Opinione

Paketa Anti KÇK/ Hyseni: I heq mundësinë krimit të përfitojë nga paratë e pista

Deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni u shpreh për paketën Anti KÇK se, “ligji, akti normativ ka parashikuar dy momente të ndryshme. Njëri është ai i verifikimit normal, kur kryhet një procedurë normale nga ana e OFL-së dhe Drejtorit të Policisë dhe një rast ekstra ku merren masat e parandalimit, kur ka dyshime që personi, mund të ndikojë në zhdukjen e provave, pasurive të veprave penale dhe në këto raste ndërhyrja është e menjëhershme”.

Në një intervistë televizive, Hyseni tha se, “ky është ndryshimi mes dy rasteve, që dikujt i është çuar formulari dhe ka 48-orë kohë për ta plotësuar dhe pastaj studiohet dhe analizohet me tërësinë e informacioneve që kanë agjencitë ligj zbatuese dhe dilet në një konkluzion paraprak nga Drejtori i Policisë dhe ia referon prokurorit dhe rasti tjetër është emergjenca siç është vepra penale kur kryhen veprime për të zhdukur viktimën , mjetet me të cilat është kryer krimi”.

“Ndiq paratë, bëja të zezë krimit mundësinë që të përfitojë paratë e krimit”, ky është misioni i aktit normativ , tha ai. Duhet të jemi koshientë që ka njerëz që janë gati të sakrifikojnë vitet burg, mjafton që të përfitojnë produktet e veprës kriminale.

“Nuk ka asnjë dispozitë që përjashton Gjykatën dhe prokurorinë. Nga koha kur vihet në lëvizje mekanizmi i hetimit e deri në kohën e fillimit të procedurave, krimi ka pasur gjithë kohën e nevojshme për të ndikuar në hetim, ashtu sikurse, – tha ai janë të gjitha mekanizmat ligjor për të kërkuar ç’dëmtim për çdo rast të padrejtë”.

Hyseni tha se, deri dje kishte zëra që lufta kundër krimit nuk ishte në nivelet e duhura, sot që po e bëjmë, janë ngritur një batalion njerëzish dhe janë shqetësuar për të drejtat e njeriut. Por duhet të ndajmë luftën kundër krimit dhe të drejtat e njeriut. Sot jemi në një gjë konkrete që vjen si pasojë e një reforme të vazhdueshme. Pak më parë kemi kaluar ligjin për drejtorinë e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe ndryshimet këtu, konsistojnë edhe me mënyrën e re të administrimit të aseteve të krimit, që në fund të fundit edhe nëse konfiskohen të shkojnë në të mira publike ti kthehen komuniteteve dhe jo të humbin”.

“Reforma në Drejtësi po vijon me krijimin e disa institucioneve, ndaj është i nevojshme ky ligj që është me efekt veprimi, një vjeçar deri në 31 dhjetor 2020” – tha ai/atsh

Paketa Anti KÇK/ Hyseni: I heq mundësinë krimit të përfitojë nga paratë e pista Read More »

Rritje e investimeve të huaja, Rama: Po përmirësojmë klimën e biznesit, kush vonon shërbimet online gjobitet

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëri ka rritje të investimeve të huaja dhe normën më të ulët të papunësisë prej 25 vitesh”.

Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Ekonomik të Tiranës, Kryeministri përmendi si histori suksesi faktin se “Shqipëria ka normën më të ulët të papunësisë prej 25 vitesh sipas BB-së dhe kjo bazuar në gjithë popullatën dhe jo vetëm tek ata që jetojnë këtu”.

Duke folur për investimet e huaja, Rama tha se “kemi nevojë të kemi shumë më tepër investime të huaja, por duke iu referuar shifrave, kemi rritje të investimeve të huaja”.

Ai u shpreh se “e kuptojmë fare mirë se duhet të përmirësojmë klimën e biznesit dhe sjelljen dhe kapacitetin e administratës tonë për çështje që lidhen me biznesin”.

“Jam optimist që gjatë këtij viti do të kemi rezultate të qenësishme. Po bëjmë shumë më të të thjesht komunikimin mes qytetarëve dhe sipërmarrjeve me administratën, duke e shkëputur tërësisht komunikimin fizik dhe duke e kthyer në dixhital. Plani ynë është që brenda 2020, 95% të shërbimeve të jenë të dixhitalizuara në lidhje me dokumentacionin. Kjo është faza e parë, faza e dytë është që gjithçka, çdo leje dhe licencë të transferohen dhe të jepen në internet. Kjo do të ndryshojë tërësisht mënyrën e komunikimit mes njerëzve dhe administratës”, – tha Rama.

Po ashtu, Rama theksoi se “përmes një vendimi qeverie kemi vendosur që të gjitha aplikimet, nga ato më të thjeshtat te ato më të ndërlikuarat duhet të përpunohen dhe duhet të marrin përgjigje brenda afateve ligjore”.

“Për çdo shkelje të këtyre afateve ligjore do të ketë një gjobë lidhur me zyrën dhe personin përgjegjës, drejtorin apo shefin e shërbimit në atë zyrë, ata do të paguajnë nga xhepi, për çdo vonesë që i shkaktohet një biznesi”, – shtoi ai. /atsh

Rritje e investimeve të huaja, Rama: Po përmirësojmë klimën e biznesit, kush vonon shërbimet online gjobitet Read More »

Amnistia/ Manja: Përfitojnë 175 të dënuar, garantohet riintegrimi i tyre në shoqëri

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja deklaroi sot në Kuvend se nga amnistia përfitojnë 175 të dënuar, të cilët riintegrohen dhe risocializohen më shpejtë në shoqëri.

“Ndryshe nga amnistia e vitit 2016, këtë herë amnistohen vetëm të dënuarit me vendim penal të formës së prerë të vënë në ekzekutim, ose për të cilët ka filluar ekzekutimi i vendimit penal. Nuk parashikohet dhënie amnistie për çështjet në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat si dhe për kallëzimet që ndodhin”, – tha ai.

Manja tha se “arsyeja pse janë përjashtuar nga amnistia subjektet që janë në ndjekje penale apo ende në gjykim nga gjykatat ka të bëjë me respektimin e parimit të sigurisë publike”.

“Nga kjo amnisti përfitojnë të dënuarit për kryerjen e veprave penale të rënda me rrezikshmëri të madhe shoqërore, të dënuarit si pjesë e organizatave kriminale, e grupeve të strukturuara kriminale dhe bandave të armatosura, të dënuarit për krime zgjedhore dhe korrupsion, krime kundër pronës, dhe çdo lloj forme për ndërtim të paligjshëm, ata që janë dënuar për krime kundër mjedisit, zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit, krime kundër autoritetit të shtetit, drejtësisë etj.”, – tha Manja.

Ai tha se “nuk përfitojnë të dënuarit në mungesë dhe përsëritësit në kryerjen e veprës penale”.

Ndërkohë Manja shtoi se nga amnistia përfitojnë të dënuarit meshkuj me burgime deri në 2 vjet dhe të dënuarat femra dhe të mitur me dënime deri në 3 vjet. “Të gjithë ata që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ju kanë mbetur 2 vjet pa vuajtur nga dënimi për të dënuarit meshkuj, ndërsa për të dënuarat femra dhe të mitura përfitojnë ato që u kanë mbetur 3 vjet”, – tha Manja.

Ai shtoi se amnistia krijon mundësinë e riintegrimit dhe risocializimit më të shpejtë të tyre në shoqëri, jo vetëm nisur nga qëllimet e humanizmit, por edhe për faktin se këto subjekte të dënimit penal kanë qenë në shumë raste dhe viktima.

“Ne kemi 5351 të dënuar dhe të paraburgosur, 2632 prej të cilëve janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Nga këta të fundit, 175 përfitojnë amnisti. Janë 150 meshkuj dhe lirohen menjëherë 23 të dënuara femra dhe dy të mitur, ndërsa 29 gra dhe vajza të tjera përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit”, – tha Manja.

Ai u shpreh se ky parlament në një moment të caktuar mund të shohë edhe mundësinë e një amnistie tjetër për shkak të mbingarkesës./atsh

Amnistia/ Manja: Përfitojnë 175 të dënuar, garantohet riintegrimi i tyre në shoqëri Read More »

Ambasadorja Kim: Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka zhvilluar sot një pritje me përfaqësues të politikës shqiptare ku theksoi se Shqipëria mund dhe duhet të çrrënjosë korrupsionin dhe të vendosë sundimin e ligjit.

“Ajo që na bashkon të gjithëve në këtë sallë është vendosmëria jonë e përbashkët që Shqipëria mund dhe duhet të çrrënjosë korrupsionin dhe të vendosë sundimin e ligjit në Shqipëri… Të gjithë kemi një rol për të mundësuar sigurinë, begatinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë”, – theksoi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim gjatë pritjes së saj prezantuese. “Jam e prekur nga pritja e ngrohtë që kam marrë në Shqipëri. Tani e kuptoj që legjenda për mikpritje shqiptare është thjesht pohim i një fakti!” – tha në çelje të fjalës së saj Kim.

“Përpara se të nisesha nga Uashingtoni për në Tiranë, shfrytëzova rastin për t’u këshilluar me shumë prej ambasadorëve të mëparshëm amerikanë në Shqipëri. Nga Bill Ryerson te Jim Jeffrey e Donald Lu, të gjithë kishin një gjë të përbashkët: afeksion të thellë – në fakt, do të thoja dashuri – për Shqipërinë dhe një besim të thellë në marrëdhënie SHBA-Shqipëri. Ndonëse kam vetëm tetë ditë këtu, që tani kam të njëjtën ndjesi. Kam ndjesinë e qëndrueshme të shpresës dhe vendosmërisë”,- bëri të ditur ajo.

“Është e qartë se viti 2020 do të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, i mbushur me sfida por edhe mundësi. Potenciali për përparim dhe rritje është përpara nesh, nëse udhëheqësit e Shqipërisë mund të bëjnë bashkë vullnetin me dhe mjeshtërinë për të bërë gjënë e duhur”,- tha ambasadorja e SHBA.

“Siç vura në dukje në seancën time dëgjimore në senat, si dhe shumë herë të tjera që atëherë, si ambasadorja e Amerikës në Shqipëri, unë kam tre prioritete: Prioriteti im i parë është ta ndihmoj Shqipërinë të bëhet aleate më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë sigurie. Shqipëria po punon për të qenë edhe një udhëheqëse në Ballkan për luftën kundër terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Nga shoqëria civile te bashkësitë fetare, nga organet vendore e ndërkombëtare të zbatimit të ligjit deri te shkollat e arsimtarët, jemi bashkë për ta ndihmuar Shqipërinë që të zhdukë si kërcënimet vendase, ashtu edhe ato ndërkombëtare”,- vijoi Kim.

“Së dyti, ne do të vazhdojmë të mbështesim fort zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Forcimi i institucioneve dhe praktikave demokratike do të forcojë kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Ne duam ta shohim Shqipërinë të luajë një rol më të fortë në familjen evropiane të demokracive. Së treti, duam të rrisim mundësitë e biznesit si për kompanitë amerikane ashtu edhe ato shqiptare. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara në Shqipëri, për prodhuar, konsumuar dhe për të qenë novatorë”,- tha më tej ambasadorja e SHBA.

“Ndonëse këto përparësi mund të duken të përmbajtura, ato janë të lidhura pashmangshmërisht. Cila është lidhja? Të tria këto kërkojnë që Shqipëria të çrrënjosë korrupsionin, të ndjekë penalisht krimin e organizuar, dhe të realizojë vendosmërisht sundimin e ligjit. Miratimi i Reformës në Drejtësi ishte një gur kilometrik madhor, por shumë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i duhur”,- tha ambasadorja Kim.

“Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë apo vetëm e komunitetit të biznesit. Për miqtë tanë në komunitetin e biznesit: Ju nxis të udhëhiqni duke kryer punën tuaj me integritet dhe duke kërkuar politika e praktika të shëndosha qeverisëse. Për partnerët tanë në qeveri: ritheksoj rëndësinë e transparencës dhe të shtetit ligjor. Pavarësisht nëse është në praktikë apo në perceptim, korrupsioni e dëmton Shqipërinë dhe e pengon të arrijë potencialin e tij të vërtetë. Kjo është ajo që lidh tri përparësitë e Ambasadës së SHBA në Shqipëri”, – tha ambasadorja e SHBA.

“Më lejoni tani të them disa fjalë për atë që na lidh – në fakt, na bashkon – të gjithëve ne në këtë sallë. Ajo që na bashkon të gjithëve në këtë sallë është vendosmëria jonë e përbashkët që Shqipëria mund dhe duhet të çrrënjosë korrupsionin dhe të vendosë sundimin e ligjit në Shqipëri. Në këtë sallë gjenden një gamë e ndritshme personash të shquar. Por pavarësisht nëse je politikan, diplomat, imam, murgeshë, gazetar, ushtar, nënë a bijë, jemi të gjithë partnerë në një përpjekje të përbashkët për ta çuar Shqipërinë përpara. Të gjithë kemi një rol për të mundësuar sigurinë, begatinë dhe integrimin europian të Shqipërisë”, – tha ambasadorja e SHBA, Juri Kim.

“Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020. Iu bëj thirrje drejtuesve shqiptarë – pavarësisht nëse jeni në shumicë apo opozitë, në parlament apo jo – që të demonstroni udhëheqësi të vërtetë duke marrë vendimet e vështira për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij evropiane. Kjo do të kërkojë kompromis, por një sakrificë e përkohshme e krenarisë personale patjetër që ia vlen në emër të së ardhmes së vendit”,- shtoi ajo.

“I përgëzoj partitë e opozitës jashtë Kuvendit që gjetën një mënyrë për të ecur përpara me Reformën Zgjedhore, dhe i përgëzoj ata brenda në Kuvend që u siguruan që në tryezë të kishte gjithmonë hapësirë ​​për dialog të hapur. Shpresoj të ketë edhe shumë shembuj të tjerë të këtij lloj bashkëpunimi përgjatë gjithë vitit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme të punojnë me të gjithë ju këtu sonte dhe ju falënderoj të gjithëve paraprakisht për partneritetin dhe miqësinë tuaj”, – përfundoi fjalën e saj, ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim./atsh

Ambasadorja Kim: Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020 Read More »

E vërteta e raportimit skandaloz në RAI3/ Autoritetet italiane: Nuk korrespondon me realitetin, Shqipëria rezultate të rëndësishme në luftën ndaj kanabisit

Autoritetet italiane specifikojnë se lajmet e përcjella nga kronika në RAI3 për rritje domethënëse të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, nuk korrespondojnë me të dhënat e vërteta dhe nuk mund të hedhin hije mbi efikasitetin real në ndryshimin e kultivimit të kanabisit dhe rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë viteve të fundit.

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje zhvillimet e konferencës ndërkombëtare në Napoli në kuadër të projektit IPA 2 , duke theksuar se kjo është e vërteta zyrtare e raportimit skandaloz të RAI3.

“Ja edhe e vërteta zyrtare për raportimin skandaloz të RAI3! Faleminderit autoriteteve të policisë italiane që na ndihmojnë përditë në afirmimin e fitores së përbashkët kundër kultivimit të kanabisit dhe në këtë rast na ndihmuan të fitojmë ndaj një gënjeshtre të madhe mediatike”, u shpreh Rama.

Në kuadër të konferencës ndërkombëtare të projektit IPA 2 që po zhvillohet në Napoli jo vetëm u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer midis dy vendeve në fushën e luftës ndaj krimit të organizuar dhe drogës, por i është dhënë një sqarim i plotë edhe kronikës së Rai3 në të cilën flitej për një raport të rezervuar të policisë italiane mbi rritjen domethënëse të kultivimit të kanabisit në territorin shqiptar.

“Autoritetet kanë specifikuar se shifrat e publikuara nga lajmi i publikuar në kronikën në fjalë, nuk korrespondojnë me të vërtetën dhe nuk hedhin hije mbi efikasitetin e luftës ndaj kultivimit të kanabisit që ka arritur rezultate të rëndësishme gjatë viteve të fundit” – thuhet në përmbledhjen e konferencës.

Në konferencën e Napolit, janë mbajtur edhe takime bilaterale Itali-Shqipëri, pjesë e të cilave ishin zv.ministri i Brendshëm italian, Vito Crimi, drejtori i Policisë së prefekturës, Franco Gabrielli nga pala italiane dhe zv.ministri i Brendshëm shqiptar, Julian Hodaj dhe ambasadorja shqiptare Anila Bitri së bashku me delegacionet respektive./atsh

E vërteta e raportimit skandaloz në RAI3/ Autoritetet italiane: Nuk korrespondon me realitetin, Shqipëria rezultate të rëndësishme në luftën ndaj kanabisit Read More »

Stanishev: BE të mbajë premtimin dhe të hapë negociatat me Shqipërinë

Presidenti i Partisë Socialiste Europiane (PES), Sergei Stanishev, në një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e fortë të PES, se “Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimet e dhe të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla,gjatë qëndrimit në Bruksel, zhvilloi një takim me Presidentin e Partisë Socialiste Europiane (PES), Sergei Stanishev.

Gjatë takimit, Balla dhe Stanishev diskutuan mbi situatën në vend, Ballkanin Perëndimor dhe procesin e zgjerimit të BE-së./atsh

Stanishev: BE të mbajë premtimin dhe të hapë negociatat me Shqipërinë Read More »

Paslëkundje e 26 nëntorit/ Sizmiologu Dushi: Tërmeti zgjati 10 sekonda, qytetarët të mos përfshihen nga paniku

Sizmiologu Edmond Dushi tha mbrëmjen e sotme se lëkundja e tërmetit e kësaj të marte ka zgjatur 10 sekonda, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve që të mos përfshihen nga paniku.

“Ky tërmet është në vazhdën e tërmetit të 26 nëntorit dhe e kishte epiqendrën në Fushë-Krujë në afërsi të Bubqit. Tërmeti ka zgjatur 10 sekonda. Ruani qetësinë, të mos përfshihemi nga paniku në mënyrë të ç’organizuar. Duhet të mësoni që do jenë prezente sepse është një dukuri që nuk shuhet kollaj. E ka treguar historia e këtyre goditjeve, është karakteristikë e kësaj zone dhe ndoshta mund të kemi dhe tërmetet të tjera”, tha Dushi në një prononcim televiziv.

Tërmeti sipas IGJEUM ka qenë me epiqendër në fshatin Bubq dhe në thellësi 7 km.

Lëkundjet janë ndjerë në një pjesë të mirë të Shqipërisë dhe në Kosovë e deri në jug të Italisë.

Nuk raportohet për dëme. /atsh

Paslëkundje e 26 nëntorit/ Sizmiologu Dushi: Tërmeti zgjati 10 sekonda, qytetarët të mos përfshihen nga paniku Read More »

Reforma Zgjedhore, Alibeaj: Ndarje e qartë midis shtetit dhe partive politike në proces

“Procesi elektoral do të duhet të ketë një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike”, tha sot ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, duke e konsideruar këtë si një element shtesë dhe risi për Reformën Zgjedhore.

Alibeaj tha se “në tryezën e Këshillit Politik janë gjithsej 13 çështje, ku 9 prej tyre janë propozuar nga opozita. “Janë çështje të sistemit zgjedhor, votimi i emigrantëve, depolitizimi i administratës, çështje të prezantuara nga ne prej kohësh”

“Çështjet e artikuluara prej nesh janë ato që ne kemi artikuluar prej kohësh, por janë të miratuar në një seri të dokumenteve ndërkombëtare kryesisht ato të OSBE/ODIHR, madje dhe në dokumentet e Bundestagut, duke filluar nga dekriminalizimi i zgjedhjeve pra impuls i ri që duhet të luftojë krimin zgjedhor, presionin ndaj administratës zgjedhore, përdorimin e burimeve shtetërore, përdorimin e medias dhe financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore”, tha ai.

“Këto janë simptoma për veshin e shqiptarëve, për përtej këtyre simptomave që janë shndërruar në çështje, besoj se është një çështje që duhet trajtuar sot dhe që është risi, por është dhe nga kërkesat e 1990 që është një pasazh i shkëputur nga dokumenti i Kopehagenit e cila në mënyrë të qartë dhe të saktë thotë që në proceset elektorale do të duhet të ketë një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike. Ndarja e qartë e shtetit, administratës shtetërore, burimeve shtetërore, përdorimit të buxhetit, gjithçka që përbën shtet të ndahet nga ajo që quhen parti politike në fushatë zgjedhore. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, që fushata zgjedhore nuk është gjë tjetër vetëm se një garë me partive politike. Pluralizmi në themelin e vet këtë nënkupton”, u shpreh Alibeaj.

Alibeaj shtoi se bespn që kjo nuk ka pse mos të ndodhë në Shqipëri siç ndodh në të gjithë Europën.

“Në europë sa herë që ka procese zgjedhore, gara është mes partive politike, sa herë ka procese, zgjedhjet nuk konsiderohen si atmosferë lufte, por kur demokracia shfaqet në mënyrë energjike, ku publiku duhet të zgjedhë mes ideve dhe programeve dhe kjo është tabloja që duhet të udhëhiqemi të bëjmë një fushatë zgjedhore. Por që të ndodhë kjo ka nevojë për dy gjëra. E para për perfeksionim të bazës ligjore që ajo parti politike që është në pushtet të mos përdorë mjete antidemokratike, të mos përdorë administratën, buxhetin e shtetit, median, krimin, mos i nxjerrë të dënuarit nga burgu. E dyta; çështja e vullnetit politik, pasi e vetmja gjë që bën një ndryshim ligjor, duhet vullnet politik”, tha ai. /atsh

Reforma Zgjedhore, Alibeaj: Ndarje e qartë midis shtetit dhe partive politike në proces Read More »