Opinione

Hajdari: Sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë

Kryetarja e e grupit parlamentar të opozitës, Rudina Hajdari, deklaroi sot se zgjedhjet në Kosovë, treguan se sistemi zgjedhor është i orientuar nga qytetarët, sistem i cili duhet të jetë frymëzim për vendin tonë.

“Urime Kosovës për zgjedhjet e lira dhe që të gjitha palët politike pranuan rezultatet me qetësi. Kosova tregoi që është një shtet me një demokraci që po rritet dita-ditës dhe duhet të jetë frymëzim edhe për vendin tonë”, – tha ajo.

Hajdari thekson se sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë.

“Sistemi zgjedhor i Kosovës është një sistem i orientuar drejt qytetarëve, duke i dhënë mundësi atyre që mbjellin shpresë tek njerëzit të votohen dhe të qeverisin vendin. Ky sistem zgjedhor duhet të jetë frymëzim për vendin tonë për të çrrënjosur ata që kanë mbytur shpresën në Shqipëri. Politikanët tanë i druhen një sistemi të tillë pikërisht, sepse rrezikohet elita e vjetër politike e këtij vendi, të cilët duan të mbajnë pushtetin e tyre me çdo kusht, duke mos u interesuar interesi publik”, – tha ajo.

Po ashtu, Hajdari tha se politikanët shqiptarë që urojnë Kosovën sot, refuzojnë sistemin e ri zgjedhor.

“Është ironik fakti që janë pikërisht këta që urojnë Kosovën sot, që me “mbipushtetin” që kanë, mbajnë vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë mbrapa. Ndërkohë nga ana tjetër refuzojnë të konsiderojnë një sistem të ri më demokratik dhe më përfaqësues, vetëm e vetëm për të mbajtur karriget e tyre, duke e lënë vendin në një krizë politike dhe institucionale”, – thekson ajo.

Në fund Hajdari shprehu urimet për zgjebet në Kosovë për frymën e re që u përcoll në zgjedhje.

“Urime Kosovë për frymën e re që përçove dhe shembullin e një demokracie që kur ekziston vullneti politik, mund të forcohet dhe të jetë funksionale”, – u shpreh ajo./atsh

Hajdari: Sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë Read More »

Soreca: Gjyqtarët si mjekët, ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca i krahasoi sot gjyqtarët me mjekët. Ata, tha ai, “ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato nëse janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm”.

Duke folur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të rinj të shkollës së Magjistraturës ai ka inkurajuar gjeneratën e re të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë diplomuar. Ai uroi 25 magjistratët e rinj nga Shkolla Shqiptare e Magjistraturës që morën diplomën e tyre sot.

“Diplomimi juaj është i rëndësishëm sot më shumë se kurrë. Ju përfaqësoni shpresën e ardhshme të sistemit të drejtësisë dhe pritshmëritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne flasim shumë për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë, dhe këto janë me rëndësi thelbësore, por ajo që me të vërtetë ka rëndësi dhe që do të vihet vazhdimisht në provë është integriteti juaj personal. Zgjedhjet që do të duhet të bëni kur të jeni nën presion, dhe të jeni të sigurt se do të ketë presion, ato do të jenë më të vështirat në shërbimin tuaj ndaj drejtësisë”, – tha Soreca.

“Kam pasur fatin në jetë të frymëzohem nga magjistratë të mëdhenj. Individë që nuk kishin frikë nga asgjë, përveç një gjëje: se nuk do të arrinin t’i shërbenin drejtësisë! Ata frymëzuan brezat e ardhshëm, ata e bënë një komb krenar. Tani ju e keni atë detyrë, të frymëzoni brezat e ardhshëm dhe ta bëni një komb krenar dhe besimplotë në sistemin e drejtësisë. Unë, personalisht, besoj se kjo ndjenjë është motivimi më i madh me të cilin mund të punohet dhe patjetër që ka shpërblimin më të madh që mund të ëndërrosh”, – u shpreh ai.

“Urime shkollës, profesorëve të drejtësisë dhe të gjithë kolegëve tuaj më të vjetër për ndihmën, mësimdhënien dhe mbështetjen që ju kanë dhënë gjatë studimeve. Të mësuarit për një magjistrat nuk mbaron kurrë dhe ju e dini më mirë se unë, por ju e kaluat me sukses provimin e hyrjes dhe të gjitha provimet e tjera që mund të ofrojë kjo shkollë. Ne në BE jemi do të mbështesim të mësuarit tuaj të vazhdueshëm, përmes projekteve, trajnimeve dhe ekspertizës sonë ligjore. Ekzistojnë disa instrumente në nivel evropian nga të cilat mund të mësoni dhe të shkëmbeni eksperiencat me kolegë të tjerë në sistem. Shfrytëzojini ato”, – theksoi ambasadori Soreca.

“Një herë, një koleg gjyqtar më tha: “Gjyqtarët janë si mjekët. Ata ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato nëse janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm”. Nuk ka asgjë më të keqe dhe më shkatërrimtare për shpirtin sesa padrejtësia apo drejtësia e vonuar. Pra, ndërsa jeni krenarë sot dhe me të drejtë, ju keni edhe një përgjegjësi të re të madhe për nesër. Krenohuni me arritjet tuaja dhe shërbeni me përulësi nesër. Paçi të gjithë një karrierë të shkëlqyer përpara! Gjithashtu, një urim i madh për familjet, partnerët apo miqtë tuaj që janë sot këtu dhe janë po aq krenarë për ju!” – tha Soreca./atsh

Soreca: Gjyqtarët si mjekët, ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato Read More »

Salianji: Shqipëria ka mungesë të dhënash për krimin e organizuar dhe korrupsionin

“Shqipëria ka mungesë të dhënash për krimin e organizuar dhe korrupsionin” u shpreh sot ish- deputeti i PD-së Ervin Salianji.

Duke iu referuar raportit të OKB-së, Salianji shprehet se “Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin ka publikuar në 3 tetor Raportin Kërkimor “Dimensioni i Krimit të Organizuar: Vlerësimi i të dhënave në Ballkanin Perëndimor”. Qëllimi i këtij raporti kërkimor është të shqyrtojnë disponueshmërinë e të dhënave statistikore mbi krimin dhe posaçërisht për krimin e organizuar. Ky raport thekson gjithashtu se si disponueshmëria e të dhënave mund të sqarojë faktorë të rëndësishëm në lidhje me aftësitë e vendeve për të matur modelet dhe trendet e krimit të organizuar dhe të paraqesë disa zgjidhje praktike për të përmirësuar disponueshmërinë e këtyre të dhënave”.

“Ndër elementet që analizon raporti janë përgjigjia që i jep shteti krimit të organizuar nëpërmjet strukturave ligjzbatuese, prokurorisë, gjykatave dhe sistemit penitenciar. Elementë të tjerë të rëndësishëm janë edhe facilitet për krimin e organizuar siç janë pengimi i drejtësisë, korrupsioni dhe krimi kibernetik”, shprehet ai.

Po ashtu, Salianji shton se “Nga të dhënat që ofron raporti, Shqipëria nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me krimet e kryera nga organizatat kriminale, dhe këtu përfshihen pastrimi i parave dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Nga tetëmbëdhjetë indikatorë, Shqipëria nuk ka asnjë të dhënë për tetë prej tyre, ndërkohë që për dy prej tyre ka kërkuar kohë për të nxjerrë të dhënat manualisht. Krejt e kundërta ndodh me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ku Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia kanë të dhëna për të gjithë indikatorët ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë të dhëna vetëm për pesë indikatorë së bashku”.

“Ajo çka bie në sy në raport që është po ashtu specifike vetëm për Shqipërinë është fakti që nuk ka asnjë informacion në lidhje me indikatorin e korrupsionit që mbetet një nga pengesat kryesore për luftën kundër krimit të organizuar”, shprehet ai. /atsh

Salianji: Shqipëria ka mungesë të dhënash për krimin e organizuar dhe korrupsionin Read More »

Kryemadhi: Djegia e mandateve vetëvrasje politike, nevojitet institucionalizimi i dialogut

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot se “nuk i trembet asnjë lloj marrëveshje PD-PS”.

E ftuar në një studio televizive, Kryemadhi tha se “ditën që politika shqiptare do ta institucionalizojë dialogun, nuk do të ketë më krizë politike dhe Shqipëria do të vazhdojë e sigurt drejt gjithë proceseve të saj për integrimin europian”.

“Nuk është çështje marrëveshjeje PD-PS, PS-LSI, PD-LSI. Është çështja e hapave që do të ndiqen nga politikëbërësit, nga të gjitha forcat politike, si ato parlamentare dhe jo parlamentare. Dialogu politik është institucion”, – tha ajo.

E pyetur nëse do ia linte vendin Ilir Metës në krye të LSI-së nëse do të shkarkohej si President, Kryemadhi u përgjigj negativisht, ndërsa duke komentuar draftin mbi shkeljet e Presidentit, tha se nuk është vetëm Kreu i Shtetit, por edhe Komisioni i Venecias që ka tejkaluar kompetencat.

Kryemadhi foli edhe për strategjinë e opozitës pas 18 tetorit kur do të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave. “Opozita ka qenë e gatshme gjithmonë për të shkuar në zgjedhje, pavarësisht po themi gosipeve që hidhen poshtë e përpjetë. Që do të thotë, ne jemi të gatshëm për të marrë pjesë në zgjedhje çdo ditë, por nuk është problemi për të mbyllur një proces dhe të hapim një proces tjetër krize, por është problemi që ne duhet ta mbyllim përfundimisht krizën politike dhe krizën e trancizionit politik”, – tha Kryemadhi.

Ajo tha se mazhoranca duhet të kthejë përgjigje se çfarë mendimi ka për pesë pikat tona dhe më pas të vazhdojmë me etapat e tjera. “Tashmë është koha që të flasë mazhoranca, të flasë Rilindja se çfarë mendojnë ato për propozimet e opozitës”, – tha ajo.

Kryemadhi pranoi po ashtu se “djegia e mandateve ishte vetëvrasje politike për opozitën, një vendim ekstrem politik që nuk ka ndodhur ndonjëherë”.

E pyetur se si e shikon Presidenti Meta aksionin opozitar, ajo tha se “është i pakënaqur për çështjen e mandateve”. /atsh

Kryemadhi: Djegia e mandateve vetëvrasje politike, nevojitet institucionalizimi i dialogut Read More »

Fate Velaj: Negociatat, të mendojmë si europianë e të marrim përgjegjësitë

Shqipëria ka shansin e madh të bëjë pjesë në këtë proces të paqes që ka filluar që mbas Luftës së Dytë Botërore dhe pasuruar vit pas viti për të cilin ne ëndërrojmë dhe po punojmë”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste Fate Velaj gjatë seancës plenare ku po diskutohet për projektrezolutën “Për mbështetjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Velaj tha se, “nuk mund të themi që qeveria nuk ka punuar në këtë drejtim, nuk mund të themi që bashkëpunimi nuk ka qenë por ka qenë një angazhim i përbashkët nga të gjithë si dhe atyre që janë jashtë këtij paralamenti”.

“Shqipëria është vendi më pro europian i Europës, kemi një botëkuptim europian sepse si e kam thënë dhe njëherë Europa nuk fillon në Vjenë, Bruksel apo Paris, Europa fillon pikërisht sa dalim nga ky paralament”, u shpreh Velaj.

Ai shtoi se, “që të jemi europian duhet të mendojmë si europian të marrim përgjegjësitë që kemi dhe të bëjmë rrugën që na ka ngelur, ato pak hapa që na kanë ngelur”.

“Pak rëndësi ka nëse janë dy kushte apo 9 kushte nga Bundestagu, ato janë preokupimi ynë për të bërë rrugën e mbetur për të shkuar pikërisht për të takuar si të barabartë Bundestagun”, përfundoi deputeti Velaj. /atsh

Fate Velaj: Negociatat, të mendojmë si europianë e të marrim përgjegjësitë Read More »

Lleshaj: Ky vit konfirmoi çrrënjosjen e kanabisit, nuk ka kthim pas

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD, Lulzim Basha. Në reagimin e tij, ministri shprehet se ka qenë pikërisht Basha në kohën kur ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm që lejoi lulëzimin e kanabisit në Lazarat.

“Nga gropa ku zhytet thellë e më thellë dhe bërtet fort e më fort, Lulzim Basha paska “zbuluar” se ky paska qenë vit rekord i kultivimit të kanabisit! Ky individ, që në biografinë e tij ka edhe Lazaratin, nuk meriton asnjë keqardhje, por keqardhja për ata që ende e ndjekin pas, rritet dita-ditës. Ky vit ka konfirmuar çrrënjosjen e kanabisit dhe kthim mbrapa nuk ka më!” shprehet ministri Lleshaj. /atsh

Lleshaj: Ky vit konfirmoi çrrënjosjen e kanabisit, nuk ka kthim pas Read More »

Kryemadhi: Rama t’u përgjigjet 5 pikave të opozitës, pastaj dialog

“Platforma me 5 pika, që i është dërguar kryeministrit Rama është një strukturë strategjike që kërkon palë nga mazhoranca dhe opozita për zgjidhjen e krizës politike”, tha sot në një prononcim për media para selisë së PD-së, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ndërsa theksoi se Rama t’u japë përgjigje pyetjeve dhe të vijë në PD.

Kryemadhi tha se “është një strukturë strategjike që thotë një palë nga mazhoranca, një palë nga opozita dhe një palë nga ndërkombëtarët. Ajo është një nga 9 pikat e kushteve të Bundestagut. E gjithë kjo strukturë dhe ato 9 kushte dhe janë të domosdoshme”.

Në lidhje me deklaratën e një dite më parë që Kryeministri bëri “se është i gatshëm të shkojë deri në PD për zgjidhjen e krizës politike”, Kryemadhi u shpreh se ai duhet të kthejë përgjigje për platformën dhe më pas të vijë për dialog në PD.

“Duhet të nxjerrim vendin nga kriza dhe t’i japim shansin të gjithëve për një jetë më të mirë. Kemi të pashprehur Francën dhe kemi Holandën me një qëndrim të frikshëm për Shqipërinë. Rama ka 5 kushte dhe duhet të kthejë njëherë përgjigje për ta dhe pastaj hajde në PD të flasim”, tha ajo. /atsh

Kryemadhi: Rama t’u përgjigjet 5 pikave të opozitës, pastaj dialog Read More »

Spiropali: Të gatshëm për dialog, por jo për të bërë pazare me opozitën

“Mazhoranca është e interesuar që opozita të ulet në tryezën për reformën zgjedhore dhe të diskutojë mbi çdo platformë që ka të bëjë me rregullat e lojës dhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR”, deklaroi mbrëmjen e sotme ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Gjatë një interviste televizive, e pyetur lidhur me deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha i cili tha sot se kryeministri Rama ka në tryezë planin e opozitës për reformën zgjedhore duke kërkuar që të zbatohet, Spiropali tha se këto janë shantazhe që mund të bëhen në kopësht, por jo në mjedisin politik.

Ajo tha se “ ne kemi qenë të gatshëm që të ulemi në tryezë me opozitën jashtë parlamentare edhe pse një opozitë që ka dorëzuar mandatet, nuk ka marrë pjesë në zgjedhje i është ofruar një vend në tryezën e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Kanë vendin e tyre, kanë edhe veto madje, por opozita parlamentare është aty sepse i takon me ligj që të jetë në atë tryezë, por është bërë edhe vendi për ta”.

“Po ne nuk mbajmë përgjegjësi për takime apo tryeza të organizuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë në bashkëpunim me ne, ku përfaqësuesit e opozitës ngrihen dhe ikin. Lexojnë trakte politike, deklarata që mund të bëheshin fare mirë nga zyrat e partive, i diskutojnë në këto tryeza ku duhet të diskutohen zgjidhje, të jepen opinione. Kemi një draft të plotë të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR,jemi të gatshëm që atë ta kthejmë në ligj, ekzaktësisht siç i ka rekomanduar OSBE/ODIHR dhe madje kemi shkuar edhe më tej dhe kemi thënë, sillni ju propozimet tuaja dhe ne jemi të gatshëm t’i votojmë, por ne nuk mund të presim kënd dhe të zvarrisim një proces të tërë i cili është i lidhur ngushtësisht edhe më rrugën tonë të integrimit europian”, deklaroi Spiropali.

“Askush nuk na vendos dot kusht dhe kushtet nuk mund të jenë arsye për të penguar procesin”, nënvizoi Spiropali, duke shtuar se “do të ishte mirë që opozita jashtë parlamentare të bjerë dakord me rekomandimet e OSBE/ODIHR se aty nuk ka as çudira as surpriza, janë e zeza mbi të bardhë, por për çështje që shkojnë përtej nesh, nuk kemi asnjë kompleks jemi të hapur t’i diskutojmë në tryezë”.

Përsa i përket deklaratës së Bashës, ministrja thekson se “mund t’i besosh dhe të marrësh seriozisht një njeri i cili kur ka vënë ultimatume më parë i kanë ecur dhe thua po, ky është një njeri që i qëndron fjalës dhe ka një plan. Po një njeri që ka thënë se zgjedhjet me 30 qershor nuk do të bëhen se jemi ne këtu dhe zgjedhjet u bënë, një person që ka thënë se këtu do të ketë revolucion nëse Edi Rama nuk ikën dhe ja ku është Edi Rama, një njeri që ka kaluar nga Rama ik te Gjiknuri ik dhe gjithë kohën është duke ndryshuar strategjinë e tij elektorale. Më vjen keq po këto shantazhe mund të bëhen në kopësht, por nuk bëhen në mjedisin tonë politik sepse e para nuk mund të zgjedhësh dot tryezën ku je, e dyta nuk zgjedh dot kundërshtarët, kryeministri të ikë, ai tjetri të ikë, këta të gjithë të ikin se do të vijmë ne”, theksoi ministrja.

“Do të vish po, por në bazë të rregullave, me votë kur njerëzit të besojnë. Këta janë katandisur në pikën ku nuk ke më ku ti kapësh. A duam ne që këta të vinë në tryezë? Patjetër. Jemi shumë të gatshëm, çdo platformë që këta ta prezantojnë që ka të bëjë me rregullat e lojës, rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe atë që ne e bashkëndajmë ne jemi të gatshëm ti dëgjojmë dhe ti kthejmë në ligje. Ama, shantazhe të tilla nuk bëjnë dot. Edhe vetë e kanë kuptuar se vëmë re se opozita jashtëparlamentare po merr një kthesë”, tha ajo.

Ministrja riktheksoi se “mazhoranca është e gatshme të ulet në çdo tryezë për të diskutuar, por jo për të bërë pazare me opozitën”

“Ne të gjithë si faktorë politik duhet të jemi në një mendje dhe në një drejtim për këtë proces. Të kemi interesin kombëtar të parin pastaj analizat partiake. Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, të diskutojmë, të mos bëjmë deklarata politike por të gjejmë zgjidhje, ama brenda Kushtetutës dhe ligjshmërisë dhe aspak jashtë kornizave. Nuk duam dhe nuk do të bëjmë pazar me ta. Për ne nuk ka kthim pas në Reformën në Drejtësi, që ka qenë një nga kërkesat e artikuluara nga Basha. E vetmja gjë që mund të bëjmë është reforma zgjedhore dhe këtë duam ta bëjmë bashkarisht. Më tolerancë dhe konsensus se kaq nuk besoj se ka ushtruar ndonjë qeveri më parë”, tha ministrja Spiropali./atsh

Spiropali: Të gatshëm për dialog, por jo për të bërë pazare me opozitën Read More »