Histori

”Rrugët e ferrit”, çfarë ndodhi 38 vite më parë në Kukës, në gjyqin ndaj Visar Zhitit

Në 14 dhe 15 prill të vitit 1980 në qytetin e Kukësit u bë gjyqi i hapur ndaj poetit Visar Zhiti, atëherë mësues në një fshat të largët. Dënohej për fjalën e lirë, për poezitë e tij me burg dhe me heqjen e së drejtës elektorale, të botimit dhe profesionit. Është një gjyq që duket sikur kërkon të vazhdojë me forma të tjera, me po atë akuzë e gjuhë, nga segmente të caktuara “të veglave të mbetura të diktaturës së dikurshme”.

Një ndjesi e tillë mbartet në burgologjitë “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” të shkrimtarit Visar Zhiti, libra të rëndësishëm, monumentalë, ku tregohet me forcë për burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit. Po sjellim një pjesëz në shërbim të kujtesës kolektive si dëshmi, por dhe që të ndërgjegjësojmë për të mos qenë indiferentë dhe të sprapsim sulmet kundër fjalës së lirë që na thotë të vërtetën.

VISAR ZHiti

COPRA NGA GJYQI… I PAMBARUAR

“Rrugët e ferrit”
I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimisht e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rralloheshin ose nxitonin t’i largoheshin si të yshtur nga një e keqe.

S’kisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, s’i duroja dot dënimet. I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë i hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende s’kishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirshme ndaj armikut të brendshëm.

Citatet pushtonin tërësisht ballinën me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala “armik” sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo.

…Ku isha unë?

I asgjëkundshëm, buzë një lumi të tretë, as Drini i Bardhë dhe as i Zi, pa realitet. Sepse po dënohesh. Poshtë mbytej Kukësi i Vjetër prej ujërave të liqenit të hidrocentralit, që i kishin dhënë emrin “Drita e Partisë”. Veç mbi mbytje ngrihej Partia. A ta them këtë në gjyq? Edhe Kukësi i Ri po mbytej. Nën diktaturë si…

Po mbytesha unë. Përmbyteshim nga një llum tmerri. …Njëri nga policët e mi u ndërrua me një tjetër, të cilit i dha armën automatike, që, pasi u ul bri meje, e vuri midis gjunjëve ashtu si polici në anën përkarshi. Ngjanin si të ishin pasqyrime dhe unë mes tyre, ujë. Dy armë për mua…

…Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht. Kishte nga ata që seç tundnin në duar, ftesat me sa duket dhe mëtonin për vende më të mira në spektaklin e zi.

Pra, s’kishte asnjë rebelim, protestë. As kryengritje. Të gjitha këto populli im i kishte harruar, i përkisnin një lloji tjetër arkeologjie. Ndjeva dallgë. Radhët dallgë-dallgë po mbusheshin me fytyra të dëshpërimit të gëzueshëm.

– S’lejohet të shohësh nga salla, – më urdhëroi polici…

– Se mos ka ardhur ndonjë nga familjarët e mi. Si e ka rregulli, lajmërohen?

– Afishohen datat e gjyqeve në korridorin e Gjykatës.

– Po sa është data sot? – u interesova befas.

– 14 prill.

(- Pranverë tamam.)

– Të gjyqeve politike, jo, nuk lajmërohen, – ndërhyri polici tjetër.

– Pse politikan është, kaq i ri? – u ngurtësua polici që s’dinte gjë ç’isha unë.

Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade. Kulmi, filloi dhe loja. Një të marri, çdo qytet ka lolon e vet, të cilin e ngacmojnë të gjithë, të kënaqur që s’janë si ai, por më keq, ia rrëmbyen kapelën nga koka dhe ia hidhnin sa nga njëri te tjetri, nga skaji këtej i sallës në skajin andej dhe ai kërcente mbi karriget tutje-tëhu. Rendte. Donte kapelën e tij fluturake.

Kur i qëlloi të turrej jo shumë larg nga podiumi i vogël me parmakë si ballkon, ku rrinim unë me policët e mi anash, ndali dhe më pa me sytë e sëmurë. Uli kokën dhe s’e kërkoi më kapelën. Siç duket, e kuptoi, ka raste kur kapela është një turp. Dhe jo vetëm ajo.

…midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth.

“Ngri-shkri” është dhe një lojë, më duket. …Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës.

– Çohu! – dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët.

Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë. Zhurmat e fundit ranë si suva muresh, si korniza nga një tërmet i pritshëm. Po hynte trupi gjykues…

Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:

– Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer Bashën, ndihmësgjyqtarë?

– Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, – thashë.

– Mos rri ashtu, – më urdhëroi polici me zë të ulët. S’duhej të dukesha krenar.

– Ke të drejtën e fjalës, – më tha gjykatësi me zë të lartë, por që s’ishte dot i lartë dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin.

– Ke të drejtën e mbrojtjes, – po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por s’duhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time… S’e di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshme gjykuese, ballë për ballë me mua.

Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë, të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin.

Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevapnxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspertiza e dy (sh)krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjyqtarë, i shihja aty, në krye.

…Po dëgjoja të flitej për poezinë, pra, gjendja duhej të zbutej, të zhdramatizohej disi, por ajo u bë më absurde, sharëse dhe e egër. Kisha shkruar me qëllim të keq politik, nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon. Shikoni deri ku arrin, kërkoja diell të dytë, a është parë e dëgjuar kjo?

Kisha dalë kundër Partisë, herë hapur dhe herë s’guxoja nga frika e popullit, por fshihesha pas… metagaforeve armiqësore, edhe kundër udhëheqësit të lavdishëm me poezinë “Sfinksi” etj., kundër klasës punëtore që ky armik te poezia “Lustraxhinjtë” shkruan se janë te këmbët, është kundër socializmit dhe realizmit socialist.

Mbrojtës i klasave të përmbysura, të cilave dhe u përket, kisha bërë thirrje të hapur për kryengritje dhe për përmbysje si te poezitë… nuk dëgjoja dot më, ndërkohë sa keq lexonte prokurori, të vinte të protestoje! Ju lutem, lexojini mirë poezitë e mia, ky është tjetër dënim! Pastaj u hodh te lidhjet e mia armiqësore, me të gjallët dhe me të vdekurit, rrëmujshëm, që kur isha student, me poetin e burgosur Frederik Rreshpja, por dhe me poetin revizionist sovjetik Jevtushenko, donim dhe ta përkthenim, me priftin reaksionar dhe poetin antibolshevik Gjergj Fishta, lidhjet e mia vazhdonin me francezin Bodler, dekadent i shpallur, kompozitorin reaksionar gjerman Wagner, me hermetikun italian Ungareti, me anglezët dhe arrinin deri në Japoni.

I shtrembëroi mizorisht të gjithë emrat. Me siguri e bënte dhe me qëllim, jo se s’ishte aq i trashë, por për të thënë se ata aq vlerë kanë për ne, s’na duhen, kemi Partinë. Dhe pa çarë kokën për homoniminë në shqip e përsëdyti emrin e poetit Takuboku, duke thënë “taketukja”…

Gjykatësi pa nga unë dhe u kthye nga salla si për të marrë lejen e popullit.

– I pandehur, e pranon akuzën? – pyeti ftohtë.

Brenda heshtjes u vorbullua një heshtje tjetër, më e thellë, përpirëse e tëra. U ngrita më këmbë:

– Jo, nuk e pranoj, natyrisht!… Gjyqi juaj është dhunë, duhet gjyq tjetër. Gjyq për gjyqin…

– Kalojmë me dëshmitarët, – thirri gjykatësi.

…Tani po më dridhej i gjithë trupi. Dukshëm. Nuk i mposhtja dot. S’kisha folur kurrë para kaq shumë njerëzve. Më hutonte dhe drita, dhe salla e pamatë. Ndryshe është klasa me nxënësit. Jam dhe i qethur. Ashtu i kafkët, fjalët e mia do të duken sikur nuk i përkasin më botës së të gjallëve, por thjesht një makthi të një dite gjyqi dhe aq. S’më duhej asnjë rol, përveç ai i vetes dhe i së vërtetës sime.

– Zoti gjykatës, zotërinj të pranishëm, zoti prokuror! Është vuajtje të flasësh siç jam unë i shtrënguar ta bëj.

– Ke qenë i cenuar, je prekur i pandehur? – më pyeti gjykatësi.

– Uria, minjtë. I mbyllur… S’kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat. Trysni psikologjike dhe shpirtërore, po, vazhdimisht. Por ajo që më shkatërron, është se me mua duan të sajojnë armikun, jo se e kanë zbuluar.

Nuk ka asnjë provë serioze që ju të merrni kurajën të dënoni një jetë. Poezitë e mia, që dikush i quan armiqësore, së pari, nuk janë të tilla, sepse nuk mundin, nuk është ky misioni i çdo poezie qoftë, përkundrazi.

Së dyti, poezitë e mia ende s’janë libër, s’kanë lexues dhe nuk i kanë bërë kurrkujt agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit. Prokurori u ngrit vrikthi më këmbë, se ç’donte të thoshte, por gjykatësi i bëri shenjë me dorë që të mos më pengonte… Në sallë filluan mërmërimat. Prita sa mbaruan.

Gjykatësi s’deshi të ma jepte fjalën prapë, por mua më duhej të thosha, e kisha vendosur:

– Me 100 lepuj nuk formohet dot një kalë, me 100 supozime nuk formohet dot një provë. Kështu thotë një proverb, – dhe nuk shtova: anglez.

– Ju doni të më dënoni me supozime.

– I pandehuri, – kërceu prokurori – është kundër tufëzimit të bagëtive, e dëgjuat.

– …kundër është ky gjyq!

– Më kapi një dhembje koke më keq se në qeli. Prokurori po lexonte pjesë nga ditari im, pashë që ia zgjati hetuesi nga radhët e para të sallës, ndalte te fletët e përthyera. Ato që s’i kuptonte, i mbulonte me të thirrura.

“…hapëm gropa si varre të vegjël… nxorëm patate e futëm brenda të shtunën tonë të masakruar… Një mollë hëngri Adami me Evën dhe i përzunë nga Parajsa. Përditë ha mollë të egra këtu unë (kemi mbetur pa bukë, s’ka…) dhe s’po i shpëtoj dot kësaj parajse të tmerrshme…” Flaku ditarin…

Njerëzit ishin nemitur. Dallgët e kokëve hidhnin shkëndijime sysh me habi gojësh që shuheshin pa mbërritur të gjitha tek unë. Ndjeva se po më rrallohej ajri përreth. E kotë, thashë me zë. Pranoje hëpërhë mynxyrën ashtu siç të vjen batërdi e pandreqshme…

-Do të lypësh mëshirë, i pandehur? – pyeti gjykatësi, duke më parë më gjatë, por gjithmonë i akullt. E kishin shumë qejf dhe mezi e prisnin rënien e kundërshtarit te këmbët, të mposhtur, që kërkon mëshirë. M’u fanit arena, e qarkuar nga pafundësia e duarve me gishtin e madh poshtë, duke e tundur në kërkim të dënimit.

Por populli im s’ka duar të lira, i ka të lidhura me zinxhirë, po thosha me vete, me poezi të papërfunduara dot. Komunistët nuk e njohin mëshirën. Ata njohin veç një dorë, atë që i udhëheq drejt dhunës.

– Jam mësues, – ngrita zërin tim të lodhur, – pra, pishtar drite, – dhe heshta.

(Mos duhej të shtoja “siç thotë Partia”?) (Ishte sforcimi i fundit.)

– Dhe, si i tillë, – vazhdova, – kam flakën time, por edhe tymin tim… Nuk duhet ta shuajmë flakën… me gjyq.

– Dhe heshta mes heshtjes së rëndë si rërë. S’kuptova ç’përshtypje bëra, por më erdhi keq për veten, m’u duk se pata shpresë për një çast. Trinia gjykuese, duke kthyer kokët nga njëri-tjetri, i afronin, se ç’mërmëritnin duke mbuluar fjalët me pëllëmbë ose me ndonjë fletore nga të miat, që i kishin marrë për provë, nëse do të duhej t’i përdornin, vendosi të tërhiqej mënjanë. Gjykatësi nuk urdhëroi të m’i hiqnin prangat, por shkurt dhe thatë tha:

– Gjyqi do të vazhdojë nesër…

VENDIMI

Nuk po lëvizte asgjë, veç po përsëritej si në ankth dita e djeshme, prangat, makina, salla e gjyqit, banka e të akuzuarit, trinia e inkuizicionit (Minosi, Eakusi, Radamanti, kështu quheshin? Po, po, këta janë gjyqtarët e botës së përtejme!), prokurori, policët e mi, të pranishmit në sallë, patjetër dhe i akuzuari, unë dhe jo unë, turma e nemitur dhe nuk po e përjetoja, jo, isha përtej asaj vorbulle të vdekur, jashtë kufomës sime, shpirt, po i këqyrja të gjitha me një ftohtësi të nxehtë, pa i kuptuar pse bëheshin, përse duheshin.

Gjykatësi në këmbë po lexonte atë që lexoi prokurori dje dhe ne në këmbë po dëgjonim. Poezia ime po më fuste frikën tani. Ajo paskësh qenë një bombë shkatërrimtare, që, mbi të gjitha, donte të hidhte në erë shtetin dhe Partinë. Po unë do të flas? Çfarë do të them apo nuk vlen asgjë? Dëgjo, dreqi e marrtë, se janë për ty këto:

…Vepra kriminale e të pandehurit paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, sepse drejtohet kundër shtetit të diktaturës së proletariatit. Në masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprës kriminale, rrezikshmërinë shoqërore të vetë të pandehurit, i cila ka vazhduar për një periudhë të gjatë në rrugën kriminale me gjithë vërejtjet që i janë bërë herë pas here, ka parasysh origjinën e tij shoqërore, arsimin dhe moshën e të pandehurit.

Për këtë arsye Gjykata duke u bazuar në nenet 249-159 të K.Pr.P.

Vendosi

Të deklarojë fajtor të pandehurin Visar Zhiti për agjitacion e propagandë kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/1 të K. Penal e dënon me 10 vjet heqje lirie…

Vuajta e dënimit i fillon nga data që është arrestuar.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit

Sekretari Gjyqtari

Rexhep Gashi (Firma)

Mërgim Dragusha (Firma)

Dhe vula në mes si gropë e zezë që të hedh në ferr…

Nuk po e ndieja që po m’i shtrëngonin duart me pranga.

Edhe nëse prangat e diktaturës së dikurshme janë të ndryshkura, ka ende mendësira të atilla, akuza si atëherë, veprime të dhunshme dhe arrivizëm diktatorial që arrin edhe kreun e shtetit…

Dhe vërtet, poezia mbetet përgjigja e vetme, që edhe ajo duket si e mënjanuar dhe e nëpërkëmbur?!/Panorama

”Rrugët e ferrit”, çfarë ndodhi 38 vite më parë në Kukës, në gjyqin ndaj Visar Zhitit Read More »

Kur mbreti kërkonte që Saranda të quhej Zogaj (Historia)

AKT DHURIMI I SARANDËS

ZOG I
MBRET’I SHQIPTARËVET ME VULLNET TË POPULLIT. Vjeti 1937, me 24 të mujit mars, ditën e mërkurë…
Në bazë të ligjës mbi dhurimin e pasunisë së Shtetit në Sarandë me datë 5 prill 1930 dhe t’urdhënit autorizues të Ministriës së Financavet telegrafikisht, i asht dhurue prej shtetit NALT MADHNIES TIJ ZOGUT-TË PARË, pasunija shtetnore e Sarandës në Zyrën e Ipotekavet të Delvinës nën zotnimin e tij: duke filluar nga bodrumi i prishun buzë detit dhe vëhet tek depo e gazit, deri te manastiri i prishun e kufizue me sinurin e Lykursit qi zotnojnë me tapi Selim beu me pjestarë, e nga manastiri tue ecun drejt krahut të Sarandës e kurrizit të malit, nga Dardha e Sipërme e Dardha e Poshtëme, deri tek  ara e qujtin ‘Bristane’ qi zotnon me tapi Mitro Gjini, e nga Limani i vogël i Sarandës te kullotja, që përbëhet prej 4082 dynym… Kryqi i kuq Shqiptar merr përsipër të vazhdojë zbukurimin e qytetit të Sarandës”.

Një vendim i dhjetorit të të njëjtit vit, marrë nga Komisioni MIKTS qendror i drejtohet Neltësis së Saj Imperijale, Princeshës Senije, Kryetare e Kryqit të Kuq për aprovim. Në të flitet për ndërtimin e 20 shtëpive, 10 të vogla dhe 10 me material të lehtë për të siguruar banimin e nëpunësve, për ngritjen e një kinemaje. Princesha Senije e miraton dy ditë më pas me shënimin: “Urdhnojmë zbatimin”- Kryetare e Kryqit të Kuq, Tiranë, me 5 dhetuer 1937(Firma).
Nga festimet e popullit të Sarandës për shpalljen e mbretërisë, te koncesionet, investimet me nga 30 e 500 metra, te shkresat, kërkesat për leje, fotografitë e rralla, punishtja e sapunit me emrin e udhëheqësit, tek aktet noteriale me rëndësi mbi debatet historike e VKM-të për qytetit e 40 shenjtorëve.
Copëza historie të dokumentuara shfaqen sot në Sarandë, në një ekspozitë. “Saranda që kishim – Saranda në gjysmën e parë të shek. XX” është një ekspozitë dokumentare dhe fotografike që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës çelin sot me 18 gusht, ora 19:30, në Sheshin e Limanit në Sarandë.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës do të jenë Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido.
Ekspozita është kuruar nga Sokol Çunga.

JEPINI SARANDËS EMRIN E MBRETIT
Një Fletore Zyrtare që mban datën e datës 26 gusht 1938, pasqyron një vendim të Këshillit të Ministrave, atë nr.753 që mban datën 6 korrik 1938 për ndryshimin e emrave të qyteteve, fshatrave dhe lagjeve të Shqipërisë.

Mes tyre, emri i qytetit të Sarandës ndryshohej në Zogaj(nga Zogu në kohën, atëkohë ai qe mbret),  ndërsa emra të tjerë duket të kenë qenë prirje për t’u shqipëruar si: Bistrovica-Kështjelëlzë, Dobronik-Bukuranje, Gjoroven-Maliplak, Ksamile-Mulliri, Mejden-Sheshe, Sulltan Pajazit-Lagja Mbretnore, Shurkave-Vjosa, Badlonja-Malakuqi, Bodari-Bora, Leusa-Mëshira, Leshica- Shëngjoni, Lipa-Bliri, Lipivani-Qershizë, Lushja-Lushnjë, Musukari- Myshqerrë, Novosela-Fshati i ri, Ogdunini-Qiparisi, Trebozishta- Trillagje, Goznishta-Uji i Ftohtë, Rabani-Arbani, Zleusha-Bukuroshe, Çoroguni-Bregzalli, Potgorani-Nënmali, etj.

SHKRESA, KONCESIONE E TË TJERA

Një korrespondencë mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Botore për planin rregullues të qytetit të Sarandës, korrespondencë mes nënprefektit të Sarandës me prefekturën e Gjirokastrës ku propozon ndërtimin e rrugës Sarandë-Butrint si mjet për promovimin e turizmit kulturor; një hartë e planit rregullues të Sarandës hartuar nga inxhinier Selim Zyma, më 1933.
Ka më tej një ligj të Mbretërisë për dhënien me koncesion të Kanalit të Vivarit në Butrint, shoqërisë “Dele”, 23 mars 1929. Veç taksave të ligjshme, Shoqëria “Dele” detyrohet të ndërtojë brenda dy viteve në dobi të komunitetit: një ndërtesë për zyrat e doganës, një ndërtesë për rojën e Xhandarmërisë dhe një frigorifer.
Në vijim dallohen shkresat Shoqërisë “Dele” drejtuar kryeministrisë përmes të cilave  njofton se ka nisur prodhimin e sixhadeve më nëntor 1928, dërgon statutin e shoqërisë dhe njofton edhe për ardhjen e një iktiologu francez në Vivar.

Mjaft interesant është një raport i Kryetarit të Bashkisë së Sarandës drejtuar nënprefekturës, ku renditen punët publike të bëra në qytet mes viteve 1912-1937; përmenden aty rrugë 100 e 500 metra, 25 e 30 metra, e mes të tjerash përmendet ndërtimi i një nevojtoreve, siç thotë shkresa, “krejt moderne”.

Ekspozita sjell imazhe të bashkisë e nënprefekturës mes dy luftërave botërore. Ka raporte kontrolli me parregullsi të gjetura në zyrat e Doganës së Sarandës, planimetria e Bar-Butrintit, kërkesa e Mihal Zahos nga Lugari i Gjirokastrës përmes së cilës i kërkon Ministrisë së Punëve Botore leje të çelë një kinema në Porto Edda në Sarandë me 2 nëntor 1941, dhe vendimi i Zyrës së Qarkut Detar të Porto Edda për caktimin e zonave të lejuara për Plazh më 1940, është leja e dhënë Mihal Zahos dhe plan-vendosja e kinemasë së tij.

PUNISHTJA E SAPUNIT “ENVER HOXHA”

Nën emrin e udhëheqësit, një vend të veçantë, jo për nga hapësira as vendosja, por për nga subjekti, zë në këtë ekspozitë punishtja e sapunit në Sarandë dhe personeli i saj, i pas 1944-ës.

Punishtja, siç shihet nga imazhet mban emrin “Enver Hoxha”, e prodhonte sapun. Punëtorët shihen me rroba të grisura, tek mbajnë kallëpet e sapunit, e ndërsa burrat kishin veshur jelekë deveje, në mure shihen qartësisht parulla të kohës për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërinë, për kongreset, deri te porosia me shkronja kapitale në mur: “Të shtojmë dhe të përmirësojmë prodhimin se kështu forcohet ekonomija, pushteti popullor dhe krijohen konditat për përmirësimin e jetës tonë dhe s’gjithë popullit’- “Ruaj disiplinën më të fortë në punë.”

Imazhe të rralla janë edhe ato të urës së Kalasës(Shinjonit) para 1944-ës, e njëjta urë, por e rindërtuar pas shkatërrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore si edhe një kartolinë e qytetit më 1920, pamje e gjirit të Sarandës, hartë e basenit, kapitaneria e portit, kartolinë e një rruge në Sarandë, personeli i konviktit “Çamëria” bashkë me Neço Mukën, nxënësit dhe personeli i konviktit “Çamëria”.

FESTIME PËR NDER TË MBRETIT

Qëndrojnë po kaq bukur, në mos më shumë, festimet e popullit të Sarandës më 1 shtator 1928, me rastin e shpalljes së Mbretërisë. Nga imazhet me gjasë duket të jetë e pranishme paria më shumë se populli, po diku në thellësi të imazhit shtyhen fëmijët e diku tjetër të rriturit.

Flamuri valëvitet e me gjasë me shqiponjën dykrenore në të dyja imazhet megjithëse ngase janë bardh e zi, në njërën syresh duket vetëm një flamur i zi.

Paria mban kapele republike, bereta, kapele dielli, e të tjerë mbajnë kapele të thjeshta deri te ato të uniformave ushtarake. Një grusht njerëz për nder të mbretit, disa me bastunë e gjyzlykë, disa me sandale e pantallona të shkurtra. Gra nuk ka, ose nuk duken, ose festat e këtij soji qenë veç për burra.

Kur mbreti kërkonte që Saranda të quhej Zogaj (Historia) Read More »

Syrja bej Vlora ishte ndër të parët që u përpoq për shpalljen e pavarësisë me ndihmën e Austrisë …

Syrja bej Vlora, i ati i Eqrem bej Vlorës, i vëllai i ish-Kryeministrit Osman Ferit pashës, ka qenë figurë me ndikim tek qarqet politike evropiane. Ai e përdori këtë ndikim në të mirë të mëvetsis së Shqipërisë.

Më 1912, kur Perandoria Osmane po shpërbëhej, Syrja bej Vlora ishte ndër të parët që u përpoq për shpalljen e pavarësisë me ndihmën e Austrisë. Intervista e mëposhtme e Syrja beut është botuar në gazetën e Bukureshtit, Universul, të datës 25 nëntor 1912, vetëm tri ditë para se Ismail Qemal Vlora të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.

“Syrja bej Vlora, diplomat kalibri evropian: Intervista që u dha tri ditë para ngritjes së flamurit në Vlorë”

Ja deklaratat që bëri mbrëmë lideri shqiptar, i cili pranoi të më presë në pallatin e tij në Pera (të Stambollit) dhe të bisedojë me mua:

SYRJA VLORA:Dje më priti në audiencë ministri i Brendshëm dhe pastaj veziri i madh. I pari më deklaroi se qeveria është e gatshme të japë gjithçka për një Shqipëri autonome. I dyti, me të cilin pata edhe bisedën më të gjatë, më deklaroi se është absolutisht me mendimin e shqiptarëve, që Shqipëria duhet të jetë autonome, por do ta bëjë këtë pasi të jetë këshilluar me kolegët dhe do t’ia paraqesë çështjen për miratim Padishahut, i cili do të udhëzojë sesi duhet vepruar.

Siç e shikon, ngurrimi tradicional i burrave të shtetit turk nuk mungon as në çastet më kritike, kur ngjarjet ndodhin me shpejtësi marramendëse, sepse derisa të vijë miratimi nga Padishahu, Shqipëria do të jetë gllabëruar plotësisht nga pushtuesit ballkanikë. Që këtej del edhe vërtetësia e thënies se diplomati më i mirë është bajoneta.

GAZETA UNIVERSUL: Çfarë kuptoni me Shqipëri autonome?

SYRJA VLORA:Unë, si gjithë udhëheqësit shqiptarë, që interesohen për fatin e Shqipërisë, kam qenë dhe jam kundër autonomisë. Ne kërkojmë shpalljen e Shqipërisë shtet të pavarur nga çasti kur nuk është më e mundur të ruhet statukuoja e paraluftës në Turqinë evropiane.

GAZETA UNIVERSUL: Më duket se jo të gjithë shqiptarët e duan pavarësinë e Shqipërisë…

SYRJA VLORA: Po, keni të drejtë. Janë disa që duan të jenë shtojcë e Greqisë dhe shumica e tyre janë të krishterë ortodoksë. Të tjerët, janë ata që nuk gjejnë shpëtim përveçse te Kalifati dhe Sheriati, por nuk duhet harruar se të gjithë shqiptarët e vërtetë, pa dallim feje, e sidomos katolikët dhe gjithë intelektualët e larguar – dhe tek ata qëndron e gjithë forca e Shqipërisë – besojnë se nuk ekziston tjetër shpëtim përveçse shpallja e një shteti të pavarur.

Kjo është edhe bindja ime. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi mbështetjen e Aleancës Treshe dhe në veçanti të Austrisë katolike dhe apostolike, e cila edhe me rrezikun e një lufte nuk do të lejojë që Shqipëria të ndahet mes pushtuesve.

Në qoftë se Madhëria e Tij, veziri i madh Qamil Pasha do të më kishte dëgjuar që në fillim dhe do ta kishte shpallur Shqipërinë autonome, të gjithë malësorët shqiptarë, që sot luftojnë krahas malazezëve për qytetin e rrethuar të Shkodrës, do të ishin kthyer tani në shtëpitë e tyre për të treguar se me ç’guxim të madh rezistoi armiku.

GAZETA UNIVERSUL: A mund të na thoni se cilët janë udhëheqësit e shtetit të ardhshëm shqiptar?

SYRJA VLORA:Sipas meje, udhëheqësit e një Shqipërie etnografike janë të shumtë dhe do t’i shndërronin në hiç sukseset e serbëve në veri e lindje dhe të grekëve në jug dhe perëndim, por Shqipëria, ashtu siç është delimituar në kabinetet e Vjenës dhe të Romës, është një territor i kufizuar në veri nga Mali i Zi, në perëndim nga Deti Adriatik dhe me një vijë vertikale që fillon nga Prizreni. Italia dhe Austria garantojnë se i gjithë bregdeti Adriatik, deri përtej portit të Sarandës, do t’i mbetet Shqipërisë.

Austria garanton gjithashtu edhe Pazarin e Ri dhe që serbëve nuk do t’u lejohet dalja ne det e as pushtimi i një pëllëmbe të vetme territori. Me pak fjalë, shqiptarët i kanë varur shpresat në mbështetjen e vyer dhe të dobishme të Austrisë dhe të gjithë botës katolike, e cila nuk e sheh me sy të mirë pushtimin greko-sllav të një toke të zotëruar prej mijëra vjetësh nga raca shqiptare.

GAZETA UNIVERSUL: Ç’mendoni për jetëgjatësinë e Lidhjes Ballkanike?

SYRJA VLORA:Lidhja Ballkanike është krijuar që prej një viti dhe do të zgjasë derisa koalicioni të bëhet zot i të gjithë Turqisë evropiane. Sukseset e tyre besoj se i detyrohen edhe rënies së pritshme të Janinës dhe të Shkodrës…

Që ta mbyll, ne shqiptarët e kishim parashikuar këtë katastrofë dhe me kohë i kishim paralajmëruar dhe këshilluar qeveritarët të ishin më të sinqertë dhe më të shpejtë në zbatimin e reformave të vërteta, jo vetëm në letër. Por, fatkeqësisht kemi folur kot. Mëkat që edhe sot, kur gjenden përballë një fakti të kryer, pra kur Turqia evropiane është pushtuar nga aleatët, qeveritarët ngurrojnë të marrin masa për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohet. Ndoshta ka qenë e shkruar që Perandoria Osmane, ashtu si ajo Bizantine, të bjerë nën barrën e mëkateve të bijve të saj.

Me këto fjalë plot hidhërim e mbylli intervistën lideri shqiptar.

Syrja bej Vlora ishte ndër të parët që u përpoq për shpalljen e pavarësisë me ndihmën e Austrisë … Read More »

Dibrani që guxoi dhe i tha të vërtetën në sy Enver Hoxhës: Po vret popullin, po i kthen në skllevër

Të paktë ishin ata burra shqiptarë që guxuan dhe i dolën kundër Enver Hoxhës. Fati i tyre dihej. Pushkatim, me ose pa gjyq!

Por kishte edhe nga ata që guxuan më shumë duke i shkruar një letër ish-diktatorit duke i plasur në sy të vërtetën e krimeve të komunizmit.

Edip Tërshana, u pushkatu më 18 janar të 1948. Ai u bë simbol kundër diktaturës së Enver Hoxhës.

Letra thuhet se u gjet në xhepin e tij nga hetuesi por fatmirësisht u ruajt.

Tërshana i shkruan Enver Hoxhës se është kundër diktaturës e cila po vret popullin shqiptar. Ai e akuzon edhe për bashkëpunimin me Jugosllavinë, ku sipas tij Hoxha ia fali Kosovën.

Ja letra e plotë:

Enver! Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhëti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtëme e juaj sllave,ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.

Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij Populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkoh, qëne kishim për 20 vjet rresht –mbathje, kjo është pra tradhtia.

Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.

Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti. Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhëti këto?

Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët.Kjo bësoj është tradhëti. Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?

Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepullli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.

Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundra, se oficerët të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi. Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?

Enver!

Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhëti e pushtetit popullor.

Ky Pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhëti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhëti?

Rroftë Ideali Kombëtar!

Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ja falët Jugosllavisë!

Rroftë Populli Shqiptar!

Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur! 22.11.1947

Dibrani që guxoi dhe i tha të vërtetën në sy Enver Hoxhës: Po vret popullin, po i kthen në skllevër Read More »

Treporti ishte qyteti me pozicion ndërmjetës e ndërlidhës midis zonave të brendshme dhe bregut …

Treporti ishte qyteti me pozicion ndërmjetës e ndërlidhës midis zonave të brendshme dhe bregut. Emërtimi i sotëm për qytetin Treport është :Kalaja e Treportit dhe muri antik në det.

Frymëmarrja e fundit e këtij qyteti nuk është regjistruar në memorien shekullore, por gjykohet se nga shekulli i III pas Krishtit të ketë ndalur “ora “e këtij qyteti dhe ekzistenca e vet, qytetit.

Trandje historike megjithë gjatësinë e shekujve të tyre kanë datime. Shekujt e IV-V si në të gjitha qytete antike,që ka Vlora si Olympia,Cerja dhe Triporti të ketë si bazë zhvillimin e jetës pikërisht në këta shekuj si dhe të ketë dominuar në të gjitha zhvillimet historike, qytetare,ekonomike,në zonën e vet.

Mjegullinat megjithë cirnosjen e tyre kanë si epilog harresën.

Në të vërtetë Triporti u gjet vonë. Muret e tij mbetën nën errësirrën e kohës dhe nën valëzimin e ujërave të detit.

Treporti ishte qyteti me pozicion ndërmjetës e ndërlidhës midis zonave të brendshme dhe bregut … Read More »

Cfare eshte nje komb ?

(Shkëputur nga “PËRPJEKJA” Viti XI, nr.20 Tiranë, pranverë 2005)

Nga Ernest Renan

Elementi i racës, dikur shumë i rëndësishëm, po e humbet me kalimin e kohës rëndësinë e tij.
II. Ajo që thamë për racën duhet thënë edhe për gjuhën. Gjuha ka nevojë për riunifikim, ajo nuk e arrin dot atë vetë. Shtetet e Bashkuara dhe Anglia, Amerika Latine dhe Spanja flasin të njëjtën gjë, por ato nuk përbëjnë kombe të njëjta. Nga ana tjetër, Zvicra, që u bashkua aq mirë në bazë të pëlqimit të krahinave të ndryshme të saj, përmbledh tre ose katër gjuhë. Brënda njeriut ka diçka që është më e lartë se gjuha, dhe ky është vullneti i tij. Vullneti i zviceranëve për të qëndruar bashkë, megjithë gjuhët e ndryshme që ata flasin, është një fakt shumë më i rëndësishëm sesa ngjashmëria gjuhësore, e cila nga ana e saj shpeshherë arrihet nëpërmjet persekutimit.
Një fakt me vlerë për Francën është se ajo nuk ka kërkuar asnjëherë të arrijë unitetin gjuhësor me anën e mjeteve shtrënguese. A nuk mund të kemi ne të njëjtat ndjenja, të njëjtat mendime dhe të duam të njëjtat gjëra të shprehura në gjuhë të ndryshme? Pak më lart folëm se cilat ishin dizavantazhet kur politika ndërkombëtare varet nga etnografia, por e njëjta gjë do të ishte edhe po të varej nga filologjia krahasuese.
Le t’ i lëmë këto studime interesante të vazhdojnë punën e tyre në liri të plotë dhe mos t’i ngatërrojmë me gjëra që mund t ua prishin gjykimin e ftohtë. Rëndësia politike që ne u japim gjuhëve vjen sepse i shohim ato si tregues të racës. Nuk ka ide më të gabuar se kjo. Në Prusi, ku flitet vetëm gjermanisht, disa shekuj më parë flitej sllavisht; Uellsi flet anglisht, galët dhe spanjollët flasin një idiomë të vjetër të Alba Longa; Egjipti flet arabisht dhe kështu me radhë mund të rendisim shembuj të panumërt. Por edhe në kohën e origjinës së lashtë, ngjashmëria gjuhësore nuk do të thoshte ngjashmëri racore.
Le të marrim për shembull fiset protoariane dhe protosemite; aty ku banonin ata kishte skllevër që flisnin të njëjtën gjuhë, ndërkohë që skllevërit shumë shpesh rridhnin nga raca të ndryshme nga ajo e zotërve të tyre. Po ta përsërisim do të thoshim: grupet e gjuhëve indoeuropiane, semitike dhe të tjera, të cilat u krijuan në sajë të gjetjeve fantastike të filologjisë së krahasuar, në bazë të po këtyre gjetjeve mund të thuhet se nuk përkojnë me grupimet antropologjike. Gjuhët janë krijime historike që na tregojnë shumë pak përsa i përket gjakut të atyre që i flasin ato, dhe nuk munden në asnjë mënyrë që të cënojnë lirinë njerëzore, kur bëhet fjalë për të përcaktuar origjinën e dikujt.
Marrja në shqyrtim e gjuhës si një faktor i veçuar do të çonte po ashtu në gabime, njëlloj si me vëmendjen e tepruar ndaj racës. Kur këto gjëra i çojmë në ekstreme, ne e mbyllim veten brenda një kulture të caktuar që mbahet si kulture kombëtare; ne i vëmë vetes caqe, dhe e ndajmë nga bota. Duke bërë kështu nuk mund të thithim dot ajrin e pastër të fushës së gjerë të njerëzimit, por vetëm mbyllemi në furriçkat e patriotizmit. S ka gjë më të keqe për mendjen dhe s ka gjë më të vajtueshme për njerëzimin.

III. Po ashtu edhe feja nuk është në gjendje të na ofrojë një bazë të mjaftueshme mbi bazën e së cilës të përcaktohet kombësia moderne. Në fillesat e saj feja doli nga ekzistenca e grupeve sociale. Grupi social ishte një zgjatim i familjes. Feja dhe ritet ishin ritet e familjes. Feja athinase ishte kulti për Athinën vetë, për themeluesit e saj mitikë, për ligjet dhe zakonet e saj. Nuk ishte assesi një teologji dogmatike. Në kuptimine saj më të ngushtë, feja ka qënë fe e shtetit. Një njeri nuk bëhej athinas nëse refuzontë të praktikonte këtë fe. Në themel të saj qëndronte kulti i Akropolisit. Të betoheshe mbi altarin e Aglauros ishte njëlloj si të jepje fjalën e nderit se do të vdisje për vendin tënd.
Feja në atë kohë ishte siç është sot shërbimi ushtarak ose kulti i flamurit. Të refuzoje tëmerrje pjesë në nderimin e këtij kulti ishte njëlloj si të mos pranoje të shkoje ushtar. Ai do të merrte kuptimin e deklarimit se nuk ishe athinas. Nëse nga njëra anë është e qartë se ky kult nuk kishte asnjë kuptim për ata që nuk ishin nga Athina, nga ana tjetër nuk ushtrohej asnjë masë prozelitizmi për të detyruar me force të huajt ta pranonin atë. As skllevërit nuk merrnin pjesë në këtë kult. Po e njëjta gjë është vërejtur edhe në disa republika të vogla gjatë Mesjetës. Nuk mund të ishe venedikas i mire nëse nuk kishe bërë betimin për Shën Mark; nuk mund të ishe amalfitan i mire nëse nuk vije Shën Andrean, të parin e gjithë shenjtorëve në parajsë. Në këto shoqëri të vogla, ajo që në ditët tona mund të merret si persekutim apo si tirani në ato kohë ishte diçka e ligjshme, dhe ishte po aq e zakonshme sa ç mund të jetë sot për ne t i urojmë babait ditën e emrit, ose t i dërgojmë atij urime me ratsin e Vitit të Ri. Ajo që ndodhte në Spartë dhe në Athinë nuk ishte e vërtetë në mbretëritë që u krijuan në territoret e pushtuara nga Aleksandri dhe veçanërisht në Perandorinë Romake.
Persekutimet e Antiok Epifanit për të futur në vendet e Orientit kultin olimpik të Jupiterit
dhe ato të Perandorisë Romake për të ruajtur të ashtuquajturën fe shtetërore ishin gabime, krime dhe një absurditet i gjallë. Për këtë do të ishim të qartë sot. Sot nuk ekziston një fe e vetme në mes të popullsisë. Çdokush beson dhe praktikon atë që i pëlqen, atë që mundet dhe atë që dëshiron. Nuk ka më fe shtetërore; dikush mund të jetë francez, anglez ose gjerman, ndërkohë që është katolik, protestant ose çifut, ose edhe nuk praktikon asnjë kult. Feja është bërë një problem vetjak, një çështje që i takon ndërgjegjes së gjithëkujt. Nuk ka më ndarje midis kombeve në bazë të të qenit katolik apo protestant.
Feja që ishte kaq e rëndësishme 52 vjet më parë (1831) në krijimin e Belgjikës, e ruan rëndësinë e saj brenda çdo njeriu; por ajo është bërë një element që nuk ka të bëjë me arsyet që shënojnë kufijtë mes popujve.

IV. Bashkësia e interesave është padyshim një lidhje e fuqishme midis njerëzve. Megjithatë, a janë këto interesa të mjaftueshme për të krijuar një komb? Unë nuk mendoj kështu. Bashkësia e interesave mund të realizojë traktate tregtare. Brenda kombësisë ka një aspekt që lidhet me ndjenjën, që është në të njëjtën kohë edhe trup edhe shpirt. Një Zollverein nuk mund të bëhet atdhe. V. Gjeografia, ato që quhen si kufijtë natyrorë, sigurisht që luan një rol të konsiderueshëm në ndarjen e kombeve. Gjeografia është një nga faktorët e qenësishëm në histori. Lumenjtë i kanë ndihmuar racat që të lëvizin, ndërkohë që malet kanë qenë pengesa. Të parët ndihmonin lëvizjet historike, ndërsa të dytët i kufizonin ato. A kemi të drejtë, siç besojnë disa, të themi se kufijtë e kombit janë skalitur në hartë, se ky komb ka të drejtë të marrë për vete atë që është e nevojshme për të vizatuar disa konture, për të arritur te aksh mal ose lumë, të cilëve ne u atribuojmë a priori disa cilësi përkufizuese? Nuk di të ketë doktrine më arbitrare dhe më fatale se kjo. Me anë të saj ne përligjim çdo lloj dhune. Dhe megjithatë, a janë malet apo lumenjtë që krijojnë këta të ashtuquajtur kufij natyrorë? Nuk ka asnjë dyshim se malet ndajnë, ndërsa lumenjtë në të kundërt bashkojnë. Por, ndërkohë jo të gjithë malet ndajnë shtete. Atëhere cilët janë ato male që ndajnë dhe cilët ato që nuk ndajnë? Nga Biarritzi në Tornea ka më shumë se një grykë lumi, që mund të shërbente fare mirë si një vijë kufizuese natyrore.
Nëse do të kishte dashur historia, Luara, Sena, Meuse, dhe Elba ose Oderi mund ta kishin statusin e kufirit natyror siç e ka Rhini, i cili ka cënuar aq shumë një të drejtë themelore të njeriut, siç është vullneti i njerëzve. Kjo ka të bëjë me arsye strategjike. Asgjë nuk është absolute: është e qartë se nevojitet të bëhen koncesione. Por, nuk ka nevojë që koncesionet të shkojnë shumë larg. Përndryshe, e gjithë bota do të kërkonte ato që ka fituar nga fushatat ushtarake, gjë që do të thoshte luftra pafund. Jo, kombin nuk e bën dot as toka dhe as raca. Toka ofron substratumin, fushën edhe për konflikte edhe për punë; njeriu vë shpirtin e tij mbi të. Njeriu është gjithçka në formimin e asaj gjësë së shenjtë që e quajmë popull. Asgjë materiale nuk është e mjaftueshme. Një komb është një parim shpirtëror që rrjedh nga ndërthurje të thella historike, një familje shpirtërore dhe jo një grup i përcaktuar nga konfigurimi i tokës.
Deri këtu kemi parë se çfarë është e pamjaftueshme që të krijohet ky parim shpirtëror: raca, gjuha, interesat, përkatësia fetar, gjeografia dhe nevojat ushtarake. Atëhere çfarë tjetër duhet? Në vazhdim të atyre që sapo u thanë, nuk është nevoja të ndalemi gjatë. Një komb është një shpirt, është një parim shpirtëror. Dy gjëra, që janë si një e vetme, përbëjnë këtë shpirt, këtë parim shpirtëror. Njëra është e kaluara dhe tjetra e tashmja. Njëra është zotërimi i përbashkët i një trashëgimie të pasur kujtimesh, tjetra është të japësh sot pëlqimin, të kesh dëshirën për të jetuar sëbashku, vullnetin për të vazhduar të vlerësojmë trashëgiminë që na është lënë. Njeriu nuk mund të improvizohet dot. Ashtu si njeriu, edhe kombi është rezultat i një të kaluare të mundimshme dhe të gjatë sakrificash dhe përkushtimi. Nga të gjitha kultet, ai për parardhësit është kulti më i legjitimuar, sepse parardhësit tanë na bënë këta që jemi. Një e kaluar heroike lavdie (këtu e kam fjalën për lavdi të njëmendtë) dhe burrash të mëdhenj: ky është kapitali social mbi të cilin është vendosur ideja kombëtare. Ajo që duhet është të kesh lavdi të përbashkëta në të kaluarën dhe një vullnet të përbashkët në të tashmen, të kesh bërë punëra të mëdha bashkërisht dhe të kesh vullnetin që t i bësh ato përsëri sot: këto janë kushtet thelbësore për të qënë një popull. Ne ushqejmë dashuri në përpjestim me sakrificat që kemi hequr dhe me të këqijat që kemi vuajtur. Ne e duam shtëpinë ku jetojmë dhe duam ta lëmë atë si trashëgim. Kënga spartane ne jemi ata që ju ishit, dhe do të jemi ata që ju jeni , në thjeshtësinë e saj është shembëlltyra e një himni për çdo atdhe.
Trashëgimia e lavdisë dhe e vuajtjeve është ajo që ne kemi të përbashkët nga e kaluara, ndërsa për të ardhmen kemi vetëm një program për të përmbushur. Vuajtjet, gëzimet dhe shpresat e përjetuara së bashku janë shumë më të vlefshme se disa marrëveshje tregtare dhe kufij që u vijnë për mbarë ideve strategjike, dhe këtë ne e kuptojmë pavarësisht nga diversiteti racor apo gjuhësor. Pak më lart thashë të kemi vuajtur së bashku : dhe me të vërtetë, përjetimi i vuajtjes së bashku përbashkon më tepër sesa gëzimi. Në çështjet që lidhen me kujtesën kombëtare përjetimi i zisë është më i vlefshëm sesa ngadhënjimet, përderisa ai parashtron disa detyra që kërkojnë një përpjekje të përbashkët.
Një komb pra, është shprehja e një ndjenje solidariteti të madh, që mbështetet te ndjenjat për sakrificat e përbashkëta që janë kryer dhe që është i përgatitur t i kryejë sërish në të ardhmen. Kombi parakupton një të kaluar, megjithatë në kohën e tashme ai
na vjen permes shëmbëlltyrës së një fakti të prekshëm: dhënia e pëlqimit, një dëshire shprehur qartë për të vazhduar jetën së bashku. Ekzistenca e një kombi është, dhe më falni për metaforën, një plebishit i përditshëm, njëlloj si ekzistenca e çdo individi është një afirmimin i vazhdueshëm i jetës. Oh, e di që kjo nuk është aq metafizike sesa e drejta hyjnore, aq brutale sa e ashtuquajtura e drejtë historike. Nga mënyra sesi i kam paraqitur gjërat del se një komb nuk ka më shumë të drejtë sesa një mbret, i cili i drejtohej provincës me fjalët: ti më përket mua, prandaj unë po të marr . Province për ne do të thotë banorët e saj, dhe nëse dikush duhet të konsultohet në lidhje me këtë çështje, të parët duhet të jenë banorët e saj. Nuk mund të jetë kurrë në interesat e vërteta të një kombi aneksimi ose marrja e një vendi në kundërshtim me vullnetin e këtij të fundit. Në fund të fundit, i vetmi kriter i ligjshëm është dëshira e kombit, dhe atij duhet
t i referohemi të gjithë. Në këtë parashtresë i kemi lënë jashtë politikës abstragimet metafizike dhe teologjike. Po çfarë mbetet pas kësaj? Ajo që mbetet është njeriu, dëshirat, nevojat e tij. Ju do të thoni se secesioni dhe ndarja e kombeve janë rrjedhimet e një sistemi që i lënë këto organizma të vjetra shpesh në mëshirën e vullneteve jo të përcaktuara qartë, Eshtë e qartë se në çështje të tilla asnjë parim nuk duhet të mbizotërojë me tepri në dëm të të tjerëve. Të vërtetat e kësaj kategorie mund të zbatohen vetëm si një e tërë dhe në një mënyrë shumë të përgjithshme. Vullnetet njerëzore ndryshojnë, por çfarë mbetet e pandryshueshme në këtë botë? Kombet nuk janë diçka e përjetshme. Ato lindën në një kohë dhe do të shkojnë drejt zhdukjes. Ndoshta një konfederate europiane do t ‘i zëvëndësojë ata. Megjithatë, ky nuk është ligji i shekullit tonë. Në kohën tonë ekzistenca e kombeve është një gjë e mirë, madje edhe e nevojshme. Ekzistenca e tyre është një garanci për liri, e cila do të humbiste nëse do të kishim një ligj dhe një zot.
Nëpërmjet cilësive të ndryshme dhe shpesh here konfliktuale kombet japin ndihmesën e tyre në punën e përbashkët të qytetërimit; secili prej tyre sjell një notë në koncertin e madh të njerëzimit, i cili, me pak fjalë, është edhe realiteti ideal më i lartë që mund të arrijmë. Nëse do të rrinë të veçuar, atyre do t u duken pikat e dobëta. Të dashur zotërinj, le t i përmbledhim ato që thamë. Njeriu nuk është skllav i racës, gjuhës, apo i fesë së tij; dhe aq më pak i lumenjve dhe vargmaleve. Një bashkim i fortë njerëzish, me shpirt të shëndoshë dhe zemër të ngrohtë, krijon një ndërgjegje morale që quhet komb. Derisa kjo ndërgjegje morale e tregon fuqinë e vet nëpërmjet sakrificash që kryhen me heqjen dorë nga interesat individuale për të mirën e komunitetit, atëhere ajo është e ligjshme dhe gëzon të drejtën të jetojë. Nëse ngrihen dyshime në lidhje me kufijtë e tij, atëhere duhet të merret mendimi i popullsisë në fjalë. Sigurisht që ata kanë të drejtën e dhëniessë opinionit për këtë çështje. Kjo mund t i bëjë politikanët profesionistë të qeshin nën buzë, këta burra të pagabueshëm që kaluan jetën e tyre duke u vetgënjyer dhe që tani mund të na mëshirojnë për pikëpamjet tona nga lartësia e parimeve të tyre të mëdha.
Të marrim mendimin e popullit, me tërë mend e keni! Çfarë naiviteti! Këto janë ato ide të dobëta franceze që kërkojnë të zëvëndësojnë diplomacinë dhe luftën me një thjeshtësi foshnjarake. Pa le të marrim frymë për një çast; ta lemë mbretërimin e politikanëve profesionistë të fanitet dhe të mësojmë se si t i qëndrojmë përçmimit të më të fortit. Ndoshta pas shumë eksperimentesh të dështuara, ata do të vijnë te zgjidhjet tona të thjeshta empirike. Ndonjëherë, të dish sesi të ecësh me kohën të ndihmon të jesh sa më i drejtë në të ardhmen.

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Cfare eshte nje komb ? Read More »

‘Dil, nëno, e shiko jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë!’

Kujtime të ish-partizanit të kësaj Brigade Heroinë.

Kalimi i lumenjve Vjosa dhe Shkumbin dhe rënia heroike e Mitro Xhanit dhe 10 dëshmorëve të tjerë në luftë për çlirimin e fshatit Dukaj të Tepelenës

Nga Sevo Tarifa

Malet ishin “foleja” e partizanëve. Por luftëtarët s’qëndronin në një vend. Lëviznin gjithandej, shkonin ku i thërriste Atdheu, në beteja për çlirimin e tij. U duhej të ecnin ditë e natë, rrugë e pa rrugë, të kapërcenin male me dëborë, kodra, fusha dhe lumenj.

24 korrik 1944. Ditën, vapë e madhe. Batalioni i dytë “Abaz Shehu”  u nis nga Damësi i Tepelenës. Natën zbriti tatëpjetën drejt rrugës automobilistike. Udhë këmbësorësh, që gjarpëronte përmes terrenit të thyer. Marshim me hapa. Qetësi, pa fjalë. Partizanët 5 metra largësi njëri-tjetri. Porosi të komandës transmetoheshin me “telefon partizan”: fjala me zë të ulët, gojë më gojë tek shoku përpara. Iu afruam xhadesë. Pararoja partizane ishte në ballë të kolonës dhe dy të tjera majtas e djathtas, vigjilonin dhe ruanin forcat tona nga ndonjë autokolonë gjermane. Të dhënat ishin që mund të kalojmë, forca armike s’ka. Dhe xhadeja u kalua. Mbërritëm pranë Vjosës.

Që nga larg dëgjohej gurgullima e saj. Vjosa e bukur kishte marrë një ngjyrë në të verdhë, nga shirat që kishin rënë ato ditë korriku. Po rrinim në këmbë, në anë të lumit. Një fshatar udhërrëfyes na udhëhoqi drejt vahut për të hedhur lumin. Ndërkaq, komandanti i batalionit Sefedin Meçe dha porositë: “Shokë partizanë, do mbahemi fortë dorë më dorë që Vjosa të mos na vëjë përpara. Duart shokut para e pas, mos ia lëshoni. Nuk e dimë deri ku do na vijë uji në trup, por frikë të mos kemi. Zemra të bashkuara. Pionierët dhe shoqet mund të merren në kurriz nga partizanë të rritur dhe notarë. Armët secili krahë-qafë. Pas meje!”

Dhe komandanti priu përpara. Para tij pararoja. Në vazhdim vargu i partizanëve! Këmbë e trup në ujë! Duart shtrënguar fortë. Atyre me trup të gjatë, uji po u shkonte deri në gjoks. Problemi ishte për ata me trup të shkurtër. Porosia u dha që këta dhe shoqet partizane të merren në kurriz nga luftëtarë dhe notarë të fortë. Por asnjëri prej tyre nuk pranonte.  Risto Palit, që ishte i shkurtër, uji i vate te gusha. Ecte me majat e gishtërinjve të këmbës, që “të bëhej pak më i gjatë”! Me zë të ulët i tha Tahir Skrelit që kishte në krah: “Po më tej, sikur të jetë më thellë, çdo bëhet me mua? “Mos u tremb, or burrë, se na ke neve, shokëve”. Megjithatë, Ristua nuk iu drejtua Zotit, se nuk besonte, por iu drejtua Vjosës me fjalët: “Moj Vjosa bukuroshe,  se mos më mbytësh mua të shkurtrin, më lër të luftoj për çlirimin e vendit!”.

Një valë uji u ngrit lart dhe Ristos iu duk sikur Vjosa qeshi e i ktheu përgjigje! U kthye nga Elmaz Lani që e mbante nga dora dhe i tha: “E dëgjove ti, Maze, si ç’më tha Vjosa? Më tha: “Të vegjlit unë  nuk i mbyt, se janë të lehtë dhe uji i mban në sipërfaqe”! Kjo bisedë mbeti midis tyre dhe Vjosës, se era që frynte atë natë mund t’i çonte fjalët tek armiku… Ristua, ose “Cironku”, siç i thërrisnin shokët, ishte partizan me humor.

Ndërkaq kolona ecte lumit dhe doli përtej. Qëndruam aty dhe u siguruam se mbërritëm të gjithë. Të lagur ujë. Rrobat qull. Ishte natë korriku dhe s’kishte ftohtë. Një pushim të shkurtër. Nuredin Matushit iu afrua Besho Nikolla dhe i tha në vesh:  “Shpëtuam, Nuro. Tani merrja një kënge!”. “Këngë?

Po rrotull nesh ka gjermanë e ballistë. Apo të shkojmë tek ata si dashi te kasapi”. Nuredini ishte këngëtar i mirë dhe quhej “Bilbil”, por këtë “kokërr ulliri nuk e hëngri”.  Batalioni u radhit. Sipas kompanive u bë nisja drejt aksionit në Dukaj të Tepelenës….

Këtë lumë e kisha parë në hartë, në shkollën fillore. Solla ndërmend mësuesin dhe bashkënxënësit, të cilët sikur më jepnin fuqi e guxim. Tani po e shoh nga afër, do ta kaloj natën. Por me shokë merr krah e fluturon. Dhe ja mbërritëm te ky lumë i gjatë e vende-vende i thellë. U nisëm nga Tomori, ku më 4 gusht u krijua Divizioni i Dytë Sulmues. Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha do të marshonim drejt Shqipërisë së Mesme e të Veriut, në goditje të forcave të armikut.

Nga Tomori Brigada VI Sulmuese vazhdoi marshimin drejt zonës së Gramshit. Partizanët e kaluan natën këtë qytet të vogël. Forcat e armikut i kishin nuhatur kolonat partizane dhe ishin strukur nëpër qytete. Patrullat e xhandarmërisë hapnin zjarr nga larg dhe iknin në panik. Sipas planit të tyre u bënë gardh buzë Shkumbinit, me qëllim që të pengonin kalimin e  tij nga forcat partizane. Brigada vazhdonte marshimin, kaloi në Drizë, Dumre, Gjinar, Shpat etj. Shkumbini U kalua në grykën në të hyrë të Labinotit.

Natë gushti. Moti me re e mjegull. Ditën kishin rënë shira dhe lumi qe turbulluar. U prit sa të errësohej mirë. U gjet ku ishte vahu. Forcat e batalionit të parë u futën në lumë dhe dolën te bregu në anën tjetër. U vendosën në pozicione për të mbrojtur shokët që do vazhdonin kalimin e lumit. Por sa filloi të hyjë në ujë  batalioni i  dytë, në rrugën automobilistike u duk një kolonë e gjatë makinash gjermane! Problemi ishte serioz. Duhej gjakftohtësi dhe manovrim. Komanda  dha urdhër që partizanët të rrinë në ujë, në këmbë, pa lëvizur, “që të duken sikur janë pemë, trungje, shelgje”, nga të cilat kishte shumë rreth e rrotull lumit.

Dritat e makinave rrezatonin rreth e qark. Ndriçimi i makinave vinte dhe në lumë. Kolona s’po mbaronte. Partizanët s’lëviznin. Ky veprim i zgjuar e trimëror partizan bëri që armiku të mashtrohej e Shkumbini të kalohej. Ishim lidhur dorë më dorë me njëri-tjetrin. Duart e mia ishin: njëra në dorën e xha Azbi Këndellës nga Prongjia, partizan 51 vjeçar, dora tjetër mbahej me Hekuruan Bathën nga Plesati, një partizan shakatar, i thjeshtë, sybardhë, mjekërvogël, që nisi nga humori partizan. Ai filloi një dialog me Shkumbinin: “O Shkumbin i gjatë, o lum i mirë! Se mos na mbytësh ore, se ne nuk duam ta japim shpirtin në gjoksin tënd, duam të vritemi në luftë me armiq”! Pastaj Hekurani ndryshonte zërin, sikur po i përgjigjej Shkumbini: “Dëgjo këtu, ti, partizan. Po të ishe ballist, do të të mbytja, por partizanët i kam miq dhe nuk i mbyt. Kaloni, por bëni kujdes, sa të shkojnë makinat gjermane. Aty ku jeni juve është vahu. Kujdes, më djathtas mos shkoni, se atje ka thellësi!”.

Humori ishte kurdoherë karakteristikë e jetës partizane, por në raste të tilla s’kishte ilaç më të mirë, të hiqte pesimizmin, të ngrinte moralin. Dhe Hekurani humorin e kishte xhan. S’rrinte dot pa të. Keq e kishte kur ishte në llogore, që s’fliste dot, se atje fjalën e kishte pushka. Batalioni i dytë doli lart në kodër, u hap në formacion lufte si i pari. Përsëri u duk një autokolonë tjetër gjermane, por tani lumi ishte kaluar. Pritej urdhër për goditjen e kolonës, por ky urdhër nuk u dha nga komanda. Partizanët pasi kaluan Shkumbinin, u ngjitën përpjetë dhe qëndruan në Labinot-Mal për veprime të mëtejshme luftarake…

Këtë episod për kalimin e Shkumbinit po ua tregoja një ditë Sado Bebeçit që ishte aty afër komandant në pikën ushtarake të Mirakës dhe Refat Bufit nga Polisi i Madh, që punonte me rininë e rrethit Librazhd.

Lufta në Dukaj

Ajo mbrëmje behari e 24 korrikut 1944 ishte e nxehtë, por atmosferën e ngrohnin më tepër pritja e ngrohtë e partizanëve te batalionit “Asim Zeneli” nga populli i fshatit dhe kënga labe, e cila “është një lule që mban vesën, është një shpirt, që mban besën…” (Zaho Vasili).  Dallohej timbri i zërit të dy partizanëve “bilbilë” Hajro Shkrelit e Nuredin Matushi. Të nesërmen do të luftohej për çlirimin e fshatit Dukaj.

Më 17 janar 1944 nazisto-ballistët kishin djegur shumicën e fshatit. Me pushkë e bajonetë bënë masakrën duke vrarë 12 djem e burra, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Para nënës, nuses e fëmijëve kishin marrë lidhur këmbë e duar dhe e pushkatuan në oborrin e shtëpisë partizanin Ismail Osmën Bejko, kurse vëllain e tij,  Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan, i prenë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj!

Në Dukaj armiku kishte pikëmbështetjen e tij. Ishin një njësit gjerman, një skuadër italianësh, një togë ballistësh, një kompani xhandarësh, të cilët përbënin batalionin famëkeq “Vermoshi”me komandant major Dod Nikolla. Gjithsej 207 armiq:  kriminelë, vrasës, hajdutë, të zhytur thellë në llumin e tradhtisë, të pajisur deri në dhëmbë me armë: mitralozë të rëndë e të lehtë dhe mortaja. Batalioni “Vermoshi”, përveç forcave të tjera armike qëndronte edhe në Salari, i cili mbahej nga regjimi kuisling i Tiranës, si një forcë e zgjedhur dhe e armatosur më së miri. Në Salari do të vepronte batalioni i III. Në kodrën shkëmbore në Dukaj ndodheshin llogore të profilit të plotë, qendra zjarri prej betonarmeje, të përhershme, të ndërtuara në kohën e luftës italo-greke, të përdorura më vonë nga pushuesit fashistë e veglat e tij vendëse. Shumë shtëpi fshati e veçanërisht shkolla ishin kthyer në fortesa për të luftuar në kushtet e qendrës së banuar.

Në fshat vepronte çeta territoriale e armatosur, që do t’i kundërvihej reprezaljeve e vrasjeve të armiqve. Më 22 prill të atij viti zuri pritë në befasi dhe asgjësoi një patrullë naziste. U vranë 9 ushtarë dhe oficerë gjermanë, u zunë 14 robër e mjaft materiale luftarake. Hitlerianët vazhduan përsëri edhe më egërsisht:  gjakosnin, pushkatonin. Ato ditë armiqtë vranë një fshatar të pafajshëm, që kalonte rrugës me kalë! Vandalë! Ja pse ky garnizon armik në Dukaj e Salari duhej likuiduar, kjo ishte kërkesa e popullsisë.

Ora 4.00. Ende pa u gdhirë dita. Gjëmoi thirrja “Para partizanë!”. Forcat armike të pozicionuara në kodrën shkëmbore qëllonin, forca të tjera të tij po delnin nga vendstrehimet dhe drejtoheshin te kodra në qendër të fshatit. Skuadra sulmuese zuri pozicione fare afër armiqve. Zjarr nga të gjitha anët. Të gjithë shtinim drejt armiqve në kodrën e fortifikuar, në lagjen Muçaj. Predhat tona goditnin në frëngjitë e llogoreve të kundërshtarit.  Armiqtë e kishin vështirë të gjuanin nga frëngjitë, hidhnin bomba përpjetë pa objektiv, me hamendje. Mortaja partizane qëllonte pozicionet armike me precizion që të mos dëmtoheshin forcat tona.

Teatri i luftimeve vazhdonte. Skuadra  sulmuese e përbërë nga 11 partizanë lufton me automatikë. Afrër tyre mbërrin Mitro Xhani (Balena). Pas tij vinte skuadërkomandant Mehmet Karabolli, i cili në një dorë mbante pushkën, në tjetrën kapelen  e kokës me granata dore. I shkoi pranë Balenës, i cili mori një granatë, i hoqi sigurecën dhe e vërviti mbi llogoren armikut. Llogorja u hodh në erë, armiqtë që ishin brenda saj u vranë. Por zhdukja e kësaj llogoreje bëri që të shfaqej trupi i Balenës. Në çast një armik tjetër mori shenjë dhe plumb i tij e zuri në ballë! Balena ra… Mbërritën shpejt edhe shokë të tjerë, edhe shoqja e jetës së tij, Athinaja. E pa të shtrirë Balenën. E përmbajti veten. Pa lot në sy të atij grupi partizan dhe me kurajë tha: “Trimat nuk qahen, por këndohen”! Dhe nisi kënga: “Shokë të mbajmë dy minuta zi / u vra Mitro Xhani nga Piqerasi”.

Me rënien heroike të Balenës, luftëtarëve u hipi gjaku në kokë. Tani në sulm nuk ishte vetëm skuadra sulmuese si në fillim betejës, por i gjithë batalioni. Partizanët lanë pozicionet dhe po ngjiteshin asaj të përpjete të kodrës shkëmbore. Shikohej me krenari përparimi i tyre, kush barkaz, kush ecje me gjunjë e kush në këmbë dhe secili merrte krahë, fitorja po i buzëqeshte… Janë çaste që luftohej kryesisht me granata dore. Partizanët, sa më afër llogoreve të armikut, aq më shpejt ngjiteshin me këmbë e duar. Ecnin dhe vrojtonin, qëllonin, hidhnin  bombën në llogoren e armikut. Armiqtë s’kishin mundësi të qëllonin as nga frëngjitë, dilnin fare nga pozicionet. Secili  kishte hallin e kokës. Lum ai partizan që kishte akoma granata! Zhurma e tyre mbuloi vendin. Krismat e armëve u rralluan…

Lufta në Dukaj ishte drejt mbarimit. Armiqtë s’dinin nga t’ia mbanin. Një pjesë e tyre zbrisnin tatëpjetë përroit për të ikur. Por fshati qe i rrethuar. Një pjesë dorëzoheshin. Të tjerë vriteshin në luftë duke ikur. Oficeri i xhandarmërisë Isuf Dema me pesë kriminelë të tjerë, dezertuan, u bënë sa një grusht drejt Bregut të Shkozës dhe mbërritën buzë lumit Vjosë, prej nga mundën të largohen në Vlorë.  Kështu veproi edhe komandanti i batalionit armik, major Dod Nikolla, i cili kur mësoi për asgjësimin e plotë të batalionit “Vermoshi”, u çmend dhe mundi të shkonte në komandën gjermane në Vlorë duke folur përçart: “Para partizanë”, 207…207… (Kaq ishte numri  armiqve që u asgjësuan).

Pas marrjes së kodrës shkëmbore nga partizanët, në sytë e tyre dukeshin lot gëzimi për fitoren, lot zemre për shokët e rënë.  Pashë lot në sytë e dy shoqeve partizane Antigoni e Mandeli Rrapi, por dhe lot hidhërimi që shihnin rreth e rrotull shokë partizanë të rënë heroikisht!  Armiqtë u asgjësuan. U vranë në luftë 8 oficerë gjermanë, 35 xhandarë, (midis tyre 5 nënoficerë dhe 5 ballistë). Armiq vinin grupe-grupe të çarmatosur, të shoqëruar nga partizanë, të cilët ishin dorëzuar e kapur rob. Përleshja me forcat gjermane dhe tradhtarët e vendit, përfundoi me fitoren e thellë të partizanëve. U kapën rob: (4 gjermanë, njëri marshall); 59 xhandarë, (midis tyre 1 toger, 1 kapter e dy rreshterë); 4 italianë; 17 ballistë. Robrit i kaluan gjyqit partizan, u gjykuan e u dënuan. Të tjerë u lanë të lirë. Dy djem të rinj xhandarë, me kërkesën e tyre, u pranuan në radhët e partizanëve, por më vonë u arratisën.  U kapën 5 mitralozë të rëndë dhe 6 të lehtë; një sasi e madhe armësh e municionrsh, 10 revolverë,10 orë xhepi, 3 dylbi, 15 kafshë ngarkuar me sende ushqimore, veshmbathje e sende të ndryshme, që i ishin grabitur popullit. Midis tyre ishte edhe paja e vajzës së Isuf Hysenajt, që u gjend në valixhet e mercenarëve dhe iu dorëzua familjes, sepse ishte caktuar data e dasmës për martesën e saj!

Armiku u shpartallua. Kodra u pushtua. Patizanët u bënë zot të saj. Beteja u fitua. Dukajt u çlirua. Luftëtarët e lirisë takohen me njëri-tjetrin. Mungojnë shokët që e lanë me gjak atë vend. Ranë 11 dëshmorë dhe u plagosën 11 luftëtarë të tjerë:

Apostol Çuni me 6 bomba në gji, u nis barkas drejt pozicioneve armike nga ana e greminës, andej nga armiku nuk e priste. U gjend pas shpine të tij, Iu afrua mitralozit të rëndë që villte zjarr pa pushim dhe na vriste shokët. Hodhi dy bomba dhe i vrau të dy, mitralierin dhe ndihmësin e tij! I qeshi buza. I gëzoi zemra. Mori hakë. Mitralozi i armikut, pushoi. Mbeti pa zot. Dhe i doli një “zot”, një trim shqiptar, një djalosh nga Piqerasi, fshati i heroit Vasil Laçi dhe Mitro Xhani. Trimi Apostol Çuni vriste gjermanë me mitralozin e tyre dhe, kur u diktua, njëri nga ata e qëlloi dhe Apostoli ra mbi mitralozin e armikut! Zemra e tij pushoi. Dora e tij nuk lëvizte më. Por mbetën gjallë heroizmi, emri, nderi dhe kujtimi i tij.

Mërtiko Velçi e Jorgo Jovani nga Kudhësi, të dy mitralierë, ishin afër pozicioneve të armikut, shtrirë në të përpjetën e zhveshur që çonte tek Shkëmbi i Prerë. Qëllonin me mitraloz, predhat e të cilit hynin në frengjitë e armiqve. Këta, në pamundësi që të shkrepnin armën e të gjuanin nga frengjitë, hidhnin bomba përpjetë, njëra prej tyre ra tek tek mitralozi dhe vrau dy shokët tanë, Mërtikon dhe Jorgon.

Rushan Guxho, zëv. komandanti i kompanisë së 4-t, nga Nivica. Vazhdonte papushim zjarrin kundër armikut. Iu vranë shokë para syve dhe kjo e shtyu atë të merrte hakë, të zgjaste krahun e të hidhte granatën e fundit që i kishte mbetur. E drejtoi atë në llogoren e armikut. Dhe u turr mes plumbave e bombave drejt tyre, por një predhë e armikut e shtriu përdhè.

Koço Koçollari, me mitraloz në dorë. Korrte armiq dhe lëvizte e manovronte me shkathtësi për ta dëmtuar armikun sa më shumë. Iu afrua llogores armike. Nuk i pritej, donte t’i “paloste” sa më parë. Ishte duke pritur urdhër të qëllonte mbi ta. “Duro dhe pak, Koço,- i thoshte komandanti, do vijë ai çast. Dhe çasti erdhi. U dha sinjali për sulm. Mitralozi i Koços filloi “këngën”… Por një plumb e godit, ai prapë e shkrep mitralozin dhe ra duke luftuar…

Intendenti Ismail Xhemaliu, zvarritet, afrohet drejt llogores armike. Në krah iu vra i riu Kudbi Gjeçi, nga Fushëbardha, ndërsa përpiqej t’i ndalonte gjakun, por kjo qe e pamundur, atëherë bëri përpara, u hodh në sulm. Hidhet me kërcim të shpejtë afër një llogoreje të armikut, hedh dy granata njëra pas tjetrës dhe sulet të rrëmbejë mitralozin nga duart e mercenarit të vrarë.  Thërret me zë “Para …por s’arrin ta mbaroj fjalën, ia preu në mes një plumb që e mori në gjoks. Ai mblodhi forcat. Qëndroi pak në këmbë, pa shokët që kapën llogoren  e armikut dhe ra pa frymë, me dorë të shtrënguar në qytën e armës.

Dëshmorët e tjerë ishin: Abdyl Demiri, zv.komandanti i kompanisë së dytë, nga Kallarati; që nuk e njihte frikën, ishte kritikuar se luftonte në këmbë, por ai vazhdonte në të tij; Jaho Braja nga Gjirokastra; Ismail Cacaj e Barxho Abazi nga Progonati.

Në pasdite, tek sheshi para shkollës u mlodhën partizanët e batalionit të dytë, luftëtarë të batalionit tretë dhe banorë të fshatit, ku u bë ceremonia e varrimit të dëshmorëve. Foli komisari i batalionit , Abdyl Hakiu, Hero i Popullit. E mori fjalën Athina Xhani, e cila u betua: “Më lejoni shokë, që nga Mitrua të mbaj për kujtim automatikun dhe bustinën e tij. Ju premtoj se ky automatik në duart e mia do të bëjë po atë që bënte deri në fuind në duart e Mitros”.

25 korriku i vitit 1944 mbeti dita e çlirimit të fshatit Dukaj. Epopeja e kësaj brigade është gdhendur qysh në atë kohë në vargjet e mirënjohura: “Dil, nëno, e shiko jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë!”

‘Dil, nëno, e shiko jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë!’ Read More »

Masakrat në Çamëri, “Kushërirën time Kadrijen, zervistët e varën në pemë…”

73 vjet pas masakrës në Paramithi, dëshmia rrënqethëse e Halit Mehmetit që rrëfen vrasjet, plaçkitjet dhe torturat që kishte parë me sytë e tij…

Nga Admirina Peçi

27 qershori i 1944-ës ka lënë një shenjë të pangjashme dhimbjeje në historinë e Çamërisë. Vrasjet makabre, torturat, përdhunimet dhe plaçkitjet mbetën në memorien e atyre pak camërve të mbijetuar e të larguar në tmerr për në Shqipëri. Ata kishin memorizuar dhjetra skena tmerri të përgjakshme që kishin parë me sytë e tyre, apo ku kishin qenë vetë ata, prindërit apo fëmijët e tyre viktima. Pas largimit të tyre, instaluar në çadra në fshatra kryesisht të qarkut të Vlorës e Fierit e më vonë edhe në zona të tjera të Shqipërisë, këta të mbijetuar lanë dëshmitë e tyre me shkrim për gjithë tmerret që kishin parë me sy.

Një prej këtyre dëshmive është dokumenti që sjellim sot ekskluzivisht në Shqiptarja.com, në përkujtim të 73-vjetorit të kësaj masakre. Dëshmia është nënshkruar nga Halit Mehmeti nga Paramithia, i cili jetonte në Fier në kohën kur shkruante dëshminë, drejtuar komisionit hetimor të OKB-së në Athinë, me kërkesën për të bërë hetime mbi krimet që ai kishte parë të kryheshin me 27 qershor 1944 në Paramithi.

Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin e nënshkruar  nga Halit Mehmetit, ku përmend vrasjet emër për emër në Paramithi ditën e masakrës së 27 qershor 1944.

T E L E G R A M
KOMISJONIT HETIMORË TË KËSHILLIT SIGURIMIT
A T H I N Ë

Unë i nënshkruari Halit Mehmet nga Paramithija po i paraqitë atij komisjoni dekllaratën t’ime si ma posht vijon:

Më 27 Qershorë 1944 kanë ardhurë forcat Monarko-fashiste të Zervës të komanduara nga Majorë Xhoga nga Kallarati Janinës dhe Kapiten Kristo Stavropulli, banus në Paramithi me detyrë më parë avukat. Major Foto Kiçua i foraskios n’Ushtri dhe Toger Lefter Strungari nga Paramithija më kanë vrarë kushurin t’onë Barjam Rushitin nga Patrovnila e banus në Paramithi, Mehmet Sejkon nga Paramithija vllaj gruas t’ime, kushuririn e gruas t’ime Miftin e Paramithisë me gruanë e tij Naize Hasan Avdullan, djalin dhe dy vajzat e tij, Adele Sybi Dinen e pushkatuan përjashta shtëpis saj e Kadria Qazim Rexhepin të dyja këto kushurira të para të mijat,
Kadrien e kanë varur në nji pemë dhe masi u tregoj parat i muar 100 lira dhe pastaj e vranë. Ka shkuar e ka parë e motra e sajë Fatime Sybi Dinua që e kishte litarin në grykë të prerë nga pema që kishte qënë varurë.

Veç këtyre dhe nga populli, elementat e posht shënuarë: 1) Mexhushme Lueri, 2) Hajri Jakupi, 3) Nurie Nuhedino, Hasim Dino, Bide Isa Nurçe, Eubrika Nurçe, Nuso Shabani, Sami Dino, Esat Hyseni, Enver Hyseni, Emin Hyseni, Hoxh Shehu Imam, Avduramen Hini, Xhevdet Arapi, Daut Nunesh, Sali Muhedini, Ferat Muhedini, Nuh Muedini, Haki Muhedini, Shaban Kaxiri, Fiko Tare, Sulo Tare, Xhaferr Salica, Avdullah Salica, Vejsel Breka, Rexhep Breka, Tazer Xaxe, Zudi Hasani, Maksut Beqiri, Jakup Beqiri, Isuf Adem Veli, Abedin Prenjo, Mehmet Prenjo, Sali Prenjo, Shuaip Pronja, Meko Prenjo, Nuf Beko, Malo Rakipi, Hajrije Rakipi, Omer Xhelili, Abedin Bako, Gani Baka, Qazim Rexhepi, Rexho Malo me gruan dhe dy çupat, Gjylo Nushi, Zeqir Zeqo, Xhelal Bullati, Mysafer Bullati, Luf Bullati, Fuat Bullati, Nail Bullati, Osmen Bullati, Agaka Bullati, Metat Bullati, Bejtulla Bullati, Sano Bullati këtë të fundit e kanë djegur me benzinë; Shaban Latifi, Ferik Hiso, Hysni Himo, Nuh Lami, Harun Mezani, Niazi Tali, Bila Ormeni, Met Gello, të gjithë këta janë vrarë nga bandat e Zervës që unë Halit Mehmeti që bëj këtë dekllarat kam parë vetë me syt e mijë, mbasi ndodhesha prezent, ma vonë më muarë në burgë dhe më dërguan në Janinë. Kur erdhën forcat e EAMIT më 20 shëndre që sulmuan Janinën unë jam liruar.

Veç kësaj Major Nikolla Shapera ka marë gruan Makbule Aga kah Pronjari me gjithë djemë me forcë dhe Toger Kristo Foti ka marë vajzën e Haxhi Dragonis.
Prandaj për të gjitha këto krime i lutemi atij komisjoni që për hir të drejtsis të hetoj për to, dhe kryeminelët që kanë kanë kryer këto, të marin dënimin e merituar.

DEKLLARUSI
Halit Mehmet Dalipi emigrant çamë nga Paramithija dhe banus në Fier.

Masakrat në Çamëri, “Kushërirën time Kadrijen, zervistët e varën në pemë…” Read More »