Art-Kulture

“Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër”/ Altin Basha pro shembjes së Teatrit, i rikujton PD-së Piramidën

Regjisori Altin Basha në një intervistë për Euronews, është shprehur se Shqipëria ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar, që do të jetë i pari, pasi ai që ekziston sot është emëruar i tillë, por nuk ka qenë parashikuar që të funksionojë si teatër. Idenë e ndërtimit të teatrit me para të buxhetit të shtetit, sipas regjisorit të njohur, është ideja më e mirë e mundshme.

“Ideja për ta ndërtuar me para publike është ideja më e mirë e mundshme, duhet të ketë entuziazëm, pasi do t’u shërbejë qytetarëve. Ai teatër e ka humbur funksionalitetin e tij 20 vjet pasi është ndërtuar. Nuk ka qenë i projektuar për teatër, është adoptuar për teatër. Aktualisht nuk mund të quhet një teatër, e ka humbur krejtësisht funksionalitetin”, u shpreh Basha.

Sipas tij, pjesa dërrmuese e artistëve e mbështesin idenë e ndërtimit të një teatri të ri, ndërsa solli në kujtesë dhe rastet kur vende të tjera kanë shembur teatrin kombëtar.

“Po u jap dy shembuj, Hungaria e ka shembur tri herë teatrin kombëtar. Një herë e ka shembur për të ndërtuar hyrjen e metrosë së Budapestit. Suedia e ka shembur, ka pasur një teatër prej druri. Nuk shoh ndonjë gjë dramatike në shembjen e asaj ndërtese dhe ndërtimin e një teatri. Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër. Për sa kohë marrim më shumë salla dhe teknologji”, deklaroi regjisori.

Basha duke folur për projektin e Teatrit të ri Kombëtar tha se do të jenë tri salla me një kapacitet prej 1 mijë spektatorë, ndërsa vetëm investimi në teknologji do të arrijë në 10 milionë euro.

“Ka tri salla të mbyllura, një sallë të hapur një ka kapacitet 650, një 350 dhe 150 dhe do të përdoret një teknologji nga më të përparuarat në rajon. Është marrë për model teatri kombëtar bullgar dhe ai i Maqedonisë së Veriut. Ka një kosto shumë të madhe, 10 milionë euro vetëm në teknologji. Do të jetë një teatër jo vetëm në parametra ndërkombëtarë, por një teatër jashtëzakonisht funksional. Jemi në prag të një zhvillimi shumë të rëndësishëm kulturor në këtë vend. Produkti do të jetë teatri i ri i Shqipërisë”, tha ai.

Regjisori thotë se ka një acarim artificial për këtë çështje nga ndërhyrja e politikës, duke thënë se po ndikojnë disa militantë dhe funksionarë të opozitës. Ai kujtoi se, PD gjatë kohës kur ishte në pushtet, nuk investoi për rikonstruksionin e teatrit, por shndërroi Piramidën në teatër.

“Pjesa politike është padyshim pjesa ku nuk do të doja të hyja, sepse nëse do të duhet të futem në pjesën politike, do të doja t’i kujtoja të gjithë atyre që kundërshtojnë teatrin, kanë qenë në pushtet dhe kanë pasur mundësi që t’i shpenzojnë ato para që kanë shpenzuar tek Piramida dhe mund t’i shpenzonin për rikonstruksionin e Teatrit, por ndërtuan një teatër që nuk funksionoi asnjë ditë, e nxorën nga lista e mbrojtjes së monumenteve të kulturës”, përfundoi Basha. /atsh

“Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër”/ Altin Basha pro shembjes së Teatrit, i rikujton PD-së Piramidën Read More »

Veliaj: Teatri i ri tre herë më i madh, kemi një shans fantastik

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet i vendosur për t’i dhënë Tiranës në 100- vjetorin e saj të dytë si kryeqytet një teatër të ri.

Në një intervistë për një nga mediet, Veliaj siguroi se teatri do të jetë në territorin e tij dhe tre herë më i madh, duke ofruar të gjithë kushtet jo vetëm për të luajtur aktorët, por edhe hapësira për ruajtjen e veshjeve dhe të arkivit.

“Territori i teatrit është vetëm territori i teatrit. Në territorin e teatrit do të bëhet një teatër tre fish më i madh. Do të shkojmë nga 3 mijë metra në 9 mijë metra, teatër të madh, teatër të vogël dhe teatër veror në tarracë dhe sigurisht dhe hapësira të tjera”, tha ai.

Kreu i bashkisë u shpreh se projekti i ri i teatrit do të jetë sipas konceptit të Bjarke Engels, një prej arkitektëve më të mirë në botë. Ai siguroi se edhe godina e re e teatrit do të jetë një sukses ashtu sikurse shumë projekte të realizuara nga Bashkia që në fillim hasën në rezistencën e një minorancë të zhurmshme.

“Së pari do të duhet që të finalizojmë projektin e ri të teatrit. Ne kemi një koncept, koncepti i Bjarke Ingels. Sot mbahet si arkitekti më i mirë në botë është në rangun e Stefano Boerit, Marco Casamontit që sapo prodhoi një kryevepër si stadium. U përfol u fol me vite të tëra po sapo e mori medaljen e parë në Europën juglindore si arkitektura më e bukur e vitit. Ndaj unë besoj që teatri do të ketë të njëjtin fat. Unë e kam provuar që ditën e parë me një kënd lodrash dhe me një tjetër president, por unë besoj që këmbëngulja është ajo që na çon përpara dhe këmbëngulja është ajo që na transformon dhe besoj me tetarin e ri kemi një shans fantastik që ashtu siç vepruam me këndin e lodrave, ashtu siç vepruam me pjesën e dytë të liqenit që e dyfishuam, sot kemi bërë liqenin e Farkës prapë patëm aty protesta, Astiri ka filluar punën normalisht . E njëjta gjë u bë me Pazarin e Ri.”, tha Veliaj./atsh

Veliaj: Teatri i ri tre herë më i madh, kemi një shans fantastik Read More »

Banesa e arkitektit dhe piktorit Maks Velo shpallet “Monument Kulture”

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti firmosi sot shpalljen “Monument Kulture”, të banesës së Maks Velos.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore vendosi të shpallë “Monument Kulture të Kategorisë II”, banesën e intelektualit, piktorit, arkitektit dhe shkrimtarit, Maks Velo, në rrugën “Hoxha Tahsin”, në respekt të figurës dhe kontributit të dhënë përmes artit, profesionalizmit, dëshmisë dhe mendimit të lirë.

Në bashkëpunim edhe me pronarët e banesës, të cilët duhet të respektojnë të drejtat dhe detyrimet, që përcakton ligji nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i hapet udhë muzealizimit të shtëpisë së Maks Velos, që garanton ruajtjen të pacenuar të trashëgimisë intelektuale dhe artistike e tij.

Tanimë, janë institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, që do të kujdesen dhe do të përcaktojnë masat që duhen marrë, për vënien në mbrojtje të këtij objekti.

Maks Velo u nda nga jeta në datën 7 maj 2020, në moshën 84-vjeçare.

I nderuar me titullin “Mjeshtër në Arkitekturë”, Maks Velo ka projektuar disa objekte jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet të tjera të vendit; është autori i një numri të madh pikturash, të ekspozuara në Shqipëri e jashtë vendit. Përmes një serie veprash letrare, memuaristike e dokumentare ai është një dëshmitar i dorës së parë i një periudhe të errët të historisë së vendit tonë, si një i mbijetuar i burgjeve të komunizmit./atsh

Banesa e arkitektit dhe piktorit Maks Velo shpallet “Monument Kulture” Read More »

Meta: Teatri Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare

Presidenti të Republikës Ilir Meta reagoi sot për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në një deklaratë për mediat, Meta shprehet se, ka ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim veprimtarinë më të fundit të organeve shtetërore në lidhje me vullnetin për prishjen e objekteve të “Teatrit Kombëtar”.

Presidenti Meta, thekson edhe një herë se “kompleksi i Teatrit Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare, vlera këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe të drejtëpërdrejtë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.

“Këshilli i Ministrave ditën e djeshme në datë 8 maj, ka vendosur që këtë pasuri kombëtare t’ia kalojë në pronësi Bashkisë Tiranë, me qëllim ndërtimin e një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Kjo vendimarrje në praktikë do të thotë se aktualisht po përdoret një procedurë tjetër “ekstra ligjore” tashmë në përgjegjësinë vetëm të Bashkisë Tiranë, për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe vullneti i shprehur i Bashkisë Tiranë, nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe nuk përkon me vlerat e Bashkimit Europian, institucionet kulturore të të cilit kanë shprehur vullnetin për mbrojtjen e këtij objekti dhe restaurimin e tij”, shton Meta.

Sipas Metës, “ky vendim i djeshëm i qeverisë me të drejtë ka krijuar një reagim të fortë qytetar, pasi veç të tjerash merret në një kohë kur vendi po i nënshtrohet gjëndjes së fatkeqësisë natyrore dhe masave kufizuese të lirisë së qarkullimit, si dhe në një moment kur pikërisht kjo çështje ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që prej 3 vitesh nuk është funksionale”.

Presidenti Meta, thekson se në muajin korrik 2019, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje.

“Në këtë proces gjyqësor që duhet të shqyrtohet është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, etj, ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë moment, rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare’, nënvizon Meta.

Presidenti Meta shprehet se një prej çështjeve kryesore që pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk kanë të bëjë vetëm me faktin nëse ligji special nr. 37/2018 është antikushtetues, por më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cënon drejtëpëdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre, parime këto të parashikuara nga nenet neni 3, të Kushtetutës.

“Gjithashtu një tjetër çështje që do shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me edhe faktin se veprimtaria administrative shtetërore e pushtetit qendror apo lokal që synon apo ndërmerr veprime për prishjen e Teatrit Kombëtar, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim, të mishëruara edhe në Konventën Europiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, shton Meta.

Ai i bën thirrje autoriteteve shtetërore, se çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar.

Presidenti Meta, thekson edhe një herë se për këtë çështje Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenon Teatrin Kombëtar.

“Këto institucione duhet të tregojnë vullnet dhe përkushtim për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa prekur dhe cenuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen”, përfundon Presidenti Meta./atsh

Meta: Teatri Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare Read More »

615 vite nga lindja e Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar

Si sot 615 vjet më parë lindi Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai lindi më 6 maj 1405 në Dibër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli në vëmendje figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili lindi 615 vite më parë. “E kujtojmë me grupin skulpturor “Skënderbeu dhe populli”, në Muzeun Historik të Krujës, realizuar nga mjeshtri Janaq Paço dhe skulpturori Genc Hajdari”, thotë ajo.

Anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme. Ai u ngrit sipas gradave, duke kulmuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai i braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçit. Në vitin 1444, ai u emërua prijës i Besëlidhjes së Lezhës, që bashkoi fisnikërinë shqiptare në territorin ku sot shtrihet Shqipëria.

Përkundër vlerave të tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e Veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10 000-anëtarëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara, gjë për të cilën fitoi admirim edhe në Europën Mesjetare.

Në vitin 1451, Skënderbeu nënshkroi një traktat me Alfonsin e Napolit për të siguruar një aleancë mbrojtëse, edhe pse ai mbeti një sundimtar de facto i pavarur. Në vitet 1460–61, ai mori pjesë në luftërat civile të Italisë në mbështetje të Ferdinandit I të Napolit. Në vitin 1463, ai u bë komandanti kryesor i forcave kryqtare të papa Piut II, por papa vdiq ndërsa ushtritë ende po mblidheshin. Së bashku me venedikasit ai luftoi kundër osmanëve gjatë Luftës osmano–venedikase të viteve 1463–79, deri në vdekjen e tij në janar të vitit 1468.

Aftësitë ushtarake të Skënderbeut përbënin një pengesë të madhe për zgjerimin osman, dhe ai u konsiderua nga shumë njerëz në Europën Perëndimore si një model i rezistencës së krishterë ndaj myslimanizmit. Sot, ndër shqiptarë, Skënderbeu njihet si heroi kombëtar i tyre, trashëgimia e të cilit është e dukshme në të gjithë trevat shqiptare./atsh

615 vite nga lindja e Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar Read More »

“Më shumë se dy të ftuar në studio”/AMA u tërheq vëmendjen dy televizioneve kombëtare: Faleminderit autoriteteve shëndetësore që nuk vendosën gjobë

Autoriteti i Mediave Audiovizive tha sot se nga monitorimet e realizuara për përmbajtjet e transmetuara është vërejtur se nga televizionet po zbatohen masat e parashikuara për mbrojtjen e stafit që punon në mjediset brenda dhe jashtë redaksive, por tërheq vëmendjen disa medieve për të respektuara masat kundër COVID-19.

Nga evidentimi i rasteve më të fundit në dy programe televizive të dy televizioneve kombëtare, për prezencë të më shumë se dy personave në studio, AMA falenderon për mirëkuptimin autoritetin shëndetësor për mosaplikimin këtë herë të gjobave të parashikuara për këto shkelje të Aktit Normativ në kushtet e pandemisë.

AMA i ka kërkuar autoritetit shëndetësor të marrë në konsideratë gjendjen e vështirë financiare dhe e ka siguruar atë se do të përcjellë tek të gjithë operatorët audiovizivë shqetësimin e krijuar nga dy rastet e lartpërmendura, duke vlerësuar lart punën e kontributin e tyre publik në përballimin me sukses të situatës së pandemisë, por edhe kërkuar prej tyre respektimin rigoroz të udhëzimeve përkatëse.

“Nga monitorimet e realizuara për përmbajtjet e transmetuara është vërejtur se nga televizionet po zbatohen masat e parashikuara për mbrojtjen e stafit që punon në mjediset brenda dhe jashtë redaksive, por ky proces duhet të vijojë me rigorozitet dhe përgjegjësi maksimale deri në përfundim të procesit dhe rikthimin në normalitet”, thekson AMA.

Sikundër dhe në njoftimet e mëhershme që AMA ka drejtuar, subjektet audio dhe audiovizive duhet të respektojnë vendimet dhe udhëzimet e bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Shqipëri.

“Duke e konsideruar parësore mbrojtjen e shëndetit të stafit të angazhuar dhe bashkëpunëtorëve, për të mënjanuar efektet e padëshiruara nga raste të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, AMA tërheq vëmendjen se për rastet e konstatuara do të nisin procedimet administrative”, deklaron, Autoriteti i Mediave Audiovizive. //atsh

“Më shumë se dy të ftuar në studio”/AMA u tërheq vëmendjen dy televizioneve kombëtare: Faleminderit autoriteteve shëndetësore që nuk vendosën gjobë Read More »

Shfaqje teatrale online për të gjithë familjen

Nëse teatrin nuk e ndjekim dot nga salla këto kohë, atëherë zini vendin më të mirë në shtëpinë tuaj dhe rehatohuni për të parë shfaqjen.

Teatri Metropol vjen çdo fundjavë në çdo shtëpi, për të gjithë familjen. Në bashkëpunim me RTSH Radio Televizioni Shqiptar, Teatri Metropol do të sjellë teatrin në shtëpi.

Çdo fundjavë, artdashësit do të kenë mundësi të ndjekin online disa shfaqje të përzgjedhura, falas në kanalin e Teatrit Metropol në Youtube. Sot do të nisin dy shfaqjet e para “Rrajët lëvizin” e bazuar në veprën e Ernest Koliqit dhe regji nga Rozi Kostani, sjellë në skenë në festivalin e dramës shqipe “MetroFest” në Teatri Metropol – Qendra Kulturore Tirana.

Ndërkaq ditën e diel, në orën 11:00 për fëmijët do të transmetohet shfaqja, “Tullumbaci i kuq” e me autor Barry Kornhauser me regji nga Roerd Toçe dhe interpretim nga Erdet Miraka.

Shfaqja e fëmijëve “Tullumbaci i kuq” e shkruar nga Barry Kornhauser, vepra vjen këtë fundjavë në analin e Teatrit Metropol në youtube për spektatorin e vogël. Kjo shfaqje teatrale e cila flet për një burrë dhe një tullumbace të kuqe vjen në skenë jo nëpërmjet fjalës por nëpërmjet pantomimës, gjatë së cilës përcjell një sërë emocionesh te publiku.

Personazhi i vetëm njerëzor në këtë shfaqje është Plaku, i cili nuk flet më, pasi nuk ka me kë të flas. Ngjarja zhvillohet në apartamentin minimalist dhe dëshpërues të Plakut në Paris. Ai mund të mos ketë harruar si të flasë, por ka harruar si të luajë. Jeta e tij është e qetë dhe e trishtë dhe ai e ka pranuar këtë mënyrë jetese.

Trishtimi në hapat e tij të rëndë janë në kontrast të plotë me karakterin e tullumbaces, e cila është energjike, plot gjallëri, e shkujdesur dhe mjaft lozonjare. Të gjitha këto mjaftojnë për ta thyer ngurtësinë e Plakut. Kjo shfaqje flet për rizbulimin e ndjesisë së lojës dhe gëzimit./atsh

Shfaqje teatrale online për të gjithë familjen Read More »

‘Mimoza llastica’, tregon jetën në Zvicër, marrëdhënien me bashkëshortin dhe vajzën e saj

Aktorja Zhaklina Dhimojani ishte sot në një lidhje direkte me emisionin “Rudina” në TV Klan, nga shtëpia e saj në Zvicër.

Aktorja mbahet mend për rolin e saj si Mimoza Llastica dhe një pjesë nga filmi u transmetua edhe gjatë emisionit. Zhaklina tregoi gjatë intervistës situatën në Zvicër dhe jetën e saj private, marrëdhënien me bashkëshortin dhe vajzën e saj.

Aktorja tregoi se në Zvicër nuk janë vendosur shumë masa dhe se zvicerianët mendojnë se kanë imunitet si popull.

“Këtu nuk është aq tragjike situata, në përgjithësi është e ndaluar të bësh grupe me më shumë se 5 persona, në rrugë mund të dalë kushdo, nuk kontrollohet, mund të shkosh kur të duash për të bërë pazarin, kërkohet distanca.

Zviceranët në përgjithësi nuk kanë frikë si ne mesdhetarët. Para pak javësh një grua kur më pa me maskë, më tha: Ej, jemi në Zvicër ne! Mendojnë se janë me imunitet si popull”, tha Zhaklina.
Sa i përket karantinës, aktorja tregoi se ajo është izoluar me familjen dhe mezi e ka bindur bashkëshortin për të qëndruar në shtëpi.

“Jam në shtëpi me familjen, kam një vajzë, është në universitet, studion për shkencat e Lindjes së Mesme, do bëhet politikane e mirëfilltë. Im shoq është në shtëpi pasi këmbëngula unë, del vetëm për ndonjë konferencë shtypi ose ndonjë emision. Im shoq është Shefi i përgjithshëm i policisë.

Marrëdhënia ime me karantinën është kështu: Ditët e para rrija vetëm në kuzhinë, pastaj ra entuziasmi i kuzhinës, fillova pastrimin e garderobës, sport në oborr, shoh Netflix, nuk kam lexuar shumë të them të drejtën. Nuk jam një tip që më mungon shumë e dalura, por më bën keq ideja që nuk mund të pres një biletë avioni e të shkoj diku”, u shpreh aktorja./Xing.al

‘Mimoza llastica’, tregon jetën në Zvicër, marrëdhënien me bashkëshortin dhe vajzën e saj Read More »