Lajmi i fundit

Zbardhet sherri brenda maxhorancës – Grupi i PS votë kundër, Majko përplas karrigen, ikën nga…

Zbardhen debatet.

Seanca plenare e Kuvendit ka zgjatur dje për rreth 2 orë, thuajse po aq sa zgjati protesta e opozitës, e cila bllokoi akset rrugore në gjithë vendin. Por në mungesë të pakicës në Parlament, deputetët e maxhorancës janë përplasur me njëri-tjetrin gjatë procesit të votimit.

Incidenti kryesor u shënua dje gjatë votimit të projektligjit për “Diasporën”. Shkak është bërë një amendament që ministri për Diasporën kërkonte të përfshinte në projektligj, por duke e futur në procedurë në emër të deputetit socialist Andor Shameti.

Por ky propozim u refuzua nga kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, e cila u mbështet dhe nga kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla. Deputeti propozues Shameti nuk e lexoi propozimin, gjë që la të kuptohej se nuk e dinte se çfarë ishte propozuar. Ndërkohë që Taulant Balla tha se amendamenti ishte propozuar jashtë afateve.

Ajo që acaroi më shumë Pandeli Majkon, ishte e qeshura e Edi Ramës dhe fakti se ai nxori kartonin e abstenimit kur propozimi u rrëzua. Në mënyrë demonstrative, Pandeli Majko mori letrat që kishte në tavolinë dhe përplasi karrigen, duke u larguar nga votimi. Ndërkohë që Gramoz Ruçi është acaruar me deputetin e PS-së, Ervin Bushati, të cilit i ka kërkuar të bëjë autokritikë dhe të mos sjellë materiale me lapsuse në Parlament.

Bushati tentoi të korrigjojë një gabim gjuhësor në projektligjin për statistikat, po mori vërejtje nga Ruçi. “Atëherë bëni autokritikë dhe na i sillni materialet pa lapsuse”, tha Ruçi. Ndërkohë, gjatë votimit të Kodit të Sjelljes, Gramoz Ruçi është përplasur me Bashkim Finon, i cili votoi abstenim.

DEBATI NË KUVEND

Pandeli Majko:Dua të falënderoj Komisionin e Politikës së Jashtme për punën e bërë, do flasë zoti Adnor dhe për të shprehur opinionin tim lidhur me projektligjin, besoj është bërë një punë e përbashkët shumë e mirë. Do të ketë disa ndryshime të vogla, të cilat do të jenë të karakterit teknik dhe mendoj se ato do t’i propozojë zoti Adnori. Dua të falënderoj Komisionin e Jashtëm për propozimet shumë të frytshme…

Adnor Shameti: Ky projektligj ka për qëllim të mbështesë Diasporën ku jeton dhe ku punon. Të mbrojë të drejtën e anëtarëve të saj për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditat e vendit të origjinës që është Shqipëria. Ky projektligj është në përputhje të plotë me programin politik të Këshillit të Ministrave, ku çështja e shqiptarëve në botë zë një vend të mëvetësishëm në kuadër të orientimit politik, në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë, integrimin europian të shqiptarëve në botë. (Nis miratimi nen për nen i projektligjit për “Diasporën”)

Gramoz Ruçi:Shtohet një nen i ri me riformulim të ri…

Mimi Kodheli: Zoti kryetar, cili nen është shtuar?

Gramoz Ruçi: Neni 23. Një amendament nga Adnor Shameti, propozohet shtim neni i titulluar “Komiteti shtetëror për diasporën”. Do shpreheni zoti Adnor?

Adnor Shameti: Sipas raportit, zoti kryetar dhe sipas variantit të paraqitur deputetëve. Mimi Kodheli: Nuk është sipas raportit. Në raport neni nuk ka një shtesë të nenit 24, lidhur me “Komitetin shtetëror për Diasporën”. Unë mendoj që ky komitet i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave funksionon si organ këshillimor dhe nuk duhet të jetë pjesë e ligjit. Sepse ndërkohë funksionon si i tillë me VKM. Nuk është diskutuar në komision, ndaj mendoj që nuk duhet të futet.

Pandeli Majko: Unë e përkrah amendamentin e relatorit. Mendoj që bëhet fjalë për Komitetin Shtetëror të Diasporës që drejtohet nga Kryeministri. Dhe është, sipas nenit 3, pjesë lista e institucioneve dhe çdo institucion kërkon një nen të vetin për t’u shpjeguar dhe kjo që ka sjellë relatori është thjesht një rregullim juridik i renditjes së neneve dhe shpjegimit të institucioneve. Komiteti Shtetëror është institucion, sipas nenit 3 dhe nuk besoj se sjell ndonjë dëmtim të relacionit në gjithë logjikën e vet. Unë propozoj që Komiteti të mos ketë renditjen e të gjithë ministrive, vetëm të thuhet Komiteti është organ konsultativ i Këshillit të Ministrave në fushën e Diasporës. Të shprehemi me nen të posaçëm për Komitetin Shtetëror që drejtohet nga Kryeministri.

Taulant Balla:Në aspektin procedural, nuk e keni sjellë në kohë amendamentin, që të jemi korrekt me vendimin e komisionit.

(Edi Rama qesh më të madhe)

Taulant Balla: Kryetar, mbështetim propozimin e kryetarit të Komisionit të Jashtëm. Erjon Braçe: Kryeministri ka edhe më shumë kompetenca tani…

Mimi Kodheli:Jam dakord me propozimin e kryetarit të Grupit.

Gramoz Ruçi: Hidhet në votim pro, kundër, abstenim, amendamenti i paraqitur nga zoti Shameti..,

(Grupi i PS përçahet, Balla nxjerr kartonin e kuq. Disa deputetë nxjerrin kartonët jeshilë. Kurse Edi Rama abstenon)

Pandeli Majko: Kjo është pa kuptim… (Çohet dhe përplas karrigen. Largohet nga votimi)

Gramoz Ruçi: Nuk fiton… Neni tjetër, zoti Shameti, do shpreheni? Jo. Hidhet në votim.

Taulant Balla: Shtype o Niko… Niko…

(Projektligji për statistikat)

Ervin Bushati:Neni 17 në fund të pikës tre, në raportin e komisionit të shtohen fjalët “si dhe kryen dhe gjykon të arsyeshëm auditimin statistikor te prodhuesit e statistikave zyrtare”.

Gramoz Ruçi:Ministri i Financave ka vërejtje?

Erjon Braçe:S’ka lidhje ministri i Financave këtu.

Ervin Bushati: Në nenin 21, që është ndryshuar, kemi një redaktim gjuhësor, fjala “garanton” zëvendësohet me fjalën “vlerëson”.

Gramoz Ruçi: Zotëri, propozimet i keni përpara. Keni vërejtje për atë që keni bërë? Atëherë bëni autokritikë dhe na i sillni materialet pa lapsuse. Kush është dakord me lapsusin e komisionit. Miratohet.

(Votimi i Kodit të Sjelljes. Bashkim Fino voton abstenim)

Gramoz Ruçi: Hapet votimi me elektronikë për kodin e sjelljes. Zoti Fino, mos e keni ngatërruar?

Bashkim Fino: Jo s’e kam ngatërruar, kam qëndrimin tim. Si e kam ngatërruar, mos provoko.

Gramoz Ruçi:Nuk të provokova ty, mund të votosh si të duash i dashur.

Bashkim Fino: E kam shprehur mendimin tim. Pse më pyet vetëm mua.

Gramoz Ruçi: Më fal që të pyeta. 74 pro, asnjë kundër, 1 abstenim.

VOTIMET

Raportimi në Kuvend i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale për veprimtarinë e vitit 2017  – 75 vota pro

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar- 75 vota pro

Projektligji “Për diasporën”- 74 pro, 1 kundër

Projektligji “Për statistikat zyrtare”- 75 Pro

Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”- 75 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg VB Mesdhe (MED), 2014-2020”- 75 pro

Projektvendimi “Për një ndryshim në strukturën e Autoritetit të Konkurencës”- 75 pro

Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- Robert Gajda 72 pro, 2 kundwr 1 abstenim

Për votim: Projektvendim “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve”- 75 pro.

Zbardhet sherri brenda maxhorancës – Grupi i PS votë kundër, Majko përplas karrigen, ikën nga… Read More »

Shpërndante kokainë e marijuanë në lokalet e natës, arrestohet 24-vjeçari

Një 24-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit pasi dyshohet se shpërndante drogë.

Sipas policisë Blerim Oshafi, shiste dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë dhe marijuanë në lokalet e natës.

Atij iu sekuestruan 4.5 gramë kokainë, 7 gram marijuanë të ndara në doza për shitje, si dhe 8200 lekë të reja dhe automjeti  me targë AA212ND

“Me date 04.04.2018 ora 21:30 seksioni per hetimin e narkotikeve finalizoi me sukses plan operacioni “shperndarsi” ku u be e mundur kapja ne flagrance i shtetasit Blerim Bashkim Oshafi i dtl.26.04.1993 lindur dhe banues ne Durres lagja 13.

Pasi mbi bazen e informacioneve qe dispononte seksioni per narkotiket ky shtetas shiste lend narkotike te llojit kokain dhe Marjuane ne lokalet e nates. U sekuestruan ne cilesin e proves materjale 7 grame lende narkotike Marjuane dhe 4.5 grame lend narkotike Kokaine e ndare ne doza gati per shitje.

Shuma prej 8.200 leke te reja si automjeti me targe AA212ND ne pronsi te ketij shtetasi. Materjalet ju referuan prokurorise Durres per vepren penale prodhim shitje te narkotikeve parashikuar nga neni 283 i K.Penal,” shkruhet në njoftimin e policisë.

Shpërndante kokainë e marijuanë në lokalet e natës, arrestohet 24-vjeçari Read More »

Transferimi i dosjeve Gjykata e Lartë shpëton Krimet e Rënda/ Parandalohet transferimi Dritan Dajtit në Apelin e Durrësit

Vendimi i marrë një ditë më parë nga një trupë gjykuese e Gjykatës së Lartë që ka shqyrtuar çështjen e kapjes së 1 ton drogë në Portin e Durrësit, ku të arrestuar janë 5 persona, ka vendosur që kjo çështje të mos i kalojë për kompetencë, shkruan Shqiptarja.com. Gjykata e Lartë, ka marrë një vendim që urdhëron Gjykatën e Krimeve të Rënda të mos shpallë moskompetencën për një sërë dosje penale të cilat nuk kanë lidhje me të akuzuar për grup të strukturuar kriminal, por për vepra të ndryshme penale.
Vendimi i marrë një ditë më parë nga një trupë gjykuese e Gjykatës së Lartë që ka shqyrtuar çështjen e kapjes së 1 ton drogë në Portin e Durrësit, ku të arrestuar janë 5 persona, ka vendosur që kjo çështje të mos i kalojë për kompetencë Gjykatës së Durrësit, por të vijojë të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim.

Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka urdhëruar që të gjitha çështjet e rregjistruara përpara 1 gushtit 2017 të vijojnë të gjykohet nga kjo gjykatë, duke mos shpallur moskopetencën lëndore. Mësohet që prej hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur moskopetencën për 30 çështje penale që kanë të bëjnë pëhr krime në familje, trafik droge, vrasje, dhe kanosje e gjobëvënie.

Gjykata e Apelit

Në të njëjtën linjë, ka vepruar dhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e cila ka transferuar për gjykim në rrethet e tjera disa dosje. Çështja më e nxehtë që kjo gjykatë ka qënë në diskutim për ta transferuar në Apelin e Durrësit, ka qënë dosja me të pandehurin Dritan Dajti i akuzuar për vrasjen e 4 efektivave të policisë së Shtetit në Durrës.

Mirëpo pas këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, çështja “Dajti” tashmë nuk mund të transferohet. Burimet pranë gjykatës thanë se pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë pritet që dhe gati 30 çështje që janë transferuar në rrethe të rikthehen sërisht për tu gjykuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Procesi gjyqësor për këto çështje hyri në një spirale ligjore, për shkak të ndryshimit të procedurave ligjore, të bëra si rezultat i reformës në drejtësi.

30 dosje sërisht tek Krimet e Rënda

Vendimi i një dite më parë rrëzon atë të marrë 2 jave më parë për shkak të krijimit të disa anomalive në sistem. Gjatë dy javëve, Krimet e Rënda shpallën moskompetencë për rreth 30 dosje duke ua deleguar rretheve. Mes tyre edhe çështje të rëndësishme për trafik droge apo krime në familje. Tashmë ato priten të rikthehen përsëri pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Bëhet fjalë për dosjen e vrasjes së gjyqtares së Shkodrë Fildeze Hafizit, vrasjen e Suela Sulës në Shkodër nga bashkëshorti i saj dhe një sërë çështjes të tjera.

Transferimi i dosjeve Gjykata e Lartë shpëton Krimet e Rënda/ Parandalohet transferimi Dritan Dajtit në Apelin e Durrësit Read More »

Tjetërsoi 150 ha tokë në Zvërnec, arrest me burg për biznesmenin

Tre vite burg për Pëllumb Petritaj, tjetërsoi 150 ha tokë në Zvërnec. Dënohen edhe 3 ish-zyrtarë

Teksa janë zhvilluar një sërë senaca gjyqësore në gjykatën e Vlorës, një trupë gjykuese e kësaj gjykate, tre ditë më parë ka vendosur të dënojë me 3 vite burg biznesmenin Pëllumb Petritaj.

Ky i fundit njihet në qytetin e Vlorës si një nga njerëzit që nëpërmjet dokumentave të falsifikuara ka arritur të tjetërsojë shumë sipërfaqe tokësore në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit në Vlorë.
E ndërsa për çështjen penale të nisur nga prokuroria e Vlorës, që bënte fjalë për abuzimet me tokat në Karaburun, Petritaj, ka mundur në rrethana të dyshimta ti shpëtojë rrjetës së drejtësisë duke mos u marrë as i pandehur, tre ditë më parë ai u gjet fajtor nga gjykata e Vlorës duke e dënuar me 3 vjet burg.

Pas këtij dënimi, duket se testi i rradhës do jetë në gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila do vendosi ose jo që dënimi i biznesmenit të marë formë të prerë ose jo. Banorë të fshatit Zvërnec, të cilët kanë depozituar kallëzim në prokurori që prej vitit 2010, i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se përveç dënimit me burg për Pëllumb Petritaj, trupi gjykues ka vendosur të konfiskojë dhe sipërfaqen tokësore prej 150 hektarë tokë, që ishte përfituar me dokumenta të falsifikuara.

Gjykata për dhënien e këtij vendimi është bazuar në paligjshmërinë e dokumentave dhe për pasojë ka vendosur konfiskimin dhe kalimin e kësaj sipërfaqe tokësore në vafor të shtetit.

Pëllumb Petritaj konsiderohet dhe dyshohet nga prokuroria e Vlorës si një nga njerëzit kryesorë dhe nismëtari e financuesi, i disa skemave abuzive që synonin tjetërsimit e tokave shtetërore në bregdetin turistik të Vlorës. Gjykata e Vlorës së bashku me Pëllumb Petritaj ka gjetur fajtorë dhe ka dënuar me nga dy vjet burg për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” tre persona të tjërë, ish-zyrtarë të Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorë. Më konkret me dy vjet burg është dënuar Petro Puleri me detyrë ish-kryetar i Komisionit të Kthimit të Pronave.

Dënim me dy vite burgim kanë marrë dhe dy ish-juristët e Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorës, shtetasit Klodian Jahaj dhe Miriam Isufi. Nga hetimi gati 1 vjeçar që ka kryer prokuroria e Vlorës ka konstatuar se zyrtarët e dënuar të Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorë,në mënyrë të kundraligjshme u kishte njohur trashëgimtarëve të shtetasit Ramiz Shehu sipërfaqen e tokës prej 150 hektarë.

Vitet e fundit prokuroria dhe gjykata e Vlorës, po përballen me falsifikime të shumta të pronave në qytetin bregdetar por edhe me veprimtari të kundraligjshme edhe nga vetë institucionet shtetërore në këtë qark. Pikërisht në 27 mars 2018 për abuzimet me pronat në Karaburun, gjykata e Vlorës shpalli fajtorë katër nga pesë të akuzuarit për falsifikimin e dokumentave për 342 hektarëve tokë në zonat turistike të Karaburunit, Zvërnecit dhe Palasës të martën, ndërkohë që i dha pafajësi avokatit Enkes Hysendhima.

Trupi gjykues i përbërë nga Albert Spiro, Albana Selmanaj dhe Laurent Fuçia shpalli përgjegjës kryesor Rajmond Mëzin dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg për falsifikimin e pronësisë së 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në Zvërnec.

Lefter Gjergji, i cili akuzohej për tjetërsimin e 33 hektarëve tokë në Palasë u dënua me 16 vjet burg. Ish-punonjësja e hipotekës, Blerina Dhrami u dënua me 6 vjet burg ndërsa arkivistja e gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj me 3 vjet burg.

Avokati i Mëzit, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të tokës u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Tjetërsoi 150 ha tokë në Zvërnec, arrest me burg për biznesmenin Read More »

Me helikopter dhe qen policie kapet një shqiptar, kërkohen 2 të tjerë ‘të lagur e të ndotur’

Në Kantonin Aargau të Zvicrës është zhvilluar një aksion i madh për të kapur tre grabitës në arrati. Deri më tani është arrestuar një kosovar 37-vjeçar.

“Bëhet fjalë për një turist 37-vjeçar nga Kosova, i cili edhe paraprakisht ka qenë i kërkuar me urdhërarrest”, ka pohuar për “20 Minuten” zëdhënësi i policisë Bernhard Graser, përcjell Albinfo.ch.

Kërkimi për të arrestuarit e tjerë tashmë është ndërprerë. Zëdhënësi i policisë u shpreh i lumtur që mobilizimi i helikopterit dhe qenve nuhatës policorë dha rezultate.

Policia kishte rrethuar një pyll në të cilin dyshohet se gjendeshin tre të arratisurit. Një qen nuhatës u gjeti një gjurmë, mirëpo shpejt e humbi në afërsi të pyllit.

Megjithatë, helikopteri e lokalizoi një person, i cili kishte qenë i fshehur afër. Piloti i  helikopterit e udhëzoi policen me qen se ku gjendej personi dhe nuk qe e vështirë  për ta arrestuar.

Arrestimi është bërë rreth orës 7.00 të mëngjesit. Rreth orës 4.00 një kalimtareje të rastit i kishin rënë në sy tre persona që kishin dashur të hynin në një shtëpi. Më pas, ata kishin hipur në një makinë me targa franceze, duke u larguar nga vendngjarja. Pak më vonë, makina ishte ndjekur dhe nga roja kufitare zvicerane, e cila në rrugë vendosi barrierë me gozhda, por që plaçkitësit e kishin thyer.

Ndaj,  policia organizoi mobilizimin e madh për të kapur të arratisurit. Njëzet patrulla policore, qen nuhatës si dhe një helikopter me kamerë termike u lëshuan pas të arratisurve. Ata e braktisën makinën dhe u futën në një pyll, duke ia mbathur në këmbë. Në makinën e braktisur policia ka gjetur mallra të ndryshme që dyshohet se janë të vjedhura.

Përmes Twitterit, policia i ka lutur qytetarët për të dhënë informacione: Kërkohen tre persona të panjohur, sipas të gjitha gjasave me shtetësi të huaj, me rroba të lagura dhe të ndotura, shkruhet në njoftimin e Policisë kantonale të Aargaut.

Me helikopter dhe qen policie kapet një shqiptar, kërkohen 2 të tjerë ‘të lagur e të ndotur’ Read More »

The Washington Post ‘shuplakë’ Monikës dhe Bashës: Po protestojnë se nuk duan të paguajnë taksa

Opozita ka bllokuar katër kryqëzime kryesore të Shqipërisë në një protestë anti-qeveritare duke e akuzuar atë për lidhje me krimin e organizuar dhe për rritjen e taksave e varfërisë.

Opozita e Partisë Demokratike bojkotoi seancën parlamentare të së enjtes për të nisur një fushatë të “mosbindjes civile” duke bllokuar rrugët kryesore të vendit dhe duke i bërë thirrje popullit të mos paguajnë taksat në rritje.

Qindra mbështetës të opozitës u mblodhën në katër kryqëzime në të gjithë vendin, duke bllokuar trafikun dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Policia tha se i konsideronte tubimet si të paligjshme pasi nuk mori asnjë kërkesë për t’i mbajtur ato.

Demokratët pësuan një humbje dërrmuese në votimin e vitit të kaluar, duke siguruar vetëm 43 vende në parlamentin me 140 vende. Shqipëria, një anëtare e NATO-s që nga viti 2009, iu dha statusi i kandidatit të BE në vitin 2014 dhe shpreson të nisë negociatat këtë vit./ The Washington Post

The Washington Post ‘shuplakë’ Monikës dhe Bashës: Po protestojnë se nuk duan të paguajnë taksa Read More »

Troket ora e zezë, ja çfarë i pret Ramën, Berishën, Bashën, Metën dhe Monikën

Plani amerikan që do të çojë në burg klasën mafioze politike në Shqipëri, afati kur do të nisin hetimet dhe arrestimet, përpëlitjet e fundit të pesëshesh që vjedh dhe sundon prej 27 vitesh Shqipërinë nuk e shmangin dot fundin e tmerrshëm

Dita e llogaridhënies dhe e ndëshkimit po afrohet. Nuk do të ketë shpëtim për Edi Ramën, Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, pesëshen që vjedh, sundon dhe rrëmon prej 27 vitesh Shqipërinë.

Kjo nuk është vetëm një dëshirë e popullit shqiptar, por është një vendim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Prova është dhënë disa vite më parë në Kroaci dhe Rumani, ku kryeministra, ish-kryeministra, ministra, kryebashkiakë etj., përfunduan në burg për korrupsion dhe pasuri të paligjshme.

Pesëshja famëkeqe po bën përpëlitjet e fundit për t’i shpëtuar këtij fati. Prej katër vitesh bënë çdo përpjekje për të sabotuar reformën në drejtësi. Kur nuk ia dolën dot pasi amerikanët i kërcënuan me futje në listën e zezë, pesëshja famëkeqe është gati që të djegë Shqipërinë, duke provokuar dhe poshtëruar popullin.

Ed Rama po sajon lloj-lloji takse absurde dhe po vjedh nga 800 milionë euro në vit, bashkë me shpurën e tij, ndërkohë që, Berisha, Basha, Meta dhe Kryemadhi, në koordinim me Ramën, po përpiqen që të bëjnë Shqipërinë tym dhe flakë, për t’i shpëtuar ndëshkimit.

Makthi më i tmerrshëm i Edi Ramës, Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është Byroja Kombëtare e Hetimit.

E ngjashme me FBI, kjo strukturë është kërkuar me forcë nga amerikanët që të parashikohet në Kushtetutë dhe ligjet e reformës në drejtësi, pikërisht për të hetuar dhe për të çuar para Gjykatës Speciale politikanët që vjedhin dhe sundojnë prej 27 vitesh Shqipërinë.

Nën kërcënimin se kush do të bënte rezistencë do të futej në listën e zezë, amerikanët detyruan këtë klasë politike të votojë Byronë e Hetimit, duke firmosur fundin e saj. Tani ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit është e pashmangshme. Hetimet dhe arrestimet e para parashikohen në fund të këtij viti.

Që të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale, të projektuara vetëm për ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, duhet që më parë të ngrihen Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Anëtarët për këtë dy organe po i nënshtrohen Vetingut. Edhe pse i ngadaltë, procesi i Vetingut po kontrollohet nga njerëzit e SHBA-BE, duke përjashtuar nga sistemi prokurorët dhe gjyqtarët e Ramës, Berishës dhe Metës.

Ashtu siç kontrollojnë Vetingun, amerikanët do të monitorojnë dhe asistojnë Byronë e Hetimit dy vitet e para. Gjatë këtyre dy viteve, në dorë do të merren të gjitha dosjet që u bllokuan nga Adriatik Llalla dhe që po bllokohen nga Arta Marku për Ramën, Berishën, Bashën dhe Monikën.

Në ligjin për SPAK-un, ku parashikohet ngrita e Byrosë, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale, janë caktuar struktura të tjera për hetime specifike, kryesisht mbi pasurinë.

Në ligj është caktuar edhe ngritja e grupeve të përbashkëta hetimor mes njerëzve të SPAK-ut, amerikanëve dhe Brukselit, për të hetuar dhe ndëshkuar kokat e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri./Pamfleti.com

Troket ora e zezë, ja çfarë i pret Ramën, Berishën, Bashën, Metën dhe Monikën Read More »

I ashpër ambasadori Lu: Reforma në Drejtësi do të kryhet, ata që ‘dridhen’ kërkojnë të më përlyejnë me Sorosin

Organizata “Judicial Watch”, në një njoftim të botuar të mërkurën, akuzon Departamentin e Shtetit se ka ndihmuar me fonde organizatat e filantropistit Xhorxh Soros për aktivitetet politike në mbështetje të forcave të majta në Shqipëri.

“Judicial Watch”, një organizatë konservatore, e cila vëzhgon abuzimet e mundshme të buxhetit federal në Shtetet e Bashkuara, i bazon akuzat mbi dokumentet e brendshme të Departamentit të Shtetit të siguruara përmes së drejtës së informimit.

“Judicial Watch” thotë se fonde prej rreth 9 milionë dollarësh të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) i janë kaluar fondacionit Soros në Shqipëri gjatë vitit 2016, që sipas “Judicial Watch”, synonin t’i jepnin qeverisë socialiste kontroll më të madh mbi sistemin e drejtësisë përmes reformës në drejtësi.

“Judicial Watch” akuzon ambasadorin Donald Lu si të lidhur ngushtë me Sorosin dhe me qeverinë socialiste në Shqipëri.

I pyetur nga Zëri i Amerikës se si u përgjigjet këtyre kritikave, Ambasadori Lu thekson se “Ne nuk kemi ofruar financime për Fondacionin Shoqëria e Hapur dhe as kemi marrë financime prej saj”. “Kritikët e reformës në drejtësi, thekson Ambasadori Lu, i kanë etiketuar veprimet e ambasadës si të frymëzuara nga Sorosi”.

Reforma e gjyqësorit, thekson më tej Ambasadori Lu, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, pasi me një “sistem gjyqësor të pastër Shqipëria do të jetë një aleate më e fortë në NATO dhe më pranë anëtarësimit në BE”.
Reagimi i plotë i ambasadorit Lu për Zërin e Amerikës

“Kritikët e reformës në drejtësi i kanë etiketuar veprimet e Ambasadës së SHBA si të frymëzuara nga Soros, edhe pse ne nuk ofrojmë financim për Fondacionet Shoqëria e Hapur (OSF), as nuk marrim ndonjë financim nga OSF.

Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën e gjyqësorit në Shqipëri sepse është në interesin tonë kombëtar për ta bërë këtë.

Kur Shqipëria të ketë një sistem gjyqësor të pastër, do të jetë një aleate më e fortë në NATO. Do të jetë më pranë anëtarësimit në BE. Dhe reforma e gjyqësorit është edhe në të mirën e interesave të nënshtetasve dhe bizneseve amerikane në Shqipëri. Amendamentet për reformën e gjyqësorit në kushtetutën e Shqipërisë u miratuan unanimisht nga të gjitha partitë politike të Shqipërisë”./VOA

I ashpër ambasadori Lu: Reforma në Drejtësi do të kryhet, ata që ‘dridhen’ kërkojnë të më përlyejnë me Sorosin Read More »