Opinione

Nikoll Lesi: Përballja në Tiranë për Bashkinë do jetë epokale, si “beteja e Stalingradit”. Durrësin opozita e ka të marrë

Nikoll Lesi ka publikuar një analizë në gazetën e tij, plot aludime për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Sipas tij, opozita e ka të marrë Durrësin, ndërsa për Tiranën do të ketë një garë të egër.

“Erion Veliaj është kandidati i vetëm nga mazhoranca, i cili mund të përballojë stuhinë opozitare e cila do të jetë e përqëndruar sidomos në Tiranë dhe Durrës për zgjedhjet vendore maj 2019. Opozita ka disa kandidatura për t’u përballur me Erion Veliaj, por njera duket më e forta për rivalizim. Burime nga selia blu thonë se do të rakordojnë me LSI për emrin, jo vetëm për faktin se janë në një koalicion, por edhe se votat e LSI vendosin për emrin e kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës. Gjithnjë nëse PD-ja ruan votat e saja historike në Tiranë.

Nga ana e tij Erion Veliaj duhet pranuar se ka vota me shumë se vetë PS-ja, sidomos nga brezi i ri, çka e bën rival pothuaj fitues. Megjithatë akoma është herët për të parashikuar, sepse do jenë vendimtare votat e qytetarëve në raport me inatet dhe pakënaqësitë ndaj kryeministrit e qeverisjes qendrore, vota këto të cilat nga vendore kthehen direkt në vota politike. Erion Veliaj punon, kjo mbetet e padiskutuar, por qeverisja qendrore mund ti jap kosto. Nuk dihet akoma nëse kostoja e qeverisjes qendrore do të jetë më e madhe se rritja e votave të opozitës, pasi nëse është kështu Erion Veliaj rrezikon shumë.

Opozita e ka pikësynim Tiranën, jo vetëm si pushtet vendor, por për goditur kryeministrin dhe PS-në mu në zemër të “perandorisë” së saj. Ndaj përzgjedhja e kandidatit apo kandidates do jetë një proces i shumëdiskutuar dhe publik nga opozita. Flitet edhe për një kandidat shumë të fortë nga shoqëria civile, por akoma mbetet te hipotezat. Strategjia e opozitës do të jetë që nëse merr Tiranën, pasi Durrësin e llogarisin të fituar prej kohëve të Vangjush Dakos, mënjëherë do fillojnë demonstrata për rrëzimin e kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme.

Kjo strategji quhet si plani B, pasi plani A për opozitën është që këtë vjeshtë ta rrëzojnë Edi Ramën. Por kjo duket paksa e vështirë, sepse kërkon vendimmarrje të fortë opozitare, pasi do kërkojë përplasje njerëzore, sidomos te Godina e Teatrit Kombëtar.

Në këtë rast çështja Teatri do të jetë edhe një test për Erion Veliaj, sepse angazhimi i tepërt i tij, pas kthimit nga presidenti Meta i ligjit në fjalë, mund ti shkaktojë kosto elektorale, personale. Personale themi, pasi ajo ishte dhe mbetet interes direkt i kryeministrit Rama. Edhe vetë opozita ka akuzuar direkt kryeministrin se do të fitojë 200 milionë euro nga ndërtimi i kullave në tokën e Godinës së Teatrit.

Mëgjithatë lëmshi ka filluar të zgjidhet në Tiranë ku duket Erion Veliaj do jetë përballë një femre, edhe simpatike, ose një pjestari zjarr nga shoqëria civile.

Përballja në Tiranë, për Bashkinë, do jetë epokale, tamam si “beteja e Stalingradit””, shkruan ai.

Nikoll Lesi: Përballja në Tiranë për Bashkinë do jetë epokale, si “beteja e Stalingradit”. Durrësin opozita e ka të marrë Read More »

Nard Ndoka është i sigurtë: Përballja me Erion Velinë do të jetë e kollajtë, ja 3 kandidatë të fortë

Nard Ndoka kreu i PDK-së, i kërkon liderit të opozitë s Lulzim Basha që t’i garantojë qytetarët që po largojmë një qeveri të korruptuar, të gjunjëzuar përpara krimit dhe po vjen një ekip, që ofron zgjidhje, garanton shpresë dhe besim për të ardhmen e tyre.

Ndoka beson se bashkëpunimi me LSI-në ka rezultuar efikas dhe pozitiv, duke e paraqitur opozitën e bashkuar si një institucion programor, sipas tij përballë qeverisë së ‘tepsisë dhe kazanit’.
Por aleati i Bashës zbulon për “Gazeta Shqiptare” tri kandidaturat e forta të opozitës në garën për kryebashkiakun e ri të Tiranës përballë Erjon Veliaj.

Nard Ndoka vlerëson se Jorida Tabaku është personazh në rritje në politiken shqiptare dhe se ka personalitet, dinjitet, eksperience dhe lidhje të forta me kryeqytetin.

“Opozita ka mjaft emra dinjitozë për Tiranën: Klajda Gjosha, kandidate potenciale dhe politikane karriere, Dashamir Shehi, politikan popullor, manaxher brilant, i dashur dhe babaxhan për tiranasit, mediatik dhe karizmatik”- shprehet Ndoka.

Ai është i sigurt se përballja në Tiranë nuk do të jetë e vështirë pasi sipas Ndokës, “demagogjia e Veliajt, konsumi moral dhe menaxherial, ndëshkimi për keqqeverisjen lokale e qendrore, e bëjnë të lehtë fitoren e kandidatit të opozitës së bashkuar”.

Z.Ndoka, opozita po përgatitet për aksionin e ri politik kundër qeverisë ‘Rama’ por sipas jush cila do të ishte rruga më e efikase që të çon drejt rrëzimit të Edi Ramës nga pushteti?
Aksioni politik i opozitës duhet t’i paraprijë lëvizjes dhe shqetësimit qytetarë në rritje. Nuk është qëllim në vetvete pushteti; por standardet, zbatimi i ligjit, korrupsioni, droga, grupet kriminale, pasiguria, papunësia, varfëria dhe shumë e shumë probleme të tjera sociale, që shqetësojnë sot çdo familje dhe qytetarë shqiptarë. Opozita duhet të jetë impulsive, e fortë, e vendosur; duke u organizuar si alternativë qeverisëse dhe si garanci për të ardhmen. Protesta është rruga fundore, por kërkohet një opozitë frontale në Kuvend, në takime me grupet e interesit dhe qytetarët, në çdo fshat e qytet, duke ngritur ndjeshmërinë , përgjegjësinë qytetare dhe politike për t’i dalë zot vendit. Çdo njeri sot, mendon si të largojmë Ramën nga pushteti, ndaj është detyra e opozitës që të gjejë rrugët për ta realizuar sa më parë.

Një opsion është edhe bojkoti i Kuvendit apo djegia e mandateve…?
Opozita ka shumë mundësi dhe rrugë për t’u ringritur si alternativë; lënia e mandateve është pika kulmore, ku duhet të ndahemi përfundimisht nga mundësitë e bashkëpunimit institucionaleme mazhorancën.

Po me PD-në ku ndaheni dhe bashkoheni në betejën për rrëzimin e qeverisë?
Nuk ka diferenca në qëndrimet mes opozitës, dikush kërkon rrugë më të shkurta, dikush tjetër kërkon marrjen e përgjegjësive; për dje, sot dhe për nesër. Opozita dhe Z.Basha duhet t’i garantojë qytetarët që po largojmë një qeveri të korruptuar, të gjunjëzuar përpara krimit dhe po vjen një ekip, që ofron zgjidhje, garanton shpresë dhe besim për çdo qytetar.

Sipas jush bashkëpunimi me LSI po e ndihmon apo po e dëmton PD? Ju jeni për një koalicion të përbashkët PD-LSI për zgjedhjet e ardhshme lokale?
Bashkëpunimi me LSI-në ka rezultuar efikas dhe pozitiv, duke e paraqitur opozitën e bashkuar si një institucion programor, përballë qeverisë së tepsisë dhe kazanit. Forcimi i bashkëpunimit, axhenda e përbashkët, programi minimal dhe strategjitë për të ardhmen duhet të jenë kryefjala për më tej. Opozita e Bashkuar po tregon përngjashmëri dhe përgjegjësi për të ardhmen e vendit; debati, idetë, alternativat, vendimmarrja e përbashkët janë pikat e forta të Z.Basha në raport me aleatët dhe qytetarët. Opozita është plurale në përbërje, me ide dhe alternativa programore konkurruese, duke rritur në maksimum mbështetjen popullore dhe besimin për qeverisje më të mirë nesër.

Here pas here ju bëni ironi me kryeministrin, duke i vendosur epitete te ndryshme, por edhe duke i dhënë “këshilla” nganjëherë. Çfarë ju shtyn të ironizoni kaq shumë?
Kryeministri ka zgjedhur një rol qesharak në drejtimin e shtetit, ai po tallet me qytetarët shqiptarë. Ka pesë vite që merret me opozitën, nuk qeveris, nuk ka projekte konkrete, por vetëm demagogji pa fund. Është në luftë me akademikët, me artistët, me sportin, me studentët, me biznesin, me qytetarët e thjeshtë dhe me çdo njeri që ka kurajën ta kritikojë. Në këto rrethana një personazhi të tillë të papërgjegjshëm, vetëm ironia dhe sarkazma mund t’i përgjigjen stilit dhe sjelljes së tij. Ai e ka kthyer politikën dhe qeverisjen në një gropë balte, ku derrat kacafyten duke ngrënë njëri-tjetrin. Unë jam përpjekur që mos të futem në terrenin e tij me baltë. Nëse futesh aty, përbaltosesh njësoj si kryeministri Rama. Edi Rama ka ndërtuar një shtet “ligjor” dordolecash, në qendër ka vendosur vetën për të trembur të tjerët; drejtuesit e institucioneve, nëpunësit, qytetarët dhe këdo tjetër. Promovon në teori shtetin ligjor; me ligje, vendime e udhëzime, por në praktikë; vendos një dordolec në krye për të frikësuar të tjerët dhe asgjë më shumë. Koha e tij ka mbaruar.

Kritik dhe përballë të gjithëve, madje edhe me familjen tuaj politike, tuaj a është e gabueshme opozita?
Unë jam natyrë opozitari i përjetshëm, kritikoj çdo fenomen që gjykoj që dëmton sistemin dhe institucionet. Jam një zë oponent edhe brenda opozitës. “Furçat e lëpirjet” nuk janë arma ime politike, as nuk do jenë kurrë. Opozita ka gabimet e veta; në organizim, në çështje parimore, programore dhe ndjehet mungese besimi herë pas here. Janë tema debati në takimet tona opozitare dhe shumica e këtyre problemeve po marrin jetë, po provojmë dhe tentojmë mënyra dhe hapësira të ndryshme. Kur pranon gabimet dhe mendon dhe vendos për të ardhmen çdo gjë tjetër arrihet. Lulzim Basha është një lider, që të krijon mundë si dhe hapësire, për t’i thënë gjerat, por edhe reagon shpejt duke treguar, që ka formatin dhe garancitë institucionale, morale, politike dhe mendësi tipike europiane. Unë kam besim, se është momenti i opozitës dhe roli i liderit ka një rëndësi vendimtare për të gjithë.

Kjo është arsye që para disa ditësh, kur z.Berisha bëri thirrje për rrëzimin e qeverisë në shtator, ju shkruanit në’Fb’ : ‘Na prij Lulzim Basha…”?
Ishte një revoltë e brendshme. Besoj se ka ardhur koha që z.Basha duhet të dalë mbi të tjerët në vendimmarrje të aksionit opozitar. Ai ka përgjegjësinë, detyrimin kushtetues, politik dhe qytetar për të ndarë momentin kur Opozita duhet të ndahet nga pritja e reflektimit të një mazhorance normale. Megjithatë z.Basha vazhdon të kritikohet nga kundërshtarët e tij brenda partisë, ndërkohë që për kritikët e tij jeni shprehur se alternativa e vetme për ta ishte “rroftë Berisha”. Është disi vështirë të besosh se është mbyllur epoka “Berisha” në PD… Epoka ‘Berisha’ nuk është mbyllur në aspektin e vazhdimësisë dhe qëndresës, por unë kam cituar; se ata nuk kishin mendim ndryshe në atë parti asnjë herë. Kur Berisha u tërhoq nga drejtimi, automatikisht edhe bashkë punëtorët e tij, duhet të bënin një hap prapa. Koha duhet t’i lartësonte apo harronte në varësi të përkushtimit të tyre dhe lidhjes me bazë n. Unë nuk kam gjykuar asnjë herë se ato duhet të largohen, përkundrazi shumë prej tyre kanë histori suksesi që kanë bërë edhe emër të mirë. Apo si rasti i Patozit që nuk ka patur asnjë herë funksione ekzekutive. Ata krijuan një hendek mes lidershipit dhe bazës së tyre, kjo nuk do të thotë, se shumë prej tyre i duhen akoma opozitës me idetë dhe eksperiencën e tyre. Është përgjegjësi e Bashës për t’i afruar dhe e tyre për të kuptuar drejt realitetin e ri. Berisha është një busull reale për to, model i një lideri, që qëndron dhe kërkohet nga baza, por që di të ruajë pozicionin e artë politik që e shoqëron.

Sa besues jeni se Lulzim Basha do t’i shkurtoje mandatin Edi Ramës?
Lulzim Basha i dha një mundësi reale Edi Ramës, që të hynte në histori, si një politikan modern; që di të nënshkruajë marrëveshje historike për vendin. Lulzim Basha e ngriti veten e tij në lartësinë e përgjegjësinë e liderit ndaj vendit. I dha mundësinë vendit dhe Ramës të futej në shina institucionale e kushtetuese. Shmangu përplasjet politike dhe popullore, fitoi simpatinë e atyre që e ndjekin politikën shqiptare, humbi zgjedhjet, por fitoi besim dhe siguri tek të tjerët; se nuk është një politikan që kërkon pushtet, por përgjegjësi dhe rregulla. Rama, përmbysi gjithçka për tepsinë e tij, vodhi zgjedhjet, tradhtoi opozitën, përjashtoi dhe shkeli me këmbë aleatët. Sot ai po vuan agonin e tij. Ndaj sot Basha, nuk ka mundësi që të besojë te Rama dhe axhenda e tij. E vetmja mundësi është ndarja përfundimtare duke vendosur dhe diktuar rregullat e lojës.

Nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, a është e gatshme opozita t’i fitojë ato? A e ka Lulzim Basha besimin dhe garancinë e aleatë ve për të kryesuar nesër qeverinë e re?
Ne flasim sikur opozita është një lëvizje e krijuar dje; ne kemi potenciale dhe eksperienca qeverisëse aq shumë, sa për të ndërtuar tre-katër ekipe qeverisëse. Basha ka drejtuar dy tre ministri të rëndësishme që mbajnë firmën e tij për ngjarje të rëndësishme kombëtare, ndaj ka garancitë dhe besimin e aleatëve, por edhe të qytetarëve, që është kryeministri i duhur për të drejtuar vendin.

Si e shikoni apelin e ndërkombëtarëve drejtuar opozi tës për bashkëpunim me qeverinë me qëllim përmbushjen e reformave integruese, konkretisht atë të drejtësisë?
Opozita ka dhënë kontributin maksimal për reformat dhe do të vazhdojë ta japë atë. Është mazhoranca, ajo që ka përmbysur konsensusin politik dhe ka shembur totalisht garancitë ligjore dhe kushtetuese, duke e kthyer vetingun në një farsë dhe tendencë monopoli. Mazhoranca duhet të zmbrapset nga aventura e saj, duke ofruar realisht kompromis dhe garanci për institucionet përfshi edhe opozitën, si garant të sistemit.

Ambasadori amerikan Donald Lu ikën nga Shqipëria pa futur dot në ‘rrjetë peshqit e mëdhenj” ndërkohë që opozita jo rrallë u përplas me të duke e akuzuar shpesh për bashkëpunim me Edi Ramën. Sipas jush për cilat arsye?
Ambasadori Lu e ktheu në kauzë personale reformën në drejtësi, duke parë një kryeministër të paaftë dhe të gjunjëzuar në mëkatet e tij, ai me gjasa ishte produkt diplomatik i “Soros” dhe kishte marrë udhëzime që drejtësia të mbetej nën kontrollin e tyre për më tej. Lu humbi betejën e kauzën, humbi besimin e opozitës dhe qytetarëve, por do humbë edhe Ramën e Soros. Lu mbetet një mësim për opozitën e politikën në tërësi. Ambasadorët vijnë dhe ikin, Shqipëria mbetet këtu me halle të shtuara shumë, të cilat kërkojnë zgjidhje pikë së pari nga ne të gjithë.

Vitin e ardhshëm zhvillohen zgjedhjet lokale ndërkohë që PS-ja po shkon drejt zyrtarizimit të Erion Veliaj për një mandat të dytë. Ndërkohë nga opozita flitet se më i mundshmi përballë tij është emri i Jorida Tabakut…
Jorida Tabaku është personazh në rritje në politikën shqiptare. Ka personalitet, dinjitet, eksperiencë dhe lidhje të forta me kryeqytetin. Opozita ka mjaft emra dinjitoz për Tiranën; Klajda Gjosha, kandidate potenciale dhe politikane karriere. Dashamir Shehi, politikan popullor, manaxher brilant, i dashur dhe babaxhan për tiranasit, mediatik dhe karizmatik. Nuk duhet ta mendojmë të vështirë përballjen e Tiranës; demagogjia e Veliajt, konsumi moral dhe menaxherial, ndëshkimi për keqqeverisjen lokale e qendrore, e bëjnë të lehtë fitoren e kandidatit tëopozitës së bashkuar.

Nard Ndoka është i sigurtë: Përballja me Erion Velinë do të jetë e kollajtë, ja 3 kandidatë të fortë Read More »

Berat Buzhala i neveritur nga fotot e Ramës: O te mjere, ju nuk me meritoni, unë e takoj çdo njeri ne ketë planet, ju nuk mbushni dot barkun

Fotot e Kryeministrit Edi Rama me futbollistin Kristiano Ronaldo ka përfshirë rrjetet sociale, analistë, gazetare, publicistë dhe politikanë në replika mes tyre. Të tjerë komentojnë fotot në këndvështrimet e tyre. I tillë është edhe i gazetarit Berat Buzhala i cili duket i neveritur nga foto që kryeministri Edi Rama bëri me Kristiano Ronaldon. E quan atë të shëmtuar, të pashpirt dhe qesharake. Sipas tij, mesazhi i vetëm që Rama përçoi me publikimin e asaj fotoje është mburrja dhe arroganca para popullit, që nuk ka si të konsiderojë tjetër veçse “lopë”.

Më poshtë komenti i plotë:
“Ka shku ne Itali me e bo nje foto me Ronaldon, duke abuzu me poziten e tij politike. Kryeministri i shtetit me te varfer ne Evrope shkon ne Itali, me e taku njanen prej ikonave te futbollit boteror. Dhe kete takim e ilustron ne Facebook, sikur me deshte me iu thane shqiptareve: A po e shihni oj lopte e mia se sa i zoti jam une? A po e shihni o zhelana cfare Kryeministri te jashtezakonshem keni? O te mjere, ju nuk me meritoni mua, sepse une e takoj cdo njeri ne kete planet, kurse ju nuk keni buke me e mbushe stomakun.

Pra, miq, ky eshte nenteksti i kesaj fotoje. Sikur Ronaldo te kishte qene per vizite zyrtare ne Shqiperi, hajde me 1000 dreqen, Kryeministri i atij vendi mundet me e taku, se nuk ka ku shkon pertej shtetit te vet. Mirepo, me shku ne Itali, me e keqyr nje derbi, me e realizu nje foto me yllin e futbollit, me e plasu ne faqen e tij ne Facebook, kjo eshte aq e shemtume, aq e pashpirte, sa eshte ngapak edhe qesharake. Ed, une i kisha lepi buzet nga xhelozia nese ti e kishe taku Ronaldon, a e kishe taku kendo ne kete bote, duke mos qene Kryeminister i shtetit, ose duke mos qene i zgjedhur i popullit, por duke qene nje individ i suksesshem i shoqerise shqiptare. Ti Edi, ti qe e udheheq Shqiperine tash ne mandatin e dyte, krejt cka ke arrite ka qene rritja e hapesirave per kultivimin e droges 🙂. Batoni nuk ke me ty a?”, shkruan Buzhala.

Berat Buzhala i neveritur nga fotot e Ramës: O te mjere, ju nuk me meritoni, unë e takoj çdo njeri ne ketë planet, ju nuk mbushni dot barkun Read More »

“Pashë foton e çilimijve të LSI që po trainohen në Jalë, gazi i botës”

Nga Dritan Hila

Tani pashe foton e çilimijve te LSI qe po trainohen ne Jale. Dy korigjime:

1-Pellemba e dores e shtrire, mbeshtetur ne temthin e djthate, eshte pershendetje ushtarake e stilizuar nga mesjeta. Simbolizon mbajtjen e mburojes se syve te armatures se kavalierit lart, qe te shihej fytyra, kur kalonin para tribunes se mbretit.

Trupat paramilitare te partive, kane simbole te marra po nga lashtesia si psh “kemishat e murrme”, kishin huazuar pershendetjen e romakeve, por edhe ata me budallallek pasi ajo nuk ishte pershendetje masive.

Gjithsesi kane ate idiotin e Norvegjise, Anders Breivik qe pasi vrau 84 veta, ne sallen e gjyqit bente nje tip pershendetje te stilizuar nga ai vete. Por nuk mund te kopjojne nje pershendetje qe eshte e ushtarakeve.

Gjithsesi, sa per kulture, te majtet pershendesin me doren e mbledhur grusht mbeshtetur ne temthin e djathte, ose te ngritur lart ne ajer.

2-Partite e majta, perfshire rinine e tyre, ne tubime kendojne “Internacionalen”. Ka qe ju vjen turp, si psh Fresshistat e rinj.

Por sot e kesaj dite ajo mbetek kenga simbol e te majtes dhe Internacionales Socialiste ku aderojne. Me kenge tallava, vetem se behen gazi i botes.

“Pashë foton e çilimijve të LSI që po trainohen në Jalë, gazi i botës” Read More »

Artan Lame u kthehet shqiptarëve: Të paaftë për të ndryshuar, notoni në të njëjtin llum e ndryrësi si në shkrimet e Migjenit

Studiuesi i historisë, publicisti, opinionisti Artan Lame ndërsa na sjell një shkrim të tij në vitin 2011 ku i referohet Migjenit, vjen me një kritikë të fortë për të gjithë shqiptarët. Sipas tij shqiptarët vijojnë të notojnë në të njëjtën llum e ndryësi me përshkrimet e Migjenit duke i veçuar ata si të paaftrë për të ndryshuar.

Nga Artan Lame /  Si sot 80 vjet të shkuara vdiq Millosh Gjergj Nikolla. Po e kujtoj duke risjelle një shkrim të botuar në gazetën Shqip më 31.08.2011.

Po të mos ishte Migjeni. Më të shumtit prej nesh sot, kur ulemi të shkruajmë për varfëri e për mjerim, na pëlqen t’i zbukurojmë shkrimet tona me nga një thënie a frazë të Migjenit. Ndonjëherë, kur ja kemi ngenë të thellohemi, na bën përshtypje dhe e vëmë edhe në dukje se sa të vërteta mbeten edhe sot e gjithë ditën shkrimet e përshkrimet e Migjenit. Në fakt, kjo nuk është ndonjë meritë e Migjenit, por e jona, e shqiptarëve në përgjithësi, që vazhdojnë të notojnë në të njëjtin llum e ndyrësi, të cilën e përshkruante dikur Migjeni. Kështu që nuk ishte Migjeni profeti – shkrimet e të cilit mbeten të vlefshëm edhe sot – përkundër, jemi ne të paaftë të ndryshojmë, duke e lënë këtë vend të vuajë të njëjtat sëmundje dhe duke i bërë kështu të kurdovlefshme vargjet e Migjenit. Nëse ne do ishim francezë a hollandezë, do ja kishim dalë ta ndryshonim fatin e vëndit dhe kështu vargjet e Migjenit do mbeteshin në muze të historisë.

Shkodranët nuk e duan Migjenin. Nuk them për njerëzinë e thjeshtë – ata që heqin e vuajnë për të bukën e gojës dhe për të mbyllur ditën e punës, se këta s’ia kanë ngenë të merren me filozofira e me shkrime – as të sotmit e ca më pak me ata të para një shekulli. Më e holla punë intelektuale që bëjnë këta, është t’u përgjigjen thirrjeve të partive për mitingje dhe të thërresin sa më fort, me shpresë që t’i shohë kryemitingashi. Ndaj, s’e kam fjalën për ata për të cilët shkruante Migjeni, se këta të mjerë, sikur ta dinë se sa u ka kënduar e u ka qarë hallin poeti, do ta shpallnin kryetar partie, meqë tjetër kategori nderimi nuk dijnë.

Migjenin nuk e duan as ata që kanë shkollë, e që i mbajnë për të dijshëm e për elitë të qytetit. As e kanë dashur në të gjallë, e ca më pak e duan sot. Në të gjallë nuk e donin sepse e shihnin si rrezik për veten e tyre, ndërsa sot nuk e duan se janë edhe më injorantë të padijshëm sesa njerëzia e thjeshtë. Njerëzit e thjeshtë, lënda e parë e shkrimeve të Migjenit, nuk i quaj dot injorantë, por thjesht të pakultivuar që jeta dhe hallet nuk u ofruan luksin e diturisë, ndërsa elita është vërtet injorante se, megjithë që u shkollua e u përkëdhel nga fati, mbeti po aq injorante dhe pazot të lartohet moralisht.

Kështu pra siç thashë, shkodranët nuk e donin Migjenin. Të parët e mbi të gjithë, nuk e donin priftat. Kleri shqiptar, e veçan ai katolik, i kish bërë shërbime të paçmuara shqiptarizmës, ruajtjes së gjuhës shqipe e dëshmimit të traditës malësore. Të gjitha këto, i shërbyen fort ëndrrës rilindase të formimit të kombit por, në vitet ‘30 kjo ëndërr ishte realizuar. Shqipëria ishte krijuar, tani duheshin krijuar shqiptarët, siç thoshin përfaqësonjësit e neoshqiptarizmës. Këtu kleri ngeci dhe nuk bëri dot përpara. Konservator për vetë natyrën e vet, kleri vazhdoi të himnizonte shqiptarin trim e kreshnik, të pamposhtur e krenar, që vigjëlonte i ngrysur në malet e paafrueshme; të mbrujtur me kanune e me zakone burrash.

Mirëpo Migjeni e shqeu gjithë këtë fasadë false, të dalë mode dhe të panevojshme në shekullin e ri, duke ju përplasur dhe vënë përpara syve një realitet të turpshëm. Realitetin e malësorit që lyp misër, që shtrin dorën për bukë, të malësores që është gati të shesë trupin, të murgeshës që ofshan, të qytetit që i bishtnon modernizimit, të fëmijës që vuan për bukë ndërsa don të vazhdojë shkollën, të tregëtarit që bën adetet e fesë por mbetet i pashpirt, e gjithë ç’ka tjetër që ende na zukat në kujtesë nga vargjet e tij.

Migjeni me këtë grisje të maskave të kohës së vet, na shpëtoi fytyrën morale përgjithmonë. Nëse ai nuk do kishte shkruar, neve sot do të kishim vetëm poetët që u këndonin Zanave të Malit, ndërsa ndërsa varrezat mbusheshin me fëmijë të vdekur urie. Dhe kur të uleshim të analizonim këtë kundërshti, do të akuzonim paraardhësit se qenë të pashpirt e të pamoral që u këndonin zanave e maleve, ndërsa fëmija s’kishin tullumba e vajzat shisnin nderin.
Migjeni është gati i vetëm midis morisë së shkrimtarëve që denoncuan mjerimin. Ishin edhe një grusht djemsh të dijshëm, përfaqësues të neoshqiptarizmës, por ata qenë më shumë filozofë se sa poetë dhe morali ka nevojë edhe për poezi, pa le pastaj po të jetë “me nji grusht t’fuqishëm”. Sikur të mos qe Migjeni, ne nuk do kishim përfaqësues të brezit të madh të denoncuesve të realitetit; do të qe sikur Franca të mos kishte patur Balzakun apo Anglia të mos kishte Dikensin. Ne e patëm por s’e duam.

Kaq për shkodranët e atëhershëm.
Por edhe shkodranët e sotëm nuk e duan Migjenin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që gati druhen t’i zënë emrin me gojë; që më tepër se një here kanë dashur t’i heqin emrin nga Teatri; që i kanë thyer bustin, e i kanë harruar varrin midis plehrave të qytetit; që i kanë zhdukur çdo shenjë të ekzistencës së tij në qytetin e Madh të Veriut, shtëpi, dhomë, muze, e gjithshka tjetër.

Sërisht janë edhe priftat, që nuk e duan e s’mund t’ia falin atë ç’ka i bëri ai klerit të kohës kur qe gjallë. Në fakt, Migjeni duhej të konsiderohej si aleat i klerit në përpjekjen e kahershme për drejtësi sociale e barazi shoqërore, por kjo nuk ndodhi as në gjallje të tij e aq më pak sot. Kisha katolike në momente të vështira të shekullit XX, përgjithësisht ja ka dalë të rreshtohet në anën e të dobtëve, duke ju rikthyer vokacionit të shekujve të parë të ekzistencës së vet; por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur gati askurrë në Shqipëri. Kleri shqiptar ka nxjerë plot martirë të fesë si Gjon Gazulli, por ndoshta askurrë martirë të njerëzve, si Romero i Salvadorit.

Zoti më ndjeftë se ndoshta e rëndova dorën pak si shumë mbi kurriz të priftave, kur më shumë se ata, përgjegjësi për këtë harresë ka vargani grotesk që i thonë vetes “zotnit e sotëm të Shkodrës”. Këta, të dal nga hiçi e të bërë zotnij veç prej lekut a prej karriges, as mund të pritet të duan dikë që ju zbulon rrënjët. Për fat, “sikur”-i i vënë në krye të këtij shkrimi, nuk mund të ngjasë, pasi ne e patëm Migjenin. E duam a s’e duam, ai është aty për të treguar me gisht pisllëkun e kohëve.

Artan Lame u kthehet shqiptarëve: Të paaftë për të ndryshuar, notoni në të njëjtin llum e ndryrësi si në shkrimet e Migjenit Read More »

Ngjela flet me emra/ Ja politikanët e korruptuar që do kapë Reforma në Drejtësi

“Ka gjashtë vjet që amerikanët dhe gjermanët kërkojnë interlekutorë politikë në Shqipëri, dhe shqiptarët i nxjerrin ose Sali Berishën me injorantet e tij, që duan shkatërrimin e Shqipërisë, ose Edi Ramën me një tufë kalamajsh që vetëm vjedhin”

Avokati Spartak Ngjela shprehet se ka ardhur fundi i politikanëve të korruptuar në vendin tonë, duke përmendur këtu dy udhëheqësit suprem të politikës, Sali Berisha i PD dhe Edi Rama i PS. Ngjela shkruan në ‘Facebook’ se të dy këta politikan, me injorantët që i ndjekin nga pas, i kanë sjellë shumë dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve, por tani ka ardhur koha që ata të largohen dhe kjo nuk do të ndodhë me revolucion, por me reformën në Drejtësi.

Sipas tij, politika amerikane po kërkon prej vitesh shqiptarë patriotë për të bërë politikë dhe gjën hajdutë antishqiptarë, që punojnë për fqinjët pushtues të territoreve shqiptare. Më tej, avokati shton se shqiptarët nuk mund t’ua vënë drunë këtyre politikanëve, pasi janë drejtuar gjithmonë nga njerëz të korruptuar që kanë shitur Shqipërinë e shqiptarët, duke lënë të kuptuar se pastrimin e politikës nga të korruptuarit do ta bëjnë vetëm amerikanët dhe gjermanët.

“Ka gjashtë vjet që amerikanët dhe gjermanët kërkojnë interlekutorë politikë në Shqipëri, dhe shqiptarët i nxjerrin ose Sali Berishën me injorantet e tij, që duan shkatërrimin e Shqipërisë, ose Edi Ramën me një tufë kalamajsh që vetëm vjedhin.

Të gjithë janë kundër interesit të Shqipërisë. Të gjithë shiten dhe të gjithë vjedhin dhe urrejnë shqiptarët. Këto kanë qenë vitet kur Shqipëtarët do të rifitonin nderin historik. Por u drejtuan nga hajdutë antishqiptarë. Kjo ka qenë fatkeqësi kombëtare

Ka tre vjet politika amerikane që po kërkon shqiptarë patriotë që të bëjë politikë, dhe gjen hajdutë antishqiptarë, që punojnë për fqinjët pushtues të territoreve shqiptare.

Pse nuk ikin hajdutët nga drejtimi i Shqipërisë? Jo, pyetje është kjo tjetra: pse nuk iu vënë këtyre drunë shqiptarët?

Nuk e bëjnë dot, se këtë shqipëtarët e kanë dobësi shekullore: janë drejtuar ngaherë nga shqiptarët e korruptuar që kanë shitur Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe këta kanë ardhur në drejtim me radhë, njëri pas tjetrit. Kështu edhe sot. Po sot, a do të ikin?

Sigurisht që po. Por i kanë sjellë shumë dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tani ka ardhur koha. Dhe i kap Reforma, kjo është gjë e sigurt. Prandaj këta të korruptuar nuk do largohen me revolucion, por me reformë”, shkruan Ngjela.

Ngjela flet me emra/ Ja politikanët e korruptuar që do kapë Reforma në Drejtësi Read More »

“HESHTJA“, vdekje ma e randë se atentati

Nga mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija

Pyes: Sa herë vdiqe Gurakuq?

Me siguri që ti do të thuesh: të lutem, më len në qetësi, këtu, ku jam. A s’të mjaftoi gjithë jeta e veprimtaria ime, e trazueme dhe e flijueme per Shqipni? Të lutem, tash së paku, më len pa më trazue!

Mendoj: drejt o Gurakuq: Ti i pastri, i drejti, i nderëshmi, ti shembulli I atdhetarisë, ti motorri i pamvarësisë, luftove u perpoqe për liri e qetësi, e tash, këto i ke të shtrejta e lypë, me të drejtë , që mos ti trazojë kush.

  • Më fal! Por, kaluen sa pervjetorë të lindjes sate, po ashtu edhe të vdekjes e askush s’u kujtue: asnji organ shtetnor apo shtypi. Heshtje vorri e këtë rasë, për keq, mbas sa dekadash të vdekjes sate.

Vdiqe!? Jo mor burrë por të vranë. Të vrau mbreti, të cilit, si duket, për meritë të vrasjes sate, të B. Currit, H. Prishtinës, A. Rrustemit etj. i u ngrit monumenti (interesant…, prej nji artistit që ka ba edhe E. Hoxhen!!!) dhe mendohei për mauzoleumin e dinastisë “ZOGU”.

I lumtë Demokracisë së gadi tridhetë vjetëve! Veçse nuk thohet drejtë për drejtë: Baltion Stamolla “të lumtë pushka” (e pabesë).

Kjo kje vedkja e parë e jote, vdekja fizike.

Erdhi përbindshi i kuq. Këtu jo se s’tu përmend emni e s’pat ndonji botim (monografia e P. Takos) e ndonji artikull, por përsa je përmend, peshove tepër lehtë. Universiteti i Shkoders mban emnin tand dhe u ba monumenti i yt, në qendër të qytetit tand. I lumtë Shkodres qi kujtohet për birin e vet, por aty, ku ti e kishe vendin, t’u mohue: NË MONUMENTIN MADHËSHTOR TË PAMVARSISË në Vlonë, nuk t’u dha asnji centimetër vend. E pra, pesha e jote, në 1912-ten ishte aq e madhe, sa s’ka kandar që ta peshojë.

Mos të mendojnë kush, se ka faj Vlona. Ajo të ka pasë e të ka në zemër, deri në të sosun të shekujve.

Atëherë kush: Grupi i skulptorëve apo shteti komunist?!

E din Partia, që po s’a pati diktue, do  t’ia kishte “zhgulë veshin” artistëve, për këtë mungesë absurde por, e justifikoi realizmi socialist: …mbasi Gurakuqi, si shkodran, do të ketë kleçka, sado pak, si prej klerit ashtu edhe prej figurave tjera antikomuniste.

Ka shumë kohë, në nji letër që Gurakuqi i drejton nji mikut të vet, të botueme në nji revistë të herëshme, pat shkrue: “…na kanë fye randë, na kanë quejtë komunista…”, e këtë natyrisht, që komunistët s’mund t’ia falshin.

Megjithë atë, shtëpia e Gurakuqit u shpall “Muze”. Mjaft me kaq, mos tepër bile! Këtë ato s’e kanë thanë me gojë por, me zemër sigurisht që po!

Hëm…, “Shtëpia Muze” ! Vetëm nji pllakë, në krah të nji dere të madhe, që nuk ruen karakterin shkodran, thotë se: “Këtu ka lindë Gurakuqi”, ….e se, …”mbrohet nga shteti”. Kush?! Shtëpia?!…AJO NUK EGZISTON. Pra, ke mbron shteti? Apo e ka prishë vetë? Kështu edhe me Daut Boriçin, kryetarin e degës së Lidhjes së Prizrendit për Shkodren, me Filip Shiroken, Isuf Tabukun, etj. I lanë pa plang e pa shtëpi, e kjo për se vdekuni. A ka hall ma të madh?! Ishte, nji njeri, burrë tepër i ndershëm, mik i Gurakuqit, (Gj. Kamsi), që kur u ba shtëpia muze, dorëzoi nji mori materialesh, që prej teshave të pergjakuna, kunorat, lajmërimet etj., që i kishte ruejtë me fanatizëm prej dekadash, në shtëpinë e tij. Mendim i mrekullueshëm i tij e që plotësoi sasinë e relikeve të shtrejta të heroit, por… ku janë sot?

Këta breza të rij, që rriten, a i kanë pa ndonjiherë dhe a dijnë se ekzistojnë? Edhe në kjoftë se ruhen në muze, vështirë për ekspozim të përherëshëm, për mungesë ambientesh.

Vorri?!

Ndër vorret e deshmorëve ishte e asht nji (vorr) i caktuem për te. Dikur, u pat thanë se erdhën eshtnat e bekueme të Gurakuqit, prej Barit, e u vëndosen aty. Edhe nji (vorr) për Dedë Gjo Lulin, por ky i fundit kje vorrosë në Kishen Françeskane, por, për mos me e lane vetëm, eshtnat e tij u treten në Bunë, bashkë me ata të At Gjergj Fishtës, kur u rropos gjithshka ndër kisha e xhamija.

Pyes vehten sot: … i tiji (vorri i Gurakuqit), a ka gja mbrendë, atje në kodër? Po?! Si duket, Gurakuqi, për brezat e fundit të politikës, i takon tokës. “HESHTJE”. E pra, nji vrasje tjetër kjo.

Fluturoi, tashma kaherë 100 vjetori i pamvarsisë, e ….HESHTJE vetëm për emnin e tij. Dishroj me këtë rasë, që Shkodra të bante diçka, për të ekspozue ata relike, tepër të shtrejta, si dhe (ndoshta absurditet), nji bust, të derdhej në bronx e të çohej në Vlonë dhe të vihej tek kambët e Ismail Qemalit, se kje krahu i djathtë i tij, e ai, me siguri, do të ndjehet ma i fortë, prap si në ditët e Nandorit të madhnueshëm.

Kujtoj, sa përvjetorë të lindjes e të vdekjes së tij, e ….përsëri hiq… Turp! … Edhe ma turp, kur kërkohet që gjakun e tyne të pastër (Gurakuqit, Currit, Gazullit, Prishtinës, Rustemit), ta përlyejnë, tue na thanë e quejtë “ Vllazën të nji gjaku”, me pushtuesit e ndryshëm… E pra, as probatina që i kena pi gjakun njeni tjetrit, nuk jena, …DERDHË PO!?

Fishta thotë: Me gjithkend vllazen e shokë, por seicili n’cak të vet… Nuk paska folë kot, me ato dy elegji për Gurakuqin e Currin. Mirëpo, pyes përsëri: A mbulohet dielli me shoshë? Se kush kje e asht Gurakuqi, dihet prej botimeve të kaherëshme e plotësohet prej intervistave të W. Kamsit, V. Hotit, G. Shpuzës (të gjithë profesorë), të librit të Kolec Çefës etj.

Si ka mundësi të vihet nji eklips artificial, mbi një diell që ka shndritë me forcë token shqiptare?! Përsëri me fjalët e Fishtës së madh: …A ka si i bahet kuej ma tepër dhunë? E vrasësi krekoset në bronx, për vepren e përgjakshme të tij, bile, thohet:…Me këtë nuk errësojmë figurat e tjera… Kulmi! Na në Shkoder thona: O puth kryqin o kërce hendekun…, pra, …djajtë e shejtnit, kurrsesi nuk mund të rrijnë bashkë. Kanë kalue ka herë dy datat e tija: lindja me 19 shkurt 1879 dhe vdekja 2 mars 1925. Prap “HESHTJE”.

Pyes gjithnji: a i del zot kush, sot, në “Demokraci” këtij demokratit të madh, që nuk asht turp që në çdo zyrë demokratike, të jetë portreti i tij? A thue, të gjithë janë pro kësaj heshtje, që përveç se pa shtëpi e pa vorr, duen të jetë edhe pa emen? Historia kështu do të bahet?

Atëherë lutem: shëndritja, Zot, mendjen autoriteteve tona, shkencatarëve tonë, historianëve tonë e atdhetarëve tonë, që të vejnë emnin e tij të pavdekshëm, në piedestalin e Atdheut, për të cilin, shkriu jeten; e në kjoftë se heshtet ma, në këtë botë u baj thirrje shpirtënve e eshtnave të dëshmorëve: Gurakuq, Curr,  Prishtinë, Gazull, Rustem, të mblidhen tok atje në parajsë e si thotë Fishta: Para fronit të Perëndisë, lypni gjyq mbi këta “KAINA” të kunorzuem, që kombin tonë po duen me e pa të sharruem?!

Pyes, …pyes,…Pse linde ndopak o Gurakuq?

“HESHTJA“, vdekje ma e randë se atentati Read More »

“Shqipëria është nën pushtetin e tij, qytetarët e kanë pranuar fatin e tyre”

Nga Enton Abilekaj

Lexon shpjegimin e Kryeministrisë dhe duket se hamendjet bien me lehtësi përpara të vërtetës së thjeshtë. Duket sikur ajo pak transparencë u ka munguar gjithë historive me Kryeministrin që shpenzon miliona për veshje, udhëtime dhe llastime të tjera luksoze.

Ai është vetëm viktimë e rrethanave. Ishte me pushime kur i erdhi papritur një ftesë nga Presidenti i Juventusit që me siguri do jetë një nga adhuruesit e tij. Vendos ta pranojë ftesën, por nuk i përputhen oraret. Në axhendë ka një mbledhje informale të qeverisë në rezidencën qeveritare të Vlorës. I duhet një mjet për të arritur në kohë në Torino dhe ja ku del rastësisht çarteri i Igli Tares.

Përfiton nga hyrja VIP për të bërë autostop në pistë. Fati është me të, Igli Tare është duke shkuar në të njëjtin destinacion. Udhëtim pa pagesë, zero shpenzime nga buxheti i shtetit, zero shpenzime nga xhepi. Nuk është abuzim, është thjesht fat. Qetësohesh, mbyll portalet, mbyll televizorin dhe vendos t’i japësh fund me këtë histori. Në sfond dëgjohet një zhurmë monotone si ajo e molës, që gërryen rrobat. Në fakt është mola e dyshimit që gërryen ndërgjegjen me disa pyetje të thjeshta.

Gjithë ky fat, kjo seri koincidencash pse nuk i ndodhën Edi Ramës kur nuk kishte pushtet? Çfarë raporti ka Kryeministri i Shqipërisë me një biznesmen të madh në Itali, që të marrë një ftesë të kushtueshme prej tij? Çfarë raporti ka me Igli Taren që të përfitojë nga çarteri? A janë këto dhurata pa kthim? A janë këto dhurata të ligjshme? A ka një ligj për dhuratat për funksionarët e lartë? Këtyre pyetjeve për fat të keq nuk u jepte përgjigje sqarimi i Kryeministrisë dhe përgiigjet që vijnë në mendje, të çojnë prapë në rrugën e fillimit.

Hap sytë dhe kupton që nuk mundet që ky zinxhir koincidencash të ndodhë në rastin kur udhëtimi luksoz i Kryeministrit u denoncua nga një eksponent i opozitës. Në fakt ky është zinxhiri që kryeministria do të lidhë edhe një të vërtetë tjetër, që po të bashkohet me udhëtimet luksoze të Ramës në Mynih tek Bajerni, në Kinë me një biznesmen tjetër, në galerinë më të shtrenjtë të New York-ut, në galerinë më ‘in’ të Europës, të nxjerr tek një e vërtetë e madhe: tashmë ai është shndërruar në Emirin e këtij vendi, që e trajton si emirat.

Ndërsa mundohet të plotësojë listën e mungesave, të hakmerret për listën e frustrimeve, e sheh të lehtë që për cdo tekë të plotësuar të falë pasuri nga vendi, si të jetë pronar i tij. Me këtë lehtësi i jep Stadiumin Kombëtar një biznesmeni, Teatrin Kombëtar një biznesmeni tjetër, bregdetin një tjetri, buxhetin e shtetit- taksat disa të tjerëve. Të gjitha këto mundësojnë llastimin e tij, shpenzimet pa frena për të plotësuar çdo tekë, çdo mungesë cdo frustim. Do të ekspozojë veprat e tij mes piktorëve më të njohur të botës, e bën pavarësisht kostos. Do të spikasë si tifoz i një skuadre fituese, pasi ka qenë më humbësit më parë, carteri është aty, ftesa vjen në Dhërmi.

Do të futet në historinë e basketbollit, i jep një tender Tërmetit dhe ai e tund si ia ka qejfi 54- vjecarit që po blen të shkuarën me çmimin e shkatërrimit të së tashmes dhe të ardhmes së atyre që qeveris. Do që mediat ta quajnë shpëtimtar, ua jep buxhetin e shtetit me projektin 1 miliardë, apo me dëmshpërblime për gjoja dëmet që u ka bërë pronarëve të tyre në kohën kur nuk e fërkonin. Emirati është nën pushtetin e tij, qytetarët e kanë pranuar fatin e tyre. Ndërsa media përpërlitet duke dhënë shpirt, për opozitën, do të mjaftonte një komision hetimor për ta nxjerrë Emirin lakuriq.

“Shqipëria është nën pushtetin e tij, qytetarët e kanë pranuar fatin e tyre” Read More »