Lajmi i fundit

Bregdeti i Vlorës “pushtohet” nga rusët !

Edhe pse ende në qershor, të shumtë janë turistët që zgjedhin bregdetin e Vlorës për të kaluar pushimet.

Një pjesë e mirë e tyre janë rusë. Sipas operatorëve turistikë, cdo ditë në Vlorë vijnë rreth 250 pushues rusë dhe disa hotele, por edhe shtëpi me qira përgjatë bregdetit, janë të prenotuara prej tyre edhe për dy muajt e ardhshëm.

Në intervistat për Top Channel ata shprehen të kënaqur me vendin që kanë zgjedhur. Sipas tyre, turizimi në Shqipëri është ende në hapat e parë, por natyra që ofron Shqipëria dhe Vlora në veçanti është e mrekullueshme dhe ushqimi që ofrohet i bën edhe më të këndshme pushimet.

“Jam nga Rusia, Moska. Është hera e parë që vij në Shqipëri. Ushqimi është shumë i mirë, ka shumë restorante me kuzhinë italiane dhe me çmim të lirë mendoj”, thotë një turiste.

“Është vërtet fantastik, kaq pastër, kaq e mirorganizuar, plazhi është fantastik, me të vërtetë këndshëm”, shprehet një tjetër.

Përveç turistëve nga Rusia, ka edhe shumë nga Polonia, por edhe Suedia. Madje, disa prej tyre kanë blerë shtëpi në Vlorë. Ata thonë se për të tretin vit vijnë sërish në këtë qytet të preferuar për të kaluar pushimet, ndaj dhe menduan të blinin një shtëpi këtu.

“Po qëndroj te shtëpia e vëllait tim, aty në kodër. Ne kemi blerë një shtëpi në Shqipëri. Është shumë këndshëm këtu, ka disa plazhe shumë të bukur, të përshtatshem si për të rritur edhe për fëmijë, vend i përkryer”, deklaron një turiste ruse./arbresh.info

Bregdeti i Vlorës “pushtohet” nga rusët ! Read More »

Skandali, Spitali Amerikan do pushtojë Spitalin Ushtarak deri në vitin 2026

Spitalit Amerikan nuk i mjaftuan 15 mijë m2, rrëmbeu ambientet të tjera të Spitalit Ushtarak, prokuroria hesht për shkeljen e kontratës në dëm të pronës publike

Spitali Amerikan është një instrument i rrezikshëm interesash të errëta, i cili ka zaptuar prona dhe ambiente publike, në shkelje të kontratave, ka futur duart në buxhetin e shtetit si dhe ka kapur zyrtarë të të gjitha qeverive, për interesat e veta financiare. Një vit pasi kishte ardhur në pushtet, Sali Berisha, në tetor të vitit 2006, vendosi t’i japë Spitalit Amerikan një pjesë të ambienteve dhe sipërfaqes së tokës së Spitalit publik Ushtarak, me çmim qesharak.

Me vendim nr. 729 datë 18.10.2006, Berisha i dha Spitalit Amerikan disa mjedise dhe truall të Spitalit Ushtarak me sipërfaqe 15 638 m2. Këto mjedise Spitali Amerikan, sipas vendimit, do t’i përdore për interesat e veta private, deri në vitin 2026. Mjediset iu dhanë pa konkurrim. Në këtë truall Spitali Amerikan ndërtoi edhe një godinë. Kjo është njëra anë e historisë, ku shteti favorizon pa garë një subjekt privat, në dëm të interesit publik.

Historia e shkeljeve dhe aferave vijon pas lidhjes së kontratës. Spitali Amerikan zgjeron territorin e tij në Spitalin Ushtarak jashtë sipërfaqes prej 15 638 m2 dhe bën edhe ndërtime të tjera pa leje. Këto shkelje tolerohen nga qeveria e Sali Berishës, por me pas edhe nga qeveria e Edi Ramës, pasi Spitali Amerikan kishte lidhje me të dy pushtetet.

Në një raport të posaçëm, Kontrolli i Lartë i Shtetit, konstaton se Spitali Amerikan kishte pushtuar ambiente të tjera të Spitalit Ushtarak jashtë kontratës si dhe kishte bëtë ndërtime të paligjshme, përfshirë edhe një urë. Në raport thuhet: “Nga auditimi konstatohet se, nga SUT janë kryer matje të sipërfaqeve, të cilat përdoren nga “S…… A”, referuar kontratës së qirasë së lidhur më datë 28.08.2013, duke konkluduar që ky subjekt përdor ambiente brenda spitalit gjithsej 1963.7 m2 , nga të cilat vetëm 496 m2 i janë dhënë me qira.

Nga auditimi konstatohet se, subjekti “S.. A” përdor dhe një sipërfaqe prej 222.3 m2 , të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të spitalit, për të cilin institucioni nuk ka dokumentacion, si leje ndërtimore apo kontratë. Po kështu ka ndërtuar dhe një urë lidhëse ndërmjet godinës së tij dhe spitalit, me sipërfaqe 45 m2 , për të cilën nuk ka dokumente në SUT, çka konfirmohet dhe nga kartela e pasurisë bashkëlidhur Certifikatës së pasurisë së 6 datës 07.04.2015, ku përshkruhen 3 objekte pa leje apo “ndërtime të paligjshme”. Për këto ambiente ky subjekt nuk paguan qira”.

Për këtë abuzim flagrant përgjegjës janë përfaqësuesit e Spitalit Amerikan, ministrat përkatës të Shëndetësisë dhe ministrat përkatës të Ekonomisë. Pavarësisht vjedhjes flagrante, duke përdorur pronat dhe ambientet publike, prokuroria nuk ka çuar asnjë zyrtarë të shtetit dhe as përfaqësuesit e Spitalit Amerikan para gjykatës.

Për të çuar përgjegjësit e kësaj afere para drëjtësisë, prokuroria mjafton të administrojë raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të shqyrtojë kontratën e Spitalit Amerikan me Ministrinë e Ekonomisë si dhe zbatimin e kontratës. Gjithashtu, mjafton të marrë në pyetje mjekët e Spitalit Ushtarak për zaptimin e ambienteve nga Spitali Amerikan jashtë kontratës së lidhur me Ministrinë e Ekonomisë./Pamfleti

Skandali, Spitali Amerikan do pushtojë Spitalin Ushtarak deri në vitin 2026 Read More »

5 milionë euro “cash” në ‘Toyotën Yaris’, vëllai i ish-Presidentit prokuror i çështjes

Sekuestrimi i sasisë rekord të mbi 4 milionë eurove sot në portin e Durrësit në dy makina ‘Toyota Yaris’ ka vendosur në lëvizje autoritetet shqiptare, ndërsa pritet që të ngjallë edhe debat të fortë politik, pasi ishte Basha ai që e dekonspiroi operacionin tre ditë përpara.

Në kuadër të hetimeve mësohet se prokuror i dosjes është Sokol Nishani, vëllai i ish-Presidentit Bujar Nishani, i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike.

Bujar Nishani ndonëse nuk ka post në Partinë Demokratike, vijon të jetë mjaft afër kryesisë dhe një zë i fortë kundër qeverisë Rama në shumë çështje. Angazhimi i Bujar Nishanit në strukturat e PD është intensifikuar kohët e fundit.

Ndërsa mbetet për t’u zbuluar pse lideri i opozitës Lulzim Basha e ka dekonspiruar operacionin në Kuvend tre ditë më parë duke shkatërruar hetimet dhe njoftuar porositësit e mjetit.

Në fakt nëpërmjet deklaratës së Lulzim Bashës, destinuesi i shumës së parave, që me shumë mundësi ka origjinën nga trafiku i drogës është lajmëruar dhe ka marrë masa për të shmangur drejtësinë duke mos shkuar për t’i tërhequr.

Një skandal që patjetër do të prodhojë debat të ashpër politik por edhe hetimet nga autoritet për të identifikuar burimin e informacionit që ka rrjedhur në duart e Lulzim Bashës.

5 milionë euro “cash” në ‘Toyotën Yaris’, vëllai i ish-Presidentit prokuror i çështjes Read More »

Skandalet me dosjen e Azem Hajdarit/ Zbardhet sherri për autopsinë, si u ndalua Skënder Rexha të futej në morg

Vrasja e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari është rikthyer në vëmendje ditët e fundit, që pas ekstradimit të Izet Haxhisë. Kjo ngjarje është e veshur me hije dyshimi, ndërsa Izet Haxhia pretendon që me rihapjen e dosjes të dalin në pah të vërtetat e vrasjes së shekullit dhe të dënohen autorët kryesorë.

Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla pak ditë më parë mori në dorë të gjithë dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Dosjen voluminoze prej 702 faqesh, avokati e cilësoi si skandaloze gjatë seancës së fundit gjyqësore sepse sipas tij, ka rrjedhje provash.

Gazeta “SOT” raportoi dje se një ndër provat që nuk është më pjesë e dosjes është ditari i ministrit të Rendit të asaj kohe, Perikli Teta, ku mendohet se ka informacione të dobishme për të zbardhur të vërtetën e vrasjes. Por, gazeta ka arritur të sigurojë të tjera detaje nga dosja hetimore dhe vrasja e Azem Hajdarit. Sipas burimeve, në momentin që ka ndodhur atentati ndaj ish-deputetit të PD, dëshmitarët kyç të atij momenti, midis të cilëve edhe Astrit Mulo, nuk janë marrë në çast në pyetje, por u është lënë hapësirë që të largohen edhe jashtë vendit. Një lëvizje e tillë të bën të dyshosh se ka patur ndërhyrje nga politika, duke i larguar dëshmitarët kryesorë të atentatit nga drejtësia dhe mbase duke mbuluar fakte të rëndësishme.

Sherri për autopsinë

Një tjetër detaj që ka arritur të mësojë gazeta dhe që të lë të mendosh se duart e politikës sërish kanë ndërhyrë në këtë ngjarje për të fshehur informacione të rëndësishme që mund t’i jepnin një drejtim tjetër procesit hetimor është edhe tentativa për të penguar kryerjen e autopsisë tek trupi i pajetë i Azem Hajdarit. Oficeri i policisë gjyqësore, Skënder Rexha në momentin që është drejtuar tek morgu për të bërë autopsinë e kufomës së Azem Hajdarit, nuk është lejuar të futet. Madje në ato çaste ka patur edhe konfrontime fizike, pasi Skënder Rexha kërkonte të futej në sallën e morgut dhe të kryente detyrën, ndërsa persona të paidentifikuar janë bërë pengesë për të.

Tashmë me hapjen e dosjes “Hajdari”, pritet që avokati Bashkim Nikolla të zbardhë të vërtetën e këtyre pikave dhe të zbulojë arsyet se pse është vepruar në këtë mënyrë. Një gjë të tillë ai deklaroi edhe gjatë seancës së fundit gjyqësore, ku u shpreh se do të denoncojë rrjedhjen e provave dhe copëtimin e dosjes.

“Unë dosje më skandaloze nuk kam parë. Kjo dosja është copa-copa. Është edhe dosja e shekullit. Unë do t’i denoncoj të gjitha mungesat dhe rrjedhjet e provave dhe do të kërkoj të vërtetën. Izeti sot është shpresë për drejtësinë”, tha Nikolla pak ditë më parë.

Rruga që do të ndiqet

Izet Haxhia, përmes avokatit të tij mbrojtës, Bashkim Nikolla do të ndjekin një alibi për të nxjerrë në pah të vërtetat e shumë përfolura për vrasjen e Azem Hajdarit dhe për informacionet që mungojnë në dosjen hetimore. Sipas informacioneve, avokati i është drejtuar me nga një shkresë tri institucioneve kryesore shtetërore që mund të kenë informacion për këtë ngjarje. Më konkretisht, ai ka dorëzuar kërkesë për informacione dhe detaje tek Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Sapo të ketë në dorë të dhënat nga këto institucione, avokati do t’i bëjë pjesë të dosjes hetimore, duke thelluar hetimet për të nxjerrë në pah të vërtetën. Kujtojmë që pak ditë më parë, ai bëri publike një shkresë të SHISH drejtuar presidentit Rexhep Mejdani në vitet 1998, ku bëhej një përshkrim i ngjarjes së vrasjes së Azem Hajdarit, por në asnjë moment nuk përmendej emri i Izet Haxhisë si vrasës.

Skandalet me dosjen e Azem Hajdarit/ Zbardhet sherri për autopsinë, si u ndalua Skënder Rexha të futej në morg Read More »

Panik në Tiranë, një valixhe e dyshimtë afër Piramidës, policia rrethon zonën

Një valixhe e dyshimtë është gjetur sot në Tiranë policia ka shkuar në vendngjajre është duke punuar për verfikimin e saj.

Sipas njoftimit paraprak të policisë më datë 24.06.2018, rreth orës 20:25, nga Komisariati Dixhital bëhet me dije se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë bustit të “Papa Gjon Pali i Dytë”, është gjetur një valixhe e dyshimtë.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë të Komisariatit Nr.1, ku kanë krijuar perimetrin e sigurisë, gjithashtu është njoftuar njësia antieksploziv për të kryer veprimet e mëtejshme.

Panik në Tiranë, një valixhe e dyshimtë afër Piramidës, policia rrethon zonën Read More »

Bëhu si gjermanët! Vizito “Niagarën” e Shqipërisë

Është magjepsëse kjo mrekulli e natyrës shqiptare që mediat e huaja e kanë krahasuar me Niagarën! Ndaj mos e humbni pa vizituar Ujëvarën e Sotirës, ashtu siç po bëjnë gjermanët.

Por… bëhuni gati për një rrugë jo dhe aq komode në udhëtim, zgjidhi një makinë të lartë, ndiqni me kujdes sinjalistikën, edhe pse ajo, në disa raste, mund të interpretohet ndryshe dhe konsumoni diçka në fshat. Do ta ndihmoni në mënyrë modeste ekonominë e 35 familjeve që mbijetesën e ka mes emigrimit dhe bujqësisë

Do të ecni nja 40 minuta në këmbë për tek Ujëvara, ecni këtu poshtë, aty keni një urë dhe pastaj ndiqni rrugën se vetëm një drejtim keni”.

Është ky udhëzimi që na dha në hyrje të fshatit Sotirë, Gjergji, pronari i njërit prej dy lokaleve që ka në total kjo zonë. Është pothuajse mesditë dhe duke qenë se është e shtunë, pritet që të ketë edhe lëvizje turistësh. Jo ndonjë dyndje e madhe, por tek-tuk të zë syri grupe që, ose kthehen ose shkojnë. Nisemi në drejtimin që na treguan dhe pas disa zigzageve gjejmë edhe urën.

Është një urë e sajuar me dru dhe që në çdo hap që hedh mund të ndiesh lëkundjet, ndaj vendosim të ecim një e nga një, edhe pse nuk duket aq e pasigurt. Me përllogaritjet tona, sipas hartës në telefon dhe nga ajo që na kishin thënë ata që kishin qenë më herët, nga fshati drejt Ujëvarës është një distancë prej 5 kilometrash, kështu që llogaritëm që 40-50 minutat e ardhshme do të jenë një ecje sportive për grupin.

Rruga, ashtu sikurse na e përshkruan, ishte në gjendje mjaftueshëm të mirë, e aksesueshme edhe për makina, por jo çdo lloj makine, duhet makinë e lartë Jeep ose pick-up. Në anën e majtë, e gjithë rruga ishte e mbjellë në mënyrë të rregullt me tre breza akacie. Mendja të shkon që do të jetë ndonjë projekt që është lidhur me këtë interesin e shtuar për të vizituar Ujëvarën e Sotirës, që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e ka vlerësuar si Monument Natyre.

Të paktën e ka vënë dikush “dorën në zemër” dhe paska bërë diçka të mirë për këtë zonë, komentojmë mes njëra-tjetrës. Pas ecjes në një rrugë që u duk se s’kishte fund, për shkak të diellit që herë shfaqej e herë zhdukej mes resh, arrijmë para një blloku betoni, që mesa kuptojmë është vijimi i një hidrocentrali. Epo nuk mund të shpëtonte edhe ky përrua pa një HEC, si çdo përrua e lumë tjetër në vend, kështu që duam s’duam është kthyer në normalitet. Ujëvarën mund ta shquanim që së largu, kurse nga aty afër mund të dëgjonim vetëm zhurmën e saj dhe të shihnim ujin që dilte nga HEC-i. Jemi në drejtimin e duhur! Këtë mendim na e përforcoi edhe një shenjë e vendosur në anën e djathtë, ku një shigjetë e kuqe tregonte rrugën.

Sinjalistika nuk është e qartë, mund të ngatërrohet lehtë

Të bindur se ishim në rrugën e duhur, ndoqëm drejtimin që kuptuam nga shigjeta, që na çoi direkt brenda hidrocentralit. Pas disa tentativave për të kuptuar se ku mund të ishte rruga, pamë që nuk kishte dalje dhe se për të shkruar tek Ujëvara duhej të bëhej nga ndonjë drejtim tjetër. E meqë këmbëngulëm që sinjalistika tregonte këtë drejtim, nisëm një ngjitje akrobatike, në anën e majtë të HEC-it. Telefonat që pak më parë nuk kishin valë, më në fund na mundësuan një komunikim, për të marrë udhëzime nga një grup që kishte qenë disa ditë më parë.

Andi na tha:

Nëse jeni tek ai sheshi para HEC-it kthehuni në anën e majtë.”

Aty e kuptuam që endja jonë shpatit të malit kishte qenë e kotë. E ndërsa po pushonim për ta marrë veten, shohim në horizont dy makina. Nga njëra zbritën pesë veta. Ishin “viktimat” e radhës së sinjalistikës, edhe pse pak “faj” në ngatërresën e tyre e kishim dhe ne që ishim ulur në anën tjetër. Ata ndoqën shembullin tonë dhe nisën ngjitjen në të njëjtin drejtim të gabuar. Pas pak, një grup tjetër i drejtohet anës së kundërt, ishte ajo rruga për tek Ujëvara. Me kujdes zbresim të dyja grupet dhe nisemi drejt Ujëvarës.

Domethënë shenja e shigjetës nuk tregonte rrugën e HEC-it por shpatin tjetër të malit. “Këta (pushtetarët) nuk shohin të bëjnë ndonjë gjë për këtë punë, por e kanë mendjen tek check-up-i ynë. Nuk e duam fare check-up-in”, po na thoshte Tonini, një burrë rreth të 60-ave, nga Tepelena që kishte ardhur me familjen dhe që ishte pjesë e grupit të dytë të ngatërruar ashtu si ne. Pas 15 minutash të tjera ngjitje, arrijmë në një lëndinë. Në fund të saj mund të dalloje qartë Ujëvarën magjepsëse. Nga ai drejtim po kthehej një grup tjetër, që teksa pa fytyrat tona të skuqura, komentoi që sapo të arrinim poshtë tek ujëvara do të harronim gjithë lodhjen.

Nisim zbritjen drejt Ujëvarës. Janë disa shkallë të sajuara, ku është hequr dheu për të krijuar efektin e tillë, por sigurisht e kanë lehtësuar mjaft aksesin. Zbritja nuk zgjat aq shumë dhe kurora e pemëve ta bën pak të vështirë të shohësh të plotë Ujëvarën, por kur mbërrin në fund, e kupton që ia ka vlejtur lodhja. Është magjike! Uji është akull i ftohtë, del nga një e çarë gjatësore brenda shkëmbit dhe rrjedh furishëm poshtë në një lartësi që mesa kishim lexuar në internet, i kalon 100 metrat. Nuk krahasohet aspak me atë të Shëngjergjit, e cila sigurisht është interesante, por kjo ishte diçka tjetër. Të kujtonte pak edhe Valbonën, teksa shihje rrjedhën e ujit që merrte tatëpjetën nën një efekt blu. Dhe, vetvetiu mendon sa e pasur dhe sa e varfër është njëkohësisht Shqipëria.

Nuk mund të mungonin plehrat që turistët i hedhin kuturu

Pasi mbarojmë sesionin e disa dhjetëra fotove secila dhe freskohemi duke qëndruar ulur në shkëmbinjtë në anë të pellgut, ku bie uji i Ujëvarës, sytë të zënë edhe pjesën e pakëndshme. Disa kanoçe birre të hedhura aty, letra nga ushqimet që janë ngrënë pranë ujëvarës dhe janë hedhur po aty.

Kjo është pjesa tjetër që na penalizon, nuk dimë të kujdesemi për pasuritë që kemi, madje ndikojmë negativisht. Ta mendosh që nuk do t’ju kushtonte asgjë t’i merrnin me vete mbetjet pas ngrënies së ushqimit dhe t’i hidhnin në vendin e përcaktuar, vetëm pak metra më lart, aty te lëndina ku nis zbritja për tek ujëvara.

Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Elbasan, e cila ka nën juridiksion këtë monument, ka vendosur aty mes gjethesh një letër A4 të printuar dhe të futur në qese plastike duke shkruar: Vizitorë! Kujdesuni për mbrojtjen e mjedisit natyror nga dëmtimet dhe ndotjet.

Le të themi që edhe sikur kjo A4 të ishte një tabelë gjigante që kërkonte këtë ndërgjegjësim, për ata që nuk duan të ndërgjegjësohen, nuk do të kishte asnjë lloj ndikimi, por të paktën institucionet nuk duhet të kursehen për imponim më dinjitoz që tregon se ku mund të hidhen mbetjet e ushqimeve. Bëhemi gati të kthehemi, por sigurisht etja kishte bërë të vetën ndaj nuk i rezistuam një gllënjke ujë nga ujëvara.

Ndoshta nga vapa, ndoshta nga fakti që s’kishim alternativë tjetër, por ramë dakord të gjithë se uji ishte krejt tjetër nga ai që konsumojmë në Tiranë. Ngjitja na mori pak kohë, por ia dolëm. Paraprakisht kishim rënë dakord me Gjergjin, pronarin e lokalit të fshatit (të cilin e hasëm edhe si guidë pranë ujëvarës pak më vonë me një grup turistësh) që të vinte të na merrte. Kthimin nuk e morëm përsipër ta bënim me atë ecjen sportive entuziaste të fillimit. Makina vonoi pak kështu që nisëm të ecnim vetë dhe na arriti diku nga fillimi i rrugës së kthimit.

Më shumë turistë gjermanë, shumica parapëlqejnë të shkojnë vetëm

Gjergji na tregon se interesi për të vizituar Ujëvarën e Sotirës është rritur. “Fundjavave ka interes, vijnë turistë, por vetëm. Kishte vetëm një rast para ca kohësh me një agjenci me 500 vetë që vizituan ujëvarën dhe ky është ndoshta i vetmi rast që ka pasur aq shumë turistë njëkohësisht. Ka të huaj dhe shqiptarë. Nga të huajt, dominojnë gjermanët. Shumica parapëlqejnë të shkojnë pa guidë në këtë zonë, sepse duan ta zbulojnë vetë”, shprehet ai. Pavarësisht se është rritur interesi, turizmi në zonë mbetet i vakët për arsye nga më të ndryshmet, që nis nga infrastruktura, tek mungesa e strukturave akomoduese. Rruga për tek Ujëvara është mundësuar vetëm nga investimi i bërë nga kompania private që ka ndërtuar Hidrocentralin.

“Para se të ndërtohej hidrocentrali, për të shkuar tek ujëvara ishte e pamundur sepse nuk kishte rrugë. Kur u ndërtua kjo pjesë, u hap dhe rruga dhe nisi të kishte frekuentim. Edhe akaciet në krah të rrugës i ka mbjellë investitori që ka ngritur HEC-in, por ai e ka bërë për interesin e tij se ka tubat dhe rrënjët e akacieve lidhen me to dhe nuk lejojnë rrëshqitjen e dherave”, thotë Gjergji. Ai tregon se plani për hidrocentralin dikur ishte menduar për tek Ujëvara, pra që prita të ndërtohej aty dhe kjo do të kishte më shumë përfitim për investitorin, por më pas u vendos që ajo të ishte disi më poshtë, në mënyrë që të mos prekej kjo perlë e natyrës. Të paktën Ujëvara e Sotirës shpëtoi, jo të gjitha pasuritë natyrore në këtë vend kanë pasur kaq fat.

Mbijetesa e fshatit që mes emigracionit dhe blegtorisë

Kur mbërrin në fshatin Sotirë e kupton që nuk ke të bësh me një fshat të madh, mesa morëm vesh, në total jetojnë vetëm 35 familje, të cilat mbijetesën e tyre e kanë të varur mes emigracionit dhe blegtorisë apo bujqësisë.

Gjergji shprehet:

Nuk ka shumë të rinj, sepse pjesa më e madhe ikin, ose emigrojnë në Greqi ose zbresin në qytet. Janë shumë pak familje dhe s’ka ndonjë peshë të madhe edhe në vota, që të detyrojë pushtetin vendor apo qeverinë që të jetë më e kujdesshme apo të ndihet nën presion për të investuar në këtë zonë. Nuk i mbajmë mend qëkur s’kanë ardhur. Edhe ndryshimi i reformës territoriale, që kaloi komunat në njësi administrative, nuk na ndikoi apo ndihmoi për ndonjë gjë.”

Orientimi kryesor në fshat është blegtoria, rritja e gjedhit shihet si një mundësi për të siguruar jetesën. Kurse bujqësia nuk është për prodhim masiv që u mundëson shitje, secili prodhon për vete nga të gjitha gjërat nga pak. Edhe grurin kjo zonë e prodhon vetë dhe e bluan te fabrika që ndodhet në Gramsh. Tek-tuk të zë syri edhe levandul, që mesa marrim vesh tashmë po shkulet dhe banorët po heqin dorë, pasi çmimi i saj ka prekur fundin. Kemi mbërritur në fund të rrugës, nga Ujëvara në fshat duhet të paguash 1500 lekë për shërbimin me makinë, nuk ka rëndësi nëse vendos për vajtje-ardhje apo vetëm njërën nga këto rrugë.

Infrastruktura, të shkosh për në Sotirë është “sport” i vështirë

U drejtuam për tek makina jonë, një “Mazda” e thjeshtë që nuk hyn aspak te makinat e larta dhe që në ardhje drejt Sotirës, kushedi sa herë na shkoi në mendje varianti se çfarë do të bënim po të na linte në mes të rrugës. Nisim kthimin, me të njëjtën frikë. Nëse dikush do të na kishte parapërgatitur për këtë skenar rruge, nuk do ta kishim marrë mundimin për të shkuar fare tek Ujëvara e Sotirës (fatmirësisht shkuam dhe ia vlejti). Nuk ishim të vetmit me një makinë të ulët, pas nesh një çift me një Audi A4, edhe më i ulët se makina jonë, por edhe më i ri. Ndoshta pendimi i tyre ishte më i madh se yni. Edhe në ardhje në fshat kishim qenë të dyja makinat njëra pas tjetrës, u gjetëm bashkë te një lumë para se të arrish në fshatin Bregas dhe ku kalimi duhet të bëhej mbi urë.

E gjithë rruga nga Sotira deri në afërsi të Gramshit është problematike. Gropa, rrëshqitje dheu tek-tuk, por për hir të së vërtetës, me shtresa çakulli, ku gurët janë gjigantë. Pra nëse doni të shkoni në këtë zonë, duhet të mendoheni mirë, pasi me një makinë të vogël nuk do t’ia dilni dot, ose rruga do të kthehet në vend të një udhëtimi të këndshëm, në një stres më vete. Nga Sotira në Gramsh të duket një përjetësi dhe imagjinoni nëse kishe menduar që drekën do ta haje diku nga Gramshi. Pas përpjekjeve për të kaluar rrugën, duke mos dëmtuar makinën, ia dolëm që në orën 17:30 të jemi në Gramsh.

Fatmirësisht kjo pjesë ka një infrastrukturë relativisht të mirë, ndërkohë që investimi që është bërë afër Hidrocentralit të Banjës për rrugën është vërtet me standarde. Skarpatet janë të veshura me kujdes ashtu si sinjalistika, vijëzimi dhe cilësia e rrugës që janë tërësisht brenda standardeve. Nuk do shumë mend të kuptohet se e gjitha është fryt i një investimi të rëndësishëm të bërë nga Statkraft. Hidrocentrali i Banjës ka krijuar edhe një liqen të këndshëm, anash të cilit në disa pika janë ngritur restorante dhe lokale që të ofrojnë një panoramë relaksuese. Pasi ke shijuar drekën dhe ke pirë kafenë mendon.

A ia vlen një mundim kaq i madh për të parë një ujëvarë? Po! Shkoni patjetër tek Ujëvara e Sotirës, por mos harroni rruga nuk është një detaj që duhet kaluar me indiferencë, pini një kafe në fshat për t’i ndihmuar sadopak banorët, ndiqni me kujdes sinjalistikën sepse gjasat janë që ta ngatërroni lehtë.

Sotira, pjesë e programit “100 fshatrat”, por ende nuk dihet ku konsiston ndërhyrja

Qeveria bëri të ditur pak kohë më parë nismën e saj “100 fshatrat”, e cila synon të krijojë një model të fshatit të së nesërmes ku, përveç bujqësisë, të ketë zhvillim edhe për aktivitetet jobujqësore, duke rritur mirëqenien, por edhe duke garantuar shërbime më të mira.

Secili nga fshatrat e përzgjedhur do të identifikohet me tiparin apo asetin dallues të tij. Në listën e 100 fshatrave, qeveria ka vendosur të përfshijë edhe fshatin Sotirë në Gramsh.

Ende nuk është e qartë se ku do të konsistojë ndërhyrja e qeverisë përmes këtij programi në këtë fshat, por duket se më emergjente, të paktën sipas banorëve, është infrastruktura. Nëse nuk krijon infrastrukturën që më shumë njerëz ta kenë më të lehtë të vijnë, çdo nismë tjetër brenda fshatit nuk do të ketë ndikim. Për zonën e Elbasanit, ku bën pjesë edhe fshati Sotirë, janë zgjedhur edhe një seri fshatrash si Gjinar, Shushicë, Shtërmenj, Seferen, Pajovë, Seblevë, Dardhë.

Programi “100 fshatrat” ka bashkuar tre ministri të qeverisë në këtë bashkëpunim, duke nisur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tek ajo e Turizmit dhe Mjedisit dhe në fund, edhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë. Secila prej tyre, përmes përgjegjësisë që ka, do të kontribuojë në aspekte të ndryshme në zbatimin e projektit trevjeçar. Për vitin 2018, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar një fond prej 2.5 milionë dollarësh për këtë program.

Nga Nertila MAHO

Bëhu si gjermanët! Vizito “Niagarën” e Shqipërisë Read More »

Ambasadori Donald Lu ka një përgjigjie për të gjithë zërat që thonë se po dështon reforma në drejtësi

Në një kohë, ku duket sikur çdo gjë është pezulluar dhe skepticizmi po rritet, ambasadori Donald Lu rikthehet me një tjetër deklaratë për reformën në drejtësi.

Disa njerëz kane thënë se reforma në drejtësi po bllokon sistemin e drejtësisë dhe po dështon. Cili është komenti i Ambasadorit Lu mbi këto pretendime?

Ambasadori Lu: Vetingu po funksionon. Shumë gjykatës dhe prokurorë janë shkarkuar sepse nuk mundeshin të justifikonin pasurinë e tyre të madhe apo të tregonin se kishin integritetin e duhur për t’i shërbyer drejtësisë në Shqipëri. Disa njerëz e kanë kritikuar procesin sepse ka penguar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Unë nuk mendoj kështu. Ishte korrupsioni që pengoi funksionimin e këtyre gjykatave për vite me radhë. Vettingu po e ndreq këtë. Së shpejti Shqipëria do të ketë një sistem me gjykatës dhe prokurorë të pastër, që e kanë kaluar vettingun. Ai sistem është e ardhmja e Shqipërisë.

Ambasadori Donald Lu ka një përgjigjie për të gjithë zërat që thonë se po dështon reforma në drejtësi Read More »

Dy landfillet që do i japin fund problematikës së mbetjeve në Qarkun e Vlorës

Adresimi i problematikave të mbetjeve në qarkun e Vlorës është në fokus të qeverisë shqiptare.

Në prezantimin e projekteve investuese në Vlorë, zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati deklaroi sot se “pavarësisht se ky është detyrim i qeverisë vendore, duke marrë parasysh që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e njerëzve, mjedisin, ekonominë dhe zhvillimin në tërësi, qeverisja qendrore ka një plan agresiv për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme si nga pikëpamja e mbështetjes me investime infrastrukturore, ashtu edhe me krijimin e një asistence teknike për gjithë pushtetin vendor”.

“Ne kemi finalizuar masterplanin e mbetjeve, i cili është një qasje krejtësisht e ndryshme nga ajo e mëparshmja. Pra nëse më përpara kishim 373 njësi vendore me ndarjen e vjetër administrative, ku gjithësecila hidhte mbeturinat nëpër lumenj, sot e kemi të ndarë në 10 zona mbetjesh. Do jenë 10 vendgrumbullime mbetjesh për të gjitha bashkitë. Brenda kësaj ndarje të re, Qarku i Vlorës është i ndarë në dy rajone, në veri dhe në jug, pranë Parkut të Llogarasë”, – tha zv.ministri.

Ai tha se tashmë është ndërtuar landfilli i Bajkaj. “Ky landfill i shërben gjithë bashkive të rajonit jug, ku përfshihen bashkia e Sarandës, Finiqit, Delvinës dhe Konispolit, me një sipërfaqe prej 58 mijë m2 dhe me kapacitet depozitimi 365 mijë m3 për një periudhë 20-vjeçare. Aktualisht zona e jugut është e mbuluar dhe shumë shpejt do fillojë investimi për landfillin që mbulon pjesën veriore të Vlorës dhe do gjejë zgjidhje të qëndrueshme për dy bashki, për Vlorën dhe për Selenicën, me vlerë investimi prej 24 milionë eurove, e cila do jetë zgjidhje e qëndrueshme për 20 vjet”.

Aktualisht, vijoi Bonati, jemi në fazën e dizajnit teknik dhe pritet që në verën e vitit 2019 të fillojnë punimet. Sipas tij, operimi i këtij landfilli do të fillojë në vitin 2021 dhe paralelisht pranë bashkisë së Vlorës do të jepet edhe mbështetja për gjithë pjesën infrastrukturore.

Bonati tha se komponent i këtij projekti janë edhe depozitimet aktuale, të cilat do të mbyllen.

“Nëse ne duam të kemi sukses në menaxhimin e mbetjeve, vlen të përmendet që dhe miradministrimi është një nga çelësat e suksesit dhe pikërisht për këtë, mbështetja do të jetë edhe për operimin e menaxhimit, monitorimit, ndarjen e diferencuar dhe metodologjinë e diferencuar të mbetjeve”, – përfundoi Bonati./atsh

Dy landfillet që do i japin fund problematikës së mbetjeve në Qarkun e Vlorës Read More »