Lajmi i fundit

Baret dhe restorante hapin nesër dyert, protokolli i masave që duhet të zbatojnë

Baret dhe restorantet hapin nesër dyert, pas dy muajsh të mbyllura, për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria për të frenuar përhapjen e infeksionit COVID-19.

Në platformën e-Albania është publikuar protokolli i masave që do të zbatohen në bare dhe restorante gjatë kësaj faze dinamike të pandemisë COVID-19.

Në protokollin e publikuar përcaktohet që sipas rastit administratori/personi fizik tregtar/personi përgjegjës i autorizuar kryen çdo ditë vetëvlerësimin personal dhe vlerësimin për prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar.

Në rast të simptomave, protokolli përcakton se nuk duhet lejuar në asnjë rast vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127.

Nëse personi shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ky person duhet të njoftojë menjëherë mjekun e familjes. Asnjë person me temperaturë mbi 37,5 gradë Celsius nuk duhet të lejohet të hyjë në subjekt.

Për çdo rast personi përgjegjës lajmëron menjëherë strukturat përkatëse, veçanërisht njësinë vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Pavarësisht sa më sipër, personat e punësuar kryejnë çdo ditë vetëvlerësimin personal nëse kanë simptoma të COVID-19 sipas çeklistës së miratuar. Në rast të simptomave personi duhet të njoftojë menjëherë 127-ën dhe personin përgjegjës.

Çdo punonjës i bar-kafesë ose restorantit është i detyruar të deklarojë ndaj personit përgjegjës nëse ka patur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Çdo punonjës i bar-kafesë ose restorantit që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë nuk duhet të paraqitet në punë dhe duhet të lajmërojë menjëherë subjektin pronar. Punonjësi duhet të telefonojë 127-n dhe mjekun e familjes.

Subjekti i bar-kafesë ose restorantit lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar nga dispozitat ligjore.

Rekomandohet sa më shumë shërbim shërbim taksi (delivery) në adresë dhe mundësia e blerjes online/telefon.

Vajtja dhe ardhja në punë në këmbë kryhet duke ruajtur distancën 2 metra dhe jo duke krijuar grupime. Për lëvizjen me automjet të zbatohen masat e publikuara nga Policia e Shtetit.

Subjekti bar-kafe ose restorant, duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment, sapun, letër për pastrimin e duarve, maskat, dorezat dhe dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve si dhe kosha plehrash të mbyllur të cilët duhen pastruar çdo ditë.

Në hyrje subjekti bar-kafe ose restorant, duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve për klientët dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre.

Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60% alkool. Personeli i punësuar duhet të përdorë në çdo moment dorezat mbrojtëse dhe maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të sigurojë higjienë korrekte të larjes së duarve.

Punonjësit duhet të kryejnë higjienën e duarve rregullisht me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda. Mund të përdoret një higjienizues për duart me bazë alkooli që përmban të paktën 60% alkool, por ky proces nuk është zëvendësues për pastrimin e duarve me ujë dhe sapun.

Higjiena e duarve duhet të përfshijë këto momente të rëndësishme: para, gjatë dhe pas përgatitjes së ushqimit; pas përdorimit të tualetit; pasi të keni kryer pastrimin e hundëve, pas kollitjes ose teshtitjes; pasi të keni veshur, prekur ose hequr maskën apo mbrojtësen e fytyrës; para dhe pas ndërrimit të punës dhe në mënyrë periodike përgjatë punës; para dhe pas ndërprerjes së punës; pas prekjes së parave ose sendeve që janë trajtuar nga klientët, siç janë qeset ushqimore me një përdorim; para se të vishni dhe hiqni dorezat me një përdorim; të mos prekni sytë, hundën ose gojën; kollitja dhe teshtitja kryhen duke përdorur bryllin apo letër hundësh. Letra hidhet menjëherë në kosh.

Klienti dezinfekton duart në hyrje dhe dalje nga bari ose restoranti me higjienizues me nivel përmbajtje alkooli 60% të vënë në dispozicion nga subjekti.

Subjekti bar apo restorant duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 1,5 metra midis personelit të punësuar dhe këtyre të fundit e klientëve.

Rekomandohet shmangia e parasë “cash” dhe ofrimi i shërbimeve me kartë krediti. Punonjësit e arkës dezinfektojnë duart pas çdo veprimi me “cash”. Nëse pagesa bëhet në arkë subjekti i bar – kafesë ose restorantit duhet të vendosë xham mbrojtës (pleksiglas) midis punonjësit dhe klientit. Punonjësit e shërbimit bar kafe ose restorant nuk duhet të prekin fytyrën, sytë apo maskën pasi të shkëmbejnë para në formatin letër apo monedhë. Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta përfshirë përshëndetjet.

Subjekti bar – kafe ose restorant duhet të vendosë në sipërfaqen e ambientit të hapur tavolinat, në atë mënyrë, që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1 m larg, e për rrjedhojë, klientët ta shohin përballë njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 2 m.

Subjekti bar-kafe ose restorant për të ruajtur distancimin fizik me klientët duhet të sigurojë një korridor të dedikuar për klientët deri në nivelin e arkës dhe një korridor për daljen nga ambienti.

Subjekti bar – kafe ose restorant duhet të vendosë shenjat vizuale në dysheme, shirita me ngjyra, ose shenja për t’u treguar klientëve respektimin e distancës fizike.

Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të vlerësojë uljen e orarit të punës për të kryer pastrimin dhe dezinfektimin mjedisor në mënyrë sistematike.
Personat e tretë si furnizuesit dhe shpërndarësit të lejohen vetëm të pajisur me maska dhe doreza mbrojtëse dhe më pas te kryhet dezinfektimi i duarve.
Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të sigurojë pastrimin dhe dezinfektimin e sipërfaqeve me nivel të lartë prekje të shpeshta, si: dorezat e dyerve, tavolinat, tabaka shërbimi dhe banakët e lokaleve.

Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes të paktën 2 herë në ditë. Sipërfaqet e papastra lahen fillimisht me ujë dhe sapun e më pas dezinfektohen me produktet e tjera. Produktet përdoren nga prodhuesi/shitësi në përputhje me udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Punonjësit gjatë punës apo ndërrimit të turneve nuk duhet të përdorin mjetet apo vendin e punës së kolegëve pa kryer dezinfektimin. Subjekti duhet të afishojë posterin informues mbi uljen e riskut të COVID-19 sipas formatit të miratuar.

Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të afishojë deklaratën për zbatimin e protokollit për subjektet, sipas formatit të miratuar ku përfshihet detyrimi për vetëvlerësim të simptomave nga personeli i punësuar/administratori/ çdo person tjetër palë e tretë, që hyn e del në ambientet e brendshme sipas formatit të miratuar ku përmendet përgjegjësia administrative apo penale për personin që nuk merr masat sipas detyrimeve ligjore dhe numri jeshil për denoncim.

Subjekti bar-kafe ose restorant të afishojë të plotë protokollin sipas tekstit të miratuar. Materialet e mësipërme afishohen në hyrje të subjektit si dhe në vende të dukshme në brendësi të subjektit bar-kafe ose restorant./atsh

Baret dhe restorante hapin nesër dyert, protokolli i masave që duhet të zbatojnë Read More »

Nga zgjatja e orarit në “zonat e kuqe”, deri te heqja e autorizimeve të lëvizjes, Rama publikon masat lehtësuese

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se edhe Fieri tashmë do jetë në “zonat e gjelbra” dhe nga nesër këto zona nuk do kenë kufizim orari.

“Nga nesër për javën në vazhdim, në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë Fieri kthehet në ‘zonë e gjelbër’. Hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në ‘zonat e gjelbra’. Fasha orare e lëvizjes në ‘zonat e kuqe’ zgjatet deri në orën 21:00. Hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve”, – tha Rama.

“Vazhdon të jetë e ndaluar hyrje-dalja e automjeteve në ‘zonat e kuqe’. Qeveria do të ndryshojë nesër Aktin Normativ për heqjen e ndalesës së studiove televizive për të ftuar jo më shumë se një person. Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2 m nga njëri-tjetri”, – shprehet Rama.

“Miq, me heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu! Ju lutem bëni më të mirën tuaj, si deri tani, dhe kujdes në mënyrën më të veçantë më të moshuarit e të sëmurët në familjet tuaja, të cilët duhet të vetëkufizojnë daljet maksimalisht”, – thekson Rama.

“Masa 14-ditore për të vetëkarantinuarit nuk ndryshon dhe shkelja e saj ndëshkohet nga ligji dhe Kodi Penal”, – përfundoi Kryeministri./atsh

Nga zgjatja e orarit në “zonat e kuqe”, deri te heqja e autorizimeve të lëvizjes, Rama publikon masat lehtësuese Read More »

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, Policia e Shtetit apelon qyetarët të shmnagin përplajsen me forcat e rendit që janë në krye të detyrës

Policia e Shtetit bën të ditur se “me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit janë në mbështetje të aksionit të nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij”.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit deklaron se gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

Më tej, informohet se Policia e Shtetit po vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.

“Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politikë, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19. Mosrespektimi i distancës sociale rrezikon gjithë përpjekjen disa javore të gjithë qytetarëve, të cilët kanë respektuar me rigorozitet udhëzimet”, citohet deklarata e Policisë.

Gjithashtu, Policia apelon fort për këdo që të shmangë përplasjen me forcat e rendit që janë në krye të detyrës.

Sipas Policisë, në spitalin e traumës një punonjës policie është duke marrë ndihmë mjekësore, pasi është goditur me sende të forta nga tubuesit./atsh

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, Policia e Shtetit apelon qyetarët të shmnagin përplajsen me forcat e rendit që janë në krye të detyrës Read More »

Gjithçka e hapur nga e hëna veç transportit publik, ISHP apel qytetarëve: Zbatoni masat dhe shmangni daljet e panevojshme

Nga e hëna të gjitha aktivitetet në vend do të jenë të hapura, përveç transportit publik, si dhe aktiviteteve social-kulturore e sportive në ambiente të mbyllura.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në këto kushte u bën thirrje qytetarëve të vijojnë me zbatimin me rigorozitet të masave për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

“Në këtë situatë të lehtësimit të masave, kemi rritur vigjilencën për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID-19 si dhe kontakteve të tyre, në mënyrë që situata të vazhdojë të mbahet në kontroll. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdoni të respektoni distancimin fizik dhe të mbani higjienën personale”, bën të ditur ISHP-ja.

ISHP gjithashtu këshillon qytetarët që të shmangen sa më shumë daljen e panevojshme dhe nëse kanë mundësi të bëjnë furnizimet e pazareve për një javë në mënyrë që të shmangen kontaktet dhe grumbullimet në markete e tregje, ndërsa distancimi fizik prej të paktën 1 metër duhet të jetë gjithmonë i pranishëm.

Të hënën në mbarë vendin do të lejohet edhe hapja e bareve dhe restorante pas 2 muajsh të mbyllura, ndërsa subjektet janë njohur edhe me protokollet për parandalimin e infeksionit.

Autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të rrepta për zbatimin e këtyre protokolleve. /atsh

Gjithçka e hapur nga e hëna veç transportit publik, ISHP apel qytetarëve: Zbatoni masat dhe shmangni daljet e panevojshme Read More »

Hapja e muzeve, këngëtari lirik Gëzim Myshketa, mesazh shqiptarëve për t’i vizituar

Edhe dy ditë na ndajnë nga hapja e muzeve dhe parqeve arkeologjike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shpërndarë një video të këngëtarit lirik shqiptar me famë botërore, Gëzim Myshketa, i cili përcjell mesazhin e tij nga larg, duke i ftuar të gjithë të shkojnë në muze.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Myshketa i bën thirrje bashkatdhetarëve të tij të vizitojnë parqet arkeologjike dhe vendet historike, të cilat do të hapen pas dy ditëve pikërisht më 18 maj.

“Unë nuk dua t’ju flas sot nëpërmjet muzikës, por t’ju jap një mesazh dhe të përpiqemi të dashur miq që në këtë periudhë, sipas mundësive, të vizitojmë parqet tona arkeologjike, vlerat tona muzeale, vendet tona historike të cilat fatmirësisht, falë Zotit dhe trashëgimisë tonë të jashtëzakonshme që të parët tanë na kanë lënë, i kemi me tepricë në atdheun tonë”, shprehet këngëtari lirik në videon e publikuar nga ministrja e Kulturës.

Gjatë periudhës së karantinës, Gëzim Myshketa i ka qëndruar pranë publikut duke i ofruar nga rrjetet sociale interpretim të disa prej kryeveprave të muzikës shqiptare, midis të cilave këngën “Baresha” nga Nexhmije Pagarusha, “Valsi i Lumturisë” nga Vaçe Zela, “Jon” nga Ardit Gjebrea, etj./atsh

Hapja e muzeve, këngëtari lirik Gëzim Myshketa, mesazh shqiptarëve për t’i vizituar Read More »

Plazhet këtë vit, shumë më tepër publike sesa private

Plazhet këtë vit do të jenë shumë më tepër publike sesa private. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në përgjigje të interesit të qytetarëve lidhur me sezonin turistik.

Rama tha se “do të jemi shumë strikt me këtë, kjo e keqe që na ka zënë të gjithëve do të vijë me të mirën, që do ketë më shumë hapësirë për shqiptarët që të bëjnë plazh pa ju dal përpara njeri që “këtu është tokë e xanun”, por duke zgjedhur hapësirën në plazhin publik”.

“Patjetër që ku ka hotele do ketë plazhe private. Aty ku janë plazhe shumë të populluara do gjendet një zgjidhje e balancuar, por do ketë plazh pa salltanete të mëdha, pa ato shezlongë që s’të lënë të shohësh as rërën”, u shpreh Rama. /atsh

Plazhet këtë vit, shumë më tepër publike sesa private Read More »

Nga 11 maji qytetarët aplikim në e-Albania për pasaportë dhe kartë identiteti, procedura zgjat vetëm 2 minuta

Nga data 11 maj përmes platformës e-Albania qytetarët mund të aplikojnë për pajisjen me pasaportë dhe kartë identiteti.

Kryeministri Edi Rama publikoi një video ku shpjegoi se si qytetarët mund të aplikojnë.

Rama tha se qytetarët do të paraqiten vetëm një herë pranë zyrave, pasi formulari dhe rezervimi i takimit do të kryhen online dhe është një procedurë e thjeshtë, që zgjat vetëm 2 minuta.

“Në platformën e-Albania gjeni shërbimin: “aplikim i formularit për lëshim ose rinovim të pasaportës”. Në sms dhe e-mail ju vjen linku për të rezervuar datën dhe orën e takimit pranë zyrës aleat. Ju do të paraqiteni vetëm 1 herë pranë zyrave të aplikimit, pasi formulari dhe rezervimi i takimit do të kryhen online. Procedurë e thjeshtë, që zgjat vetëm 2 minuta. Ditën e takimit, ju duhet të keni me vete kuponin e ri për pasaportë apo kartë identiteti dhe dokumentet e vjetra, që duhet t’i dorëzoni në zyrat e aplikimit”, bëri të ditur Kryeministri Rama./atsh

Nga 11 maji qytetarët aplikim në e-Albania për pasaportë dhe kartë identiteti, procedura zgjat vetëm 2 minuta Read More »

Dukat – Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se u nda nga bashkëkrahinori ynë…

Me hidherim te thelle ju njoftojme se ne date 14 Maj 2020 nderroi jete bashkekrahinori yne Halim Hodo JEMINAJ.

Ceremonia e percjelljes per ne banesen e fundit u be sot ne date 15 Maj 2020 ne oren 13:00 ne fshatin DUKAT.

I shprehim ngushellimet tona familjes dhe te afermve.

I paharruar kujtimi tij

Dukat – Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se u nda nga bashkëkrahinori ynë… Read More »