Kuriozitete

Studim/ E frikshme, ja çfarë do të ndodhë me të pasurit deri në vitin 2030

Një përqindëshi i më të pasurve të botës do të kontrollojnë rreth 2/3-tat e të gjithë pasurisë së globit deri në vitin 2030. Ky ishte thelbi i një raporti të hartuar nga Biblioteka e Dhomës së Përfaqësuesve, organizmi i kërkimeve shkencore në Parlamentin britanik.

Elita globale kontrollon tashmë rreth 50 për qind të pasurisë anembanë botës, por kjo gjë do të rritet ndjeshëm, theksohet në studimin e publikuar e të porositur nga laburisti Liam Byrne. Nëse trendet e para që prej krizës financiare të vitit 2008 do të vazhdojnë, nënvizohet në raport, i ashtuquajturi “njëpërqindëshi” do të kontrollojë deri në 64 për qind të pasurisë botërore brenda vetëm 12 vitesh.

Sipas “The Guardian”, që raportoi e para këto statistika, pasuria e një përqindëshit të më të pasurve “është rritur me një mesatare prej 6% në vit, shumë herë më shpejt sesa rritja prej 3% e pasurisë së 99 përqindëshit, apo pjesës tjetër të popullsisë botërore”, që prej krizës financiare.

Nëse ky trend vazhdon, atëherë një përqindëshi do të ketë një pasuri të përgjithshme prej 305 trilionë dollarësh, më shumë sesa dyfishi i 140 trilionë dollarëve që kontrollojnë aktualisht në vitin 2018.

“Nëse nuk ndërmarrin hapat për të rishkruar rregullat sesi funksionojnë ekonomitë tona, atëherë jemi të dënuar për një të ardhme që mbetet e pabarabartë në aspektin e të ardhurave”, shkruan komisioneri i raportit, Byrne. “Kjo gjë është moralisht e keqe dhe ekonomikisht shkatërrimtare, duke rrezikuar një shpërthim të ri paqëndrueshmërie, korrupsioni dhe varfërie”.

Vitin e kaluar, kredidhënësi zviceran “Credit Suisse” publikoi një raport, ku theksohej se më të pasurit e botës, ai një përqindshëm i familjeve apo individëve, zotërojnë qysh tani mbi gjysmën e pasurisë globale, e argumentonte gjithashtu se pabarazia po përkeqësohet edhe pas recesionit më të keq global prej thuajse një dekade, që prej viteve 1930.

“Gjysma e poshtme e të rriturve zotërojnë së bashku më pak se një për qind të pasurisë globale, ndërsa shtresa më e pasur (10%-ëshi i të rriturve) zotëron 88 për qind të aseteve botërore”, shkruhej në raportin e “Credit Suisse”. E thënë ndryshe, “Një përqindëshi zotëron 50.1 për qind të pasurisë familjare në botë”.

Studim/ E frikshme, ja çfarë do të ndodhë me të pasurit deri në vitin 2030 Read More »

Nuk është Gjirokastra! Ky është qyteti me “koprracët” më të mëdhenj në Shqipëri

A e dini cilat janë qytetet, ku individët arrijnë që të kursejnë më shumë dhe kanë më shumë pasuri të vendosur si depozita nëpër bankat e nivelit të dytë, në raport me popullsinë përkatëse?

Monitor ka përpunuar të dhënat e Bankës së Shqipërisë për depozitat sipas qarqeve, vetëm të individëve, në raport me popullsinë përkatëse, të publikuar nga INSTAT.

Të dhënat e kursimeve janë të disponueshme për Tiranën, Durrësin, Vlorën, Elbasanin, Fierin, Korçën, Shkodrën, Lezhën.

Qyteti që kryeson është Tirana. Individët në kryeqytet kanë gjithsej në banka në lekë e valutë rreth 319 miliardë lekë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ose 67% të totalit të depozitave që ka Tirana (pjesa tjetër zotërohet nga bizneset e institucionet).

Me një popullsi prej 862 mijë banorësh, sipas INSTAT, çdo banor i Tiranës ka një kursim në bankë prej 37 mijë lekësh.

Tirana është edhe qyteti që ka nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë në vend, sipas INSTAT, me 679 mijë lekë në vit, duke qenë në linjë të drejtë me vendin e parë që zë për sa u përket kursimeve për frymë.

Në vend të dytë për nga kursimet për frymë, me 36.1 mijë lekë, pothuajse sa kryeqyteti, është Vlora, qyteti që ka lidhje me emigracionin, por është edhe bazë e trafiqeve të jashtëligjshme, një pjesë e të ardhurave të secilës depozitohen si kursime.

Ndryshe nga Tirana, që i “justifikon” kursimet me të ardhurat e larta për frymë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Vlorën.

Ky tregues për qytetin bregdetar jugor, sipas INSTAT, është 431 mijë lekë për frymë në vit, ose 63% e PBB-së kryeqytetase dhe Vlora renditet e pesta në të ardhurat për frymë, pas Tiranës, Fierit, Gjirokastrës, Durrësit, duke qenë nën mesataren e Shqipërisë prej 496 mijë lekë.

Të tretët në renditje janë banorët e Durrësit, ku një rol të rëndësishëm luan edhe emigracioni. Qytetarët durrsakë kanë rreth 26 mijë lekë depozita për frymë.

Të katërtët janë korçarët, (22.6 mijë lekë për frymë) që njihen për nikoqirë dhe si të tillë e administrojmë më mirë paranë, duke lënë disa mënjanë.

Më pas vijnë Korça dhe Elbasani, me përkatësisht 22 dhe 19.3 mijë lekë për frymë. Interesant është që Fieri, që është i dyti për të ardhurat për frymë, ka kursime shumë të ulëta prej 18 mijë lekë për frymë, në një tregues që investimet e mëdha në industrinë e rëndë (naftë) në këtë qytet, ndonëse rrisin prodhimin e brendshëm të tij, nuk arrijnë të përkthehen në më shumë mirëqenie e kursime për vetë banorët.

Gjithsej, depozitat e individëve në banka e institucione të tjera financiare në Shqipëri ishin 917 miliardë lekë në fund të tremujorit të tretë (67 miliardë euro), ose 83% e totalit të depozitave në vend.

Vitet e fundit, depozitat e individëve janë ulur për shkak të normave të pafavorshme të interesit. Në krahasim me nëntorin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 94 miliardë lekë, ose gati 690 milionë euro.

Pavarësisht rënies, Shqipëria vijon të jetë një ndër vendet në zhvillim me nivelin më të lartë të kursimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (aktualisht 66.5% e PBB). Gjysmat e kursimeve janë në monedhën e përbashkët.

Bullgaria ka depozita sa 68% e PBB-së, Kroacia me 64% dhe Mali i Zi me 60%. Në vendet e tjera, kursimet e popullsisë në banka janë minimale, ku më të ulëtin e ka Kosova, me 32% të PBB-së, Serbia me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 50%.

Pak më lart është Sllovenia me 53%. Mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas Bankës Botërore është rreth 43% e PBB-së dhe Europa në zhvillim e ka 41%.

Për nga niveli i depozitave në raport me PBB, Shqipëria i afrohet edhe vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore, ku p.sh., Italia dhe Franca e kanë këtë tregues midis 70 dhe 80% (Italia e ka 77%). Grekët janë më kursimtarë, me rreth 93% depozita në raport me PBB-në.

Nuk është Gjirokastra! Ky është qyteti me “koprracët” më të mëdhenj në Shqipëri Read More »

Bestytnitë e shqiptarëve kur vjen miku

Atë Donat Kurti, një ndër folkloristët më të njohur shqiptarë, që aktivitetin e tij e zhvilloi në malet shqiptare, kryesisht në Dukagjin, në veprën “Doke e Zakone Shqiptare”, botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendos bestytnitë që lidhen me të.

Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt, ai shkruan:

Besëtytni në lidhni me mik.

– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).

– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).

– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (ngopë). (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).

– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).

– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).

– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).

– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).

– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër). /Konica.al

Bestytnitë e shqiptarëve kur vjen miku Read More »

E rrallë/ Shkollat në Shqipëri që nga viti 1258, ja të dhënat e reja që sjellin studiuesit

Shkodra, që gjithnjë ka qenë një nga qytetet më arsimdashëse dhe të shquara për kulturën qytetare e artin, ka pasur shkolla që në shekullin XIII. Dëshmitë e ekzistencës së këtyre shkollave na vijnë nga arkivat e françeskanëve.
Sipas studiuesit Sami Rrepishti, shkollat e para në gjuhën shqipe janë hapur në veri të Shqipërisë nga klerikët katolikë.

Dhe pikërisht në Ulqin në vitin 1258, në Durrës në vitin 1278, në Shkodër në vitin 1345 dhe 1359, në Tivar në vitin 1349, në Pult në vitin 1397, në Drisht 1396 dhe nga shekulli XV deri në shek. XVIII me shkolla të tjera në Shkodër e Lezhë e në shumë qytete të tjera.

Sipas profesorit, kishat katolike shqiptare me françeskanët në vijën e parë i zhvillonin të gjitha ritet në gjuhën tonë, ndaj dhe populli i frekuentonte të gjitha kishat e kuvendet e tyre me dëshirë, duke marrë pjesë masivisht në mesha, katekizëm, krezma, celebrimin e martesave, etj.

Sipas të dhënave që jep profesori Lutfi Alia, shkollat që janë ngritur në Shkodër në vitin 1416 ishin: shkolla “Santa Barbara, shkolla “Sam Mercurio”, “Kryqi i shenjtë” etj.

Shkolla të tilla do të hapeshin më pas dhe në Kurbin, në Pllanë, në Blinisht dhe në Zadrimë.

Në raportet e etërve françeskanë të kohës theksohet roli i madh që kisha katolike i kushton shkollës dhe nevojës së shkollimit të shqiptarëve.

Sigurisht që në këto shkolla kryesisht shkonin djem, por kisha katolike do i kushtonte një vëmendje të veçantë dhe vajzave, duke hapur në vitin 1879 shkollën fillore për vajzat dhe përkatësisht nga motrat stigmatine, ku u edukuan vajzat me kulturën bazë dhe mësoheshin si të bëheshin zonja të mira shtëpie.

Në vitin 1882 françeskanët çelën një kolegj fetar që do shërbente për të gjithë ata nxënës shqiptarë që dëshironin të bëheshin fretër. Mësimet u rregulluan sipas programit të gjimnazit të Austrisë.

Shkollat do të hapen vit pas vitit duke arritur në vitin 1908, kur do të mbahet Kongresi i madh i Manastirit.

Pyetja që është e natyrshme ishte: nga mbaheshin këto shkolla. Sipas profesorit, ato kryesisht financoheshin nga Austro-Hungaria. Dhe në fakt ka të drejtë. Austro-Hungaria ka pasur prej shekujsh një interes të veçantë për Shqipërinë, duke investuar në shkolla, në studimin e gjuhës shqipe, etj.

Pra nga statistikat që disponojnë françeskanët deri në vitin 1911 katolikët kanë hapur 47 shkolla shqipe, ndër to 10 shkolla për vajza. Në vitin 1933, me urdhër të Zogut, u mbyllën 74% e shkollave fetare katolike dhe në 1945 ato u mbyllën plotësisht nga diktatura komuniste.

Faik Konica, në shkrimet e tij, do të lëvdonte punën e madhe të shkollave fetare katolike. Ai do të shkruante: ”Kolegji saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës mund të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për punë dhe krahasohet një me të”.

Dhe pikërisht për këto shkolla kanë dhënë kontribut të veçantë klerikët katolikë, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Justin Rrota, Don Ndoc Nikaj, Karl Gurakuqi, Mati Logoreci etj./konica.al

E rrallë/ Shkollat në Shqipëri që nga viti 1258, ja të dhënat e reja që sjellin studiuesit Read More »

Lufta CIA- KGB në Shqipëri, si e shmangu rrëzimin e qeverisë Kundërzbulimi. Fundi i keq i …

Nga Auron Tare

Plot 65 vite të shkuara si sot u dha vendimi për Gjyqin e famshëm që Qeveria Komuniste bëri kundër grupit të dërguar nga amerikanët nën pseudonimin “Apple” apo i njohur si Grupi i Hamit Matjanit.

Në fakt me deklasifikimin e arkivave amerikane mund të themi se Matjani ishte një pjesëtar jo shumë i rëndësishëm në këtë operacion dhe drejtuesit e vërtetë ishin oficerët e Zogut, Zenel Shehu dhe me vonë Halil Branica, të dërguar nga ai personalisht për drejtimin e një rebelimi antikomunist.

Ky grup i rekrutuar nga radhët e njerëzve më të besuar të Zogut, i cili qëndronte në Egjipt dhe kishte filluar një bashkëpunim me operacionet klandestine të amerikanëve për një “kundër revolucion të mundshëm në Shqipëri” u trajnua dhe u përgatit në fshehtësi të madhe nga amerikanët në stacionin e tyre në Kifisia, Athinë.

Për vite me radhë një operacion shumë sekret, por mjaft i përfolur në qarqet profesioniste të inteligjencës vuri përballë njeri-tjetrit dy fuqitë më të rëndësishme të spiunazhit botëror.

Amerikanët e CIA-s dhe KGB sovjetike, e cila ishte këshilltari i fshehtë i Sigurimit.

Por duket se ishte  Kundërzbulimi shqiptar, i cili me një profesionalizëm të dukshëm udhëhoqi një operacion kundër CIA-s amerikane duke shkaktuar kthesën e rëndësishme në vazhdimësinë e këtyre operacioneve. Ashtu si në një loje shahu ku kundërshtarët planifikojnë lëvizjet e ardhshme, ky Operacion mbajti të mbërthyer në këtë lojë nervash të gjithë oficerët e angazhuar në të për gati 16 muaj nga dita kur grupi i Zenel Shehut u tradhtua nga njerëzit e tij dhe u kap nga grupi special i Sigurimit.

Tashmë me deklasifikimin e arkivave amerikane dëshmi shumë interesante dalin mbi këtë operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili për nga mënyra e ekzekutimit dhe profesionalizmi i treguar nga oficerët shqiptarë të kundërzbulimit kanë marrë vlerësimin në heshtje nga kundërshtarët e tyre, amerikanët. Operacioni ‘Apple Team” ishte kthesa e rëndësishme e përfshirjes amerikane në operacionet klandestine shqiptare, pasi grupi i përbërë nga agjentë të kalibrit të lartë, të pa përfshirë në bashkëpunim me italianët apo gjermanët gjatë Luftës dhe me mbështetje amerikane konsiderohej si mundësia më e madhe për krijimin e trazirave në Veriun shqiptar me shpresën e një rebelimi dhe rrëzimin e qeverisë Hoxha. Nëse ky operacion do të ishte i suksesshëm do të kishim modelin e parë të rrëzimit të një qeverie komuniste nëpërmjet operacioneve klandestine. Për këtë arsye duket se edhe sovjetikët mobilizuan personel të rëndësishëm për të këshilluar shqiptaret në infiltrimin e këtij operacioni.

Nga arkivat del se Gjenerali sovjetik, Dmitri Kurbatov ishte këshilltari i parë në këtë operacion dhe duket se kanë marrë pjesë aktive në Radiolojën e njohur si “Liqeni i Vajkalit”.

Ndërkohë Grupi Apple i drejtuar nga nën Koloneli George Mason, më vonë shefi i stacionit te CIA-s në Holandë dhe në Uashington, nga Koloneli Yasetvich për 16 muaj me radhë furnizoi nga ajri grupin e kontrolluar nga Sigurimi shqiptar i cili eliminoi çdo rrjet rezistence në Veri si dhe mundi të kapte gjallë Hamit Matjanin, një personazh tejet i famshëm për rezistencën e tij anti-komuniste.


Hamit Matjani majtas

65-vjet më vonë historia duhet ta kujtojë këtë përpjekje të rëndësishme të kampeve opozitare ideologjike por me pasoja për historinë e Shqipërisë. Grupi Apple duhej kujtuar si një grup njerëzish idealistë, besnikë të traditës së ndjekjes së prijësit por  fatkeqë, të cilët të larguar prej kohësh nga Shqipëria nuk e kuptonin ndryshimin e madh që i kishte ndodhur shoqërisë shqiptare. Të futur në lojë nga Zogu me besimin e verbër tek prijësi, ata u angazhuan në këtë Operacion të rrezikshëm, por sipas dokumenteve, me t’u kapur nga Sigurimi bashkëpunuan me të ndoshta të zhgënjyer nga fati i keq. Tahir Preçi, radisti i grupit një antikomunist i vendosur, i cili me besnikëri i qëndroi detyrës duke u përpjekur të njoftojë amerikanët për radiolojën dhe si përfundim humbi jetën.

Amerikanët që drejtuan operacionin, që me pa mundësinë profesionale që treguan morën në qafë të tjerë njerëz të cilët u hodhën me parashutë apo u infiltruan me kërkesën e Sigurimit.

George Mason i cili pagëzoi edhe grupin me emrin e koduar “Apple”, i cili u nda nga jeta vetëm disa vite më parë, në shënimet e tij pranon dështimin e madh të operacionit që drejtonte. Aq të zemëruar ishin amerikanët me këtë dështim saqë në dokumentit e deklasifikuara shikohenqartë edhe tentativat për të eliminuar fizikisht çdo kënd që mund të kishte dekonspiruar këtë operacion.

Zenel Shehu, i cili bashkëpunoi me Sigurimin, u pushkatua pa asnjë mëdyshje së bashku me shokët e tij duke dërguar një mesazh të qartë të egërsisë së regjimit për këdo që i kërcënonte pushtetin. Zogu vdiq në mërgim i survejuar nga Sigurimi i Shtetit.


Majtas Peter Mangelli, shqiptaro amerikani Komandant i Kompanisë 4000 një kompani e krijuar nga CIA për Operacione Klandestine në Shqipëri.

Ndërkohë nga Grupi Special dy drejtuesit kryesorë të Radiolojës, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, vite mëvonë u pushkatuan edhe si agjentë amerikanë. Anëtarët e tjerë te grupit special të Sigurimit dikush vdiq në vetmi i zhgënjyer thellësisht nga regjimi për të cilin kishin kontribuar aq shume. Një nga Oficerët e rinj të këtij grupi, Pilo Shanto, i cili botoi edhe një libërth shumë interesant për Operacionin e kaloi pensionin në qetësi të plotë në rrethinat e Uashingtonit, jo shumë larg selisë së CIA-s, betejat me të cilën ai i kishte kushtuar pjesën më të madhe të jetës.

Deri me sot nuk ka asnjë dëshmi mbi fatin e Gjeneralit sovjetik Dmitri Kurbatov. Ndoshta arkivat ruse mund të sjellin më shumë dritë mbi rolin sovjetik në këtë ngjarje.

Operacioni Apple Team apo Liqeni i Vajkalit  është një dëshmi historike shumë interesante e betejës politike të pasluftës  që duhet njohur dhe studiuar më shumë për të kuptuar më qartë dinamikën e asaj kohe. Jo në llogore ideologjike, por si një dëshmi e rëndësishme historike e pjesëmarrjes së Shqipërisë në majat më të larta të operacioneve klandestine dhe rëndësisë që Shqipëria kishte në atë kohë për politiken globale.

Më poshtë disa nga pseudonimet e Grupit Apple

1) Airtight, 2) BNPutlog,

3) BE: Domino, 4) Airëise, ORECertain, 6) Airometer.

The guide Airmail.

Zenel Shehu, Halil Branica, Tahir Prenci, Gani Malushi, Hamit Matjani. (dita)

Lufta CIA- KGB në Shqipëri, si e shmangu rrëzimin e qeverisë Kundërzbulimi. Fundi i keq i … Read More »

Njihuni me dokumentin më të vjetër të shkruar në gjuhën shqipe, ja se çfarë përmban

Dorëshkrimi latinisht me “Formulën e Pagëzimit” u gjet më 8 nëntor në bibliotekën “Laurenziana”, të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij me 1915.

Njihet si dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot.

Ajo është një fjali e shkurtër shqip (Unte’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit) në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut.

Është një formulë që duhej të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund t’i çonin në kishë. Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij.

Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, Muzeu Historik Kombëtar botoi librin me titull “Formula e Pagëzimit”. Në këtë libër u përfshinë kumtesat kushtuar dokumentit të parë të shkruar në gjuhën shqipe.

Njihuni me dokumentin më të vjetër të shkruar në gjuhën shqipe, ja se çfarë përmban Read More »

‘Oficerët e Sigurimit kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja të internuara’ (Fotot e rralla)

Kjë është dëshmia e 86 vjeçarit Lek Pervizi me banim në Belgjikë, i cili bashkë me familjet e vëllezërve të tij qëndruan në kampe dhe internime nga viti 1945 deri në 1991-in.

Nga: Dashnor KALOÇI

Në fundin e vitit 1948 apo fillimin e vitit 1949 kur Shqipëria i prishi marrdhëniet me Jugosllavinë e Titos, pothuaj në të gjithë veriun e vëndit filluan arratisjet në masë. Si rezultat i kësaj situate dhe për ta frenuar sadopak fluksin e madh të personave që arratiseshin jashtë vëndit, qeveria komuniste e Tiranës e rriti menjëherë represionin dhe në atë kohë filluan internimet në masë.

Si rezultat i atij represioni, kampi i Beratit dhe ai i Kuçovës që sapo ishte hapur u mbushën plot me të internuar. Nisur nga numri i madh i të internuarve që u grumbulluan në ato dy kampe, qeveria komuniste u detyrua dhe hapi kampet e Turhanit dhe të Memalijat në rrethin e Tepelenës. Në ato dy kampe ku jetonin rreth 6000 të internuar në kufijtë e mizerjes, që në ditët e para plasën epidemi të ndryshme dhe në gushtin e vitit 1949 në kampin e Turhanit brenda një nate vdiqën 33 fëmijë nga sëmundja e dizanterisë”.

Lek Pervizi ne kampin e Tepelenes
Lek Pervizi ne kampin e Tepelenes

Njeriu që flet dhe dëshmon mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve të qindra familjeve shqiptare nëpër kampet e ndryshme të internimeve, të cilat regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur “familje reaksionare”, është 86-vjeçari Lek Përvizi me origjinë nga Skuraj i Kurbinit, që bashkë me familjen e tij ka vuajtur nëpër kampet e ndryshme nga viti 1945 e deri në vitin 1990-të. Ndonëse që nga viti 1991, Lek Përvizi është vendosur me banim në Bruksel të Belgjikës, ai nuk i harron lehtë vuajtjet që ka kaluar nëpër ato kampe dhe ka dëshirë të flasë jo vetëm për dramën tragjike të familjes së tij, por për ato dhjetra e dhjetra familje të tjera që patën të njëjtin “fat” me të.

Lidhur me këtë periudhë kohe, pas viteve ’90-të Leka ka shkruar disa libra si dhe është botues i revistës “Kuq e Zi” që e nxjerr pa ndërprerje prej 20 vjetësh në mërgim në Bruksel. Gjithashtu Leka është i vetmi ish-i dënuar në kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ka pikturuar mjaft skica nga kampi i Tepelenës dhe bashkëvuajtës të tij, duke i ruajtur ato me shumë sakrifica në vëndet e ndryshme të internimit ku ai ka qenë familjarisht deri në vitin 1991 dhe duke na i sjellë ato si një dëshmi e gjallë dhe e pakontestueshme e një prej periudhave më të errta të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Po kush ishin ato familje të mëdha që regjimi komunist i Enver Hoxhës i shpalli “Familje armiqsh e reaksionarë” dhe kur filloi kalvari i gjatë i vuajtjeve të tyre? Cili ishte kampi i parë i të internuarëve që regjimi komunist hapi në Shqipëri dhe cilat ishin familjet e para që u dërguan për të vuajtur dënimin aty? Kush ishin kampet e tjera që u hapën më pas dhe si u trajtuan të internuarit në ato kampe? Lidhur me këto dhe ngjarje të tjera nga kampet e internimit bën fjalë ky shkrim që është bazuar mbi dëshmitë e Lek Pervizit.

(Bashkangjitur këtij shkrimi po publikojmë dhe disa foto të rralla të internuarve në kampet e ndryshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku Lek Pervizi apo familjarë të tij kanë dalë me bashkëvuajtës të tjerë, nga familjet: Kupi, Gjonmarkaj, Bajraktari, Staravecka, Kola, Marashi, Dosti, Çelo, Dine, Dema, Koliqi, Trashani, etj etj.) Maj 1945, internimet e para të familjeve “reaksionare”

Ndonëse komunistët që erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, arrestimet ndaj kundërshtarëve të tyre politikë i kishin filluar që nga vera e atij viti, internimet e para të atyre familjeve që ata i shpallën “reaksionare”, filluan vetëm në majin e vitit 1945. Të arrestuarit e parë që ishin kapur pak kohë para mbarimit të luftës, të cilët komunistët i konsideronin armiq, u grumbulluan në një nga kazeramt e italianëve që ndodhej diku në malin e Dajtit dhe aty u mbajtën të izoluar deri nga janari i vitit 1945.

te internuar

Në atë kohë ata i zbritën në qytetin e Tiranës dhe i izoluan kryesisht në Burgun e Ri dhe në Burgun e Vjetër. Ky ishte dhe kontigjenti i parë i të burgosurve politikë të Shqipërisë, ndërsa disa muaj më pas, në majin e vitit 1945, qeveria komuniste e Tiranës filloi dhe internimet masive ku “streha” e parë e atyre familjeve ishte qyteti i Beratit.

Lidhur me këtë, Lek Përvizi, dëshmon: “Deri aty nga maji i vitit 1945, shumë nga familjet e mëdha që ishin shpallur rekasionare, si Gjomarkajt, Mëlyshajt e Bajraktarët e Mirditës, Kaloshët, Dinet, e Demët e Dibrës, Bajraktarët e Kukësit, Sokolët dhe Marashët e Shkodrës, Përvizët dhe Lalat e Kurbinit, ishin mbajtur të izoluar në Degët e Brendshme të rretheve të tyre. Në muajin maj të atij viti këto familje dhe shumë të tjera të cilat ishin njohur si familje zogiste, pa asnjë lloj vendimi gjyqësor u internuan të gjitha në qytetin e Beratit, i cili u bë qëndra dhe “streha” e parë e të gjitha familjeve “reaksionare” kryesisht të Veriut të Shqipërisë.

lek pervizi

Ndërsa në atë kohë qyteti i Beratit u “popullua” nga këto familje “reaksionare”, të Veriut të Shqipërisë, qyteti i Krujës u bë “streha” e shumë familjeve të tjera të Jugut të Shqipërisë. Familjet që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, ishin kryesisht nga qyteti i Korçës por kishte dhe nga Gjirokastra, Saranda dhe nga zona e Dropullit të minoritetit grek. Nga ato familje që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, më kujtohen: Kokali nga Saranda dhe Kullajt nga Zëmbëlaku. Të gjitha ato familje që u internuan në qytetet e Krujës dhe të Beratit, më parë u ishin konfiskuar të gjitha pasuritë e tundëshme dhe të patundshme dhe ato kishin dalë nga shtëpitë e tyre vetëm me rrobat e trupit.

Po kështu kishte dhe shumë familje që pasi ishin arrestuar dhe ishin sjellë në internim, komunistët u kishin djegur shtëpitë. Nga ato familje që iu dogjën shtëpitë ndër të tjera ishin: Gjomarkajt e Mirditës, Marashët e Shkodrës, Dinet e Demat e Dibrës, Kolat e Matit etj”, kujton 86-vjeçari Lek Përvizi, lidhur me periudhën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi internimet e para të atyre familjeve që i shpalli “armike dhe reaksionare”.

thumbnail_GJONI02

Si u trajtuan familjet “reaksionare” në Berat e Kuçovë

Po si u trajtuan ato familje që regjimi komunist i dërgoi me dhunë për të vuajtur dënimin si të internuar në qytetin e Beratit? Lidhur me këtë, Lek Përvizi dëshmon: “Familjet e para që u dërguan në internim në qytetin e Beratit, ishin: Gjomarkajt, Mëlyshët, Bajraktarët, Përvizët, Lleshmarashët, Sokolët, Dinet, Demat, Kolat, Dodgjinët etj. Ato familje u vendosën kryesisht në lagjen “Kala”, por më pas ato u vendosën

edhe në lagjet e tjera të qytetit si “Mangalem”, “Murat-Çelepias” etj. Atyre familjeve fillimisht u jepej vetëm 500 gram bukë misri në ditë dhe ato ishin të detyruara që ta paguanin vetë qeranë e shtëpisë ku banonin. Shumë prej atyre familjeve që ishin të internuara në Berat, edhe pse banonin nëpër barake apo kasolle të improvizuara, e paguanin njëlloj qeranë e banesës si ato që ishin në gjëndje disi më të mirë. Të gjithë personat e familjeve të internuara në qytetin e Beratit, nuk kishin të drejtë të largoheshin nga qyteti dhe tre herë në ditë të gjithë: me gra, burra, fëmijë dhe pleq, paraqiteshin tre herë në ditë në apel pranë Degës së Brendshme.

thumbnail_GJONI03

Që në ditët e para që ato familje u dërguan aty, pra në majin e vitit 1945, regjimi komunist u mundua për t’i poshtëruar ata duke përdorur të gjitha mënyrat. Një nga ato mënyra që u përdorën për t’i poshtëruar ato familje, ishte hapja e kanaleve të ujrave të zeza në mes të qytetit. Më pas të internuarit u dërguan për të punuar edhe në punë të ndryshme në bujqësi dhe sidomos në luftën kundër karkalecit në fushat e mbjella. Në atë kohë shumë nga familjet që nuk mund ta mbanin dot frymën gjallë me 500 gram bukë në ditë, detyroheshin dhe shkonin në mal për të bërë dru, që t’i shisnin ato në qytet për të fituar ndonjë lek për bukën e gojës.

Përveç vuajtjeve fizike dhe urisë, në atë kohë shumë familje të internuara provuan mbi kurrizin e tyre dhe strese të shumta nga epshet e oficerëve të Sigurimit që kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja. Nga që asnjë prej atyre vajzave nuk ra “preh” e tyre, oficerët e Sigurimit u detyruan dhe i burgosën shumë nga ato vajza të reja. Ndonëse propaganda komuniste në atë kohë përdorte të gjitha mënyrat për t’i poshtëruar familjet tona që ishim të internuar atje, populli i Beratit u tregua tepër fisnik dhe mundohej me të gjitha mundësitë që kishte për të na i lehtësuar sadopak dhimbjet. Shumë familje beratase në atë kohë u dërgonin familjeve të internuara, ushqime dhe rroba e batanie për të fjetur. Po kështu dhe brenda për brenda familjeve të internuara në atë kohë kishte një solidaritet shumë të madh.

thumbnail_GJONI04

Shumë prej familjeve që kishin ndonjë të ardhur apo krah pune më shumë, u gjendeshin dhe u jepnin gjithmonë atyre familjeve që nuk kishin krah pune për të punuar. Në atë kohë në familjet e internuara nuk kishte shumë arrestime dhe kur ndonjë i arratisur vritej, familjen e tij e lironin nga internimi dhe e kthenin andej nga kishte ardhur. Kështu ndodhi me familjen e Llesh Marashit që u ekzekutua në atë kohë në Shkodër. Por ajo gjë nuk ndodhte gjithmonë, sepse kishte raste si ai i familjes Gjonmarkaj, që ndonëse u vranë shumë prej tyre, ata nuk i liruan asnjëherë nga internimi. Nga fundi i vitit 1947 nga Berati shumë familje u dërguan në Kuçovë ku filloi ndërtimi i fushës së aviacionit.

Ato familje u vendosën në kazermat e italianëve dhe për të ngrënë u jepej vetëm bukë thatë pa gjellë. Pas Kuçovës shumë nga ato familje u sollën në Valias të Tiranës për të punuar në bujqësi, siç ishin Gjomarkajt, Demët etj”, kujton Lek Përvizi lidhur me trajtimin e familjeve të internuara në qytetin e Beratit e Kuçovës.

thumbnail_GJONI05

Vdekja e 33 fëmijve në kampin e Turhanit

Pas qytetit të Beratit, regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi t’i dërgonte të internuarit edhe nëpër qytete të tjera. Lidhur me këtë, Lek Përvizi dëshmon: “Aty nga fundi i vitit 1948 apo fillimi i vitit 1949, kur Shqipëria i prishi marrdhëniet me Jugosllavinë, në Veriun e vëndit filluan arratisjet në masë. Për ta frenuar sadopak atë fluks arratisjesh, regjimi komunist në atë kohë rriti represionin dhe filloi internimet masive. Nga që Kuçova dhe Berati në atë kohë u mbushën plot me familje të internuara, për të mos rënë në sy, regjimi komunist u detyrua dhe hapi dy kampe të tjera në Turhan dhe Memalija të Tepelenës.

Në ato dy kampe që u mbushën vetëm me familje të internuara të Veriut të Shqipërisë, kushtet e banimit ishin në kufijtë e mizerjes dhe të internuarit jetonin në kondita primitive. Atyre u jepej vetëm 500 gram bukë misri thatë e asgjë tjetër. Në atë kohë që u vra Bardhok Biba, numri i të internuarëve në dy kampet e Tepelenës, arriti në 6000 vetë. Nga mungesa e madhe e higjenës, aty plasën epidemitë e sëmundjeve të ndryshme dhe njerzit vdisnin në masë. Mesatarja e vdekjeve nga ato epidemi, ishte shtatë veta në ditë. Katastrofa më e madhe ndodhi në gushtin e vitit 1949 kur në kampin e Turhanit vdiqën 33 fëmijë brenda një nate dhe për këtë gjë është dëshmitar, Abdurrahman Kaloshi, i cili mund të tregojë më shumë.

thumbnail_lek-Pervizi-autoportret

Të gjitha ata fëmijë vdiqën nga epidemia e dizanterisë sepse nuk kishte asnjëlloj ndihme mjeksore dhe buka e misrit ishte e mykur. Tmerrit të vdekjeve të asaj nate, iu shtua edhe më shumë ankthi sepse nuk premtonte koha për të hapurr varret për të gjithë ata foshnje. Një gruaje nga Vermoshi i Dukagjinit që quhej Cukalina, i vdiqën dy fëmijet binjakë, njëri në mëngjez dhe tjetri në darkë. Nga që ata ishin dhe mashkujt e vetëm të fisit, nëna e tyre vrau veten të nesërmen me gjithë motrën e saj. Kjo tragjedi e madhe shkaktoi bujë të madhe tek mjekët e Gjirokastrës dhe Tepelenës, të cilët patën kurajon dhe e bënë problem në Tiranë atë gjë.

Qeveria komuniste e Enver Hoxhë u detyrua dhe dërgoi aty një grup oficerësh për të parë gjëndjen dhe pas atij inspektimi u vendos mbyllja e kampit të Turhanit dhe atij të Memaliajt. Të gjithë të internuarit e atyre dy kampeve, u dërguan në kampin e Tepelenës ku kushtet ishin disi më ndryshe se aty, sepse u vendosën në kazermat e italianëve ku kishte dhe ujë për të pirë. Por edhe në atë kamp ku të internuarëve u jepej vetëm 650 gram bukë gruri me pak supe me krimba që ishte vetëm ujë, vazhduan përsëri vdekjet. Edhe në aty të internuarit nuk i shpëtuan dot të ftohtit dhe urisë.

Ata dërgoheshin të punonin në pyll për dru, pleh, dhe për të mbajtur shtylla për ndërtim. Nga fundi i vitit 1949 shumë të internuar u dërguan në kampin e Porto-Palermos që sapo u hap në atë kohë. Në atë kamp ata u vendosën në Kala dhe shumë prej të internuarëve edhe sot e kësaj dite janë të verbuar nga errësira që ishte atje”, kujton Lek Përvizi, lidhur me tragjedinë e kampit të Turhanit ku në gushtin e vitit 1949, vdiqën 33 fëmijë nga kushtet e këqia të jetesës.

thumbnail_Te-internuar-ne-Myzeqe

Nga Tepelena në Myzeqe

Familjet e internuara në kampin e Tepelenës, qëndruan aty deri në vitin 1953, sepse në atë kohë shumë prej forcave të afta për punë u dërguan për të punuar në rrethe të ndryshme për ndërtimin e disa godinave të Degëve të Brendshme. Lidhur me fatin e mëtejshëm të familjeve të internuara, Lek Përvizi, dëshmon: “Aty nga viti 1954 kampi i Tepelenës u mbyll dhe të gjithë familjet që ishin aty i mblodhën dhe i sollën në disa kampe që u hapën në fushat e Myzeqesë, si në sektorët e Grabjanit, Çermës, Gradishtës, Dushkut, Plugut, Savërs, Xhazës etj.

Po në vitin 1954 një pjesë të internuarve u dërguan në kampin e Kuçit të Kurveleshit që sapo u hap në atë kohë. Vetëm ndër 100 të internuar që u dërguan përnjëherë aty, 60 prej tyre kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, si Dom Mikel Koloqi, Ali Erebara, Ibrahim Sokoli, Nedim Kokona, Sami Kokalari etj. Kampi i Kuçit të Kurveleshit u mbyll në vitin 1958 dhe të internuarit që ishin aty u sollën përsëri në kampet e Myzeqesë. Në ato kampe, bashke me dhjetra familje si Dostët, Gjomarkajt, Çelët, Hoxhat, Bajraktarët, Dinet, Demët, Ndretë, etj, ne qëndruam deri në vitin 1990-të kur u shkri Komisjoni i Internim-dëbimeve.

Një pjesë e të internuarëve qëndroi aty edhe për disa vjet të tjera pas 1990-ës, por për hir të së vërtetës dua të them se në ato kampe ka akoma disa nga familjet e internuara që nuk kanë se ku të gjejnë strehë tjetër”, e përfundon rrëfimin e tij 86-vjeçari Lek Përvizi, mbi fatin tragjik të shumë familjeve fisnike që regjimi komunist i shpalli “reaksionare” dhe i degdisi për 45-vjet me rradhë në kampet e internimmit që ishin hapur anekënd Shqipërisë./Tema

‘Oficerët e Sigurimit kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja të internuara’ (Fotot e rralla) Read More »

Një vogëlushe me Sindromën Down ndërpret Papën. Reagimi i tij vlen miliona…

Thuhet se besimi arrin të lëvizë malet, por mbi të gjitha ajo që mund të lëvizë janë zemrat e njerëzve.

Përtej asaj që mund të jetë feja e secilit prej nesh, një gjest me ëmbëlsi i kapërcen të gjitha llojet e besimeve, pasi ajo mund të bëjë që të lëkundet esensa që çdo qenie njerëzore ka brenda vetes.

Papa Françesku është autoriteti më i lartë i fesë katolike në botë dhe ndoshta do të hyjë në histori për ato gjeste spontane mirësie, që e kanë sjellë atë më afër besnikëve të tij.

Papa u bë kohë më parë protagonist i një skene shumë të ëmbël.

Papa Françesku, i lindur në Argjentinë, priti në audiencë delegacionet e turneut të Unifikuar të Futbollit të Olimpiadës Speciale të mbajtur në Romë tetorin e kaluar, shkruan ShkodraNews. Ky është një turne i unifikuar ndërkombëtar i futbollit, me skuadra prej 9 lojtarësh, 5 prej tyre me aftësi të kufizuara intelektuale dhe 4 pa aftësi të kufizuara, shkruan ShkodraNews. Në këtë edicion marrin pjesë skuadra nga 9 vende evropiane, duke përfshirë edhe Italinë me 4 skuadra.

Gjatë një ceremonie me rastin e këtij aktiviteti, fëmija nuk mendoi dy herë dhe shkoi për t’u ulur direkt në karrigen e Papës.

Edhe pse prindërit ishin duke u përpjekur për ta thërritur atë, përgjigjja e fëmijës ishte tundja e kokës në shenjë mohimi dhe thërriste çdo herë fjalën “Papa”, duke tërhequr vëmendjen e Papës i cili nuk mund të mos hipnotizohej nga aq shumë butësi.

Pastaj, gjatë fjalimit të tij, Papa mori dorën e Gemma-s dhe imazhi ishte aq i ëmbël saqë shumë shpejt u bë viral nëpër botë.

Çfarë mendoni për këtë histori të bukur? Lini një koment dhe mos harroni të ndani këto imazhe të ëmbla me miqtë tuaj në Facebook.

Një vogëlushe me Sindromën Down ndërpret Papën. Reagimi i tij vlen miliona… Read More »