Lajmi i fundit

Për herë të parë në Shqipëri, shkollë velash për të edukuar brezat e rinj

Nga Vlora, ku ishte i pranishëm për të ndjekur garën me vela, që u zhvillua sot nga porti i Vlorës drejt portit të Orikumit, ministri Klosi dha lajmin se për herë të parë në Shqipëri do të hapet shkolla e velave për të edukuar brezat e rinj, që ta duan dhe t’i shërbejnë detit.

“Në kuadër të një politike të re që po ndërtojmë për të zhvilluar ekonominë e detit dhe një strategjie të re që kemi me kryetarët e bashkive për të ofruar detin si potencial të madh turistik, sot është një ditë shumë e bukur, sepse kanë ardhur 24 varka me vela për të bërë garë nga porti i Vlorës drejt portit të Orikumit. Kjo është pjesë e atraksionit turistik, por më shumë se kaq sot do të fillojë për herë të parë shkolla e velave për fëmijët, për të edukuar një brez i cili do të jetojë me detin. Për ne si ministri strategjia e re e ekonomisë së detit do të jetë një nga prioritetet e punës sonë dhe le ta fillojmë këtu në Vlorë, në qytetin më portual të vendit dhe që ka një jetë kaq shumë të lidhur me detin”, tha ministri Klosi.

Për të nxitur këtë iniciativë të re, sipas ministrit duhet të kemi politika të reja fiskale për sa i përket afrimit të porteve dhe marinave shqiptare për investime dhe po ashtu për shfrytëzim nga barkat e ndryshme. “Me konsullatën italiane kemi punuar që kjo të jetë pjesë edhe e Cooperazionit italian për të na dhënë mbështetje në marrjen e leksioneve për zhvillimin e turizmit në det, nga industritë më të zhvilluara në Itali. Prandaj duam shumë që strategjia jonë e re, ekonomia e detit të marrë sa më shumë impulse nga kjo jetë e përditshme që zhvillohet edhe sot në qytetin e Vlorës”, tha ministri Klosi.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha se në këtë edicion të dytë, Regata vjen me një itinerar të plotë dhe me risi. “Risia e të ofruarit brezit të ardhshëm kursin e varkave me vela, duke ju mundësuar fëmijëve të përzgjedhur nga faqja e bashkisë Vlorë, 9-12 vjeç kursin e varkave me vela dhe fillimin e një dashurie dhe raporti me detin duke mundësuar me tepër kapacitete turistike në Vlorën e së ardhmes”, tha kryebashkiaku Leli./atsh

Për herë të parë në Shqipëri, shkollë velash për të edukuar brezat e rinj Read More »

10 të rinj shqiptarë do të bëhen pjesë e “Albcontrol”, si kontrollorë të trafikut ajror

10 të rinj shqiptarë do të bëhen pjesë e “Albcontrol”, si kontrollorë të trafikut ajror.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bën të ditur se, të certifikuar me rezultate të shkëlqyera në Akademinë “Entry Point North”, në Madrid, sipas një përzgjedhje transparente dhe një trajnimi cilësor të rinjtë shqiptarë janë garanci për një staf të kualifikuar në një prej institucioneve të rëndësishëm të ekonomisë së vendit.

Numri i të rinjve të punësuar në administratën shtetërore, mbi bazën e meritës dhe performancës pozitive në mësime, vitet e fundit ka shënuar rritje të ndjeshme. Qeveria po tregon si asnjëherë më parë, kujdes të veçantë për thithjen e të rinjve të talentuar që nesër do të jenë e ardhmja e intelektualëve drejtues të vendit./atsh

10 të rinj shqiptarë do të bëhen pjesë e “Albcontrol”, si kontrollorë të trafikut ajror Read More »

250 punonjës policie me grada të larta në sitën e Vetingut, Hodaj: Brenda qershorit 2020 mbyllet faza e parë

Pas Vetingut në sistemin e Drejtësisë, tashmë nis dhe Vetingu në policinë e Shtetit, i cili synon kontrollin e figurës së punonjësit të policisë së Shtetit, për një trupë policore me integritet.

Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se janë rreth 250 punonjës policie me grada të larta të cilët do të kalojnë të parët sitën e Vetingut.

Zv.ministri Hodaj theksoi gjithashtu se faza e parë do të zgjasë deri në qershorin e ardhshëm.

“Ka filluar faza e parë që është ajo e vlerësimit të rreth 250 punonjësve me grada dhe funksione të larta në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA.

 Në këtë moment Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i asistuar edhe nga Sekretariati Teknik përkatës po mbledh dhe përpunon informacionet nga institucionet publike dhe subjektet private për të bërë edhe ballafaqimin dhe verifikimin me çfarë është deklaruar ne deklaratat individuale”, bëri të ditur Hodaj.

Sipas tij procesi do të jetë transparent. “Është një procedurë transparente! Informacionet mblidhen nga të gjitha institucionet publike dhe subjektet private.

Hartohen raporte specifike për secilin nga komponentët, pra integritet, pasuri dhe profesionalizëm, vihen në dispozicion në punonjësit në vlerësim që mund të japë shpjegime të mëtejshme, të bëjë observime apo të paraqesë kundërshtime dhe në fund diskutohen në një seancë dëgjimore të hapur për mediat dhe publikun.

Deri në qershorin e ardhshëm pritet që të ketë përfunduar proçesi për punonjësit e parë, ndërsa më pas për gradat më të ulëta”, tha Hodaj.

“Njësoj si me komisionin e vetingut për sistemin e drejtësisë, edhe vetingu i policisë do të jetë i hapur për median dhe publikun. Plotësimi i vendeve për punonjësit e policisë që nuk do të kalojnë vetingun do të bëhet nga të diplomuarit e akademisë së sigurisë”, tha Hodaj.

“Ajo që kemi thënë gjithmonë, që ky proces të jetë një mjet vlerësimi dhe certifikimi për të gjithë ata punonjës të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar”, nënvizoi Hodaj për ATSH.

Sakaq, sipas planifikimit dhe ligjit për Vettingun në Policinë e Shtetit, të parët që do të kontrollohen janë 31 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, 12 punonjës në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave si dhe dy punonjës të Gardës së Republikës. Vlerësimi në fazën e parë do të bëhet nga një Komisionit i jashtëm i përbërë prej 15 personash, që do të ndahen në tre grupe, ndërsa fazat përfundimtare, ajo e dytë dhe e tretë do të bëhen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave. /atsh

250 punonjës policie me grada të larta në sitën e Vetingut, Hodaj: Brenda qershorit 2020 mbyllet faza e parë Read More »

Akreditohet spitali rajonal i Vlorës, procesi vijon për të gjithë spitalet

Spitali Rajonal i Vlorës ka marrë akreditimin si institucion shëndetësor. Spitali dhe Poliklinika e Vlorës i kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Qendra e Akreditimit QKCSAISH për cilësinë dhe standardin e ofruar në shërbim.

Pas një vlerësimi që ka filluar rreth 1 vit më parë nga QKCSAISH, Spitali Rajonal Vlorë rezulton të ketë përmbushur kushtet për shërbim shëndetësor sipas kritereve të kërkuara për infrastrukturën, pajisjet teknologjike spitalore, kushtet higjienike, kualifikimin e burimeve njerëzore, ofrimin e shërbimit shëndetësor për pacientët.

Pas spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, spitali i Vlorës ka përfunduar procesin e akredimit, ndërsa po përmbyllet ky proces për disa spitale rajonale. Alreditimi po vijon për institucionet e kujdesit shëndetësor publike dhe private në vend.

Institucionet shëndetësore, bazuar në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë do të kenë kusht për licencimin dhe rilicensimin, përmbushjen e standardeve bazë të akreditimit. /atsh

Akreditohet spitali rajonal i Vlorës, procesi vijon për të gjithë spitalet Read More »

Eurostat: Shqipëria destinacioni i parë i turistëve grekë

Gjatë vitit 2017, shtetasit grekë, vendi i të cilëve është anëtar i Bashkimit Europain, patën si destinacion të parë turistik Shqipërinë, doli nga të dhënat e agjencisë europiane të statistikave, Eurostat, sipas faqes zyrtare të kësaj të fundit, ec.europa.eu.

Sipas Eurostat-it, në raportin me titull ”A është vendi juaj popullor për turistët”, raport që i referohet të dhënave të vitit 2017, Shqipëria rezulton destinacioni kryesor i turistëve grekë me 2,1% të netëve të shpenzuara.

Ndërkohë, vendi i dytë i destinacionit të tyre ishte Gjermania me 1% dhe më pas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1%.

Ardhja e turistëve grekë në Shqipëri lidhet me faktin se në këtë vend anëtar të BE-së jetojnë rreth 40% e emigrantëve shqiptarë.

Por, grekët që vijnë me pushime në Shqipëri shpenzojnë shumë pak, rreth 27 euro në ditë, ndërkohë që rrinë rreth 11 netë./atsh

Eurostat: Shqipëria destinacioni i parë i turistëve grekë Read More »

Hapja e ambasadës shqiptare në Australi, Cakaj: Do të ofrojë deri në 5 mijë praktika konsullore në vit

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj e cilësoi një lajm fantastik për diplomacinë shqiptare hapjen e ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë, miratuar sot nga qeveria shqiptare.

“Ky vendim është në shërbim të zbatimit të strategjisë të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të zgjeruar rrjetin e ndërveprimit politik ndërkombëtar dhe rritur numrin e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë në përgjithësi”, tha Cakaj.

“Rëndësia e këtij vendimi duhet parë edhe në një rrafsh më të përgjithshëm politik dhe diplomatik. Mbulimi i marrëdhënieve diplomatike të Republikës të Shqipërisë me Australinë dhe me disa prej vendeve të Azisë dhe Paqësorit është mbuluar krejtësisht nga Ambasada e Shqipërisë në Pekin”, theksoi Cakaj.

Sipas tij, në këtë kuptim, kapaciteti veprues i Shqipërisë në këtë hapësirë gjeopolitike ka qenë më i ulët sesa vetë rëndësia gjeostrategjike e saj.

“Për më shumë, hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundëson intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë. Tutje, kjo Ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët (dhe jo vetëm) në Australi (dhe jo vetëm)”, tha ministri Cakaj.

Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofrojë afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik.

“Pra, gjykuar nga rëndësia politike, strategjike, diplomatike e konsullore, hapja e Ambasadës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë është një veprim me peshë të patjetërsueshme! Shumë shpejt me veprime të ngjashme në hapësira të tjera për ta bërë Shqipërinë më të pranishme nëpër botë”, tha Cakaj. /atsh

Hapja e ambasadës shqiptare në Australi, Cakaj: Do të ofrojë deri në 5 mijë praktika konsullore në vit Read More »

KE rrëzoi Holandën për vizat, Soreca: Shqipëria të çojë më tej arritjet e saj

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka konfirmuar sot se Komisioni Europian ka rrëzuar kërkesën e Holandës për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë.

Soreca thekson se “pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës së Holandës dhe bazuar në të dhënat përkatëse të informacionit në dispozicion, Komisioni Europian ka vendosur që në situatën aktuale nuk janë plotësuar rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave”.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës së Holandës dhe bazuar në të dhënat përkatëse të informacionit në dispozicion, Komisioni i BE-së ka vendosur që në situatën aktuale nuk janë plotësuar rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave. Komisioni sigurisht do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza.Tani është koha që, pas këtij konfirmimi, Shqipëria të çojë më tej arritjet e saj të rëndësishme të vitin 2010 dhe për të ecur përpara me energji të përtërira, duke pasur parasysh vendimin e rëndësishëm të Këshillit të BE-së në tetor”, thekson ambasadori.

Më herët lajmi u konfirmua për ATSH-në nga zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke sqaruar se sipas KE-së “në situatën aktuale, rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen”.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, ka deklaruar KE.

Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Europian, ka paraqitur dhe argumentet e Parlamentit të tij për këtë kërkesë që përmblidhen në tre pika./atsh

KE rrëzoi Holandën për vizat, Soreca: Shqipëria të çojë më tej arritjet e saj Read More »

Hapen aplikimet për shkollën bazë të policisë

Hapen aplikimet për shkollën bazë të policisë për 500 vende

Sipas njoftimit të Policisë, hapet procesi i aplikimeve për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Aplikimet do të dorëzohen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Procesi i aplikimit, është i hapur deri në datën 3 gusht 2019 dhe formularët e aplikimit tërhiqen pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë.

Në përfundim të të gjithë procesit të konkurrimit, kuota e pranimit do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë 500 kursantë, të ndarë në bazë të renditjes sipas pikëve të fituara në listën e rezultateve të arritura në fazat e konkurrimit. Kjo e ndarë në 2 kurse, në periudhat: Tetor 2019 – Prill 2020 dhe Maj 2020 – Nëntor 2020.

Përzgjedhja e kandidatëve do të realizohet përmes një procesi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mos diskriminimit.

Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”: Të jetë shtetas shqiptar; Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil; Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;Të ketë mbaruar arsimin e mesëm; Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur; Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje; Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

Aplikantët për punonjës Policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici: Formularin e aplikimit; Fotokopje të kartës së identitetit; Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit; Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; Certifikatë të gjendjes gjyqësore; Certifikatë familjare; Vërtetim nga Gjykata; Vërtetim nga Prokuroria; Raport mjeko-ligjor; Fotokopje të librezës së punës ose vërtetim që ndjek arsimin e lartë (nëse i disponon); Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike; Mandat pagesa e tarifës së aplikimit.

Procedura për përzgjedhjen e kandidatëve, që do t’i nënshtrohen konkurrimit, do të ndiqen hapat e mëposhtëm: Dorëzimi i dokumentacionit nga aplikanti dhe dhënia e numrit të regjistrimit nga struktura vendore e burimeve njerëzore; Shqyrtimi i kritereve dhe dokumentacionit nga struktura vendore e burimeve njerëzore, nëse aplikanti plotëson kriteret e përcaktuara; Verifikimi paraprak i aplikantëve, për rekorde të mundshme kriminale; Njoftimi me shkrim nga struktura vendore i aplikantëve, që nuk plotësojnë kriteret për të vazhduar testimin; Dërgimi në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore i listës emërore të aplikantëve, që plotësojnë kriteret e përcaktuara; Hartimi i listës përfundimtare të aplikantëve, që plotësojnë kriteret dhe caktimi i kodit për çdo aplikant nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore;

Pajisja e çdo aplikanti me formularin e pranimit dhe numrin personal nga strukturat vendore të burimeve njerëzore; Publikimi në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe në media për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të konkurrimit, si dhe listën e kandidatëve që kualifikohen për të konkurruar; Procesi i apelimit; Konkurrimi.

Shqyrtimi i dokumentacionit dhe procesi i ankimimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve. Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet duke u njoftuar me shkrim nga struktura e burimeve njerëzore.

Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.

Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme të konkurrimit: Testimi me shkrim; Testimi i aftësive fizike; Intervistë me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit; Testimi psikologjik; Kontrolli shëndetësor; Marrja e shenjave të gishtave; Verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Strukturat e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë do t’u japin të gjithë aplikantëve formularin e aplikimit, informacionin e nevojshëm për procedurat, kërkesat dhe çdo lloj testimi e verifikimi, si dhe për ushtrimin e të drejtës së apelimit.

TĂ« gjithĂ« aplikantĂ«t, pĂ«r çdo paqartĂ«si qĂ« mund tĂ« kenĂ« lidhur me kĂ«tĂ« proces, mund tĂ« drejtohen pranĂ« strukturave tĂ« Burimeve NjerĂ«zore nĂ« DrejtoritĂ« Vendore tĂ« PolicisĂ« ose pranĂ« DrejtorisĂ« sĂ« Burimeve NjerĂ«zore nĂ« DrejtorinĂ« e PolicisĂ« sĂ« Shtetit. Po ashtu, mund t’i parashtrojnĂ« pyetjet apo shqetĂ«simet e tyre dhe me e-mail nĂ« adresĂ«n: [email protected]

Çdo material i nevojshëm për procesin e aplikimit, është i pasqyruar në faqen e internetit të Policisë së Shtetit www.asp.gov.al në rubrikën Akademia e Sigurisë – “Si mund të bëhesh punonjës policie”./atsh

Hapen aplikimet për shkollën bazë të policisë Read More »