Lajmi i fundit

Meta propozon për kreun e KLSH-së, Arben Shehun

Presidenti Ilir Meta i ka propozuar sot Kuvendit kandidaturën e Arben Shehu për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Presidenca thekson se “Dr. Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë. Gjatë eksperiencës mbi 16 vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Z.Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e e ekonomisë dega “Administrim Biznesi”, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë”.

“Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to”, thuhet në njoftim.

“Presidenti i Republikës, pavarësisht se ka lexuar me shumë vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para pozitës së rrëzimit të propozimeve për tre kandidaturave radhazi, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore dhe përvojës së gjerë profesionale të secilës prej kandidaturave”, thekson Presidenca.

“Mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike. Veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionin kushtetues më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar, secili institucion që ka atributet e tij në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të këtij institucioni, ka përgjegjësinë që të përmbushë detyrën në respektim të Kushtetutës. Ndaj dhe Dekreti i Presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature iu përcoll sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim, me kërkesën specifike që këtë herë që kjo kandidaturë të vlerësohet nën frymën e parimit të luajalitetit kushtetues dhe jashtë interesit politik”, përfundon njoftimi i Presidencës.

Meta letër Ruçit dhe Kuvendit: Deri tani jam vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi për në KLSH

Presidenti i Republikes Ilir Meta i ka drejtuar një letër Kryetarit te Kuvendit, Gramoz Ruçi mbi propozimin e Arben Shehu për t`u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Presidenti i Republikës, pavarësisht se i ka lexuar me vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet dhe mendimet e shprehura në mënyrë publike nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi, pavarësisht se të tre këto kandidatura përmbushnin kriteret ligjore dhe gëzonin përvojë të gjerë profesionale”, ka theksuar Meta.

“Presidenti i Republikës u njoh gjithashtu edhe me letrën nr. 1358 prot, datë 26 maj 2020 të Kryetarit të Kuvendit, përmes së cilës i kërkohet Presidentit të propozojë kandidaturën e re për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është për t’u evidentuar se letra e Kryetarit të Kuvendit është shoqëruar me një fushatë publiciteti në media nga Kuvendi mbi nismën ligjore që ky i fundit do të ndërmarrë për miratimin e një projektligji, përmes të cilit do të bëhet i mundur emërimi me ligj i një Zëvendëskryetari të KLSH-së, duke e justifikuar këtë si zhbllokim të situatës”, ka shtuar Meta.

“Është e qartë se e gjithë kjo veprimtari, e shoqëruar me këtë fushatë publiciteti, ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit të Republikës me qëllim që të propozojë për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca. Ky veprim i Kuvendit tregon mungesë vullneti për bashkëpunim me Presidentin e Republikës dhe reflekton të njëjtën qasje të legjislativit të shfaqur përgjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku përmes miratimit të ligjit antikushtetues nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”, u synua që t’i rrëmbehej kompetenca kushtetuese Presidentit për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetues, drejtpërdrejtë me ligj me efekt prapaveprues”, ka nënvizuar Meta.

“Ky ligj u kthye për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës dhe gjithashtu është kritikuar në të gjitha draft-opinionet që Komisioni i Venecias ka hartuar për trajtimin e kësaj çështje të kërkuar nga vetë Kuvendi i Shqipërisë më 30 dhjetor 2019. Presidenti i Republikës sjell në vëmendje se Kuvendi i Shqipërisë, si organi më i lartë që monitoron punën, veprimtarinë e organeve kushtetuese dhe ecurinë e zbatimit të ligjeve të miratuara prej tij, ka përgjegjësinë kryesore për gjendjen ku ndodhet vendi, ku Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej më shumë se dy vitesh, Gjykata e Lartë nuk është funksionale, si dhe e gjithë ecuria e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë është në shkelje të të gjitha afateve kushtetuese”, ka vijuar Meta.

“Ndaj çdo veprimtari e mëtejshme nën këtë drejtim me paraqitje nismash legjislative, me qëllim kapjen e institucioneve të pavarura apo ushtrimin e presionit politik ndaj institucioneve të tjera, nuk bën gjë tjetër veçse provon faktin që tre kandidaturat e mëparshme të propozuara nga Presidenti i Republikës, janë rrëzuar pa të drejtë nga Kuvendi, me qëllim që të propozohet një kandidaturë që gëzon mbështetjen e mazhorancës në mënyrë që mazhoranca të kontrollojë po veten e saj?!”, ka shtuar Meta.

“Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues që përgjatë veprimtarisë dhe ushtrimit të funksioneve të tij, të sigurojë që mekanizmat kushtetues të funksionojnë dhe institucionet kushtetuese të këtij niveli të vazhdojnë veprimtarinë në mënyrë të pavarur dhe në respekt të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parime këto që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës. Në këtë mënyrë, Presidenti i Republikës vlerëson me shumë kujdes integritetin e kandidaturës së propozuar, në mënyrë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të funksionojë në mënyrë të pavarur e të pandikuar politikisht”, ka theksuar Meta.

“Për këtë arsye, është me rëndësi si përmbushja e kërkesave ligjore për zgjedhjen në këtë pozicion kushtetues, por dhe përzgjedhja e një kandidature që ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin e këtij funksioni shumë të rëndësishëm në mënyrë të pavarur”, tha Meta./atsh

Meta propozon për kreun e KLSH-së, Arben Shehun Read More »

Rikonstruktohet shkolla “24 Maji” në Vlorë/ Leli: Një nga projektet model, gati për vitin e ri shkollor

Shkolla 9-vjeçare “24 Maji” në qytetin e Vlorës do të ketë ambiente të reja për vitin e ri shkollor 2020-2021.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e kësaj shkolle, ndërsa theksoi se “është një nga projektet e rëndësishme ku bashkia e Vlorës është kontributore me fondet e saj në 50% të këtij investimi kaq të rëndësishëm, i cili është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.

Sipas tij, pas rikonstruksionit të shkollës, e cila do jetë e përfunduar në fund të qershorit, do të jetë nga projektet e rikonstruksionit të shkollave model në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës dhe jo vetëm.

Sot, vijoi Leli, po inspektojmë punimet në shkollën “24 Maji” që është një nga më të rëndësishmet e qytetit me një pozicion tërësisht qendror dhe projekti po realizohet me standarde të larta.

“Në shkollë janë të vendosura edhe shkallët e sigurisë, të cilat janë të aplikuara në këtë shkollë si një rritje e standardit të sigurisë së jetës së nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle. Në pjesën pas oborrit të shkollës janë dy fusha të mëdha sportive, një fushë futbolli dhe një tjetër multifunksionale. Kemi rënë dakord me përfaqësuesit e firmës për ta realizuar që të jetë një fushë volejbolli dhe tenisi e hapur jo vetëm për fëmijët e kësaj shkolle, por edhe me iniciativën e shkollës komunitare të përdoret nga gjithë fëmijët e zonës ku është e vendosur shkolla”, – nënvizoi Leli.

Kryetari Leli u shpreh se “ka përfunduar instalimi i sistemit për rrezikun e zjarrit, sistemi i zjarrit për të garantuar kushte optimale të mësimdhënies gjatë sezonit të dimrit. Do të punohet me gjelbërimin, ka përfunduar fasada dhe sistemi i të gjithë hapësirave të tjera dhe palestrës së mbyllur të shkollës”.

“Punët tona të përditshme janë të drejtuara drejt përgatitjes së Vlorës për sezonin turistik që presim të jetë i suksesshëm, aq sa kushtet COVID-19 do të na lejojnë që ta kemi. Por nuk janë jashtë vëmendjes tonë objektet që po restaurohen dhe punët e tjera publike që po kryhen në bashkinë e Vlorës”, – tha Leli./atsh

Rikonstruktohet shkolla “24 Maji” në Vlorë/ Leli: Një nga projektet model, gati për vitin e ri shkollor Read More »

Rinis vetingu/ Shkarkohet nga detyra Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula

Kryetarja Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula është shkarkuar sot nga detyra.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar sot, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka komunikuar vendimin gjyqtares Shedula duke mos e konfirmuar në detyrë.

Pas një ndërprerje dy mujore për shkak të pandemisë COVID-19, KPK ka rinisur punën për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën masa të rrepta siguria dhe higjiene.

Në seancën e parë pas rikthimit, KPK e përbërë nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Brunilda Bekteshi, vendosi shkarkimin e gjyqtares Shedula e cila u përball me tri kriteret e rivlerësimit, për pasurinë, figurën morale dhe aftësinë profesionale

KPK konstatoi mungesë burimesh për justifikimin e pasurisë për gjyqtaren Shedula./atsh

Rinis vetingu/ Shkarkohet nga detyra Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja dhe 7 të shëruar në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit janë kryer 297 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitivë, përkatësisht, 15 raste në Tiranë, 2 raste në Krujë, 2 në Durrës, dhe 1 rast në Kamëz.

Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha sot në komunikimin e përditshëm se “janë testuar 65 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik”.

“Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes”, – tha Cami.

Sipas saj, në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.

“Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1184 raste”, – theksoi Cami.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit.

Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (3 Qershor 2020)
Testime totale 16817
Testime molekulare 15365
Testime serologjike 1452
Raste pozitive 1184
Raste të shëruara 898
Raste Aktive 253
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 172
Krujë 22
Durrës 15
Kamëz 12
Shkodër 10
Mat 9
Lushnjë 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja dhe 7 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Lungomare në Orikum, IKMT aksion për pastrimin e inerteve

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi sot pastrimin e inerteve përgjatë bregdetit të Orikumit.

Aksioni është ndërmarrë pas prishjes pak kohë më parë të një numri objektesh po nga ana e IKMT-së.

Në zonën ku po ndërhyn aktualisht IKMT, kalon projekti i shëtitores buzë detit, që nis nga Vlora.

Pavarësisht këtij aksioni në Orikum, IKMT nuk ka ndërprerë, por ka intensifikuar kontrollet dhe ndërhyrjet përgjatë gjithë bregdetit shqiptar dhe prej pak javësh edhe përgjatë lumenjve në mbrojtje të territorit dhe mjedisit./atsh

Lungomare në Orikum, IKMT aksion për pastrimin e inerteve Read More »

Katër zv.kryeministra dhe 16 ministra, ja kabineti i Hotit

Me 61 vota pro, 1 abstenim dhe 24 vota kundër deputetët e Kuvendit i thanë “po” qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Në seancën e jashtëzakonshme kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka paraqitur kabinetin e tij qeverisës. Vartës të tij priten të jenë 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra.

Zëvendëskryeministër i parë, Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër Driton Selmanaj, zëvendëskryeministre Albulena Balaj-Halimaj, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal Goran Rakiq.

Sa i përket ministrave, Infrastruktura i është besuar Arban Abrashit. Agim Veliu serish do të jetë ministër i Punëve të Brendshëm. Armend Zemaj ministër i Shëndetësisë, Selim Selimi ministër i Drejtësisë, Blerim Kuqi ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, Hykmete Bajrami ministre e Financave, Besian Mustafa ministër i Bujqësisë, Anton Quni ministër i Mbrojtjes, Vlora Dumoshi ministre e Kulturës.

Meliza Haradinaj-Stublla ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ramë Likaj ministër i Arsimit dhe Shkencës, Skender Reçica ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Krasniqi ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Dalivor Jetiq ministër për Kthim dhe Komunitete. Enis Kervan ministër i Zhvillimit Rajonal./KosovaPress/

Katër zv.kryeministra dhe 16 ministra, ja kabineti i Hotit Read More »

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimet e pagesave”

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

Meta u shpreh se disa nga arsyet e kthimit të ligjit janë mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave; mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave; mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.

Ligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke e përafruar pjesërisht me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, të datës 25 nëntor 2015, “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.

Presidenti shprehet se e shqyrtoi ligjin “Për shërbimet e pagesave” duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke bërë një vlerësim dhe analizë të kujdesshme të parashikimeve të aktit, edhe në raport me rekomandimet që duhet të përmbushë Republika e Shqipërisë në kuadër të raporteve të organizmave ndërkombëtare për eleminimin e rreziqeve për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës së financimit të terrorizmit, përfshirë rekomandimet e Komitetit të Moneyval të Këshillit të Evropës.

“Rregullimi i shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur ky ligj, duke parashikuar mundësinë e operatorëve të tjerë ekonomikë për të zhvilluar aktivitet në fushën e shërbimit të pagesave përkundrejt licencës përkatëse, rrit konkurrencën në treg. Rritja e konkurrencës patjetër që do të ndikojë si në uljen e kostos së transaksioneve të pagesave, si në rritjen e cilësisë së shërbimit, ashtu dhe në rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve mbi mundësitë e kryerjes së pagesave përmes këtij shërbimi. Gjithashtu, ky ligj vlerësohet pasi ofron një mundësi më shumë zgjedhjeje për konsumatorin. Ndërsa parashikimi i krijimit të një zyre të veçantë për shqyrtimin e ankesave të konsumatorit, forcon edhe më shumë mbrojtjen e tij”, u shpreh Meta.

Por nga ana tjetër, sipas tij, në raport me vetë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të licencuara që do të zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimit të pagesave, ligji paraqet disa problematika të cilat krijohen nga paqartësia e disa dispozitave; mungesa e harmonisë së tyre me legjislacionin ekzistues; apo nga hapësira që disa dispozita krijojnë për keqzbatim në praktikë, të cilat do të shtjellohen në vijim.

“Reflektimi mbi këto problematika dhe adresimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë do të ofrojë një terren më të sigurtë ligjor për operatorët ekonomikë dhe në ruajtjen të pacenuar të interesit publik në tërësi”, shprehet Meta. /atsh

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimet e pagesave” Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 21 raste pozitivë me COVID-19.

Rovena Daja, ekspertë pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “në 24 orët e fundit janë kryer 243 testime në nga të cilat janë konfirmuar 21 raste pozitive, përkatësisht janë 14 në Tiranë, 3 raste në Krujë, ndërsa në Durrës, Shkodër, Kamëz, Mallakastër kemi nga një rast të prekur me COVID-19. Janë testuar 45 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 6 raste.

Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte te zbuluara nga hetimi i kryer dhe disa raste të reja për të cilat po vijon te kryhet hetimi epidemiologjik”.

Sipas ekspertes, aktualisht po trajtohen 27 të prekur në spitalin infektiv, nga të cilët 4 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

“Një pacient 62-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv. Referuar shërbimit infektiv, 62-vjeçari ishte bartës asimptomatikë i COVID-19 dhe vuante nga ciroze hepatike, spok, insuficiencë e rendë kardiake, diabet, hipertension. Shkaku i humbjes së jetëë, sipas shërbimit infektiv, nuk është COVID-19, por nga ciroza hepatike e stadit të fundit.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 14 qytetarë, duke e çuar në 891 numrin e të shëruarve.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1164 raste. Aktualisht janë 240 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë”, tha nder te tjera Daja.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, -informoi ekspertja.

COVID-19 – Statistika (2 Qershor 2020)

Testime totale 16520

Testime molekulare 15068

Testime serologjike 1452

Raste pozitive 1164

Raste të shëruara 891

Raste Aktive 240

Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 157

Durrës 20

Krujë 20

Kamëz 11

Shkodër 10

Mat 9

Lushnjë 6

Berat 2

Fier 2

Korçë 1

Librazhd 1

Mallakastër 1

Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja me COVID-19 Read More »