Lajmi i fundit

“Shuplaka” e Fleckenstein për Monën dhe Bashën: Po të bllokoja rrugët në vendin tim do më vrisnin

Eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein ka bërë një deklaratë të fortë kundër bllokimit të rrugëve në të ashtëquajturën “mosbindje civile” nga ana e opozitës.

Duke folur në mënyrë të drejtpërdrejtë për Bashën dhe Kryemadhin të cilët bllokuan sot katër aske strategjike të vendit, Fleckenstein tha se nëse ai do të bllokonte rrugën në vendin e tij, qytetarët do ta vrisnin.

“Një demonstratë nuk ndikon në raport, e diskutuam këtë dhe dje. Demonstratat duhet të jenë, protestat janë pjesë e demokracisë, por kur përfshihet dhuna është një gjë që nuk bëhet. Nëse unë do të bllokoja trafikun në qytetin tim, qytetarët do të më vrisnin.

Jemi në pritje të raportit të Komisionit. Është një 6-mujor tejet i rëndësishëm. Takimi i Sofjes duhet të dalë me elemente tepër konkrete.

Do të presim në qershor takimin e Këshillit Evropian dhe shpresojmë të dalim me një rekomandim të qartë. Presim një rekomandim të qartë dhe të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për Shqipërinë tani.

Jam takuar me palët politike dhe ministrin e Brendshëm në Tiranë.Shqipëria ka shumë punë për të bërë sa i takon reformave. Ne do të ofrojmë mbështetjen tonë.Shpresoj që shtatorin e ardhshëm të kemi arsye për të festuar, por edhe të përgatitemi për punën që na pret. “- tha Fleckenstein.

“Shuplaka” e Fleckenstein për Monën dhe Bashën: Po të bllokoja rrugët në vendin tim do më vrisnin Read More »

‘Mirë me vjehrrën, mirë me burrin’. Haxhinasto ditën me Kryemadhin, natën me Ramën. A po e kërcënon Monika?

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Edmond Haxhinasto dhe njëherësh ministër i Transporteve në kohën që nisi procedurat tenderi për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, ka dalë jashtë linjës së partisë së tij, e cila bën thirrje për bojkot të taksës dhe thotë se kjo ishte e vetmja mënyrë që rruga të mirëmbahej.

Haxhinasto dha në një dalje publike në fund të marsit shembuj të vendeve të tjera të rajonit të cilat kanë ‘pay toll’ për shumë akse kombëtare të tyre.

“Unë patjetër që i qëndroj atyre qëndrimeve që kam pasur. Janë qëndrime të drejta, nuk po bëjmë ndonjë gjë të veçantë, e kanë dhe vendet e tjera”.

Por për çudi Haxhinasto ishte sot në ballë të protestës së opozitës në Elbasan. Në një fotografi të LSA-së, ai duket përkrah Monika Kryemadhit në Bradashesh ku protestuesit tubuan kundër vendosjes së kësaj tarife.

Në deklaratën e 27 marsit Haxhinasto ka hequr disa përgjegjësi nga vetja për pagesën e vlerës 5 Euro për automjetet familjare që do të kalojnë aty. Ai u kujdes të thotë se si ministër në atë kohë ka kërkuar tarifën më të ulët në rajon.

“Një çështje që ishte lënë e papërfunduar nga qeveritë e mëparshme. Unë personalisht kam kërkuar që të ishte tarifa më e ulët për rajonin”

‘Mirë me vjehrrën, mirë me burrin’. Haxhinasto ditën me Kryemadhin, natën me Ramën. A po e kërcënon Monika? Read More »

Vlorë: Përfundoi konkursi i infermierëve për jugun e vendit, priten rezultatet

Përfundoi me sukses konkursi i infermierëve në Vlorë, ku u testuan kandidatët të cilët kaluan fazën e parë pas aplikimit në platformën www.infermierepershqiperine.al

Drejtoresha e Spitalit Rajonal Vlorë Brunilda Mersini, Drejtoresha e Spitalit Rajonal Fier Nevila Shuke, Drejtori i Fonditi të Të Detyrueshëm të Sigurimeve Fier Vasil Bregu, Drejtori Rajonal i Shendetësisë Fier Kreshnik Ternova, ndoqën nga afër konkursin e Vlorës ku 363 kandidatë nga Fieri, Vlora dhe Gjirokastra u testuan për profesionet infermier, fizioterapist, teknik imazherie.

Rezultatet përfundimtare do të dalin nga mbledhja e pikëve të dosjes së gjithësecilit kandidat me pikët e grumbulluara nga rezultati i testit me shkrim./alb365

Vlorë: Përfundoi konkursi i infermierëve për jugun e vendit, priten rezultatet Read More »

‘Peshkatarët’ e zhdukur të Vlorës janë viktima të trafikut të drogës !Ja sa persona janë zhdukur gjatë dy viteve të fundit

Gjatë dy viteve të fundit, 13 persona janë zhdukur në qytetin e Vlorës, një pjesë e të cilëve dyshohen se janë mbytur në det në përpjekje për të trafikuar lëndë narkotike drejt Italisë- rrethana për të cilat familjarët ankohet se nuk ka pasur hetime.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet, Ferzilete Senkaj jeton me shpresën se Leonardi është ende gjallë. Gruaja e moshuar nuk do ta besojë që djali i saj është mbytur në përpjekjen e radhës për të kaluar drogë në anën tjetër të detit.

“Transportonte lëndë narkotike. Asnjë nuk ia kërkonte këtë. E bënte atë rrugë pa miratimin tonë, pa na pyetur ne dhe kur erdhi puna, një ditë nuk u kthye,” tregon ajo pa mundur të vërë gishtin se kush e ka dërguar të birin në rrugën e fundit drejt Italisë.

Sipas familjes, Leonard Senkaj u zhduk pa gjurmë më 27 dhjetor 2015, pasi bashkë me një shokun e tij është nisur me gomone drejt Italisë.

“Na thanë shokët e tij që ka dalë për peshkim. Ka bërë rrugën e Italisë, rrugën e pafundme,” kujton Ferziletja, sipas së cilës kjo nuk ishte hera e parë që i biri drejtonte skafin drejt brigjeve italiane.

“Ishte një çikë i zoti ai. Po ç’e do, humbi veten dhe ne,” shtoi ajo.

Leonard Senkaj nuk është i vetmi i ri nga Vlora që ëzhtë zhdukur në det ose është mbytur. Të dhënat e grumbulluara nga BIRN tregojnë që gjatë dy viteve të fundit, nëntë persona janë zhdukur ose janë gjetur të mbytur në brigjet e Vlorës, që sipas burimeve në policinë e vendore dyshohet se janë viktima të trafikut të drogës.

Policia e Vlorës i tha BIRN përmes një përgjigjeje me shkrim se gjatë vitit 2016 dhe 2017 rezultojnë të humbur 13 shtetas, dy prej të cilëve dyshohet se kanë humbur jetën në det duke trafikuar lëndë narkotike.

Në përgjigjen e saj, policia shtoi se gjatë viti 2016 janë gjetur të mbytur tre shtetas, të cilët “nuk kanë qenë të shpallur të humbur dhe nuk dyshohet se mund të kenë humbur jetën në tentativë për trafikim të narkotikëve.”

Zhdukjet nuk hetohen

Brigjet shqiptare dhe italiane në detin Adriatik ndahen nga kanali i Otrantos, ku pika më e afërt është qyteti i Vlorës. Sipas policisë italiane, gjatë dy viteve të fundit trafiku i paligjshëm i kanabisit midis Shqipërisë dhe Italisë ka shenjuar rritje eksponenciale. Vetëm në zonën e Pulias, policia italiane ka deklaruar se ka sekuestruar mbi 50 ton lëndë narkotike dhe ka arrestuar 35 persona në kushtet e flagrancës, teksa tentonin të kalonin me gomone të shpejta kanabis në Itali nga Shqipëria.

Pjesë e këtij trafiku dyshohet se ka qenë dhe policia e Vlorës. Prej nëntorit 2017, ish drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se është përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike drejt Italisë.

Nën hetim është vendosur dhe ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i dyshuar për lidhjet e tij me bandën e vëllezërve Habilaj, një organizatë kriminale që dyshohet se ka trafikuar tonela kanabis me gomone dhe peshkarexha drejt vendit fqinj.

Por ndërkohë që drejtësia po heton përgjegjësitë penale të politikanëve dhe policisë, familjarët e personave të zhdukur nga Vlora kërkojnë përgjigje për fatin e tyre.

Tre ditë pas zhdukjes së Leonardit në dhjetor 2015, Ferzilete Senkaj mori rrugët në kërkim të të birit. Në lokalin ku është parë për herë të fundit mbrëmjen e 27 dhjetorit 2015, në afërsi të shkollës së Marinës në Vlorë, gruaja 62 vjeçare ka gjetur çantën, telefonat dhe portofolin. Aty i kanë thënë dhe të bëjë denoncim në polici se Leonardi kishte ikur në Itali dhe nuk është kthyer.

Pak kilometra nga lagjja e ‘Ujit i Ftohtë’ ku jeton Ferziletja, një tjetër grua vlonjate vajton humbjen në det të të shoqit. I raportuar i humbur më 11 mars 2017, Ardian Hitaj u gjend i mbytur në anën veriore të ishullit të Sazanit dy muaj më vonë.

Bashkëshortja e viktimës, Valbona Hitaj i tha BIRN se oficerë të policisë së Vlorës i kanë kontrolluar shtëpinë dhe kanë kërkuar të dhëna mbi Ardianin që ditën e parë të zhdukjes së tij.

“Atë natë erdhi policia në shtëpi dhe filloi të më pyeste për Ardin, se ku ishte dhe me kë kishte dalë për peshkim. Ata erdhën edhe pas disa ditësh dhe bënin të njëjtat pyetje apo kërkon të dinin dhe numrat e telefonit që përdorte Ardi,” tregon Valbona Hitaj.

Por dhe pse nëna e tre fëmijëve i ka treguar gjithçka dinte për zhdukjen e bashkëshortit, Policia e Vlorës, sipas dokumenteve që BIRN disponon, e ka referuar ngjarjen vetëm pas gjetjes së trupit të tij të mbytur, dy muaj më vonë.

Rasti është raportuar si mbytje, duke iu referuar ekspertizës mjeko-ligjore, sipas të cilës trupit nuk i janë konstatuar shenja dhuna. Dy javë pas referimit të çështjes, më 26 qershor 2017, Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet me argumentin se nuk ka vepër penale.

Edhe rasti i zhdukjes Leonard Senkajt dhe shokut të tij Taluant Çerenishti është raportuar nga Polica e Vlorës si “peshkatarë të humbur në det”, edhe pse vetë familja e Senkajt e pranon se ai ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Senkaj gjithashtu është dënuar më parë nga një gjykatë në Itali me 4.5 vjet heqje lirie për trafikimin e lëndëve narkotike.

Megjithatë, 12 ditë pas referimit të zhdukjes së tij në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, hetimet janë mbyllur me arsyetimit se faktet e referuara nuk përbëjnë vepër penale.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se për rastet e të zhdukurve në det, në Prokurorinë e Vlorës është vetëm një dosje e referuar nga policia, ku viktimat dyshohen se janë të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Por dhe kjo dosje është transferuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, ngjarje për të cilën burime zyrtare thanë se ende po vijojnë hetimet.

Dyshimet mbi policinë

Ariseld Maze jetonte në një shtëpi të papërfunduar në qendër të qytetit të Vlorës. Mëngjesin e 3 korrikut 2017, 32 vjeçari ka dalë nga shtëpia për të mos u kthyer më kurrë. Familja ka mësuar se Ariseldi ka dalë për peshkim së bashku me mikun e tij, Adriano Jahaj, i njohur si biznesmen në qytetin e Vlorës. Më pas, të dy miqtë janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

Shtatë muaj pas zhdukjes së të birit, Përparim Maze i ka humbur shpresat se organet ligjzbatuese do të zbulojnë se çfarë ka ndodhur me të.

“Kush do më gjejë tim bir, kjo polici dhe prokurori e korruptuar? Më lini në dhimbjen time,” tha ai.

Familjarët e Adriano Jahajt kanë një shpjegim tjetër për ngjarjen.

“Babai im është nisur në qytetin e Durrësit për të marrë një mjet lundrues – që e kishte me dokumentacion të rregullt për ta sjellë në Vlorë. Por prej asaj dite, 3 korrik 2017, nuk kemi mundur të kontaktojmë as në telefon dhe as nuk është kthyer në shtëpi,” tregoi i biri, Klaudio Jahaj.

Rrethanat e zhdukjes së Ariseld Mazes dhe Adriano Jahajt janë rasti i vetëm për të cilët Policia e Vlorës e ka referuar në prokurori për dyshime në përfshirjen e trafikut të drogës.

“Nga ana e policisë gjyqësore janë ngritur dyshime se shtetasit Adriano Jahaj dhe Ariseld Maze, ditën e ngjarjes janë nisur me mjetin e tyre lundrues në drejtim të shtetit Italian me qëllim trafikimin e një sasie lënde narkotike dhe nuk mund të përcaktohet nëse kanë mbërritur apo jo në brigjet italiane,” shkruhet në dosjen e referuar nga Policia në Prokurorinë e Vlorës, ku kërkohet regjistrimi i procedimit penal ndaj dy personave të zhdukur.

“Shtetasi Adriano Jahaj është person me precedentë të tjerë të mëparshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet rrugëve detare,” shton policia në referimin e saj.

Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencë lëndore për hetimin e rastit, duke ia kaluar çështjen për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Por megjithë referimin e ngjarjes nga Policia e Vlorës, zyrtarisht Adriano Jahaj nuk ekziston. Me këtë emër biznesmeni njihet vetëm mes miqsh në Vlorë, pasi në dokumente zyrtare dhe pronën e tij, një hotel te lagjja e njohur si “Uji i Flohtë” në Vlorë, është i regjistruar me emrin Fatosh Jahaj.

“Me këtë emër është nëpër dokumente zyrtare, por në Vlorë ai njihej me Adriano,’ shpjeguan për BIRN familjarët e biznesmenit të zhdukur.

BIRN ka mundur të identifikojë të paktën 8 raste të raportuara si peshkatarë të mbytur gjatë dy viteve të fundit, për të cilët burime që refuzuan të identifikoheshin të policisë së Vlorës, i lidhën me përfshirjen e tyre në trafikimin e lëndëve narkotike.

Një prej tyre është dhe Taulant Çerenishti, që besohet se është zhdukur së bashku me Leonard Senkajn.

Familja e Taulant Çerenishtit në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, pas zhdukjes së tij në det ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fqinjët shprehen me keqardhje për fatin e tij të trishtë, duke nënvizuar se shoqëria e keqe e çoi në rrugën e gabuar.

“Që kur u ndodhi ajo fatkeqësia me djalin e tyre, ikën të gjithë në Amerikë. Lani ishte djalë i mirë, por e hëngri deti, e hëngrën shokët,” thotë një prej fqinjëve të Taulantit, ndërkohë që shtëpia e tij- një ndërtesë e vjetër njëkatëshe, është drejt rrënimit.

‘Peshkatarët’ e zhdukur të Vlorës janë viktima të trafikut të drogës !Ja sa persona janë zhdukur gjatë dy viteve të fundit Read More »

Si ia vodhën Luli dhe Mona kauzën të riut kuksian!Ky është “truri” i protestës në Rrugën e Kombit.

Për të gjithë ata që nuk e njohin, Alben Kola, është një i ri nga Kukësi, ‘truri’ dhe organizatori i protestës në Rrugën e Kombit i cili zgjoi Lulzim Bashën nga gjumi letargjik dhe i dha zemër Monika Kryemadhit.

Sot dy liderat e opozitës kanë në “dorë” kauzën e të riut kuksian!

Pse e themi këtë?

I vetëm, Albeni, ishte ai i cili kërkoi dhe mori lejen e tubimit pranë Drejtorisë së Policisë së Kukësit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tiranës për një protestë qytetare, pa ndikime partiake.

Dhe për këtë të fundit, nuk ka dyshime as kryeministri Edi Rama. Përpos akuzave ndaj rivalëve të politikës, Rama u bind se kjo ishte një revoltë e popullit kuksian të cilit i kërkoi ndjesë disa herë për mosinformimin e sot nga Kuvendi i premtoi zgjidhje.

“Ne s’do fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë për atë zonë”, tha Rama para pak minutash nga Kuvendi.

Por le të kthehemi te Albeni i cili duke përdorur thirrjet në rrjetet sociale, telefonatë pas telefonate, mesazh pas mesazhi, takim pas takimi ia doli të organizojë një protestë që gjeti të papërgatitur jo vetëm Policinë e Shtetit por edhe median e cila fillimisht nisi ta raportojë protestën e Kalimashit si një “lajm të dorës së dytë”, derisa kuksianët e përcaktuan vetë vijën editoriale duke u shndërruar edhe në shqetësimin më të madh të qeverisë edhe sot e kësaj dite.

Por deri më datë 31. 03. 2018, kur Albeni dhe kuksianët e tjerë u rebeluan e i vunë flakën vendeve ku taksoheshin automjetet, Basha dhe partnerja e tij në politikë, zonja Kryemadhi, as që e kishin në axhendën e tyre opozitare, protestën.

Bashës i ishte propozuar disa herë nga mbështetës dhe kritikë të tij në mbledhjet e PD të niste një valë protestash por ky i fundit nuk ishte fort entuziast.

E provoi më 27 janar duke organizuar një protestë të demokratëve në rrethe të cilët erdhën në Tiranë por jo gjithçka shkoi siç e kishte parashikuar.

Monika Kryemadhit, nuk i erdhi as një e treta e protestuesve që priste në Tiranë, gjë që solli edhe hatërmbetje mes tij e kryedemokratit të cilit gjithashtu nga ana tjetër nuk iu përgjigjën të vetët në kohën kur po diskutohej qendrimi i tij në PD.

Aq sa “kupa u mbush” dhe nisi të flasë edhe Berisha. Aq shumë i revoltuar e i pakënaqur ishte ish-kryeministri Berisha me të përzgjedhurin e tij, sa ia tregoi të gjitha në një kafe Agim Xhafkës.

Berisha e bëri fajtor Bashën, tha se ai duhet të ikë e të larguarit duhet të kthehen.

Kryedemokrati dhe mbështetësit e tij ishin në ditët e tyre më të këqija pas këtij qendrimi të ish-liderit por befas “feksi një dritë” dhe nga diskutimi për Bashën në krye të PD, e gjitha është kthyer në një pikëpyetje të madhe për qendrimin e Ramës në krye të qeverisë.

Albeni dhe kuksianët e tjerë të Bashkuar ia servirën në “pjatë të florinjtë” Bashës kauzën që i duhej për të marrë në dorë frenat e opozitës.

Në fakt këtu duhet t’ia njohim meritat kreut të PD. Më shumë se sa priti t’ia servirnin, Basha u ngrit me të vetët dhe ia mori me shumë zgjuarsi kuazën aktivistëve.

Lëshoi disa nga simpatizantët e tij fillimisht në Kalimash, pasditen e protestës atëhere kur gjithë policia e media u dynd drejt Kukësit, të nesërmen dërgoi gjithë PD-në në komisariatet e Kukësit e më pas, kur Albeni dhe katër miqtë e tij shkuan te Drejtoria e Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e bashkëqytetarëve të tij, Basha i vëmendshëm dërgoi me urgjencë grupin e tij të besuar të demokratëve duke spostuar e eklispuar tërësisht aktivistët.

Këta të fundit u detyruan të largoheshin pasi nuk identifikoheshin dot me përplasjet e dhunshme të asaj mbrëmjeje në ambientet e drejtorisë dhe as parrullat “Rama m’u ngrit”.

Motoja e tyre ishte “Arrestoni oligarkët, lironi qytetarët”.

Megjithatë Bashës e Kryemadhit nuk iu bë shumë vonë për largimin e tyre, përkundrazi ata gjetën terrenin që iu duhej për të vazhduar të vetëm deri në fund.

Kështu, nga bindja për të vazhduar betejën e tyre në komisionet parlamentare e seancat plenare, siç trumbetonin me të madhe dy liderët, brenda natës vendosën që betejën ta zhvillonin në rrugë me mosbindje civile.

Veçse Basha e Kryemadhi nuk kanë me vete aktivistët e as popullin mbarë. Albeni dhe shokët e tij sot nuk iu bindën urdhërit të Bashës për mosbindje civile.

“PD e LSI po vjedh kauzat, protestat quhen kur zgjohet shoqëria, ato duan qytetarë”, i tha sot në mesazhin e tij Albeni Bashës i cili sot për sot ka në dorë kauzën e artë të kuksianëve.

Por a do i mjaftojë kjo për të rrëzuar Ramën?

Koha do dijë ta tregojë. /newsbomb

Si ia vodhën Luli dhe Mona kauzën të riut kuksian!Ky është “truri” i protestës në Rrugën e Kombit. Read More »

Skandal/ Ja çfarë e gjen gruan kur burri i saj merr vesh se ajo është …

Një 41 vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga policia në Tiranë, pasi kishte ushtuar dhunë sistematike ndaj bashkëshortes shtatzënë.

Sipas policisë, 41 vjeçari me iniciale J.M banues në Valias pasi kishte marrë vesh se e shoqja priste një fëmijë e kishte detyruar këtë të fundit të abortonte, duke ushtruar dhunë fizike dhe duke e detyruar të pinte medikamente.

Gruaja me inicale F.M, është dërguar në spital ku edhe ka marrë ndihmën e nevojshme nga stafi mjekësor.

Policia po heton më tej për ngjarjen.

Skandal/ Ja çfarë e gjen gruan kur burri i saj merr vesh se ajo është … Read More »

Tronditet Lazarati, Shpërthim tritoli

Një sasi tritoli ka shpërthyer në një banesë në Lazarat ditën e sotme.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit.

Rreth orës 02:35, njoftohemi se në banesën e Adem Selimit, në fshatin Lazarat, Bashkia Gjirokastër, në derën e jashtme të banesës është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.

Nga shpërthimi nuk të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor në ka kryer të gjitha veprimet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Tronditet Lazarati, Shpërthim tritoli Read More »

Të bllokuar në Theth, dy turistët anglezë rrëfejnë momentet e ankthit: Tre orë mes dëborës dhe…

Kanë ardhur nga Manchesteri për të kaluar pak ditë në Theth të Dukagjinit në Shkodër, por janë bllokuar nga bora. Për tre orë me radhë dy turistët anglezë kanë qëndruar të frikësuar mes maleve dhe mes të ftohtit. Dy turistët kanë ardhur nga Anglia në Malin e Zi dhe nga aty drejt Shkodrës për të eksploruar Thethin.

Çifti anglez ka mundur që të shkojë deri në Okol të Bogës, pjesë e Malësisë së Madhe, dhe aty makina e tyre është bllokuar për shkak të trashësisë së borës që shkon deri mbi 50 centimetër.

Të ndodhur në këtë situatë kanë njoftuar faqen e “Booking” ku kishin pronotuar në Amerikë. Faqja e “Booking” ka lajmëruar një grua në Theth në shtëpinë e të cilës do shkonin dy turistët.
bora 2
Të vetmit që i kanë ardhur në ndihmë janë Agim Dardha, drejtor i Zonave të Mbrojtura në Shkodër, dhe Edmond Tërthorja, kryeinspektor i Mjedisit. Dy zyrtarët janë nisur nga Shkodra dhe pas një orë rrugë kanë parë turistët e bllokuar. Përmes mjeteve rrethanore dhe duke shtyrë makinën e dy turistëve është arritur që të zhbllokohen.

Deny Pief tregon momentet e vështira.
bora5
“Ne provuan që të shkonim drejt Thethit për të gjetur ndonjë shtëpi pushimi, por u bllokuam këtu nga bora. Atëherë lajmëruam në Amerikë në booking aty nga ku kishim kërkuar më përpara për për të shkuar drejt Thethit. Ne nuk e dinim se rruga këtu ishte e bllokuar nga bora sepse nuk do të kishim ardhur. Kemi pritur gjatë dhe s’po na vinte askush në ndihmë. Për tre orë kemi qëndruar shumë të frikësuar sepse këtu jemi mes maleve dhe po ashtu kemi patur shumë ftohtë. Është e vështirë sepse s’mund ta lëmë makinën ndezur gjithë natën për të bërë ngrohtë sepse do na mbaronte karburanti dhe do kishim qëndruar shumë orë në të ftohtë. U gjendëm në rrezik. Tani që pamë njerëz dhe na ndihmuan dhe makina doli nga bora jemi shumë të lumtur. Sot është hera e parë në Shqipëri dhe na u desh të përballemi me këtë situatë”.
bora 6
Alis Pief thotë se tashmë janë të lumtur, pasi frika mori fund…

“Pasi u bllokuam provuam që të shkojmë pak metra më poshtë në këmbë për të gjetur ndonjë njeri por nuk pamë askënd. Po kërkonim ndonjë kontakt me njërëz këtu por deri që erdhët ju për tre orë me radhë ishte e pamundur. Nuk na besohet se tani kemi njerëz përballë. Megjithatë frika mbaroi tani dhe jemi të lumtur”.

Dy turistët anglezë duke mos patur mundësinë që të përfundojnë udhëtimin e tyre drejt fshatit turistik të Thethit, janë kthyer mbrapsht drejt Shkodrës për të kaluar natën, ndërsa të zhgënjyer do rikthehen sërish në shtetin e tyre në Angli.

Nuk është hera e parë që turistët bllokohen nga bora duke tentuar që të shkojnë në Theth. Para pak viteve, turistët çekë rrezikuan jetën në Qafë Thore duke mbetur të bllokuar për disa orë. Kjo histori vijon të përsëritet për shkak se akset nga Shkodra drejt Thethit, në pjesën më të madhe të vitit, janë të bllokuara nga bora. Disa herë është thënë se do mbahen hapur, por asnjëherë nuk ka ndodhur.

/BW

Të bllokuar në Theth, dy turistët anglezë rrëfejnë momentet e ankthit: Tre orë mes dëborës dhe… Read More »