Opinione

Pipero: Meraku për kolegët dhe pacientët më shoqëron çdo ditë

Mjeku i njohur pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, Pëllumb Pipero në një intervistë dhënë për një nga mediet, thotë se prej situatës së krijuar nga COVID-19, meraku për kolegët dhe pacientët e shoqëron në çdo ditë.

Në një intervistë, mjeku infeksionist u shpreh se “jeta është e çuditshme, shkojmë me merakun si do i gjejmë të sëmurët, si janë kolegët, a mos po mungon ndonjëri. Bëjmë mbledhjen, ndahen detyrat dhe pastaj organizimi i vogël i përditshëm i punëve, pavijon, vizitë e të sëmurëve, vlerësim i gjendjes së tyre shëndetësore, shumica janë të moshuar, të gjithëve iu mungojnë të afërmit, një pjesë me gjendje kritike për jetën. Marrim shpesh vendime shumë të vështira, por të nevojshme. Kthehemi sërish e diskutojmë, e nuk mungojnë edhe batutat ndonjëherë dhe të qeshurat që shpesh priten edhe në mes. Apo jemi bërë shumë më të afërt me njëri-tjetrin”.

Pasi përfundon punën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku tregon se bën një orë e gjysmë vrap çdo ditë në pyll e më pas lexon artikujt të ndryshëm për COVID-19.

“Dal nga puna, kthehem në shtëpi, bëj një orë e gjysmë vrap çdo ditë në pyll, pastaj lexim i çdo artikulli që më vjen për COVID-19. Sa më shumë lexoj, aq më pak di më duket, disa komunikime në media për situatën klinike dhe epidemiologjike, konsiderata dhe opinione për ecurinë e epidemisë, në studio apo Skype, Skyp-i na shpëtoi, qindra e qindra mesazhe nga qytetarët të cilëve mundohem t’ju përgjigjem të gjithëve. Prapë lexim dhe komunikim me kolegët. Gjumë shumë pak”, tregoi ai.

Pipero thotë se familja e tij janë në merak tërë kohën për të. “Përgjithësisht në ankth, si do shkojë dita sot, a mos je infektuar, kemi merakun tënd, mos na e sjell virusin në shtëpi etj., etj. Pra gjithçka rreth virusit. I kemi harruar gjithë të tjerat”, u shpreh ai.

Mjeku i dashur për publikun thotë se një gabim i vogël në këtë situatë, të kushton shumë shtrenjtë. “Mjaft e vështirë të jesh i sigurt se nuk do të infektohesh, jemi shumë të ekspozuar. Mund të bëjmë gabime, qoftë edhe një gabim i vogël kushton shumë shtrenjtë”, u shpreh ai.

Pipero thotë se e gjithë kjo eksperiencë nuk do t’i hiqet nga mendja. “Nuk e di saktësisht se çfarë, di t’ju them se është një eksperiencë e pashoq dhe një solidaritet i pashoq, që nuk do më shqitet nga mendja kurrë! Mendoj se çdo kohë apo situatë evidenton ca vlera, njerëz, specialistë, politikanë etj. Ndoshta çdo kohë ka dhe heronjtë e saj, që për mua këtë radhë janë mjekët dhe infermierët”, tha Pipero./atsh

Pipero: Meraku për kolegët dhe pacientët më shoqëron çdo ditë Read More »

Ambasadorja Kim mesazh kryebashkiakëve: Të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19

“Le të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19”, deklaroi sot ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

Ambasadorja Kim zhvilloi sot një takim virtual me kryetarët e bashkive të Tiranës, Korçës dhe Fierit dhe prefektin e Durrësit.

Ambasadorja Kim i falënderoi ata që i mbajnë qytetarët të sigurt dhe të shëndetshëm duke zbatuar rigorozisht masat e distancimit social.

“Shpresoj të takohemi nga afër së shpejti, por për momentin, pata kënaqësinë të takoja virtualisht kryetarët e bashkive të Tiranës, Korçës dhe Fierit dhe prefektin e Durrësit. Faleminderit që i mbani qytetarët të sigurt dhe të shëndetshëm duke zbatuar rigorozisht masat e distancimit social. Le të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19”, u shpreh ambasadorja Yuri Kim./atsh

Ambasadorja Kim mesazh kryebashkiakëve: Të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19 Read More »

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve

Mazhoranca përveç ndryshimeve në Kodin Penal dhe atë Rrugor është duke vlerësuar dhe aktualizimin me situatën të rregullores së Kuvendit.

“Së pari duhet të sqarojmë se këtu bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve dhe dua të sqarojë se 99.9% e shqiptarëve i kanë zbatuar masat shtrënguese të deritanishme në mënyrën më të shkëlqyer dhe përfitoj nga rasti t’i falënderoj. Por kemi dhe një 0.01% të personave që jetojnë në Shqipëri të cilët ende nuk e kanë kuptuar që kjo është një luftë. Një luftë me një armik të padukshëm, që edhe pse jemi në një moment të mirë sa i takon shifrave dhe kurbës së ecurisë së kësaj pandemie në vendin tonë, na duhet që për këta 0.01%, ashtu sikurse dhe vendet e tjera, dhe në disa parlamente të tjera, janë depozituar dhe po diskutohen masa të tilla të aktualizimit të Kodit Penal”,- tha Balla.

“Një situatë e tillë nuk është parë kurrë. Kujtoj këtu, ashtu sikurse tha Kancelarja Angela Merkel, një situatë e tillë për Gjermaninë nuk ishte parë që nga lufta e dytë botërore. E pra, Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë sikurse dhe në vendet e tjera ka pasur deficite që duhen rregulluar, sepse moszbatimi i urdhrit të karantinës, apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, ngjitëse përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për COVID-19”, – tha Balla.

“Po bëjmë disa ndryshime penale jo vetëm për këtë pandemi, por duhet të jemi parashikues dhe për raste të tjera. Por betejën dhe luftën e kemi me COVID-19 momentalisht. Në këtë kontekst veç masave administrative, është e domosdoshme të aktualizojmë kodin tonë penal edhe me këtë rast”, – tha Balla.

“Unë ju ndoqa teksa ju transmetuat 9 raste të reja të identifikuara me COVID-19 në Shqipëri. Tre prej tyre janë në Elbasan dhe këta në Elbasan janë për fajin e disa personave të tjerë që kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm. Këta janë kontaminuar me virusin për shkak të moszbatimit të masave të sigurisë që kemi vendosur”, – tha Balla.

Duke folur për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, Balla tha se do shqyrtohet dhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit. “Në fund të fundit kuvendi duhet të japë një shembull të mirë të distancimit social. Kuvendi i Shqipërisë ka ushtruar aktivitetin e tij të domosdoshëm legjislativ duke përdorur teknologjinë. Situata të tilla të shkaktuara nga COVID 19 nuk i kemi parashikuar në rregulloren e Kuvendit, prandaj duhet që dhe në rregullore të ndërhyjmë. Kuvendi do mblidhet në datë 16 dhe do të diskutojë edhe për këto ndryshime”,- tha Balla, gjatë intervistës së dhënë pasditen e të enjtes për një media vizive. /atsh

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve Read More »

Kalo: Nëse do të vazhdojë ndërgjegjësimi do të kemi lehtësim gradual të masave

Mjeku Tritan Kalo, anëtar i Komitetit Teknik të epidemisë së shkaktuar nga koronavirusi, u shpreh se lehtësimi i masave në këto momente mund të kthehet në bumerang.

Kalo gjatë intervistës së tij ka theksuar se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për të shkëputur zinxhirin e infeksionit. “Kemi kaluar javën e katërt, jemi në fund të javës së pestë. Përgjithësisht kurba e rasteve tek të sëmurët me COVID është e tillë që dukuria shikohet nga fundi i javës së pestë. Jemi në atë periudhë që përcaktohet nëse do të kemi rritje, apo në atë pjesën e rrafshtë dhe më pas uljen graduale. Rritja e rasteve ka të bëjë me izolimin e tyre, por jo me numrin e të shtruarve në spital. Aktualisht kemi 52 të shtruar. Në 24 orët e fundit kemi pasur 23 të shëruar, duke e çuar në total 154, 27 janë mjekë dhe infermierë”, – tha Kalo.

“E rëndësishme është që masat e marra dhe izolimi i ndërgjegjësuar ka bërë që numri i rasteve të mos pësojë rritje të menjëhershme, çka e bën të pamundshme trajtimin në mjediset e spitaleve. Nëse do të vazhdojë ndërgjegjësimi në ato orë të lejuara, do të kemi kënaqësinë që pas disa javëve edhe te ne qeveria do të fillojë lehtësimin gradual të masave. Por lehtësimi në këto momente që flasim, mund të shndërrohet në një bumerang si në Japoni dhe Kore, që lirimi i menjëhershëm bëri që të kthehet një valë e dytë që është më vështirë për t’u përballuar”, – thekson KAlo.

“Janë 236 raste të fundit të testuara. Saktësia e tyre, tamponëve përcaktohet nga prodhuesi i tyre, ato që kemi importuar ne janë të certifikuara nga OBSH-ja dhe ndjeshmëria e tyre kalon 90%. Ne kemi përzgjedhur ato që janë më cilësor”, – tha Kalo.

Ai garantoi se “ne po e ndjekim pikë për pikë për të testuar ata që kanë simptoma, histori të kontaktit me të infektuarit, rrethi i parë, po të tjerë që janë izoluar që janë rrethi i dytë. Apo ata që vijnë nga zona të prekura. Po ka një keqkuptim mesazhi që ka dhënë presidenti i OBSH, thënia e tij është ‘testim, testim, testim kur është e domosdoshme’, por jo të gjithë popullatës, edhe Gjermania që e mendoi këtë u tërhoq, pasi dobishmëria që sjell testimi është kur dhe ku duhet”.

“I kam dëgjuar me kuriozitet mendimet e kolegëve. Në kohën që është epidemia e gripit, mes rasteve mund të ketë pasur edhe nga COVID, se simptomat janë të njëjta. Ajo që na bën të kërkojmë dhe synojmë, ekzistencën e COVID është lidhja e rastit. Vështirë të prihet me thikë nëse ka filluar në janar, shkurt apo mars. Ne i referohemi rastit të 8 marsit që kemi izoluar”, – tha Kalo.

Sipas tij, “distancimi fizik është hallka më e rëndësishme për shkëputjen e zinxhirit. Sa i përket rikthimit të infeksionit, mbi 65% të rasteve infeksioni kalon me shenja minimale si rrufë apo grip 2-3 ditor. Ne kemi futur të bëjmë disa testime në popullatë sa është niveli për të parë sa shtrihet apo është arritur imunizimi në popullatë”, – tha Kalo.

“Mjekët janë më të ekspozuarit. Unë nuk kam pasur asnjë simptomë dhe nuk kam arsye që të bëj arsye. Kuriozi i fut vetes panik të panevojshëm. Kemi pasur të infektuar, por 5 mjekë janë shëruar në 24 orët e fundit. Personeli që ka kontakt, hapi i parë është autokarantinimi dhe më pas përmes tamponit nëse janë të prekur”, – tha Kalo.

Lidhur gjendjen e pacientëve të shtruar, Kalo u shpreh se ata vuajnë mungesën e familjarëve. “Ne si personel mjekësor mundohemi që përveç suportit mjekësor të bëjmë edhe një suport psikologjik sepse është e qartë se individi i mbyllur vuan mungesën e këtij mjedisi, por duke qenë e përkohshme, ta mbushim ne këtë kohë qëndrimi në spitale. Në ditën e 12-14 përcaktojmë nëse kemi ose jo vazhdimësinë. Nëse rezultojnë negativë rikthehen në familje dhe i nënshtrohen një kontrolli të dytë. Tani nuk qarkullon vetëm COVID-19, por edhe infeksione të tjera, alergjitë stinore. Këta individë e vuajnë largësinë nga familja por ne mundohemi të krijojmë një mundësi relaksimi”, – tha ai.

Duke folur për vatrat në Elbasan e Shkodër, mjeku Kalo tha se “shifrat përditësohen çdo ditë, këto dy vatra të reja janë të lidhur me personat e infektuar, rrethi i tyre i ngushtë familjar që ka shkelur rregullat. Edhe në këto dy raste, nëse rregullat shkelen rreziku i infektimit është i lartë. Të qëndrojnë të distancuar për të shkëputur zinxhirin e infeksionit”, – vijoi Kalo.

“Do them dy mesazhe, kujdesi në QSUT është maksimal, se zbatojmë të njëjtat medikamente si e gjithë bota, por duhet të jemi të ndërgjegjësuar. Gjirokastra, Përmeti, Saranda, Erseka nuk kanë asnjë të infektuar, edhe pse ka afërsi gjeografike apo janë kthyer nga Greqia. Nëse respektohen rregullat, mundësia e shkëputjes së zinxhirit të jep rezultate të favorshme”, – garantoi Kalo. /atsh

Kalo: Nëse do të vazhdojë ndërgjegjësimi do të kemi lehtësim gradual të masave Read More »

Pipero: Rënia drastike e numrit të personave të infektuar, lajm optimist

Mjeku i njohur pranë Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Pëllumb Pipero e cilësoi sot lajm optimist rënien drastike të numrave të personave të infektuar me COVID-19 në vendin tonë, por sipas tij është ende herët që të nisë festa.

Në një intervistë televizive Pipero u shpreh se “e kemi pritur si lajm optimist, por është shpejt për t’u gëzuar. Unë kam menduar se kjo javë do të ketë ulje të numrave, por jo shumë të madhe. Do jetë si të thuash si një sheshpushim. Kjo është një ecuri logjike e kurbave e epidemive në përgjithësi. Natyrisht, numrat do të kenë luhatje, një ditë më poshtë dhe një ditë më lart, por do të jetë gjithnjë poshtë asaj që ne e kemi quajtur pikun e numrave. Unë besoj që pikun kurba tek ne e ka arritur javën e kaluar. Gjithsesi është një lajm i mirë, sepse ishin rreth 180 mostra dhe kanë qenë vetëm 6 pozitive. Pra, do të thotë së është zgjeruar numri i kontakteve dhe përqindja e pozitivitetit ka rënë. Kjo është logjika e kësaj shifre”.

Lidhur me gjendjen e të shtruarve Pipero tha se “gjendja e të shtruarve është stabël. Natyrisht kemi raste në shërim e sipër dhe besoj se edhe sot do të ketë pacientë të tjerë që do të lënë spitalin. Kur them të shëruar, themi në një farë mënyrë të çliruar nga simptoma dhe nga sëmundja, por edhe nga kovidi, pasi personat janë negativë në fund të procesit, por ata duhet që të jenë edhe 2 javë në shtëpi dhe të kujdesen për veten. Ndërkohë, kemi pacientë të tjerë që vazhdojnë të luftojnë me sëmundjen duke u paraqitur nga forma nga mesatare, të lehta, të rëndë apo dy apo tri raste mjaft të rënda”.

Sipas tij, në vazhdim do të këtë raste të reja, por shtoi se ato do të jenë në një segment më të kufizuar në krahasim me javën e kaluar, kur numri i të prekurve kaloi mbi 20 persona”.

Pipero tha se Shqipëria ka kaluar gjysmën e parë të kësaj pandemie.

“Besoj se kemi kaluar gjysmën e parë të kësaj kurbe të epidemisë, që ishte më e vështirë, gjysma tjetër do të jetë më e gjatë, por do të ketë më pak numra. Çka do të thotë jo të festojmë dhe të gëzojmë, sepse është herët, por duhet të respektojmë rregullat e qeverisë dhe këshillat tona”, – tha Pipero.

Ai u shpreh se “duhet të përgatitemi, sidomos pensionistët dhe të sëmurët kronikë, që të qëndrojnë më gjatë në shtëpi dhe të gjithë të tjerët duhet të respektojnë rregullat”./atsh

Pipero: Rënia drastike e numrit të personave të infektuar, lajm optimist Read More »

PD: Numër i ulët i testimeve, po fshihet realiteti

Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia tha sot se numri i ulët i testimeve fsheh realitetin e përhapjes së virusit.

Në një deklaratë për mediet, Spahia tha sot po bëhet një muaj që kur në Shqipëri u zbulua rasti i parë me COVID-19.

“Ky muaj i vështirë ka provuar në mënyrë të përsëritur se qeveria ishte e papërgatitur për të përballuar krizën e krijuar nga koronavirusi. Shqipëria kishte pak kite për të testuar sa më shumë të dyshuar, sepse qeveria veproi me shumë vonesë për t’i siguruar, pavarësisht thirrjeve tona të hershme. Në përpjekje për të mbuluar dështimin në furnizimin e mjaftueshëm me kite për teste, Rama e mbajti sekret sasinë e tyre dhe, kur u detyrua të fliste, ai gënjeu”, tha ai.

Bardhi shton se “deklarata e tij se ne jemi të gatshëm të bëjmë 2 mijë teste në ditë, u përgënjeshtrua nga Ministrja e Shëndetësisë dhe nga vetë Komiteti i Ekspertëve të Edi Ramës”. /atsh

PD: Numër i ulët i testimeve, po fshihet realiteti Read More »

Kurti: Prilli, vendimtar në luftën ndaj Covid-19

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mëngjesin e së martës e ka nisur ditën në komunën e Gjilanit.

Bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi u priten nga kryetari, Lutfi Haziri në Shtabin Emergjent të Gjilanit. Aty u njohën nga afër për gjendjen dhe masat e ndërmarra nga komuna në parandalimin e pandemisë COVID-19.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se muaji prill është vendimtar për të dalë nga kriza shëndetësore pandemike.

Ai theksoi gatishmërinë dhe vullnetin për të shtyrë në kohë sa më shumë lakoren e shpërndarjes së COVID-19.

“Jemi të gatshëm, të interesuar të vullnetshëm që këtë lakoren e shpërndarjes së Covid 19 të shtyjmë sa më shumë në kohë. Ngritjen e saj të bëjmë sa më të pakët në mënyrë që të parandalojmë këtë pandemi që iu mori jetën tre qytetarëve. Organizimi ynë, edhe qendror, edhe lokal, është shembullor dhe këtë po e thonë edhe të tjerët. Duhet të vazhdojmë edhe në muajin prill. Sepse muaji prill është muaj vendimtar që nga kjo krizë shëndetësore të dalin sa më shpejt dhe sa më pak dëme”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se falë koordinimit ndërinstitucional kanë arritur të menaxhojnë rastet në komunën që ai drejton.

Ai u shpreh se i ka paraqitur gjitha kërkesat e komunës, kryeministrit në detyrë, Kurti.

“Në 15 rastet që i kemi menaxhuar deri tash tre i kemi të shëruar, e njoftova kryeministrin. Tendenca është në rënie e kemi lokalizuar dhe po e menaxhojmë këtë infeksion në vendet ku është gjetur deri tani… Problemet shtesë veçse i nënvizova. E njoftova kryeministrin se Gjilani e ka një problem prej qershori të vitit të kaluar për thatësinë e ujit. Jemi që 10 muaj me problemin e furnizimit me ujë. Në kushtet ku kërkohet higjienë qytetarët e Gjilanit e kanë një problem”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, theksoi se ka mbajtur të gjitha shënimet.

“Unë edhe kam dëgjuar me kujdes dhe kam mbajtur shënime”, tha ai.

Kurti mes tjerash në Gjilan foli edhe për masat e kufizimit të lëvizjes, derisa bëri të ditur se sot gjatë mbledhjes së qeverisë pritet te merret një vendim i ri për kufizimin e lëvizjes.

“Lidhur me atë se si do të vazhdohet me masat në vijim. Në mënyrë që të kemi kufizimin e lëvizjes. Sepse lëvizja e njerëzve potencialisht është lëvizje e virusit. Por në anën tjetër të krijojmë hapësirë për bizneset tona”, tha ai./KosovaPress/

Kurti: Prilli, vendimtar në luftën ndaj Covid-19 Read More »

Kreu i OBSH-së në Shqipëri, Gonzales: Masat e zbatuara ndikuan në mbajtjen e shifrës së të prekurve të ulët

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Raul Gonzales tha sot se “masat e zbatuara nga qeveria që në fillim të rasteve të para kanë qenë të suksesshme dhe kanë pasur impakt, në mbajtjen e shifrës të të prekurve të ulët”.

Në një intervistë televizive, Gonzales iu përgjigj edhe pyetjes nëse duhet që qeveria shqiptare të lehtësojë masat parandaluese që janë në fuqi deri më tani.

Ai tha se “ky është një vendim shumë delikat”. “Ajo që mund të themi është se masat e mbylljes së njerëzve në shtëpi janë efikase dhe kanë prodhuar një rezultat të mirë. Disa vende në Europë janë duke bërë të njëjtën pyetje. Mund t’ju them se unë do të doja të inkurajoja vendet t’i mbanin masat bllokuese sa më gjatë që të jetë e mundur. Kjo është ajo gjë që ne me siguri e kemi parë që funksionon. Çdo lloj zbutje e këtyre masave duhet të studiohet shumë, shumë, shumë me kujdes, duhet të bëhen llogaritë mirë e marrë në konsideratë efektet që do të sjellë zbutja”, tha ai.

Gonzales tha se “masat e ruajtjes së distancës i shohim në Shqipëri sikurse në të gjithë botën”. “Çdo masë e adresuar me qëllim zbutjen duhet të shqyrtohen me një kujdes shumë të madh me fokus në impaktin e tyre, natyrisht duke menduar në mënyrë ekskluzive për mos keqësimin e situatës ekonomike në vend. Nuk duhet të ketë arsye të tjera përveç atyre që nuk përkeqësojnë ekonominë. Çdo lloj lehtësimi masash i pa menduar mirë mund të sjellë rritjen e rasteve pozitive me COVID-19 e si pasojë shtim të humbjeve të jetëve të tjera”, tha ai.

Lidhur me situatën në Shqipëri, Gonzales tha se “mund të them se ne mund të jemi optimist për situatën në Shqipëri, sikurse mund të jemi gjithashtu pozitiv nëse shikojmë ç’po ndodh në vendet e tjera të Europës”. “Gjërat me infeksionin në Shqipëri janë duke shkuar mirë nëse shikojmë të dhënat zyrtare kemi 377 raste pozitiv dhe 21 të vdekur dhe meqë po më jepet mundësia dua të shpreh ngushëllimet e mia familjeve. Këto shifra që kemi në vendin tuaj janë të mira. Këto shifra na tregojnë një gjë. Sipas një studimi nga ana jonë e shifrave, nëse qeveria nuk do të kishte vepruar në kohë do të kishim shifra krejt ndryshe. Ky është leksioni i parë që kemi mësuar. Mbyllja totale është efektive”, tha ai.

Po ashtu, Gonzales tha se “numri i atyre që kanë humbur jetën është një indikator që për ne vlen shumë pasi kuptojmë numrin e të infektuarve”. “Të dhënat për humbjen e jetëve në Shqipëri na tregojnë dy gjëra. E para numri të prekurve është i ulët dhe situata në popullatë është nën kontroll. Numri 21 jetëve të humbura që me patjetër është i dhimbshëm për ata që humbën të dashurit por po ta analizojmë në rrafshin kombëtar për të gjithë vendin tuaj në perspektivën afatgjatë është një numër që na tregojnë se gjërat janë duke shkuar mirë”, tha ai.

Lidhur strategjinë e testimit në Shqipëri, Gonzales tha se “çdo vend duhet të zhvillojë politikat e veta të testimit dhe kjo është e lidhur me shumë gjëra si për shembull niveli transmetimit të virusit sikurse edhe gjendja e disponueshme e testeve”.

“Të gjitha vendet në botë janë duke parë për të siguruar teste. Disa vende mundet t’i sigurojnë disa të tjera janë në proces të procedurave të blerjes. E thënë kjo ne inkurajojmë politikat e testimit për të kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur e për të marrë vendimet e duhura. Ka vende që janë duke i zgjeruar politikat e testimit por duhet të marrim në konsideratë mundësinë e gjetjes së testeve në tregjet ndërkombëtare. Jemi në dijeni të faktit se qeveria shqiptarë është duke bërë të gjitha përpjekjet për të pasur më shumë teste dhe për këtë ne po ndihmojmë. Ka një kërkesë të madhe në tregun ndërkombëtar për këtë test”, tha ai./atsh

Kreu i OBSH-së në Shqipëri, Gonzales: Masat e zbatuara ndikuan në mbajtjen e shifrës së të prekurve të ulët Read More »