Art-Kulture

Ndahet nga jeta aktorja e njohur Valentina Caci

Aktorja e mirënjohur shqiptare, “Artistja e Merituar” Valentina Caci u nda nga jeta ditën e sotme.

Si pjesë e trupës profesioniste të aktorëve të teatrit të Korçës, Caci ka pasur shumëllojshmëri shfaqjesh në drama dhe komedi, duke marrë edhe besimin e regjisorëve për role kryesore.

Presidenti Ilir Meta i shprehu sot ngushëllimet familjes për humbjen e artistes së madhe.

“Me trishtim mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktores sonë të mirënjohur, “Artistes së Merituar” Valentina Caci. Me rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, në skenë, dhe veçanërisht në film, Valentina Caci fitoi simpatinë dhe u duartrokit me meritë nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në teatër e kinematografi. Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e kësaj artisteje të madhe, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si edhe të gjithë artdashësve shqiptarë. E paharruar do të mbetesh e madhja Valentinë!”, shprehet Meta.

Valentina Caci lindi në qytetin e Korçës më 2 mars të vitit 1936. Në lëvizjen artistike që shpërtheu që në muajt e parë të Paraçlirimit u aktivizua në grupet teatrale amatore, ku dhe u dallua si aktore. Ajo ka interpretuar në shumë role si, Ollga në dramën “Makar Dubrava” e Korneiçukut, Kolkoziania në dramën “Rruga e madhe” e Fjodorovit, Gallupkova në komedinë “Kush e ka fajin” e Molinavit, Lumturia në dramën “Të rinjtë” e V. Vinçanit, Lumtua në komedinë “Vajza nga fshati” e F. Gjatës, Veroria në dramën “Këneta” e F. Gjatës, Nafia në dramën “Hijet e natës” e V. Kokonës, Meri në dramën “Rrethimi i bardhë” e N. Priftit, Helena në dramën “Engjejt e skëterrës” e Kantenit, Gruaja në dramën “Orteku i vjeshtës” e S. Andonit, Luçia në komedinë “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës etj.

Ndërsa për publikun e gjerë ajo njihet me filmat: “Vëllezër dhe shokë”, “Mësonjëtorja”, “Me hapin e shokëve”, “Rruga e madhe”, “Kur çel dashuria”, “Shoqja nga fshati” dhe “Zonja nga qyteti”, etj.

Për kontributin e saj në skenën korçare dhe jo vetëm, aktores Valentina Caci i është dhënë titulli, “Artiste e Merituar”. Homazhet për të do të zhvillohen ditën e nesërme në Teatrin e Korçës “Andon Zako Çajupi” nga ora 12:00-13:00./atsh

Ndahet nga jeta aktorja e njohur Valentina Caci Read More »

Perlat e polifonisë shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani

Promovimi i folklorit dhe polifonisë shqiptare jashtë kufijve të vendit ku shpalosen ngjyrat, ritmet dhe energjia e një vendi me identitet europian, po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Grupi folklorik “Bilbili”, i Vlorës do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Lauksnos”, në qytetin bregdetar Klaipeda, rreth 300 km larg kryeqytetit Vilnus, Lituani, nga 11-14 korrik.

Ky grup i njohur folklorik do të marrë pjesë në festivalin me emrin e Diellit, mes dymbëdhjetë shtetesh pjesëmarrëse.

Drejtori artistik i grupit “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “njëzet vite më parë, pikërisht në vitin 1999, Grupi “Bilbili” mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folkut ” Balltica-99″, pikërisht në kryeqytetin e vendit, Vilnus. Tani, njëzet vite më pas, do të udhëtojë përsëri drejt këtij shteti, por në një tjetër qytet e festival”.

“Mes flamujve kombëtarë të Lituanisë, Kroacisë, Serbisë, Irlandës, Polonisë, Italisë, Bosnjë-Hercegovinës, Ukrahinës, Armenisë, Argjentinës e Indisë do të valëvitet edhe flamuri kuq e zi i shqiptarëve”, – thekson Gjokoli.

Sipas tij, ky është festival krejt i veçantë në larminë e këtyre lloj eventeve në mbarë botën.
Festivali “Lauksnos” zhvillohet vetëm me produkte folklorike e artistike të mbrojtura nga UNESCO.

“Bilbili” shqiptar vete edhe më krenar e plot dinjitet mbasi “produktet” që mbart e do të shpalosë përfaqësojnë, as më pak e as më shumë, por Kryeveprën shpirtërore të njerëzimit, certifikuar nga UNESCO katërmbëdhjetë vite më parë”, nënvizon Gjokoli.

Në këtë festival, vijon Gjokoli, grupi folklorik shqiptar do të prezantojë një mozaik këngësh të zgjedhura nga repertori çerekshekullor i këtij grupi.

“Por pjesë e programit janë edhe disa nga perlat më përfaqësuese të fondit të artë të labërisë do të “derdhen” skenave dhe mjediseve folklorike të Klaipedias në katër ditët e festivalit, përmes pjesëmarrjes dhe mjeshtërisë interpretuese të disa prej mbartësve të polifonisë së Labërisë , anëtarë të Folk Grup “Bilbili”: Sinan Gjoleka, Vendim Kapaj (Mjeshtër i Madh), Piro Latifaj, Tajre Bozhani, Valbona Nora, Sadik Hodo, Adriatik Çenko, Trifon Malaj e Viktor Gjoka”.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare. Grupi folklorik “Bilbili” është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar zhvilluar në Moldavi, në vitin 1995. Në vitin 1996 është pjesëmarrës në Folkloriadën e Parë Botërore, organizuar në Brunssum (Holandë), në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Balltika” në vitin 1999 është titulluar laureat i Festivalit.

Gjithashtu është pjesëmarrës në Festivalin Folklorik “Këngë Jeho”, në Strugë, po në vitin 1999. Në vitin 2002 merr pjesë në Festivalin e Klinës (Kosovë) , ku dhe fiton çmimin e parë në këtë festival.Në Tetor të vitit 2009 është pjesëmarrës në Festivalin e pestë Ndërkombëtar të Izmirit-Turqi. Gjithashtu në takimin e shoqatave kulturore, organizuar në qytetin e Sarandës në vitin 1996, grupi “Bilbili” ka fituar çmimin e parë. Ka nxjerrë në tregun muzikor vendas mbi 20 CD-i, të cilat qarkullojnë, si dhe janë përpunuar e kanë zënë vend në muzikën moderne./atsh

Perlat e polifonisë shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani Read More »

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”

Gjiri i Vlorës do të presë më datat 4-6 korrik, edicionin e nëntë të Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”, “Trofeu i Mikpritjes”, regata FIV, shprehet Ambasada italiane ne Tiranë.

Kjo ngjarje lindi me edicionin e parë te vitit 2011, 20 vite pas zbarkimit në Brindisi të refugjatëve shqiptarë, për të kujtuar dhe përshkuar atë rrugë me një qëllim dhe domethënie të re, shenjë e miqësisë që lidh dy brigjet e detit Adriatik.

Po ashtu Ambasada italiane publikon axhendën e aktiviteteve.

Në këtë edicion marrin pjesë 24 barka, përfshirë edhe dy anije ushtarake me vela, përkatësisht ajo e Guardia di Finanza dhe e Forcës Detare ushtarake italiane: Gjiri i Vlorës do të mbushet me vela!

Të shtunën, datë 6 korrik, do të zhvillohet edicioni i dytë i regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”: qytetarët e Vlorës dhe turistët do të mund të vëzhgojnë garën nga Lungomare dhe nga plazhet.

Regatës do t’i bashkëngjitet një iniciativë tjetër e bukur: kursi për të lundruar me barkat me vela për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.

Po ashtu, Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë, nisur prej datës 7 korrik, 6 ditë kurs për barkat me vela, pa pagesë, pikërisht për të përhapur lundrimin me vela mes të rinjve të Vlorës, dhe me këtë, një kulturë detare të re, ndryshe./atsh

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë” Read More »

Rijetëzimi i qendrës historike të Vlorës, pol i rëndësishëm turistik

Qendra Historike e Vlorës po rijetëzohet duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktivë dhe tërheqës kulturor.

Ky projekt ka bërë bashkë qeverinë shqiptare Ministria e Kulturës,Fondacionin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim The_AADF, Bashkinë Vlorë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Sheshi para bashkisë po shtrohet me pllaka guri, ndërsa në rrugën “Justin Godart” rikonstruksioni i infrastrukturës nëntokësore është drejt përfundimit.

Hapi i radhës është shtrimi i trupit dhe trotuarëve me pllaka guri. “Justin Godart” do të jetë e dedikuar për këmbësorët dhe e pajisur me ndriçim, gjelbërim dhe mobilim urban.

Ndërkohë paralelisht është punuar për restaurimin e godinave historike në zonën B, unifikimin e fasadave për të nxjerrë në pah historinë dhe bukurinë e tyre.

Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në Lagjen Partizani në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qënë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni./atsh

Rijetëzimi i qendrës historike të Vlorës, pol i rëndësishëm turistik Read More »

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike

Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në Vlorë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë sezonit turistik të këtij viti.

Në raport me vitet paraardhëse dhe kryesisht me vitin 2018 shihet qartë që këto monumente dhe parqe arkeologjike që administrohen nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, kanë patur një numër më të madh vizitorësh.

Sipas DRKK Vlorë, është rritur me rreth 35% numri i vizitorëve për periudhën janar – qershor 2018/2019.

Vizitorët kanë shfaqur interes për 8 objektet e vizitueshme me biletë nën juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë si Kalaja e Porto Palermos, Kalaja e Kaninës, Kalaja e Himarës, Kisha e manastirit të Shën Kollit Mesopotam, Manastiri i 40 shenjtorëve , Parku Amantia, Parku i Orikut dhe i Finiqit.

Vlora është e vendosur në një pozicion mjaft të përshtatshëm në qendër të gjirit me të njëjtin emër. Një numër i madh sitesh arkeologjike dhe monumentesh përfaqësojnë periudhat e ndryshme të historisë së Vlorës. Qyteti bregdetar përmendet pothuajse në të gjithë itineraret e kohës perandorake romake, si dhe një skenë e përshtatshme për ata që vinin nga Hydrunti (Otranto) apo Brindisi, por në radhë të parë si stacion në rrugën nga Apolonia për në Butrint, ku sipas burimeve historike në antikitetin e vonë u kthye në qendër peshkopale dhe njëkohësisht ishte një nga tetë qendrat më të rëndësishme të provincës së Epirit të Ri.

Trashëgimia kulturore e historia e jashtëzakonshme, së bashku me peizazhin e mrekullueshëm të gjirit të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik./atsh

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike Read More »

Parodisti Muhamet liko do të festonte sot ditëlindjen e tij por nuk mundi – Vajza e tij bën dedikimin prekës “Zoti të mori me vete sepse ishe më i mirë sec duhet”

Humbi jeten ne fillim te Qershorit Parodisti shume i njohur dhe shume i dashur per te gjithe Muhamet Liko.

Nje largim i papritur nga kjo jete qe shokoi te afermit,koleget,miqte,shoket,artedashesit e tij te cilet e kane ndjekur hap pas hapi aktivitetin e tij artistik.

Meti ashtu si i flisnin miqte e tij sot do te festonte diten e tij te lindjes,do te mbushte sot 64-vjec,por nuk mundi ta festoj sepse zemra e tij pushoi se rrahuri.

Sot ne kete dite vajza e tij me te cilen ai kishte nje lidhje te forte i drejtohet nepermjet nje statusi ne facebook,me fjale shume prekese dhe emocionuese Bushos sic ajo i fliste atit te saj:

“Sot duhet te ishte Dita me e bukur e jotja,sot do te mbushje 64 vjec, sot do te festonim sebashku, do te te dergoja mesazh ne oren 12 te nates”

Statusi i plote:

Sot duhet te ishte Dita me e bukur e jotja,sot do te mbushje 64 vjec, sot do te festonim sebashku, do te te dergoja mesazh ne oren 12 te nates, ndoshta do te vija edhe ne shtepi te te beja surprize edhe pse ti nuk i kishe shume qejf sepse emocionoheshe dhe gjithmone me thoshe :Gezohuni ju se mua po me iken mosha!, do vija qe ne mengjes te te sillja lule lejla te preferuarat e tua, do tureshim te gjithe kush te te puthte i pari por Joooo asgje nga keto nuk ndodhi, Zoti te morri me vete sepse ishe me i mire sec duhet. Te dua cmendurisht shume Bushua im i shtrenjte, te qofte dheu i lehte u prehsh ne paqe o Engjelli me i bukur ne bote, o ylli me i shndritshem ne qiell!

M.A
@laberianews

Parodisti Muhamet liko do të festonte sot ditëlindjen e tij por nuk mundi – Vajza e tij bën dedikimin prekës “Zoti të mori me vete sepse ishe më i mirë sec duhet” Read More »

“Gazetari Marin Mema, të lumtë mendja dhe pena”-Folk Grup Bilbili i kushton këngë labe gazetarit patriot !

Folk Grup Bilbili i ka kushtuar nje kenge te bukur labe gazetarit te mirenjohur Marin Mema. Lexoni tekstin fantastik dhe ndiqni videon me poshte:

Gazetari Marin Mema,
Të lumtë mendja dhe pena.
Gazetari Marin Mema,
Të lumtë mendja dhe pena.

Të lumtë mendja dhe pena.

Syri nuk të trëmbet fare
Në gjithë trojet Shqipëtare
Syri nuk të trëmbet fare
Nëpër Trojet shqipëtare.

Nëpër Trojet shqipëtare

Ball’ për ballë me historinë,
Për Kombin tonë Shqipërinë
Ball’ për ballë me historinë,
Për gjithë kombin Shqipërinë

Për gjithë kombin Shqipërinë

Urime çmimi që more,
Në Kosovën, Arbërore.
Urime për çmim që more,
Në Kosovën Arbërore

Në Kosovën Arbërore

Me ty sot e gjith shqipëria,
Se të nderon Dardania
Me ty sot e gjith shqipëria,
Se të nderon Dardania

Se të nderon Dardania

“Gazetari Marin Mema, të lumtë mendja dhe pena”-Folk Grup Bilbili i kushton këngë labe gazetarit patriot ! Read More »

Sheshi “Skëndërbej” vlerësohet me çmimin e parë si Hapësira më e mirë Europiane në Spanjë

Pas vlerësimit që mori në bienalen e Çikagos, çmimit prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë dhe çmimit të dytë për Arkitekturën Bashkëkohore 2019 që u akordua nga Bashkimi Europian, sheshi “Skënderbej” vijon të tërheqë vëmendjen e profesionistëve ndërkombëtarë të arkitekturës, si një nga hapësirat që ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Së fundi, sheshi “Skënderbej” është përzgjedhur si fitues i Çmimit Europian për Ndërhyrje në Trashëgiminë Arkitekturore (European Award for Architectural Heritage Intervention AADIPA), në një garë aspak të lehtë, ku konkurruan 239 projekte nga vende të ndryshme të botës. Juria e cilësoi projektin e sheshit “Skënderbej” si një reflektim i kompleksitetit dhe historisë së Shqipërisë.

Çmimi prestigjioz u dha nga Shoqata e Arkitektëve të Katalonjës dhe Shoqata e Arkitektëve për Mbrojtjen dhe Ndërhyrjen në Trashëgiminë Arkitekturore, mbështetur nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Katalonjës dhe Këshillit Bashkiak të Barcelonës.

Sheshi “Skëndërbej” konkurroi në kategorinë “Hapësirat e Jashtme” dhe nga dhjetë veprat e përzgjedhura, në finale shkuan 4 finalistë:

– Sheshi “Skënderbej” nga studio 51N4E, Anri Sala, iRI dhe Plant en Houtgoed (Tiranë, Shqipëri)

– Qendra e Vizitorëve në Villers Abbey nga Binario Architects (Villers-la-Ville, Belgjikë)

– Hyrja e Kështjellës Jorba nga Carles Enrich Studio (Barcelona, Spanjë)

– Parku Zollverein nga Planergruppe GmbH Oberhausen (Essen, Gjermani)

Juria vendosi si projekt fitues sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka luajtur liria e autorëve në realizimin e projektit për sfidën e të punuarit në një shesh shumë kompleks dhe simbolik, për shkak të kontekstit historik dhe politik që ai mbart, si dhe thjeshtësisë së shprehur përmes një topografie plot sqimë, që ringre në të njëjtën shkallë vlerat e kompleksit historik arkitekturor rrethues, në harmoni me ndërtesat përreth, duke krijuar një thyerje në përbërjen e aksit urban ekzistues, çka gjeneron një model të ri të hapësirës urbane. /atsh

Sheshi “Skëndërbej” vlerësohet me çmimin e parë si Hapësira më e mirë Europiane në Spanjë Read More »