Aktori Medi Malkaj është një nga aktorët më të njohur të kinemasë shqiptare dhe një nga zërat më të fortë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
Në një lidhje direkte në llogarinë në Facebook të Alenaca për Mbrojtjen e Teatrit ai ka bërë një apel të fortë për të gjithë ata persona që shajnë nga nëna, duke kërkuar figura amësore të respektohet. Malkaj i revoltuar i lutet të gjithë njerëzve të mbledhin mendjen dhe mos shajnë më pasi nëna është shenjtore.
“Sot dua të diskutoj një temë e cila më ka vrarë veshin dhe syrin. Më ka vrarë veshin kur e dëgjoj dhe më ka vrarë syrin kur e shikoj. Zonja dhe zotërinj, miq dhe shokë do ju lutesha për një gjë mos shani më nga nëna në Facebook se latë nam, nuk keni punë me nënat o njerëz. Nëna është shenjtore, nëna nuk është një gjë e zakonshme. Unë që flas nuk kam patur lidhje me nënën se më ka lënë kur kam qenë pesë vjeç, ndoshta unë e ndjej dhimbjen më shumë se ju. Nëna është shënjtore.
Do t’ju lutem shumë. Le të hapim një rubrikë të dënojmë të gjithë ata që shajnë nga nëna. Le të jetë dhe nëna e Kryeministrit dhe nëna e Kryetarit të Bashkisë, nuk ka faj nëna se këta të dy janë bërë rrugeçër. S’ka faj nëna. Nëna i ka rritur i ka shkolluar, i ka edukuar, u ka dhënë gji. O njerëz, nuk kemi punë me nënat, mos shani nga nëna se është turp. I flisni mendjes, le të hapim një “#Mos shani më nga nëna” në Facebook. Më kini kujdes nënat. Nëna është dhuratë nga Zoti, dikush e ka, dikush nuk e ka,”-u shpreh aktori në videon e tij.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte sërish në Durrës, ku zhvilloi një takim me gratë e LSI në këtë qark. Në fjalën e saj, Kryemadhi foli për humbjen artistike që ka pësuar ky qytet që prej tranzicionit, teksa shtoi se me ardhjen e LSI në pushtet, Durrësit do i rikthehet dinjiteti në të gjitha fushat. ‘Zgjerimi i strukturave të LSI nuk është një metodë që bëhet para zgjedhjeve, por është e domosdoshme. Lëvizja rinore dhe e grave janë dy shtylla të LSI. Në jetën e çdo qytetarë, gruaja është elementi që jo vetëm krijon vazhdimësinë e familjes, por i del për zot fëmijëve, i edukon, i del për zot bashkëshortit, prindërve.
Si në familje është gruaja e domosdoshme, ashtu dhe në një parti, gruaja është avangarde. Pjesa më e madhe për të thirrur gratë në parti, shihet rezultati, por unë s’prirem më shumë rezultati, për mua s’ka më shumë rëndësi vota se sa mirqënia në familjen tuaj. Një nga plagët më të mëdhaja tona është largimi i të rinjve dhe të rejave. Isha në Fier, dhe të rinjtë nuk donin të ktheheshin më. Takova gratë naftëtare që kanë prej 36 vitesh që punojnë. Paradoksi më i madh që atyre grave nuk i janë paguar prej 20 muajsh rrogat, kurse nëse s’paguanin për dy ditë ujin dhe dritat, ato u ndërpriteshin.
Durrësi është kthyer nga një gungë të rrethuar nga injoranca, nga zaptimi ekonomik, por është dhe e pamundur për zhvillime të reja. Duam t’i japim Durrësit imazh të ri, jo vetëm politik, por dhe një përfshirje me meritokraci që do i sillte shumë vlera Durrësit. Përfshirja juaj mos jetë vetëm politike, por edhe vendimmarrëse. Ajo që kërkojmë prej jush, jo vetëm votë për LSI, por ide dhe vizion për një projekt për Durrësin. Kur isha fëmije dhe vija te vajza e tezes time, Durrësi ishte pika e parë e kontaktit me botën jashtë, sepse vije këtu dhe shihjë kontaktet me Italinë. Qoftë moda, qoftë ajo çfarë e sillte në Durrës e zhvillohej. Pas tranzicionit Durrësi s’ka prodhuar më art e kulturë. Ky qytet është i ndërtuar mbi monumente kulture, po shkatërrohet jo vetëm nga ana ndërtimore, por edhe ana profesionale dhe sa i përket ndërtimit të elitave.
Një grua sot në politikë e ka obligim për fëmijët e saj dhe për ta ndryshuar realitetin politik. 25 prilli është ditë e domosdoshme jo vetëm për të votuar, por për të biseduar dhe votuar kundër Ramës. Që ka grabitur çdo ditë të jetës së qytetarëve, dhe sektit që ndalon zhvillimin. Ndryshimi është i domosdoshëm. Jo për të sjellë një jetë politike, por për të rimëkëmbur integritetin dhe dinjitetin. Një kryeministër që bën pazar për Shqipërinë, nuk është më i tillë por një sharlatan që duhet larguar një orë e më parë.
Nuk di ndonjë nënë që të bëjë kompromis në kurriz të të ardhmes së fëmijëve të saj. Fëmijët tanë janë shumë më të rëndësishëm se karriera politike e Ramës. Vizioni ynë është për të ardhmen e familjes shqiptare. Një komb nuk ka qëndrueshmëri po s’pati një familje të qëndrueshme. Jemi vend i bekuar nga zoti, jemi vend mesdhetar” tha ndër të tjera Kryemadhi.
Konspiracionisti Alfred Cako bëri një deklaratë të bujshme në studion e emisionit “E Diell”, në Top Channel, më konkretisht në rubrikën “Rrethi Katror”. Cako aludoi se e gjithë Evropa do të përjetoj një karantinë të dytë më datë 25 tetor, ndërsa vendi ynë do të jetë nga të fundit vende që do të aplikoj sipas tij vazhdën e izolimit.
Ai parashikoi se kjo mbyllje do të ndodhë para datës 23 tetor.
“Me 25 tetor parashikohet vala e tretë. Do të hidhet një virus që do të jetë 30% më i fortë, i cili është realizuar në vitin 2015 në laborator. Viruset janë shpikur në laborator, ka dalë njëherë patenta dhe më pas e ka pësuar popullsia në virus. Kështu ka ndodhur dhe me COVID-in, i cili është një përzierje e disa lloje virusesh. Këto hidhen me avion. Në Shqipëri do të ndodhë bllokimi. Në Shqipëri unë mendoj që me datën 23 tetor do të jemi të mbyllur. E gjithë Evropa do të jetë e mbyllur përpara kësaj date, ne do të jemi nga vendet e fundit”, u shpreh Cako.
Mjeku pneumolog Arjan Mezini foli sot për situatën e pandemisë në vend, në kushtet kur ditët e fundit u vendos me detyrim mbajtja e maskës e njëkohësisht ka pasur shifra rekord të infektuarish.
Në intervistë për Abc News, dr. Mezini u ndal edhe tek vendimi më i fundit i qeverisë për mbajtjen e maskës me detyrim edhe në ambiente të hapura.
Në gjykimin e tij, maska në rrugë nuk të mbron, e për më tepër nuk ka dalë një studim që mund të faktojë efektivitetin e maskës në mjedise të hapura.
“Unë si profesionist kam bindjen e plotë që nuk do të sjellë asgjë. Nuk ka evidenca që maska në rrugë të ndihmon. Nuk kam parë asnjë studim. Nuk e di pse është vendosur dhe ku do dalë”, tha ai.
Mjeku sugjeron se duhet të rritet numri i testimeve dhe e konsideron normal faktin që janë shtuar të infektuarit pasi ditët e fundit janë dy deri trefishuar testimet.
“Para se të shkojmë te maska në rrugë ne duhet të bëjmë detyrën tonë si shtet. Ne këtë pjesë nuk e bëjmë. E shikoni që janë rritur testimet dhe prandaj janë rritur numrat. Këto numra nuk më trembin se me siguri kanë qenë”, – thotë mjeku i cili shpreh shqetësim se veçanërisht “muajt janar-shkurt do të jetë më vështirë”.
Mezini shikon një paradoks tek akti normativ për maskën e detyrueshme jashtë shtëpisë. “Unë nuk e kuptoj: Ne u themi mbaje maskën në rrugë dhe në lokal hiqe”.
Nga ana tjetër, Mezini kërkon që njerëzit të bëjnë punën e vet, duke zbatuar distancimin fizik dhe përdorimin e maskës në ambiente të mbyllura.
Ndërsa për spitalet, ai thotë se ka nevojë që të shtohen kapacitetet e shfrytëzueshme. “Covid 3 dhe 4 për mua duhet të ishin hapur që të krijohet pak frymëmarrje. Protokolli më i mirë është një pacient një dhomë. Të hapin spitalet Covid 3 dhe 4 që të ulin ngarkesën virale. Shteti duhet të bëjë këto detyrime dhe pastaj të kalojë tek maska në rrugë”, tha mjeku Mezini.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi sot se gjobitja e gjyqtarëve për mosmbajtjen e maskave nuk është zgjidhja për të frenuar pandeminë.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se maska është masa e fundit kundër Covid 19, duke vënë theksin se triada e famshme e OBSH-së, testim-gjurmim-trajtim.
Teksa publikoi një video nga SHBA ku policia shpërndan maska për qytetarët në rrugë, Vasili tha se ky është misioni i vërtetë i uniformave blu dhe jo gjobëvënia si në rastin tonë.
Vasili: Qindra gjoba vendosen përditë, masa dhe një gogolizim policor që del rrugëve për të dënuar dhe trembur njerëzit. Misioni është krejtësisht i kundërt. Maska është mjeti i fundit nga të gjitha masat e tjera që merren për pandeminë. Pandemia nuk përballohet me mjetin e saj më të fundit, maskën. Por duke ndjekur triadën testim-gjurmim-trajtim.Së dyti trajtimi falas i qindra të sëmurëve që po trajtohen në banesë, familjet e të cilëve po hyjnë në borxhe. Po marrin oksigjen me qira në banesë.Këto janë masa themelore jo demagogji me masa.
Sipas Vasilit, për faj të qeverisë sot pandemia është një “lumë i dalë nga shtrati”.
Pse socialistët e vërtetë nuk përfaqësohen më nga Partia Socialiste dhe si “klani rilindas” e ka keqpërdorur pushtetin për interesa të ngushtë.
Ish-drejtoresha dhe zv.ministrja e PS-së në një intervistë për MAPO sqaron arsyet e largimit nga kjo parti drejt LSI-së.
Ardhja në pushtet e PS-së në 2013-ën me moton e rilindjes së vendit solli dhe një grup të rinjsh e të rejash që u emëruan në detyra të rëndësishme të administratës. Një prej tyre ishte Briseida Shehaj e cila kishte milituar në këtë parti që prej vitit 2000 dhe vinte nga një eksperiencë pune në sektorin bankar. Ajo u emërua drejtoreshë e Tatimeve në një kohë kur Elisa Spiropali u emërua drejtoreshë e Doganave.
Po ndërsa Spiropali vijoi karrierën politike dhe sot shihet si një ndër njerëzit më të afërt të kryeministrit Edi Rama si pjesë e kabinetit të tij qeveritar, Shehaj u tërhoq nga angazhimi i saj politik 3 vite më vonë. Ajo dha dorëheqjen nga detyra e dytë që i caktoi Rama si zv.ministre e Ekonomisë vetëm 2 muaj pas emërimit, duke vijuar karrierën e saj në sektorin privat dhe larg prozhektorëve të politikës.
Shehaj ka tërhequr sërish vëmendjen e medias me rikthimin në politikë, tani jo më në PS, por në LSI, parti që u krijua nga Ilir Meta në vitin 2004 pas përplasjeve brenda PS-së.
Shehaj, ka pohuar arsyet e këtij kapërcimi me zhgënjimin e saj me partinë në pushtet, për keqqeverisjen dhe largimin e saj nga principet e majta që ka në bazën e ideologjisë së saj PS-ja.
Në një intervistë për gazetën MAPO, Shehaj thotë se PS-ja erdhi në pushtet nga socialistët, por pushteti u keqpërdor nga “klani rilindas”, siç etiketohen prej vitesh tashmë bashkëpunëtorët e Ramës. Më tej ajo akuzon qeverinë aktuale se e ka rrënuar ekonominë me kontratat e PPP-ve dhe thotë se vendi nga pikëpamja ekonomike është një “pacient në fazën terminale në urgjencë” , të cilit nuk i duhen “kasapë”, por “mjekë të përgjegjshëm”.
Znj. Shehaj, pas një shkëputjeje nga administrata shtetërore, ku keni provuar pozicione me rëndësi si drejtoreshë e Tatimeve dhe më pas zv.ministre, jeni rikthyer në politikë, po këtë herë jo më pranë partisë ku keni milituar, PS-së, por LSI-së. Si erdhi ky vendim dhe pse zgjodhe LSI?
E nisim me një saktësim, ky nuk është rikthim në politikë, por vendimi im i parë për t’u marrë me politikë aktive. Si një shqiptare, që kam vendosur të jetoj e punoj në këtë vend, si qytetare e angazhuar, për mua 25 prilli nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por shpresa e fundit për Shqipërinë. Unë kam qenë e majtë, mbetem e majtë, kam bindjen e plotë se Shqipëria e varfër ka nevojë për një të majtë të vërtetë e në vend atë e përfaqëson tashmë vetëm LSI.
Nëse janë bindjet ideologjike që ju kanë udhëhequr në këto zgjedhje, çfarë ka LSI më socialiste se Partia Socialiste?
Për të qenë e saktë sërish, pyetja do duhej të ish çfarë e bën LSI-në më socialiste se Rilindja. Dhe Rilindja nuk ka asgjë socialiste. Partia Socialiste ishte thjesht mjeti i saj për të arritur qëllimin. Se cili qe ky qëllim mjafton të shihni me sy të lirë qendrën e Tiranës, shndërrimin e qytetit në një lavatriçe gjigante, që po ndot me vrull shqiptarët.
Ju jeni aktivizuar pranë strukturave socialiste që në rini, çfarë ndodhi që u zhgënjyet pikërisht kur kjo parti ishte në pushtet?
Unë jam rritur nga dy prindër të majtë, me kontribut të ndjerë e modest në Partinë Socialiste. Në vitet 2001-2002, Monika Kryemadhi, asokohe kryetare e Forumit Rinor ndikoi të ktheja bindjet e mia të majta në angazhim konkret. Dhe e mora seriozisht këtë përfshirje në strukturat e partisë, duke bërë rrugëtimin e plotë brenda saj në shumë funksione, si komisionere, numëruese, e deleguar në njësitë 1 dhe 3 në Tiranë, e deleguar në Kongresin e PS-së, anëtare e Asamblesë Kombëtare, pjesë e grupit të punës për ngritjen e Forumit të Gruas, koordinatore elektorale e njësisë nr.3, funksione, që i kam ushtruar deri në vitin 2017.
Arsyet e votës së jashtëzakonshme të vitit 2013 nisën të zhbëhen 3 vjet pas marrjes së pushtetit, premtimet me të cilat iu kërkua besimi shqiptarëve nuk po mbaheshin, karriera nisi të bëhej një mundësi, që varej nga afërsia me Rilindjen, ku puna e grupit, që kish karakterizuar këtë forcë në ditë me dhe pa pushtet, po zëvendësohej nga klanet brenda partisë. Klane që në vend t’u shërbenin shqiptarëve, sulmonin njëri-tjetrin deri në pikën “o me ne, o je armiku”. Kjo nuk qe më partia në emër të së cilës kërkuam votën, ndaj me bindje të plotë dhashë dorëheqjen kur Rilindja qe në kulmin e pushtetit. Kjo ngjan e paimagjinueshme për ata, që varkën e lënë zakonisht vetëm kur është duke u mbytur.
Flitet shpesh për një dualizëm brenda PS-së për Rilindjen, që nënkupton një grupim të ardhur rishtas në këtë parti pas ardhjes së Edi Ramës kryetar dhe socialistëve të vjetër, apo ai grupim që ruan akoma ato vlera me të cilat e gjejnë veten. A ekziston ky dualizëm? Dhe pas kaq vitesh a mund të themi se ka akoma socialistë brenda ‘Rilindjes’?
Socialistët e vërtetë, asetet e patjetërsueshme të kësaj force, janë ata, që sollën Partinë Socialiste në pushtet, pushtet që sot po e ushtron dhe keqpërdor Rilindja.
Vetëm para pak ditësh pamë një spektakël të çuditshëm në Asamblenë e PS-së, ku pas një fjalimi të gjatë të kryetarit, nuk u bë votimi i kryesisë së re, qëllimi pse ishte mbledhur ky forum. Po ta krahasosh këtë me KPD-në e dikurshme, ku debatohej dhe kishte garë, çfarë do të thotë për një socialiste si ju?
Socialistët e vërtetë janë mësuar me garën dhe konkurrencën. Rilindasit i frigohen garës dhe përballjes me socialistët. Nuk kam nguruar të flas si në struktura edhe publikisht për zhdukjen e institucionit të zgjedhjeve në këtë forcë politike. Kjo është humbja më e madhe për këtë forcë: shndërrimi i zgjedhjeve dhe garës në tabu.
Gjatë karrierës suaj në administratë pa dyshim detyra e Drejtoreshës së Tatimeve ka qenë domethënëse, si një njohëse e problemeve ekonomike, çfarë po ndodh sot me ekonominë e vendit, sa e rëndë është kriza për të cilën po flasin raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe çfarë duhet të bëjë qeveria për të menaxhuar këtë situatë?
Sot Shqipëria është pacienti që ka mbërritur në fazën terminale në urgjencë. Duhen rikthyer parametrat jetikë në normalitet, zhbërja e investimeve abuzive, analizë në detaje e zbatimit të kontratave PPP, ato miliardëshe të AKSH-it, fokusimi në mbledhjen e të ardhurave, ku vetëm në 8 muajt e parë të vitit janë mbledhur 340 milionë dollarë më pak se një vit më parë. Mirëkuptoj ndikimin e pandemisë në këtë situatë, por tatëpjeta kish nisur para saj.
Mjafton të shihen të ardhurat e mbledhura në vitin 2019 në raport me ato të arkëtuara në vitin 2018. Mjafton të shohësh zërin e TVSH-së për të kuptuar që investimet dhe miliardat e hedhura në PPP janë kthyer në skema të evazionit fiskal. Deri në atë pikë sa kompanitë blejnë pula dhe të brendshme e shesin beton. Qeveria duhet të kuptojë se miradministrimi nuk mund të jetë zhytja në borxhe në nivel rekord. Ne jemi një vend ku rritja ekonomike varet nga tekat e motit, bie a s’bie shi. Në fund të ditës këtij pacienti i duhen mjekë të përgjegjshëm dhe jo kasapë.
Sot është Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, por kjo ditë e gjen Shqipërinë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike.
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pikërisht në këtë ditë, duke fajësuar qeverinë mbi gjendjen ekonomike të shqiptarëve.
Meta shkruan se sipas raporteve të organizatave të huaja prestigjoze niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton 2 herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit.
Kreu i Shtetit shprehet se me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.
Meta foli sërish për shpërndarjen e parlamentit, duke thënë se shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin.
Postimi i plotë:
Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, e gjen Shqipërinë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike, sipas raporteve të organizatave të huaja prestigjoze.
Banka Botërore në konkluzionet e fundit vjetore e rendit vendin tonë me recesionin më të lartë në rajon, me një rënie të madhe ekonomike që parashikohet nga – 8% në -9% për vitin 2020.
Edhe për shkak të pandemisë COVID-19, me mijëra biznese janë mbyllur, ndërkohë që niveli i papunësisë krahasuar me një vit më parë ka arritur në 11.9% në gjashtë mujorin e parë të vitit.
Dërgesat nga diaspora janë ulur ndjeshëm duke ndikuar në një rënie drastike të të ardhurave të familjeve më në nevojë, që reflektohen në uljen e konsumit.
Tronditës është fakti se niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është rritur në 41.5%, nga 35.6% krahasuar me vitin e kaluar.
Niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton 2 herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit, ku konkretisht kjo përqindje rezulton:
në Maqedoninë e Veriut 23.3 %,
në Kosovë 22,9%,
në Malin e Zi 20,4%
në Serbi 18,9%.
Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.
Varfëria është dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, ndaj lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni në radhë të parë është luftë për të garantuar dinjitetin e çdo qytetari dhe drejtësinë sociale, aq të domosdoshme, që meriton një shoqëri si e jona, për t’u zhvilluar sipas standardeve europiane.
Varfëria nuk zgjidhet as me propagandë, as me statistika nga televizori, as me një thes miell, as me nxitjen e fenomeneve kriminale si kanabisi, që dihet se çfarë dëmesh dhe pasojash tepër të rënda sociale kanë shkaktuar.
Është e papranueshme që një grusht oligarkësh dhe banditësh, siç është edhe mafia e inceneratorëve, të pasurohen çdo ditë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa një qytetar në nevojë apo një pensionist me fëmijët në emigracion të mbijetojë me 5.5 USD/dita, në kushtet e rritjes së shfrenuar të çmimeve.
Çdo i varfër në Shqipëri dhe çdo qytetar i ndershëm, më shumë se për solidaritet ka nevojë sot t’i dëgjohet zëri i tij.
Ndaj është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të arritur drejtësinë sociale të munguar.
Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka folur sonte për vendimin e mbajtjes së maskës me detyrim duke thënë se Rama e bëri këtë sepse çon të njëjtët njerëz në takime dhe e bën që të mos i njohin.
Kryemadhi nuk lë pa përmendur ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor duke i thënë publikisht kryeministrit se këto taktika a nuk e ndryshojnë dot votën e qytetarëve.
“Jam e qetë sepse çdo ditë minimumi takoj 100-150 vetë.
Takoj policë që ulërasin për mënyrën se si i trajton shteti i tyre. Takoj mjekë që kanë pagë 480 mijë lekë dhe u thuhet të blejnë maska dhe dezinfektantë.
A e dini ju pse ka vendosur maska ai? Sepse të njëjtët njerëz i çon në takime edhe në Tiranë, edhe në Durrës dhe u vë maska që të mos i njohin. Të ndryshosh Kushtetutën nuk e ndryshon votën. Taktikat elektorale nuk të shpëtojnë.
Nuk do të guxojë njeri të trokasë në derën e një qytetari për ta kërcënuar për vendin e punës. Unë e njoh Edi Ramën shumë mirë. Është bërë tre herë kryetar bashkie me LSI-në. Në 2013 fitoi për shkak të LSI-së dhe në 2017 për shkak të PD-së. Një herë që kishte LSI-në kundër humbi. Edi Rama është frikacak edhe përpara shoferit të tij”, tha ajo në emisionin “Java” në RTSH.
Sa i përket dekoratave që bën Presidenti Ilir Meta, kryetarja e LSI thotë se dashuria e tij për Margaritën është e vërtetë ndërsa sqaron se i pëlqen që të përmenden heronjtë e kombit.
“Dashuria e Ilir Metës për Margarita Tutulanin është e vërtetë, për më tepër që Afërdita Tutulani ka qenë një nga themelueset e LSI-së. Nuk është keq që t’i përmendim heronjtë. Është e turpshme që të hyni në Wikipedia për Vojo Kushin thonë se është jugosllav. Sa hynë për të kontrolluar kush i bën like opozitës, të shpenzoj ca para për këtë”, shtoi Kryemadhi në RTSH.