Lajmi i fundit

40 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në “e-Albania” në dy muajt e fundit

Marrja e dokumenteve të pronësisë online do ndryshojë jetën industrisë së ndërtimit dhe qytetarëve, duke shkurtuar kohë në realizimin e procedurave.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj tha se “’e-Albania’ gjatë këtyre dy muajve të pandemisë ka larguar çdo hije skepticizmi, duke qenë pranë qytetarëve që u është dashur shërbim online”.

“Siç e thamë janë automatizuar shërbimet e kadastrës dhe ka 0 kontakt me punonjësit e Kadastrës e për rrjedhojë 0 korrupsion. Risi tani është fakti se çdo hije skepticizmi është shuar gjatë dy muajve të pandemisë, pasi kanë qenë të mbyllura shërbimet e Kadastrës dhe të ADISË-s. Ishin 40 000 qytetarë, që kanë marrë shërbime online dy muajt e fundit. Shifrat thonë se shërbimi më i kërkuar ka qenë kopja e kartelës së pasurisë, që është 70% i shërbimeve vjetore që Kadastra jep. Si merret ky shërbim? Merret lehtësisht. Klik në portal, pagesë minimaliste që realizohet dhe vjen me vulë elektronike, nëse është në bashkësinë e pasurive të digjitalizuara, përndryshe brenda afatit 7-21 ditë”, – tha Karçanaj.

“Vula elektronike rrit sigurinë e dokumentit që merr. Pasi nëse skanon barkodin, në ekran shfaqet kopja e vërtetë e dokumentit. Kjo do sjell lehtësi të jetës së qytetarëve dhe industrisë së ndërtimit, pasi do shkurtohet koha e të gjithë institucioneve vendore e qendrore, do ndryshojë sjellja e noterëve dhe tregu imobiliar, pasi do jenë shumë më të shpejtë në transaksionet e tyre të përditshme”, – theksoi Karçanaj. /atsh

40 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në “e-Albania” në dy muajt e fundit Read More »

Nuk zbatoi masat e marra ndaj COVID-19, policia gjobit Bashën

Policia e Durrësit deklaron se “ka konstatuar me shqetësim një aktivitet partiak të zhvilluar në mjedisin e mbyllur të një lokali, në kundërshtim me Aktin Normativ, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19”.

Policia sqaron se “ky aktivitet, që është publikuar gjerësisht sot edhe në media, ka imponuar procedimin administrativ, bazuar mbi Aktin Normativ”.

“Bazuar mbi Aktin Normativ, është marrë masë administrative 1 milionë lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A.H. Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe me tërheqje të lejes së drejtimit shtetasit pjesëmarrës në këtë aktivitet, L.B, F. Xh., A. M., R. G., A. B., V. N., E. H., A.B., D. B., J.M. dhe A.H.”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në “zonat e kuqe” që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe të distancimit social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojnë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.

Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore. /atsh

Nuk zbatoi masat e marra ndaj COVID-19, policia gjobit Bashën Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 18 raste të reja, shkon në 898 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se 24 orët e fundit janë identifikuar pozitivë me COVID-19, 18 raste te reja.

Ka shkuar në 898 numri i të prekurve me koronavirus në vend.

Dr. Eugena Tomini, eksperte e Institutit të Shëndetit Publik në përditësimin e situatës theksoi se në 24 orët të fundit janë testuar 191 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë.

“Pjesa më e madhe e tyre janë kontakte të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren. Rastet e 24 orëve të fundit janë të shpërndara si vijon: 11 raste në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe 1 në Durrës. Të shëruar janë 6 qytetarë”, u shpreh ajo.

Pavarësisht numrit të rasteve pozitive të identifikuara, situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, por që tregon qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë, ndërsa 77% e të prekurve tashmë janë të shëruar.

COVID-19 – Statistika (14 maj 2020)
Testime totale 11769
Testime molekulare 11239
Testime serologjike 530
Raste pozitive 898
Raste të shëruara 694
Raste Aktive 173
Humbje jete 31 (qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 81
Krujë 47
Shkodër 16
Kamëz 12
Fier 5
Berat 5
Elbasan 2
Durrës 2
Kurbin 1
Mirditë 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 18 raste të reja, shkon në 898 numri i të prekurve Read More »

Vlora, “zonë e gjelbër”/ Kryebashkiaku Leli: Ndihmuam rreth 2500 familje në nevojë

“Bashkëpunimi ynë me strukturat e tjera të pushtetit lokal, Policinë e Shtetit dhe ato qendrore kanë qenë për t’u lavdëruar dhe garancia e suksesit për të minimizuar rastet e COVID-19 në Vlorë. Sot kemi një Vlorë të gjelbër në një periudhë pandemie globale”.

Kështu u shpreh sot në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili theksoi se “falë këtij organizimi dhe përkushtimi të të gjithëve kemi arritur të kemi sot një Vlorë të gjelbër me pesë raste, që u evidentuan që në ditët e para dhe për të cilat u ndoqën protokollet hap pas hapi dhe në bashkëpunim të përkryer me sistemin shëndetësor”.

Për kryetarin Leli një nga sfidat më të mëdha ka qenë misioni humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë dhe të moshuarve.

“Është ndjekur çdo procedurë ligjore për të respektuar të gjithë ata njerëz që sipas VKM kishim detyrimin për t’i asistuar. Ditët e para kanë qenë ditë thirrjesh telefonike, që kalonin 1000 në ditë, të gjitha thirrjet janë vlerësuar. Janë trajtuar në total duke përfshirë ndihmën e ofruar nga bashkia e Vlorës dhe bizneset në Vlorë rreth 2500 familje, të cilat u asistuan në këto ditë të pandemisë COVID- 19”, – theksoi Leli.

Sipas tij, ishte një armatë me rreth 100 persona të ndara sipas njësive administrative të Vlorës për të qenë pranë këtyre njerëzve.

Sa i përket rifillimit të mësimit, Leli u shpreh se “kujdesi ynë ndaj njësive arsimore nuk ka ndaluar asnjë moment. Nga e hëna nis mësimi dhe ajo që jemi duke punuar fort është të vendosim të jemi të gjithë bashkë për të respektuar distancat për të minimizuar riskun e përhapjes së COVID 19”.

“Në vende të mbyllura rritet mundësia për përhapjen e virusit dhe duke krijuar hapësira të caktuara dhe për ventilimin dhe ajrosjen kjo mundësi minimizohet”, – shtoi Leli.

Kryebashkiaku Leli mbetet besimplotë dhe se në këtë sfidë do ia dalim të triumfojmë./atsh

Vlora, “zonë e gjelbër”/ Kryebashkiaku Leli: Ndihmuam rreth 2500 familje në nevojë Read More »

Tomini apel qytetarëve: Funksionimi i strategjisë së rihapjes varet vetëm nga ju

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë, ndërsa 77% e të prekurve tashmë janë të shëruar.

Dr. Eugena Tomini, eksperte e Institutit të Shëndetit Publik në përditësimin e situatës theksoi se në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër dhe Kamëz.

“Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Me pak se 11% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet COVID, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes”, u shpreh Tomini.

Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11769 testime, nga të cilat, 11239 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

“Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së rihapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll”, u shpreh Tomini.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes COVID-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, përfundoi ajo. /atsh

Tomini apel qytetarëve: Funksionimi i strategjisë së rihapjes varet vetëm nga ju Read More »

“Heqja e TVSH-së për jahtet”/ Klosi: Ngremë një industri të munguar në Shqipëri, krijojmë më shumë punësim

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në Kuvend se ligji për heqjen e TVSH-së për jahtet është një mekanizëm ekonomik që kërkon të ngrejë një industri të munguar në Shqipëri dhe të krijojë më shumë punësim.

Gjatë diskutimit në Kuvend lidhur me heqjen e TVSH-së për jahtet, Klosi tha se nga ky ligj nuk ka asnjë humbje në buxhetin e shtetit sepse kjo industri nuk ekziston në Shqipëri.

“Të flasësh për turizmin nuk mund të jetë vetëm turizmi i detit, i natyrës, i trashëgimisë natyrore, por duhet të ngremë një politikë të madhe që shfrytëzon çdo mundësi që ka ky vend dhe që sjell në vëmendje mundësi reale, më shumë punësim dhe mirëqenie”, tha Klosi.

Ai theksoi se turizmi është një industri që prodhon punësim dhe para dhe ka shumë degë të saj që duhet të marrin zhvillim.

Në këtë kuadër, Klosi tha se “vjen edhe kjo paketë ligjore që shoqërohet me dy ligje, me atë për turizmin detar dhe ky për heqjen e TVSH-së së jahteve”.

“Ky ligj ka nevojë të debatohet dhe të shikohet por që debati të kthehet se kush përfiton, është debati më i gabuar që i bëhet një politike të re ekonomike. Një debat si atëherë kur ulëm TVSH-në e hoteleve nga 20% e çuam në 6%, për ato hotele që sot janë mekanizëm i vërtetë në gjithë hapësirën turistike të vendit. Kështu debatuat dhe kur ndërtuam strategjinë e hoteleve me 4-5 yje, dhe sot kemi një sërë markash në hotelerinë shqiptare. Edhe për agroturizmin këtë debat bëtë”, kujtoi Klosi.

Klosi tha se “ne synojmë të bëhemi një vend atraksioni për një industri të re që duhet të ndërtohet në Shqipëri”.

“Kjo industri ekziston në të gjitha vendet e Mesdheut. Ne na duhet të ngremë një paketë lehtësirash fiskale që në Shqipëri të gjejmë vend për të ngritur një industri të re të detit për të hapur më shumë vende pune. Ka mbi 6 milionë mjete lundruese në Mesdhe, ndërsa në Shqipëri thuajse zero. Është një industri e munguar që do tentojmë fort ta krijojmë në vendin tonë për të sjellë ndryshimin e imazhit të Shqipërisë. Me jahte që nuk i përkasin shumë biznesmenëve shqiptare, por janë jahte europiane që kërkojnë të zhdoganohen në Shqipëri. /atsh

“Heqja e TVSH-së për jahtet”/ Klosi: Ngremë një industri të munguar në Shqipëri, krijojmë më shumë punësim Read More »

Gara për SPAK, më datë 18 maj intervistohen katër kandidatë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për prokuror në Prokurorinë e Posaçme, njofton se në datën 18 maj do të zhvillohen intervistat me kandidatët.

KLP njoftoi të enjten se intervistat zhvillohen “në zbatim të nenit 14, pika 3 të rregullores “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe do të zgjasin jo më shumë se 45 minuta për secilin kandidat”.

“Orari i zhvillimit të intervistave është si më poshtë: Dorina Bejko 10:00; Dritan Premçi 10:45; Sotir Kllapi 11:30; Vladimir Mara 12:15”, njoftoi KLP.

Kandidatët do të njoftohen nominalisht për orarin e zhvillimit të intervistës. /atsh

Gara për SPAK, më datë 18 maj intervistohen katër kandidatë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja nga 246 qytetarë të testuar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar pozitivë me COVID-19 vetëm 4 persona.

Dr Flutura Beqo, pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur se “situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin aktiviologjik në mënyrë aktive.

Në 24 orët të fundit janë testuar 246 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19.

“Në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitive 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë dhe 2 në Berat, mes të cilëve një grua shtatazënë ”, u shpreh Beqo.

Deri më sot janë konfirmuar pozitive me COVID-19 në të gjithë vendin 880 persona, 78% të të cilëve janë të shëruar.

Pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes COVID-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127./atsh

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja nga 246 qytetarë të testuar Read More »