Opinione

Kalo: Qëndroni në shtëpi, lexoni dhe dëgjoni muzikë, me durim e besim do ja dalim mbanë kësaj beteje

Mjeku i njohu Tritan Kalo i bën apel qytetarëve që në kushtet e masave kundër COVID-19, të vetëndërgjegjësohen në respektimin e rregullave për mbrojtjen e shëndetit të tyre.

“Ku është vetëndërgjegjësmi …..”Kukamçefti’ është loja që ne po bëjmë me COVID-19. Dyndemi rrugëve për 8 orë midis orëve 05:00 – 13:00, dhe më pas ne vijojmë dhe e gënjejmë veten, se po i fshihemi rrezikut të infektimit prej tij, duke qëndruar të mbyllur në shtëpi deri të nesërmen, kur t’ia mësyjmë sërisht rrugëve të qyteteve tona…- shprehet Kalo.

Për fatin tonë të keq, vijon ai, ankthin e mbylljes na e shtojnë emisionet disa orëshe televizive me të sëmurët me COVID-19 në Shqipëri dhe nëpër botë, me të vdekurit e shumtë të kësaj “flame” dhe ne pak shumë pak shohim art viziv, histori, gjeografi, dëgjojmë muzikë, humor, mënçurira e optimizëm socio-historiko-ekonomik nga këto ekrane….ekspertiza “COVIDIANE-19” po që edhe ajo vijon e rrjedh si lumë nga këto ekrane, dhe “i ziu qytetar i këtij vendi” Nuk di se çfarë të bëjë?….Protagonizmi i kërkuar me çdo çmim e mjet në këto kohë shumë-shumë gri për shoqërinë tonë, është i dëmshëm dhe jo produktiv si në planin individual po ashtu edhe në atë shoqëror….

Mjeku Kalo i bën apel qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi.

“Bashkëkombasit e mi, qëndroni në shtëpi, lexoni, dëgjoni muzikë, Gëzojuni pranisë së fëmijëve dhe të afërmve tuaj, gatuani, flisni e flisni me plot dëshirë e pathos për jetën me të dashurit tuaj, për aq kohë sa edhe ritmi i jetës ende nuk ju ka ripërfshirë në vorbullën e saj, sepse jeta nuk është vetëm “zhytje në Detin e Zi të COVID-19”, dhe se çdo e keqe sado e madhe qoftë ajo paska edhe ndonjë element “mirësie” brenda saj….” thekson Kalo.

Mbi të gjitha nënvizon ai, kurrë të mos ju mungojë solidariteti me ata, që e përballojnë jetën në mesin shumë e shumë vështirësive…. Janë nënat, baballarët, motrat, vëllezërit e fëmijët tanë edhe ata….Dasitë socio-ekonomike të krijuara në këto 30 vite demokraci janë ulëritëse, sepse në mënyrë pameritore shumë individë që deri dje “brekëgrisur e barkëtharë i gjeti mëngjesi, milionerë i zuri nata”, vetëm e vetëm sepse përftuan nga politikat rrënuese të ardhmërisë sonë……Nuk ka COVID-19 që ta zhdukë këtë plagë “të dhimbshme e qelbrrjedhëse” të shoqërisë sonë të shpërfyturuar…..

“Me durim e besim ne do t’ia dalim mbanë betejës kundër COVID-19, dhe koha postkovidiane detyrimisht që do të duhet të jetë ajo e korrigjimeve të pabarazive socio-ekonomiko-politike, nëse ende ne bartim në zemër dëshirën e flaktë të të qënurit shqiptar, si dhe atë të mbrothësimit të mëmëdheut tonë të përbashkët”- thekson Kalo në mesazhin e ti/atsh

Kalo: Qëndroni në shtëpi, lexoni dhe dëgjoni muzikë, me durim e besim do ja dalim mbanë kësaj beteje Read More »

Pipero: Kjo javë arrin pikun e saj, një kulm i butë fal masave të marra në kohën e duhur

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, shprehet se përhapja e COVID-19 në vendin tonë, këtë javë do mbyllet pak a shumë me këto numra, duke arritur siç thotë ai, “kulimin e saj, një kulm i butë falë masave të marra nga qeveria, në kohën e duhur”.

Lidhur me shqetësimin e profesorit Et’hem Ruka për ecurinë e kurbës së COVID-19, Pipero shprehet se, numrat janë relativisht të lartë pasi janë testuar në mënyrë “agresive” rastet e kontaktit të ngushtë, dhe në përgjithësi rezultojnë familjare.

“Ne presim pak a shumë të njëjtat numra dhe në javën që vjen, unë e kam quajtur shesh pushim, e mandej fillimin e rënies së kurbës. Por ka tre indikatorë të rëndësishëm në ecurinë e kësaj kurbe, së pari masat e mara nga qeveria kombinuar me këshillat tona, së dyti gjurmimi i rasteve të kontaktit dhe testimi i tyre, së treti qëndrimi i qytetarëve në shtëpi. Nëse njeri nga këto komponentë ka çaluar kurba nuk do jetë ajo që presim, por ajo që shohim jo larg nesh, në Itali, Spanjë apo dhe me tej”- shprehet Pipero.

Duke sjellë në vëmendje rastin e nënë Vezikos që u shërua nga COVID–19, mjeku Pipero tha se ” Nënë Veziko, gjyshja nga Vlora, e shtruar në spital së bashku me tre pjesëtarë të familjes së saj me COVID- 19, sot të gjithë të shëruar”.

“E fundit doli nga spitali Nënë Veziko, e moshuar por luftarake deri në fund, dhe së bashku me ne ja doli, fitoi ndoshta betejën me të vështirë të jetës së saj, fitoi mbi COVID- 19. Të shkuara dhe jetë të gjatë Nënë Veziko”- shprehet Pipero.
/atsh

Pipero: Kjo javë arrin pikun e saj, një kulm i butë fal masave të marra në kohën e duhur Read More »

Meta për qytetarët e bllokuar në Kapshticë: Të gjithë duhet të respektojnë kushtet e urgjencës të imponuar nga COVID-19

Presidenti Ilir Meta shprehet i shqetësuar për situatën e shqiptarëve në pikën kufitare të Kapshticës. Ai bënë thirrje për zgjidhje të menjëhershme

Presidenti Ilir Meta, përmes një deklarate për mediet i bënë thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare.

“Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme”,- thekson Meta.

“U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë”,-vijon Meta.

“Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës”, tha Meta. /atsh

Meta për qytetarët e bllokuar në Kapshticë: Të gjithë duhet të respektojnë kushtet e urgjencës të imponuar nga COVID-19 Read More »

Balla: Shqipëria ka hyrë në zonën e zjarrit, duhet të zbatojmë rregullat dhe masat shtrënguese për tu mbrojtur nga armiku i padukshëm

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaron se Shqipëria ka hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku COVID-19 mund të marrë shumë jetë.

Balla thekson se duhen zbatuar të gjitha rregullat dhe masat shtrënguese për tu mbrojtur nga armiku i padukshëm.

Sipas Ballës operacioni i përditshëm humanitar i shpërndarjes së ndihmave për familjet në nevojë vijon pa ndërprerje.

“Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku mund të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën e bluzave të bardha!”,- thekson Balla.

“Duhet të vazhdojmë të zbatojmë një për një rregullat plus masat shtrënguese dhe të mbrohemi nga ky armik i padukshëm, deri sa të dalim nga kjo luftë e egër që kërcënon qindra jetë shqiptare”,-vijon Balla.

“Shqipëria do ta fitojë luftën dhe ata që shajnë e mallkojnë, teksa rrotullohen në divan e çohen vetëm për të hedhur vrerë mbi ata që punojnë, do t’i mohojnë ato që thonë sot pa u menduar e pa e kuptuar që kjo është një luftë. Kuja e paskrupullt e mjeranëve të shqupit le të vijojë, mjekët dhe infermierët në front shpëtojnë çdo ditë jetë dhe karvani i operacionit të përditshëm humanitar ecën përpara, kudo ku ka familje në nevojë. Ti nuk do jesh kurrë vetëm”,- përfundon Balla./atsh

Balla: Shqipëria ka hyrë në zonën e zjarrit, duhet të zbatojmë rregullat dhe masat shtrënguese për tu mbrojtur nga armiku i padukshëm Read More »

Bardhi: PD shpërndan ndihma në të gjithë vendin, jo politikë më të pamundurit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, tha se PD nuk do të përdorë asnjëherë për politikë më të pamundurit, duke pozuar me ta për ndihmat që po shpërndajnë strukturat e PD në të gjithë vendin.

Bardhi shton se pak ditë më parë PS, përmes Taulant Ballës, Okta Xhaçkës apo Erion Veliajt, akuzoi PD se nuk po jepte asnjë ndihmë.

“Përfaqësuesit e PD janë çdo ditë në kontakt me qytetarët, duke ndihmuar me sa mundësi kemi qytetarët më nevojë, por, ndryshe nga Balla, Veliaj, Xhaçka që marrin nga 3 kameramanë për show dhe propagandë me pako në emrin e tyre, ne kemi vendosur të mos bëjmë propagandë me qytetarët në nevojë, ne kemi vendosur të mos bëjmë as foto, as video me njerëz që janë në nevojë. Kemi vendosur të mos pozojmë me ndihmat që u ofrojmë qytetarëve. Ne nuk kërkojmë të përfitojmë politikisht nga mjerimi i pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Po ashtu, Bardhi shton se “është kriminale që ndërsa i çon një pako oriz dhe një pako makarona, të dalësh foto me një person qe sot nuk ka mundësi të ushqejë fëmijët. Kjo është ta përdorësh atë person për politikë. Prandaj, ne e neverisim një formë të tillë ndihme. Kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë për të qenë pranë qytetarëve, së pari për të qenë zëri i tyre dhe së dyti, për të ndihmuar sa të mundemi. Taulant Balla dhe shokët e tij të partisë e dinë shumë mirë që strukturat tona po ndihmojnë aq sa munden me ndihma, familjet në nevojë. Unë mund t’ju dëshmoj raportet e përditshme të strukturave tona për ndihmën që po u ofrojmë qytetarëve, por kurrësesi, siç kemi vepruar me rastin e tërmetit, ne nuk bëjmë foto me persona të pamundur që mezi sigurojnë bukën e gojës për fëmijët e tyre”.

“Propagandën dhe shown me më të pamundurit ia kemi lënë asaj partie që gjithmonë i ka përdorur qytetarët si subjekte të fotove për propagandën e tyre. Ne nuk e kemi bërë kurrë këtë dhe nuk do ta bëjmë asnjëherë ketë. Do të ndihmojmë pa bërë show dhe propagandë me njerëz qe janë në kufijtë e mbijetesës.”- tha Bardhi. /atsh

Bardhi: PD shpërndan ndihma në të gjithë vendin, jo politikë më të pamundurit Read More »

Spiropali: Qëndrojmë deri në fund dhe padyshim që e fitojmë këtë luftë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali u bëri thirrje sot qytetarëve të qëndrojnë deri në fund me zbatimin e masave për ta fituar këtë luftë”.

Përmes një video me pamje nga kryeqyteti në karantinë, Spriopali inkurajon qytetarët që të bëjnë durim dhe të vazhdojnë përpjekjet deri në fund.

“Qëndrojmë deri në fund sikurse këto ditë dhe i kemi vendosur vetes dy alternativa përpara: ose e fitojmë ose padyshim që e fitojmë këtë luftë”, tha ajo./atsh

https://www.facebook.com/espiropali/videos/537551193575545/?t=0

Spiropali: Qëndrojmë deri në fund dhe padyshim që e fitojmë këtë luftë Read More »

11 vjet nga anëtarësimi në NATO, Kim: Forcat amerikane dhe shqiptare kanë derdhur gjak, djersë dhe lot së bashku

“Prej 11 vjetësh, që kur Shqipëria u bë aleate në NATO, forcat e Shteteve të Bashkuara dhe ato shqiptare kanë derdhur gjak, djersë dhe lot së bashku”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim kujtoi sot 11-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ajo theksoi se së shpejti, NATO do të ketë një ndërtesë në Kuçovë.

Ambasadorja Kim u shpreh se, “Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë aleate me Shqipërinë”.

“Prej 11 vjetësh, që kur Shqipëria u bë aleate në NATO, forcat e Shteteve të Bashkuara dhe ato shqiptare kanë derdhur gjak, djersë dhe lot së bashku në Afganistan, Irak, Bosnjë-Herzegovinë, Kosovë dhe Letoni. Së shpejti, NATO do të ketë një ndërtesë në Kuçovë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë aleate me Shqipërinë”, tha ambasadorja Yuri Kim.

Më 4 Prill 2009 në 60-vjetorin e themelimit të NATO-s u firmos traktati që e bëri Shqipërinë vend me të drejta të plota në këtë aleancë, pas dorëzimit të dokumentacionit përkatës në Departamentin Amerikan të Shtetit, me 1 prill së bashku me Kroacinë.

Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në vitin 2008, në Samitin e Bukureshtit, ndërsa u ul si vend anëtar me të drejta të plota në takimin e përfaqësuesve të lartë të NATO-s në samitin e Strasburg-Këln.

Ndërsa më 7 prill 2009, u ngrit flamuri i Shqipërisë në selinë e NATO-s. Shqipëria u bë vendi i 27-të anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut./atsh

11 vjet nga anëtarësimi në NATO, Kim: Forcat amerikane dhe shqiptare kanë derdhur gjak, djersë dhe lot së bashku Read More »

“Super lajm, 99 pacient të shëruar nga COVID-19″/ Spiropali: Nuk duhet lëshuar pe, veçse kurajo dhe disiplinë të hekurt për këtë luftë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali, e ka konisideruar si super lajm shërimin e 99 pacientëve nga COVID-19 në vendin tonë.

“Super lajm, 99 pacientë në total kanë fituar betejën me armikun por nuk duhet lëshuar pe, e as duhet marrë me nge, veçse me kurajo dhe disiplinë të hekurt kjo luftë”, shprehet Spiropali.

Ajo apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë rregullat e qëndrimit në shtëpi. /atsh

https://www.facebook.com/espiropali/videos/208227313795322/?t=0

“Super lajm, 99 pacient të shëruar nga COVID-19″/ Spiropali: Nuk duhet lëshuar pe, veçse kurajo dhe disiplinë të hekurt për këtë luftë Read More »