Opinione

“Mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju”/Peng Kuvendin e zgjedhësit nuk i merrni dot

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me marrëveshjen e 5 qershorit, duke theksuar se “lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne”.

Rama the se “ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se s’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo, pasi morët gjithçka deshët”.

“Një këshillë miqësore për Lulzim Bashën e kolegët opozitarë jashtë Kuvendit: Lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne! Ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se s’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo, pasi morët gjithçka deshët! Peng Kuvendin e zgjedhësit, të cilëve do t’u japim mundësinë të votojnë për deputetin e jo vetëm për partinë, nuk i merrni dot! Po mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju po na lini ta votojmë”, – tha Rama. /atsh

“Mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju”/Peng Kuvendin e zgjedhësit nuk i merrni dot Read More »

Basha: Me taksën e sheshtë do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për të investuar

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se me vendosjen e taksës së sheshtë do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për të punuar, investuar dhe bërë biznes.

Në një reagim të tijin, Basha thekson se “të punosh dhe bësh biznes në Shqipëri është një luftë e përditshme me qeverinë dhe zyrtarët e korruptuar.”

Ai tha se sistemi që Rama ka ngritur për të zhvatur bizneset, u vjedh atyre 32 ditë në vit për të paguar 35 lloje të ndryshme taksash dhe tarifash. “Kjo llogari e publikuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, fakton sa i drejtë është vendimi ynë për të ndryshuar këtë sistem mbytës për ekonominë e çdo familje”,- thekson Basha.

“Me taksën e sheshtë 9%, me një sistem taksimi të unifikuar, të lehtë dhe të parashikueshëm, do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për të punuar, investuar dhe bërë biznes”,- thekson kreu i PD.

“Ekonomia nuk do të punojë për të pasuruar qeveritarët dhe klientët e tyre, por do të prodhojë mirëqenie, duke hapur vende të reja pune. Ndryshimin nuk ka forcë ta ndalë askush!”,- thekson Basha. /atsh

Basha: Me taksën e sheshtë do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për të investuar Read More »

“Maska ul mundësinë e infektimit me COVID-19 deri në 95%”/ Pipero: Nëse nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero thotë se numrat e shtuar të të infektuarve javët të fundit si dhe të rritjes së shtrimeve në spital referojnë një situatë shqetësuese ku qytetarët duhet të ndërgjegjësohen duke vendosur maska.

Ndonëse komplikacionet më të mëdha vijojnë t’i paraqesin të moshuarit apo të sëmurët kronikë ka dhe të rinj që kanë nevojë për trajtim spitalor.

“Moshat e reja janë në marrëdhënie punë janë më të ekspozuar. Së dyti, moshat e vjetra ende vazhdojnë të kenë më shumë kujdes Kanë kujdes të shtuar dhe ne vazhdojmë t’i bëjmë presion që të ruhen, kësisoj në numrat e shtuara prevalojnë moshat e reja. Graviteti dhe komplikacionet më të mëdha janë te të sëmurët kronikë, tek obezët dhe të moshuarit. Numri i shtuar i rasteve të konsideruara, të konfirmuara pozitivë është shoqëruar me rritjen e numrit të rasteve të shtuara në spital, disa prej tyre në format e rënda të sëmundjes dhe midis tyre humbje jetësh. Në kompleks situata është shqetësuese por besoj fort që nuk është ende problematike”, shprehet Pipero.

“Askush nuk e di nëse është pozitiv. Sot bota trembet nga transmetuesit e heshtur. Kam qenë dhe jam në parim kundër maskës në rrugë. Por nëse maska nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj, me detyrim edhe në rrugë. Është e domosdoshme në mjedise të mbyllura dhe hapësira publike, qofshin në grumbullime, qofshin në biseda, qofshin në lokale. Kudo ku mjediset janë të mbyllura, ku distanca është e pamundur të ruhet, duhet doemos të vendoset maska. Një maskë sado e thjeshtë e ul mundësinë e infektimit së paku deri në 95%”, tha Pipero.atsh

“Maska ul mundësinë e infektimit me COVID-19 deri në 95%”/ Pipero: Nëse nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj Read More »

“Maskat detyrim në ambiente të mbyllura”/Brataj: Qytetarët të ndërgjegjësohen, rritje të rasteve nëse nuk respektohen rregullat

Shefi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot në një intervistë televizive se në këtë moment maska është detyrim në të gjitha ambientet e brendshme.

“Në këtë moment, maska është detyrim. Me hapjen publike të transportit është detyrim në të gjitha ambientet e brendshme. Duhet të shtrëngojmë masat me qëllim që brenda dy apo tre javësh të ulim numrat”, tha Brataj.

Brataj shtoi se në korrik priten rritje të rasteve pozitive. Ai u shpreh se infektimet që kemi aktualisht janë pasqyrim i hapjes së qershorit dhe gjatë muajit korrik, nëse lokalet do të jenë plot dhe nuk do të respektohen rregullat shifrat do të jenë në rritje.

“Në këtë periudhë ne jemi me fillimin e hapjes. Kjo javë është në rritje dhe përkon me hapjen e qershorit. Kapacitetet spitalore janë rreth 550 shtretër dhe kemi 256 respiratorë. Unë mendoj se së shpejti do hapim COVID-2. Korrikun do ta kemi në ngritje, sepse është maksimumi i dëmit që është bërë. Po kërkohet që njerëzit të ndërgjegjësohen”, tha Brataj.

Brataj tha se ajo që është shqetësuese lidhet me faktin, që 61% e të infektuarve po shfaqin simptoma, ndërsa në fillim të pandemisë, vetëm 30% e personave të prekur shfaqin simptoma.

Brataj tha se Shkodra është qyteti me përhapjen më të lartë në bazë të numrit të popullsisë, për shkak të mosrespektimit të rregullave./atsh

“Maskat detyrim në ambiente të mbyllura”/Brataj: Qytetarët të ndërgjegjësohen, rritje të rasteve nëse nuk respektohen rregullat Read More »

Meta: Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve të jenë 2 objektivat madhore për të gjithë

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot situatën e qetë dhe atmosferën e sigurisë në Maqedonin e Veriut para zgjedhjeve.

“Edhe pse zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoninë e Veriut do mbahen vetëm pas pak ditësh, një atmosferë sigurie dhe demokracie mbizotëron falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, por edhe funksionimit normal të institucioneve. Ndërsa fatkeqësisht te ne edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër”, u shpreh Meta.

“Ndërkohë që edhe pandemia është në rritje së bashku edhe me deficitin dhe borxhin publik. Verbëria për mbajtjen apo marrjen me çdo çmim të pushtetit na ka bërë që të dukemi me fqinjin tonë lindor sikur u përkasim dy kontinenteve të largëta. Ndaj s’duhet humbur më asnjë minutë në përmbushjen e kushteve thelbësore për çeljen e negociatave në mënyrë që të ecim së bashku me fqinjët tanë drejt Bashkimit Europian. Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve duhet të jenë dy objektivat madhore për të gjithë. E para mbron shëndetin dhe jetën e çdo qytetari, ndërsa e dyta shpëton të ardhmen europiane të vendit për të cilën të gjithë përbetohen me fjalë dhe programe. Koha për vepra të mira është tani”, tha ai. /atsh

Meta: Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve të jenë 2 objektivat madhore për të gjithë Read More »

Reforma Zgjedhore, Spiropali: Gati t’i diskutojmë dhe votojmë listat e hapura, tani të flasë masha-Basha

Mazhoranca parlamentare është pro listave të hapura dhe ndryshimeve të tjera kushtetuese në kuadër të procesit të reformës zgjedhore.

Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin, zëdhënëse e Qeverisë tha sot gjatë fjalës së saj në kuvend, se mazhoranca socialiste është pro listave të hapura, kërkesë e opozitës parlamentare, por që kjo të kthehet në realitet duhet të diskutohet, të gjendet kompromisi dhe të votohet patjetër në Kuvend.

Duke iu referuar negociatave për Reformën Zgjedhore, Spiropali tha se “Nëse do kishte kampionat botëror të kapacitetit për të duruar, kjo mazhorancë do dilte padyshim kampione botërore. Në të gjitha parametrat, ne do të fitonim medalje në vend të parë, sepse nga ne kërkohet jo vetëm ajo, po huazoj gjuhën popullore, çfarë uji i dhe gomarit, dhe a e piu gomari ujin? Pra, ne jemi përgjegjës për gjithçka, dhe të gjitha nga fillimi në fund, nga lloji marrëveshjes te marrëveshja, gjithçka na kërkohet neve”,- tha Spiropali.

Ministrja Spiropali, theksoi se liderët e partive të vogla nuk mund të flasin për zgjedhje të lira e të ndershme kur janë të parët që deformojnë vullnetin e qytetarëve duke u kontrabanduar në listat e partive të mëdha.

“Dhe nuk e thashë kot këtë të gomarit, por para pak ditësh, po dëgjoja disa nga reagimet e atyre që më shumë pëllasin sesa flasin. Ishte besoj një lider i një partie të vogël, që pretendonte se ajo marrëveshje e arritur jashtë, nuk votohej këtu brenda ashtu siç e kishte menduar ai, do dilnin nga zgjedhjet, do bojkotonin procesin dhe shpallnin revolucionin nga fillimi. Një lider e disa të tjerë partish të vogla, që janë kontrabanduar në listat e partive të mëdha, kryesisht Partisë Demokratike, për të shmangur një kusht kushtetues, pragun. Pra kanë deformuar vullnetin e zgjedhësve për vite të tëra dhe vijnë këtu tani, e pretendojnë të respektohet një marrëveshje që është bërë mes forcave politike dhe është nënshkruar nga disa njerëz të nderuar”, u shpreh Spiropali.

“Duhet të diskutohet nga komisionet tona dhe më pas të marrë vulën e ligjvënësit. Revolucionin le ta bëjë ai zotëria, por mirë do ishte të futej në listat e partisë së tij, e t’i marrë votat duke respektuar pragun dhe më pas të shohim se sa i vlen lëkura politike”,- tha ministrja Spiropali.

Duke iu referuar drejtuesve të partive të mesme dhe të mëdha opozitare, Spiropali u shpreh se, asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë që Partia Socialiste t’u japë gjithçka që kërkojnë në Reformën Zgjedhore, pasi edhe Partia Socialiste ka interesin e saj politik.

“E dyta, këta drejtuesit e partive të mesme dhe të mëdha të opozitës që na kërcënojnë publikisht me fjalorin që e kanë për zakon, që është çështje e rritjes dhe formimit politik të tyre, ku pretendojnë që ne t’iu japim gjithçka që duan, që ne vetë të mos kemi as qasje, as mendim tonin, as interesa, as dialog me parlamentin, e as mos të vijmë këtu për ta votuar, por të respektojmë ata që ikën me vrap nga proceset parlamentare e zgjedhore e presin të jemi ushtarë të bindur të një çete të shpartalluar që është aty jashtë”,- tha Spiropali.

Duke iu drejtuar opozitës parlamentare, Spiropali tha se termat diktator apo sulltanat nuk i shkojnë përshtat kësaj mazhorance, e cila është ulur për të negociuar në çdo tryezë të reformës zgjedhore, duke dëgjuar e dialoguar me të gjitha palët.

“Dhe me ju kemi disa rezerva. Na drejtoheni me terma, si sulltanat, diktator, gjakpirës. Keni parë ndonjë diktator apo tiran në botë të mundohet t’i ulë të gjitha palët, që të gjejë marrëveshje me të gjitha palët dhe më pas të vijë në Kuvend për ta votuar. E më pas t’ju thotë, po ju si e doni, të pjekur apo gjysëm të pjekur, s’ka diktator të tillë, apo tiranë të këtij lloji dhe nuk ka forcë politike që pranon gjithçka që i propozohen në tryezë”, u shpreh ajo.

Ministrja Spiropali sfidoi opozitën jashtë kuvendit për listat e hapura.

“Qershia mbi këtë tortë janë ata të shoqërisë civile, ata që kanë bërtitur për listat e hapura, që nuk i pranon diktatori, nuk i duan rilindasit. Ja ku janë rilindasit dhe po thonë, po janë gati t’i diskutojnë dhe votojnë listat e hapura. Ku janë këta, e kishin seriozisht që donin t’i jepnin qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur përveç partisë e liderit edhe emrat e përveçëm? Apo ishin disa masha të masha-Bashës, që është vetë një mashë, që thjesht shprehin aty interesat e përkohshëm të interesave politike. Tani të përgjigjet masha-Basha për lista të hapura siç i ka kërkuar bashkë me Monika Kryemadhin, ne jemi të hapur për listat e hapura dhe për gjithçka tjetër, por ne do votojmë një marrëveshje të negociuar dhe të votuar në Kuvendin e Shqipërisë, por jo në rrugë”,- tha duke mbyllur fjalën e saj, ministrja Spiropali. //atsh

Reforma Zgjedhore, Spiropali: Gati t’i diskutojmë dhe votojmë listat e hapura, tani të flasë masha-Basha Read More »

“Infektivi si burg i sigurisë së lartë”/ Mjeku Artan Koni: Pacientëve iu merret telefoni që të mos komunikojnë me mediat

Mjeku i njohur, Artan Koni ka dhënë një intervistë për Euronews Albania ku ka folur për situatën e Covid-19 në vendin tonë.

Ai u shpreh se propaganda se Shqipëria e përballoi më mirë se vendet e tjera situatën nga Covid-19 është arsyeja se përse numri i testimeve është i ulët.

Sipas Konit, kjo është dhe arsyeja se përse nuk lejohet bërja e analizave edhe në laboratorët privatë.

“ISHP asnjëherë s’e ka pranuar se ka mangësi testimesh, ata kanë tre muaj radhazi që thonë se nuk kemi fare mungesë testimesh, bëjmë aq sa duhet, madje edhe ministria ju ktheu përgjigje juve se jemi në rregull.

Por realitet është se testimet janë mangët, kjo shpjegon edhe shtimin e numrit të rasteve, sepse duke i lënë të lira, rastet do të shtohen. Mund të hamendësoj se duan një informacion të centralizuar për qytetarët.

Nëse heqim centralizimin e informacionit duke futur në punë edhe laboratorët privatë, nëse heqim censurën na bie fabula e suksesit që kemi tre muaj që trumbetojmë, që jemi vendi me numër më të vogël të rasteve në rajon.

Arsyeja është fabula e suksesit dhe asnjë tjetër, nuk ka arsye tjetër që prokuroria të shkojë tek dera e laboratorëve privatë dhe t’i mbyllë”, tha mjeku urolog.

Mjeku Koni shprehet se mungesa e transparencës shkon deri aty, sa pacientëve që shtrohen në infektiv ju merret telefoni sapo hyjnë në spital.

“Ata duan më shumë laboratorë, po i duan në kontrollin e tyre si ai i ISHP dhe ai në QSUT që do hapet, ndërkohë që një laborator privat nuk e kontrollon dot.

Veç centralizimit të informacionit, asnjë media nuk ka mundur të marrë një kamera e të futet në Infektiv e të shohë çfarë ndodh atje, siç kanë bërë mediat në Itali apo Francë.

Pacientëve që shtrohen sot në Infektiv iu merret telefoni që të mos komunikojnë me mediat apo familjarët. S’e kuptoj pse iu merret njerëzve telefoni? Çfarë ndodh aty, apo bëhet ndonjë eksperiment, është burg i sigurisë së lartë? Është vetëm një spital i thjeshtë. Kamerat e medias futen kudo, më thoni një vend që i mbyll dyert mediave”, tha ai.

Edhe pse shumë qytetarë kërkojnë t’i nënshtrohen ekzaminimit, Koni shprehet se atyre ju bëhet tamponi kur gjendja rëndohet dhe ata mund të kenë infektuar shumë të tjerë.

“Qytetarët telefonojnë 127 dhe marrin një përgjigje që ka mundësi të kesh me COVID po nuk je në atë gjendje për të bërë tamponin, kur të jesh më rëndë do ta bësh. Por për një javë apo 10 ditë një person mund të ketë infektuar gjithë familjarët”./CNA.al

“Infektivi si burg i sigurisë së lartë”/ Mjeku Artan Koni: Pacientëve iu merret telefoni që të mos komunikojnë me mediat Read More »

Shefi i Urgjencës Brataj: Ja kush e shkaktoi dëmin më të madh në Shqipëri

Nëpërmjet një interviste të dhënë sot në televizionin “Oraneës”, Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, ka deklaruar se në lidhje me situatën e COVID-19 në vend, dëmin më të madh e kanë shkaktuar gjithologët të cilët nuk janë të asaj fushe.

“Ne ecim akoma me atë idenë që nuk ka virus. Është një ndarje e ndikuar nga shumë faktorë por që përkeqëson gjendjen dhe është shumë kritike. Duhet që të jenë vetëm profesionistët në këtë moment të thonë realitetin dhe jo të përcjellin mesazhe se mesazhet i përcjellin të gjithë. Por kush është realiteti është diçka tjetër.

Dëmin më të madh të shkaktuar nga gjithollogët që përcjellin një informacion jo të vërtetë që vjen si pasojë e një lumi informacionesh si pro dhe kundër realitetit. Dhe njerëzit e kanë të vështirë që të dinë me detaje sepse nuk janë të gjithë përpara televizioneve. Kur më pyesin a ka luajtur rol politika në këtë situatë. Normal që shumë persona luajnë rol, një politikan, një sportist, një VIP”, tha ai.

Shefi i Urgjencës Brataj: Ja kush e shkaktoi dëmin më të madh në Shqipëri Read More »