Intervista

“Dikur nëna të përlotura, sot gjyshe të lumtura”, mesazhi frymëzues i mjekes Adelina Mazreku në luftën kundër kancerit të gjirit

Onkologia Adelina Mazreku është një shembull frymëzimi për punën e palodhur dhe përkushtimin për disa dekada në spitalin onkologjik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin frymëzues të doktoreshë Mazrekut që i është bashkuar fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të rritur ndërgjegjësimin për luftën kundër kancerit të gjirit.

“Prej shumë e shumë vitesh shpesh jam ndeshur edhe me kancerin e gjirit. Por mos u trembni. Secila nga ne mund të jetë pre e kancerit të gjirit, por jo detyrimisht viktimë e tij. Përvoja botërore, por edhe përvoja ime profesionale shumëvjeçare ka treguar se kur kanceri zbulohet në stade sa më të hershme dhe mjekohet mbi parime onkologjike, ai mund të shërohet”, deklaron Adelina Mazreku.

Ajo shprehet se “shpesh më takon që të takoj ish-paciente të mijat të cilat dikur kanë qenë nëna të përlotura dhe sot janë gjyshe të lumtura”.

“Pra eja që të luftojmë së bashku, kanceri i gjirit mund të mposhtet”, apelon onkologia Adelina Mazreku. /atsh

“Dikur nëna të përlotura, sot gjyshe të lumtura”, mesazhi frymëzues i mjekes Adelina Mazreku në luftën kundër kancerit të gjirit Read More »

She rr mes gazetareve, Anila Basha: “U kapa jashtë me Xhungën,gati sa nuk u the.rëm”

Dy gazetaret Anila Basha dhe Rudina Xhunga kanë pasur një de bat me njëra tjetrën.

Dosja.al mëson se arsyeja e she rrit mes dy gazetareve është bërë një lajm që Xhunga kishte bërë për Bashën në portalin e saj.

Të ftuara në emisionin “Soiree”, dy gazetaret kanë kujtuar edhe përp lasjen mes tyre. Në fund të videos së publikuar në rrjetet sociale, ku shihet promoja e emisionit të radhës, Basha dëgjohët teksa thotë se gati është the rur me Xhungën.

“Ja u kapa unë aty jashtë me Rudina Xhungën, desh u the rëm,”– thotë Basha.

She rr mes gazetareve, Anila Basha: “U kapa jashtë me Xhungën,gati sa nuk u the.rëm” Read More »

Rrëfehet Edi Reja: Roshi problematik, ma heq trurin kur…

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka zgjedhur lojtarin problematik që shpesh herë e bën me “dhimbje koke”.

Në një intervistë për Orinda Hutan në “Jo Vetëm Modë”, tekniku italian tha që Odise Roshi ndonjëherë i sos durimin por nuk i kurseu elozhet për “yllin” kuqezi.

Orinda Huta: Le te flasim pak për djemtë e Kombëtares. Cili të bën me dhimbje koke?

Reja: (duke qeshur) Djemtë sillen me shumë respekt, kemi ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë me njeri- tjetrin, jemi të bashkuar.

Por meqë më pyet, ai që ma sos durimin në mënyre të pashembullt është Roshi. Sepse Roshi ka cilësi shumë të veçanta si lojtar, mirëpo ka këtë problem, që ai nuk është asnjëherë aty. Përqendrimi nuk është pjesë e jetës së tij. Ndonjëherë e merr aq me të lehte, sa…Jo se nuk e bën dot, sikur vetëm të përfshihej pak më shumë.

Se ç’bën në fushë… e mban kokën ulur, shikon barin… këto gjera ma heqin trurin. Por, ka dhunti të jashtëzakonshme. Goditjen, forcën, i ka të gjitha. Kur është në loje, s’e kap dot njeri.

Orinda Huta: Cila është ajo këshille që ua thoni gjithmonë djemve?

Reja: Duhet të jenë të vetëdijshëm, se individualizmi në një skuadër, nuk ekziston. Kur shikoj lojtarë që mendojnë për veten, që duan të bien në sy, nuk më pëlqen. Është e domosdoshme të mendojnë si skuadër.

Pak nga pak, po e mësojmë këtë të gjithë bashkë. Pastaj është edhe pjesa taktike, shumë e nevojshme të jenë të përqendruar.

Unë e ndërtoj lojën me 3, sepse dua ta ndërtoj skuadrën nga pas, nuk mund ta ndërtosh gjithmonë në pjesën e përparme pasi ka mbrojtje shumë të fuqishme. Pastaj, nëse del mundësia për të bërë loje vertikale, s’na e ndalon askush ta bëjmë, duke krijuar surpriza. Aq me tepër tani, që kam një mesfushe të fortë nga ana teknike, me Baren, me Xhasulen…Pastaj, kemi edhe të rinj, të U21-shit të cilët po i ndjek. Tani do të thërrasim një lojtar të ri, Kumbulla, të cilin e pashë këtë javë në fushë dhe mund të them se s’ka asnjë dallim me të tjerët”, pëfundoi Reja.

Rrëfehet Edi Reja: Roshi problematik, ma heq trurin kur… Read More »

Rama për ”La Stampa”: Duke mos shtyrë zgjedhjet, mbrojta demokracinë

Duke mos shtyrë zgjedhjet, mbrojta demokracinë, deklaroi Kryeministri Edi Rama për gazetën e njohur italiane ”La Stampa”.

”Zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është një studio artisti, çdo faqe muri është e pikturuar. Paleta bojërash vaji, markera dhe pastele zënë skrivaninë. Ai është ulur dhe vizaton forma të ngjashme me kafshë imagjinare. Të dielën u mbyllën pa dhunë zgjedhjet më të vështira që nga fundi i komunizmit”, shkruan Letizia Tortello.

”Është një fitore e madhe, edhe për mua”, kërkon të thotë.

Por, vetëm një në pesë shqiptarë votoi. Rama, 54 vjeç, flet një italishte të përkryer (”Meritë e gjyshes, vajzë e një venecianeje”).

Mpreh armët kundër presidentit, dhe bën shaka për mënyrën e veshjes: “Më kanë kritikuar pasi votova i veshur me një xhaketë elegante dhe pantallona të shkurtra me çorape. Kujtohuni që kam qenë i pari që kam veshur atlete me kostum. Sot jam në modë: bëj tendencë”.

Kryeministër, si u zgjua Shqipëria pas votimeve të djeshme, të bojkotuara nga opozita?

”Shqiptarët që shkuan të votojnë shpëtuan vendin. Ishte në rrezik shteti i së drejtës. Nuk ishin zgjedhje vetëm për kryetarët e bashkive, kishte një rrezik shumë të prekshëm për përleshje. Nuk pati të tilla, sepse nuk ishte populli që i donte ato”.

Në ç’kuptim? Që nga shkurti mijëra manifestues zbresin në shesh për të kërkuar dorëheqjen tuaj.

”Ishte një inskenim, djem nga periferia ishin paguar për të sulmuar ndërtesat”.

Presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet tuaja? Çfarë do të ndodhë tani?

”Po zhvillohet një procedurë ‘impeachment’ për Illir Metën, do të shkarkohet nga Parlamenti për shkelje të rëndë antikushtetuese. Duke mbështetur bojkotimin e zgjedhjeve, dekretoi vetëvrasjen e tij politike duke shoqëruar drejt harakirit të gjithë opozitën”.

Kur ju ishit kandidat për bashkinë e Tiranës, në vitin 2006, kërkuat një shtyrje që u pranua. Po për sot, nuk vlen kjo gjë?

”Në atë kohë problemi ishte falsifikimi i dokumenteve të identitetit. Këtë herë opozita zgjodhi të tërhiqej përpara se të fillonte beteja. Shqipëria ka nevojë për ndërtimin e një shteti demokratik dhe europian. Kemi një traditë të brishtë për institucionet pas 50 viteve diktaturë, që na kishte transformuar në Korenë e Veriut të Europës. Duke mos i shtyrë zgjedhjet mbrojta demokracinë. SHBA dhe BE e kuptuan”.

Për të bashkuar vendin, a do të pranonit zgjedhje të parakohshme?

”Jo. Opozita nuk mund të marrë peng mazhorancën”.

E përditshmja gjermane “Bild” ka publikuar përgjime që ju shohin në kontakte me narkotrafikantët. Akuza të rënda. A jeni i shqetësuar?

“Nuk kam nevojë të mbrohem nga asgjë. Po përgatitemi për një luftë të madhe kundër korrupsionit, një pastrim me rrënjë të shumë gjykatësve të korruptuar. Përgjimet janë pjesë e kësaj rruge”.

Ish-presidenti Sali Berisha ka thënë se Shqipëria me ju është shndërruar në një narkoshtet.

“Çfarë narkoshteti?. Ne çrrënjosëm kanabisin si fenomen kriminal. Çfarë duhet të themi për Holandën?”

Kush janë miqtë tuaj në Itali?

”Kam nderin të jem mik personal me Renzin dhe D’Aleman”.

Çfarë gabimesh bëri Renzi?

”Nuk më takon mua të gjykoj. Ndoshta është më e vështirë të qeverisësh Italinë se sa Shqipërinë”.

Pse?

“Ka shumë korporativizëm. Ne nuk kemi sindikata, të bësh reforma është më e thjeshtë. Në Shqipëri edhe reformat më jopopullore janë popullore, njerëzit i presin. Ka shumë dëshirë për Europën”.

A është gati Shqipëria për në BE?

“Po. Por vendimet për hyrjen tonë varen nga dinamikat e brendshme europiane”.

Si do ta bindni Këshillin Europian?

“Nëse politikanët e Brukselit do të shohin hartën, do të shohin që Ballkani është i rrethuar nga vende anëtare të BE: Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Greqia. Jemi si mëlçia i një trupi që quhet Bashkimi Europian”.

A do ta përballonte ekonomia juaj një anëtarësim në union?

“Ballkani është deri tani një mundësi e nënvlerësuar, ka një potencial të pamatë. Imagjinoj një anëtarësim në një BE më fleksibël. Duhet të jetë një Europë me shumë Europa: të Schengenit, të monedhës, të Mbrojtjes, të qytetarëve. Me këto rregulla është e pamundur. Gjyshërit, prindërit, fëmijët, nipërit nuk mund të kenë të gjithë të njëjtën peshë”.

Keni qenë një popull migrantësh. Çfarë mendoni për çështjen Sea Watch?

“Italia ka të drejtë, u vu në lojë për vite të tëra dhe ka bërë shumë për t’i pranuar. Mund të diskutohen metodat e qeverisë suaj, por unë nuk shoh metoda të tjera”./ atsh

Rama për ”La Stampa”: Duke mos shtyrë zgjedhjet, mbrojta demokracinë Read More »

Ismail Kadare rrëfen si e arrestuan për falsifikim kur ishte vetëm 12 vjeç

Në një bisedë të lirshme, me pyetje nga më naivet e deri tek ato të kuruara bukur, shkrimtari me famë botërore iu përgjigj interesit të tyre, duke treguar episode të pathëna më parë. Ato datojnë që nga koha e fëmijërisë me prapësinë që i kushtoi arrestimin në klasë, fillimin e palavdishëm në letërsi e deri te njohja me Helenën e bukur përmes shokut shkrimtar, Dhimitër Xhuvani.

Përveç një takimi të paharrueshëm, në fund të bisedës që zgjati për më shumë se një orë, Kadare iu dhuroi fëmijëve libra të tij me autografe. Nuk mungoi apeli drejtuar shoqërisë për një interes më të madh në drejtim të tyre. Më poshtë sjellim bisedën e plotë të shkrimtarit me fëmijët jetimë.

Përse zgjodhët të bëheshit shkrimtar? Çfarë shërbeu si shtysë për ju?

Kur jemi fëmijë kemi lloj-lloj ëndrrash, mendimesh…kushedi ç’keni menduar secili nga ju se ç’do bëheni…balerina, shkrimtarë, filozofë, aviatorë. Njerëzit nuk i tregojnë ndonjëherë këto, por ne shkrimtarët jemi të detyruar t’i tregojmë në kuptimin moral. Unë kam qenë i vogël kur kam menduar si plot fëmijë të tjerë, kështu që pa i dhënë atë peshën e fjalës shkrimtar, mendoja të bëja atë që po lexoja në atë kohë. Isha në një moshë 11-12-vjeçare ku leximi është shumë i natyrshëm te disa dhe jo fort i natyrshëm te disa të tjerë. Unë e doja shumë leximin dhe siç e kam shpjeguar disa herë, fati e solli që nga librat që më ranë në dorë për herë të parë, ishte një libër jo i përshtatshëm për fëmijë. Është fjala për “Makbeth” të Shekspirit, e cila më tërhoqi sepse kishte fantazma dhe shtriga. Jo se e kuptoja thellësinë e saj, se isha i vogël. Për fat të mirë, më qëlloi një model i jashtëzakonshëm, u magjepsa pas tij dhe më rrinte mendja që të bëhem edhe unë si ky dhe m’u duk shumë e lehtë. Gjë e parë që bëra, mora një fletore dhe laps dhe fillova ta kopjoj me dorë … ky është fillimi im. Ka diçka komike në këto fillime, nuk janë serioze. Po ju them thjesht si kuriozitet. Le të bëjmë një bisedë të lirshme, jo si artikuj gazete. Ndaj, s’dua t’ju jap kufizime e këshilla se çfarë pyetje duhet të bëni. Ju jeni djem e vajza të reja, keni fantazi të zhvilluar. Mund t’ju mungojnë shumë gjëra, por jam i sigurt se nuk ju mungon fantazia, ëndrrat, mendimet, opinionet që keni për gjërat e të gjitha. Ndaj, do të doja të bënim një bisedë të lirshme me një shkrimtar.

Cili ka qenë shkrimi juaj i parë dhe kur e keni botuar?

Kur unë isha 11-12 vjeç, në atë kohë në Shqipëri, dilte një gazetë, “Letrari i ri” quhej. Këtë gazetë e nxirrte Lidhja e Shkrimtarëve për të rinj ku botoheshin shkrime të fillestarëve dhe disa herë jepeshin dhe përgjigjet e redaksisë për shkrimet e tyre dhe meqenëse bashkëpunëtorët ishin të rinj në moshë, gazeta jepte edhe këshilla. Duke e kuptuar që ajo që kisha shkruar nuk kishte ndonjë vlerë, mua më jepte një këshillë: “Ju mos u dëshpëroni që kjo që keni shkruar nuk po e botojmë, por ju duhet të lexoni pak më shumë para se të shkruani”. Me një fjalë, më dhanë një dush të ftohtë sepse vërtet vjersha ishte e dobët nga çdo pikëpamje. Fillim i palavdishëm ky. Por unë u gëzova se pashë emrin të shkruar në gazetë dhe s’më interesoi shumë se çfarë shkruante brenda. Me kokën time e kisha të zhvilluar anën e fantazisë, por logjikën të varfër. Ky ka qenë fillimi, një fillim për të mos u marrë si shembull.

Për të arritur majat e suksesit, mendoj që të gjithë ne e kemi një udhërrëfyes. Kush ka ndikuar te ju?

Kur kam qenë adoleshent, në gjimnaz, kemi pasur një rreth letrar, ku disa djem e vajza të reja, që më vonë u bënë të njohur në letërsi, kanë qenë anëtarë të këtij rrethi. Ky rreth ishte shumë nxitës në letërsi sepse mblidheshim dhe diskutonim, lexonim vjershat e njëri-tjetrit. Për krijimtarinë time kanë ndikuar shkrimtarët që bëja mësim në shkollë. Ata që ishin të njohur për të gjithë, ishin edhe për ne. Ishte i pamjaftueshëm ky ndikim, sepse kjo letërsi klasike shqipe mund të ndikojë në mënyrë të tërthortë te letrarët që duan të shkruajnë.

A është e vërtetë që kur ishit 12 vjeç u dënuat për falsifikim monedhash?

Unë kam qenë 12 vjeç dhe bashkë me një shokun tim të klasës na tha mendja, e shkurtër në këtë rast, që ngaqë gjetëm ca shkronja plumbi, me të cilën shtypeshin librat, t’i shkrinim e të bënim lodra me to. Na shkrepi në kokë të bënim 5- lekëshe. Në një vend kishte vajtur motra e vogël e këtij shokut tim të blinte pasta e akullore. Lajmëroi policinë, së cilës iu duk një kuriozitet i madh që në qytetin tim s’kishte pasur rast ndonjëherë të zbuloheshin monedha false, se është një gjë shumë e komplikuar, e vështirë për t’u bërë dhe nuk mund të merret seriozisht, aq më tepër kur e bëjnë ca kalamaj. Por kjo s’e pengoi policinë të na arrestojë në orën e mësimit. Ne u bëmë të famshëm për keq…. Kjo histori mezi u harrua, por kjo s’i pengoi më vonë të ma përmendin dhe në biografinë time, kur unë ndërkohë botoja libra. Ca më bëri mirë kjo, ca më bëri keq, u bëra si figurë kurioze, por kur je në atë moshë, nuk të bën fort përshtypje. Kjo ka qenë aventurë e parë e imja.

Çfarë do të thoshte për ju të ishit shkrimtar i realizmit socialist? Ju ka mbetur ndonjë ngjarje e asaj periudhe pa e hedhur në fletë?

Ngjarjet e jetës janë të pafundme dhe në epokën e socializmit kanë qenë shumë të forta, dramatike, të dhimbshme, por për fat të keq nuk janë të pasqyruara në letërsi, sepse letërsia e asaj kohe, në vendin tonë dhe aleate komuniste, e kishte pothuajse të ndaluar të shkruante për gjëra të dhimbshme, që të fusnin në mendime, të nxirrnin gjumin, sepse shteti nuk donte. Atëherë ishte parulla që populli ishte i lumtur dhe ne shkrimtarët duhet të përshkruanin lumturinë e tij. Por lumturia në letërsi është shumë e mërzitshme ta shkruash. Është mirë ta kesh, ta shijosh, por të ulesh të shkruash diçka, nuk është fort tërheqëse. Për fat të keq, tërheqëse për artin janë gjërat dramatike. Letërsia dhe arti kështu janë. Bazohen në gjëra të fuqishme, shpesh jo të gëzueshme, shpesh të hidhura. Për shembull, kemi letërsinë e vjetër antike, e gjitha e bazuar në përshkrime fatkeqësish. Në një libër ose dramë bëhet fjalë për mijëra ushtarë që grihen në fushën e luftës për një grua…Pra, nuk del njeri të thotë që letërsia, thesari i njerëzimit, ç’është ky thesar që na mërzit. Ja që kështu qenka letërsia, sepse të zgjon ndërgjegjen, s’të lë të qetë.

Një nga kureshtjet e mia është të di historinë se si jeni njohur me bashkëshorten tuaj…

Më ke zënë ngushtë këtu se s’mund ta ndryshoj fare. E kam përbri. Njohja ime ka qenë si ta them, edhe e zakonshme, edhe jo e zakonshme. Unë në atë kohë kam qenë në Moskë në Bashkimin Sovjetik, studioja letërsi dhe herë pas here në Moskë vinin gazetat e vendeve aleate, midis tyre dhe shqiptare. Ndër to pashë një tregim të një vajze që quhej Helena Gushi. Një shok i imi i institutit më tha: “E sheh këtë vajzën që ka botuar këtë, e njoh. Është një vajzë e bukur dhe po t’i shkruash ti një urim për këtë tregimin, ajo do të bëjë letër dhe do të bjerë në dashuri me ty. Dhe kur të vemi për pushime, pas 2-3 javësh ta kesh të njohur atje, mos të vish vërdallë nëpër Tiranë”. Kështu ndodhi vërtet. Ky është Dhimitër Xhuvani. U tregua profet. Unë i bëra një letër të shkurtër Helenës që u impresionova nga tregimi dhe Helena bëri një përgjigje dhjetë herë më të gjatë. Kështu u njohëm. Kur erdha në Shqipëri patëm rast që u takuam.

Dua të di, a ka qenë kuraja një nga degët, të cilën e keni shtrënguar fort gjatë udhëtimit tuaj?

Unë kam pasur shumë besim në vetvete. Të vegjlit kanë shumë besim. Mua shokët e mi të ngushtë më thoshin që ti je shkrimtar i madh, pavarësisht se kishin lexuar 4-5 vjersha dhe unë e besoja. Më dukej normale. Bile ata ziheshin me shokët e klasave të tjera që thoshin se nga doli ky shkrimtar i madh, ai është si ne. Fëmijët e kanë këtë gjë. Besojnë në gjëra të pabesueshme. Por kjo është edhe e mirë, edhe e keqe nëse bëhet sëmundje pastaj. Në fillim kisha kurajë të madhe shumë, të pafundme. Të jesh shkrimtar i madh, në fillim s’më dukej ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Më vonë, sa më tepër rritesha, aq më shumë e kuptoja që kjo është e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Sa ka ndikuar në veprat tuaja jetesa në Rusi?

Jeta studentore në Rusi ka ndikuar shumë, sikurse ndikon fëmijëria. Në mënyrë të çuditshme të papritura, për mirë ose për keq. E keqja e letërsisë shqipe në atë kohë ishte se djemtë dhe vajzat e reja në moshë, kur fillonin të shkruanin ishin përpara një propagande jashtëzakonisht kërkuese, të dëmshme për letërsinë. Po të dëgjoje propagandën që bënte shtypi, letërsia, shkollat, të merrte në qafë. Ata thoshin se detyra e shkrimtarëve është të këndojnë për lumturinë e popullit, për gëzimin e punës. Mendoni një roman për gëzimin e punës. S’të nxit asgjë. Kurse një dramë, një ngjarje e hidhur, një tragjedi që keni parë nuk harrohet tërë jetën.

Të gjitha veprat tuaja, jam shumë i sigurt që do lexohen nga mbarë bota. A keni ju një libër të preferuar?

Këtë pyetje ua bëjnë të gjithë shkrimtarëve. Nuk mund të them një. Janë disa vepra, një grup veprash që unë i preferoj mbi të tjerat, por nuk mund të them këto. Shkrimtarët e kanë të vështirë t’i përcaktojnë. Një nga librat që çmohet në botë është “Prilli i thyer”, sepse ka brenda kureshtje dhe gjëra që nuk ekzistojnë te disa popuj…për arsye nga më të ndryshmet. Por kjo nuk do të thotë gjë.

Sa kohë keni jetuar në Gjirokastër dhe çfarë ndikimi ka pasur qyteti në veprat tuaja? Edhe pse e di që një pjesë e teksteve zhvillohen aty…

Gjirokastra ka luajtur një rol dhe unë këtë nuk e kam fshehur. Kam shkruar dhe një libër “Kronikë në gur”. Kanë qenë gjurmë të pashlyeshme. Vetë Gjirokastra është qytet interesant, por mund edhe të mos ishte dhe për fëmijën në sytë e tij mund të bëhej. Ka qenë në kohë lufte dhe tamam si në teatër. Kam qenë i vogël kur erdhën ushtritë italiane. Ata kishin një porosi që të silleshin mirë, të mos i fyenin shqiptarët, sidomos vajzat, sepse janë me sedër të madhe. Por italianët nuk e respektonin këtë gjë dhe shpesh qëllonin që banorët fanatikë, konservatorë të Gjirokastrës e dinin këtë qëndrim zyrtar të shtetit dhe ishin shumë të ashpër me ushtarakët italianë që ngacmonin vajzat. Me sytë e mi unë kam parë 2-3 raste, plaka të lagjes, që kanë kapur për flokësh një oficer italian dhe ai nga frika s’dinte ç’të bënte, sepse plakat gjirokastrite ishin prej natyre të guximshme, sidomos për punë nderi. Kjo gjë ndodhi në kontrast me gjermanët, që erdhën më vonë. Ata kishin të njëjtin udhëzim, gati të fshehtë, që të mos ngacmonin shqiptarët për punë nderi sepse këta janë të çmendur dhe i japin një rëndësi shumë të madhe dhe do na krijonin telashe politike. Gjermanët nuk kthenin as kokën kur kalonin gratë, iu bindeshin urdhrave. Të tilla gjëra ishin si teatër. “Darkë e gabuar” e të tjera që kam shkruar unë kam kujtuar episode të tilla, që bënin edhe për të qeshur. Kjo ishte e mirë për letërsinë se kjo nuk e bënte realitetin ta përshkruaje bardhë e zi, domethënë nga një anë ne të mirët, partizanët, e nga ana tjetër fashistët, të ligjtë, të poshtrit. Ishte një realitet i përzier, që për fat të keq në letërsi nuk zuri vend dhe e dobësoi letërsinë shqipe. Nuk besoj se keni lexuar libra të asaj kohe, ku të përshkruheshin drama të tilla.

Në Ditën Ndërkombëtare të Jetimëve, a keni një apel për shoqërinë?

Çmoj shumë brezin e moshës suaj, sidomos në një gjendje jo fort të zakonshme siç jeni juve, që ju mungon diçka që ka lidhje dashur pa dashur me letërsinë dhe artet. Një pikëllim (letërsia e ka këtë detyrë)të prek, s’të lë të qetë. E gjithë shoqëria ka për detyrë t’ua lehtësojë këtë gjendje, do doja të ishte më i madh interesi, më i vazhdueshëm. Ju jeni tamam ajo pjesë e popullsisë që keni nevojë për ngrohtësi njerëzore, nuk ju ngopin fjalët boshe. Një shpirt kur dëshpërohet, kur mallëngjehet, trazohet, dëshpërohet është i pasur gjithmonë./panorama

Ismail Kadare rrëfen si e arrestuan për falsifikim kur ishte vetëm 12 vjeç Read More »

Reagon vëllai i shefit të policisë në Gruemirë të Malësisë së Madhe: “Nuk e kam besuar vëllain, derisa u sqarua e gjithë ngjarja”

Afrim Bajrakurti, vëllai i shefit të policisë në Gruemirë të Malësisë së Madhe, Berhan Bajrakurtit, foli në lidhje me skandalin e videos int.ime.

Ai tha se nuk e ka besuar vëllain, derisa u sqarua e gjithë ngjarja.

Sipas tij, videon ja kanë vjedhur të vëllait, ndërsa shton se në gjithë këtë histori ka gisht edhe politika.

Afrimi Bajrakurti ndër të tjera u shpreh se pas sqarimit të situatës, njerëzit në Gruemirë kanë filluar t’i flasin sërish.

Pjesë nga intervista me vëllanë e policit

Afrim ju nuk e keni besuar vëllain tuaj në fillim?

Nuk e besuam se në Malësinë e Madhe nuk ka ndodhur kjo gjë. Unë i kam çuar ushqimin tek dera dhe se kemi takuar hiç derisa u sqarua e vërteta. Ne nuk jemi politikanë. Ne jetojmë me asistencë. Ne gjithmonë kemi votuar majtas se kemi pasur babën komunist.

Çlidhje kanë bindjet tuaja politike?

Sepse na kanë futur në politikë. Tha Basha shiko çfarë bën polici. Ky ta kishte bërë atë punë nuk ishte këtu. Morën lap topin e nipit për provë. Dorëzova dhe ar.mën e vëllait. Vajza e vëllait nuk ka shkuar 8 ditë në shkollë. Nuk ka ardhur një strukturë e shtetit që të na thonë si është kjo punë.

Si ka dale kjo video?

Dikush e ka vjedhur për të ulur familjen. Janë armiqtë që kanë bërë këtë punë. Unë kam dashur të vij personalisht këtu.

Gjendja ne familjen e Berhamit si është?

Kanë filluar njerëzit të na flasin se e kanë kuptuar si është e vërteta. Cfarë ka bërë ky njeri kundra ligjit?

Kujtojmë se Berhan Bajrakurti fitoi lirinë, pasi nuk pati asnjë denoncues në lidhje me rastin, ndërsa ekspertiza doli në përfundimin se ai kishte qenë duke kryer veprime int.ime me bashkëshorten.

Reagon vëllai i shefit të policisë në Gruemirë të Malësisë së Madhe: “Nuk e kam besuar vëllain, derisa u sqarua e gjithë ngjarja” Read More »

Silva Gunbardhi rrëfen gjestin e saj njerëzor(video)

Diferenca e madhe shtresore në vendin tonë është e dukshme. Por ja që ka edhe nga ata njerëz që edhe pse të sukseshëm, nuk harrojnë ata që kanë qenë më të pafatë në jetë.

Një prej tyre është dhe këngëtarja e njohur Silva Gunbardhi, e cila ka zbuluar ditën e djeshme në emisionin “Why Not” të Roza Latit në Ora News, se si kishte ndihmuar me gjërat e nevojshme nje vajzë të braktisur në kazanët e mbeturinave.

“Djali im lindi në muajin e tetë dhe për këtë arsye, u detyruan mjekët ta mbanin në reanimacion sepse duhet ta mbanin në vëzhgim derisa ti zhvilloheshin tamam mushkëritë. Aty ngjitur ishte një fëmijë që e kishin braktisur prindërit. Gjithmonë Dalvit, ia vendosja qumështin te koka që nëse nuk isha unë aty, t’ia jepte infermierja. Një ditë nuk isha aty dhe më thotë infermierja me gjysmë zëri: “Silva, ta marr pak këtë qumështin e djalit tënd sepse nuk na ka ardhur ende furnizimi në spital.” Unë i thashë, të lutem merre komplet kutinë dhe dërgova Dafin ti blejë pampers, rroba, qumësht, i bleva dhe dy lodra.

Rasti i dytë ishte fëmija që hodhën tek kazani i plehrave, një vajzë që mbijetoi. E gjetën ata që hapën kazanët. Sapo mora vesh për atë vajzë, shkova direkt tek reanimacioni dhe asaj i bleva cdo gjë të nevojshme për një beb”, tregoi Silva. Këngëtarja shkaktoi një valë të fortë duartrokitjesh në studio dhe shumë mallëngjim.

Silva Gunbardhi rrëfen gjestin e saj njerëzor(video) Read More »

Rama:”Unë për vit të ri ha një tortë që e bënte gjyshja, e mësoi nëna ime, dhe pastaj gruaja ime. Jam nip me fat, djalë me fat dhe burrë me fat”

Kryeminsitri Edi Rama të Dielën në mbrëmje ishte i ftuar në emisionin “Xing” të Ermal Mamaqit.
Edi Rama është një ndër njerëzit më të kërkuar në Shqipëri dhe mbrëmjen e së Dielës u ndoq nga një numur rekord shikuesish.

I ftuar në emisionin “Xing” të Ermal Mamaqit pyetjes se:
– A e ha bakllavanë Rama ju përgjigj,

“Unë për vit të ri ha një tortë që e bënte gjyshja, e mësoi nëna ime, dhe pastaj gruaja ime. Jam nip me fat, djalë me fat dhe burrë me fat”, tha kryeministri i ftuar në Xing Me Ermalin.-laberianews

Rama:”Unë për vit të ri ha një tortë që e bënte gjyshja, e mësoi nëna ime, dhe pastaj gruaja ime. Jam nip me fat, djalë me fat dhe burrë me fat” Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com