Një ishull i vogël është zbuluar në Oqeanin Paqësor dhe mund të bëjë një ndryshim të madh ekonomik për Japoninë. Një ekonomist e quajti e konsideroi këtë “ndërrim loje” për vendin. Studiuesit që ndihmuan gjetjen e tij thanë se ka potencial të jashtëzakonshëm.
Ky ishull është i përbërë nga 16 milionë ton baltë, e cila është e mbushur me mineral të rralla të Tokës.
Këto minerale përmbaljën element të rrallë që përdoren në pajisje të teknologjisë së lartë si smartphone, sisteme raketash, pajisje radare dhe automjete hibride.
Një prej metaleve të zbuluara mund të përdoret për të bërë lentet e kamerave dhe ekranet e celularëve që bëjnë fotografi me cilësi të lartë.
Sipas CNN, nga materiali i publikuar prej ekipit të hulumtuesve japonezë, kjo pjesë balte e pasur me minerale është pranë ishullit Minamitori, një ishull i vogël 1.200 kilometra larg brigjeve të Japonisë.
Martesa më e famshme e historisë së Arbërisë është ajo e Skënderbeut me të bijën e Gjergj Arianitit. Të gjitha kronikat e kohës e cilësojnë si një dasmë madhështore ku nuk munguan festimet, dhuratat, stolitë dhe daullet e kënga. Thuhet nga kronikanët e historisë se Skëndërbeu shkoi me 500 kalorës për të marrë nusen dhe festimet zgjatën 3 ditë.
Një nga personalitetet më të mëdha shqiptare, Sabri Godo do e përshkruajë në këtë mënyrë martesën e Gjon Kastriot Skënderbeut: “Në 23 Prill 1451 Skënderbeu bëhej dhëndër i Gjergj Arianitit.
Ai u martua me Donikën, që kishte vjet aq sa edhe këto ditë prilli, 23, ndërsa vetë ishte 46 vjeç. Në martesat shtetërore nuk luanin rol moshat dhe dëshirat. Ajo do të ishte një dasmë madhështore, sikur të mos mungonin tre djemtë e Arianitit, që gati u prishën me të atin për shkak të pajës. Në kontratën Muzakë Topia me pazarllëqe të rënda, Skënderbeu merrte toka në anën tjetër të Shkumbinit, para dhe ushqime të shumta.
Mungonin në dasmë Dukagjinët, ndërsa Hamzai, nipi i dashur flokëverdhë, rrinte i zymtë. Ai shihte të vinin nga kjo martesë një varg me djem, siç ishte zakoni i Kastriotëve dhe të avullonin shpresat e tij për të trashëguar Principatën e Arbërisë. Por erdhi Proveditori i përgjithshëm i Venedikut, që solli në emër të Senatit një stoli të habitshme për nusen dhe dy palë rroba të purpurta për dhëndrin, erdhën ambasadorët e Napolit, të Vatikanit dhe Raguzës dhe mëritë e vogla kaluan në harresë. Nusja e re dhe e lumtur e priti me faqet flakë burrin e saj, kalorësin e parë të Shqipërisë dhe netët e dasmës i kaluan si një vazhdim i avullit të verës, të muzikës dhe të dollive”.
Dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti.
Sipas Barletit “Skënderbeu nuk e kishte mendjen për martesë, por atë nuk e linin rehat princërit farefis me të, të cilat e nxisnin që ai të vendoste për martesë. Pra për “Filizin” që duhej ti zinte vendin”. Edhe Gjergj Arianiti e mirëpriti këtë martesë, por edhe Skënderbeu ishte dakort për këtë fakt, sepse Gjergj Arianiti Komneni ishte i dëgjuar si askush tjetër, për mbretërinë e tij të madhe dhe për fisnikërinë e lashtë të fisit të tij. Gjithashtu Donika ishte bërë e njohur që me kohë dhe mbahej në gojë për atë bukuri fort të rrallë. Paja iu la në dorë Gjergj Arianitit, i cili nga prika që i dha së bijës i kënaqi të gjitha palët (Marin Barleti, Historia e Skënderbeut. Tiranë 1983, f. 382-384). Për nevoja të luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi iu shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozita që ato posedonin. Si mbles Skënderbeu dërgoi Gjin Muzakën kunatin e Arianitit. Martesa ishte tërësisht politike ku nuk luanin rol mosha dhe dëshirat.
Sipas burimeve, Skëndërbeu dhe Donika, mbërritën në manastirin e Ardenicës pas dasmës së zhvilluar në shtëpinë e nuses në Kaninë, në 21 prill 1451. Ata shoqëroheshin nga princat shqiptarë, njerëz të familjeve, ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i Përgjithshëm i Venedikut në Shqipëri. Shpura udhëtoi nëpërmjet rrugës së “Muzakies” në itinerarin Vlorë-Ardenicë, vetëm disa ditë pas dasmës në Kaninë. Ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 Prill 1451, i drejtuar nga peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodheshin dy manastiret më të mëdha të Myzeqesë, ai i Apolonisë dhe i Ardenicës.
Të nesërmen Skënderbeu me Donikën u nisën drejt Krujës, ku u zhvillua dasma madhështore në shtëpinë e dhëndrit, sipas riteve të traditës shqiptare. Martesa e të bijës me Gjergj Kastriotin ishte një nga sukseset e politikës së Gjergj Arianitit, i cili pas kësaj ngjarje shpejtoi të nënshkruante në qershor 1451: Traktatin e aleancës me Alfonsin e V-të të Napolit. /konica.al/
Me një shqipe të shkëlqyer, të cilën e ka mësuar nga dy pedagoget ruse që kishin jetuar në Shqipëri në vitet ’50, Gertruda Intrei dhe Irina Horonina, studiuesi bjellorus Aleksandër Novik rrëfen ekskluzivisht për “Shqiptarja.com” një nga zbulimet më të mëdha në Rusi të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në më shumë se dhjetë shekuj arkeologji, faktet e ekzistencës së një alfabeti shqip mungojnë. Mbishkrimet e zbuluara më së shumti janë ose në alfabetin latin, ose grek, dhe ka vetëm ndonjë gjurmë të pastudiuar ende të alfabeteve të vdekura të shqipes…
Por ja, në vitin 2015, arkeologu rus Dmitry Zenyuk ka zbuluar në fshatin Margaritovo në zonën e Uzovit, Rusi, mbishkrime në gjuhën shqipe të shkruara në tulla. Në fillim, kur arkeologët zbuluan objektet me mbishkrimet shqipe, i krahasuan me Alfabetin e Elbasanit dhe u mendua se ishte një alfabet që shqiptarët e Ukrainës e kishin marrë me vete.
Për fat të keq, historia e vajtjes së një numri të madh shqiptarësh në territorin e Perandorisë Ruse, për studiuesit shqiptarë është pothuajse e panjohur. Për shumë vite, kjo histori ka qenë e panjohur, jo vetëm për shoqërinë ruse, por edhe për shkencëtarë dhe specialistë në fusha të ndryshme të disiplinave humanitare.
Zbulimi i 200 tullave ku janë ruajtur shkronja e fjalë shqipe ka tronditur tashmë opnionin shkencor, ndërkohë që sot në muzetë ruse numërohen rreth 300 copë të ngjashme. Fakti që për dy shekuj mërgimi në Rusi dhe tre shekujt të tjerë në Bullgari shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur identitetin, traditat dhe gjuhën shqipe, nuk ka befasuar vetëm studiuesin e njohur Aleksandër Novik, por edhe albanologë të tjerë të huaj.
Nëpërmjet kësaj interviste Aleksandër Novik zbulon një faqe të panjohur të trashëgimisë shqiptare, një monument që ruhet përtej këtij vendi dhe larg syrit të studiuesve shqiptarë apo vëmendjes së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…
Dhe me sa duket këtë vit, pas përpjekjeve për reformimin e Akademisë, trashëgimia e shqiptarëve të Ukrainës po merr vëmendjen e merituar. Aleksandër Novik u nderua pak ditë më parë në Tiranë me Çmimin Kombëtar të Akademisë së Shkencave për vitin 2017, për studimet e tij për shqiptarët e Ukrainës.
Për “Shqiptarja.com”, Aleksandër Novik ka rrëfyer se në Rusi ccështja e studimit të diasporës shqiptare është shumë e rëndësishme. Sipas Novik gjatë shekullit të 20-të në Rusi janë bërë zbulime dhe analiza shkencore me nivel të lartë për të folurën shqipe në vendbanimet e jugut të Ukrainës, në rajonet e Odesas she Zaporozhies, ku nisi edhe periudha e themelimit të kolonisë së parë të “Karakurtit” që i takon fillimit të shekullit të 19-të, më saktë vitit 1811.
Intervista
Zoti Novik, çfarë ju ka nxitur ju për të pasur një kontakt me shqiptarët e Ukrainës dhe të nisnit studimet për këtë minoritet etnik?
-Në jug të Ukrainës ka katër fshatra shqiptarë. Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës kanë ikur nga krahina e Korçës dhe zonat rreth saj afërsisht. Ne supozojmë se kanë ikur pesë shekuj më përpara. Ata kanë ikur në lindje të Bullgarisë. Në rajonin e Varnës në Bullgari shqiptarët kanë jetuar afërsisht tre shekuj, edhe në fillim të shekullit të 19-të ata kanë ikur në territoret e perandorisë ruse për shkak të luftrave ruso-turke. Deri tani ata kanë ruajtur gjuhën e tyre amtare. Kuptohet që shqiptarët që janë atje flasin shqip, kuptohet në gjuhën arkaike. Ata flasin “klisha” dhe jo “kisha”, ata flasin “gluha” e jo “gjuha”, ashtu siç flasin edhe arbëreshët e Italisë.
Ju vetë jeni ukrainas, shqiptaro-ukrainas apo rus?
-Jo nuk jam shqiptar, nuk jam ukrainas, nuk jam rus. Në fakt kam prejardhje bjelloruse, jam bjellorus, por kam lindur në Rusi, në Magadan, në verilindje të Rusisë shumë afër nga Alaska nga Amerika e Japonia, por shkollën e mesme e kam mbaruar në Bjellorusi dhe pastaj kam vazhduar studimet e mia në Petërburg, në Universitetin shtetëror të San Peterburg dhe pas mbarimit të Universitetit kam mbaruar studimet pasunivesitare në muzeun Punskamera dhe punoj në këtë muze tani. Jam drejtor i Departamemetit të Studimeve Europiane, dhe vazhdoj të jap ligjërata në Universitetin e Shën Petërburgut.
Cili ka qenë shkaku që ju frymëzoheni nga tradita të harruara të popujve ose të vetë popujve të harruar?
-Është profesioni im. Kam mbaruar studimet pasunivesitare dhe për mua është interesanate dhe e rëndësishme që të zbulojë të studiojë ruajtjen dhe traditën e popujve ballkanikë.
Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?
-Në Shqipëri? Shumë interesante kjo. Për herë të parë unë isha në trojet shqiptare në Kosovë në vitin 1990, dhe pastaj pas dy vjetësh në vitin 1992 kam ardhur për herë të parë në Shqipëri.
E dinit mirë shqipen që në atë kohë?
-Normale, natyrisht që e dija sepse shqipen unë e kam studiuar në Universitetin e Shën Petërburgut.
Kur ratë në kontakt me gjuhën shqipe të folur, vutë re ndonjë diferencë me atë që kishit mësuar?
-Jo. Unë e kam mësuar gjuhën shqipe me pedagogë shumë të mirë në Universitetin e Petërburgut. Për shembull Gertruda Intrei ka jetuar këtu në Shqipëri në vitet ‘50 dhe pastaj vazhdonte të punonte në Universitetin e Petërburgut. Unë isha student i saj. Këtu në Shqipëri ka filluar studimet në fund të viteve ‘50 edhe Irina Horonina. Kur isha për herë të parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë unë kam komunikuar pa problem.
Shqipëria ka jetuar në diktaturë dhe e izoluar, ju si albanolog a lejoheshit vinit në vendin tonë?
-Jo vendet tona ishin ndarë për shkak të politikës dhe para viteve ‘90 nuk mund të vija. Nuk ksistonin marrëdhëniet diplomatike, politike, tregtare e kulturore
Kur i takoni shqiptarët e Ukrainës, çfarë gjërash të veçanta keni zbuluar në karakterin e tyre dhe që u bënë përshtypje më shumë?
-Për mua është çudi që së pari shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur gjuhën e tyre amtare dhe vetëdijen pothuajse për pesë shekkuj, në një kohë që nuk kishin raporte me Gadishullin e Ballkanit për dy shekuj, kur u zhvendosën në Rusi dhe për mua kjo përbën një rast të veçantë dhe me shumë interes në shkencat që unë studioj. Ata kanë ruajtur gjuhën amtare dhe vetëdijen etnike.
Para tre vjetësh në një seminar të Kosovës ju shpallët se kishit zbuluar mbishkrime në një alafabet të veçantë të shqipes rreth 500-vjeçare dhe kjo më la shumë mbresë. “Shqiptarja.com” bëri një lajm që ngjalli interes të madh tek lexuesit. Ku bazohet ky studim juaji. Si zbuluan këto dokumente?
-Këto dokumente nuk u zbuluan në territorin e Ukrainës, por në territorin e Rusisë së sotme në brigjet e detit Azov në fshatin Margaritovo. Tre vitet e fundit unë shkova bashkë me studentët e kolegët e mi në jug të Rusisë, në brigjet e detit Azov, në rajonin e Ostovit. Në fund të sheklullit të 18-të në këtë vend ishin në themeluar disa fshatra, domethënë Margaritovo, Epirski, Albanski, domethënë fshati i Albanëve, i shqiptarëve. Para 20 vjetësh arkeologu rus Midriz Injuk ka zbuluar disa tulla me mbishkrime të sistemit të vjetër të shqipes.
I keni ju fotografitë me këto tulla?
-Po po kemi i kemi, dhe janë zbuluar rreth 200 tulla ku janë ruajtuar shenjat e sistemit të shkrimit të vjetër të shqiptarëve, ndërsa duke i mbledhur të gjitha zbulimet janë rreth 300 kopje të tilla. Themeluesi i fshatit Margaritovo është Margaret Bllazon, dhe për të ka pasur diskutime se është edhe me origjinë greke, por kjo ngatërrohet, sepse kanë ardhur në Rusi shqiptarë nga Shqipëria dhe shqiptarë të Greqisë, që i quanin “Arvanutë të Greqisë” dhe “Arvanutë”. Ky problem ende diskutohet. Margariti ishte njeri pasur dhe unë mendoj se ai do të bënte fare mirë ndërtime me tulla me shenja të shkronjave greke, po të ishte grek, dhe s’kishte arsye t’i bënte në një gjuhë që s’ishte e askujt aty në Rusi. Aty para disa vjetësh arkeologu rus, Dmitry Zenyuk, ka zbuluar një sistem të shkrimit shqiptar. Themeluesi i fshatit Margariti mendohet se ishte shqiptar nga Kreta dhe ai ka marrë shumë tokë nga qeveria ruse për shërbimin e tij në ushtri dhe kishte afërsht 200 kilometra tokë. Kështu ai ka organizuar një ndërmarrje të tillë që ta rrethonte një pjesë të madhe me tulla dhe në çdo tullë të kishte një shenjë, shkronjë shqipe. Në korrik do shkojmë përsëri në atë zonë dhe ndoshta do të zbulojmë artefakte të reja. Në zonën e Detit Azov nuk flitet më në gjuhën shqipe, por popullata ka mbajtur kujtime për arnautët të cilët janë themeluesit e këtij fshati dhe vendbanimet përreth.
Kur u bë lajmi për alfabetin e rrallë të zbuluar në letër, kureshtje të madhe pati edhe i ndjeri Robert Elsie, që më pyeti për burimin e lajmit, pasi ju supozonit se mund të bëhej fjalë për Alfabetin 400-vjeccar të Elbasanit. Keni biseduar për këtë ju me Elsie?
-Këto mbishkrime që janë ruajtur në këto tulla, unë mendoj se janë pjesë e sistemit të vjetër të shkrimit të shqipes. Në fakt nuk është Alafabeti i Elbasanit, sicc u mendua në fillim, por është një alfabet tjetër. Jemi duke vijuar studimet dhe në korrik ne do të shkojmë sërish në Margaritovo për ekspeditë me kolegët. Kemi biseduar edhe me Elsie. Ne mendojmë se është një alfabet tjetër edhe më i hershëm, me më shumë shkronja. Ideja për një alfabet më të hershëm ishte e Elsie. Kështu që do të vijojmë zbulimet tona.
Në këtë territor, ekspedita jonë e organizuar nga Universiteti Shtetëror i Shën Petersburg në vitin 2015 ka grumbulluar shumë materiale, tregime, etj. Në lidhje me praninë e shqiptarëve në shekujt e 18-të dhe 19-të. Kështu në fund të shekullit të 18-të, në rajonin e Azovit u themelua fshati Margaritovo, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me Margaret Bllazon, zyrtar i lartë, me origjinë nga shqiptarët e mërguar aty.
Më lejoni ju bëj një pyetje jashtë profesionit, cili është opinioni juaj për vendimin e largimit të Ambasadave ruse nga vendet e Ballkanit dhe Europës?
-Opinioni im privat dhe personal është që është gabim. Për jetën njerëzve puna e diplomatëve është shumë e rëndësishme, dhe na duhet të kemi raporte të mira, marrëdhënie të mira, dhe diktati në këtë mënyrë ndikon keq mes marrëdhënieve mes popujve, mes vendeve të ndryshme. Na duhet të diskutojmë probleme nga më të ndryshmet.
Sa ka ndihmuar Ambasada Ruse gjatë pranisë së saj në Shqipëri për të thelluar studimet për shqiptarët e Ukrainës?
-Tek ne institucionet shkencore punojnë vetë dhe nuk kanë ndikim nga politikanët dhe nga qeveria. Unë për shembull mund të merrem me çdo popull në tërë botën, pa asnjë diktat nga Këshilli Shkencor. Jemi të lirë në zgjedhjen e studimeve tona. Jemi të lirë në veprimet tona.
Zbulimi i tullave
“Letrat” e dheut të harruar, ruhen shqip në tulla të lashta në Margaritovo
Sipas Aleksandër Novik në korrik të vitit 2015 në fshatin Margaritovo të rrethit Azov, në rajonin e Rostovit, ka shkuar për të punuar një ekspeditë etno-gjuhësore nga Univesiteti i Shën Petersburg-ut. Arsyeja e mbërritjes së tyre atje, ishte zbulimi i një monumenti të rrallë të trashëgimisë së lashtë shqiptare. Objektet e gjetura ishin rreth 200 tulla me mbishkrime të ngjashme me tre alfabetet e përdorura në Shqipëri rreth 400-500 vjet më parë, si ai i Elbasanit, i Vithkuqit dhe Alfabeti i Veso Beut, që kishin përkatësisht 53 shkronja, 31 shkronja dhe 22 shkronja.
Pas këtij zbulimi që bëri bujë në Moskë në vitin 2015, arkeologu Dmitry Zenyuk në një konferencë për mediat është shprehur se:
“Në fakt, ky është një zbulim që u bë për një kohë shumë të gjatë. Tulla e parë e ngjashme që kam gjetur ishte kur isha nxënës në klasën e tretë. Ndërsa në këtë moment nga zbulimet e bëra tulla të tilla njihen me rreth 300 kopje.
Në vitin 2007 kemi bërë një krahasim të letrave të shënuara në tulla me gjuhën e Elbasanit, ku gjatë kësaj kohe u përgatit një bazë teorike dhe u bënë tabelat krahasuese. Po kjo punë nuk ishte e mjaftueshem pa marrë mendinin e skstertëve shqiptarë.
Vetëm tani, për herë të parë, mund të deklarojmë zyrtarisht se në jug të Rusisë është hapur një monument që dokumentimin e shkrimit të vjetër të shqiptare. Dhe është e mahnitshme! Në botë mbijetojnë disa disa shembuj të përdorimit të alfabetit të vdekur të shqipes në arkivat shtetërore në Tiranë, ku një nga ato është “Bibla e Anonimit të Elbasanit” dhe disa letra nga tregtarët dhe artizanët nga Elbasani të afërmit e tyre të mërguar. Prandaj gjetjet nga fshati Margaritovo janë me interes serioz shkencor!”. Këto kanë qenë deklaratat e arkeologut Dmitry Zenyuk, pas zbulimit të tullave me mbishkrime në gjuhën shqipe.
Një përqindëshi i më të pasurve të botës do të kontrollojnë rreth 2/3-tat e të gjithë pasurisë së globit deri në vitin 2030. Ky ishte thelbi i një raporti të hartuar nga Biblioteka e Dhomës së Përfaqësuesve, organizmi i kërkimeve shkencore në Parlamentin britanik.
Elita globale kontrollon tashmë rreth 50 për qind të pasurisë anembanë botës, por kjo gjë do të rritet ndjeshëm, theksohet në studimin e publikuar e të porositur nga laburisti Liam Byrne. Nëse trendet e para që prej krizës financiare të vitit 2008 do të vazhdojnë, nënvizohet në raport, i ashtuquajturi “njëpërqindëshi” do të kontrollojë deri në 64 për qind të pasurisë botërore brenda vetëm 12 vitesh.
Sipas “The Guardian”, që raportoi e para këto statistika, pasuria e një përqindëshit të më të pasurve “është rritur me një mesatare prej 6% në vit, shumë herë më shpejt sesa rritja prej 3% e pasurisë së 99 përqindëshit, apo pjesës tjetër të popullsisë botërore”, që prej krizës financiare.
Nëse ky trend vazhdon, atëherë një përqindëshi do të ketë një pasuri të përgjithshme prej 305 trilionë dollarësh, më shumë sesa dyfishi i 140 trilionë dollarëve që kontrollojnë aktualisht në vitin 2018.
“Nëse nuk ndërmarrin hapat për të rishkruar rregullat sesi funksionojnë ekonomitë tona, atëherë jemi të dënuar për një të ardhme që mbetet e pabarabartë në aspektin e të ardhurave”, shkruan komisioneri i raportit, Byrne. “Kjo gjë është moralisht e keqe dhe ekonomikisht shkatërrimtare, duke rrezikuar një shpërthim të ri paqëndrueshmërie, korrupsioni dhe varfërie”.
Vitin e kaluar, kredidhënësi zviceran “Credit Suisse” publikoi një raport, ku theksohej se më të pasurit e botës, ai një përqindshëm i familjeve apo individëve, zotërojnë qysh tani mbi gjysmën e pasurisë globale, e argumentonte gjithashtu se pabarazia po përkeqësohet edhe pas recesionit më të keq global prej thuajse një dekade, që prej viteve 1930.
“Gjysma e poshtme e të rriturve zotërojnë së bashku më pak se një për qind të pasurisë globale, ndërsa shtresa më e pasur (10%-ëshi i të rriturve) zotëron 88 për qind të aseteve botërore”, shkruhej në raportin e “Credit Suisse”. E thënë ndryshe, “Një përqindëshi zotëron 50.1 për qind të pasurisë familjare në botë”.
A e dini cilat janë qytetet, ku individët arrijnë që të kursejnë më shumë dhe kanë më shumë pasuri të vendosur si depozita nëpër bankat e nivelit të dytë, në raport me popullsinë përkatëse?
Monitor ka përpunuar të dhënat e Bankës së Shqipërisë për depozitat sipas qarqeve, vetëm të individëve, në raport me popullsinë përkatëse, të publikuar nga INSTAT.
Të dhënat e kursimeve janë të disponueshme për Tiranën, Durrësin, Vlorën, Elbasanin, Fierin, Korçën, Shkodrën, Lezhën.
Qyteti që kryeson është Tirana. Individët në kryeqytet kanë gjithsej në banka në lekë e valutë rreth 319 miliardë lekë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ose 67% të totalit të depozitave që ka Tirana (pjesa tjetër zotërohet nga bizneset e institucionet).
Me një popullsi prej 862 mijë banorësh, sipas INSTAT, çdo banor i Tiranës ka një kursim në bankë prej 37 mijë lekësh.
Tirana është edhe qyteti që ka nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë në vend, sipas INSTAT, me 679 mijë lekë në vit, duke qenë në linjë të drejtë me vendin e parë që zë për sa u përket kursimeve për frymë.
Në vend të dytë për nga kursimet për frymë, me 36.1 mijë lekë, pothuajse sa kryeqyteti, është Vlora, qyteti që ka lidhje me emigracionin, por është edhe bazë e trafiqeve të jashtëligjshme, një pjesë e të ardhurave të secilës depozitohen si kursime.
Ndryshe nga Tirana, që i “justifikon” kursimet me të ardhurat e larta për frymë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Vlorën.
Ky tregues për qytetin bregdetar jugor, sipas INSTAT, është 431 mijë lekë për frymë në vit, ose 63% e PBB-së kryeqytetase dhe Vlora renditet e pesta në të ardhurat për frymë, pas Tiranës, Fierit, Gjirokastrës, Durrësit, duke qenë nën mesataren e Shqipërisë prej 496 mijë lekë.
Të tretët në renditje janë banorët e Durrësit, ku një rol të rëndësishëm luan edhe emigracioni. Qytetarët durrsakë kanë rreth 26 mijë lekë depozita për frymë.
Të katërtët janë korçarët, (22.6 mijë lekë për frymë) që njihen për nikoqirë dhe si të tillë e administrojmë më mirë paranë, duke lënë disa mënjanë.
Më pas vijnë Korça dhe Elbasani, me përkatësisht 22 dhe 19.3 mijë lekë për frymë. Interesant është që Fieri, që është i dyti për të ardhurat për frymë, ka kursime shumë të ulëta prej 18 mijë lekë për frymë, në një tregues që investimet e mëdha në industrinë e rëndë (naftë) në këtë qytet, ndonëse rrisin prodhimin e brendshëm të tij, nuk arrijnë të përkthehen në më shumë mirëqenie e kursime për vetë banorët.
Gjithsej, depozitat e individëve në banka e institucione të tjera financiare në Shqipëri ishin 917 miliardë lekë në fund të tremujorit të tretë (67 miliardë euro), ose 83% e totalit të depozitave në vend.
Vitet e fundit, depozitat e individëve janë ulur për shkak të normave të pafavorshme të interesit. Në krahasim me nëntorin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 94 miliardë lekë, ose gati 690 milionë euro.
Pavarësisht rënies, Shqipëria vijon të jetë një ndër vendet në zhvillim me nivelin më të lartë të kursimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (aktualisht 66.5% e PBB). Gjysmat e kursimeve janë në monedhën e përbashkët.
Bullgaria ka depozita sa 68% e PBB-së, Kroacia me 64% dhe Mali i Zi me 60%. Në vendet e tjera, kursimet e popullsisë në banka janë minimale, ku më të ulëtin e ka Kosova, me 32% të PBB-së, Serbia me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 50%.
Pak më lart është Sllovenia me 53%. Mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas Bankës Botërore është rreth 43% e PBB-së dhe Europa në zhvillim e ka 41%.
Për nga niveli i depozitave në raport me PBB, Shqipëria i afrohet edhe vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore, ku p.sh., Italia dhe Franca e kanë këtë tregues midis 70 dhe 80% (Italia e ka 77%). Grekët janë më kursimtarë, me rreth 93% depozita në raport me PBB-në.
Është fjala për Mitin e Kadmit, që “ilirët i ka vënë në mitologjinë e grekëve të lashtë”, duke i radhitur përkrah kombeve më të hershëm të Europës”. Ky përcaktim që bashkon mitologjinë me të sotmen është një thënie e akademikut të shquar shqiptaro-kroat, Aleksandër Stipçeviq. Mua më erdhi si qortim: përse një pjesë e shqiptarëve nuk e dinë këtë fakt as në ditën kur i gëzohen procesit të hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE? Prandaj mendova t’ua kujtoj shqiptarëve të mi dhe, veçanërisht, atyre që bëjnë programe shkollore (të të gjitha niveleve) dhe të tjerëve që hartojnë guida turistike për ata që vizitojnë Shqipërinë e shekullit të 21-të.
Kushdo duhet ta dijë se trojet e shqiptarëve (ose, më saktë, të iliro-shqiptarëve) janë të njohura qysh në kohet mitike dhe kanë mitin e tyre të krijimit paralel me mitin e themelimit të Athinës (Athinaja), Romës (Romi dhe Romuli), Wells-it (Dragoi i kuq)… për Ilirinë është Iliri, biri i Kadmit dhe Harmonisë.
Miti i krijimit të Ilirisë na thotë se atë vend e themeloi Kadmi dhe Harmonia. Ata të dy, pasi kishin themeluar Tebën (Beoti), u vendosen më në veri të kontinentit, ku lindën fëmijën e tyre të pleqërisë, Ilirin. Ky i dha emrin Ilirisë dhe fëmijët e tij (dymbëdhjetë djem e dymbëdhjetë vajza) u dhanë emrat fiseve të para të ilirëve.
Kadmi (Cadmus) është vëllai i Europës, të cilën e kishte rrëmbyer Zeusi dhe e mbronte, sepse ishte bërë nëna e fëmijëve të tij. Ndërsa Harmonia kishte lindur nga dashuria e fshehtë e Aresit (Hyjnia e Luftës) me Afërditën (Hyjnia e Dashurisë).
Martesa e Kadmit me Harmoninë ka qenë celebruar prej vetë Zeusit në një dasmë madhështore, ku morën pjesë me dhurata gjithfarëshe të tërë hyjnitë e plotfuqishëm. Pasi themeluan dhe lulëzuan Ilirinë, hyjnitë i dhuruan çiftit pavdekësinë: Kadmi dhe Harmonia shndërruar në dragonj.
Qysh nga ajo kohë e deri sot besohet se iliro-shqiptarët e vërtetë janë dragonj (Aleksandri i Madh, Skënderbeu i Pathyeshëm, Lekë Dukagjini i Urtë…). Edhe pjesa më e madhe e heronjve të epopesë kombëtare të shqiptarëve të kohëve moderne, që këndon Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcis”, janë dragonj (ose me prejardhje dragoniane) si të parët e tyre pellazgo-ilirë.
Atë Donat Kurti, një ndër folkloristët më të njohur shqiptarë, që aktivitetin e tij e zhvilloi në malet shqiptare, kryesisht në Dukagjin, në veprën “Doke e Zakone Shqiptare”, botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendos bestytnitë që lidhen me të.
Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt, ai shkruan:
Besëtytni në lidhni me mik.
– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).
– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).
– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).
– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (ngopë). (Malsi e Madhe).
– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).
– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).
– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).
– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).
– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).
– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër). /Konica.al
Shkodra, që gjithnjë ka qenë një nga qytetet më arsimdashëse dhe të shquara për kulturën qytetare e artin, ka pasur shkolla që në shekullin XIII. Dëshmitë e ekzistencës së këtyre shkollave na vijnë nga arkivat e françeskanëve.
Sipas studiuesit Sami Rrepishti, shkollat e para në gjuhën shqipe janë hapur në veri të Shqipërisë nga klerikët katolikë.
Dhe pikërisht në Ulqin në vitin 1258, në Durrës në vitin 1278, në Shkodër në vitin 1345 dhe 1359, në Tivar në vitin 1349, në Pult në vitin 1397, në Drisht 1396 dhe nga shekulli XV deri në shek. XVIII me shkolla të tjera në Shkodër e Lezhë e në shumë qytete të tjera.
Sipas profesorit, kishat katolike shqiptare me françeskanët në vijën e parë i zhvillonin të gjitha ritet në gjuhën tonë, ndaj dhe populli i frekuentonte të gjitha kishat e kuvendet e tyre me dëshirë, duke marrë pjesë masivisht në mesha, katekizëm, krezma, celebrimin e martesave, etj.
Sipas të dhënave që jep profesori Lutfi Alia, shkollat që janë ngritur në Shkodër në vitin 1416 ishin: shkolla “Santa Barbara, shkolla “Sam Mercurio”, “Kryqi i shenjtë” etj.
Shkolla të tilla do të hapeshin më pas dhe në Kurbin, në Pllanë, në Blinisht dhe në Zadrimë.
Në raportet e etërve françeskanë të kohës theksohet roli i madh që kisha katolike i kushton shkollës dhe nevojës së shkollimit të shqiptarëve.
Sigurisht që në këto shkolla kryesisht shkonin djem, por kisha katolike do i kushtonte një vëmendje të veçantë dhe vajzave, duke hapur në vitin 1879 shkollën fillore për vajzat dhe përkatësisht nga motrat stigmatine, ku u edukuan vajzat me kulturën bazë dhe mësoheshin si të bëheshin zonja të mira shtëpie.
Në vitin 1882 françeskanët çelën një kolegj fetar që do shërbente për të gjithë ata nxënës shqiptarë që dëshironin të bëheshin fretër. Mësimet u rregulluan sipas programit të gjimnazit të Austrisë.
Shkollat do të hapen vit pas vitit duke arritur në vitin 1908, kur do të mbahet Kongresi i madh i Manastirit.
Pyetja që është e natyrshme ishte: nga mbaheshin këto shkolla. Sipas profesorit, ato kryesisht financoheshin nga Austro-Hungaria. Dhe në fakt ka të drejtë. Austro-Hungaria ka pasur prej shekujsh një interes të veçantë për Shqipërinë, duke investuar në shkolla, në studimin e gjuhës shqipe, etj.
Pra nga statistikat që disponojnë françeskanët deri në vitin 1911 katolikët kanë hapur 47 shkolla shqipe, ndër to 10 shkolla për vajza. Në vitin 1933, me urdhër të Zogut, u mbyllën 74% e shkollave fetare katolike dhe në 1945 ato u mbyllën plotësisht nga diktatura komuniste.
Faik Konica, në shkrimet e tij, do të lëvdonte punën e madhe të shkollave fetare katolike. Ai do të shkruante: ”Kolegji saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës mund të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për punë dhe krahasohet një me të”.
Dhe pikërisht për këto shkolla kanë dhënë kontribut të veçantë klerikët katolikë, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Justin Rrota, Don Ndoc Nikaj, Karl Gurakuqi, Mati Logoreci etj./konica.al