Lajmi i fundit

Kosovë/ Katër raste të reja të infektuar me koronavirus

IKSHPK ka njoftuar se sot në Kosovë janë konfirmuar edhe 4 raste të reja të infektuar me koronavirus.

“Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare. Të gjitha kontaktet janë të identifikuara”, njofton IKSHPK.

Njoftimi i plotë:

Sot me 21.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 30 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe katër prej tyre janë pozitive.

Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare Të gjitha kontaktet janë të identifikuara.

Nga data 08.02.2020 deri me 21.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 447 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e tetë raste kanë rezultuar pozitive.

Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 3.319 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 350 thirrje telefonike.

Nga data 01.02.2020 deri me 21.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 15.775 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 5.110, Vërmicë 4.207, Jarinje 1.102, Dheu i Bardhë 985, Hani i Elezit 1.699, Kullë 960, Qafë Morinë 47, Bërnjak 462, Qafë Prush 35, Muçibabë 152 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 21 mars 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 276.996 raste të COVID-19 me 11.419 raste të vdekjes. Numri më madhi rasteve raportohet nga Kina (81.008), Italia (47.021), Irani (18.407), Spanjë (21.574), Gjermani (19.848), SHBA (19.774), Iran (19.644), Francë (12.612), Zvicër (5.615), Mbretëri të Bashkuar (3.983), Holandë (2.994), Austria (2.666), Belgjikë (2.257), Turqi (670), Greqi (495), Slloveni (341), Serbi (149), Kroaci (130), Shqipëri (70), Maqedoni e veriut (76).

Deri me 21 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar 6.136 raste të vdekjes: Itali (4.032), Spanjë (1.093), Francë (450), Mbretëri të Bashkuar (177), Gjermani (68), Belgjikë (37), Greqi (10), Turqi (9), Danimarkë (9), Poloni (5), Austri (6), Luksemburg (5), Bullgari (3), Shqipëri (2), Serbi (1), Kroaci (1) dhe Slloveni (1).

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome./KosovaPress

Kosovë/ Katër raste të reja të infektuar me koronavirus Read More »

Masat shtrënguese ndaj COVID-19/ Tirana siç nuk ka qenë kurrë në jetë të jetëve nën dritën e diellit

Kryeministri Edi Rama ka postuar pamje nga zona të ndryshme në kryeqytet të cilat janë boshatisur nga qytetarët si asnjëherë tjetër.

Rama shprehet se “Tirana siç nuk ka qenë kurrë në jetë të jetëve nën dritën e diellit”.

Më herët, si masë për frenimin e COVID-19 u kufizua lëvizja për qytetarët dhe nga e shtuna, ora 13:00, deri të hënën, ora 05:00, të gjithë do të qëndrojnë në shtëpi.

Qytetarët u janë përgjigjur masave të marrë nga qeveria për të parandaluar COVID-19./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1089999188034606/?t=0

Masat shtrënguese ndaj COVID-19/ Tirana siç nuk ka qenë kurrë në jetë të jetëve nën dritën e diellit Read More »

Për 5 javë/ 50% më shumë internet falas, akses falas në çdo platformë edukative online

Kryeministri Edi Rama informoi sot se “do të ofrohet 50% internet mobil falas më shumë, për 5 javë nga të tre operatorët”.

“Në kushtet kur shumica e qytetarëve po ushtrojnë një pjesë të veprimtarisë së tyre online dhe po bëhet një përpjekje e madhe për të mos ndërprerë falë opsioneve online mësimdhënien për nxënësit e shkollave, përmes AKEP kemi inkurajuar fuqishëm operatorët, sipërmarrësit dhe ata që janë të angazhuar në rrjetet e shërbimeve elektronike të ofrojnë për pajtimtarët mundësi shfrytëzimi maksimal dhe cilësor të internetit me kushte financiare sa më të favorshme, duke pasur posaçërisht në vëmendje mbarëvajtjen teknike dhe qëndrueshmërinë e vetë rrjeteve”, tha Rama.

Kryeministri tha se edhe pas testeve teknike të domosdoshme që janë bërë nga operatorët e sipërmarrësit dhe janë koordinuar në vendimmarrje dhe bashkëpunim me kompanitë celulare lidhur me oferta që do të jenë të vlefshme, nga nesër deri në fund të muajit prill 2020 do të ofrohen:

50% më shumë internet falas për një periudhë 5 javore
Akses falas në internet në çdo platformë edukative përfshirë edhe RTSH-së, kanalin që mbulon shkollën, pa kufizim.
Mundësi për abonentë të fiksit për të pasur akses në paltforma edukative interaktive për fëmijë të çdo moshe 60% më lirë krahasimisht me ofertën normale.
Zgjatje e ofertave për internetin fiks dhe televizor nga ABCOM, të ofertës familjare 3+1 me përmbajtje gratis për fëmijët.
Ofertë për 1 muaj gratis për çdo paketë të re abonimi internet nga Albtelekom. Çdo paketë e re që do të blihet dhe kontratë e re do të ketë të përfshira ofertat e sipërpërmendura./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2625998364286573/?t=0

Për 5 javë/ 50% më shumë internet falas, akses falas në çdo platformë edukative online Read More »

Plani 7-pikësh: 100 milionë dollarë garanci për pagat, 65 milionë për shtresat në nevojë

Kryeministri Edi Rama publikoi sot planin ekonomik të qeverisë për përballimin e situatës së COVID-19.

“Plani ynë për adresimin e nevojat për financimin të atyre që janë prekur drejtpërdrejt në ekonominë e tyre të përmuajshme ka 7 pika”, – theksoi Rama.

Plani ekonomik:

1- 2.5 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë për luftën në vijën e zjarrit që vihet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë për pajisje e materiale shëndetësore apo mbështetje të të gjithë personelit të angazhuar mjekësor.

2- 10 miliardë lekë ose 100 milionë dollarë përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve të tyre.

3- 6.5 miliardë lekë ose 65 milionë dollarë për nevojat më imediate; për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës.

4- 2 miliardë ose 20 milionë dollarë që vijnë në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin humanitar.

5- 1 miliard lekë ose 10 milionë dollarë si fond rezervë për Këshillin e Ministrave për çdo urgjencë të paparashikuar.

6- Do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë ose 150 milionë dollarë dhe nga kjo masë do të përfitojnë 211 024 abonentë.

7- Do të riskedulojmë në 6-mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim tatim fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2-14 milionë lekë, ose nga 20-140 mijë dollarë xhiro.

Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtë për drejtë.
Nesër, datë 20.03.2020, ky plan do të hyjë në fuqi si Akti Normativ i ndryshimeve në Buxhetin 2020./atsh

Plani 7-pikësh: 100 milionë dollarë garanci për pagat, 65 milionë për shtresat në nevojë Read More »

Urgjent-Njoftim shumë i rëndësishëm për banorët e zonës nga Qendra Shëndetësore Orikum

Nje njoftim shume i rendesishem eshte bere nga Qendra Shendetesore Orikum. Ne nje postim ne faqen zyrtare ne facebook Qendra Shendetesore ka njoftuar nje zgjidhje te mire per marrjen e kodeve te ilaceve per pacientet kronik te cilet pajisen me receta mujore.

Pacientet kronik nuk do jene te detyruar te dalin nga shtepite per te marre kodin e ilaceve por ata mund te kontaktojne mjekun e familjes. Qendra Shendetesore ka vendosur ne dispozicion kater numra telefoni te mjekeve te familjes dhe cdo banore, ose familjare mund te kontaktojne mjekun e familjes dhe nepermjet telefonit, mesazhit apo whatsapp mund te marrin kodet e tyre dhe te sigurojne ilacet ne farmaci per prinderit, pensionistet, te afermit etj.

POSTIMI I QENDRES DHENDETESORE:

Mbroni veten, mbroni dhe stafin tonë!
Pacientët kronik kodin për recetën mujore do e merni me telefon, mos nguroni telefononi mjekun tuaj të familjes!

Na tregoni nëse vini nga vendet e prekura nga Coronavirus apo keni dyshime se keni pasur kontakt me persona të infektuar!
Ta luftojmë së bashku!

Numrat e telefonit i gjeni me poshte: 

Urgjent-Njoftim shumë i rëndësishëm për banorët e zonës nga Qendra Shëndetësore Orikum Read More »

Nuk ka dëshmi se kafshët mund ta përcjellin COVID-19 tek njerëzit

Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO) deklaroi se nuk ka dëshmi për përfshirjen e kafshëve në përhapjen e koronavirusit dhe nuk ka nevojë të ndërmerren masa që mund ta rrezikojnë mirëqenien e kafshëve.

FAO bën thirrje që duhet të ndiqen praktikat e zakonshme të higjienës me larjen e duarve para dhe pas kontaktit me ta ose gjatë ushqyerjes së gjedhëve dhe shpendëve, përfshirë edhe përdorimin e kujdesshëm të mishit të kafshëve të egra, në pajtim me praktikën e mirë dhe normale.

”Nga fillimi i përhapjes globale të koronavirusit COVID-19, FAO bashkëpunon me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE) për mbështetjen e vendeve anëtare në identifikimin e bartësve potencial të këtij virusi tek kafshët dhe parandalimin e bartjes tek njerëzit”, deklaroi FAO.

“Në këtë moment, megjithatë, rreziku më i madh nga përhapja e COVID-19 është bartja nga njeriu tek njeriu, dhe OBSH është burim kompetent dhe primar i informacioneve lidhur me aspektet shëndetësore të njerëzve”, theksoi FAO. /atsh

Nuk ka dëshmi se kafshët mund ta përcjellin COVID-19 tek njerëzit Read More »

Firmoset masa/ Lëvizja e këmbësorëve në zonat urbane vetëm në fashat 06:00-10:00 dhe 16:00-18:00

Në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu firmosi urdhrin për ndryshimin e fashave të orareve kur lejohet qarkullimi i këmbësorëve.

Sipas këtij urdhri të sotëm lejohet lëvizja e këmbësorëve në zonat urbane vetëm në fashat 06:00-10:00 dhe 16:00-18:00. Përgjatë kësaj fashe personat që qarkullojnë duhet të jenë të pashoqëruar në krah.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë personat e pajisur me autorizim nga organet kompetente dhe rastet e një emergjence shëndetësore apo shoqëruesit për të sëmurët që marrin shërbim në spital./atsh

Firmoset masa/ Lëvizja e këmbësorëve në zonat urbane vetëm në fashat 06:00-10:00 dhe 16:00-18:00 Read More »

Basha: Masat shtrënguese, të domosdoshme për ngadalësimin e përhapjes së COVID-19

“Masat shtrënguese janë të domosdoshme për ngadalësimin e përhapjes së COVID-19”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në një intervistë televizive, ndërsa theksoi se duhen marrë masa për kujdesin social, për njerëzit në moshë, për njerëzit e sëmurë, për ata në pamundësi ekonomike.

Pyetjes si e vlerësoni situatën dhe masat shtrënguese të marra nga qeveria në kuadër të mospërhapjes së COVID-2019, Basha tha se “rreziku që u kanoset shqiptarëve është në fakt një rrezik zinxhir. Fillon me përballimin e pandemisë, ku masa kryesore është distancimi social, të cilën padyshim e kemi mbështetur, e kemi kërkuar shumë më përpara. Më mirë vonë se sa kurrë. Nuk dua të bëj sot asnjë aludim për një debat politik, sepse sot nuk është një çështje midis meje dhe zotit Rama apo mes opozitës dhe qeverisë”.

“Sot çështja kryesore dhe e vetme që më preokupon mua, PD dhe opozitën, është shëndeti, siguria, është mirëqenia e shqiptarëve. Mënyra më e mirë e njohur deri tani është distancimi social, kufizimi i aktiviteteve në grup, por padyshim ky është fillimi i një zinxhiri pasojash, sepse kjo shkakton pasoja në ekonominë e vendit në tërësi dhe në ekonominë individuale të familjeve. Atë që jemi përpjekur këto ditë të bëjmë, është të fokusohemi në dy drejtime kryesore: shëndetin që nis me personelin shëndetësor, ku siguria e tyre është kyçe për të garantuar sigurinë e popullsisë. Mbrojtja e tyre është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e të gjithëve pastaj. Komponenti i dytë është ekonomia për të zbutur sadopak pasojat në menaxhimin e ekonomisë”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen se a janë të mjaftueshme masat shtrënguese të marra nga qeveria, Basha tha: “Qëndrimin tonë e kemi shprehur. Ne besojmë se ato ndërmarrje ku distancimi social është i pamundur apo i vështirë, duhet të procedohet me mbylljen e tyre.

“Ky nuk është vetëm konkluzion i ekspertëve tanë, por është edhe një kërkesë e përfaqësuesve të këtyre bizneseve, me të cilët kam qenë në kontakt gjatë gjithë kësaj kohe. Me përfaqësues të biznesit fason, call center, dhomat e tregtisë, ku ka një shqetësim të madh për pamundësinë reale të distancimit social atje. Mbyllja e tyre ka qenë një nga kërkesat që ne e kemi mbështetur. Përkundër masave shtrënguese, frikësuese apo represive, nganjëherë edhe kontradiktore, për të cilat ne do të kërkojmë llogari, por jo sot, në kohën e duhur, sepse sot nuk është koha për të treguar me gisht. Masat që kërkojmë ne janë masa përmbajtësore, jo në formë, janë masa zgjidhje dhe menaxhimi”, tha ai.

Po ashtu Basha thekson se “filozofia jonë është zgjidhja – menaxhimi i krizës, nuk është propaganda. Këtu spikasin propozimet tona për kujdesin social, për njerëzit në moshë, për njerëzit e sëmurë, për ata në pamundësi ekonomike. Propozimet tona për kujdesin shëndetësor dhe kujdesin ekonomik, sepse zinxhiri i rrezikut nis me shëndetësinë dhe i përcillet ekonomisë, ekonomisë kombëtare dhe asaj familjare”./atsh

Basha: Masat shtrënguese, të domosdoshme për ngadalësimin e përhapjes së COVID-19 Read More »