Art-Kulture

Vlera të jashtëzakonshme historike/ Zbulohet varreza tumulare e periudhës së Bronzit të Vonë në Himarë

/ “Lajm të bukur” e cilësoi sot Kryeministri Edi Rama, zbulimin e një varreze tumulare të periudhës së Bronzit të Vonë në Himarë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore kanë zbuluar një varrezë tumulare të periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII para Erës Sonë) në Himarë.

Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit jonian.

Në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik nga gërryerja e përroit, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë dhe disa varre ciste.

“Për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor të këtij viti, u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmoi ekzistencën e një varreze tumulare me vlera të jashtëzakonshme historike”, u shpreh kryeministri Rama./atsh

Vlera të jashtëzakonshme historike/ Zbulohet varreza tumulare e periudhës së Bronzit të Vonë në Himarë Read More »

Zbulohet varreza tumulare në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë

Një tjetër tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) është zbuluar ditët e fundit në Himarë nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi atë një zbulim të rëndësishëm për datimin e vendbanimit në qytetin e Himarës.

“Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit të Himarës. Varret e dala në sipërfaqe kërcënoheshin të dëmtoheshin nga rrjedha e përroit dhe nga ndërhyrjet klandestine, për këtë arsye, në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) dhe disa varre ciste”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se “për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor, të vitit 2020 u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmon ekzistencën e një varreze tumulare pranë qytetit të Himarës”.

Sipas saj, tashmë materiali arkeologjik është zhvendosur në hapësirat e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Vlorë.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do të vendosë mbi hapat e mëtejshme, që do të ndërmerren. Tashmë është radha e studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, që ta çojnë më tej këtë zbulim të rëndësishëm”, tha Margariti./atsh

Zbulohet varreza tumulare në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë Read More »

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i Rilindjes Urbane në Vlorë

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i rilindjes urbane në Vlorë.

Rama tha se Parku i Shtëpisë së Pavarësisë do të marrë jetë së shpejti në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti.

Ai do të lidhë bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren.

“Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është projekti më i ri i Rilindjes Urbane të Vlorës, i cili do të marrë jetë së shpejti në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës deri tek porti, ku do të lidhë bulevardin e ri Ismail Qemali me Lungomaren. Vlora që duam”, tha Rama./atsh

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i Rilindjes Urbane në Vlorë Read More »

Presidenti nderon dy këngëtarët e shquar të polifonisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Skraparin, ku vlerësoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” këngëtarin e shquar Demir Zyko (pas vdekjes), me motivacionin: “Për vlerat e spikatura si këngëtar me zë të artë i polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje ndaj bartësit të shquar të vlerave të trashëgimisë muzikore dhe shpirtërore shqiptare, i cili ishte dhe mbeti një model i rrallë për ruajtjen dhe përcjelljen e tyre ndër breza”.

Meta çmoi gjithashtu edhe Dule Caushaj (Malindi) me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje për interpretimet e rralla si këngëtar me vlera të veçanta në shpalosjen e kësaj trashëgimie të vyer, brenda dhe jashtë vendit tonë”.

“Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë! Malet, sepse gjithmonë kanë qenë fortesat e lirisë dhe të qëndresës, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u trashëgua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar”, tha Presidenti Meta.

Ndaj, shtoi ai, “ishte kënaqësi e veçantë të vlerësoja sot në Skrapar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, një personalitet të shquar të artit e këngës popullore shqiptare, përfaqësues të denjë të polifonisë me iso të Toskërisë, Demir Zykon”.

“”Xha Demiri”, së bashku me bashkëpunëtorët e tij Medin Kushe, Shahit Gjinari, Neshat Ebibasi, Agim Cakrani, e shumë të tjerë u këndoi si askush tjetër halleve, vuajtjeve, kurbetit, sakrificave të shqiptarëve, por si rrallëkush i këndoi lirisë dhe maleve tona”, u shpreh Meta.

“Një vijues i çmuar i traditës më të mirë të isopolifonisë të Toskërisë i zonës së Skraparit është edhe Dule Malindi, i cili ka mbajtur gjallë këngët e Skraparit dhe ato kombëtare”, tha Meta.

“I lindur në fshatin Malind të poetit tonë të madh, Xhevahir Spahiu, edhe Dule Malindi është një këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit sot kisha kënaqësinë ta vlerësoja me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, u shpreh Meta./atsh

Presidenti nderon dy këngëtarët e shquar të polifonisë Read More »

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq

Kisha e Manastirit të Shën Kollit, në Mesopotam, Finiq, monument kulture i kategorisë së parë, i është nënshtruar procesit të restaurimit në dy faza të ndryshme.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë tha se “faza e parë konsistoi në përforcimin konstruktiv të strukturës së kishës, restaurimin e çatisë, konsolidimin e muraturës, si dhe restaurimin e ambienteve të brendshme të saj”.

Sipas saj, në fazën e dytë u krye restaurimi dhe konsolidimi i mureve rrethues të manastirit si dhe përforcimi konstruktiv i kambanares.

“Këto ndërhyrje restauruese kanë kthyer në identitet një nga monumentet më të rëndësishëm të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë”, tha DRKK Vlorë.

Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Në fillim ka ekzistuar si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.

Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues me një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershme sesa kisha.

Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.

Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, gjithashtu dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme si dhe në harqet e dritareve dhe hyrjeve.

Basorelievet e rivendosura ne muret e kishës në forma të ndryshme ku përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike.

Kisha përbëhet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente më të vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë të hapura. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845. /atsh

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq Read More »

Histori dhe natyrë/ Kalaja e Bashtovës, destinacion për t’u vizituar këtë verë

Kalaja e Bashtovës, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore është një tjetër destinacion për t’u vizituar këtë verë.

Në vijim të promovimit të destinacioneve të turizmit kulturor në vend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau sot pamje nga Kalaja e Bashtovës.

“Ne shqiptarët mbajmë emrin e shqiponjës. Siç shkruan rilindasi i madh Naim Frashëri: ”Shpesi që i themi “shqipe” ishte sipas besës zogu i Hyjit dhe shenjë e trimërisë. Andaj e kishin në flamur shqiptarët e vjetër, pa nga shqipja u quajtën shqiptarë”. Me këto pamje nga Kalaja e Bashtovës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Balla.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.

Kalaja e Bashtovës ndodhet në njësinë administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i qarkut të Tiranës me atë të Fierit.

Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa kilometra jashtë Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.

Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve./atsh

Histori dhe natyrë/ Kalaja e Bashtovës, destinacion për t’u vizituar këtë verë Read More »

Teatri i Korçës feston 70-vjetorin, muze për trashëgiminë e tij kulturore

Teatri i Korçës feston sot 70-vjetorin, si një institucionet më të rëndësishëm kulturore në jo vetëm në qytetin juglindor, por edhe në Shqipëri.

Ndërsa shpreh mirënjohjen në këtë ditë të madhe të artit korçar për të gjithë artistët që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi, bashkia e Korçës ndau sot foto-dëshmi të historikut të tij 70-vjeçar.

“Artistë që vunë themelet e këtij teatri, profesionistë e të rinj të talentuar, na kanë dhuruar emocione të papërsëritshme nga skena me punën dhe veprën e tyre artistike”, thuhet në këtë njoftim të bashkisë.

Fotot nga arkivi i teatrit janë vetëm një pjesë e materialeve, dokumenteve, rekuizitës dhe kostumeve të përdorura në vite, të cilat do të vendosen në muzeun e tij./atsh

Teatri i Korçës feston 70-vjetorin, muze për trashëgiminë e tij kulturore Read More »

‘Treshe Dukatit me famë, kënga që çudit dynjanë’ – Nga Sejmen Gjokoli

Nga Sejmen Gjokoli

TRE BURRA QË BËJNË KËNGË…

– Për treshen e famshme të Dukatit; Leko Gjoleka, Bego Vangjeli e Sulo Bozhani,
dekoruar me “Mjeshtër i Madh”.-

Do nisnin të bënin emër qysh kur ishin njëzet vjeçarë, atë kohë kur në FFK të Lezhës, andej nga viti ’66 i shekullit të kaluar, do këndonin këngën që hyri e mbeti gjatë në histori : “Pesqind vjet kanë kaluar,
Kapedan o Skënderbe…”, me tekst të rapsodit që më von do njësohej me vet grupin e Dukatit, Dule Havari.
Në fakt në skenë, jashtë fshatit e Vlorës, ishin ngjitur dy vite më parë, më 1964 kur në Elbasan do organizohej një koncert i madh për shkollën shqipe.
Këto ishin dy daljet e para për tre djemtë e rinj dukatas në skena kënge, dy dalje që i prinë daljes së madhe të vitit 1968, në Kalanë e Argjirosë, aty ku nisi FFK i Gjirokastrës dhe që, prej at’here, edhe dukatasit e këngës nuk do të ktheheshin më pas.
Në Festivalin e parë të Gjirokastrës u ngjitën me këngë, valle e cyla dyjare, ndërkohë që pesë vite më pas, në 1973 me të rrallën Pika Gjoleka do të trondisnin mjediset polifoni-dashëse me të pa përsëritshmen plot pathos e ritme si erë Llogarai ” O trima flini të qetë…”.
E veçanta e grupit historik të Dukatit, veç këngës e valles plot shpirt e dufe, mbetet një Treshe karakteristike që ka lindur atyre anëve, është lëvruar e përsosur po aty e tjetër kund as mund të kopjohet e as mundesh ti afrohesh.
Deri sot e pa ngjizur në tjetër derë.
Kjo këngë, ky lloj të kënduari, pa as më të voglin dyshim djepin e ka në Dukat.
Dhe ka mbi gjysëm shekulli që zot autentikë ka tre burra. Të tre të pa ndarë, të tre tok, të tre shok, të tre kokë më kok.
Leko Gjoleka, Bego Vangjeli e Sulo Bozhani – tre burrat e këngës monumentale, gati proverbiale…Një pirosti e përkryer njerëzore si e prerë për këtë mënyrë të kënduari.
Tre burra që të vetëm e pa asnjë tjetër e pa u kuptuar fare, ashtu me bërrylin e dorës mbështetur mbi njerën këmbë e pëllëmbën diku nën vesh e mbi faqe, harmonizojnë katër e më shumë zëra bashkë.
Edhe ja marrin, edhe ja kthejnë, edhe ja hedhin e mbajnë iso por…seç nxjerrin edhe ndonjë avaz tjetër që vetëm ata mund ta realizojnë.
Treshja me famë e Dukatit shënon një rekord pjesëmarrje kur mëson se është deklamuar në 8 Festivale Kombëtare Folklori nga ku në të gjitha është shpallur laureant.
E kush sa ka dëgjuar ” O Dervish Aliu dole” apo “Ranë kartërat në Vlorë” apo lirikën e kadifenjtë ” Atje te lisi në brinjë,
Moj Maro, moj Marinë…”.
Në vitin 1989, në përbërje të Ansamblit ” Labëria” të Vlorës, treshja e famshme e Dukatit do befasonte artëdashësit francezë, ndërsa vite më pas me mrekullinë e tyre do çudisnin nga skenat e Italisë, Moldavisë e Hollandës, këtë herë në përbërje të Grupit Folklorik ” Bilbili” të Vlorës, duke treguar jo vetëm fuqinë integruese të kulturës së brezave por mbi të gjitha nevojën që ka çdo kohë e çdo shoqëri për artin e vërtetë. Për këngën që vjen nga rrënjët e nga shpirti i popullit.
Urime Leko Gjoleka, Bego Vangjeli e Sulo Bozhani !
Urime miqtë e mi për vlerësimin e lartë!
Me siguri edhe dekorata e akorduar ndjehet mirë me Ju, se ju jeni të admirueshëm e të pa kontestueshëm.
Përmes zërit e shpirtit det, ju keni derdhur e selitur për mbi gjysëm shekulli me aq shumë mjeshtëri, pasion e dashuri këngën e rrallë.
Për vëndin Tuaj, për Kombin Tuaj !
Tani Dukati ka dy kulla trashëgimie, dy monumente kulturore që duhet ti ruaj e konsiderojë si të shenjta:
Në fushën materiale atë të Dervish Aliut, në atë shpirtërore këngën e tre burrave mbledhur kokë më kokë, si tre majat e maleve rrotull.

‘Treshe Dukatit me famë, kënga që çudit dynjanë’ – Nga Sejmen Gjokoli Read More »