Opinione

Asambleja Kombëtare, Shalsi: PS, forcë politike që vazhdimisht përmirësohet

“Partia Socialiste është një forcë politike që vazhdimisht përmirësohet”, – deklaroi sot ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

I ftuar në një studio televizive, Shalsi komentoi mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke shtuar se “menjëherë pas zgjedhjeve vendore, PS futet në një proces zgjedhor dhe bën një analizë”.

Duke komentuar zgjedhjet e 30 qershorit, Shalsi tha se “për ne ka qenë shumë i rëndësishëm procesi”. “Kishim një proces të qetë, të rregullt e korrekt. Do të donim t’i kishim në garë, por kjo nuk ishte zgjedhja jonë, ishte zgjedhja e opozitës, – tha Shalsi, ndërsa shtoi se, – nuk kemi të bëjmë me një agoni politike të përgjithshme, por është një agoni e opozitës”.

Lidhur me ndryshimet në drejtimin e tre qarqeve dhe sekretariatin e PS-së, Shalsi tha se “vazhdimisht PS ka pasur lëvizje dhe ky nuk është as rasti i parë dhe as i fundit”.

“Valdrini është një djalë me barrë të madhe në qytetin e Shkodrës. Duhet që atë proces të suksesshëm që kemi kryer në qytetet e tjera ta shtrijmë edhe në Shkodër. Është gjykuar se do të jetë më efektiv drejtimi nga Pjetri, që ka qenë edhe Prefekt”, – tha ai.

I pyetur lidhur me zgjedhjet në PS, Shalsi tha se “nuk besoj se PS ka arsye që të zëvendësojë një njeri që ka provuar se ka qenë i suksesshëm në pushtetin vendor dhe atë qendror si Edi Rama”.

“Edi Rama është një person që ka dëshmuar me punë dhe me vepra se ka lënë gjurmë në qeverisjen vendore dhe qendrore”, – tha ai.

Ndërsa lidhur me rotacionin në disa bashki që më parë janë drejtuar nga opozita, Shalsi tha se “marrja e mandateve në gjithë Shqipërinë nuk duhet parë si një revansh apo me doza triumfalizmi si në të kaluarën, kur kryebashkiakët e rinj kanë larguar nga puna pa kurrfarë kriteri dhe kanë zëvendësuar njerëz profesionistë”. “Mesazhi i Kryeministrit është i qartë: Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk ka nevojë për revansh politik. Askush nuk duhet të hyjë me doza triumfalizmi si në të kaluarën, pasi qeverisim pa dallim”, – tha ai.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Shalsi tha se “në mbi 20 vjet askush nuk mori iniciativën për ta shembur këtë sistem dhe për të ndërtuar një sistem të ri”.

“Fatmirësisht mbas shumë e shumë vitesh pritje, shqiptarët po shohin një sistem drejtësie që përmes sakrificave dhe pengesave të vazhdueshme po ngrihet”, – tha ai. /atsh

Asambleja Kombëtare, Shalsi: PS, forcë politike që vazhdimisht përmirësohet Read More »

Hapja e negociatave me Shqipërinë, diplomati polak: Në tetor presim vendim pozitiv, pa asnjë vonesë

Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE as s’mund të sfidohet dhe as s’mund të zëvendësohet me forma të tjera angazhimi të BE, deklaron në intervistë me ‘DW’, ish-ambasadori i Polonisë në Kroaci dhe Suedi Wieslasw Tarka, koordinator i Samitit të Poznan-it.

Ai deklaron se Polonia, si shumica e shteteve anëtare, është e kënaqur që Komisioni Europian rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Na vjen keq që nuk u mor vendim muajin e kaluar, në qershor, dhe presim që në tetor të merret një vendim pozitiv, pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thotë Tarka.

Ambasador Tarka, cilat janë çështjet kryesore që diskutuan ekspertët në forumin “Think Tank” dhe në Forumin e Shoqërisë Civile, në Samitin e Poznan, lidhur me politikat e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?

Forumi “Think Tank” iu kushtua kryesisht situatës social-ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmes së politikës së BE-së ndaj rajonit. Në Forumin e Shoqërisë Civile u diskutuan Axhenda e Gjelbër për rajonin, mënyrat më të mira për të mbështetur bashkëpunimin kulturor, procesin e pajtimit, politikat antikorrupsion, dezinformimin dhe kërcënimet hibride ndaj demokracisë, perspektivat për të rinjtë në rajon dhe zhvillimin e Organizatave të Shoqërisë Civile.

Mesazhi i përbashkët nga dy Forumet është i qartë: duhet të ndryshojë mënyra sesi ka funksionuar deri tani zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që zgjerimi si politikë dhe BE si aktor i politikës në BP të mbeten të besueshme. BE dhe BP janë në udhëkryq: procesi i zgjerimit duhet ose të përshpejtohet deri në arritjen e qëllimit përfundimtar, që vendet e reja anëtare t’i bashkohen BE-së në një të ardhme të parashikueshme, ose politika e zgjerimit dhe BE, si aktor politik në BP do të humbasin qëllimin.

A u dëgjua zëri i shoqërisë civile në samitin e Poznan-it për një politikë zgjerimit të BE në përputhje me realitetin në BP?

Organizatat e shoqërisë civile, pjesëmarrëse në samit, përgatitën materiale për politikën e zgjerimit dhe tani po përgatisin konkluzionet nga diskutimet në Forumin e Shoqërisë Civile. Organizimi i të gjitha ngjarjeve vetëm në një vend ishte një avantazh i Samitit të Poznanit, sepse kjo bëri të mundur ndërveprimin mes zyrtarëve, ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile. Për herë të parë, përfaqësuesit e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor morën pjesë në sesionin plenar të Ministrave të Jashtëm të BP.

Çfarë sugjeruan ekspertët e Ballkanit Perëndimor për të shtyrë përpara axhendën e konektivitetit mes vendeve të rajonit, që mbetet një nga shtyllat e Procesit të Berlinit për lidhjen dhe bashkëpunimin rajonal?

Para së gjithash, për ta bërë Komunitetin e Transportit funksional, duhet përqendrim jo vetëm në infrastrukturën e rëndë, por edhe zbatimin e masave të buta, si për shembull. harmonizimin e rregulloreve, që mund të shkurtojnë në mënyrë të konsiderueshme kohën e udhëtimeve në rajon.

Rekomandimi i dytë është forcimi i pozitës së Komunitetit të Energjisë që monitoron zbatimin e rregullores së politikës së energjisë së BE në BP. Sipas Komunitetit të Transportit ky institucion është dobësuar kohët e fundit dhe rekomandimet e tij nuk janë zbatuar. Çështja e tretë është rritja e kapaciteteve të administratës në Ballkanin Perëndimor jo vetëm në nivel qendror, por sidomos në nivel lokal. Një nga arsyet pse projektet rajonale kanë mbetur pa u zbatuar është, se Ballkani Perëndimor nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të përgatitur sa më shpejt dokumentacionin e nevojshëm.

Çfarë mendojnë ekspertët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për sigurinë në rajon dhe kërcënimet kryesore ndaj saj?

Ekspertët dhe shoqëria civile diskutuan çështjet e sigurisë. Nga perspektiva e tyre kërcënimi kryesor për sigurinë dhe stabilitetin në rajon është mungesa e një perspektive të qëndrueshme anëtarësimi në BE, elitat politike të rajonit nuk kanë interes për zbatimin e reformave, që do të forconin institucionet në rajon, sidomos gjyqësorin, prokurorinë dhe policinë, që janë vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, një kërcënim ky kryesor i sigurisë në rajon. Pa një perspektivë të qartë anëtarësimi në BE, elitat qeverisëse po kërkojnë aleatë alternativë si Rusia, e cila dëshiron të destabilizojë rajonin.

Cili është qëndrimi mbizotërues në Samitin e Poznan-it ndaj deklaratës të para disa ditëve të fundit të Presidentit francez, Macron, sipas të cilës Franca do të refuzojë miratimin e zgjerimit të mëtejshëm të BE derisa ai të rikuperojë kredibilitetin e humbur dhe përshpejtojë vendimmarrjen?

Ekspertët në forumin “Think Tank” i kushtuan vëmendje të veçantë qëndrimit të Francës. Sipas tyre, Franca po mbështet politikën e zgjerimit të BE në BP sipas meritës. Por në fakt, politika që po ndjek BE është krejt e kundërta: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Rekomandimi i Komisionit Europian është pozitiv, por Parisi është kundër hapjes së negociatave me këto dy vende. Politika e zgjerimit është politika më efikase kundrejt vendeve fqinje me BE. Ekspertët mendojnë se Franca po minon themelet e kesaj politike dhe nuk po propozon asnjë alternativë. Ky qëndrim do të dobësojë në masë të konsiderueshme ndikimin e BE jo vetëm në BP por në gjithë vendet e tjera fqinjë me BE.

Qëndrimi i Polonisë është që procesi i zgjerimit të BE ka një fuqi pozitive transformuese në BP dhe njëherazi është një investim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Është shumë e rëndësishme të sigurohet progresi i përgjithshëm i rajonit. BE duhet të plotësojë zotimet e tij të qarta për integrimin europian të BP. Anëtarësimi në BE i vendeve të BP as nuk mund të sfidohet, as nuk mund të ndryshojë në forma të tjera angazhimesh, siç sugjerojnë disa shtete anëtare. BE duhet të përmbushë angazhimet dhe konfirmojë kredibilitetin e tij në të gjithë rajonin dhe përtej.

Është e rëndësishme që BE të përballojë bashkë me BP sfidat e tanishme, si p.sh. lëvizjet migratore, terrorizmin, kërcënimet kibernetike, kërcënimet hibride nga Rusia dhe aktorë të tjerë.

Polonia, si shumica e shteteve anëtare, është e kënaqur që Komisioni Europian rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Na vjen keq që nuk u mor vendim muajin e kaluar, në qershor, dhe presim që në tetor të merret një vendim pozitiv, pa asnjë vonesë të mëtejshme./atsh

Hapja e negociatave me Shqipërinë, diplomati polak: Në tetor presim vendim pozitiv, pa asnjë vonesë Read More »

Balla: Shpifjet që frymëzojnë dhunë janë fundi i asaj çfarë ka mbetur nga PD-ja

“Shpifjet, që më pas frymëzojnë dhunën dhe molotovët, janë fundi i asaj çfarë ka mbetur nga PD-ja”, ka deklaruar sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, pas gjyqit të fituar për shpifje ndaj Jamarbër Malltezit, shefit të Departamentit të Mjedisit në PD.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se të gjitha fonde që burojnë nga gjyqet me Bashën, Berishën dhe dhëndrin e tij, do të shkojnë për investime në kopshte dhe çerdhe.

“Fondi për Edukimin, përmes të cilit do investojmë në kopshte dhe çerdhe, me të ardhurat që burojnë nga gjyqet me Lerishët, lulëzimat dhe artistat e PD u shtua sot me një “kontribut” të vlefshëm nga dhëndri i Sali Berishës prej 3000 Euro. Berishët u vetëdorëzuan para Gjykatës italiane, duke vetëpranuar fajin dhe turpin e vet në një betejë juridike, ku isha i bindur për fitoren”, shprehet ai.

Siç kam dhënë fjalën, shton Balla duke vijuar se “e gjithë kjo shumë do të shkojë për një institucion parashkollor në Librazhd. Në ditët në vijim ky çek do t’i kalojë fëmijëve të komunitetit të nderuar rom në Librazhd. Vazhdoni të bëheni për turp në sytë e njerëzve, sepse ne kemi gjetur tashmë instrumentin si ta bëjmë të dobishëm Lulin, Saliun dhe artistët e PD”. /atsh

Balla: Shpifjet që frymëzojnë dhunë janë fundi i asaj çfarë ka mbetur nga PD-ja Read More »

Spiropali: Meta planifikoi atentat ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë, me zbatues Bashën e Kryemadhin

Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend në seancën për ngritjen e Komisionit Hetimor që do shqyrtojë kërkesën e parlamentit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, tha se “ky komision duhet të ngrihet sa më shpejt për të shpëtuar institucionin e presidentit nga ky turp që e ka prekur”.

“Ilir Meta nuk ka shkelur rëndë vetëm kushtetutën e Shqipërisë, siç ka renditur qartë rezoluta e Kuvendit dhe raporti i Komisionit të Ligjeve, por më zi akoma, ka shkelur brutalisht mbi republikën tonë parlamentare dhe vijon marshon komikisht mbi kodet e komunikimit publik, duke cenuar rëndë bashkëjetesën politike”, tha Spiropali.

“Vendi ynë kaloi gjashtë muaj tentativa antikombëtare për destabilitet, duke shkatërruar zgjedhjet e 30 qershorit. Molotovët e flakadanët vërtet i mbante në dorë opozita, por urat e flakës i mbante ndezur Ilir Meta nga zyra e presidentit”, shtoi Ministrja Spiropali.

“Për muaj të tërë, Shqipëria përjetoi kërcënimet e urrejtjes politike, llumit mediatik dhe kaosit shoqëror. Në asnjë moment presidenti nuk doli mbi këtë turp kombëtar. Ai ushqeu për ditë me lugën zbrazët të një dekreti nul shpresat e çartura të opozitës së rrugës, për ta kthyer 30 qershorin në ditën e përplasjes së madhe, ku shteti shqiptar do të merrte goditje fatale, nga e cila nuk do ta merrte veten për shumë dekada në kalendarin europian të integrimit”, vijoi Spiropali.

“Shqipëria mund të kthehej në makthin e shqiptarëve dhe ëndrrat më të bukura të armiqve tanë. Një vend që nuk bashkëjeton dot paqësisht, që nuk bën dot shtet e nuk organizon dot zgjedhje. Duke nxitur instinktet më të ulta të luftës pa fre për pushtet, presidenti u kthye në simbolin kombëtarë të paligjshmërisë, pandëshkueshmërisë, dhunës, harbutërisë, padrejtësisë, kërcënimit, duke cenuar rëndë bashkëjetesën demokratike dhe imazhin e vendit”, theksoi Spiropali.

“Presidenti jo vetëm thjesht zhdekretoi dhe dekretoi një datë zgjedhjesh, duke shpikur një praktikë të padëgjuar e provuar në botë, por planifikoi kthimin pas të orës së Shqipërisë. Kumtet e tij ishin të qarta, qameti u bëftë, Shqipëria kurrë mos e bëftë. Atentati ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë i planifikuar me Berishën, kishte si zbatues Bashën e Kryemadhin. Atentati dështoi jo vetëm prej vendosmërisë së kësaj shumice, por dhe falë mbështetjes pa kushte të miqve tanë SHBA e BE”, sqaroi Spiropali

“Të gjendur në këtë udhëkryq, këta miq historik u gjendën më fortë se kurrë në krah të shqiptarëve, duke dëshmuar me provë se për ne dielli lind andej nga perëndon”, nënvizoi ministrja Spiropali.

“Në kërkesën për shkarkimin e Presidentit kemi argumentuar se ai ka shkelur rëndë Kushtetutën, duke marrë tagra të sovranit dhe kuvendit, pariminin e sovranitetin, është sjell arbitrarisht me pushtetin, anuloi arbitrarisht datën e zgjedhjeve, cenoi periodicitetin, ka cenuar të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Ai po cenon besimin e qytetarëve të institucioni i Presidentit, po përgojojnë partnerët tanë, po cenon unitetin e kombit, po tall një komb të tërë. Të ngremë këtë komision sa më parë. jo për të shpëtuar Ilir Metën nga vuajtjet e kafazit të presidencës e ti japim mundësi ta kthejmë te livadhi i LSI, por për të shpëtuar institucionin e republikës së presidentit nga ky turp. Sa për zagarët dhe qenushët që ka hedhur në sulm partia e tij(LSI), përgjigje kam me vargjet e Poradecit, shpirt katran që më qortojnë, janë qenë që s’më kafshojnë”, përfundoi Spiropali./atsh

Spiropali: Meta planifikoi atentat ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë, me zbatues Bashën e Kryemadhin Read More »

Pjesëmarrja dhe rezultati në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri

“Pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën dhe ne kemi marrë një përqindje më të lartë votash se koalicioni fitues që qeverisi Shqipërinë në 2017”, – deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama.

Gjatë debatit parlamentar për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Rama tha se “politikisht Ilir Meta na e bën shumë më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit, sepse e shohin krejt lakuriq të vërtetën e armiqësisë së egër të Ilir Metës ndaj shumicës sonë qeverisëse”.

Kjo, sipas Ramës, e ushqyer nga dëshpërimi i disfatës së planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve që synonte pengmarrjen e Reformës në Drejtësi dhe pengimin në pafundësi të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.

“I kam ndjekur me një ndjenjë mëshire budallallëqet e fallxhores Monikë dhe të Lulit, që nga shfajësimet e hatashme për disfatën e tyre deri te fajësimet në adresën tonë lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe komentet për raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it. Lufta e tyre për të prishur zgjedhjet me dhunë do të rezultonte një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte ata të shpallnin fitoren e radhës, duke numëruar shqiptarët jashtë shtetit, shqiptarët në shtëpi dhe në plazh. Por do të numëronin gabim. S’ka më keq për humbësit se sa të sillen si fitimtarë dhe s’ka më mirë për fitimtarët nëse humbësit nuk e kuptojnë pse kanë humbur. Ata thonë 85 % e popullit refuzoi Ramën, dhe janë po këta që thonë se gjithë shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria, por kjo nuk i pengon t’i llogarisin që nga të ikurit e ambasadave”, – shtoi Rama.

Rama tha se pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën, dhe po ashtu kemi marrë një numër shumë të madh votash për kandidatët se sa pritshmëria jonë më optimiste.

“Krahasuar me 4 vjet më parë kur ishim me kandidatë të përbashkët, ky numër është vetëm 4% më pak. Po të kishim qenë në garë normale me kundërshtarë në çdo bashki dhe pa presionin e lartë kriminal me muaj të tërë dhe deri natën e fundit mbi zgjedhësit, pa diskutim që kjo përqindje do të ishte dukshëm më e lartë se e vitit 2015”, – tha Rama.

Por sipas tij, “ta lexosh si refuzim popullor përqindjen krejt normale të pjesëmarrjes në zgjedhje të bombarduara me kërcënime dhe ta shohësh rezultatin e PS-së si tkurrje elektorale, do të thotë të mos kuptosh se çfarë vjen më mbrapa”.

“Nga analfabetizmi politik dhe verbëria e udhëheqjes opozitare, ajo opozitë nuk ka asnjë shans rikthimi te fitorja, zero, në vitin 2021. Është e pangushëllueshme gjendja e përçartjes së tyre”, – tha Rama. /atsh

Pjesëmarrja dhe rezultati në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri Read More »

Meta: Nuk kam frikë nga reforma në drejtësi dhe SPAK, sapo kalova Spaçin

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “nuk kam frikë nga reforma në drejtësi, por prej tre vitesh nuk kemi asnjë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese”.

“E di që disa do thonë se kam frikë nga Reforma në Drejtësi e sidomos nga SPAK. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin. Kalofshi bukur sot të gjithë”, thekson Meta.

Duke folur për reformën në drejtësi, Presidenti Meta shpreh shqetësimin se pse nuk kemi asnjë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

“Duke udhëtuar drejt Tropojës, sapo përfundova leximin e shtypit për sot. Ndaj ju ftoj edhe ju që të lexoni me vëmendje një shkrim i cili ndihmon për të kuptuar si funksionon shndërrimi i Reformës Historike të Drejtësisë të 21-22 korrikut në Ramaformë. Më vonë, kur të jem më i lirë që të shkruaj me terezi do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-Kryetar i Kuvendit e si President i Republikës” shprehet ai.

Më tej, Presidenti shton se Reforma e bërë me 140 deputet u transformua në Ramareformë.

“Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka Reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi. Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për më se një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z.Agaci për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin “È buono per l’Albania”, shprehet Meta. /atsh

Meta: Nuk kam frikë nga reforma në drejtësi dhe SPAK, sapo kalova Spaçin Read More »

Basha: Asnjë hap pas në betejën tonë për demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi të mërkurën se jemi të vendosur për të vazhduar pa asnjë hap pas, betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes me Kolegjin e Kryetarëve duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse ka një vendim në lidhje me lënien e zyrave nga kryebashkiakët, Basha theksoi se “dua të falënderoj nga zemra edhe njëherë mbi 85% të shqiptarëve që refuzuan diktaturën më 30 qershor”.

Në lidhje me pyetjen nëse u vendos një datë për protestë, Basha tha se është vendosur thirrja e një proteste kombëtare për ditën e hënë.

“Një protestë për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën, për lirinë, fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane”, tha Basha./atsh

Basha: Asnjë hap pas në betejën tonë për demokracinë Read More »

“Ura e frëngut” në Vlorë gati projekti për restaurimin

Monumenteve të kulturës po i kushtohet gjithnjë e më shumë një vëmendje e veçantë.

Ditët e fundit Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për “ndërhyrje restauruese në Urën e Frëngut” në Gjorm, Vlorë.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese dhe konservuese në elementët konstruktivë të objektit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Në ditët e para të qershorit specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë kryer një inspektim në Urën e Frëngut, në fshatin Gjorm, Vlorë.

Gjatë inspektimit u bë kontrolli teknik i monumentit dhe evidentimi i problematikave. Nga inspektimi u konstatua se gjendja strukturore e urës ishte përgjithësisht e mirë, me përjashtim të dëmtimeve sipërfaqësore të kalldrëmit dhe dëmtime të fugave në qemerë.

Ura e Frëngut ndodhet afër fshatit Gjormë dhe ka shërbyer për qarkullimin dhe komunikimin e banorëve të fshatrave, që ndodhen në bregun e majtë të lumit Shushicë.
Ajo është urë e tipit me dopjo qemer me harkun në formë lundre dhe me dy dritare shkarkuese. Arkitektura e urës i është përshtatur terrenit shkëmbor ku është ndërtuar, duke u harmonizuar me peizazhin natyror.

Muratura e saj është e ndërtuar me gur kave të lidhur me llaç gëlqere. Në vitin 2015 kjo urë i është nënshtruar një ndërhyrjeje restauruese nga DRKK Vlorë./atsh

“Ura e frëngut” në Vlorë gati projekti për restaurimin Read More »