Histori

Himara dhe Skënderbeu : Nga Prof. Dr. Moikom Zeqo

Himara është një nga perlat e Kaonisë ilire në shekuj, banorët e brigjeve të saj janë quajtur fisi i Kerauneve (nga emri i vargmalit). Zeusi i keraunëve është më i vjetër se ai i mitologjisë greke. Vetë kreshtat malore të Akrokeraunëve, ose Maleve të Vetëtimave kanë qenë sipas profesorit të Kembrixhit, djepi i lindjes se kultit të Zeusit, që ka si atribut rrufenë. Ky prototip i Zeusit u zhvendos më vonë në Olimp të Greqisë.

Zeusi i keraunëve përfaqëson kështu një mitologji paragreke, që duhet marrë në konsideratë nga studiuesit. Duket sikur parahistoria zanafillore e Himarës është spërkatur me yllësi perëndish dhe qeniesh të shpirtëzuara.
Kaq shumë autorë legjendarë të antikitetit kanë folur për të, për të mos harruar më vonë, gjeniun e romantizmit, poetin Bajron, i cili ka shkruar vargje të shkëlqyera për himariotët luftëtarë.

Arkeologu francez, Leon Rei ka skalitur këto fjalë: “Nëse Shqipëria ka me se të mburret, ajo, në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës”. Dhe ja, në Palasë para shumë vitesh është gjetur një përkrenare bronzi tipike ilire e shek. V para Krishtit. Për fat të keq, kjo përkrenare sot është zhdukur. Është e pafalshme që nga shteti shqiptar nuk janë organizuar ekspedita arkeologjike në Himarë.

Themelet e mureve të kalasë së Himarës kanë gurë të mëdhenj ciklopikë, të tipizuar si mure pellazgjike, që të paktën janë të lashtë nga shek. V para Krishtit. Padyshim në këto mure, jeta ka qenë akoma më e vjetër. Një forcë e çuditshme, një lloj elani jetësor, siç do te thoshte filozofi Bergson, e ka ngritur jetën e njerëzve në shpatet e Bregut te Detit, duke i emërtuar përfundimisht ata si bregdetas. Fshatrat e Himarës mund të quhen si qytete të vogla, tepër të lashta, që përbejnë një bizhuteri përrallore. Shtatë fshatrat e Himarës, si në një numër padidik Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri, Kudhësi, Qeparoi.

Por në dokumente flitet edhe për një koncept më të gjerë të Himarës, ku përfshihet dhe Nivica, Piqerasi, Lukova, Dukati, Radhima, Tragjasi, Gumenica, Tërbaçi, Lopësi, Mavlova, Vranishti, Smokthina, Kallarati, Lepenica, Progonati, Tepelena, etj.

Himarioti Anton Linerosa, sipas Barletit mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 trima të tij me 1444. Me 31 gusht 1431, i biri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjoni zbret nga Italia në Himarë dhe çliron tërë zonën dhe kështjellën e Borshit. Princi shqiptar, Balsha II ka qenë zotërues i Himarës, pas vdekjes së tij zotëruese qe gruaja Komita Muzaka. Më 12 korrik 1577, pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e dërguan në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin.

Në këtë letër ata i thonë Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe se kërkojnë që Europa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve. Në shek. XVIII, himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin tek Caresha e Rusisë, Elisabeta Petrovna. Në letrën që iu dërgua careshës, thuhej: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje”. Me 1818 Regjimenti Shqiptar në Korfuz luftoi për mbrojtjen e Psarës.

Anglezi Millingen ka shkruar “Himariotët kishin pamje më luftarake në tërë ushtrinë. Nuk kanë dallim nga shqiptarët e tjerë. Veshja dhe gjuha – krejt e njëjtë”….Nuk është e rastit, që Papa Dhimitri nga Dhërmiu përktheu në shqip katekizmat, u hapën shkolla shqipe gjatë shek. XVI-XVIII. Historia e Kishës Katolike në Himarë nuk mund te zhduket dhe nuk mund të mohohet.

Himara dhe Skënderbeu : Nga Prof. Dr. Moikom Zeqo Read More »

Zbulimi i madh në Rusi, 300 tulla me alfabetin më të vjetër të shqipes

Me një shqipe të shkëlqyer, të cilën e ka mësuar nga dy pedagoget ruse që kishin jetuar në Shqipëri në vitet ’50, Gertruda Intrei dhe Irina Horonina, studiuesi bjellorus Aleksandër Novik rrëfen ekskluzivisht për “Shqiptarja.com” një nga zbulimet më të mëdha në Rusi të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në më shumë se dhjetë shekuj arkeologji, faktet e ekzistencës së një alfabeti shqip mungojnë. Mbishkrimet e zbuluara më së shumti janë ose në alfabetin latin, ose grek, dhe ka vetëm ndonjë gjurmë të pastudiuar ende të alfabeteve të vdekura të shqipes…

Por ja, në vitin 2015, arkeologu rus Dmitry Zenyuk  ka zbuluar në fshatin Margaritovo në zonën e Uzovit, Rusi, mbishkrime në gjuhën shqipe të shkruara në tulla. Në fillim, kur arkeologët zbuluan objektet me mbishkrimet shqipe, i krahasuan me Alfabetin e Elbasanit dhe u mendua se ishte një alfabet që shqiptarët e Ukrainës e kishin marrë me vete.

Për fat të keq, historia e vajtjes së një numri të madh shqiptarësh në territorin e Perandorisë Ruse, për studiuesit shqiptarë është pothuajse e panjohur. Për shumë vite, kjo histori ka qenë e panjohur, jo vetëm për shoqërinë ruse, por edhe për shkencëtarë dhe specialistë në fusha të ndryshme të disiplinave humanitare.

Zbulimi i 200  tullave ku janë ruajtur shkronja e fjalë shqipe ka tronditur tashmë opnionin shkencor, ndërkohë që sot në muzetë ruse numërohen rreth 300 copë të ngjashme. Fakti që për dy shekuj mërgimi në Rusi dhe tre shekujt të tjerë në Bullgari shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur identitetin, traditat dhe gjuhën shqipe, nuk ka befasuar vetëm studiuesin e njohur Aleksandër Novik, por edhe albanologë të tjerë të huaj.

Nëpërmjet kësaj interviste Aleksandër Novik zbulon një faqe të panjohur të trashëgimisë shqiptare, një monument që ruhet përtej këtij vendi dhe larg syrit të studiuesve shqiptarë apo vëmendjes së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…

Dhe me sa duket këtë vit, pas përpjekjeve për reformimin e Akademisë, trashëgimia e shqiptarëve të Ukrainës po merr vëmendjen e merituar. Aleksandër Novik u nderua pak ditë më parë në Tiranë me Çmimin Kombëtar të Akademisë së Shkencave për vitin 2017, për studimet e tij për shqiptarët e Ukrainës.

Për “Shqiptarja.com”, Aleksandër Novik ka rrëfyer se në Rusi ccështja e studimit të diasporës shqiptare është shumë e rëndësishme. Sipas Novik gjatë shekullit të 20-të në Rusi janë bërë zbulime dhe analiza shkencore me nivel të lartë për të folurën shqipe në  vendbanimet e jugut të Ukrainës, në rajonet e Odesas she Zaporozhies, ku nisi edhe periudha e themelimit të kolonisë së parë të “Karakurtit” që i takon fillimit të shekullit të 19-të, më saktë vitit 1811.

Intervista

Zoti Novik, çfarë ju ka nxitur ju për të pasur një kontakt me shqiptarët e Ukrainës dhe të nisnit studimet për këtë minoritet etnik?

-Në jug të Ukrainës ka katër fshatra shqiptarë. Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës kanë ikur nga krahina e Korçës dhe zonat rreth saj afërsisht. Ne supozojmë se kanë ikur pesë shekuj më përpara. Ata kanë ikur në lindje të Bullgarisë. Në rajonin e Varnës në Bullgari shqiptarët kanë jetuar afërsisht tre shekuj, edhe në fillim të shekullit të 19-të ata kanë ikur në territoret e perandorisë ruse për shkak të luftrave ruso-turke. Deri tani ata kanë ruajtur gjuhën e tyre amtare. Kuptohet që shqiptarët që janë atje flasin shqip, kuptohet në gjuhën arkaike. Ata flasin “klisha” dhe jo “kisha”, ata flasin “gluha” e jo “gjuha”, ashtu siç flasin edhe arbëreshët e Italisë.

Ju vetë jeni ukrainas, shqiptaro-ukrainas apo rus?

-Jo nuk jam shqiptar, nuk jam ukrainas, nuk jam rus. Në fakt kam prejardhje bjelloruse, jam bjellorus, por kam lindur në  Rusi, në Magadan, në verilindje të Rusisë shumë afër nga Alaska nga Amerika e Japonia, por shkollën e mesme e kam mbaruar në Bjellorusi dhe pastaj kam vazhduar studimet e mia në Petërburg, në Universitetin shtetëror të San Peterburg dhe pas mbarimit të Universitetit kam mbaruar studimet pasunivesitare në muzeun Punskamera dhe punoj në këtë muze tani. Jam drejtor i Departamemetit të Studimeve Europiane, dhe vazhdoj të jap ligjërata në Universitetin e Shën Petërburgut.

Cili ka qenë shkaku që ju frymëzoheni nga tradita të harruara të popujve ose të vetë popujve të harruar?

-Është profesioni im. Kam mbaruar studimet pasunivesitare dhe për mua është interesanate dhe e rëndësishme që të zbulojë të studiojë ruajtjen dhe traditën e popujve ballkanikë.

Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?

-Në Shqipëri? Shumë interesante kjo. Për herë të parë unë  isha në trojet shqiptare në Kosovë në vitin 1990, dhe pastaj pas dy vjetësh në vitin 1992 kam ardhur për herë të parë në Shqipëri.

E dinit mirë shqipen që në atë kohë?

-Normale, natyrisht që e dija sepse shqipen unë e kam studiuar në Universitetin e Shën Petërburgut.

Kur ratë në kontakt me gjuhën shqipe të folur, vutë re ndonjë diferencë me atë që kishit mësuar?

-Jo. Unë e kam mësuar gjuhën shqipe me pedagogë shumë të mirë në Universitetin e Petërburgut. Për shembull Gertruda Intrei ka jetuar  këtu në Shqipëri në vitet ‘50 dhe pastaj vazhdonte të punonte në Universitetin e Petërburgut. Unë isha student i saj. Këtu në Shqipëri ka filluar studimet në fund të viteve ‘50 edhe Irina Horonina. Kur isha për herë të parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë unë kam komunikuar pa problem.

Shqipëria ka jetuar në diktaturë dhe e izoluar, ju si albanolog a lejoheshit vinit në vendin tonë?

-Jo vendet tona ishin ndarë për shkak të politikës dhe para viteve ‘90 nuk mund të vija. Nuk ksistonin marrëdhëniet diplomatike, politike, tregtare e kulturore

Kur i takoni shqiptarët e Ukrainës, çfarë gjërash të veçanta keni zbuluar në karakterin e tyre dhe që u bënë përshtypje më shumë?

-Për mua është çudi që së pari shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur gjuhën e tyre amtare dhe vetëdijen pothuajse për pesë shekkuj, në një kohë që nuk kishin raporte me Gadishullin e Ballkanit për dy shekuj, kur u zhvendosën në Rusi dhe për mua kjo përbën një rast të veçantë dhe me shumë interes në shkencat që unë studioj. Ata kanë ruajtur gjuhën amtare dhe vetëdijen etnike.

Para tre vjetësh në një seminar të Kosovës ju shpallët se kishit zbuluar mbishkrime në një alafabet të veçantë të shqipes rreth 500-vjeçare dhe kjo  më la shumë mbresë. “Shqiptarja.com” bëri një lajm që ngjalli interes të madh tek lexuesit. Ku bazohet ky studim juaji. Si zbuluan këto dokumente?

-Këto dokumente nuk u zbuluan në territorin e Ukrainës, por në territorin e Rusisë së sotme në brigjet e detit Azov në fshatin  Margaritovo. Tre vitet e fundit unë shkova bashkë me studentët e kolegët e mi në jug të Rusisë, në brigjet e detit Azov, në rajonin e Ostovit. Në fund të sheklullit të 18-të në këtë vend ishin  në themeluar disa fshatra, domethënë Margaritovo, Epirski, Albanski, domethënë fshati i Albanëve, i shqiptarëve. Para 20 vjetësh arkeologu rus Midriz Injuk ka zbuluar disa tulla me mbishkrime të sistemit të vjetër të shqipes.

I keni ju fotografitë me këto tulla?

-Po po kemi i kemi, dhe janë zbuluar rreth 200 tulla ku janë ruajtuar shenjat e sistemit të shkrimit të vjetër të shqiptarëve, ndërsa  duke i mbledhur të gjitha zbulimet janë rreth 300 kopje të tilla. Themeluesi i fshatit Margaritovo është Margaret Bllazon, dhe për të ka pasur diskutime se është edhe me origjinë greke, por kjo ngatërrohet, sepse kanë ardhur në Rusi shqiptarë nga Shqipëria dhe shqiptarë të Greqisë, që i quanin “Arvanutë të Greqisë” dhe “Arvanutë”. Ky problem ende diskutohet. Margariti ishte njeri pasur dhe unë mendoj se ai do të bënte fare mirë ndërtime me tulla me shenja të shkronjave greke, po të ishte grek, dhe s’kishte arsye t’i bënte në një gjuhë që s’ishte e askujt aty në Rusi. Aty para disa vjetësh arkeologu rus, Dmitry Zenyuk, ka zbuluar një sistem të shkrimit shqiptar. Themeluesi i fshatit Margariti mendohet se ishte shqiptar nga Kreta dhe ai ka marrë shumë tokë nga qeveria ruse për shërbimin e tij në ushtri dhe kishte afërsht 200 kilometra tokë. Kështu ai ka organizuar një ndërmarrje të tillë që ta rrethonte një pjesë të madhe me tulla dhe në çdo tullë të kishte një shenjë, shkronjë shqipe. Në korrik do shkojmë përsëri në atë zonë dhe ndoshta do të zbulojmë artefakte të reja. Në zonën e Detit Azov nuk flitet më në gjuhën shqipe, por popullata ka mbajtur kujtime për arnautët të cilët janë themeluesit e këtij fshati dhe vendbanimet përreth.

Kur u bë lajmi për alfabetin e rrallë të zbuluar në letër, kureshtje të madhe pati edhe i ndjeri Robert Elsie, që më pyeti për burimin e lajmit, pasi ju supozonit se mund të bëhej fjalë për Alfabetin 400-vjeccar të Elbasanit. Keni biseduar për këtë ju me Elsie?

-Këto mbishkrime që janë ruajtur në këto tulla, unë mendoj se janë pjesë e sistemit të vjetër të shkrimit të shqipes. Në fakt nuk është Alafabeti i Elbasanit, sicc u mendua në fillim,  por është një alfabet tjetër. Jemi duke vijuar studimet dhe në korrik ne do të shkojmë sërish në Margaritovo për ekspeditë me kolegët. Kemi biseduar edhe me Elsie. Ne mendojmë se është një alfabet tjetër edhe më i hershëm, me më shumë shkronja. Ideja për një alfabet më të hershëm ishte e Elsie. Kështu që do të vijojmë zbulimet tona.

Në këtë territor, ekspedita jonë e organizuar nga Universiteti Shtetëror i Shën Petersburg në vitin 2015 ka grumbulluar shumë materiale, tregime, etj. Në lidhje me praninë e shqiptarëve në shekujt e 18-të dhe 19-të. Kështu në fund të shekullit të 18-të, në rajonin e Azovit u themelua fshati Margaritovo, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me Margaret Bllazon, zyrtar i lartë, me origjinë nga shqiptarët e mërguar aty.

Më lejoni ju bëj një pyetje jashtë profesionit, cili është opinioni juaj për vendimin e largimit të Ambasadave ruse nga vendet e Ballkanit dhe Europës?

-Opinioni im privat dhe personal është që është gabim. Për jetën  njerëzve puna e diplomatëve është shumë e rëndësishme, dhe na duhet të kemi raporte të mira, marrëdhënie të mira, dhe diktati në këtë mënyrë ndikon keq mes marrëdhënieve mes popujve, mes vendeve të ndryshme. Na duhet të diskutojmë probleme nga më të ndryshmet.

Sa ka ndihmuar Ambasada Ruse gjatë pranisë së saj në Shqipëri për të thelluar studimet për shqiptarët e Ukrainës?

-Tek ne institucionet shkencore punojnë vetë dhe nuk kanë ndikim nga politikanët dhe nga qeveria. Unë për shembull mund të merrem me çdo popull në tërë botën, pa asnjë diktat nga Këshilli Shkencor. Jemi të lirë në zgjedhjen e studimeve tona. Jemi të lirë në veprimet tona.

Zbulimi i tullave

“Letrat” e dheut të harruar, ruhen shqip në tulla të lashta në Margaritovo

Sipas Aleksandër Novik në korrik të vitit 2015 në fshatin Margaritovo të rrethit Azov, në rajonin e Rostovit, ka shkuar për të punuar një ekspeditë etno-gjuhësore nga Univesiteti i Shën Petersburg-ut. Arsyeja e mbërritjes së tyre atje, ishte zbulimi i një monumenti të rrallë të trashëgimisë së lashtë shqiptare. Objektet e gjetura ishin rreth 200 tulla me mbishkrime të ngjashme me tre alfabetet e përdorura në Shqipëri rreth 400-500 vjet më parë, si ai i Elbasanit, i Vithkuqit dhe Alfabeti i Veso Beut, që kishin përkatësisht 53 shkronja, 31 shkronja dhe 22 shkronja.

Pas këtij zbulimi që bëri bujë në Moskë në vitin 2015, arkeologu Dmitry Zenyuk në një konferencë për mediat është shprehur se:

“Në fakt, ky është një zbulim që u bë për një kohë shumë të gjatë. Tulla e parë e ngjashme që kam gjetur ishte kur isha nxënës në klasën e tretë. Ndërsa në këtë moment nga zbulimet e bëra tulla të tilla njihen me rreth 300 kopje.

Në vitin 2007 kemi bërë një krahasim të letrave të shënuara në tulla me gjuhën e Elbasanit, ku gjatë kësaj kohe u përgatit një bazë teorike dhe u bënë tabelat krahasuese. Po kjo punë nuk ishte e mjaftueshem pa marrë mendinin e skstertëve shqiptarë.

Vetëm tani, për herë të parë, mund të deklarojmë zyrtarisht se në jug të Rusisë është hapur një monument që dokumentimin e shkrimit të vjetër të shqiptare. Dhe është e mahnitshme! Në botë mbijetojnë disa disa shembuj të përdorimit të alfabetit të vdekur të shqipes në  arkivat shtetërore në Tiranë, ku një nga ato është “Bibla e Anonimit të Elbasanit” dhe disa letra nga tregtarët dhe artizanët nga Elbasani të afërmit e tyre të mërguar. Prandaj gjetjet nga fshati Margaritovo janë me interes serioz shkencor!”. Këto kanë qenë deklaratat e arkeologut Dmitry Zenyuk, pas zbulimit të tullave me mbishkrime në gjuhën shqipe.

Zbulimi i madh në Rusi, 300 tulla me alfabetin më të vjetër të shqipes Read More »

E futën në thes me një mace të egër – Vdekja makabre e mirditorës që sfidoi komunizmin

Nuk janë të paktë ato shqiptarë që guxuan dhe ngritën kokë kundër diktaturës dhe komunizmit në Shqipëri. Shumë intelektualë dhe fetarë dolën kundër sistemit të egër, por fati i tyre dihej.

Ato masakruan dhe u pushkatuan. Më me fat ishin ata që u burgosen për vite ose u internuan në kampe të ndryshme.

Mbase tortura e tyre ishte më e madhe se atyre që vdiqen, sepse në burgjet e kominizmit u kryenin krime të tmerrshme. Një prej emrave që ngriti kokën kundër komunizmit ishte Marie Tuci.

Marija ishte vajza e re nga Mirdita që sfidoi xhelatët e diktaturës komuniste, në emër të Zotit, përmes besimit katolik. Pas përmbysjes së komunizmit, hitoria e saj e trishtë u njoh në të gjithë vendin dhe më gjërë.

Maria, vdiq masakruar nga torturat e xhelatëve të diktaturës duke dhënë shpirt mes mundimeve të jashtëzakonshme.

Marie Tuçi lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë, si e bija e Nikollë Mark Tuçit dhe e Dilë Fushës.

Ajo ishte nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër.

Më pas ajo zgjodhi rrugën fetare. Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës. Marie Tuçi u arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë.

Vdiq në spitalin e Shkodrës pas torturave çnjerëzore, më 20 shtator të vitit 1950.

Sakrifica e saj u vlerësua edhe nga Papa dhe nga Vatikani. Ajo renditet ndër 38 martirët e Kishës Katolike.

Për ta torturuar deri në vdekje, xhelatët e zhveshën dhe e futën në një thes bashkë me një mace e egër. Hetuesit e godisnin macen e egër me gjëra të forta duke e ëgërsuar më shumë. Maria vdiq duke u masakruar u shqye nga macja e egër.

Historia e saj u bë edhe më shumë e njohur përmes poezisë së Meti Fidanit.

Po vdes nanë, sot po vdes

Nan’ e dashtun, sot po vdes

më kanë futur, në një thes

lakuriq, tok me një mace

më kanë mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti

po ma merr nan’, shef Seiti

jashtë thesit, shqip po flasin

më shqelmojn’, e më godasin

ligësia, nuk ka ngjyrë

shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes

një lëmsh gjaku, brenda n’ thes

nuk ka vend imagjinata

kriminel, shpirtzinj si nata

më kanë ça, bark e zorrë

hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë

më sill teshat, e m’vish murgeshë

mos qaj nan, jam bij Mirdite

s’na kanë mposht, tash ndër vite

as dhe shkau, as dhe turku

as Enveri, as dhe burgu

as bollshik, e as titista

as hetues, as komunista

Po vdes nanë, moj un’ e zeza

shko më sill, një palë ndresa

njëzet e dy, sapo kam mbush

nuk du’ nan’, me m’qa kurkush

as n’ Orrosh, e as Ndërfush

as në bjeshkë, atje thellë

as në Fan, e as në Kthellë

as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë

as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nan, ka pat’ mëshirë

më ka dërgu, të vdes e lirë

më sill ndresat, po të pres

po vdes nanë, sot po vdes

/Konica.al

E futën në thes me një mace të egër – Vdekja makabre e mirditorës që sfidoi komunizmin Read More »

E rrallë/ Shkollat në Shqipëri që nga viti 1258, ja të dhënat e reja që sjellin studiuesit

Shkodra, që gjithnjë ka qenë një nga qytetet më arsimdashëse dhe të shquara për kulturën qytetare e artin, ka pasur shkolla që në shekullin XIII. Dëshmitë e ekzistencës së këtyre shkollave na vijnë nga arkivat e françeskanëve.
Sipas studiuesit Sami Rrepishti, shkollat e para në gjuhën shqipe janë hapur në veri të Shqipërisë nga klerikët katolikë.

Dhe pikërisht në Ulqin në vitin 1258, në Durrës në vitin 1278, në Shkodër në vitin 1345 dhe 1359, në Tivar në vitin 1349, në Pult në vitin 1397, në Drisht 1396 dhe nga shekulli XV deri në shek. XVIII me shkolla të tjera në Shkodër e Lezhë e në shumë qytete të tjera.

Sipas profesorit, kishat katolike shqiptare me françeskanët në vijën e parë i zhvillonin të gjitha ritet në gjuhën tonë, ndaj dhe populli i frekuentonte të gjitha kishat e kuvendet e tyre me dëshirë, duke marrë pjesë masivisht në mesha, katekizëm, krezma, celebrimin e martesave, etj.

Sipas të dhënave që jep profesori Lutfi Alia, shkollat që janë ngritur në Shkodër në vitin 1416 ishin: shkolla “Santa Barbara, shkolla “Sam Mercurio”, “Kryqi i shenjtë” etj.

Shkolla të tilla do të hapeshin më pas dhe në Kurbin, në Pllanë, në Blinisht dhe në Zadrimë.

Në raportet e etërve françeskanë të kohës theksohet roli i madh që kisha katolike i kushton shkollës dhe nevojës së shkollimit të shqiptarëve.

Sigurisht që në këto shkolla kryesisht shkonin djem, por kisha katolike do i kushtonte një vëmendje të veçantë dhe vajzave, duke hapur në vitin 1879 shkollën fillore për vajzat dhe përkatësisht nga motrat stigmatine, ku u edukuan vajzat me kulturën bazë dhe mësoheshin si të bëheshin zonja të mira shtëpie.

Në vitin 1882 françeskanët çelën një kolegj fetar që do shërbente për të gjithë ata nxënës shqiptarë që dëshironin të bëheshin fretër. Mësimet u rregulluan sipas programit të gjimnazit të Austrisë.

Shkollat do të hapen vit pas vitit duke arritur në vitin 1908, kur do të mbahet Kongresi i madh i Manastirit.

Pyetja që është e natyrshme ishte: nga mbaheshin këto shkolla. Sipas profesorit, ato kryesisht financoheshin nga Austro-Hungaria. Dhe në fakt ka të drejtë. Austro-Hungaria ka pasur prej shekujsh një interes të veçantë për Shqipërinë, duke investuar në shkolla, në studimin e gjuhës shqipe, etj.

Pra nga statistikat që disponojnë françeskanët deri në vitin 1911 katolikët kanë hapur 47 shkolla shqipe, ndër to 10 shkolla për vajza. Në vitin 1933, me urdhër të Zogut, u mbyllën 74% e shkollave fetare katolike dhe në 1945 ato u mbyllën plotësisht nga diktatura komuniste.

Faik Konica, në shkrimet e tij, do të lëvdonte punën e madhe të shkollave fetare katolike. Ai do të shkruante: ”Kolegji saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës mund të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për punë dhe krahasohet një me të”.

Dhe pikërisht për këto shkolla kanë dhënë kontribut të veçantë klerikët katolikë, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Justin Rrota, Don Ndoc Nikaj, Karl Gurakuqi, Mati Logoreci etj./konica.al

E rrallë/ Shkollat në Shqipëri që nga viti 1258, ja të dhënat e reja që sjellin studiuesit Read More »

Lufta CIA- KGB në Shqipëri, si e shmangu rrëzimin e qeverisë Kundërzbulimi. Fundi i keq i …

Nga Auron Tare

Plot 65 vite të shkuara si sot u dha vendimi për Gjyqin e famshëm që Qeveria Komuniste bëri kundër grupit të dërguar nga amerikanët nën pseudonimin “Apple” apo i njohur si Grupi i Hamit Matjanit.

Në fakt me deklasifikimin e arkivave amerikane mund të themi se Matjani ishte një pjesëtar jo shumë i rëndësishëm në këtë operacion dhe drejtuesit e vërtetë ishin oficerët e Zogut, Zenel Shehu dhe me vonë Halil Branica, të dërguar nga ai personalisht për drejtimin e një rebelimi antikomunist.

Ky grup i rekrutuar nga radhët e njerëzve më të besuar të Zogut, i cili qëndronte në Egjipt dhe kishte filluar një bashkëpunim me operacionet klandestine të amerikanëve për një “kundër revolucion të mundshëm në Shqipëri” u trajnua dhe u përgatit në fshehtësi të madhe nga amerikanët në stacionin e tyre në Kifisia, Athinë.

Për vite me radhë një operacion shumë sekret, por mjaft i përfolur në qarqet profesioniste të inteligjencës vuri përballë njeri-tjetrit dy fuqitë më të rëndësishme të spiunazhit botëror.

Amerikanët e CIA-s dhe KGB sovjetike, e cila ishte këshilltari i fshehtë i Sigurimit.

Por duket se ishte  Kundërzbulimi shqiptar, i cili me një profesionalizëm të dukshëm udhëhoqi një operacion kundër CIA-s amerikane duke shkaktuar kthesën e rëndësishme në vazhdimësinë e këtyre operacioneve. Ashtu si në një loje shahu ku kundërshtarët planifikojnë lëvizjet e ardhshme, ky Operacion mbajti të mbërthyer në këtë lojë nervash të gjithë oficerët e angazhuar në të për gati 16 muaj nga dita kur grupi i Zenel Shehut u tradhtua nga njerëzit e tij dhe u kap nga grupi special i Sigurimit.

Tashmë me deklasifikimin e arkivave amerikane dëshmi shumë interesante dalin mbi këtë operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili për nga mënyra e ekzekutimit dhe profesionalizmi i treguar nga oficerët shqiptarë të kundërzbulimit kanë marrë vlerësimin në heshtje nga kundërshtarët e tyre, amerikanët. Operacioni ‘Apple Team” ishte kthesa e rëndësishme e përfshirjes amerikane në operacionet klandestine shqiptare, pasi grupi i përbërë nga agjentë të kalibrit të lartë, të pa përfshirë në bashkëpunim me italianët apo gjermanët gjatë Luftës dhe me mbështetje amerikane konsiderohej si mundësia më e madhe për krijimin e trazirave në Veriun shqiptar me shpresën e një rebelimi dhe rrëzimin e qeverisë Hoxha. Nëse ky operacion do të ishte i suksesshëm do të kishim modelin e parë të rrëzimit të një qeverie komuniste nëpërmjet operacioneve klandestine. Për këtë arsye duket se edhe sovjetikët mobilizuan personel të rëndësishëm për të këshilluar shqiptaret në infiltrimin e këtij operacioni.

Nga arkivat del se Gjenerali sovjetik, Dmitri Kurbatov ishte këshilltari i parë në këtë operacion dhe duket se kanë marrë pjesë aktive në Radiolojën e njohur si “Liqeni i Vajkalit”.

Ndërkohë Grupi Apple i drejtuar nga nën Koloneli George Mason, më vonë shefi i stacionit te CIA-s në Holandë dhe në Uashington, nga Koloneli Yasetvich për 16 muaj me radhë furnizoi nga ajri grupin e kontrolluar nga Sigurimi shqiptar i cili eliminoi çdo rrjet rezistence në Veri si dhe mundi të kapte gjallë Hamit Matjanin, një personazh tejet i famshëm për rezistencën e tij anti-komuniste.


Hamit Matjani majtas

65-vjet më vonë historia duhet ta kujtojë këtë përpjekje të rëndësishme të kampeve opozitare ideologjike por me pasoja për historinë e Shqipërisë. Grupi Apple duhej kujtuar si një grup njerëzish idealistë, besnikë të traditës së ndjekjes së prijësit por  fatkeqë, të cilët të larguar prej kohësh nga Shqipëria nuk e kuptonin ndryshimin e madh që i kishte ndodhur shoqërisë shqiptare. Të futur në lojë nga Zogu me besimin e verbër tek prijësi, ata u angazhuan në këtë Operacion të rrezikshëm, por sipas dokumenteve, me t’u kapur nga Sigurimi bashkëpunuan me të ndoshta të zhgënjyer nga fati i keq. Tahir Preçi, radisti i grupit një antikomunist i vendosur, i cili me besnikëri i qëndroi detyrës duke u përpjekur të njoftojë amerikanët për radiolojën dhe si përfundim humbi jetën.

Amerikanët që drejtuan operacionin, që me pa mundësinë profesionale që treguan morën në qafë të tjerë njerëz të cilët u hodhën me parashutë apo u infiltruan me kërkesën e Sigurimit.

George Mason i cili pagëzoi edhe grupin me emrin e koduar “Apple”, i cili u nda nga jeta vetëm disa vite më parë, në shënimet e tij pranon dështimin e madh të operacionit që drejtonte. Aq të zemëruar ishin amerikanët me këtë dështim saqë në dokumentit e deklasifikuara shikohenqartë edhe tentativat për të eliminuar fizikisht çdo kënd që mund të kishte dekonspiruar këtë operacion.

Zenel Shehu, i cili bashkëpunoi me Sigurimin, u pushkatua pa asnjë mëdyshje së bashku me shokët e tij duke dërguar një mesazh të qartë të egërsisë së regjimit për këdo që i kërcënonte pushtetin. Zogu vdiq në mërgim i survejuar nga Sigurimi i Shtetit.


Majtas Peter Mangelli, shqiptaro amerikani Komandant i Kompanisë 4000 një kompani e krijuar nga CIA për Operacione Klandestine në Shqipëri.

Ndërkohë nga Grupi Special dy drejtuesit kryesorë të Radiolojës, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, vite mëvonë u pushkatuan edhe si agjentë amerikanë. Anëtarët e tjerë te grupit special të Sigurimit dikush vdiq në vetmi i zhgënjyer thellësisht nga regjimi për të cilin kishin kontribuar aq shume. Një nga Oficerët e rinj të këtij grupi, Pilo Shanto, i cili botoi edhe një libërth shumë interesant për Operacionin e kaloi pensionin në qetësi të plotë në rrethinat e Uashingtonit, jo shumë larg selisë së CIA-s, betejat me të cilën ai i kishte kushtuar pjesën më të madhe të jetës.

Deri me sot nuk ka asnjë dëshmi mbi fatin e Gjeneralit sovjetik Dmitri Kurbatov. Ndoshta arkivat ruse mund të sjellin më shumë dritë mbi rolin sovjetik në këtë ngjarje.

Operacioni Apple Team apo Liqeni i Vajkalit  është një dëshmi historike shumë interesante e betejës politike të pasluftës  që duhet njohur dhe studiuar më shumë për të kuptuar më qartë dinamikën e asaj kohe. Jo në llogore ideologjike, por si një dëshmi e rëndësishme historike e pjesëmarrjes së Shqipërisë në majat më të larta të operacioneve klandestine dhe rëndësisë që Shqipëria kishte në atë kohë për politiken globale.

Më poshtë disa nga pseudonimet e Grupit Apple

1) Airtight, 2) BNPutlog,

3) BE: Domino, 4) Airëise, ORECertain, 6) Airometer.

The guide Airmail.

Zenel Shehu, Halil Branica, Tahir Prenci, Gani Malushi, Hamit Matjani. (dita)

Lufta CIA- KGB në Shqipëri, si e shmangu rrëzimin e qeverisë Kundërzbulimi. Fundi i keq i … Read More »

Njihuni me dokumentin më të vjetër të shkruar në gjuhën shqipe, ja se çfarë përmban

Dorëshkrimi latinisht me “Formulën e Pagëzimit” u gjet më 8 nëntor në bibliotekën “Laurenziana”, të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij me 1915.

Njihet si dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot.

Ajo është një fjali e shkurtër shqip (Unte’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit) në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut.

Është një formulë që duhej të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund t’i çonin në kishë. Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij.

Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, Muzeu Historik Kombëtar botoi librin me titull “Formula e Pagëzimit”. Në këtë libër u përfshinë kumtesat kushtuar dokumentit të parë të shkruar në gjuhën shqipe.

Njihuni me dokumentin më të vjetër të shkruar në gjuhën shqipe, ja se çfarë përmban Read More »

‘Oficerët e Sigurimit kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja të internuara’ (Fotot e rralla)

Kjë është dëshmia e 86 vjeçarit Lek Pervizi me banim në Belgjikë, i cili bashkë me familjet e vëllezërve të tij qëndruan në kampe dhe internime nga viti 1945 deri në 1991-in.

Nga: Dashnor KALOÇI

Në fundin e vitit 1948 apo fillimin e vitit 1949 kur Shqipëria i prishi marrdhëniet me Jugosllavinë e Titos, pothuaj në të gjithë veriun e vëndit filluan arratisjet në masë. Si rezultat i kësaj situate dhe për ta frenuar sadopak fluksin e madh të personave që arratiseshin jashtë vëndit, qeveria komuniste e Tiranës e rriti menjëherë represionin dhe në atë kohë filluan internimet në masë.

Si rezultat i atij represioni, kampi i Beratit dhe ai i Kuçovës që sapo ishte hapur u mbushën plot me të internuar. Nisur nga numri i madh i të internuarve që u grumbulluan në ato dy kampe, qeveria komuniste u detyrua dhe hapi kampet e Turhanit dhe të Memalijat në rrethin e Tepelenës. Në ato dy kampe ku jetonin rreth 6000 të internuar në kufijtë e mizerjes, që në ditët e para plasën epidemi të ndryshme dhe në gushtin e vitit 1949 në kampin e Turhanit brenda një nate vdiqën 33 fëmijë nga sëmundja e dizanterisë”.

Lek Pervizi ne kampin e Tepelenes
Lek Pervizi ne kampin e Tepelenes

Njeriu që flet dhe dëshmon mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve të qindra familjeve shqiptare nëpër kampet e ndryshme të internimeve, të cilat regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur “familje reaksionare”, është 86-vjeçari Lek Përvizi me origjinë nga Skuraj i Kurbinit, që bashkë me familjen e tij ka vuajtur nëpër kampet e ndryshme nga viti 1945 e deri në vitin 1990-të. Ndonëse që nga viti 1991, Lek Përvizi është vendosur me banim në Bruksel të Belgjikës, ai nuk i harron lehtë vuajtjet që ka kaluar nëpër ato kampe dhe ka dëshirë të flasë jo vetëm për dramën tragjike të familjes së tij, por për ato dhjetra e dhjetra familje të tjera që patën të njëjtin “fat” me të.

Lidhur me këtë periudhë kohe, pas viteve ’90-të Leka ka shkruar disa libra si dhe është botues i revistës “Kuq e Zi” që e nxjerr pa ndërprerje prej 20 vjetësh në mërgim në Bruksel. Gjithashtu Leka është i vetmi ish-i dënuar në kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ka pikturuar mjaft skica nga kampi i Tepelenës dhe bashkëvuajtës të tij, duke i ruajtur ato me shumë sakrifica në vëndet e ndryshme të internimit ku ai ka qenë familjarisht deri në vitin 1991 dhe duke na i sjellë ato si një dëshmi e gjallë dhe e pakontestueshme e një prej periudhave më të errta të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Po kush ishin ato familje të mëdha që regjimi komunist i Enver Hoxhës i shpalli “Familje armiqsh e reaksionarë” dhe kur filloi kalvari i gjatë i vuajtjeve të tyre? Cili ishte kampi i parë i të internuarëve që regjimi komunist hapi në Shqipëri dhe cilat ishin familjet e para që u dërguan për të vuajtur dënimin aty? Kush ishin kampet e tjera që u hapën më pas dhe si u trajtuan të internuarit në ato kampe? Lidhur me këto dhe ngjarje të tjera nga kampet e internimit bën fjalë ky shkrim që është bazuar mbi dëshmitë e Lek Pervizit.

(Bashkangjitur këtij shkrimi po publikojmë dhe disa foto të rralla të internuarve në kampet e ndryshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku Lek Pervizi apo familjarë të tij kanë dalë me bashkëvuajtës të tjerë, nga familjet: Kupi, Gjonmarkaj, Bajraktari, Staravecka, Kola, Marashi, Dosti, Çelo, Dine, Dema, Koliqi, Trashani, etj etj.) Maj 1945, internimet e para të familjeve “reaksionare”

Ndonëse komunistët që erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, arrestimet ndaj kundërshtarëve të tyre politikë i kishin filluar që nga vera e atij viti, internimet e para të atyre familjeve që ata i shpallën “reaksionare”, filluan vetëm në majin e vitit 1945. Të arrestuarit e parë që ishin kapur pak kohë para mbarimit të luftës, të cilët komunistët i konsideronin armiq, u grumbulluan në një nga kazeramt e italianëve që ndodhej diku në malin e Dajtit dhe aty u mbajtën të izoluar deri nga janari i vitit 1945.

te internuar

Në atë kohë ata i zbritën në qytetin e Tiranës dhe i izoluan kryesisht në Burgun e Ri dhe në Burgun e Vjetër. Ky ishte dhe kontigjenti i parë i të burgosurve politikë të Shqipërisë, ndërsa disa muaj më pas, në majin e vitit 1945, qeveria komuniste e Tiranës filloi dhe internimet masive ku “streha” e parë e atyre familjeve ishte qyteti i Beratit.

Lidhur me këtë, Lek Përvizi, dëshmon: “Deri aty nga maji i vitit 1945, shumë nga familjet e mëdha që ishin shpallur rekasionare, si Gjomarkajt, Mëlyshajt e Bajraktarët e Mirditës, Kaloshët, Dinet, e Demët e Dibrës, Bajraktarët e Kukësit, Sokolët dhe Marashët e Shkodrës, Përvizët dhe Lalat e Kurbinit, ishin mbajtur të izoluar në Degët e Brendshme të rretheve të tyre. Në muajin maj të atij viti këto familje dhe shumë të tjera të cilat ishin njohur si familje zogiste, pa asnjë lloj vendimi gjyqësor u internuan të gjitha në qytetin e Beratit, i cili u bë qëndra dhe “streha” e parë e të gjitha familjeve “reaksionare” kryesisht të Veriut të Shqipërisë.

lek pervizi

Ndërsa në atë kohë qyteti i Beratit u “popullua” nga këto familje “reaksionare”, të Veriut të Shqipërisë, qyteti i Krujës u bë “streha” e shumë familjeve të tjera të Jugut të Shqipërisë. Familjet që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, ishin kryesisht nga qyteti i Korçës por kishte dhe nga Gjirokastra, Saranda dhe nga zona e Dropullit të minoritetit grek. Nga ato familje që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, më kujtohen: Kokali nga Saranda dhe Kullajt nga Zëmbëlaku. Të gjitha ato familje që u internuan në qytetet e Krujës dhe të Beratit, më parë u ishin konfiskuar të gjitha pasuritë e tundëshme dhe të patundshme dhe ato kishin dalë nga shtëpitë e tyre vetëm me rrobat e trupit.

Po kështu kishte dhe shumë familje që pasi ishin arrestuar dhe ishin sjellë në internim, komunistët u kishin djegur shtëpitë. Nga ato familje që iu dogjën shtëpitë ndër të tjera ishin: Gjomarkajt e Mirditës, Marashët e Shkodrës, Dinet e Demat e Dibrës, Kolat e Matit etj”, kujton 86-vjeçari Lek Përvizi, lidhur me periudhën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi internimet e para të atyre familjeve që i shpalli “armike dhe reaksionare”.

thumbnail_GJONI02

Si u trajtuan familjet “reaksionare” në Berat e Kuçovë

Po si u trajtuan ato familje që regjimi komunist i dërgoi me dhunë për të vuajtur dënimin si të internuar në qytetin e Beratit? Lidhur me këtë, Lek Përvizi dëshmon: “Familjet e para që u dërguan në internim në qytetin e Beratit, ishin: Gjomarkajt, Mëlyshët, Bajraktarët, Përvizët, Lleshmarashët, Sokolët, Dinet, Demat, Kolat, Dodgjinët etj. Ato familje u vendosën kryesisht në lagjen “Kala”, por më pas ato u vendosën

edhe në lagjet e tjera të qytetit si “Mangalem”, “Murat-Çelepias” etj. Atyre familjeve fillimisht u jepej vetëm 500 gram bukë misri në ditë dhe ato ishin të detyruara që ta paguanin vetë qeranë e shtëpisë ku banonin. Shumë prej atyre familjeve që ishin të internuara në Berat, edhe pse banonin nëpër barake apo kasolle të improvizuara, e paguanin njëlloj qeranë e banesës si ato që ishin në gjëndje disi më të mirë. Të gjithë personat e familjeve të internuara në qytetin e Beratit, nuk kishin të drejtë të largoheshin nga qyteti dhe tre herë në ditë të gjithë: me gra, burra, fëmijë dhe pleq, paraqiteshin tre herë në ditë në apel pranë Degës së Brendshme.

thumbnail_GJONI03

Që në ditët e para që ato familje u dërguan aty, pra në majin e vitit 1945, regjimi komunist u mundua për t’i poshtëruar ata duke përdorur të gjitha mënyrat. Një nga ato mënyra që u përdorën për t’i poshtëruar ato familje, ishte hapja e kanaleve të ujrave të zeza në mes të qytetit. Më pas të internuarit u dërguan për të punuar edhe në punë të ndryshme në bujqësi dhe sidomos në luftën kundër karkalecit në fushat e mbjella. Në atë kohë shumë nga familjet që nuk mund ta mbanin dot frymën gjallë me 500 gram bukë në ditë, detyroheshin dhe shkonin në mal për të bërë dru, që t’i shisnin ato në qytet për të fituar ndonjë lek për bukën e gojës.

Përveç vuajtjeve fizike dhe urisë, në atë kohë shumë familje të internuara provuan mbi kurrizin e tyre dhe strese të shumta nga epshet e oficerëve të Sigurimit që kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja. Nga që asnjë prej atyre vajzave nuk ra “preh” e tyre, oficerët e Sigurimit u detyruan dhe i burgosën shumë nga ato vajza të reja. Ndonëse propaganda komuniste në atë kohë përdorte të gjitha mënyrat për t’i poshtëruar familjet tona që ishim të internuar atje, populli i Beratit u tregua tepër fisnik dhe mundohej me të gjitha mundësitë që kishte për të na i lehtësuar sadopak dhimbjet. Shumë familje beratase në atë kohë u dërgonin familjeve të internuara, ushqime dhe rroba e batanie për të fjetur. Po kështu dhe brenda për brenda familjeve të internuara në atë kohë kishte një solidaritet shumë të madh.

thumbnail_GJONI04

Shumë prej familjeve që kishin ndonjë të ardhur apo krah pune më shumë, u gjendeshin dhe u jepnin gjithmonë atyre familjeve që nuk kishin krah pune për të punuar. Në atë kohë në familjet e internuara nuk kishte shumë arrestime dhe kur ndonjë i arratisur vritej, familjen e tij e lironin nga internimi dhe e kthenin andej nga kishte ardhur. Kështu ndodhi me familjen e Llesh Marashit që u ekzekutua në atë kohë në Shkodër. Por ajo gjë nuk ndodhte gjithmonë, sepse kishte raste si ai i familjes Gjonmarkaj, që ndonëse u vranë shumë prej tyre, ata nuk i liruan asnjëherë nga internimi. Nga fundi i vitit 1947 nga Berati shumë familje u dërguan në Kuçovë ku filloi ndërtimi i fushës së aviacionit.

Ato familje u vendosën në kazermat e italianëve dhe për të ngrënë u jepej vetëm bukë thatë pa gjellë. Pas Kuçovës shumë nga ato familje u sollën në Valias të Tiranës për të punuar në bujqësi, siç ishin Gjomarkajt, Demët etj”, kujton Lek Përvizi lidhur me trajtimin e familjeve të internuara në qytetin e Beratit e Kuçovës.

thumbnail_GJONI05

Vdekja e 33 fëmijve në kampin e Turhanit

Pas qytetit të Beratit, regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi t’i dërgonte të internuarit edhe nëpër qytete të tjera. Lidhur me këtë, Lek Përvizi dëshmon: “Aty nga fundi i vitit 1948 apo fillimi i vitit 1949, kur Shqipëria i prishi marrdhëniet me Jugosllavinë, në Veriun e vëndit filluan arratisjet në masë. Për ta frenuar sadopak atë fluks arratisjesh, regjimi komunist në atë kohë rriti represionin dhe filloi internimet masive. Nga që Kuçova dhe Berati në atë kohë u mbushën plot me familje të internuara, për të mos rënë në sy, regjimi komunist u detyrua dhe hapi dy kampe të tjera në Turhan dhe Memalija të Tepelenës.

Në ato dy kampe që u mbushën vetëm me familje të internuara të Veriut të Shqipërisë, kushtet e banimit ishin në kufijtë e mizerjes dhe të internuarit jetonin në kondita primitive. Atyre u jepej vetëm 500 gram bukë misri thatë e asgjë tjetër. Në atë kohë që u vra Bardhok Biba, numri i të internuarëve në dy kampet e Tepelenës, arriti në 6000 vetë. Nga mungesa e madhe e higjenës, aty plasën epidemitë e sëmundjeve të ndryshme dhe njerzit vdisnin në masë. Mesatarja e vdekjeve nga ato epidemi, ishte shtatë veta në ditë. Katastrofa më e madhe ndodhi në gushtin e vitit 1949 kur në kampin e Turhanit vdiqën 33 fëmijë brenda një nate dhe për këtë gjë është dëshmitar, Abdurrahman Kaloshi, i cili mund të tregojë më shumë.

thumbnail_lek-Pervizi-autoportret

Të gjitha ata fëmijë vdiqën nga epidemia e dizanterisë sepse nuk kishte asnjëlloj ndihme mjeksore dhe buka e misrit ishte e mykur. Tmerrit të vdekjeve të asaj nate, iu shtua edhe më shumë ankthi sepse nuk premtonte koha për të hapurr varret për të gjithë ata foshnje. Një gruaje nga Vermoshi i Dukagjinit që quhej Cukalina, i vdiqën dy fëmijet binjakë, njëri në mëngjez dhe tjetri në darkë. Nga që ata ishin dhe mashkujt e vetëm të fisit, nëna e tyre vrau veten të nesërmen me gjithë motrën e saj. Kjo tragjedi e madhe shkaktoi bujë të madhe tek mjekët e Gjirokastrës dhe Tepelenës, të cilët patën kurajon dhe e bënë problem në Tiranë atë gjë.

Qeveria komuniste e Enver Hoxhë u detyrua dhe dërgoi aty një grup oficerësh për të parë gjëndjen dhe pas atij inspektimi u vendos mbyllja e kampit të Turhanit dhe atij të Memaliajt. Të gjithë të internuarit e atyre dy kampeve, u dërguan në kampin e Tepelenës ku kushtet ishin disi më ndryshe se aty, sepse u vendosën në kazermat e italianëve ku kishte dhe ujë për të pirë. Por edhe në atë kamp ku të internuarëve u jepej vetëm 650 gram bukë gruri me pak supe me krimba që ishte vetëm ujë, vazhduan përsëri vdekjet. Edhe në aty të internuarit nuk i shpëtuan dot të ftohtit dhe urisë.

Ata dërgoheshin të punonin në pyll për dru, pleh, dhe për të mbajtur shtylla për ndërtim. Nga fundi i vitit 1949 shumë të internuar u dërguan në kampin e Porto-Palermos që sapo u hap në atë kohë. Në atë kamp ata u vendosën në Kala dhe shumë prej të internuarëve edhe sot e kësaj dite janë të verbuar nga errësira që ishte atje”, kujton Lek Përvizi, lidhur me tragjedinë e kampit të Turhanit ku në gushtin e vitit 1949, vdiqën 33 fëmijë nga kushtet e këqia të jetesës.

thumbnail_Te-internuar-ne-Myzeqe

Nga Tepelena në Myzeqe

Familjet e internuara në kampin e Tepelenës, qëndruan aty deri në vitin 1953, sepse në atë kohë shumë prej forcave të afta për punë u dërguan për të punuar në rrethe të ndryshme për ndërtimin e disa godinave të Degëve të Brendshme. Lidhur me fatin e mëtejshëm të familjeve të internuara, Lek Përvizi, dëshmon: “Aty nga viti 1954 kampi i Tepelenës u mbyll dhe të gjithë familjet që ishin aty i mblodhën dhe i sollën në disa kampe që u hapën në fushat e Myzeqesë, si në sektorët e Grabjanit, Çermës, Gradishtës, Dushkut, Plugut, Savërs, Xhazës etj.

Po në vitin 1954 një pjesë të internuarve u dërguan në kampin e Kuçit të Kurveleshit që sapo u hap në atë kohë. Vetëm ndër 100 të internuar që u dërguan përnjëherë aty, 60 prej tyre kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, si Dom Mikel Koloqi, Ali Erebara, Ibrahim Sokoli, Nedim Kokona, Sami Kokalari etj. Kampi i Kuçit të Kurveleshit u mbyll në vitin 1958 dhe të internuarit që ishin aty u sollën përsëri në kampet e Myzeqesë. Në ato kampe, bashke me dhjetra familje si Dostët, Gjomarkajt, Çelët, Hoxhat, Bajraktarët, Dinet, Demët, Ndretë, etj, ne qëndruam deri në vitin 1990-të kur u shkri Komisjoni i Internim-dëbimeve.

Një pjesë e të internuarëve qëndroi aty edhe për disa vjet të tjera pas 1990-ës, por për hir të së vërtetës dua të them se në ato kampe ka akoma disa nga familjet e internuara që nuk kanë se ku të gjejnë strehë tjetër”, e përfundon rrëfimin e tij 86-vjeçari Lek Përvizi, mbi fatin tragjik të shumë familjeve fisnike që regjimi komunist i shpalli “reaksionare” dhe i degdisi për 45-vjet me rradhë në kampet e internimmit që ishin hapur anekënd Shqipërisë./Tema

‘Oficerët e Sigurimit kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja të internuara’ (Fotot e rralla) Read More »

Shkrimi i 1877/ A kanë të njëjtën origjinë korsikanët dhe shqiptarët?

ga Aurenc Bebja*, Francë

Në librin e Charles de Susini “La Corse et les Corses, Opinions et Documents”, botuar në Paris në vitin 1906, gjejmë në faqen nr. 353 të tij, një shkrim, të shkurtër por mjaft interesant, me titullin ‘Corses et Albanais’, i cili krahason korsikanët dhe shqiptarët. Në fakt, ky shkrim është realizuar disa vite më parë, më saktësisht në 1877, nga doktori rumun, Miculu Georgiade Obedenaru, i cili hipotetizon se një pjesë e korsikanëve mund të jenë pikërisht me origjinë shqiptare.

Në Korsikë kanë emigruar Pellazgët Trakë apo Pellazgët Shqiptarë ?
Duke marrë parasysh karakteristikat e racave të Korsikës, pranojmë se nuk janë Pellazgët Trakë, industrialistë, artizanë, tregtarë, por Pellazgët shqiptarë, ushtarë, mercenarë, shpatarë e plaçkitës, që erdhën të jetonin në Kyrnos-in e lashtë. Në fakt, ne e dimë mjaft mirë se disa korsikanë janë të guximshëm, luftëtarë të patrembur, por edhe mizorë dhe hakmarrës; Shumë prej tyre janë të prirur në grabitje. Në qytete, profesioni i xhandarit, policit dhe rojes së burgjeve i përshtatet veçanërisht kësaj kategorie korsikane.

Nga ana tjetër, ne shohim shqiptarët të pushtuar nga dashuria për luftë dhe dominim, dhe ku mbështetja e fisit është parësore ; ata janë të gjithë kushërinj. Prandaj, ne besojmë se, duke pasur parasysh ngjashmërinë e tipareve funksionale dhe aftësive intelektuale mes shqiptarëve dhe disa kategorive të korsikanëve, do të gjejmë me siguri analogjinë më të madhe mes karakteristikave morfologjike dhe anatomike të të dyja popullsive, kur të kemi në dorë një numër të mjaftueshëm vëzhgimesh antropologjike të realizuara me mprehtësi. Ndoshta, me kalimin e kohës, do të vëzhgojmë tek disa korsikanë, karakteristika të tjera të ngjashme me shqiptarët.
Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/shkrimi-i-1877-a-kane-te-njejten-origjine-korsikanet-dhe-shqiptaret/

Shkrimi i 1877/ A kanë të njëjtën origjinë korsikanët dhe shqiptarët? Read More »