Lajmi i fundit

Majko në Samitin e Grave të Biznesit: Rrjet bashkëpunimi mes tyre, protagoniste brenda dhe jashtë vendit

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi sot se “gratë janë motori kryesor i ekonomisë shqiptare, si konsumatore, menaxhere dhe drejtuese”.

Në fjalën e mbajtur në Samitin e Grave të Biznesit, Majko tha se “takimi i sotëm është një pohim jo vetëm ekonomik, por edhe social sa i përket shoqërisë sonë”.

“Organizimi i sotëm kërkon të nxisë trajtimin e cilësisë së sipërmarrjes së grave në diasporë”, shtoi ai.

Majko u shpreh se “për herë të parë, në vitin 2013 në raportet ndërkombëtare filloi të vlerësohej ndikimi i grave si sipërmarrëse në ritmin e ekonomisë botërore”. “Sot, sipas raporteve serioze të publikuara në vitin 2019, janë afërsisht 252 milionë gra sipërmarrëse në mbarë botën, nga të cilat 153 milionë drejtojnë sipërmarrje të konsoliduara. Këto janë shifra që tregojnë shumë”, tha ai.

Ministri theksoi se “në Shqipëri, bizneset e vogla dhe të mesme, përbëjnë bazën e ekonomisë kombëtare”. “Rreth 28% e tyre janë sipërmarrje që kanë protagoniste gratë. Shqipëria është ende larg mesatares së Bankës Botërore, por ecuria në vazhdim është pozitive. Jashtë këtij procesi nuk mund të shmanget e pashmangshmja: cilësia e grave të biznesit nga komunitetet shqiptare në diasporë”, shtoi ai.

Majko vlerësoi se “aktiviteti i sotëm është pjesë e një procesi për të krijuar një rrjet bashkëpunimi të grave protagoniste brenda dhe jashtë vendit”.

“Organizmin e Samitit të Grave të Biznesit e konsideroj një fillim. Ai është modest për qëllimin që ka në vetvete dhe vlen të shikohet si një komunikim për kontributin dhe profesionalizmin brenda dhe jashtë vendit, realizuar me përkushtim nga gratë shqiptare. Janë të gjitha rrethanat që sasia të kthehet në cilësi. Ju i keni mundësitë dhe jeni në gjendje të ndërtoni një shoqëri shqiptare më të mirë”, theksoi Majko./atsh

Majko në Samitin e Grave të Biznesit: Rrjet bashkëpunimi mes tyre, protagoniste brenda dhe jashtë vendit Read More »

Ndërron jetë aktori i njohur Xhevdet Ferri/ Galeri e paharruar rolesh në skenë e ekran

U shua në moshën 59-vjeçare aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Xhevdet Ferri pas një sëmundjeje të rëndë. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë të paharrueshme për publikun që nga interpretimi në “Përrallë nga e kaluara” tek “Gjoleka, djali i Abazit” e në dhjetëra role të tjera të realizuara mjeshtërisht nga aktori.

Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960. Filmin e tij të parë e realizoi kur ishte akoma student. I fundit nga aktori do të mbahet mend roli në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit. Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të madhit, Robert Ndrenika.

Në vitin 1982, Xhevdet Ferri u diplomua në Akademinë e Arteve dega e Dramës dhe më pas u caktua pedagog i mjeshtërisë se aktorit në këtë Akademi. Vazhdoi karrierën akademike deri në detyrën si dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademie. Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër.

Pothuajse në të gjitha filmat ka qenë në rolin e protagonistit. Ai debutoi në vitin 1980 ne “Skëterre ’43” si Arjani dhe po atë vit në “Vëllezër dhe shokë” duke rënë në sy për rolin e Markos.

5 vjet më vonë, në vitin 1985 do të bëhej i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin e dytë të tij “Hije që mbeten pas”. Në mishërimin që i bëri figurës së Gorit në filmin tjetër “Dhe vjen një ditë”, me të cilin u nderua me medaljonin e festivalit, më 1986, bien në sy cilësi të tjera interpretative si: natyrshmëria, qetësia dhe thjeshtësia, shoqëruar nga karakteri i drejtpërdrejtë i të vepruarit.

Role të tjera të spikatura: Arjani në “Skëterrë ’43” (1980); Pali në “Besa e kuqe” (1982); Sandri në “Vendimi” (1984); Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987); Martini në “Treni niset në 7 pa pesë” (1988); Gjon Kadri në “Vitet e pritjes” (1990).

Me rolin e Sakos, në filmin “Dasma e Sakos” (1998), Xhevdet Ferri arriti sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit.

Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e rimarrë këtë detyrë në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar.

Në vitet 1996-1998 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga radhët e PD.

/atsh

Ndërron jetë aktori i njohur Xhevdet Ferri/ Galeri e paharruar rolesh në skenë e ekran Read More »

Shqipëria dëbon 2 diplomatë të Ambasadës së Iranit

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shpalli sot persona të padëshirueshëm dy përfaqësues diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi se “ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”.

“Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. /atsh

Shqipëria dëbon 2 diplomatë të Ambasadës së Iranit Read More »

Tërmet në veri të Kosovës, lëkundjet ndihen edhe në Prishtinë

Një tërmet me fuqi 4.28 ballë sipas shkallës Rihter ka goditur pjesën veriore të Kosovës.

Sipas ueb faqes MyEarthquake, tërmeti ka ndodhur në ora 17.32, me epiqendër në rajonin e Mitrovicës.

Dridhje toke janë hetuar edhe në Prishtinë. Thellësia e tërmetit ishte dhjetë kilometra./KosovaPress/

Tërmet në veri të Kosovës, lëkundjet ndihen edhe në Prishtinë Read More »

Ekstradohet shqiptari i parë drejt Anglisë

Është ekstraduar drejt Britanisë së Madhe 24-vjeçari shqiptar, Elton Sefa, i kërkuar nga autoritetet atje për vrasjen e një shtetasi britanik, duke shënuar rastin e parë të esktradimit nga Shqipëria drejt Anglisë, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së ndërsjelltë në 19 korrik të 2018-ës.

Ky arrestim u bë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Interpol Tiranën, autoritetet britanike dhe Ambasadën Britanike në Tiranë, si dhe është mbështetur në Konventën Europiane të Ekstradimit të vitit 1957.

Policia e Shteti sqaron se “ekstradohet në Mbretërinë e Bashkuar shtetasi E. S., 24 vjeç, banues në Durrës. Ekstradimi i këtij shtetasi është bazuar në urdhrin që mban datën 05.01.2018, të Gjykatës së Magjistratëve në Westminster, Mbretëri e Bashkuar, pasi nga kjo Gjykatë është caktuar masë sigurimi “Arrest në burg “ për këtë shtetas, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga legjislacioni penal britanik”.

“Ky shtetas ka bërë rekurs ndaj vendimit të lejimit të ekstradimit në shtetin britanik, por Kolegji Penal ka rrëzuar kërkesën e tij dhe është lejuar ekstradimi drejt Mbretërisë së Bashkuar”, shpjegon Policia e Shtetit. /atsh

Ekstradohet shqiptari i parë drejt Anglisë Read More »

Shqipëri-Itali, bashkëpunime në fushën e trashëgimisë kulturore, kinematografi dhe artet pamore

Shqipëria dhe Italia do të forcojnë më tej bashkëpunimin në fushën e kulturës.

Kështu u deklarua gjatë një takimi që ministrja e Kulturës, Elva Margariti, zhvilloi në Tiranë me zëvendësministren italiane të Kulturës, Anna Laura Orico.

“Kënaqësi që ndanim të njëjtin mendim mbi ruajtjen e identitetit kulturor, në hapësirën që na bashkon, në Mesdhe. Pata mundësi të takoja në Tiranë zëvendësministren italiane të Kulturës, Anna Laura Orico, ku diskutuam mbi bashkëpunime të ardhshme në fushën e trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale, si edhe projekte të përbashkëta në kinematografi, apo për sa i përket fushës së arteve pamore, operistikës dhe librit”, shprehet Margariti./atsh

Shqipëri-Itali, bashkëpunime në fushën e trashëgimisë kulturore, kinematografi dhe artet pamore Read More »

Policia shumë herë më e mirëpaguar se dje, për herë të parë në 30 vite forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre

Policia e Shtetit sot është shumë herë më e mirëpaguar se dje dhe për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk është trysnuar nga urdhrat nga lart, në kundërshtim me ligjin apo nga influenca të çdo lloj natyre”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në inaugurimin e repartit të ri të forcave speciale RENEA, Rama theksoi se “për herë të parë në 30 vite, forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre”.

Kryeministri vlerësoi Policinë e Shtetit, përtej të gjithë vështirësisë së jashtëzakonshme në të cilën u vunë si rezultat i provokimeve nga palët demonstruese.

“Në 6 muajt marramendës të protestave të dhunshme të opozitës, u shfaq në sytë e opinionit publik vendas dhe atij të interesuar jashtë Shqipërisë, fytyra e një Policie Shteti profesionale dhe proporcionale në raport me protestën”, – deklaroi Rama.

Rama tha se “vitin e shkuar vijoi procesi i përafrimit të standardeve me policitë simotra të vendeve europiane”.

“U hap rruga për herë të parë në Policinë e Shtetit për studentët ekselentë dhe u forcua më tutje struktura e bazuar në meritokracinë në provesin e rritjes në detyrë në Policinë e Shtetit. U zbatuan për herë të parë metoda të reja kundër krimit, përfshi edhe krimin kibernetik, siç vërteton edhe progresraporti i 2019. U rrit niveli i respektimit të të drejtave të njeriut”, – tha Rama.

Duke u ndalur te investimet në Policinë e Shtetit, Rama tha se “vazhdoi rinovimi i flotës së automjeteve dhe sot nuk ka pikë diskutimi që në çdo aspekt Policia e Shtetit është në ditën e saj më të mirë krahasuar me çdo ditë të djeshme”. “Por nuk ka pikë diskutimi se krahasuar me të nesërmen nuk mjafton”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Policia e Shtetit po kryen dhe një proces pastrimi, përmes një vetingu që po ecën me të gjithë kujdesin dhe domosdoshmërinë e nevojshme”.

“Nuk kemi bërë sa kemi dashur për shpërblimin e Policisë së Shtetit, por kemi bërë sa kemi mundur sot. Sot, Policia e Shtetit është shumë herë më e mirëpaguar se dje. Kemi respektuar maksimalisht autoritetin e Policisë së Shtetit, autoritetet drejtuese të saj që për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk janë të trysnuar nga urdhrat nga lart, në kundërshtim me ligjin, apo nga influenca të çdolloj natyre. Apo forcave speciale, që nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre, për herë të parë në 30 vite”, – tha Rama./atsh

Policia shumë herë më e mirëpaguar se dje, për herë të parë në 30 vite forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre Read More »

Rritje e forcës goditëse ndaj krimit në 2019, u sekuestruan mbi 60 milionë euro asete kriminale

“Vitin e kaluar u shpërbënë më shumë se dyfishi i grupeve kriminale krahasuar me 2018, u shumëfishuan asetet e sekuestruara dhe kishim mbi 60 milionë euro vetëm në 2019”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I pranishëm në inaugurimin e ambienteve të reja të repartit RENEA, Rama tha se u rrit ndjeshëm forca goditëse ndaj të gjitha veprave të rënda apo më pak të rënda penale.

“Lamë pas një vit domethënës për Policinë e Shtetit, tejet i komplikuar dhe në njëfarë mënyre i pakrahasueshëm me asnjë vit tjetër, gjatë së cilit të gjithë treguesit kryesorë të kriminalitetit dhe veprave të tjera penale njohën rënie. Është për të ardhur keq që në atmosferën e rënduar artificialisht nga disa drejtime dhe në kushtet e një xhungle informacioni krijohet hera-herës përshtypja tejet e gabuar mbi situatën e kriminalitetit në Shqipëri”, – tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “faktet flasin më së miri për rënien e vazhdueshme të treguesve kryesorë të kriminalitetit”.

“Nga ana tjetër, faktet flasin për një rritje domethënëse të zbulueshmërisë së krimeve nga Policia e Shtetit. Jemi të vetëdijshëm se lufta me krimin nuk mbaron asnjëherë dhe matet thjesht dhe vetëm me raportin e forcës përmes fakteve dhe shifrave mes shtetit dhe krimit. Ky raport në gjithë këto vite ka ardhur duke rritur forcën e shtetit dhe duke ulur forcën e krimit”, – tha Rama./atsh

Rritje e forcës goditëse ndaj krimit në 2019, u sekuestruan mbi 60 milionë euro asete kriminale Read More »