Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ftuar sonte në ‘Live Story’ me Sokol Ballën, ka folur për aferën korruptive me rrugën e Elbasanit.
Sipas Kryemadhit, kjo aferë ka ardhur si pasojë e një marrëveshje mes Taulant Ballës dhe Damian Gjiknurit. Më pas Kryemadhi ka shtuar se e gjithë kjo shkelje fshihet nga dy ish-ministrat e LSI, Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishi, për shkak të një raporti miqësor që kanë.
Çështja e rrugës Tiranë-Elbasan është një çështje personale mes Taulant Ballës dhe Damian Gjiknurit. Këtë gjë duhet ta tregojë ish-ministri Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishi, por ata nuk e bëjnë për një farë burrnie. Për shkak të një raporti miqësor, ata fshehin një krim”, ka deklaruar Kryemadhi duke ngjallur reagime te opinionistët e ftuar në emision.
Ish-ministrat e Transportit dhe Infrastrukturës; Edmon Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj që vijnë nga rradhët e LSI-së, kanë dëshmuar në gjyq për skandalin me rrugën e Elbasanit.
Përveç Greqisë dhe Italisë së shpejti do të ketë një marrëveshje edhe me Kanadanë për çështjen e pensioneve. Këtë gjë e bëri të ditur drejtori i ISSH, Astrit Hado.
Për Ora News, Hado tha se marrëveshja për pensionet me Greqinë dhe Italinë është ekonomike dhe politike.
“Marrëveshja me Italinë dhe Greqinë është edhe ekonomike por edhe politike. Në gjykimin tonë në marrëveshjen me Italinë nuk është çështje ekonomike pasi shumica e shqiptarëve që janë atje me kaq vite sa kanë kaluar janë pjesë e sistemit të pensioneve të Italisë.
Bëhet fjalë për një numër të kufizuar shqiptarësh të cilët janë larguar nga Italia dhe nuk përfitojnë nga kjo gjë.
Ndërsa me Greqinë përvec çështjet politike është edhe çështja ekonomike për shkak të kostove të larta që ka sistemi i pensioneve greke. Po të kemi parasysh që numri i shqiptareve që janë të siguruar në Greqi është shumë i madh.
Tentativa e shtetit shqiptar do vazhdojë jo vetëm me italinë dhe Greqinë, por edhe me shtete të tjera ku banojnë Shqipëtarë. Presim që shumë shpejt të nënshkruhet marrëveshja me Kanadanë sepse edhe aty është një numër i madh shqiptarësh.
Jemi në tratative për të filluar një marrëveshje me vendet e tjera të BE sic janë Spanja, Franca apo SHBA dhe Izraeli. Asnjëherë nuk do të ndalojnë përpjekjet për të realizuar marrëveshje ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët”, tha Astrit Hado.
Monopoli në bankat e nivelit të dytë, tashmë duket se ka vetëm një emër dhe ajo është Banka Amerikane e Tregtisë e njohur si “ABI Bank”, ku anëtare e bordit të saj drejtuesështë bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama.
Autoriteti i Konkurrencës ka aprovuar kërkesën mbi shitjen dhe transferimin e aksioneve të Bankës NBG Albania SHA, nga Banka Kombëtare e Greqisë S.A tek Banka Amerikane e Investimeve SHA”. Sipas deklaratës së palëve në njoftim, Banka Kombëtare e Greqisë S.A, aksionari i vetëm i Banka NBG Albania SHA, synon të largohet nga tregu shqiptar, si rrjedhojë e impenjimeve që ka marrë me Bankën e Greqisë dhe Bankën Qendrore Evropiane në kuadër të planit të saj të rimëkëmbjes dhe ri fokusimit strategjik.
Në dy vitet e fundit Grupi NBG ka shitur filialet në Turqi, Bullgari, Serbi dhe është në proces aktiv për të përfunduar procesin e shitjes në Shqipëri, Rumani dhe Qipro. Gjatë vitit 2018 pritet të vijojë edhe me shitjen e filialit në Maqedoni. “Komisioni i Konkurrencës vendosi të autorizojë shitjen dhe transferimin e aksioneve të Bankës NBG Albania SHA nga Banka Kombëtare e Greqisë S.A tek Banka Amerikane e Investimeve SHA”-thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës. Në këtë mënyrë ekspasioni i nisur nga “ABI Bank” po synon zgjerimin, duke ngushtuar edhe më shumë vështirësitë finaciare që kanë një pjesë e këtyre bankave, të cilat pasi “izolohen” në tregun vendas, detyrohen që të dorëzojnë aksionet dhe emrin e tyre pranë “ABI Bank”.
Ardhja e Ramës në “ABI Bank” dhe aprovimi i menjëhershëm
Kjo “mbarësi” në tregun bankar të “ABI Bank” nuk është krejt rastësi, pasi shumëçka u ka shkuar për mirë në rritjen e finacave dhe blerjen e aksioneve të bankave të tjera, që me emërimin e bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama në bordin drejtues të bankës. Zyrtarisht Linda Rama është pranuar në Këshillin Drejtues të “ABI Bank” më datë 07.01.2016, por në fillim të vitit 2017 prania e saj u pranua publikisht. Hapat që do të ndiqeshin më pas vijuan me aprovimin e Ramës edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila vendosi miratimin paraprak për emërimin Linda Ramas dhe Richard Lukaj në pozicionin e anëtarit të Këshillit Drejtues.
Përveç prishjes së tregut të sistemit bankar, me praninë e bashkëshortes së kryeministrit në një nga bankat e nivelit të dytë, opozita dhe media dyshon se nëpërmjet këtyre bankave po synohet pastrimi i parave të pista, që vijnë kryesisht nga trafiku i drogës dhe më pas do të riaktivizohen në konçensione, e njohur ndryshe si PPP “Partneriteti Publik Privat”. Për kreun e opozitës Lulzim Basha, kjo situatë bëhet me e dyshimtë me implikimin e drejtëpërdrejtë të çiftit kryeministror. “Aspekti i kapjes se ekonomise nga krimi dhe paratë e krimit është partneriteti publik privat PPP, i denoncuar nga PD si Pastrimini Parave te Pista.
Tek PPP po përzihet paraja e drogës dhe e krimit me taksat e shqiptareve. Koncesionet, tenderat, po i fitojnë pak duar. Ata që rëndom njihen si oligarkët. Përqëndrimi nuk po ndodh vetëm në sektorin e koncesioneve, apo në sektorin e lejeve të ndërtimit, por po ndodh edhe në sektorin financiar. Kemi një bankë, me pronarë offshore, që quhet Abi Bank, e cila ka blerë dhe NBG, në një përiudhë kohore të shkurtër”-deklaroi Basha pak kohë më parë.
Nga kompani offshore në banka të suksesshme
Pronarët indirekt të “ABI Bank” rezultojnë të regjistruar në një kompani Offshore. sipas raporteve të krijimit të kësaj banke, NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, në ishujt Cayman, është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, New Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711. Këto dy kompani, bashkë me një shtetas shqiptar që është aksioner në kompaninë Tranzit dhe administrator në “ABI Bank”, në vitin 2009, vendosën të krijojnë në Shqipëri kompaninë “Tranzit”.
Pas konsolidimit të saj në Shqipëri, ku operoi kryesisht me blerje pasurish të paluajshtme dhe dhënie kredie, kompania “Tranzit” vendosi të blejë një bankë të nivelit të dytë. Kështu më 12 tetor të vitit 2015, kompania “Iub Holding” me një kapital prej 112 milion euro bëri një marrëveshje për transferimin e kuotave të bankës “Credit Agricole” me kompaninë “Tranzit”. Kjo bankë e cila funksionoi për disa kohë me këtë emër ka një histori të gjatë në tregun financiar shqiptar, duke ndërruar disa herë emër dhe pronarë.
Ajo është themeluar më 2 shkurt të vitit 1999 me emrin Banka Ndërkombëtare Tregtare e Detit të Zi me një kapital prej 3 milion dollarë. Më 10 maj të po atij viti, asambleja e aksionerëve e cila ishte Banka Tregtare e Greqisë vendosi t’i ndryshojë emrin duke e quajtur Banka Ndërtregtare (Shqipëri). Pak kohë më pas, aksionieri vendos të shtojë kapitalin e bankës dhe t’i ndryshojë asaj sërish emrin duke e quajtur Banka Ndërtregtare e Greqisë (Shqipëri).
Më 10 nëntor të vitit 2003, aksioneri merr sërish vendim për ndryshimin e emrit të bankës duke e quajtur tashmë Banka Emporiki-Shqipëri, emër të cilin e ka mbajtur deri më shtator të vitit 2012, kur është shitur te grupi “Credit Agricole” me seli në Francë. Pas këtij transaksioni, banka u quajt Credit Agricole, emër të cilin e mbajti deri më 22 tetor të vitit 2015. Në këtë datë, kjo bankë u shit tek kompania “Tranzit”.
Socialistë të lumtur në tregun bankar
Të etur nga fitimet, ai që provoi ndër të parët të luajë në “bursën e bankave”, ishte deputeti socialist Alfred Peza, që me bashkëshorten e tij u bë aksioner në Bankën Credins. Fitimet ishin të garantuara, por më pas Peza u kryqëzua dhe u procedua penalisht për fshehje të të ardhurave. Kjo i kushtoi edhe rizgjedhjen si deputet i PS-së, ndërsa gjyqi për akuzën e fshehjes së të ardhurave ende vijon. Pa u shuar ky skandal, në skenë del bashkëshortja e kryeministrit, e cila u përzgjodh si anëtare e bordit drejtues të “ABI Bank”.
Tashmë kjo bankë mban në bordin e saj drejtues bashkëshorten e kryeministrit, duke zgjruar edhe më shumë aktivitetin e saj finaciar dhe u renditur ndër bankat me bilanc pozitiv nga viti në vit. Kjo bankë rezulton në pronësi të një kompanie financiare të quajtur “Tranzit”, e cila është themeluar më 30 mars të vitit 2009 si investim i dy kompanive të huaja dhe një shtetasi shqiptar. Pronarët e kompanisë “Tranzit”, e cila ka në pronësi “Abi Bank” janë: NCH Balkan Fund, L.P dhe New Century Holdings XI, L.P.
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, i ftuar sot në Report TV në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, reagoi lidhur me shqetësimet e opozitës se Prokuroria mund të jetë duke ndërmarrë një aksion të njëanshëm dhe politik vetëm ndaj të djathtëve. “Janë plot vepra të tjera penale që kanë nevojë për goditje, ka grupe dhe organizata kriminale që duhet të goditen një orë e më parë. Prokuroria duhet të jetë në lartësinë e detyrës. Ndaj nuk mendoj se ka një sitiuatë të njëanshme. Çdo opozitë mund ta ketë këtë merak, edhe ne mund ta kishim patur nëse do ishim në opozitë, por unë i ftoj të jenë të duruar dhe të jenë në linjën e mosintidimidimit të Prokurorisë sikurse kanë thënë”, tha Hyseni.
Ishit në krye të një Taks-Frorce, që do hetonte pretendimet e palëve se u është grabitur prona në bregdet…
Detyra ishte verifikimi i çdo forme të tjetërsimit të pasurive shtetërore te privati. Ishte punë voluminoze, e përqendruar në qarkun e Vlorës. Nga Vlora deri në kufi me Greqinë. Me idenë se është një zonë që mund të shpëtohet. Ishin dhjetë persona nga task forca, bashkë me kryetarin 11. Është punuar manualisht, janë zbuluar 3 miliardë euro pasuri të vjedhura nga pasuritë shtetërore. Vetëm në qarkun e Vlorës, me çmimet mesatare të tregut, nëse llogariten me 20 euro metri katror. 11 mijë hektarë grabitje i kemi çuar Gjykatës dhe Prokurorisë. Por ka një sasi shumë më të madhe se kaq, ku është marrë me dokumenta false, ose në kundëërshtim me ligjin. Në Himarë janë tjetërsuar rreth 600 hektarë me dokumenta të falsifikuara, kjo do faktohet nga Prokuroria dhe Gjykata.
Si keni arritur në këtë konkluzion?
Kanë qenë dokumenta të montuara, ose të falsifikuara. Nga verifikimi në arkiva është verifikuar që me numrin përkatës rendor të protokollit, nuk kishte lidhje fare me rastin ose me Vlorën. Në një dokument, ku ishin marrë 50 hektarë, numri rendor i arkivit qendror të shtetit, që kishte shërbyer si dokument bazë për agjencinë e pronave, dilte në Pogradec. Masakra është bërë në vitet 2005-2011. Në vitin 2012 nisën regjistrimet. Në rastet e tjera Avokatura e Shtetit, ka nisur proceset civile për kthimin e pronës shtetit. Në shumë raste ka patur prapavijë politike, janë përfshirë nivele të larta. Ata që kanë përfituar kanë qenë të lidhur. Janë përdorur emra të banorëve të zonës në mënyrë fiktive, që nuk kanë përfituar asgjë vetë. Kemi vërtetuar se tjetërsimi i pronave është bërë edhe brenda ditës dhe kjo po hetohet.
Kur ka shkelje a nuk sekuestrohet?
Prokuroria ka mekanizmat e vendosjes së sekuestros preventive. Rasti më flagrant dhe shqetësues është rasti i Ksamilit. Ksamili nga parku antik deri në grykëderdhenjen e lumit të Çukës, me anë të vendimeve dhe dokumentacioneve të falsifikuara. Ka qenë një bashkëpronësi, kullotë e dikurshme, në bashkëpronësi prej shtetit dhe 12 familjeve. Ka një dokument arkivor, që ka qenë kjo bashkëpronësi. Me anë të dokumenteve të falsifikuara, një mori subjektesh kanë manipuluar procesin dhe kanë përfituar sasira kolosale me qindra hektarë. Për 1300 hektarë, ku përfshihej edhe pakru kombëtar i Butrinit madje dhe tre ishujt e Ksamilit ishin pretenduar që të merrej. Procesi do dojë kohën e vetë dhe unë mendoj që asnjë gjyqtar s’mund marrë një vendim ndryshe nga ai për t’u kthyer pronat familjeve që u takojnë. Shteti dhe to familje janë të dëmtuar, 14 individë të tjerë kanë përvetësuar pjesën kryesore, gjiret më të bukura dhe Parkun Kombëtar. Ky proces do vijojë edhe me qarqet e tjera, me Durrësin e deri në Velipojë, do të gjenden mekanizmat për t’i kthyer një pasuri shumë të madhe qytetarëve dhe shtetit, që është grabitur pa të drejtë
Skandali i tjetërsimit dhe përfitimit të tokave në bregdet që ka shpërthyer ditët e fundit në qarkun e Lezhës ka vënë në pranga tërë trupën drejtuese të bashkisë e të qarkut Lezhë.
Nga Fran Frrokaj kreu i bashkisë Lezhë, duke vijuar me kreun socialist të Këshillit të Qarkut Gjokë Ndoka, punonjësit e pronave dhe duke përfunduar deri tek sekserët, po përballen me prangat ose kërkimin nga ana e policisë kush ka mundur të largohet në kohë.
Ka një heshtje të PD, Lulzim Bashës dhe strukturave të tjera madje dhe “okulte” pranë PD për këtë aksion masiv të policisë dhe organeve ligjzbatuese ndaj këtyre shkelësve të ligjit.
Madje bëhet thirrje në drejtim të Prokurisë shqiptare që të arrestojnë dhe kryebashkiakët socialistë, duke filluar me atë të Durrësit Vangjush Dako, të Elbasanit Qazim Sejdini e duke vijuar me të tjerë pa dallim përkatësie politike. Dhe me të drejtë e kërkojnë këtë gjë, që nga Basha dhe të tjerët.
Pasi me zullumet që kanë bërë Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini, pa përjashtuar dhe Voltana Ademin të bashkisë Shkodër duhej ti kishin bërë ‘shoqëri’ menjëherë Fran Frrokajt të Lezhës. Por e gjithë heshtja e Bashës për Frrokajn u cilësua si një “shitje” e kryebashkiakut te Lezhës për “Darkën e gabuar” me kryeministrin Edi Rama javë më parë dhe pabesinë e këtij të fundit. Jo se Edi Rama nuk është i pabesë, por se duke e bashkuar heshtjen e Bashës dhe kupolës së PD me heshtjen totale të Sali Berishës, themi se kjo sjellje është thjeshtë për të mbulluar diçka më të madhe se Fran Frrokaj.
Fjala është për të mbuluar zullumet e tërë familjes biologjike të Sali Berishës me tokat në bregdet. Pasi si një njeri me origjinë nga Tropoja, me baba çoban dhish e nënë shtëpiake, që asnjëherë s’kanë dalë nga Tropoja, Sali Berisha ka pasur dhe ka mundësi zero të ketë trashëguar prona në Gjirin e Lalzit, Porto Romano, Orikum, Jalë dhe Tiranë.
Të paktën këto dimë publikisht se janë tokat dhe pronat që zotëron, dhe për të cilat ka filluar një hetim masiv për mënyrën e përvetësimit dhe vënies nën emrin e familjes Berisha të këtyre pronave. Ndaj heshtet në PD dhe hesht Berisha, sepse është deri në grykë me abuzim pronash. Dhe shpërthen “qelbi”
Familja Berisha fitoi 1,2 milionë euro me tokat e Porto Romanos, afera me Fazlliç
Është një aferë e mirëfilltë pronash, nga ato aferat me “yll” që familja ka bërë me tokat në Porto Romano.
Një aferë për të cilën është folur edhe më parë, një skandal i cilësuar jo vetëm nga shqiptarët por dhe nga përfaqësuesit miq të vendeve partnere në Tiranë. Një aferë e mirëfilltë e familjes Berisha lidhur me blerjen e tokave në bregdetin e Porto Romanos.
Historia e kësaj afere brilante fillon në fund të 2006, vetëm një vit pas ardhjes së Sali Berishës në pushtet, si kryeministër i vendit. Erdhi me mend të tjera, dhe qëllim për tu pasuruar.
Vajza e ish kryeministrit, Argita Berisha dhe partnerja e saj në studion ligjore filluan të blejnë toka nga fshatarët me 12 mijë lekë të vjetra për metër katrorë. Edhe pse çmimi në fakt dukej qesharak, që atëhere lindën pikëpyetjet e para, se kjo tokë, pothuajse pa asnjë vlerë, po blihej me qëllim dyfishin e çmimeve të tregut.
Ishte tokë e kontaminuar dhe sa herë që diskutohej për rikthimin e saj në një truall, të gjithë tërhiqeshin pasi kërkonte miliona dollarë për ta pastruar.
Por fshatarët që e kanë shitur këtë tokë, e cila gjendej afër një parku të vogël energjitik, thonë se gjithsej në këtë zonë u blenë 14 hektarë në harkun e një viti.
Vetëm më pas do të mësohej arsyeja e kësaj blerjeje masive dhe tepër të shpejtë, që në termat bujqësore nuk kishte asnjë vlerë. Pas saj ishte biznesmeni serbo-boshnjak dhe miku personal i Berishës kryeministër, Damir Fazlliç.
Ishte ai që kish “prokuruar” Argita Berishën dhe ortaken e saj Flutura Kola, të blenin toka për llogari të tij. Ndërkohë që në kohën kur po bënin këto blerje të interesuarit e dinin që shumë shpejt kjo zonë do të merrte një vlerë të madhe. Dhe kjo ndodhi.
Një vendim qeverie ku kryeministër ishte Sali Berisha do ti përfshinte edhe tokat e sapo blera nga Fazlliçi, në kufijtë e parkut energjitik.
Vetëm me këtë lëvizje vlera e tokës që ishte në emër të Fazlliçit, shkoi nga 1.7 në 4.2 milionë Euro.
Në organet tona të hetimit, të mbuluara nga pluhuri në kohën e Llallës në krye të Prokurorisë, ka një dosje voluminoze për këto transaksione që i lejuan njerëzve të familjes Berisha të fitonin së paku 1,2 milionë euro nga një vendim i marrë prej vetë Berishës kryeministër. Por në hetimin e tij deri më tani këto dokumente nuk janë zbardhur. Aty megjithëatë një gjë bëhet e qartë se familjarët e Berishës kanë blerë toka në Porto Romano, në emër të Damir Fazlliçit, në një kohë që e dinin që, një vendim i ish kryeministrit Sali do ta shumfishonte më pas vlerën e kësaj toke. Dhe në këtë rast janë pastruar dhe paratë e ardhura nga Qipro të Damir Fazlliç e të familjes Berisha.
Mësohet se kjo dosje pritet të hapet nga kryeprokurorja Arta Marku. Me shumë mundësi kjo dosje e rëndë mund të shkojë në Prokurorinë e Elbasanit, për shkak të konfliktit të thellë të interesit në Durrës.
Ndërkohë që për blerjet tjera të Argitës me para në dorë në Krujë për ndërtimin fabrikës së çimentos do të flasim me dokumente në të ardhmen.
Miku i Shkëlzen Berishës ‘del’ pronar në Orikum, Rrahman Selmanllari tokë për llogari të Zenit
Skandali me pronat e Orikumit ka qënë objekt debati politik por dhe protestash të banorëve të kësaj zone. Të cilët një ditë të bukur kur janë ngritur nga gjumi, janë gjendur pa tokë. Pasi e kishte marrë Shkelzen Berisha përmes të atit kryeministër Sali Berisha.
Dhe kishte nxituar për të ndërtuar dhe pallate dhe për ta bërë një zonë turistike, deti e tërheq shumë malësorin tropojan, që përmes të të birit po bëhej “beu” më i madh i tokave në Shqipëri.
Kështu, pas marrjes së lejes së ndërtimit në zonën bregdetare qëndronte Rrahman Selmanllari, shoku i ngushtë i djalit të kryeministrit Shkëlzen Berisha.
Sipas dokumenteve që janë bërë publike dhe nga vetë banorët e Orikumit, të cilët kanë pronën në përdorim në bazë të ligjit 7501, një ndër pronarët ndërtues në tokën që po u zaptohet atyre rezulton të jetë Rrahman Selmanllari.
Rrahmanllari është personazhi më i lakuar si shoku i ngushtë i djalit të kryeministrit Shkelzen e me biznesa të përbashkëta mes tyre.
Dokumenti tregon qartë se i fundit në listën e 7 personave që kanë nxjerrë lejen e ndërtimit, të mbrojtur tashmë edhe nga Bashkia, figuron edhe emri i Rrahman Selmanllarit, i cili nuk dihet sesi është bërë pronar toke në Orikum.
Banorët e zonës tregojnë se tokën e kanë marrë në përdorim bazuar në ligjin 7501, një ligj konsensual i viteve të para mes PD-PS.
Ata ankohen gjithashtu se çështja ka shkuar edhe në gjykatë, por akuzojnë gjyqtarët e Vlorës për ineficensë, madje edhe zgjatje të procedurave, thjesht për t’i hapur rrugë një ndërtimi të tillë. Por Rrahman Selmanllari, është njeriu që përfaqësoi denjësisht kompaninë SAC (amerikane), në tratativat për të marrë fishekët shqiptarë dhe për t’i çmontuar.
Emri i tij u përmend për herë të parë në aferën korruptive të Gërdecit, edhe pse prokuroria nuk mori ndaj tij asnjë masë. Pasi pas tij qëndronte si gjithnjë Shkelzen Berisha dhe nuk diskutohej se Rrahman Selmanllari do të qëndronte i paprekur në këtë aferë. Dhe nuk kishte “kala” që nuk merrte Rrahmani sa të kishte Zenin në krah.
Rrahman Selmanllari miku i Shkelzen Berishës e bleu tokën në Orikum nga familja Sinanaliaj vetëm dy vjet pasi ka ardhur në pushtet PD.
Në këtë kohë kjo familje ka qenë në vështirësi financiare dhe meqë “biznesmenin” Selmanllari e kishte mik, i ka dhënë një pjesë të tokës për të cilën pretendon se e ka në pronësi që nga viti 1800. Pikërisht hyrja në lojë e njeriut hije të familjes Berisha i ka lehtësuar punën ndërtuesve në Orikum. Dhe sa herë ka pasur probleme me policinë, Shkelzen Berisha i ka dërguar atë për t’i mbrojtur nga banorët e revoltuar herë pas here.
Madje pjesa më e madhe ishte nga FNSH, të dhëna me zë dhe figurë teksa dhunonin qytetarët për tokën që i kishte dalë Zenit në Orikum.
Ndërkohë që janë kujdesur si gjithnjë që “pronari” që kishte shitur këtë tokë të ishte me letra të rregullta.
Sadik Sinanaliaj pohon se pronën Selmanllarit ia kanë shitur më 2007, periudhë që sipas tij kishin financa të dobëta. Dhe për këtë kemi akt shitblerjeje dhe noterizimi, thotë ai, që është kryer nga firma e noteres Drita Aga. Pra gjithçka është e hipotekuar.
Duke iu referuar dokumentacioneve që disponojnë, Sinanaliajt pohojnë se pronat e tyre vijnë të trashëguara prej vitit 1800 dhe janë arkivuar në vitin 1910. Pronësia është përfituar më pas në vitin 1994 dhe shoqërohet, sipas tyre, me dokumentacione që të kohës së Zogut, pa transkriptime, pa akte shitjeje në një sipërfaqe prej 138 dynym.
Por Selmanllari reagonte jo vetëm për Orikumin, por dhe për një tjetër çështje kur rezultonte i implikuar si dhe për lidhjet e tij me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berishën. Por në e-mailin që kishte dërguar, Selmanllari kishte bërë të njëjtin gabim foshnjarak. Por që mendonte se duhej të bëhej, pasi kaq mbante ai dhe harronte.
Materiali i ishte bashkëngjitur e-malit dhe në dokumentin e “Microsoft Word” dilte në skenë një person i dyshimtë me emrin “Zeni”. Pikërisht Zeni ishte njeriu që kishte krijuar dokumentin e reagimeve të Rrahman Selmanllarit kundër akuzave.
Dhe ky “Zeni” s’ishte akush tjetër, vetëm djali i Sali Berishës, dhe miku i vetë Rrahman Selmanllarit. I cili bënte të gjitha punët e pista të Berishëve, i mbulonte ata përmes licencës së biznesit. Për këtë prona kanë filluar hetimet, dhe pritet që dosja të hapet nga Prokuroria.
Jamarbër Malltezi, dhëndërri i Berishës me prona në Jalë dhe linjën Vlorë-Sarandë
Një skandal tjetër përfshin familjen e Berishës. Prishja e ndërtimeve pa leje në në zonën bregdetare Sarandë-Vlorë dhe kryesisht në Jalë implikoi fort dhëndërrin e tyre.
Jamarbër Malltezi, duke shfrytëzuar një projekt të Bankës Botërore, ka nxituar të pastrojë zonën për të ndërtuar me miqtë e tij dhe në bashkëpronësi fshatra turistike.
Ai që duhej të kishte qënë një projekt i sukseshëm turistik, në një prej zonave më tërheqëse, e që mendohej t’i sillte të ardhura vendit nga turizmi, u përkthye në një skandal, që përfshiu dy qeveri dhe Bankën Botërore.
Projekti fillestar u miratua në qershor 2005. Një fjali e vetme do të bëhej burimi kryesor që do të implikonte Bankën Botërore dhe pikërisht se qeveria shqiptare ishte dakort të mos prishte ndërtimet e paligjshme para se të gjente rrugë e forma të tjera për të sistemuar personat e prekur. Kjo ka bërë që hetimet, sipas vetë komisionit të Bankës Botërore, të jenë më të vështirat në historinë mbi 14 vjeçare të Komisionit të Inspektimit.
Edhe pas hetimeve të gjata e raportit prej mbi 100 faqesh, ende mbetet pa përgjigje pyetja se si u përfshi kjo fjali në projektin për zhvillimin e zonës bregdetare në Shqipëri.
Zyrtari më i lartë i Bankës për çështjet juridike, në një raport tjetër, më të shkurtër, përpiqet të sqarojë se përfshirja e Bankës në prishjen e shtëpive në Jalë ka ardhur si rezultat i konfuzionit, paqartësisë, neglizhencës, madje edhe mungesës së disa zyrtarëve të lartë të Bankës gjatë miratimit të projektit meqë ata ishin me leje. Por vihet në dukje se urdhëri për prishjen e shtëpive në Jalë ëshë dhënë nga koordinatori shqiptar i projektit.
Ndonëse në raport nuk jepet emri i zyrtarit shqiptar, ai ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryeministrit Berisha, që e zbuloi veten duke e pranuar se ai e kishte dhënë urdhërin.
Jamarbër Malltezi duke përdorur emrin e Bankës Botërore, dhe lidhjet e tij me kreun e qeverisë, vuri në lëvizje policinë ndërtimore për t’i prishur në kohë rekord ndërtimet e paligjshme.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha deklaroi në atë kohë në mbështetje të dhëndërrit të tij se qeveria e tij ka marrë masa që investimi të mos binte ne duart e “mafies së tokës” dhe fajëson për situatën e krijuar “fraksione” brenda Bankës Botërore, por pa i përcaktuar se çfarë përfaqësojnë ato.
Banka Botërore duke parë implikimin e familjes kryeministrore Berisha në këtë projekt për përfitimet e veta personale, e anulloi atë. Kjo sepse 40 milionë dollarët që do jepeshin për projektin, rrezikonin të përdoreshin nga dhëndërri i Berishës për të ngritur biznesin privat të fshatrave turistikë në linjën bregdetare Vlorë-Sarandë.
Ndaj duke evituar rastin e parë të korrupsionit në radhërt e veta, Banka Botërore tërhiqet nga projekti. I cili u tentua të përvetësohej nga duart e ndyra të Sali Berishës. Por Jamarbëri përmes shumë makinacioneve ka përvetësuar prona në linjën bregdetare Sarandë-Vlorë. Dhe për këtë aferë do të hetohet nga prokuroria.
Dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi rrëmben toka në Tiranë, merr dhe terrenet e “Partizanit”
Dhëndërri i Sali Berishës ka zgjatur tentakulat e krimit dhe në tokat në kryeqytet, pikërisht në zonën më të lakmuar për ndërtuesit.
Tokë truall që gjendet në dalje të qytetit të Tiranës apo “porta” e Jugut, sikurse cilësohet. Duke u rënë më qafë dy qytetarëve të ndershëm që besojnë tek shteti, dokumentet dhe ndeshmëria njerëzore.
Esat Pira dhe Marieta Osmani nga 2008-ta janë bërë pronarë të një trualli me sipërfaqe prej 1200 metrash katrorë që gjendet pikërisht përballë teriminalit të autobusëve të jugut në Tiranë.
Pavarësisht se kalimi i pronës sipas dokumentacionit që disponojnë është bërë në mënyrë të rregullt nga shteti në privat, ata janë të destinuar ta humbin përfundimisht truallin, apo thënë më saktë duket se e kanë humbur.
Prej 10 vitesh dy poseduesit vërtiten në xhunglën e institucioneve të drejtësisë pa një zgjidhje konkrete.
Esati dhe Marieta pretendojnë se ndaj tyre është bërë një padrejtësi e madhe duke vendosur gishtin drejtpërdrejt tek Jamarbër Malltezi.
Sipas tyre Malltezi, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha, duke përdorur pushtetin e vjehrrit të tij ka mundur të sajojë dokumentet përkatëse për t’i rrëmbyer pronën nga duart.
Ata në bazë të informacioneve të marra nga burime pranë trupës gjyqësore të shkallës së parë, thonë se dhëndri i ish-kryeministrit Berisha ka ndërhyrë tek organet përkatëse, ku ka përfituar prej tyre favorizime.
Drejtësia e vendosur me dy standarde ka sjellë një dëm të madh financiar, moral dhe psikologjik për familjen Pira dhe Osmani. Por Jamarbër Malltezi mori dhe tërë pronat e klubit “Partizani” dhe për ta çimentuar këtë pronë e degdisën në atë kohë ekipin e futbollit “Partizani” në kategoritë inferiore.
Ndërkohë që ekipet e tjera të lojrave me dorë të këtij klubi të madh u degraduan në atë farë feje sa nuk u dëgjohet më zëri. Autor është Jamarbër Malltezi, burri i Argita Berishës. Pritet të fillojë hetimi, dosja është gati.
I gjithë vendi ka nisur të përfshihet nga reshje të dendura shiu, të cilat priten të intensifikohen në orët në vazhdim.
Meterologia Tanja Porja në një lidhje direkte me News24 tregoi parashikimin e motit për ditët në vijim.
Sipas Porjes territori shqiptar do të vijojë do të karakterizohet nga reshjet.
Porja tregoi se pritet një fuqizimin i vranësirave dhe do të ketë reshje të pakta. Sipas saj, përgjatë të mërkurës deri në fillim të së enjtes, do të ketë intensifikim të reshjeve.
“Presim dhe rënie temperaturash në ditën në vijim, të hënën dhe të martën bien temperatura me 2-3 gradë. Pritet të ketë reshje dëbore në pjesën verilindore.
Përsa i përket përmbytjeve, rreziku është më tepër se sa real, përveç zonës së juglindjes. Reshjet do të mbeten prezente në territorin shqiptar deri në fund ntë marsit,” tha Porja.
Katër gra, kunata me njëra-tjetrën, nga fshati Malas në Mallakastër, u arrestuan më 3 mars për prodhim lëndësh narkotike dhe moskallëzim krimi. Gjykata e Fierit i liroi me masën “detyrim paraqitjeje”, ndërsa Prokuroria këmbëngul që të arrestohen si organizatore, pasi janë organizuar me njëra-tjetrën që të punonin në “laboratorin” e drogës në fshatin Çorrush, po në Mallakastër.
Në operacionin e policisë u sekuestruan 350 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa u arrestuan vetëm pronari i shtëpisë ku ndodhej droga dhe 4 gratë që punonin aty. Tashmë, Prokuroria i ka zgjeruar hetimet vetëm ndaj mënyrës sesi shkuan gratë në punishte dhe jo ndaj bashkëpunëtorëve të tjerë. Deri më tani, Prokuroria nuk ka identifikuar personat që e mbollën, ata që e çuan në banesën në fshatin Çorrush, si edhe organizatorët që do ta trafikonin jashtë vendit.
Ndërkohë, deri në dhjetor të vitit 2017, në Shqipëri ndodheshin në burgje 5.496 persona. Ishin 386 persona të dënuar për prodhim lëndësh narkotike, 270 për trafikim dhe kultivim, ndërsa vetëm 3 persona janë të dënuar për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale.
Gjithashtu janë edhe rreth 850 persona të paraburgosur për prodhim, kultivim dhe trafikim të narkotikëve, e vetëm 7 për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale. Pra, në burg janë vetëm 10 organizatorë të grupeve kriminale dhe mijëra të tjerë që mbjellin dhe mbajnë lëndë narkotike.
“Trafikantet” e hashashit
“Fiks Fare” shkoi te shtëpitë e organizatoreve Eleonora dhe Irma Jaupaj, ku rezultoi se njëra ishte me ndihmë ekonomike prej 4.000 lekësh, ndërsa tjetra me 3 fëmijë të mitur për të rritur. Shtëpitë i kishin të parregulluara.
Sipas tyre, në datën 3 mars 2018 kanë shkuar në fshatin Çorrush. Një person me emrin Gazi u kishte thënë të punonin për të, për të paketuar sherebelë. Shkuan atje, punuan disa orë dhe u erdhi policia. Atje panë se bima nuk ishte sherebelë. Kur erdhi policia, 4 gratë i kapën dy-tre kilometra më larg, pasi ikën me vrap bashkë me disa persona të tjerë.
Eleonora Jaupaj thotë se një person me emrin Gazi e ka kontaktuar për të punuar në fshatin Çorrush. Ka shkuar atje, pasi e ka ditur se do të punojë në sherebelë. Pas dy orësh, policia ka shkuar në banesën e hashashit, ku pas disa minutash ndjekjeje ka arrestuar 4 gra dhe pronarin e shtëpisë.
Personat e tjerë nuk janë gjetur, megjithëse sipas Eleonorës, në punishte kanë qenë rreth 20 persona. “I thamë policit ja tek janë. Ai na mori neve, na mbajti 4 orë te shtëpia. Na shoqëruan në polici, ku na mbajtën për tri ditë, e më pas gjykata na liroi”, thotë Eleonora.
Sipas saj, Prokuroria apeloi vendimin, duke argumentuar se gratë akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe moskallëzim krimi. Eleonora Jaupaj tregon se ka 4 fëmijë, familja e saj merr ndihmë ekonomike prej 4.000 lekësh nga Bashkia e Mallakastrës.
“Vajzën e kam sëmurë. Më kanë kërkuar 5.000 euro për ta operuar. Ku t’i gjej lekët?”, thotë Eleonora, ndërsa me lot në sy tregon se ia pastron vet sytë vajzës. “Ne punuam për bukën e gojës. Pse, me këto kushte është kjo grua që cilësohet se prodhon drogë, lëndë narkotike?”, thotë Eleonora.
Ndërkohë, Irma Jaupaj ka 3 fëmijë, nga 8-14 vjeç. “I tregova punonjësit të policisë që na arrestoi se kishte edhe persona të tjerë, që ishin në pyll. Ai na arrestoi vetëm neve, na tha se vjen vet ai në polici”, thotë Irma.
Gazetarët e “Fiks Fare”, bashkë me dy gratë shkuan në fshatin Çorrush, te shtëpia ku u sekuestrua sasia prej 350 kilogramësh hashash. Gratë thanë se, në momentin që erdhi policia janë larguar disa kilometra në këmbë, derisa janë arrestuar. Ndërkohë, afër kësaj banese banon edhe babai i të arrestuarit, Gazmend Allkaj. Ai thotë se djali i tij e ka marrë përsipër lëndën narkotike, ndërsa saktëson se dy gratë kanë shkuar për punë vetëm ditën që janë arrestuar.
Organizatorët lihen të lirë, ndërsa punëtorët në burg!
“Fiks Fare” i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve informacion në lidhje me numrin e të dënuarve, të të paraburgosurve, si dhe numrin e të dënuarve për lëndë narkotike pas vitit 2013.
“Deri në dhjetor të vitit 2017, në burgje ishin 5.496 persona. Nga këta, 2.450 të paraburgosur. Të dënuar pas vitit 2013 janë 386 persona për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike; 173 për trafikim të lëndëve narkotike; 101 për kultivim të bimëve narkotike; 3 persona të dënuar për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale; si dhe një person i dënuar për përdorimin e drogës”.
Ndërkohë, të paraburgosur pas vitit 2013 janë 537 persona për prodhim dhe shitje të narkotikëve; 192 për trafikim të narkotikëve; si dhe 131 për kultivim të bimëve narkotike. Drejtoria e Burgjeve thotë se janë vetëm 7 persona për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale; 4 të paraburgosur për përshtatje të lokalit për përdorim droge; si dhe dy të paraburgosur për nxitje për përdorimin e drogës.
Presidenti Ilir Meta i ka dhene autorizimin ministrit Ditmir Bushati per negociatat me Greqine.
NJOFTIMI I PRESIDENCËS
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”.