Opinione

Rama publikon videon: Nuk janë hapur askund!

Teksa në vendin tonë u rihapën disa biznese këtë të hënë pasi qeveria liroi disa nga masat e marra për shkak të COVID-19, ende nuk dihet se kur do të fillojnë punën restorantet dhe baret Përmes një video që ka publikuar në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, kryeministri Edi Rama sqaron edhe pse-në që sipas tij ka hapja e restoranteve dhe e bareve, ndërsa ai thekson se ato nuk janë hapur ende askund.

“Një shpjegim i thjeshtë për rrezikun e Fazës 2 dhe posaçërisht për psenë e rrezikut më të madh të restoranteve e të bareve, që ende nuk janë hapur askund!

Rama publikon videon: Nuk janë hapur askund! Read More »

Pëllumb Pipero: Ja kur do t’i rikthehemi normalitetit të mëparshëm

Doktori i njohur, Pëllumb Pipero është i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në Top Channel ku foli për hapjen graduale. Pipero tha se nuk ka vend për të dramatizuar situatën, por realitetit të mëparshëm do t’i kthehemi kur të dalë vaksina.

“Unë nuk shikoj se ka vend për të dramatizuar situatën. Tani normalitetit që kemi pasur nuk mund t’i rikthehemi deri në momentin që të kemi një vaksinë.

Por nuk ka vend për dramatizme. Unë besoj jam më radikal. Unë nuk jam pro këtyre maskave me ndarje xhami etj, por unë them që mjafton vetëm një maskë, kjo pasi virusi përhapet me anë të spërklave”, tha Pipero.

Pëllumb Pipero: Ja kur do t’i rikthehemi normalitetit të mëparshëm Read More »

Tërmeti i mbrëmshëm/ Bozo: Janë pasgoditje normale, s’ka vend për panik

Inxhinierja e Ndërtimit, Luljeta Bozo në një intervistë televizive ka folur për lëkundjet e tërmetit të djeshëm në Tiranë e Durrës, me magnitudë 3.4 ballë.

Bozo tha se këto janë pasgoditje normale, duke shtuar se qytetarët nuk kanë pse të kenë frikë e se nuk ka vend për panik.

“Pasgoditjet e mbrëmshme kanë qenë normale. Jemi akoma në fazën e pasgoditjeve. Janë pra thjesht lëkundje të mëvonshme e nuk ka ndonjë arsye për panik. Në rast se shtëpia është e sigurt, nuk ke pse lëviz fare, absolutisht. Kur bie tërmet, nuk duhet lëvizur fare absolutisht. Pastaj qetësohet dhe kthehet në normalitet situata”, tha Bozo.

“Me këtë intensitet që ka qenë, nuk ka rrezik fare. Meqenëse jemi në kohë koronavirusi, duhen mbajtur ato rregulla të COVID-19. Nuk ka magnitudë të madhe, kështu që nuk ka pse ka panik. Edhe tërmeti i 1976 kishte pasgoditje deri 6 muaj. Do 4 a 5 muaj të çlirohet totalisht. Pasgoditjet janë gjithmonë më të ulëta sesa goditja më e fortë. Magnituda deri 3.5 nuk quhet tërmet, është çlirim normal”, tha inxhinierja Bozo.

Sipas IGJEUM, epiqendra e tërmetit mbrëmë rreth orës 22 e 30, ishte në Derven, Fushë-Krujë, ndërsa magnituda ishte 3.4 e shkallës Rihter dhe thellësia 34 km./atsh

Tërmeti i mbrëmshëm/ Bozo: Janë pasgoditje normale, s’ka vend për panik Read More »

Kur do shohim dritë në fund të tunelit? Rama flet për si do të jetë situata në vazhdim

Kryeministri Edi Rama foli në një lidhje me “Skype” për emisionin “Real Story”, në News24, për rihapjen e jetës, pas mbylljes nga koronavirusi.

Rama tha se kthimi në normalitet do të ndodhë vetëm kur të dalë vaksina dhe se, sipas tij, do të na duhen dy-tre vite të jetojmë me frikën e infektimit.

Sa i takon kohës se kur do të mund të shohim dritë në fund të tunelit, kryeministri u shpreh se 97% e bizneseve i janë rikthyer aktivitetit të tyre normalisht, ndërsa po bëhet edhe hapja e zonave të gjelbërta, ku do të ketë një shtim të tyre në fundjavë.

Pjesë nga intervista:

Kur do të presim një rifillim të lëvizjes së lirë?
Rama: Çështjen e afateve të shkelura e kam shpjeguar, por një lloj i caktuar njerëzish nuk e kanë fare mendjen të lexojnë pesë rreshta. Nuk do të gjobiten për shkelje të afateve, sepse nuk i kanë shkelur me vullnetin e tyre, por janë viktimë e një situate që nuk ka të bëjë fare me to. Nuk ka nevojë të telefonojnë në ambasada, nuk do të gjobiten.

Askush nuk është gjobitur, kemi marrëveshje me qeverinë greke. Sa i përket kufijve, kur ata që janë jashtë të më thonë që lëvizin nga një komunë në tjetrën, atëherë do të flasim për kufijtë e mëdhenj. Sot në Itali nuk ke mundësi të lëvizësh nga një qytet në tjetrin. Këtu nuk ka lidhje me dëshirën, është një hall shumë i madh që na ka zënë secilin, por më në hall është qeverisë që duhet t’iu përgjigjet të gjithëve.

Nëse do më vinte dikush, z. Gjekmarkaj psh, që të thoshte ik ti nga qeveria dhe firmos që s’do merresh kurrë me politikë, do ta firmosja tani live në emision, që të shpëtonte populli nga ky makth. S’kam asnjë dyshimi që kjo që po bëjmë s’ka lidhje me ndonjë palë zgjedhje, se as më shkon në mend, por mendoj vetëm se si do jetë dita nesër.

Po shihet fundi i majit si fundi i makthit, kur po afron kjo drita në fund të tunelit?
Rama: Tani që flasim kemi afër 90% të biznesit në punë. Kështu që hapja jonë në aspektin e rikthimit në vendet e punës është masive, më masive se vendet e tjera. Janë disa aktivitete të tjera që do të happen javën e ardhshme dhe pastaj mbeten disa aktivitete që lidhen direkt me përhapjen e virusit, si qendrat tregtare, lokale, ristorante, përfshirë edhe parukeritë.

Janë shumë të rrezikshme, se mjafton një klient i infektuar, ta transmetojë virusin te parukieret, klientët e tjerë, familjarët, etj. Akoma nuk kemi hapur kufijë mes qyteteve dhe kjo do të ndodhë në javët në vijim, por nuk e dimë akoma kur. Po bëjmë një fragmentim të valës, duke u hapur në zonat e gjelbërta, ku do të shtojmë në fund të kësaj jave disa zona të reja. Por kthimi në normalitet, siç ishte para virusit, do të jetë vetëm kur të gjendet vaksina. Do të jetojmë edhe dy-tre vjet me rrezikun se mund të infektohemi.

Kur do shohim dritë në fund të tunelit? Rama flet për si do të jetë situata në vazhdim Read More »

“Asgjë e re në frontin e opozitës”/Po përgatitet për humbjen e radhës, Presidenti po bën gjënë e duhur

Kryeministri Edi Rama deklaroi se opozita po përgatitet për humbjen e radhës dhe po bën atë që bën para çdo humbjeje, duke iu referuar këtu deklaratave të saj, të cilat i cilësoi si të pavërteta.

“Nuk ka asgjë të re në frontin e opozitës e opozita vazhdon të bëjë të njëjtat gjëra që ka bërë para çdo humbjeje dhe po përgatitet për humbjen e radhës”, deklaroi Rama mbrëmjen e sotme i ftuar në një nga studiot televizive.

Publiku, u shpreh Rama, nuk merret me tendera e nuk ka asgjë të dyshimtë para syve të tij, sepse publiku nuk studion dokumentet e tenderave.

“Publikut i vihen para syve fakte të sajuara, fabrikuara e të keqinterpretuara me qëllim. Kjo është një kohë lufte, kur të gjithë duhet të jemi bashkë. Ka një kohë për të bërë luftën dhe ka një kohë për të berë hesapet.Patjetër edhe për të bërë edhe gjyqet. Unë nuk them që ata duhet të heqin dorë nga monitorimi, por faktikisht duke parë ato që ata kanë thënë rezulton se janë gënjeshtra të diskretituara bazuar në fakte të thjeshta. Kur thua se janë blerë maska të skaduara që në 2014 dhe rezulton se kanë afat skadence në vitin 2023, kjo është në letër dhe nuk është diçka për të bërë interpretime. Apo kur thua që ky material është blerë kaq dhe rezulton në letra se është blerë sa gjysma, këto janë gënjeshtra”,tha kryeministri.

Sa i përket propozimeve të opozitës, Rama tha se “mendoj që ka humbur deri tani një mundësi të artë për të bërë detyrën karshi atdheut dhe për të ngritur stekën e nivelit të vet. është e vetmja opozitë nga të gjitha ato që kam ndjekur, pasi ndjek shumë shtete menjëherë se çfarë bëjnë qeveritë dhe opozitat. Kjo është e vetmja opozitë ku flet për çuarje prapa hekurave, për dosje në prokurori, korrupsion me tendera, lloj- lloj broçkulash. Sepse i është dhënë mundësia që përpara se të bëjë këto shfaqje të bëjë diçka tjetër, të marrë informacion dhe për të qenë pjesë e një tryeze. Opozita nuk i është përgjigjur sfidës së madhe. Por së paku Presidenti po bën gjënë e duhur”.

Sa i takon rolit të Presidentit, Kryeministri tha se “në këtë situatë së paku nuk e kemi patur atë që kishim më parë dhe do të kishin nëse edhe presidenti do të ishte në të njëjtat pozita që është opozita dhe kjo nuk është shumë po nuk është pak”.

I pyetur nëse vazhdonte luftën politike, pasi vetë Presidenti ishte shprehur se lufta politike më Kryeministrin vazhdon, Rama tha se “ka patur vetëm një moment lufte politike me Ilir Metën, kur ka qenë i detyruar ti tregoj vendin, kur ishte periudha kur kërkonin votën për mandat të dytë”.

“Pas asaj, sinqerisht nuk jam marrë më dhe nuk më ka interesuar më të harxhoj energji. Të gjitha situatat e kanë shqetësuar grupin tonë parlamentar, unë thjeshtë kam bërë një pjesë të vogël të detyrës që më takon brenda atij grupi parlamentar”.

Sa i takon shkarkimit të Presidentit, Rama tha se është çështje e Parlamentit dhe jo e tij./atsh

“Asgjë e re në frontin e opozitës”/Po përgatitet për humbjen e radhës, Presidenti po bën gjënë e duhur Read More »

Shehu apel për lehtësim të masave: Lejoni shfrytëzimin e diellit dhe të detit, “terapi” kundër virusit

Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu tha sot se autoritetet duhet të lejojnë shfrytëzimin e diellit, ujërave, ajrit e hapësirave shqiptare kundër COVID-19, pasi sipas tij, “nuk ka asnjë dyshim që kontakti sa më i gjatë me diellin, drita natyrale në tërësi, ujërat, veçanërisht ato detare, shkatërrojnë Covid-19 dhe rrisin imunitetin e njerëzve, duke dobësuar forcën e epidemisë”.

“Vendi i ynë është në një pozicion gjeografik të favorshëm për këtë, siç quhet “helio e hidroterapi”, veçanërisht tashti që ne u futem ne sezonin me diell e ngrohtësi. Në këto kushte qytetaret tanë jo vetëm nuk duhen penguar paradoksalisht, por u duhen krijuar të gjitha mundësitë që të përfitojnë sa më shumë nga këto “ilaçe” kudo ku të mundin: në plazhe, parqe, buzë lumenjve, liqeneve, pyjeve, etj.”, tha ai.

Po ashtu, Shehu shtoi se “kjo do të ulë dhe koncentrimet e banorëve në qytete, apo dhe ne ambientet e mbyllura familjare, që sot rrezikojnë të bëhen burimi kryesor i kontaminimit”.

“E kuptueshme që në kushtet e epidemisë e mungesës së testimeve për të njohur gjendjen, kjo duhet realizuar konform disa rregullave, por këto duhet të jenë racionale, në balancë me përfitimin e madh nga kjo “terapi”, ndoshta aktualisht me eficiente nga çdo gjë tjetër. Është detyre e institucioneve shtetërore, që të mos mbajnë të bllokuar qytetarët prej mungesës së vizionit, por me urgjencë të bëjnë publike këto rregulla, pa u bërë pengesë asnjë ditë për shfrytëzimin e kësaj mundësie të madhe, që Perëndia a Natyra u ka dhënë shqiptarëve”, shprehet ai./atsh

Shehu apel për lehtësim të masave: Lejoni shfrytëzimin e diellit dhe të detit, “terapi” kundër virusit Read More »

Rakacolli: Shqipëria nuk është pjesë e asnjë studimi për vaksinën ndaj COVID-19, lajmi i pavërtetë

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, në një nga mediet e vendit deklaroi se lajmi që ka qarkulluar në disa medie lidhur me testimin e vaksinave të COVID-19 në vendin tonë, është i pavërtetë.

Rakacolli hodhi poshtë këto aludime, duke theksuar se nuk ekziston një studim i tillë.

“Më vjen shumë keq, kur e kam parë të shpërndarë në portale më ka ardhur keq, është e pavërtetë dhe këtë e them me përgjegjësi. Shqipëria nuk është pjesë e asnjë studimi për vaksinën ndaj COVID-19. Nëpërmjet televizionit tuaj dua të theksoj se jo vetëm që nuk ka një studim për vaksinën, po as që është diskutuar një gjë e tillë”, tha Rakacolli.

Duke folur për situatën aktuale të epidemisë në Shqipëri, Rakacolli u shpreh se në vend është rasti i një epidemie të kontrolluar.

“Është rasti tipik i një epidemie të kontrolluar. Statistikat interpretohen në bazë të disa të dhënave në interval kohor. Epidemia është kontrolluar. Piku nuk vlerësohet kurrë nga piku ditor. Analiza e kurbës, me ato intervalet, tregon se ajo ka qenë e qëndrueshme. Të shtruarit në spital janë ata që tregojnë sa e rëndë është situata. Mosshtimi i tyre tregon se epidemia ka rënie”, tha Rakacolli./atsh

Rakacolli: Shqipëria nuk është pjesë e asnjë studimi për vaksinën ndaj COVID-19, lajmi i pavërtetë Read More »

Pipero flet me optimizëm për situatën në vend: Të shtruarit sa vijnë e pakësohen

Mjeku i njohur infeksionit Pëllumb Pipero u shpreh se piku i koronavirusit në Shqipëri është arritur në fund të marsit dhe në fillim të prillit.

Në një intervistë në “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin, mjeku tha se në gjykimin e tij, kemi të bëjmë me një ecuri shumë të butë të epidemisë, dhe sipas tij është nën kontroll.

“Në fazën e parë kishim një paralelizëm midis rasteve të konfirmuara dhe atyre që shtroheshin në spital, në fazën e dytë këto paralele janë ndarë. Numri i rasteve në spital, vjen duke u ulur, numri i rasteve të shëruar vjen duke u rritur. Testi që përdorim aktualisht, tamponi është test diagnostikues dhe konfirmues. Ka luhatje. Unë kriter, apo indikator i rëndësishëm i ecurisë së epidemisë është numri i rasteve të shtruara në spital, numri është 10 herë më i ulët.

Në këtë këndvështrim, unë besoj se kemi të bëjmë me një ecuri shumë të butë të epidemisë, dhe totalisht nën kontroll. Nëse do të pyesim si është kurba dhe grafiku. Grafiku është tjetër gjë dhe kurba tjetër gjë. Në opinionin tim ne e kemi kaluar atë që do e quanim pik. Ne e kemi kaluar atë fazës në fund të marsit dhe në fillim të prillit, ku kishim 13 raste në ditë të shtruar në spital”, u shpreh Pipero.

Mjeku tha më tej se numri i tamponeve është i lartë dhe ata gjurmojnë kontaktet e afërta. Siç thotë ai kjo është edhe arsyeja që disa ditë kemi shumë raste dhe disa ditë më pak.

“Numri i tamponëve, që në opinionin tim është e lartë, kjo për arsye se ne gjurmojnë kontakte e afërta. Kjo është arsyeja që disa ditë kemi shumë raste dhe më pas nuk kemi. Në këtë aspekt ndodhin këto”, u shpreh Pipero.

Pipero flet me optimizëm për situatën në vend: Të shtruarit sa vijnë e pakësohen Read More »