Opinione

Pse i “tallim” emigrantët shqiptarë kur vijnë në Shqipëri?

Gabimet në komunikimin joverbal janë përgjithësisht më të pranishme ndër shqiptarët, së paku për tre arsye kryesore:

Së pari, kultura tradicionale shqiptare, edhe e ditëve tona, ka qenë dhe është shumë e pasur me elemente të komunikimit simbolik joverbal. Përvetësimi i kësaj pasurie kulturore kërkon kohë, kualifikim ose së paku një farë trajnimi.

Së dyti, që nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX deri në ditët tona, shqiptarët mund të karakterizohen si komb emigrantësh. Gjatë këtyre viteve ikja e shqiptarëve drejt vendeve të tjera mori pamjen e eksodit. Sipas të dhënave të përpunuara nga strukturat statistikore të specializuara, në vitin 2014 rreth 1.4 milion shqiptarë punonin dhe jetonin si emigrant me status të legalizuar në vendet e tjera.

Tregues të tillë të emigrimit të shqiptarëve bëhen edhe më problematikë së paku për tre arsye kryesore:

1- Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë punuar dhe jetuar përgjatë disa viteve si emigrant në vende të tjera dhe janë rikthyer në atdhe, ku u duhet të rikujtojnë ose të mësojnë nga e para modelet e komunikimit, të ndërveprimit simbolik të modifikuar në rrjedhën e viteve.

2- Nuk është i vogël numri i shqiptarëve që punojnë e jetojnë si emigrantë ilegalë në vende të tjera.

3- Është edhe më i madh numri i shqiptarëve, veçanërisht i të rejave dhe të rinjve që e projektojnë të ardhmen e tyre në rrugët plot vështirësi e sfida të emigrimit në vende të tjera, në sisteme kulturore të tjera.

Sfidë e rëndë për emigrantët shqiptarë nuk është vetëm përvetësimi i gjuhës së folur të vendit pritës, por edhe i gjuhës së komunikimit simbolik joverbal.

Përvoja jetësore tregon se, sikurse emigrantët me përkatësi tjetër kombëtare, edhe emigrantët e studentët shqiptarë mund të pësojnë më shpesh shok kulturor kur nuk kuptojnë gjuhën simbolike të vendasve.

Madje, emigrantët e studentët shqiptarë vihen më shpesh në pozitë të vështirë , e deri tragjikomike, nga mosnjohja ose keqkuptimi i gjuhës së simboleve të vendasve, se sa nga mosnjohja e gjuhës së tyre të folur dhe të shkruar.

Kësisoj, shumë shqiptarëve u duhet të përvetësojnë, krahas gjuhës simbolike të kulturës së vet, edhe gjuhën simbolike të një kulture tjetër, në territorin e së cilës ata do të jetojnë dhe do veprojnë me statusin e emigrantit të përkohshëm, të përhershëm ose të studentit.

Së treti, si rrjedhojë e përballjes me sfida të rënda deri në caqet e mbijetesës, në rrjedhën e shumë shekujve, nën trysninë e sistemeve politiko-ekonomike totalitare dhe të trajtimeve ideologjike e propagandistike të skajshme ndër shqiptarët është “instaluar mekanizmi” psikokulturor i shikimit dhe i trajtimit bardhë e zi të çështjeve të ndryshme, veçanërisht të atyre shoqërore.

Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”

Pse i “tallim” emigrantët shqiptarë kur vijnë në Shqipëri? Read More »

Zhveshjet e personazheve ‘VIP’, Mustafa Nano: Janë vetëm objekte sek.suale

Para ca muajsh unë u mora me vajzat që, për të arritur suksesin, zhvishen e ekspozojnë trupin e tyre në televizion.

Asëll-asëll, u mora me hiperseksualizimin e mjedisit publik. Sepse ky ishte në thelb shqetësimi im në atë kohë. Hiperseksualizimi.

Por askush nuk e mori atë opinion timin për atë që ishte. E morën për atë që donin. Dhe mbetën tek emri i një moderatoreje televizive, të cilën unë e përmenda për të ilustruar tezën time. Dhe e shitën të tërën si një debat mes meje dhe asaj. Madje, Alban Dudushi donte të organizonte edhe një ballafaqim timin me atë moderatore në studion e vet. Unë i thashë “jo”, kuptohet, pasi më rezultonte që Albani nuk e kishte kuptuar shqetësimin tim.

Ai e kishte marrë monologun tim si një gërricje timen, dhe aq, gjë që e bënë të gjithë njerëzit e cekët të vendit. Dhe Albani, a thua se i kish vënë vetes për qëllim të më zhgënjente mua pa kthim, bëri edhe një të pabërë tjetër. E bëri debatin mbi atë temë, por kish ftuar, për t’u hakmarrë për refuzimin që unë i bëra, edhe dikë që të hidhte llum mbi mua. Dhe vetë bënte sehir. Hëm! Unë nuk e di nëse Albani e di që unë nuk do ta bëja kurrë atë që bëri ai. As ndaj tij, as ndaj dikujt tjetër.

Por po rindalem te ideja që kam shprehur. Diskutimi mbi hiperseksualizimin është kompleks për më shumë se një arsye (jam marrë me këtë gjerë e gjatë në librin tim “Provocateur”), por unë po ndalem te njëra në mënyrë të veçantë. Në ka një gjë në këtë botën e sotme që e nxit maskilizmin e seksizmin, e që e përqesh barazinë mes gjinive si një arritje apo si një objektiv, kjo gjë është hiperseksualizimi i mjedisit publik. Thënë me fjalë më të varfra, kjo gjë janë vajzat e zhveshura që na shfaqen kudo, në kopertina revistash, në studio televizive, në spote publicitare, në skena koncertesh, në rrjetet sociale, deri edhe në filmat multiplikativë, që shihen nga fëmijët e vegjël.

Ju ka qëlluar të shihni filma me kartona që janë prodhuar për një audiencë të moshave fare të njoma? Në disa prej tyre, personazhet femra, që janë gjithashtu vajza të vogla, paraqiten me gjinj të hedhur, me të ndenjurat e kërcyera, me buzë të fryra e në përgjithësi me pamje sensuale. Jemi duke u kallur fëmijëve tanë që në moshë të njomë idenë se ato nuk janë gjë tjetër, veçse objekte seksuale.

Dhe pastaj çuditemi pse ato e kanë mendjen veç për t’u zhveshur. Po si të mos zhvishen? Atyre u është mbushur mendja tanimë se nuk mund të fitojnë ndryshe ndjekës, audiencë, popullaritet, famë. Nuk mund të fitojnë vëmendjen e të tjerëve, nuk mund të bien në sy, për rrjedhojë nuk mund të fitojnë para e sukses. Ndonjëra zhvishet edhe sepse dëshiron, të kuptohemi, por në përgjithësi zhvishen për të përdorur e shitur trupin e tyre. Tani, unë nuk jam me idenë që ne t’i ndalojmë të zhvishen.

Duan të zhvishen motrat Kardashian? Ok, le ta bëjnë. Do të zhvishet Bleona Qerreti e Enca Haxhia? Ok, le ta bëjnë. Do të dalë zbuluar deputetja e Kosovës, Duda Balje, dhe kështu të shkojë në Parlament?

Ok, le ta bëjë, siç e kishte bërë këto ditë, kur u pa në Parlament me një fustan transparent, që bënte t’i dukeshin krejt të mbathurat në ngjyrë të zezë. (Në fakt, këtë të fundit, unë nuk do ta lejoja. Sepse më duket e rëndë ta shndërrosh Parlamentin në një pasarelë. Është kundër natyrës së gjërave ky konfondim. Parlamenti është për tjetër gjë).

Por le ta zëmë se nuk ekziston ndonjë problem edhe në këtë pikë. Le të mos i pengojmë pra që ta bëjnë atë që bëjnë. Le t’i lëmë të zhvishen edhe për kënaqësinë e syve tanë, të burrave. Edhe për kënaqësinë e syve të mi, sigurisht.

Por në të njëjtën kohë ne, si shoqëri, duhet të biem dakord, se vajzat që zhvishen, nuk ka pse të vlerësohen për faktin që zhvishen. Ne duhet t’i vlerësojmë ato, mbi të gjitha, për zellin e tyre për t’u aplikuar, për të zhvilluar talente e dhunti të tyret, për punën, lodhjen, këmbënguljen, e cilësi të tilla të tjera. Ky është mesazhi që duhet të përcjellim.

Nëse ne vijojmë të inkurajojmë, promovojmë e të idolizojmë vajzat e zhveshura të patalentuara apo vajzat që të vetmin talent kanë të zhveshurit, ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse përcjellim mesazhin se roli i grave është të jenë në funksion të kararit e prehjes së burrave, se statusi i tyre është ai i objektit seksual, që zgjon dëshirat te meshkujt dhe që u ofrohet këtyre të fundit si shans për të zbrazur energjitë e tyre mishtore.

Mirëpo, ky është…. maskilizmi. Kjo është ajo që duam? Kjo është ajo që duan gratë? Nuk besoj. Gratë që kanë luftuar për të drejtat e grave, gratë që kanë sakrifikuar për këto të drejta, nuk kanë pasur në mendje, në asnjë version, zhveshjen si tregues e provë të barazisë me burrat.

Nga Mustafa Nano

Zhveshjet e personazheve ‘VIP’, Mustafa Nano: Janë vetëm objekte sek.suale Read More »

“Erdhën në Tiranë, u bënë me vila”, gazetarja i përvishet Eni Çobanit: Bëre gafë…

Një reagim i papritur ka ardhur nga gazetarja Iva Tiço ndaj avokates Eni Çobani duke e sulmuar atë pas një shkrimi të avokates lidhur me vettingun. Por jo vetëm edhe për tagrin e shoqërisë që ajo përfaqëson të cilët u pasuruan shumë shpejt dhe pronat e patundshme të tyre nuk numërohen.

Nga Iva Tiço/ Dje ishte një nga shkrimet më të lexuara dhe më të komentuara në Tirana Post Eni Çobani, që duke folur në një intervistë për Vetting-un në sistemin gjyqësor, ishte e idesë që përjashtimi i të korruptuarve nga radhët e drejtësisë nuk ishte i mjaftueshëm, pasi atyre u duhet hetuar dhe konfiskuar pasuria e bërë me të padrejtë. Lajmi ishte ky, siç e kam përmbledhur në një fjali. Por, meqë juristja, e bërë e njohur në audiencën shqiptare si pjesë e programit e “Diela Shqiptare”, me një nga rubrikat me rekord shikueshmërie si “Shihemi në gjyq”, ka vendosur ta shpjegojë më qartë idenë e saj, ka vijuar më tej arsyetimin… Për të qenë të ndershëm, po e citojmë ekzaktësisht:

“Akoma sot jam përballë jush dhe realisht ndihem e fyer në personalitet, sepse jam një njeri i lindur në Tiranë, jam vajzë e dy intelektualëve, kam jetuar mirë, por nuk kam pasur mundësi të kem as vila, jo vilë në fshat, vilë në qytet, vilë në det dhe vilë në mal, por një shtëpi modeste, në të cilën vazhdoj të jetoj edhe sot. Po si është e mundur që ky njeriu që nuk e ka njohur Tiranën ndonjëherë, ka ardhur shumë vonë në Tiranë, është bërë multimiliarder, ka ushtruar edhe funksionet e gjyqtarit ose të prokurorit dhe del sot para meje e teje dhe nuk i bën përshtypje fare asgjë, biles del nga komisioni dhe thotë “E kanë marrë në mënyrë korruptive vendimin për mua, ose dhe politike?”

Edhe pse juriste, edhe pse gjykatëse popullore, edhe pse “bijë intelektualësh”, ligjërimi i mësipërm i Eni Çobanit nuk ndryshon fare nga ai i një fqinji në pallatin tim, lagje në zemër të Tiranës, që si banor autokton që është, nuk do që të paguajë as tarifat e administrimit të pallatit dhe proteston që ne jabanxhinjtë të kemi fjalën tonë në vendimmarrjen e shkallës, pasi pretendon që është ende pronari i tokës, edhe pse ka firmosur bashkë me të vetët për ndërtimin e pallatit… Me të e kam kollaj, e kaloj me një “ha… ha” sa herë më thotë ndonjë gjë të ngjashme, po me këtë zonjën Eni si t’ia bëj? Meqë është bijë intelektualësh dhe di ca më shumë sesa fqinji im, po tentoj t’ia shpjegoj pak më butë:
– Zonja Eni, nëse një gjykatës i korruptuar që ka lindur jashtë Tiranës dhe një i tillë i lindur në Tiranë janë të dy të fajshëm, i bie që të dy kanë faj njëlloj dhe mirë është t’u sekuestrohet pasuria të dyve.

– Zonja Eni, nëse një gjykatës apo çfarëdo punonjës i drejtësisë qoftë, është i korruptuar dhe nuk ka lindur në Tiranë, faji i tij nuk është se ka blerë vile dhe të del ty përpara, por sepse ka përfituar para me të padrejtë. Vila është një nga gjërat që tregon se ka para, por ka dhe shumë gjëra të tjera që e tregojnë këtë: veshjet, udhëtimet, paratë në bankë, shkollat e fëmijëve, aksionet në shoqëri tregtare, apartamentet që nuk janë vila, dyqanet, makinat e shtrenjta, çantat Hermes, lekët poshtë dyshekut etj., etj., (se nuk kam dhe aq shumë fantazi se ç‘mund të bëja me lekët po të isha njeri i drejtësisë).

– Zonja Eni, nëse një gjykatës i korruptuar, që ka lindur në Tiranë, për arsye të ndryshme nuk ka qejf të blejë vilë, është po aq i korruptuar si ai që vjen nga rrethet dhe blen vilë. Sërish i duhet konskuar pasuria dhe aq laçkë e plaçkë sa ka, paçka se jo vilë.

– Zonja Eni, ka shumë njerëz që nuk kanë lindur në Tiranë, që deri në njëfarë pike nuk u ka plasur fare se ku bie Tirana dhe për arsye të ndryshme, që nuk kanë domosdoshmërisht lidhje me korrupsionin, mund të kenë aq para sa të blejnë një vile ose disa të tilla. Ti si vajzë intelektualësh që je, i bie mos të të vijë mirë, por ja që kjo është jeta, ky është kapitalizmi. Dhe në kapitalizëm nuk ka lezet të shprehesh kështu “ka ardhur vonë në Tiranë”. Ja ka ardhur vonë, e ça pastaj? Të presë radhën thua? Sa të blejnë vila ata që kanë ardhur më herët?

– Zonja Eni, edhe unë si vajzë intelektualësh, e ardhur vonë në Tiranë, e kuptoj që ti nuk e ke me mua, se unë nuk jam në sistemin e drejtësisë (tek e fundit as vilë nuk kam, ja një apartament edhe më modest se ty kam, kredinë e të cilit e kam barrë ende dhe për ca vjet), por prapë nuk më rri hiç kjo shprehja. Nuk më rri as nga ky fqinji im që aq ka, mendo tani nga ty! Nuk është se më djeg, nuk kam asnjë kompleks kur e dëgjoj këtë fjalën “të ardhurit” apo atë tjetrën “jabanxhinjtë”, thjesht më bën për të qeshur dhe në shumë raste më dhimbsen ata që e thonë, më duken ca njerëz mendjembyllur, që pandehin se ky qyteti ku ata kanë lindur dhe janë rritur, për meritë jo të tyre, na paska pasur ca gjëra që të tjerët nuk i paskan dhe i vuakan… Më kujtohet sidomos një vajzë, që ashtu siç ke thënë ti dje në intervistë, bënte statuse në Facebook për privilegjin e të rriturit në mes të Tiranës. Më qëlloi njëherë që e çova me makinë atje ku kishte shtëpinë, jo tamam në mes, por diku në të dalë të Tiranës, rrugicë pas rrugice u gjenda në një shtëpi përdhese, ende me gropë septike në bahçe… Çfarë t’i thoje?! Unë s’i thashë asgjë, u ndjeva ca si fajtore që nuk prita radhën ta marr shtëpinë në qendër përpara saj, se helbete, kam ardhur ca më vonë.

– Zonja Eni, Shqipëria është e gjitha një provincë e prapambetur, ende tejet e skamur krahasuar me Evropën ku do që të bëjë pjesë, është ai vendi i mbrapshtë ku intelektualët dhe të pasurit prej vërteti, që nga viti ’45 e në vijim u zhdukën, u internuan, u shpronësuan, u vodhën, u nëpërkëmbën, nuk i lanë të shkolloheshin dhe nuk iu kthye thuajse asgjë mbrapsht. Dhe në atë kohë mizerje, në atë jetë të trishtë, intelektualë, punëtorë, të persekutuar ishin pak a shumë të barabartë në skamjen e përgjithshme, është si të bësh dallimin tani në familjet e varfra dhe shumë të varfra. Ndaj kur bëhen tani ligjërime të tilla me ndarje krahinore “ti ke ardhur që këndej dhe unë që andej” për mua është si të thuash “të pëgërat e mia vijnë më pak erë” (më falni shumë për krahasimin, por kur vjen puna për atë kohë, nuk më dalin krahasime as më të zgjuara, as më të bukura, as më erëmira).

– Dhe së fundi, zonja Eni, unë besoj që kjo është një gafë e jotja e bërë patëkeq. Ti nuk ke asgjë të përbashkët me këtë fqinjin tim, që aq ka, por ndonjëherë kështu është kjo bota jonë e televizionit. Kur merr pjesë në programe shumë popullore, fillon të ligjërosh në mënyrë popullore dhe shket e shkreta gojë e thotë të tilla gjëra… Sërish mendoj që je një grua e mençur, por ndoshta e keni këtë të keqe ju të rriturit në Tiranë. Ende mendoni se ka ca gjëra që ne të tjerëve na kanë munguar dhe na mungojnë. Ose mbase edhe, por ne të tjerët këtë s’e dimë. Unë së paku mendoj se në Tiranë thjesht ka më shumë mundësi për të bërë punë e para… Të tjerat mbase nuk i kuptoj…

“Erdhën në Tiranë, u bënë me vila”, gazetarja i përvishet Eni Çobanit: Bëre gafë… Read More »

Kalimi i Gruevskit nga Shqipëria, Artan Hoxha: Ja cili politikan i lartë e ndihmoi…

Ish-kryeministri i Maqedonisë është ndihmuar nga krerë të lartë të politikës per te kaluar permes territorit te Shqiperise. Sipas gazetarit Artan Hoxha, i cili deklaroi në “Top Sho” se “Presidenti Gjorgje Ivanov ka gisht në arratisjen e Gruevskit”. Më tej, Hoxha shtoi: “Dyshimi është që Gruevski ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar. Gruevski kontrollon gjithçka, prandaj dhe sot është bërë arrestimi i ish-kreut të SHISH-it në Maqedoni”.

Prej disa ditësh çështja Gruevski është kthyer në më të diskutuarat në disa prej shteteve ballkanike, dhe jo vetëm, në të cilat ish-kryeministri ka kaluar për t’u arratisur drejt Hungarisë, ku i është pranuar kërkesa për azil. Gjykata ka dhënë një vendim të formës së prerë për Gruevskin me dy vite burgim, për shkak se u gjet fajtor për akuzat e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës në rastin Tanku.

Kalimi i Gruevskit nga Shqipëria, Artan Hoxha: Ja cili politikan i lartë e ndihmoi… Read More »

Rrokaj: Kjo qeverisje po i shet shqiptarët

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim me strukturat në Sarandë.

E pranishme në këtë takim ishte edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deputeti i zonës Shezai Rrokaj e drejtues të tjerë.
Më poshtë keni fjalën e deputetit Shezai Rrokaj:

Mirëdita të gjithëve. Dua t’iu falënderoj përzemërsisht për të gjithë kontributin tuaj, i cili e radhiti Qarkun e Vlorës me një rezultat të paparë në betejat e mëparshme elektorale me plot 12 mijë 440 vota.

Që do të thotë që LSI-ja ka mundur e vetme të arrinte këtë rezultat. Edhe kur kemi qenë në koalicion në betejat e mëparshme 10 mijë e ca vota u morën në të gjithë Qarkun e Vlorës.

Pra e gjithë kjo i dedikohet punës suaj, i dedikohet përkushtimit tuaj, i dedikohet dashurisë tuaj për të dhënë kontribut për vendin tonë.

Sepse vendi ynë sot po përjeton një nga situatat më të vështira gati të barabartë me atë të viteve ’90 kur u përmbys sistemi i mëparshëm. Dhe kjo duket shumë qartë kur e gjithë pjesa më aktive e popullsisë, nga mosha 25-45 vjeç po braktis Shqipërinë dhe kjo duket qartë në shkollat tona që po mbyllen.

Kjo duket qartë në pakësimin e fëmijëve nëpër shkolla, gati 25 mijë fëmijë më pak në Shqipëri. Dhe kjo duket qartë kur të gjitha familjet tona të reja të vetmen shpresë që shikojnë është braktisja e Shqipërisë. Pra kjo qeverisje po i shet shqiptarët dhe po i detyron të braktisin vendin sepse mendon se do të hajë atë të ashtuquajtur tepsi të pretenduar, ta hajë e vetme kjo qeverisje.

Ndërkohë ne jemi një forcë politike që kemi një mision të qartë dhe misioni ynë është që t’u shërbejmë qytetarëve. Lëvizja Socialiste për Integrim është parti e qytetarëve, është parti e njerëzve të thjeshtë. Është parti e atyre njerëzve që mendojnë se Shqipërinë duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë ne këtu edhe për ata që kanë ikur të detyruar nga kushtet e vështira. Sepse Shqipëria nuk po njeh më investime madhore.

170 km linearë janë që nga Vlora e deri në Sarandë, quhet perla e Jonit. Unë po ju them që kjo qeverisje nuk mund t’ia dalë më me slogane e fasada të zbukurojë një realitet që nuk zbukurohet më në sytë e shqiptarëve. Sepse mjafton të shkon tek Syri i Kaltër, km rrugë nuk janë bërë sido që të gjithë turistët, të cilët janë më mijëra, paguajnë 2 mijë lek për ta vizituar. Dhe nuk ka as tualete për të vajtur dhe njerëzit marrin malet.

Dhe kjo perlë e Adriatikut e pretenduar që nga Lungomarja e Vlorës, nga Uji i Ftohtë që pretendohej se ujërat e zeza nuk derdheshin në det dhe kur e kemi ngritur ne që ato derdheshin në det. Pale më në Radhimë e kështu më radhë në të gjithë ujin ku ujërat e zeza janë të pa administruara. Atëherë farë turizmi duam të zhvillojmë ne?

Dhe kjo perlë ka nevojë për ndërhyrje. Ka nevojë për ndërhyrje si në sektorin e peshkimit, ku Saranda ka një rëndësi të veçantë, por edhe në sektorin e agrumeve, të prodhimeve të tjera me të cilat merret kjo zonë. Por sidomos turizmi. Mjafton të shikojmë se çfarë ndodh në Butrint, betejën e madhe që ne kemi bërë si pjesë e grupimit opozitar për të ndaluar ndërhyrjet brenda asaj qyteze mijëra vjeçare, e cila nuk është vetëm krenari e Sarandës apo e Shqipërisë, por është krenari e gjithë Mesdheut.

Prandaj është shumë e nevojshme të ndërhyhet në këtë drejtim. Saranda ka një veçanti në raport me komunitetet e tjera qoftë edhe të Bashkive të tjera. Ka veçorinë që ka një përbërje të popullsisë labe nga njëra anë, pastaj popullsisë minoritare dhe çame.

Ne për fat të mirë në opozitë përfaqësohemi nga të gjitha këto edhe në rang politik. Dhe ajo që duhet të bëjmë të gjithë bashkë është që të themi për momentin ka një të keqe më të madhe për të gjithë ne. Sido që mund të jemi, çamë, minoritar apo lebër.

E keqja më e e madhe vjen nga ai që po i largon shqiptarët. Dhe ne jemi këtu për tu thënë shqiptarëve se do ta bëjmë ne Shqipërinë, bashkë të gjithë. Dhe nuk duhet t kemi probleme me njëri tjetrin por duhet të synojmë të zgjedhim njerëzit më të besuar, më të përkushtuar, që kanë kredibilitet në komunitet. Që besohen në komunitet, që krijojnë sinergji, që krijojnë bashkim dhe jo përçarje. Ju e dini si është Saranda.

Mjafton të dalë një brenda PS, një që se duan, gjithë krahu tjetër voton kundër. Prandaj ne na duhet të heshtim për momentin nga egoizmi ynë dhe të themi e keqja jonë është qeverisja aktuale. Dhe pas kësaj do të themi cilët janë njerëzit që e përfaqësojnë Sarandën. E përfaqësojnë Finiqin, Delvinën dhe që garantojnë fitoren.

Dhe këtu fitorja është e sigurt. Nëse realisht do të mendohet në këtë mënyrë. Duke lënë mënjanë ato egoizmat që patjetër, janë pjesë e politikës në tërësi, por shqiptarët kanë të keqen më të madhe. Ai që po realizon atë që quhet gjenocid i butë. Largimin e shqiptarëve në mënyrë që të qeverisë si sulltan.

Shqipëria nuk është e sulltanateve, nuk është e oligarkëve, këtu buxhetet e qeverisjeve, janë shitur edhe për 3-4 qeverisje, për 10-15 vite, buxheti i shitur nëpërmjet të ashtuquajtura PP, e taksat e shqiptarëve janë rritur. Pra është një detyrë e madhe kombëtare.

Përtej ndasive, përtej problematikave që ne kemi. Ne duhet të jemi te bashkuar dhe ky është kusht për një qeverisje më të mirë. Për një diagnostikim më të mirë të keqqeverisjes. Për alternativa më të mira, më të drejta për qytetet, për bashkitë tona. Për një ekip që me të vërtet mendon për qytetin dhe nuk mendon për xhepin e vetë apo për sarajet e veta. Nëse ne do ti arrijmë këto gjëra unë them se gjasat janë shumë të mira.

Se ne numerikisht jemi dhe sot koalicion fitues. Ajo që na duhet është sinergji, që do të thotë konvergim, bashkim, duke lënë hatërmbetjet. Ka një të keqe dhe kur ka një të keqe më të madhe, shqiptarët duhet ti lënë të këqijat më të vogla apo dhe hatërmbetjet që kanë me njëri-tjetrin. Nëse e realizojmë dhe unë jam i sigurt se Saranda është një popull i jashtëzakonshëm, i mençur.

Unë nuk pata fatin të isha këtu sepse më ishte caktuar detyrë tjetër nga partia por kam realizuar takime shumë të rëndësishme kur garoja për Kryetar. Dhe me të vërtetë këtu ka një popull shumë të kulturuar që ne i detyrohemi shumë dhe jemi shumë krenar politikisht për gjithë ju dhe kontributin tuaj.

Rrokaj: Kjo qeverisje po i shet shqiptarët Read More »

Alfred Peza: Unë, Sali Berisha dhe Carlo Bollino

Prej disa ditësh Carlo Bolino ka rinisur një seri sulmesh personale në adresën time, duke u munduar që ti kamuflojë ato, në emër të shqetësimit se unë nuk po e mbroj Partinë Socialiste, aq sa do të donte ai! Them ka rinisur, sepse gjeneza e sulmeve të tij ndaj Alfred Pezës i ka rrënjët herët. Shumë herët. Këtu e mbi dhjetë vjet më parë e për tu rikthyer sërisht në dy vitet e fundit, kur ai dhe bashkëshortja e tij Alba Malltezi, vunë gjithë bateritë e tyre private dhe mediatike, kundër meje dhe familjes time. Këto sulme po përsëriten edhe tani, sepse me sa duket, heshtjen dhe injorimin që unë i kam bërë deri më sot, me sa duket i ka marë për dobësi.

Sulmi më i fundit i tij ndaj meje, paska marë shkas nga emisioni i Eni Vasilit në Top Channel, ku unë paskam bërë krimin e rëndë jo vetëm politik, se i paskam bërë si dhuratë Sali Berishës, librin tim “Sarah”.

Së pari, sipas filozofisë së Paketës Antishpifje, më duhet të të hedh në gjyq e ti çoj paratë e fituara më pas, në fondin antishpifje për koshptet dhe shkollat e fëmijëve të Shqipërisë. Qoftë edhe sepse ke thënë se unë “dhuratën” ia kam bërë pas emisionit. E vërteta është se kjo gjë ka ndodhur dy orë më herët, përpara fillimit të emisionit. Në prani të publikut, kolegëve, fotografëve dhe kamerave. Kështu që këtu nuk ka asgjë për të fshehur, Carlo meqë e ke shkruar këtë gjë me zellin e dikujt që paska zbuluar sot në shekullin e XXI, sërisht Amerikën.

Së dyti, libri im ka mbi një vit që ka dale në treg, e për rrjedhojë që të qetësohesh ti dhe ca të tjerë si ti, paskam të paktën mbi një vit që nuk paskam komunikuar me ish Kryeministrin dhe ish Kryetarin e PD. Të cilin e kam patur nja 20-30 herë të paktën të ftuar nëpër emisionet e mia, kur isha gazetar televiziv dhe shkëmbehesha me të çdo të enjte në sallën e Parlamentit, për 4 vjet të tjera, si kolegë deputetë.

Së treti, që të qetësohesh fare, fare ti Carlo këtë libër ia kam dhuruar që në ditët e para të publikimit të tij, Edi Ramës në zyrën e Kryeministrit, por edhe Kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi sërish në zyrën e tij. Presidentit të Republikës Ilir Meta, ia dhurova kur më erdhi si një nga lexuesit e shumtë, në stendën e “UET Press”, Nëntorin e kaluar në Panairin e Librit, në Tiranë. Nëse do kaloje edhe ti ose Alba, ose të dy që mos ju ngatërroja si Ylli Rakipi dikur tek Rogneri, të jeni të sigurtë që do ua dhuroja, siç ia kam dhuruar disa politikanëve të tjerë të lartë, të të gjitha kahjeve politike në Shqipëri, por edhe shumë gazetarëve e botuesve. Gjithësesi, ta rekomandoj që talexosh edhe ti, ndoshta mund të kesh edhe një arësye më tepër se të tjerët për këtë(?!)

E bëj xhestin e dhurimit të librit Carlo, sepse unë vetë ende gëzohem si fëmijë kur më dhurojnë një të tillë, e në këtë mënyrë besoj se përçoj tek të tjerët, të njëjtën ndjesi me atë që përjetoj edhe vetë. Por, me sa duket fëmijëria dhe jeta ime në Shqipëri, është krejt e ndryshme nga jotja në Italinë e Jugut, ndaj nuk ke se si ta kuptosh, ndaj edhe habitesh sot kaq shumë për këtë me sa duket.

E vërteta është se si sulmet e tua të fundit ndaj Alfred Pezës si sekretar për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në PS sot dhe ato ndaj Alfred Pezës si ish deputet në dy vitet e fundit, i kanë rrënjët tek një plagë të vjetër. Me sa duket e pangushëllueshme. Përderisa mëria ka marë përmasat proverbial, sa epike aq edhe qesharake, që zgjat e zgjat, prej 10-12 vjetësh. Për këtë po, e meriton plotësisht me sa kuptohet, që të cilësohesh “një shqiptar i mirë”. Sepse kemi njohur shumë perendimorë që erdhën në Shqipërinë post komuniste për të na oksidentalizuar nga pak dhe ikën të orientalizuar, me sukses të plotë.

Le tia themi njerëzve të vërtetën e thjeshtë që e dime veç unë e ti. Arësyeja e mërisë tënde, e ka fillesën ndoshta, në themelimin nga ana ime të Televizionit Informativ “Ora News”, atëherë kur televizioni që drejtoje ti “News 24”, ishte siç thoshte Babaramo: “CNN” shqiptar. E vërteta është se atëherë, të gjithë e mbanin të ndezur televiziorin, veç në atë ekran; Në zyrat e qeverisë, të shtetit, pushtetit, bizneseve private, nëpër lokale e shtëpi. Konkurenca që të bëri “Ora News”, më sa duket dikujt ja prishi keq këtë pozitë kaq të privilegjuar publike dhe ëndrrën berluskioninane në Shqipëri. Duke bërë që ti ulen aq shumë kuotat e shikueshmërisë por edhe vlera e televizionit në treg, sa u detyrua të shitej. Duhet të jetë dhimbje e madhe për një që dikur ishte “like a boss” në një televizion, e tani është i detyruar që të dalë aty, kur ti bie radha që ta ftojnë, si… një analist i pavarur!

Carlo, e vetmja vështirësi që kam në komunikimin tënd, është se unë nuk di si të të drejtohem në fakt. Të të drejtohem si shqiptar, ti je edhe Italian. Të të drejtohem si koleg, më duhet të pyes njëherë më parë në zyrën e organizimit, nëse e ke marë teserën e anëtarit të Partisë Socialiste meqë këto kohë kemi edhe fushatën e pranimeve të reja në parti. Të të drejtohem si gazetar, me rezulton se je botues e pronar mediash. Të të drejtohem si analist, me rezulton bashkë me Albën, biznesmen. Njeriu i shkretë në këto kushte bëhet lëmsh dhe nuk di se kujt ti drejtohet në fakt: 20 përqindishit si botues, pronar, gazetar e analist. Apo 80 përqindshit tjetër si biznesmen.

Meqë kishe merak një pyetje që unë nuk i paskërkëshëm bërë Berishës gjatë emisionit tek Eni Vasili, i cili është bërë edhe shkaku i rinisjes së luftës së fundit ndaj meje (Alpenews.al që unë drejtoj paska ribotuar një status të tij në fb, ku përmendej emri yt pas arrestimit të një ish botuesit tënd në Pulia), po të bëj edhe unë një pyetje: A është bashkëshortja juaj Alba Malltezi, ortake në “FFM Group”, një shoqëri e krijuar më 2011 me ortake edhe Eva Doçin si dhe një kompani italiane e quajtur “Superba S.R.L” me seli në Napoli? A ka qenë kjo e fundit nën hetim nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash në zonat offshore? A është “Superba S.R.L” aksionere edhe në “Everest Oil” e cila ka për administrator ish kandidatin për kryetar Bashkie dhe ish drejtorin e KESH-it të Sali Berishës, Gjergj Bojaxhiun?
Kaq për sot.

Alfred Peza: Unë, Sali Berisha dhe Carlo Bollino Read More »

Shperthen Artan Hoxha:“Zot, mos ki mëshirë për ata që skuqin rrugët e Shkodrës me gj.akun e qytetarëve të pafajshëm”

Një ngjarje e rëndë ku u shënua një vi.ktimë dhe një i plagosur tr.onditi mesditën e sotme qytetin e Shkodrës.

Artan Hoxha, gazetari i kronikës së zezë ka bërë një pasqyrim të situatës në qytetin verior në një status në profilin e tij në Facebook.

Ai shkruan se objektivi ka qenë Fatos Ferracaku, një njeri pa asnjë problematikë në të shkuarën, djali i xhaxhait i Kujtim Ferracakut, babait të biznesmenit Arjan Ferracaku i vr.arë më 1 shtator 2018, në zonën e Livadheve.

Më tej gazetari shton se v.iktima të kr.imit po bien qytetarët e pafajshëm.

Hoxha ka shkruar:

Mekanizmi i ate.ntatit me dy autore me motorr, njeri prej tyre qitesi, dhe pas ngjarjes motorri digjet ne periferi te qytetit tregon se seriali i vr.asjeve ne Shkoder i nisur me 15 korrik 2018, me ekz.ekutimin e Boran Bercanes dhe bashkeshortes se tij Silvi Ndocaj, eshte ne vijim e siper. Jo me larg se mbreme e pyeta live kryeministrin se ne Shkoder pavarsisht nga goditja e grupit Bajri nuk eshte zbuluar asnje nga 6 vra.sjet dhe 2 personat e zhdukur pa lene gjurme, gjate veres se ketij viti. Pergjigja qe mora ishte: ”Kr..iminelet kokat hengshin”. Nga informacioni paraprak dhe dinamika e ngjarjes duket se ekz..ekutoret jane vra..ses me pagese, ndersa urdheruesi dhe truri i ketij ate..ntati eshte duke ndjekur nga ekrani spektalin kri..minal qe ka organizuar… Ngushellime familjeve te vi..ktimave ne Shkoder. Per fat te keq lutja e vetme per shprese i shkon zotit, “mos ki meshire per ata qe skuqin rruget e Shkodres me gj..akun e qytetareve te pafajshem”

Shperthen Artan Hoxha:“Zot, mos ki mëshirë për ata që skuqin rrugët e Shkodrës me gj.akun e qytetarëve të pafajshëm” Read More »

Shqiptarët i pret me e keqja ne gjithe Ballkanin, parashikimi i OKB per vitet e ardhshme

Shqipëria po plaket me një ritëm të shpejtë. Ndonëse në fillim të viteve ’90 kishim popullsinë më të re në rajon edhe në Europë, me moshë mesatare të popullatës 24 vjeç, llogaritë e Kombeve të Bashkuara mbi Perspektivat e Popullatës tregojnë se deri në 2060 mosha mesatare e popullsisë në vend do të jetë 48 vjeç.

Në 1994 në vendet e rajonit mosha mesatare e popullsisë ishte mbi 30 vjeç. Serbia kryesonte listën me një moshë mesatare prej 33 vjeç. Më pas renditej Bosnje dhe Hercegovina me moshë mesatare 32 vjeç, Malin e Zi me 31 vjeç dhe Maqedonia me 30 vjeç. Ndërsa në Europë vendet me moshë mesatare më të madhe në 1994 ishin Suedia, Italia dhe Gjermania, me 38 vjeç.

Në fillim të viteve 2000, mosha mesatare do të rritej për të gjithë Europën. Italia dhe Gjermania do kishin plakjen më të shpejtë me moshë mesatare prej 41 vjeç.

Në 2021 projeksionet e Kombeve të Bashkuara mbi moshën mesatare është 35 vjeç në Shqipëri, ku krahasuar me vendet e rajonit sërish ka moshën më të re (shiko hartën).

Por situata paraqitet e zymtë në 2060, ku sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara Shqipëria do të ketë një moshë mesatare më të madhe se vendet e rajonit si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Ndër arsyet kryesore të plakjes së popullsisë së Shqipërisë me këtë ritëm të shpejtë janë rënia e lindjeve, emigracioni dhe rritja e jetëgjatësisë.

Rënia e lindshmërisë ka shkuar drejt niveleve të vendeve europiane, emigracioni vazhdon të jetë në shkallë të gjerë. Kjo sjellje është vënë re në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Europa prej vitesh ka hyrë në ciklin e plakjes së popullsisë. Projeksionet për vitet e ardhshme nuk janë aspak optimiste. Pas një dekade, projeksionet e Kombeve të Bashkuaratregojnë se në disa vende europiane mosha mesatare do të jetë 50 vjeç e lartë. Këtu përfshihen vende si Italia, Portugalia, Greqia, dhe më pas Gjermania, Polonia, Bosnja dhe Kroacia.

Shqiptarët i pret me e keqja ne gjithe Ballkanin, parashikimi i OKB per vitet e ardhshme Read More »