Art-Kulture

3-vjetori i ndarjes nga jeta/ Farudin Hoxha, projektues i veprave më të mëdha hidroenergjetike

Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujtoi sot në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta akademikun e shquar Farudin Hoxha.

Farudin Hoxha ishte inxhinier hidroteknik, profesor, akademik. Ai lindi në Gjirokastër. Kreu Politeknikumin e Tiranës dhe ndoqi studimet e larta për ndërtime hidroenergjetike në Budapest e Sofje; u diplomua më 1961 në UT.

Prej vitit 1961 ka punuar në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve dhe më vonë në Institutin e Studimeve dhe të Projektimeve të Hidrocentraleve, Nënstacioneve dhe Linjave të Tensionit të Lartë.

Në vitin 1971 për një periudhë gjashtëmujore, kam kryer specializimin pasuniversitar në Francë për mekanikën e dherave dhe ndërtimin e digave të larta me materiale vendi ose rrethanorë.

Pavarësisht nga detyrat e tjera që iu ngarkuan, profesori ka vazhduar rregullisht punën studimore e projektuese në këtë Institut deri në mesin e vitit 1993. Nga nëntori 1982 deri në maj 1988, ka qenë ministër i Ndërtimit dhe më pas deri në 21 shkurt 1991, kur ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga qeveria, ka qenë ministër pranë Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin ekonomik me jashtë.

Ka qenë anëtar i grupit qendror për studimet, projektimet dhe ndërtimet e veprave hidroenergjetike në Shqipëri:Skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin, Hidrocentrali i Vaut të Dejës me fuqi 250.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali i Komanit me fuqi 600.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 2 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali i Fierzës me fuqi 500.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1.7 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali i Banjës me fuqi 60.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.25 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali Bistrica II me fuqi 5.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.032 miliard kilovat/orë, Hidrocentrali i Bogovës me fuqi 2.500 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.0125 miliard kilovat/orë.

Ka qenë projektues dhe kryetar i grupit të studimit dhe të projektimit të të gjitha digave të hidrocentraleve të mësipërme me lartësi nga 40 m deri në 167 m disa prej të cilave nga Komiteti Botëror i Digave të Mëdha (ICOLD), janë klasifikuar ndër më të lartat në Evropë e më gjerë.

Ka kryer studime dhe projektime dhe për vepra të tjera hidroteknike dhe hidroenergjitike të rëndësishme, si: hidrocentrale, ujëmbledhës, diga, stacione pompimi etj., një pjesë e të cilave janë ndërtuar.
Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Digave të Larta prej vitit 1991 deri në vitin 1995. Prej vitit 2002 e në vazhdim ka qenë kryetar i këtij Komiteti.

Nga nëntori 1999 deri në nëntor 2000 ka qenë drejtor i përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Prej vitit 1997 deri në vitin 2008 ka qenë anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa nga viti 1997 deri në vitin 2004 ka qenë anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Shqipërisë.

Hoxha prej vitit 1973 deri në vitin 1982 ka qenë anëtar i Komisionit Qeveritar për ekonominë ujore me vendet fqinje. Prej vitit 2001 deri në vitin 2005 ka qenë anëtar i këtij Komisioni. Nga viti 2000 deri në vitin 2006 ka qenë i zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Tiranës.

Mban titullin shkencor “Profesor” dhe “Akademik”. Në vitin 1986 u pranua anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga viti 1989 ishte anëtar i saj. Prej vitit 1997 deri në vitin 1999 ka qenë sekretar shkencor i ASh-së dhe nga ky vit deri në vitin 2008 u zgjodh dhe zëvendëskryetar i saj. Për arritjet në punën studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimeve hidroenergjetike, është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë./atsh

3-vjetori i ndarjes nga jeta/ Farudin Hoxha, projektues i veprave më të mëdha hidroenergjetike Read More »

Tropojë/ Kthim në identitet për Mullirin e Bajram Currit, monument kulture i kategorisë së parë

Mulliri i Bajram Currit, monument kulture i kategorisë I i është nënshtruar ditët e fundit restaurimit, për t’u kthyer në identitet.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se ky objekt i është nënshtruar restaurimit me projekt të miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) dhe me fondet e buxhetit të shtetit. Kjo ndërtesë gjendet në fshatin Shoshan, Tropojë, daton në fundin e viteve 1800 dhe është një ndërtim që e gjejmë shpesh në zonën e Tropojës.

Sipas DRTK, Shkodër kemi të bëjmë me një ndërtim tip kullë guri, dykatëshe, mbuluar me furde pishe.

Mulliri i Bajram Currit ose siç thuhet nga vendasit Mulliri i Currit është ndërtuar me financimet e kësaj figure popullore në ndihmë të Malësisë së Gjakovës rreth 120 vite më parë.

Pas shumë kohësh ky mulli me vlera kulturore e historike po restaurohet, pasi për shkak të mosmirëmbajtjes rrezikonte të shembej.

Vizitorë kuriozë shkojnë shpesh drejt këtij monumenti tradicional, për natyrën e bukur, por edhe për të parë nga afër një dëshmi historike./atsh

Tropojë/ Kthim në identitet për Mullirin e Bajram Currit, monument kulture i kategorisë së parë Read More »

Aleks Buda, një nga mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike

Aleks Buda e pa për herë të parë dritën e diellit më 7 shtator 1911, në një nga shtëpitë e lagjes Kala të Elbasanit, në familjen e Taqi Budës, përfaqësues i qytetit të tij në kongreset e Manastirit dhe Elbasanit dhe mbështetës i Normales së mirënjohur të qytetit.

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot në rubrikën “Homazh” fidgurën e Aleks Budës duke e cilësuar atë “një nga dy mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike”.

“I prirur familjarisht drejt mësimnxënies dhe mësimdhënies, qysh fare i ri, Aleks Buda i avitet, nga Austria në Itali, kryeqendrave të hulumtimit shkencor në fushë të ballkanistikes; frekuenton Patsch, Joklin dhe Tagliavinin; dialogon në idiomat e shkencës me Çabejin dhe Lasgushin; përfton aftësinë e qasjeve holiste dhe analitike të historisë; me një fjalë, merr krahët e hutinit të Minervës dhe të Hegelit dhe kqyr panoramen e madhe historike, kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi Kryeministri Rama.
Me durimin dhe vetëpërmbajtjen e një filozofi antik dhe me prirjen ku bashkohej pasioni për shkencën dhe geni familjar, përballoi vënien në shënjestër nga snajperët e ideologjisë, pa iu shmangur detyrës që i kishte taksur fati: grumbulloi burimet njerëzore që krijuan botën shkencore dhe akademike shqiptare; përmblodhi në vëllime etapat kryesore të studimeve historike në Shqipëri; i dha dorë hulumtimeve enciklopedike; mbikqyri dhe redaktoi dhjetra botime të dokumentacionit të huaj mbi historinë tonë; la faqe nga më interesantet dhe me autoritativet të historiografisë shqiptare, me një thjeshtësi të admirueshme””, shtoi ai.
“Aleks Buda mbetet, së bashku me Çabejin, alter ego-n e tij të gjuhësisë shqipe, një nga dy mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike. Sa të varfër do të kishim qenë pa frymën që, në mes të tallazeve të një shoqërie të ndrydhur e nën përdhunën e diktaturës, ata injektuan në mjedisin intelektual dhe pedagogjik”, përfundoi Kryeministri Edi Rama. /atsh

Aleks Buda, një nga mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike Read More »

“Histori në Polifoni” libri më i ri i poetit Muhamet Tartari

“Histori në Polifoni” titullohet libri më i ri i Muhamet Tartarit, i cili ka sjellë përmes tij punën 45-vjeçare në fushën e polifonisë labe, kulturës dhe arsimit.

Në libër përfshihen studime, ese dhe këngë që nga kryengritja e jugut kundër Tanzimatit, në mesin e shekullit XIX, deri tek zhvillimet në fushën e arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu në libër janë pasqyruar edhe këngët e vjetra të Labërisë, të cilat hedhin dritë mbi ngjarjet e mëdha historike të kësaj zone e më gjerë.

Një vend të veçantë në librin e Tratarit zë edhe Lufta e Vlorës më 1920, duke përkujtuar përmes studimeve në këtë 100 vjetor figurat më të rëndësishme të asaj kohe. Në pjesën e dytë, autori fokusohet tek figura të ndryshme, të pushkës e penës, të valles e këngës, që dhanë kontributet e tyre në mëse dy shekuj për zonën e Labërisë. Në pjesën e tretë, shohin dritën e botimit tekste të poezive, këngëve e valleve labe të poetit Muhamet Tartari, që u kënduan në gjysmë shekulli nga grupet polifonike më në zë të trevës së Labërisë e deri tek Ansambi Kombëtar i Këngëve e Valleve, Ansambli i Ushtrisë etj.

Akademiku Vasil S. Tole, i cili ka përgatitur edhe parathënien e librit, thekson se “zakonisht hyrjet bёhen pёr tё futur nё temё lexuesin e panjohur me lёndёn qё libri sjell mё pas, e nё kёtё kuptim ato janё si njё lloj urimi mirё se ardhjeje, i ngjashёm me formulat qё zakonisht i zoti i shtёpisё i drejton me dorё nё zemёr e me gaz nё buzё, mikut, apo miqve qё pret tek dera e shtёpisё. I tillё mё duket vetja mua sot, si njё zot shtёpie imagjinar i cili fton miq e kalimtarё (nё kёtё rast lexues), pёr tu kthyer nga rruga e pёr tё qëndruar njё copё herё e pёr t’u çlodhur e soditur nё faqet e kёtij libri, pёr t’u njohur me tё zotin e vёrtetё tё librit-shtёpi, Muhamet Tartarin, kёtё “kёmbё mali” Labёrie, e shqiptarie”.

“E vёrteta kёrkon tё thuhet qё pёr Muhametin tonё nuk ka shumё nevojё tё flitet gjatё, pasi koha dhe historia ka folur e shkruar pёr tё, biles ai, ndryshe nga shumica qё kanё veç jetёn fizike, ka disa jetё: jetёn si bartёs e mbledhёs folklori, si rapsod e poet, si kёngёtar e valltar, si gazetar, drejtues e organizator i artit dhe kulturёs, pa folur pёr jetёn e pёrjetshme tё artit tё tij qё rron e pёrcillet mё tej sa herё qё kёnga dhe vallja labe kёrcehet e kёndohet”, – theksoi Tole.

“Sapo tё filloni tё shfletoni me kёrshёri faqet e kёtij libri, i cili nuk ёshtё shkruar siç shkruhen zakonisht librat. Para se faqet e kёtij libri tё ishin sё bashku, ato ishin tё shpёrndara fije-fije si pjesё e peizazhit kulturor qё Muhameti formoi me talentin, jetёn dhe veprimtarinё e tij krijuese mbi 50 vjeçare pёr njerёzit. Prandaj ato vijnё tek ne ashtu siç vijnё flora dhe fauna erёmirё e natyrёs shqiptare, tё cilat sjellin me vete gjithё elementet e botёs krijuese qё ka pёr autor Muhametin. Ajo ёshtё njё botё qё ju mirёpret krahё hapur, sepse krijuesi i saj ёshtё mbi tё gjitha njeri me zemёr tё madhe dhe me shpirt tradite e mik pritjeje. Muhameti mban emrin e profetit dhe si mbiemёr ka emrin e njё mali. Kёshtu ёshtё edhe jeta e tij. E lartё dhe e rёndё si mali nga rёndёsia dhe shpirtёrore, me paqe e bekim nga brendia e emrit tё Tij”, nënvizoi Tole.

Ndërsa mjeshtri i madh i poezisë popullore Lefter Çipa shprehet se “Muhamet Tartari është poeti – artist i shquar i Labërisë së Madhe. Krijimtaria e tij poetike është aq e dallueshme sa krijimet më të mira të poetit të Luftës së Dytë Botërore nga trevat tona, Memo Meto. Talenti i tij për mishërimin e teksteve poetike në vallen magjike të Vranishtit, është një majë e pakapshme suksesi në këtë një qind vjetësh të fundit. Në artin e Fosforinës Vënçe Labe, Muhamet Tartari është pagëzuesi më i shquar i valles burrërore.”

Libri vjen me redaktimin e studiuesit prof. dr. Bardhosh Gaçe si dhe me hyrje të akademikut prof. dr. Vasil S. Tole dhe botohet nga Shtëpia Botuese Toena.//atsh

“Histori në Polifoni” libri më i ri i poetit Muhamet Tartari Read More »

100 vjet nga Lufta Kombëtare e Vlorës/ Ekspozitë me dokumente e fotografi në pedonalen e qytetit

100-vjetori i Luftës Kombëtare të Vlorës bëri bashkë në qytetin historik studiues, autoritetet vendore, deputetë të qarkut Vlorë si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar Vlorë, të cilët ishin dhe organizatorët e ekspozitës së realizuar me këtë qëllim.

Ekspozita përmbante dokumente që datonin që nga fillesat e organizimit të luftës, deri në fund të çlirimit të qytetit të Vlorës, foto të vullnetarëve në luftë, telegrame për çlirimin e vendit, fotografi nga festimet e çlirimit, dekoratat dhe vlerësimet për heronjtë e luftës, si dhe krahës ekspozitës ishin paraqitur disa objekte muzeale.

Lufta e Vlorës, e njohur ndryshe si Lufta e 20-ës, ishte një seri betejash mes forcave italiane dhe patriotëve shqiptarë për zotërimin e qytetit të Vlorës.

Kjo luftë zgjati 3 muaj dhe më 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh, forcat shqiptare arrijnë të çlirojnë qytetin duke i detyruar pushtuesit italianë të largohen jo vetëm nga rrethi i Vlorës, por edhe nga Saranda, Durrësi dhe Shëngjini. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe kapedani Hodo Zeqiri i cili ka qenë një ndër heronjtë dhe udhëheqësit legjendarë të kësaj lufte.

Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë vizitorët gjatë gjithë ditës së sotme në pedonalen e Vlorës./atsh

100 vjet nga Lufta Kombëtare e Vlorës/ Ekspozitë me dokumente e fotografi në pedonalen e qytetit Read More »

Violinistja dhe artistja shqiptare Enxhi Kumrija mori çmimin e tretë në Festivalin “Rruga për në Jaltë” në Rusi

Violinistja dhe artistja shqiptare Enxhi Kumrija mori çmimin e tretë në Festivalin “Rruga për në Jaltë”, që u mbyll mbrëmjen e djeshme në Rusi, në një garë të vështirë ku merrnin pjesë artistë nga e gjithë bota.

Performanca e artistes shqiptare është vlerësuar si ndër më të mirat në festival.

Ambasada Ruse në Tiranë, pas mbylljes së festivalit, përgëzoi përmes një mesazhi artisten shqiptare mbi suksesin e arritur.

“Ambasada Ruse në Shqipëri uron këngëtaren shqiptare Enxhi Kumrija për fitimin e çmimit të tretë të Festivalit “Rruga për në Jaltë”, finali i të cilit u zhvillua mbrëmë në qytetin e Jaltës”, – shkruhet në mesazh .

“Enxhi, je e paparë!”, – i është drejtuar ambasada përmes mesazhit të urimit artistes shqiptare.

/NOA.al

Violinistja dhe artistja shqiptare Enxhi Kumrija mori çmimin e tretë në Festivalin “Rruga për në Jaltë” në Rusi Read More »

Film i ri i Holly.wood për familjen Haklaj/ Ky është aktori që do luaj rolin e Fatmir Haklajt

30 milion Euro filmin e ri të Holly.wood it për familjen Haklaj, ky është aktori që do luaj rolin e Fatmirit

Filmi i Hollywood me 4 seri mbi ngjarjet tr agjike në Tropojën e viteve 1990 dhe 2000 do të bëhet realitet. I titulluar “HAKLAJ”.

Filmi do të ketë protagonist Fatmir Haklajn dhe familjen e tij.Projekti-film është ideuar dhe organizuar nga një regjisor suedezo-amerikan, si dhe nga një regjisor shqiptar i krahinës shqiptare të Kosovës. Në rolin e Fatmir Haklaj të jetë Doktor Jurgen Malaj.

Film i ri i Holly.wood për familjen Haklaj/ Ky është aktori që do luaj rolin e Fatmir Haklajt Read More »

At Zef Pllumi, i la kësaj bote dashurinë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, At Zef Pllumin, i cili sipas tij, “i ka lënë kësaj bote dashurinë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue”.

“At Zef Pllumi erdhi në këtë jetë në gusht të vitit 1924. Martirologu dhe breviari roman, ku përmblidhen gjithë emrat dhe jetët e shenjtëve e të të lumëve të Kishës Katolike, një pjesë prej tyre ndërtuar sipas gojëdhanave mbresëlënëse, nuk e përfshin – jo ende – jetën e tij, por jeta e tij e përmban martirologun dhe gjithë breviarin, si shembëlltyra vetë e mesazhit që prej 1500 vjetësh ato letrat me pluhur yjesh përpiqen të tejçojnë: Mishërimin njerëzor të dashurisë shëlbyese të Zotit të vuajtjeve, për të gjithë të vuajturit në mish e në shpirt, deri kur kësaj bote t’i vijë fundi”, tha Rama.

Kryeministri tha se “jeta legjendare e Patër Zef Pllumit o.f.m., që s’është as gojëdhanë, as hagjiografi konvencionale, zuri fill në bjeshkë, mes Shkrelit e Shalës, 96 vite më parë”.

“Qysh herët ajo u vu në shej të martirit, qëkurse pragun e banesës së thjeshtë të vocërrakut e kapërcyen At Gjergj Fishta e At Anton Harapi. Me një gisht drejt qiellit dhe me një pëllëmbë në zemrën e kërthiut, i cili do të bëhej një ditë françeskani simbol i rrethit të nëntë të ferrit komunist, mu si në enluminurat e vëllimeve të vjetra monastike ku rrëfehen bëmat e të Vorfnit të Asizit, këta korifej të besimit e shënuan Zefin me karizmën e dëshmorit. “Ji dëshmitar i kumtuem”, pra martir, “gjeje kudo dashurinë e Zotit”, pra dëshmo! Dhe duke i dhuruar një medaljon të Shën Françeskut, dy të ardhurit e rekrutuan atë ushtar të dritës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “jeta e tij prej ushtari të dritës, u lidh pazgjidhshmërisht me hetuesitë e nëntokës famëkeqe komuniste e me burgjet e mbitokës fatkeqe shqiptare, aty ku lëngata e trupit bëhej barrë e pambajtshme e trurit dhe ai u përgjigj tue mos lëshu fe e pe”.

“Kam pasur fatin ta njoh Padren e të shihem dhe flas me të disa herë, e s’e harroj kurrë kur më inkurajoi në betejën për lidershipin e Partisë Socialiste, me ata sytë e tij si zgavra të shpuara nga brenda prej një drite të çuditshme, nën atë zhgunin e tij si lëkurë mali mbi trup, me vështrimin ëmbëlsisht përçues dhe të folurën me tinguj si të kambanares, “veç ti munesh me e krye dekomunistizimin përfunimtar t’asaj partie e t’ksaj shoqnie, prandaj hiç mos u tut n’dasht me i dal për zot ksaj Shqipnie t’ngatrrume!” Komunistët i’a kishin bërë të gjithë nderimet e ferrit, ku e patën kyçur dhe ku e patën sprovuar deri në asht me torturat më speciale, por Padrja nuk i urrente, thjesht i mëshironte, ndërsa komunizmin po, atë as e falte, as e duronte dot. Qeshte Padrja me antikomunistët e kohës, tundte kokën shkëmbore mbi qafën e tretur dhe gjente fjalë mëshiruese, si për të thënë Zoti i faltë se s’dinë çka bëjnë”, shtoi Rama.

Ai tha se “të rrëfyerit e Patër Zef Pllumit, mund të krahasohet vetëm me Shën Augustinin, paçka se ipeshkëvi i madh Hiponës e grishte Zotin duke e hedhur në qiell vështrimin, ndërsa françeskani prej Shkreli e gjente atë “në do këpucë të vjetra mu nën hundën e xhelatit”, ku hosta e shenjtë e meshës futej fshehurazi në burgun e Antikrishtit”.

“Apoteoza e martirologut të tij, fara e besimit të një jete të tërë për me rrnue për me tregue, them se gjendet në çka ka shkruar për ditën e parë pas daljes prej këpucëve të të burgosurit, për të hyrë në liri si ajo hosta në gojën e besimtarit që mbyll sytë për të parë atë s’duket”, tha Rama.

“Atê natë fjeta aty. Fjeta a nuk fjeta. Në çdo çast që më delte gjumi pvetshëm veten: “Ku jam? I lirë apo jo?…” Kurrgjâ nuk besojshëm. Kur duel dita, u çova dhe thirra:

– Motër!… Motër!…
Nga dhoma tjetër ajo përgjegji:
– Vëlla, vëlla!… asht tepër herët.

– Më ka marrë malli me thanë meshë (…)

Kur e fillova Meshën, zemra m’u çue peshë. Më rrethuen gjithfarë mendimesh (…) E në ç’shekull jena sot?… Pse doktrina e dashunisë gjithmonë do rrijë e strukun prej dhunës?… Mister i madh i historisë njerëzore… Kjava me lot ndër sy. Vetëm me vedi thashë:

“O Zot! E kur do të vijë fundi i kësaj bote?!”., citoi Rama.

“Patër Zefi e ndërroi këtë jetë me një tjetër në vitin 2007, duke i lënë kësaj bote dashuninë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue”, tha Rama./atsh

At Zef Pllumi, i la kësaj bote dashurinë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue Read More »