, qarku Vlorë). Këtyre hënave, labëve të rrjedhës së sipërme e të mesme të Lumit të Vlorës u thonë edhe himariotë, sepse Labëria dhe Himara janë përdorur si sinomime të njëra-tjetrës në kohë të ndryshme. Himara është quajtur Labëri e Jashtme apo Labëri Bregdetare, ndërsa Lumi i Vlorës – Labëri e Brendshme (pjesë e Labërisë së Brendshme). Nga shekujt vjen jehona e këngës: “Që në Gumenicë e lartë/ Himarë i thonë çdo fshat”[3]…

Ndër 12 zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë, 6 krahinëza etnografike janë përbërëse të Lumit të Vlorës: 1. Kurveleshi i Poshtëm, 2. Mesapliku, 3. Drashovica, 4. Topalltia, 5. Gorishti, 6. Kudhësi. E paraqitëm këtë tablo të përgjithshme të trevës për të mbështetur idenë, që njeriu përshtatet me mjedisin ku jeton, jep e merr me të. Lumi i Vlorës siç ka një mozaik të bukur të panoramës gjeofizike, ashtu e ka edhe mozaikun e panoramës së kulturës materiale dhe jo materiale, atë artistike, shpirtërore – të bukur e të begatë. Me kohë e ka merituar të ketë kushte për të shijuar përparësitë e mundshme nga bujqësia, blegtoria, agroturizmit, turizmit familjar dhe turizmi etnokulturor, sepse ka malin, fushën dhe lumin.

Historiku i Rrugës, lëvizjet, letrat dhe premtimet. Ndoshta jo më kot m’u kujtuan vargjet e Kadaresë: “Ç’kërkonte shqiptari në shekuj?!/ Pak bukë, pak dritë dhe pak hekur…”. Labët e Lumit të Vlorës, kohërash i kanë siguruar me forcat e tyre nevojat jetike. Edhe sot. Kush ka investuar për këtë zonë? Kur? Çfarë? Çfarë kanë përfituar të tjerët nga kjo zonë? Që nga politika, shteti, qyteti e Atdheu. Banorët e kanë bërë detyrën e tyre ndaj Atdheut. Po vertikaliteti ynë hierarkik e ka parë me shpërfillje këtë trevë, larë me gjak lirie për dritë përparimi e mirësie. Çfarë ka përfituar krahina, krahasuar me simotrat shqiptare, apo qoftë dhe me Himarën, që vetëm vargmali i Vetëtimës i ndan dhe gjithçka tjetër e bashkon?!  “Ç’kërkonte banori i Lumit në shekuj?! Rrugën, vetëm rrugën, se të tjerat vetë i ka gjetur…” Marrim shkas nga ky realitet, që po shkon në arkivat e historisë lokale dhe heqim një paralele, jo metaforike por jetësore. Mbahet mend se, qysh në fillim të vitit 2013 deputeti i asaj kohe i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi ka prezantuar studimin konceptual për zonën e Lumit të Vlorës. Ishte një studim konkret në lidhje me gjendjen dhe nevojën e ndërhyrjes në këtë luginë të bekuar nga natyra, të ngopur me premtime, por realisht të papërfillur nga udhëheqjet e çdo ngjyrimi politik deri në ato çaste. U tha se nga ky projekt pritet që të përfitojnë 50 mijë banorë të 100 fshatrave të cilët përballen me një infrastrukturë të shkatërruar. Sipas Toçit ky diskriminim i kësaj zone ishte bërë vetëm për arsye politike. Pas ndërhyrjeve në rrugët e kësaj zone pritet t’i jepet hov zhvillimit të turizmit duke ndikuar kështu edhe në mirëqënien e familjeve vlonjate. Pikërisht në atë periudhë u botua dhe libri studimor “Një rrugë për banorët e Lumit të Vlorës<” në trajtën e një guide me autor Fatmir Toçin nga Shtëpia Botuese “Toena”, shkurt 2013, 120 f., me ilustrime me ngjyra. Paradigma e librit është: “Krahina e Lumit të Vlorës, me gati 100 fshatra, ajo që është quajtur në shekuj si zemra e Labërisë, është dënuar të vdesë e të shuhet për një rrugë. Pesëdhjetë mijë banorë kanë vetëm një kërkesë e një dëshirë: të kenë si gjithë të tjerët një rrugë për të qenë. Për hir të saj krahina po venitet e izoluar si asnjë krahinë tjetër në këtë vend. Para pak vitesh u hoq nga harta e banimit fshati i parë i saj, Vërmiku, një vendbanim alpin e aq piktoresk sa do ta kishte zili gjithkush ta kishte në atlaset e saj turistikë. Fshatrat e tjerë po japin shpirt dita-ditës. Për një rrugë që është vetëm 65 km, që është lehtësisht e ndërtueshme sepse kalon në fushë, buzë lumit dhe ka një kosto modeste për një shtet”. Rehabilitimi i rrugës do të bëhet pothuaj në atë shtrat që guxoi ta thoshte e ta mbronte, që në kohën e Zogut e para mbretit burri i urtë i Vranishtit Rrapo Meto Premtaj. Në kohën e Enverit, u punua me vetmohim e sakrifica dhe rruga u bë sipas kritereve të kohës e rregullt e sipas mundësisve që ishin, por më tej sikur e harruan përkujdesjen ndaj saj. Postdemokracia erdhi me vrull e furtunë edhe në këtë zonë dhe makina e rënda shkonin e vinin si në shtëpi të tyre. Por rruga nuk ishte planifikuar për to. Duhej një projekt i përditësuar, i dobishëm e vizionar. Rrugës iu prish eleganca funksionale, saqë segmente të caktuara u bënë gangrenë jo vetëm për makinat e vogla, por edhe për furgonat e linjës. Ideja e rehabilitimit u hodh në kohën e fundme të Qeverisë Berisha, por nuk u realizua. Gjasat janë që Qeveria Rama 2 të ketë nderin, të gëzojë statusin dhe të meritojë respektin popullor të kësaj zone për Rrugën me Standarde të Lumit. Angazhimet vertikale dhe lobimet e vlonjatëve e labëve të Lumit me influencë në Tiranë sollën vëmendjen serioze vertikale. Personat kyç të kontaktit mbeten z. Benet Beci – Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Arben Ahmetaj – ministri i Financave, patjetër kryeministri Rama me shpresa tek burimi, thesari i duhur- Kuvajti. Meritojnë mirënjohjen vlonjatët tanë të Tiranës: kryetari i KLSH Bujar Leskaj, ministri Damian Gjiknuri, deputeti i zonës Vullnet Sina, paharruar mikun e kryeministrit – Mezan Malaj etj. Këta dëgjojmë e shohim që flasin, lëvizin, janë të interesuar. Por nuk është koha të ndajmë dekoratat tani. Aty janë ato. Nëse mbaruan, prodhojmë të tjera … Rroftë e qoftë Industria e Dekoratave! Banorët duan rrugën. Në një gjatësi prej 94 kilometrash. Në fund dekoratat dhe, kur të mbarojë puna, mirënjohja e përhershme. Me financimin e siguruar për ndërtimin e rrugës së lumit të Vlorës nuk duhet abuzuar, sepse, Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese kredinë prej 30 milionë dollarësh dhënë nga Fondi Saudit për Zhvillim, për segmentin e fundit të kësaj rruge, e miratoi për Rrugën me Standarde. Kredia prej 30 milionë dollarë është me terma të butë dhe përmbush plotësisht financimin e kësaj vepre, e cila po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas projektit, rruga përfundon në vitin 2020. Ky aks, i cili nis në Vlorë dhe përfundon në Qeparo përveçse lehtëson banorët e shumë fshatrave në këtë zonë, siguron një lidhje të re për bregdetin e Jonit. Njoftimet e bukura nuk reshtin. Njoftimet optimiste nisin nëpërmjet shtypit të shkruar dhe atij online. Ky projekt do të shërbejë si korridor i perspektivës së zhvillimit social – ekonomik të të gjithë rajonit dhe gjithashtu do të sjellë edhe një zhvillim rural për të gjithë komunitetin e bashkisë së Vlorës, Selenicës dhe Himarës, si dhe do të ulë kostot e udhëtimit për banorët. Projekti ka një kosto të përgjithshme prej 72.000.000 USD-sh, pa përfshirë këtu TVSH-në, vlera e së cilës do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Ndërsa huaja e akorduar nga Fondi Saudit për Zhvillim, kap vlerën e afërsisht 30 milionë dollarëve.

Realiteti. Është punuar. Puna duket. Ndryshimi preket. Vetëm qorri s’e sheh, vetëm shurdhi s’ e dëgjon. Janë bërë vepra arti të rëndësishme gjatë gjithë segmentit të lotit të parë. Është ngritur traseja dhe është skarpatuar sipas standardeve, ku është dashur është devijuar rruga, si psh., te ish-kthesat e bezdisshme të qafës së Dushkut etj., janë vendosur tombino, janë ngritur e po ngrihen ura e vepra të tjera arti. Punë vërtet heroike. Është marrë me tërë mend nga kjo qeveri, thonë banorët dhe, rrugën e Lumit, o e bën Edi Rama, o s’ka për ta bërë kush, kurrë! Por … Këtu duhet të ishim?! Është folur shumë. Është shkruar shumë. U fol edhe për abuzime. Për zhavorrin e lumit Shushicë … U fol, u shkrua dhe u pa se nga mesmarsi që lane pas “U ndërprenë punimet. Ndodhi që gjashtë muaj pas nisjes të pezullohet rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës. U tha se prokuroria lokale, ka vënë në hetim kompaninë që fitoi tenderin për lotin e parë dhe nënkontraktorët shqiptarë. Dyshohej për shfrytëzim të paligjshëm të basenit të lumit Vjosë. U tërhoqën të gjitha mjetet e firmës nga terreni dhe puna u pezullua. Në të gjithë gjatësinë e rrugës nuk punohej, pasi zhavorri me të cilën shtrohet baza e lotit të parë, sipas prokurorisë nxirrej në shkelje të ligjit. Nuk pati asnjë fadromë, ndryshe nga pak kohë më parë, ku eksvatorët gërmonin deri afër Urës së Drashovicës. Për rrugën u zhvillua një tender ndërkombëtar, por zbatuesit e projektit me vlerë 2,002,817,718.47 lek zgjodhën të dëmtojnë lumin për të shtruar rrugën në anë të tij. Invsestimi përfshin një gjatësi prej rreth 24 km, vetëm në lotin e parë të investimit që përfundon në fshatin Gjorm, kurse loti i dytë pritet ende të nderohet”. [Burimi: “Abc neës”, 13/03/2018].

Në festën tradicionale të Amantias, më 26 maj 2018, deputeti i zonës Vullnet Sinaj premtoi para popullit të krahinës së Lumit, se më 1 qershor punimet rifillojnë me të gjitha forcat dhe mjetet e mundshme dhe më 1 shtator përfundon loti i parë deri në Gjorm. Edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi kantierin e punimeve në rrugën e Lumit të Vlorës thotë se pas zgjidhjes së ngërçit të krijuar pak kohë më parë me punimet e projektit, aktualisht është asfaltuar një pjesë e segmentit Bypass-i i Vlorës-Peshkëpi-Gjorm ndërsa deri në vjeshtë pritet të përfundojë asfaltimi për të gjithë LOT-in e parë prej rreth 23 kilometrash. “Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Është një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë dhe siç u informova nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, procedurat për dy lotet e tjera janë drejt përfundimit, do të thotë që brenda këtij viti ose le të themi maksimumi fillim vitin tjetër do të nisin punimet edhe për segmentet e mbetura”, u shpreh ministri Gjiknuri. Sipas tij, projekti do të përfundojë plotësisht në një periudhë kohore prej dy vitesh. “Brenda dy viteve kjo rrugë do të jetë tërësisht e përfunduar dhe do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për gjithë zonën e Lumit të Vlorës, për zonën e Bregdetit. Bashkë me zhvillimet e tjera infrastrukturore në Vlorë, me ato që po bën qeveria shqiptare do të krijojë një ndërlidhje shumë të mirë nga pikëpamja e mobilitetit, infrastrukturës dhe realisht do të sjellë një zhvillim ekonomik për të gjithë zonën”, nënvizoi Gjiknuri. Segmenti i parë ku po kryhet asfaltimi ka një gjatësi prej afro 23 kilometra dhe shtrihet nga fshati Sherishtë deri në fshatin Gjorm. Segmenti i dytë 27.1 kilometra shtrihet nga Ura e Gjormit – Brataj – Ura e Laskos ndërsa segmenti i tretë prej 23.7 kilometra vazhdon nga Ura e Laskos – Qeparo & Ura e Laskos – Kuç. Këto dy segmente aktualisht janë në procedurat e fundit të tenderimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Segmenti i fundit i rrugës është ai Peshkëpi – Selenicë – Superstradë me gjatësi 16.4 kilometra për të cilën Fondi Shqiptar i Zhvillimit po përzgjedh konsulentin dhe mbikëqyrësin e punimeve për të shpallur më pas tenderin e punimeve. Gjatë inspektimit qytetar, vullnetar Vlorë – Qishbardhë – Peshkëpi – Drashovicë – Kotë – Gjorm – Brataj (10-11.06.2018, me autobuz të Kuçit, shkojmë në Tërbaç), vërejtëm se vërtet qershori është shndërruar në një muaj pune me përkushtim, me përqëndrim forcash e mjetesh, me synim në sy – Gjormin për vjeshtën e këtij viti. Është bërë punë titanike. Ndoshta edhe qorri i sheh. Dhe shurdhi s’ka ç’bën do ta dëgjojë zhurmën e ritmeve të mjeteve në përforcim të njerëzve, heronj të heshtur që bëjnë Rrugën e Lumit me Standarde. Fotografitë janë të përditësuara deri në çastin që e pamë vetë me sy rrugën, njerëzit, mjetet, punën. Ndihet mirë njeriu kështu. Motivohet. Nëse ritmi i punës dhe përgjegjësia në punë nga të gjitha hallkat  nuk ulet, qëllimi është i realizueshëm brenda kohës së premtuar.

Shpresa. Epilog. Thonë që shpresa vdes e fundit. Për labët e Lumit të Vlorës, shpresa nuk vdes kurrë. Ikën njeriu dhe fizikisht dhe ajo rron si shpirt besimi në breza. Nuk e di përse më shpërfaqet herë-herë ajo klithma migjeniane: “Deri kur ma?!, por, nuk dua ta kujtoj. Kam besim. Bir i Lumit jam dhe unë. Ndërkohë edhe himariot historikisht si krahinë etnografike, aq më tepër sot, që të pesë fshatrat e rrjedhës së sipërme të Lumit (Kuçi me fshat e Buronja, Kallarati, Bolena, Vranishti dhe Tërbaçi im (ish-komuna Horë) janë pjesë adminstrativo-territoriale e bashkisë Himarë. Thyhen në besim himariotët prapa malit, kur kuptojnë që ka shikim me dy standarde. Për himariotët e detit ka përparësi për turizmin dhe zhvillimin qytetar, krijohen mikroqendra urbane deri në Pilur e në Kudhës dhe shumë mirë veprohet. Edhe ne, patjetër që ndjejmë kënaqësi. Por, gjykohet se është mirë, që edhe himariotët prapa malit të shikohen me syrin e nënës, jo të njerkës.  Banorët e këtyre fshatarve nuk ankohen shumë, pak kërkojnë, por nuk është mirë ta ndjejnë veten bonjakë nga qeverimi (si deri tani), nuk është e drejtë që janë edhe prapa liste, jo në ², por në ³. Nuk banojnë pesë çobanë në këto hapërisa, por njerëz vitalë, me vlera të larta humane, shumë të fismë, që durojnë shumë e besojnë shume tek fjala e burrit. Nuk janë të paduruar, si thonë ca, por… Janë sa të thjeshtë aq kryelartë e rebelë, me virtyte e cilësi të larta, që kur i ka thirrur historia kanë bërë emër të lartë dhe janë kthyer në simbole lirie e diturie.

Dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me këto vargje, shkruar në Vlorë më 1 mars 2017, [botuar për herë të parë: gazeta “Telegraf”, e shtunë, 04 mars 2017, Viti XII i botimit, Nr. 49 (3459), f. 26]:

Rapsodi e vogël për Lajmin e Rrugës së Lumit të Vlorës

Nga Albert HABAZAJ

Tungjatjeta me diell nga Vlora, vajza e madhe e Lumit të Vlorës!

Kush na vlerëson, si ne, e mbajmë në pëllëmbë të dorës.

Njoftimi vjen entusiast, i shumëpritur, me kohë i merituar,

Se për liri e përparim si krahina jonë kush ka luftuar?!

“E ç’ kërkonte” labi i Lumit të Vlorës “në shekuj”,

Rrugën për të lëvizur me dinjitet, jo si të mekur,

Se të parët bënë histori, që djal’ pas djali,

Ta gëzojnë pasardhësit e tyre dhe jo djalli,

Se Lumi i Vlorës qe me nam, Vatra e Idealit,

Jo të mirrte mallkimin e Çikës e Kurorës së malit.

Po, këtyre hënave, lart Vlore thuhet në fjalë:

Notari duket jo kur futet në det, por në të dalë.

 

Lajmi është i gëzuar, na bën me krahë shqiponje,

Pastë uratën e trimave kush i kthen nderin kësaj Zone!

Nderojmë ata që na nderojnë Vatrën!

[1]) Zojzi, Rrok: “Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2”, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2008, f. 1442;

Zojzi, Rrok: “Etnografia shqiptare, 1”, Tiranë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Sektori i Etnografisë, 1962, f. 56, 58-61.

[2]) Trushaj, Aleks: “Gjurmë të prehistorisë në rrjedhën e sipërme të Shushicës”. Shih: “Vlora në rrjedhat e kohës: Konferencë shkencore”, Tiranë, Toena, 2001, f. 45.

[3]) Rrapaj, Fatos Mero: “Mbledhës të folkorit, vëll.8, Këngë popullore të Labërisë”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RSH, Instituti i Kulturës Popullore, 1991, nr. 695, f. 772./Voal

Gjatë punimeve në rrugën e Lumit të Vlorës. 30.06.2018

Ëndrra jonë- Rruga e Lumit të Vlorës

Pamja e re e rrugës

Gjatë punës në rrugën e Lumit të Vlorës

Rruga e Lumit te Vlores … /Nga Albert Abazaj Read More »

Ngjela: S’ka shpëtim për të korruptuarit, me reformën në Shqipëri ndryshon lidershipi politik

Avokati Spartak Ngjela vijon t’i qëndrojë mendimit se nuk do të ketë shpëtim për të korruptuarit shqiptar. Sipas tij reforma në drejtësi po bën hapat në mënyrën e duhur.

“Të tërë këta jetojnë vetëm në funksion të vizionit ndërkombëtar për drejtësinë shqiptare deri tani. E kanë gabim se nuk e ndalojnë dot. Janë të korruptuar. Asnjë gjë nuk e kanë në dorë shqiptarët” ,shprehet Ngjala në një intervistë për Report Tv.

Sipas tij reforma në drejtësi, “I kap 40% të opozicionit që kanë qenë në pushtet,  kanë marrë fund. Nuk i justifikojnë dot pronat, e pamundur. Me reformën në Shqipëri ndryshon lidershipi politik.”

Ngërçi i krijuar në Kushtetuese, sipas avokat Spartak Ngjelës është pozitiv, pasi kjo Gjykatë nuk mund të pengojë dot reformën në drejtësi

Sipas Ngjelës, dështimi më i madh i Ramës është politika e jashtme, ndërsa përsa i përket opozitës, ai thotë që nuk ka besim mes PD dhe LSI.

Ngjela: S’ka shpëtim për të korruptuarit, me reformën në Shqipëri ndryshon lidershipi politik Read More »

Pse të lexojnë shqiptarët, kur “elita” jonë janë Fari Balliu, maskarenjtë, hajdutët, palaçot?!

Nga Ilirjan Blloshmi

Sipas një studimi mbi 1 milionë shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër për vitin që lam pas. Ky studim bëri që “elita jonë” të vërë duart në kokë. Me pretendimin se gjithmonë e më shumë shqiptarët po bëhën analfabetë.

Vluan shkrimet, opinionet, emisionet nëpër studio televizive. Të gjithë thonin se kjo është cmenduri. Pasi sipas këtyrë gjithologëve që të llafosurën e kanë për profesion, e profesion s’kanë. Fajin e kanë si fillim familjet dhe më pas shkollat.

Mosha 25-vjeç është një moshë që sapo ke mbaruar fakultetin dhe deri në këtë moshë në një mënyrë ose në një tjetër ke qënë i lidhur me librin. Pasi ke marrë diplomën duhet të vish vërdallë për të gjetur një punë. Në të shumtat e rasteve të pi ujë miku sesa diploma.

Por nuk është kjo e vetmja arsye që shqiptarët i janë larguar librit, ka shumë arsye të tjera. P.sh një 25 vjeçar apo dhe një 30 vjeçar, nëse ka ndjekur emisiont politike ose ato jo politike në Shqipëri ka parë të njëjtat fytyra. Këta janë “mësuesit” e kombit, të gatshëm për të ligjëruar pafund për çdosend. Duket sikur dinë çdo gjë, janë gati të thonë “shikomëni mua sa i dijshëm jam”.

Dje lexova një intervistë të Rudina Seserit të dhënë për Forbes. Historia e suksesit të saj vlersohet nga Amerikanët, por jo nga Shqiptarët. Një nga miqtë që kam në fb e kishte shpërndarë intervistën e Rudinës. U bëra kurioz dhe po lexoja komentet e shqiptarëve. E dini si ishin?

“Kjo kishte zëri shumë acarues”, “kjo nga hici u bë deputete”, “këtë e ka bërë mut Genc Ruli nëpër debate”. Askush nuk thonte një fjalë të mirë për arritjen e saj.

Shqiptarët nuk lexojnë sepse e dinë që një që lexon nuk ka të ardhme në Shqipëri. Një që lexon nuk mund të ketë një rrugë të hapur në Shqipëri. Kjo vjen nga fakti se ne na është ngulitur në kokë ai që ka mik bën hajër.

E si mund të fromojmë opinione të mirëinformuar kur gjith’ ç’dëgjomë e ç’lexojmë është produkt i narcistave të vegjël, që kërcejne pupthi çdo rast që ju jept mundësia. Fjala vjen flet për seksin Fari Balliu, cështja e Trump i ftuar Fari Balliu, çështja Soros Z.Balliu në studio. Kozmosi, elektorne, protone, neutrone, harpsira, galaktika. Flet analsiti Fari Balliu.

Kjo bën që shqiptarët mos lexojnë, mos edukohen, sepse për çdo gjë këshillat na i jep Fariu&co. E pra ç’na duhet libri, shkolla, edukimi kur të pashkollët, alldaukët, maskarenjt, hajdutët, palaçot, mashtruesit, janë sot “elita” jonë.

Pse të lexojnë shqiptarët, kur “elita” jonë janë Fari Balliu, maskarenjtë, hajdutët, palaçot?! Read More »

Petrit Vasili/“Rama është pulë, llafazan, arrogant, gojepis dhe bashkëpunon me 40 banda”

Petrit Vasili ka vijuar sërish me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, thotë se Rama bashkëpunon me 40 banda.

“Kryeministri i Shqiperise bashkejeton me 40 banda kriminale te deklaruara nga ai vete. Keto banda i buzeqeshin kryeministrit dhe ai ju buzeqesh atyre se kane shume gjera te perbashketa mes vedi. Kryeministri ka frike edhe te flase e jo më ti godase bandat.
Kryeministri,qe ben llafazanin,arrogantin, gojepisin dhe qe kakaris si gjeli ne pleh,kur vjen fjala te bandat rri si pule e hutuar”, shkruan Vasili.

Ndër të tjera ai thotë:

“Ministri i Brendshem i Italise Matteo Salvini hapi nje front lufte te pameshirshme ndaj krimit te organizuar,bandave,trafikantëve të droges dhe te qenieve njerezore ne Itali.

 Rezultatet e tij brenda pak javeve kane qene te jashtezakonshme dhe mbeshtetja e qytetareve italiane per te rritet ne menyre spektakolare,ndersa shqetesimi i bandave te krimineleve me i madh se kurre.

Duke i goditur ne zemer bandat Salvini ai po perballet edhe me kercenimet me vdekje prej te tyre. Ndersa kryeministri i Shqiperise bashkejeton me 40 banda kriminale te deklaruara nga ai vete.

 Keto banda i buzeqeshin kryeministrit dhe ai ju buzeqesh atyre se kane shume gjera te perbashketa mes vedi. Kryeministri ka frike edhe te flase e jo më ti godase bandat.

Kryeministri,qe ben llafazanin,arrogantin, gojepisin dhe qe kakaris si gjeli ne pleh,kur vjen fjala te bandat rri si pule e hutuar.Kuptohet ka frike.

Megjithse Departamenti Amerikan i Shtetit dhe CIA flasin qarte per krimin e organizuar, pastrimin dhe parave te pista i vetmi qe nuk flet, nuk leviz gishtin, nuk vepron eshte vetem ai, kryeministri”,shprehet më tej kreu i grupit të LSI-së”, nënvizon Vasili.

Petrit Vasili/“Rama është pulë, llafazan, arrogant, gojepis dhe bashkëpunon me 40 banda” Read More »

Fatos Nano lëshon bomben për Ramen: Ik largohu, nuk je i denjë për…

Ish kryeministri Fatos Nano pas  aktivizimit në rrjetet sociale, nuk mund të qëndrojë larg opinionit politik. Në një reagim të fundit ai shkruan se koha për Ramën kryeministër ka perënduar, duke kërkuar largimin e tij.

“Pushteti të ndryshon, të verbon dhe ndonjëherë të ngadalëson, por duhet ta pranosh gjithmon se kur të vjen fundi, duhet të dorëzohesh  sepse atëherë Shqipëria mund të ecë para. Ti dhe aq sa munde, por nuk je i denjë për ta ndrydhuar më Shqipërinë, je në kohë për t’u larguar, sepse populli humbi besimin në ty”, shkruan Nano.

Por pas këtij postimi interesante janë komentet e ndjekësve në Facebook. Ata kanë shpërthyer në kritika ndaj Nanos, teksa shkruajnë se vetë ai e solli në politikë.

“Ai që e shkatërroi këtë vend, është ai mosmirënjohës që ti solle në politikë”, shkruan një nga komentuesit.

Fatos Nano lëshon bomben për Ramen: Ik largohu, nuk je i denjë për… Read More »

“Mos u skandalizoni kur vriteni për një ngritje vetulle, po e gatuajmë vetë këtë çorbë”

Ka ngjallur jo pak debati sondazhi i publikuar dje nga Monitor, ku thuhej se 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kishin lexuar asnjë libër vitin e shkuar.

Një ndër personazhet që ka reaguar është edhe moderatori Turjan Hyska, i cili në fakt shprehet i revoltuar dhe gishtin e drejton edhe tek mediat duke thënë se “kjo është çorbë e gatuar nga promovimi i modeleve të shëmtuara.”

Në statuset e tij në Instastory, Turjan Hyska shkruan:

Libri është në ditën e tij më të keqe. Dija është e vetmja rrugë për një shoqëri të emancipuar. Ne si shoqëri po ndërtojmë analfabetë krenarë përditë dhe kjo është një minë me sahat që shumë shpejt do shpërthejë.
Mos u skandalizoni kur dëgjoni për luftë me sëpata, kallashë apo antitanke! Mos u skandalizoni kur vriten për një ngritje vetulle! Mos u skandalizoni kur rrihen nga burrat e nuk thonë asnjë llaf.
Mos u skandalizoni pse e shohim të ardhmen tek 1, X, 2! Mos u skandalizoni kur s’dinë të shkruajnë as emrin! Mos u skandalizoni kur i mbushim hundët me kokainë që 15 vjeç!
Mos u skandalizoni që të gjithë kanë model një me Lamborgini, doktor shkencash në Medellin të Kolumbisë! Mos u skandalizoni që pothuajse nuk do kemi më një rini të që do muzikën e bukur, sportin, zanatin apo familjen!  Çorbën po e gatuajmë vet duke promovuar modele të shëmtuara.
Politika, shoqeria civile, media por mbi te gjitha familja kane deshtuar ne menyre spektakolare per te ndertuar nje shoqeri qe lexon, meson, nderton!”

“Mos u skandalizoni kur vriteni për një ngritje vetulle, po e gatuajmë vetë këtë çorbë” Read More »