Histori

Lirim Nezha zbardh kalvarin e vuajtjeve të Dukatit,faktet dhe botimet anashkaluara !

Nga Lirim Nezha.

Ndonëse gjatë këtyre viteve të fundit është folur dhe shkruar shumë për Dukatin ,kryesisht prej bijve të vet të penës,si një prej fshatrave më të mëdhenj nacionalistë të Shqipërisë,gjithsesi është thëne shumë pak për opozicionin dhe raportet e tij me komunizmin në segmentin kohor prej 50 vjetësh. Vuajtjet e këtij fshati martir gjatë regjimit të egër diktatorial nuk kanë të sosur e nuk mund të përfshihen brenda kornizave të një shkrimi sado i kompletuar të jetë. Do të duhen njerëz të guximshëm që natyrisht nuk do t’i përkasin këtij brezit të sotëm që do të mund të shkruajnë volume të tëra për të nxjerrë në dritë mizoritë e pafundme të pesë dekadave famëkeqe nën cizmen e kuqe.

Unë sot,përmes këtij shkrimi do të përpiqem të mos përsëris ato cka janë thënë dhe shkruar në histori,por të bëj të ditura për lexuesin pikërisht ato fakte që të tjerët i kanë anashkaluar,madje edhe disa botime të këtyre viteve të fundit që janë shkruar për historinë e Dukatit.

I gjithë kalvari i vuajtjeve të Dukatit dhe dukatasve nën komunizëm e ka zanafillën e vet në ato pak orë ndjellakeqe te 30 nëntorit duke u gdhirë 1 dhjetor i vitit 1943,kur dy brigada partizane të udhehequra nga Hysni Kapo,Mehmet Shehu,Shefqet Peci,Muhamet Prodani e të tjerë dhe të orkestruar nga emisarët jugosllavë Dushani e Miladini,u orvatën të nënshtronin Dukatin dhe dukatasit me forcën e armëve.Por nuk qe e thënë qe t’u ecte atë natë.Ata u thyen me turp në atë sulm që i bënë një fshati ku jetonin vec shqiptarë e që u mbrojt ashtu sic dinë vetëm shqiptarët të mbrohen.

Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të trajtoj temën e kësaj lufte vellavrasëse sepse për këtë temë kam shkruar herë të tjera.E rëndësishme për të motivuar këto radhë është ajo cka ndodhi me dukatasit pas kësaj dite makabre e deri ne vitin 1991 kur zgjedha e rëndë e komunizmit ra e bashkë me të edhe pesha e persekutimit për shkaqe bindjesh politike.

Persekucioni komunist do të niste menjeherë sapo erdhën në pushtet fitimtarët ,e prej ketij persekutimi aq më pak mund të bënin përjashtim dukatasit dhe Dukati.Menjëherë filloi hakmarrja mizore ndaj krerëve opozitarë dhe familjeve të tyre.Nisën arrestimet e bujshme dhe përndjekja e atyre që ishin konsideruar kundërshtarë politikë gjatë luftës.Kështu u arrestuan dhe u dënuan me vdekje krerët e cetës së Ballit Kombëtar,Maliq Koshena,Hamdi Gjoni e Sinan Hamiti.

Tmerri që mbollën komunistët me ardhjen e tyre në pushtet bënte te dridhej edhe foshnjën në barkun e nënës.Ngado,së bashku me propagandën e tyre famëkeqe,mbollën edhe frikën se askush nuk do t’i shpëtonte asaj që vetëquhej “drejtësia popullore”,e që në të vërtetë nuk kishte asgjë të përbashkët me drejtësinë. Sigurimi i shtetit i mobilizoi të gjithë informatorët dhe mekanizmat shtetërorë kundër reaksionit potent ne Dukat.

Kësisoj,dukatasit që sigurisht nuk kishin qënë pro komunizmit por më së shumti opozitarë me të,nuk mund të ndiheshin të sigurtë. Në cdo cast i priste arrestimi dhe lincimi,pa arsye por duke u paraqitur shkaqe nga më banalet.Ishte kjo dhunë dhe ky terror që në vend t’i tulatte burrat më në zë të Dukatit,ngjalli edhe më shumë zëmrimin e tyre dhe nxiti edhe më shumë reaksionin që edhe ashtu nuk ishte i pakët.Ishte ky presion dhe terror i ushtruar nga pushteti mbi ta që i bëri dukatasit te organizoheshin në grupe antikomuniste dhe të hidheshin në veprim kundër klikes së kuqe të sapo ardhur në pushtet e të cilën nuk e kishin dashur kurrë.

Por komunistët po i forconin pozitat e tyre dhe nuk ishte më e lehtë që t’u dilje ballazi si më 1943-shin.Në këto kushte nuk ngelej rrugë tjeter përvec ikjes nga ky ferr ku gjithsesi do te linin familjet,jetën dhe pronat e tyre për të cilat i kishin dalë aq ballazi ideologjisë komuniste.Përvec arratisjeve të menjëhershme pas luftës të disa krerëve intelektualë si Azem Shehu e ndonjë tjetër,do të pasonte ikja proverbiale e dukatasve ne vitin 1949,ikje që shënoi një goditje për pushtetin në fuqi,ndonëse jo e atyre përmasave sic do të ishte kryengritja e dështuar pak kohë më parë.Bëhet fjalë për kryengritjen e oraganizuar në burgun e Vlorës,një bashkëpunim mes te burgosurve dhe një berthame të fuqishme qe i mbështeste nga jashtë.E gjitha ishte një përpjekje për t’i ikur thonjve të diktaturës.

Dukati ka ndoshta numrin më të madh të viktimave të komunizmit krahasuar me numrin e banorëve.Vetëm të vrarë gjatë Luftës së Dukatit dhe të pushkatuar pas saj jane 16 vetë,bij të nënave dukatase.Atëherë si mund të ishte Dukati me komunizmin kuur rrallë ndonjë familje ngeli pa u prekur nga persekutimi?Po aq sa janë të vrarët dhe të pushkatuarit,po aq të tjerë janë të arratisur për t’i shpëtuar lincimit,plot 16 vetë,shumica e të cilëve vdiqën pa e prekur ditën e lirisë.

Vala e egër e internimeve përzuri nga shtëpitë e tyre 11 familje,ndërkohë që u shpallën kulakë 13 familje të tjera.
Duhet përmendur si një pjesë e rëndësishme e persekucionit edhe presioni permanent i sigurimit te shtetit pëe t’I bere dukatasit informatore e per te arritur keshtu depersonalizimin e tyre.Të gjitha këto vetëm e vetëm që të mposhtnin këtë kështjellë që u kishte ngelur pa marrë.Por,ndonëse komunizmi u ul këmbëkryq edhe në Dukat si në të gjithë Shqipërinë,nuk mundi dot ta vërë përfund.

Dukati dhe dukatasit nuk mund të pajtoheshin me regjimin që i shpronësoi,nuk mund t’i shihnin dot mallin dhe gjënë e tyre te ishin të gjithkujt dhe të askujt.Vetëm pse gjithnjë reagonin me zemërim ndaj pushtetit të dhunës,janë dënuar me burgime të gjata për motive të pastra politike 72 dukatas.Një numër rekord.Po të guxosh të mbledhësh vitet e kaluara në burgje del nje shifer shumë shekullore.Një shifër me të vërtetë marramenëse po të mendosh se 72 familje e më shumë i lanë fëmijët e tyre “nën kujdesin atëror të Partisë” për vite e vite me radhë.

Lirim Nezha zbardh kalvarin e vuajtjeve të Dukatit,faktet dhe botimet anashkaluara ! Read More »

Mrekullia e Dukatit : Vendbanimi i lashtë që dikur përcaktoi fatin e Cezarit !

Jul Cezari, Pompei, perandorë bizantinë, piratë, mbishkrime, legjenda… të gjithë thonë se kaluan aty.

Fjala është për fshatin Dukat, një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë. Ndodhet në jug të Gjirit të Pashalimanit dhe kufizohet në verilindje me Tragjasin, në lindje me Tërbaçin, në jug me Palasen, në veriperëndim laget nga deti Adriatik e ne jugperëndim nga deti Jon.

Emrin dukat ky fshat e gëzon nga viti 220 para erës sonë. Aty është zbuluar një varrezë ilire e mijëvjeçarit III para Krishtit. Më vitin 48 p.e.s., pikërisht aty, Jul Cezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun.

Thuhet se ky vend sundohej nga dukët. Për më shumë, shikojeni dokumentarin e Marin Memës. /Top Channel

Mrekullia e Dukatit : Vendbanimi i lashtë që dikur përcaktoi fatin e Cezarit ! Read More »

6 arsye për të shkuar në Theth

Nuk është një destinacion i ri. Agjensia e parë turistike në fshatin Theth u krijua në vitin 1937, menjëherë pas ndërtimit të rrugës automobilistike. Gjatë regjimit komunist u hapën disa qendra të tjera turistike; u ndërtuan hotele që prisnin pushues nga Shqipëria dhe Europa Lindore.

Kapaciteti i pushuesve gjatë sezonit veror ishte rreth 600 vetë ndrërsa në dimër 400 vetë. Parku Kombëtar i Thethit është propozuar të jetë pjesë e një parku ndërballkanik, të quajtur “Parku i Paqes”, ku përfshihen pjesë nga Kosova dhe Mali i Zi.
1. Kanioni i Grunasit
foto: Thethiguide

Kanioni i Grunasit është një atraksion natyror dhe ndodhet ne jug të parkut të Thethit. Është rreth 2 km i gjatë dhe rreth 60 metër i thellë. Ujërat e kristaltë janë të lundrueshëm gjatë gjithë vitit.
2. Shpella e Harapit
702px-Maja_Arapit

Ndodhet në malin e Harapit dhe është një nga shpellat më të bukura dhe më interesante për t’u eksploruar. Ka marrë vëmendjen e alpinistëve dhe speleologëve. Për dukuritë brenda saj – liqenet nëntokësorë, galeritë dhe sifonet, banorët e zonës kanë thurur disa legjenda.
3. Ujëvara e Thethit
13618811934_7ba7c87e63_o

Bën pjesë në komunën Shalë dhe ndodhet 900m mbi nivelin e detit. Pamja që ofron është përallore, sidomos në kohë me diell (pikat e ujit zbërthejnë rrezet e diellit, duke formuar ylber).
4. Muzeu Etnografik
foto: Thethiguide

Kulla e Lulash Boshit është e ndërtuar mbi një shkëmb të thepisur. Është 9 metër e lartë dhe përfaqëson ndërtesat karakteristike të zonës.
5. Syri i Kaltër
20535558294_13e69e2241_k

Syri i Kaltër ndodhet në fshatin Kaprre, një nga fshtrat më të bukur në Alpet Shqipëtare. Çdo turistë mund të shkoj lehtësisht më këmbë. Banorët e zonës kanë vendusur shenjat që duhet të ndiqni për të mbërritur në desitnacion.
6. Kisha e Thethit
foto: albaniaturismlowcost

Është ndërtuar në 1892 dhe ruan të njëjtat themele edhe sot. Në 1917 At Shtjefën Gjeçovi hapi shkollën e parë shqipe, pikërisht këtu.

6 arsye për të shkuar në Theth Read More »

Revolta e Spaçit, 45-vjet më parë shoku Sali bridhte rrugëve të Parisit për t’i ndërruar pampersat Hysni Kapos. Hysen Shoshorin e kalbi në burg

Një i persekutar mik i portalit tonë dhe bashkëvuajtës me Hysen Shoshorini, i  irrituar, pasi kishte lexuar përshëndetjen e Sali Berishës, për 45 vjetorin e Revoltës së Spaçit na shkruan:

Sali Berisha, tani i ka mbushur mendjen vetës, se është i persekutuar, i dënuar, bashkëvuajtës dhe i torturuar, nga sistemi Hoxhisto-komunist, sepse ai ka qenë… Ballist.

Pa patur as turp dhe as fytyrë, Sali Berisha del nëpër shurrtoret e tij mediatike, në përkujtim të 45 vjetorit të revoltës së Spaçit, ku disa djem nënash tentuan të kundërshtonin vuajtjet, terrorin dhe torturat e ferrit të regjimit diktatorial, Spaç.

Kur këto djem vuanin në galeritë e zeza dhe të thella të Spaçit, shoku Sali pikërisht 45 vjet më parë bridhte rrugëve të Parisit, për t’i ndërruar pampersat Hysni Kapos.

Ky njeri që nuk hynë tek radha e njerëzve, merr guximin të përshëndes e të kujtoi ato njerëz, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me sojin e tij, si pjesë e grupit të xhelatëve. Në mesin e atyre martirëve ka qenë dhe një nga viktimat e tij  Hysen Shoshorin, njeriun që shkroi me mijëra letra kundër regjimit dhe Enver Hoxhës dhe që me një të tillë në dorë Sali Berisha i doli deshmitar duke i dhënë denimin me vdekje.

Ky dënim më pas i’u kthye në denim të përjetshëm, dhe doli vetëm pas vitit ’90 për të treguar me gisht Sali Berishën, si njeriun që doli dëshmitar në diktaturë kundër tij.

Mirëpo Saliu që fatkeqësisht nuk ka dhënë asnjëherë llogari për të zezat që i ka bërë Shqipëprisë dhe atyre martirve dhe gjithë të persekutuarve duke i tallur dhe  përdorur,  i ndau e i shpërndau deri sa edhe i vrau e i dogji të gjallë, që Hoxha nuk do ta bënte kurrë kërkon  si mbeturinë të riciklohet në pushtet duke bërë “revolucion” kinez sipas kinezrirave të tij. Shoshori e ka peshtyr disa herë në surrat dhe gjithë ato të përndjekur që e njohin por Komunisti nuk dorzohet tani ai është i persekutur sepse ka humbur pushtetin që i la Ramiza Alia

Ja me  çfarë hipokrizi tallet sekretar i byrosë partisë dhe varkari i Bllokut për 45 vjetorin e revoltës së Spaçit.

Nderim martireve dhe qendrestareve te Spaçit!

Te dashur miq, si sot 45 vjet me pare ne Burgun e Vdekjes, siç eshte quajtur me te drejte Burgu i Spaçit, martiret e gjalle te lirise qe perjetonin torturat, vuajtjet me te egra dhe çnjerezore, ne nje akt revolte heroike kunder regjimit ngriten aty flamurin kombetar te lirise, flamurin pa yllin e kuq mbi shqiponjen dy krenare!

Revolta e tyre e Lirise do shtypej me egersine me te madhe nga xhelatet e Enver Hoxhes, Hitlerit shqiptar te Pasluftes se Dyte Boterore, por zeri i martireve te saj do te jehonte si nje gjeme e rende ne mbare vendin por dhe boten.

Prandaj le te perulemi sot me nderimin me te madh para trimerise, kurajos se organizatoreve te saj; Gjok Zefi, Gezim Çela, Gjet Kadeli, Ylber Merdani, Novruz Golka, Pavllo Popa, Xhavit Lohja, Nuri Stefa, Vaske Orgocka etj, martireve te saj Skënder Dajës, Pal Zefi, Dervish Bejkos, Hajri Pashajit dhe dhjetra e qindra pjesmarresve te tjere ne kete revolte.

Por ky 45 vjetor eshte nje thirrje dhe frymezim per çdo shqiptar qe te ngrihemi dhe me nje revolte te pergjithshme te flakim sa me pare regjimin e Edvin Kristaq Rames dhe bastardeve te tjere te eterve mizore!/Ekskluzive.al

Revolta e Spaçit, 45-vjet më parë shoku Sali bridhte rrugëve të Parisit për t’i ndërruar pampersat Hysni Kapos. Hysen Shoshorin e kalbi në burg Read More »

Gjenden gjurmë të një qyteti Ilir në Kepin e Rodonit

Një fragment i çmontuar një furre prodhimi qeramike, prezenca e skarciteteve nga furrat antike dhe dy gurë peshe, janë elementët që i kanë bërë arkeologët të besojnë se janë në gjurmë të një qyteti antik në Kepin e Rodonit.

I njohur për plazhin, natyrën e virgjër, një kishë të vjetër dhe fortifikimet e ndërtuara prej Skënderbeut, Kepi i Rodonit u fut në listën e vendeve joshëse për arkeologët pas gjetjeve pranë tij të dy anijeve 2300 vjeçare të mbytura pranë tij.

Zbulimet nënujore të dy anijeve i bindën specialistët për pasurinë arkeologjike të  territorit dhe sondazhet e javëve të fundit, që po kryhen nga një grup arkeologësh u kanë dhënë të drejtë.

Veç furrës dhe mbetjeve të tjera, dy gurë peshe që shërbejnë edhe në tezgjahe, u zbuluan disa metra larg materialit ndërtimor, duke shtuar provat për një qytezë që mund të datohet rreth shekullit të 4-rt para erës sonë.

“Jemi në kërkim të një vendbanimi qytetar, çka vërtetohet nga sasia e madhe e mbetjeve të tullave dhe tjegullave, prodhime që nisin nga shek. 4-rt para erës së re dhe që u gjetën në luginën ku ndodhet kisha e Shna Ndoit, në breg të detit-tha për BIRN, prof. as. Dr. Eduard Shehi, arkeolog i periudhës romake. Të frymëzuar nga gjetjet dhe shpresa se mund të zgjerojnë punimet, arkeologët shpresojnë që të paktën një pjesë e territorit të tij mund të kthehet në një park natyror, turistik dhe arkeologjik, për të mbrojtur nga dëmtimet dhe ndërtimet.

Kërkimet për qytetin antik
Specialistët kanë krijuar bindjen se qyteza e mundshme duhet kërkuar mbi njërën prej kodrave, që tashmë është e mbuluar plotësisht nga shkurret, por provat për të pritet të dalin nga gërmime të mëvonshme.

Kërkesa është pritur mirë nga Instituti i Arkeologjisë dhe kërkimet për qytezën pritet të fillojnë në shtator.  “Kërkesa u prit pozitivisht nga Këshilli Shkencor i Institutit të Arkeologjisë, dhe që na jep mundësinë të rifillojmë kërkimet në shtator, kur edhe numri i turistëve në zonë është më i vogël”-tha arekologu Adrian Anastasi.

Kepi i Rodonit, është një nga zonat më tërheqëse të bregdetit shqiptar, qindra vjet më parë ai besohet se ka qenë një qendër e banuar ilire e cila ka humbur plotësisht dhe arkeologët shpesojnë se mund ta rigjejnë.

Megjithëse në fazë fillestare, të dhënat e deritanishme nga gërmimet arkeologjike të filluar janëvet ë fundit janë shpresëdhënëse.

Kërkimet në zonë u frymëzuan pasi pesë vjet më parë, kur nisi monitorimi i bregdetit, arkeologu nënujor Adrian Anastasi gjeti në afërsi dy relikte anijesh. “Gjatë zhytjeve zbuluam dy relikte anijesh, që i përkasin shek. 4-3 para erës sonë”-tha për BIRN dr. Adrian Anastasi. Më shumë se 2300 vjet më parë këto anije, të cilat u emërtuam simbolikisht “Rodon 1” dhe “Rodon 2”, besohet se transportonin drejt Durrësit dhe destinacioneve të tjera mesdhetare ngarkesa të përziera me amfora korintike B dhe MGS V, si dhe tulla, tjegulla e qeramikë fine.

Këtyre gjetjeve iu shtuan edhe elementët prej plumbi të spirancave të anijeve. Specialistët po ashtu besojnë se në ujrat pranë Kepit të Rodonit në 20 vitet e fundit janë grabitur egërsisht objekte arkeologjike.

Kërkime për një far dhe një manastir
Megjithatë Kepi i Rodonit ishte një territor i njohur për specialistët e monumenteve. Gjerak Karaiskaj, Apollon Baçe dhe Pirro Thomo janë ndër autorët kryesorë që kanë hedhur dritë mbi disa prej elementëve arkeologjikë të zbuluar disa dekada më parë. Por sondazhet e kësaj pranvere po krijojnë një imazh tjetër për të kaluarën e largët të territorit prej disa dhjetra hektarësh, që laget nga të tre anët prej ujrave detare.
Me sa duket veç Kalasë së Skënderbeut, e cila është edhe pika më e njohur nga turistët, që kërkojnë të zbulojnë gadishullin me vlera të veçanta natyrore, arkeologët gjatë javëve të kaluara kanë marrë në konsideratë edhe praninë e një fari ndriçues. Prof. as. Dr. Brikena Shkodra, me ndihmën e studentit të arkeologjisë, Krist Anastasi, ka vëzhguar imtësisht pjesën very-perëndimore të Kepit të Rodonit.

Të dhënat arkeologjike ajo i mbështet edhe në hartat e albanologëve dhe historianëve të kapërcyellit nga shek. 19-20. “Studiuesi hungarez Teodor Ipen 100 vjet më parë dokumenton praninë e një fari në Kep, të cilin na duhet ta datojmë saktësisht”-thotë për BIRN, Brikena Shkodra, e cila shton se shtresëzimet arkeologjike janë të dukshme në të dy krahët e gadishullit.

Një tjetër kërkim është përqëndruar në gjedjen e rrënojave të Manastirit të Shën Klarës, ku qëndroi deri në fund të jetës së saj Mamica, motra e Skënderbeutheroit kombëtar. Arkeologët po studiojnë mundësinë që manastiri të ndodhet pranë Kishës së Shna Ndout.

Rreziku i dëmtimeve
Kepi i Rodonit përbën një nga territoret më pak të njohura të bregdetit shqiptar. Izolimi i gjatë e ka ruajtur të paprekur bimësinë mesdhetare dhe kodrinat, që janë “sulmuar” vetëm nga erozioni agresiv detar i Adriatikut.

Vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit kjo mrekulli e natyrës  mund të vizitohet lirisht, për shkak të lehtësisë që krijon rruga automobilistike. Po kjo ka sjellë rrezikun e ndërtimeve pa kriter, që ka dëmtuar ndjeshëm pjesë të tjera në bregdetin e Durrësit deri tani është shmangur edhe për shkak të pronësisë që ka mbi një pjesë të territorit Kisha Françeskane.

Arkeologët shpresojnë se zbulimet arkeologjike mund të shërbejnë si një hap i parë për rishikimin e statusit që ka Kepi i Rodonit. Krijimi i një parku natyror e mjedisor, me elementë arkeologjikë, të vizitueshëm në çdo stinë do t’i jepte një impuls të ndjeshëm turizmit në këtë zonë, vetëm 50 km larg Tiranës dhe Durësit.

“Zonifikimi arkeologjik përbën hapin e parë, që pengon ndërhyrjet dëmtuese në të githë Kepin” – tha dr.Adrian Anastasi. Kërkimet e deritanishme kanë hedhur dritë mbi hipotezën e një vendbanimi ilir të prodhimit në zonë, ndërsa krijimi i një Parku natyror-arkeologjik në të ardhmen do të mbështetet sipas Anastasit edhe nga arkeologjia nënujore. /Birn

Gjenden gjurmë të një qyteti Ilir në Kepin e Rodonit Read More »

Foto të Shqipërisë që nuk duhen humbur

Fotografi të Shqipërisë  2 vite para shpalljes së Pavarësisë janë gjithnjë intriguese, por para se të shfletoni albumin me imazhet nga e kaluara jonë, ju ftojmë të lexoni dy fjalë për autorin e tyre, Ernst Jek, nga gjermani Robert Elsie.

Ernst Jek (1875-1959) ishte gazetar, publicist dhe shkencëtar gjerman, i cili lindi në Urah (Urach) të Gjermanisë jugperëndimore. Qëndrimi në Turqi në periudhën 1908-1909, gjatë dhe pak kohë pas revolucionit xhonturk, i bëri shumë përshtypje dhe Jeku u bë mbështetës i fortë i Turqisë dhe i marrëdhënieve gjermano-turke.

Në verë të vitit 1910 ishte në Kosovë dhe në Shqipëri, i ftuar nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë turke ku mbështeti trupat turke në luftë kundër kryengritësve shqiptarë. Gjatë ekspeditës ushtarake shkoi në Ferizaj, Fushë-Kosovë, Prizren dhe Shkodër.

Nga Shkodra u kthye me forcat ndëshkimore nën komandën e Shefqet Turgut Pashës nëpërmjet Mirditës dhe Gostivarit për në Shkup. Me forcat ushtarake turke ishte edhe gjatë luftës italo-turke (1911-1912).

Në vitin 1912 Jeku themeloi shoqatën gjermano-turke dhe në vitin 1914 ishte ligjërues i historisë turke në Universitetin e Berlinit. Pas Luftës së Parë Botërore përkrahu demokracinë liberale parlamentare në Gjermani si dhe anëtarësimin e Gjermanisë në Lidhjen e Kombeve.

Në vitin 1920 bashkëthemeloi Universitetin Gjerman për Politikë (Deutschen Hochschule für Politik) në Berlin. Me ardhjen në pushtet të nazistëve në vitin 1933, Jeku iku në Londër ku punoi për Neë Commonëealth Institute dhe në vitin 1940 u emërua profesor në Universitetin Columbia në Nju Jork, ku dhe vdiq.

Arkivi i tij, duke përfshirë fotografitë e Shqipërisë, ndodhet në bibliotekën e Universitetit Columbia. Ndër botimet e Ernst Jekut është libri “Im türkischen Kriegslager durch Albanien: Bekenntnisse zur deutsch-türkischen Freundschaft (Nëpër Shqipëri me ushtrinë turke: dëshmi e miqësisë gjermano-turke)”, Hajlbron 1911, nga i cili është marrë ky koleksion fotografish.

Fotografi të tjera të Ernst Jekut prezantohet këtu me lejen e Bibliotekës së Librave të Rralla dhe të Dorëshkrimeve të Universitetit Columbia në Nju Jork.

Përshkrimi i fotove është nga origjinali i autorit të tyre Ernst Jek, vetëm që i sjellim në shqip nga anglishtja.

Klerikët shqiptarë: françeskanët, priftërinjtë dhe jezuitë në liqenin e Shkodrës, 1910.

Burrat që më shoqëruan nga Prizreni nëpër luginën e Drinit. Në të majtë dhe të djathtë janë ushtarë. Kiradji është përpara duke mbajtur kalin tim. Pas pemës është Nicola dhe pranë tij biri i Hadjës turke si dhe dy shqiptarë në shalë prej druri që na bashkuan në rrugë, 1911.

Shqiptar nga Komani, 1911.

Ushtarët turq me të burgosurit shqiptarë duke u treguar atyre rrugën, 1911.

Foto të Shqipërisë që nuk duhen humbur Read More »

Përse mbanin ilirët gjarpër shtëpie ?

Legjenda thotë: Besohet se çdo shtëpi ka gjarpërin e vet. Ata si rëndom, janë të qetë. Ndodh që gjatësia e tyre të jetë mbi dy metra, por populli i quan “gjarpërinjtë e shtëpisë” ose “gjarpëri i shtëpisë”.

Ata lëvizin apo ecin nëpër shtëpi lirisht dhe askush nuk guxon t’i ngacmojë, kështu që shpesh herë i gjejmë nëpër teshat apo mbulesat e fletjes, nën jastëkët, nëpër djepet e foshnjeve, e kështu me radhë. Iu jepet qumësht në vendet e caktuara, ku gjarpri i shtëpisë zakonisht e ka daljen e vet. Thuhet se nëse e mbysim gjarprin, atëherë ai i ndëshkon sa që në atë shtëpi ndodhin ngjarje të kobshme, u digjet shtëpia, mund të vdesë dikush prej anëtarëve të familjes, etj.

Është interesant të përmendet rasti i mbrojtjes nga magjia” nëpërmjet kokës se gjarprit. Vajzat e bukura dhe nuset , me qëllim që të mbrojtjen nga magjia, e mbartin në qafë dhe midis gjinjve kokën e gjarprit.

Në fakt, kur dikush rastësisht gjatë punës së përditshme në fushe mbyste ndonjë gjarpër, ia merrte kokën, të cilën sipas nevojës më vonë mund ta mbante një vajzë ose nuse e shtëpisë.

Koka e gjarprit e mbajtur në qafë ose midis gjinjve është një ritual i trashëguar që nga ilirët, të cilët besonin në forcën mbrojtëse të gjarprit.

Gjarpri edhe sot e kësaj dite tek shqiptarët konsiderohet si “roje i shtëpisë” dhe mendohet se secila shtëpi diku në themelet e saja e ka gjarprin e vetë i cili e mbron shtëpinë. Prandaj kur ai paraqitet në oborrin e shtëpisë as nuk mbytet e as nuk ngacmohet, por lihet i qetë. Pra, koka e gjarprit te shqiptarët e ka pasur kuptimin e një objekti sigurie për individin dhe shtëpinë.

Asnjë kafshë në simbolikën religjioze tek ilirëve nuk ka luajtur rol të rëndësishëm sa gjarpri. Kjo kafshë misterioze, me formë të jashtzakonshme e cila pa zhurme zvarritet dhe del nga thellësia e tokës aty ku jetojnë demonët dhe zotat e nëntokës, si edhe shpirtrat e të ndjerëve, i cila me kafshimin e vet mundet aty për aty ta mbysë jo vetëm kafshën, por edhe vete njeriun, ka nxitur respekt nga frika. Nuk është e rastit, pra, që gjarpri luan rol të rëndësishëm në religjionet dhe mitologjitë e të gjithë popujve që shtrihen në viset , ku jetojnë gjarpërinjtë, nga Amerika deri në Perëndim, e deri në Azi në Lindje, që prej kohërave paleolitike e deri në ditët tona.

Tek ilirët, sidomos tek ata të Jugut, gjarpri është kafsha e cila me domethënien e vetë të shumëfishtë zë vendin qëndror në strukturën religjioze simbolike. Ai është kafshë toteme dhe kryetar i fisit ilir, simbol i mençurisë, i së keqes, shëndetit, pjellorisë, personifikim i shpirtit të të ndjerit, mbrojtës i vatrës së shtëpisë e mbi të gjitha kafshë mitologjike./Bota.al/

Përse mbanin ilirët gjarpër shtëpie ? Read More »

Elena Gjika, shqiptarja e famshme në Bukuresht

Albert Gjika dhe Elena Gjika, edhe dy prej figurave të mëdha të familjes. Elena, ose Dora D’Istria, një ndër personalitetet më të rëndësishme në Rumani

Mr.Sc. Nikollë LOKA

Përveç dhjetë princërve sundues të Vllahisë dhe Moldavisë dhe dy kryeministrave të Rumanisë, familja Gjika ka dhënë edhe disa figura të tjera të shquara jo vetëm për shoqërinë rumune të periudhës kur jetuan, por edhe për shoqërinë europiane në tërësi. Madje për personalitetet e shquara të Gjikajve nuk mund të thuhet fjala e fundit, sepse ata janë të shumtë, kudo nëpër botë, në funksione dhe profesione të rëndësishme. Disa nga personalitetet e shquara Gjika do të përmenden në këtë shkrim, ndërkohë që e ndjejmë si detyrim të pasqyrojmë në shkrimet e ardhshme biografi të tjera të tyre, pasi universi i Gjikajve për opinionin shqiptar mbetet ende një botë në zbulim.

Albert Gjika

Përveç princave të njohur Gjika, në kohën e vet përmendet edhe Albert Gjika, i cili kreu misione diplomatike pranë Portës së Lartë. Ai ishte kryetari i Delegacionit të Perandorisë Osmane në bisedimet me Austrinë dhe nënshkrues i Traktatit të Beogradit në vitin 1738.

Elena Gjika

Elena Gjika, e njohur për opinionin publik edhe me pseudonimin e saj letrar Dora D’Istria ishte shkrimtare, historiane, etnografe, alpiniste, luftëtare e shquar për çlirimin e Shqipërisë dhe emancipimin e saj. Elena lindi në Bukuresht më 22 janar të vitit 1828. Ishte bija e Mihal Gjikës (1794-1850) dhe mbesa e princit në detyrë, Grigori IV Gjika. I ati ishte arkeolog dhe numazmatolog, themelues i koleksionit të pullave postare në Muzeumin Kombëtar të Bukureshtit. Ndërsa e ëma, Catincai Gjika (Foca) ishte një shkrimtare dhe përkthyese, grua me bukuri të rrallë. Elena pati një vëlla, Gjergjin dhe një motër, Gjeorgjetën, e cila u martua me princin Stefan Lupasco në vitin 1929. Vetë Elena mori edukim të zgjedhur. Arsimin fillestar dhe të mesëm i kreu në Konstanca e Bukuresht, ndërsa arsimin e lartë e filloi në Vjenë dhe e përfundoi në Drezden dhe Berlin. Elena u bë njëra ndër gratë më të kulturuara europiane të kohës së vet. Që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare dinte nëntë gjuhë të huaja. Në turin e parë europian me familjen, ajo i habiti oborrtarët e Uilliamit IV të Prusisë, kur përktheu në gjermanisht mbishkrimet latinisht të një artefaku të vjetër, që ishte sjellë në Pallat prej Humboldit. Mrekullia e vogël, siç i thoshin në atë periudhë, dinte përmendësh Homerin në gjermanisht. Elena shkroi mjaft libra që trajtojnë çështje të artit, ekonomisë politike, historisë, filozofisë, folklorit, si dhe tregime, mbresa, përshtypje udhëtimi etj. Veprën e saj të parë e botoi në gjuhën frënge në vitin 1855. Në botimet e saj ajo përdori jo vetëm rumanishten, por edhe gjuhën italiane, gjermane, frënge, latine, greqishten e vjetër dhe moderne, rusishten dhe shqipen. Në nëntë prej veprave të saj ajo merret me jetën e shqiptarëve dhe problemet e tyre. Përmendim ndër to librat: Gratë në Lindje, vëllimi I, 1859; Kombi shqiptar pas këngëve popullore, 1866; Vizatime shqiptare, 1868; Shqiptarët e Rumanisë, Florencë 1872. Kultura e saj ishte kozmopolite, megjithëse nga studiuesit shihet si përhapëse e qytetërimit perëndimor në Lindje dhe veprimtare e emancipimit të femrës.

Martesa me princin rus

Elena kaloi një jetë të trazuar. Shpirti i saj romantik nuk u qetësua kur u martua me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij dhe u gjend në Oborrin Perandorak të Carit Nikollai I. Jeta e Pallatit i ndrydhi shpirtin, prandaj largohet prej andej për në Zvicër dhe pastaj udhëton edhe në vende të tjera, deri në Amerikë. Në vitin 1862 bëhet Qytetare Nderi e Athinës, duke u bërë personaliteti i dytë pas Bajronit që e fitoi një nderim të tillë. Ambasadori i Rusisë, duke e prezantuar si princeshë ruse, për shkak të martesës me një princ rus, e paraqiti para Mbretëreshës, Amalia të Greqisë. Vetë Elena në udhëtimet e shpeshta që bënte u takua me elitën politike dhe intelektuale të kohës, duke ua bërë të njohur çështjen shqiptare. Ajo e nxiti poetin amerikan Longfellou që të shkruante një poemë për Skënderbeun. Me rëndësi është miqësia dhe letërkëmbimi i gjatë që pati me poetin e shquar arbëresh Jeronim de Rada. Veprimtaria atdhetare e Elena Gjikës mbërriti deri në Shqipërinë e robëruar. Rilindësi shqiptar Zef Jubani i kushtoi një vjershë të frymëzuar, në shenjë mirënjohje për ndihmën e çmuar që kishte dhënë për çështjen shqiptare. Ndërsa një rilindës tjetër, arbëreshi Leonardo de Martino, në emër të treqind vajzave shqiptare, i dhuroi Elena Gjikës një penë të punuar në filigram, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë që kishin vajzat shqiptare për të. Trashëgimia letrare e Elena Gjikës është e shpërndarë në disa vende: Rumani, Shqipëri, Itali, Zvicër dhe Greqi. Në letërkëmbimet e shumta me De Radën, Kamardën, De Martinon, Mitkon, Jubanin, e tjerë; në takimet me personalitete të larta politike të popujve të tjerë si Garibaldi, në takimet me albanologët e shquar Ksilander, Bop, Han, Shlajhner etj., ajo u bë përfaqësuesja më e shquar e femrës shqiptare në botë. Elena Gjika vdiq në Florence në vitin 1888. Ajo është konsideruar njëra ndër femrat më të shquara europiane të shekullit XIX.

Vepra letrare e Dora D’Istrias

Tematika e veprave të Elena Gjikës është shumë e gjerë. Në librin Jeta monasticike në kishat lindore (Bruksel 1855; botimi i dytë, Paris 1858) ajo kërkon heqjen e urdhrave monasticikë. Ndërsa në veprën Zvicra Gjermane (Gjenevë 1856 në katër volume; botimi i dytë gjermanisht, Zyrih 1860 në tre volume) bëhet përshkrimi i vendit dhe i njerëzve të Zvicrës. Libri “Femërat e Lindjes” (Zyrih 1859, dy volume) flet për emancipimin e grave në Levant dhe vende të tjera të Lindjes. Aty flitet edhe për gjendjen e gruas shqiptare. Kurse në librin Femra për femrat Dora D’Istria krahason gjendjen e femrës në Europën Latine me Gjermaninë, duke kërkuar me zë të lartë trajtimin e barabartë të grave dhe burrave. Në librin Ekskursione në Rumeli dhe More tregon se Greqia e Vjetër kishte po aq kërkesa qytetëruese sa Gjermania e kohës së saj. Vlen për tu përmendur vepra Shqiptarët e Rumanisë, ku jepet një përshkrim i princërve Gjika nga shekulli XVII deri në shekullin XIX, botuar në Florence në vitin 1873. Elena Gjika botoi edhe librin Poezia e Otomanëve botimi i dytë, Paris 1877. Ajo shkroi edhe një numër të madh shkrimesh për çështje të historisë së letërsisë, poezisë, politikës, religjionit, problemeve sociale, historisë, artit, e tjerë në disa organe të njohura shtypi si në Revue des Deux Mondes të Francës; Libre Recherche të Belgjikës; Diritto, Antologia Nuova, Rivista Europea të Italisë, si dhe në revista rumune, greke dhe amerikane. Dora D’Istria merrej edhe me pikturë.

Vepra të shkruara për Elena Gjikën

Armand Pommier, Madame la comtesse Dora D’Istria, Brussels 1863 Charles Yriarte, Portraits cosmopolites, Paris 1870 Bartolomeo Ceçhetti, Bibliografia della Principessa Elena Ghica, Dora D’Istria, Florence 1873 Luisa Rossi, Dora D’Istria. I bagni di mare. Una principessa europea alla scoperta della Riviera, Sagep, Genova, 1998. Nicolae Iorga, Lettres de Dora D’Istria, shih në Revue historique du Sudest Europeen nr 1-3, Paris 1932. Dictionar Mondofemina, femei romane, Vol 1: A-K, p.139-140

Ndërkohë që në gjuhën shqipe janë botuar disa vepra të Elena Gjikës, si dhe janë shkruar disa monografi për jetën e saj. Dora D’Istria, “Gra të para nga një grua”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2003. Elena Gjika, “Letra drejtuar Jeronim de Radës”, shtëpia botuese “Bargjini” 2004. Elena Gjika, “Fyletia arbenore” prej Kanekate Iaoshima, përktheu Demetrio Camarda, Livorno 1867. Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës” (Dora D’Istrias), Rilindja, Prishtinë, 1970. Koli Xoxi, Zvicra dhe Dora D’Istria, Tiranë, Alta 1995. Koli Xoxi, “Erazmi i Roterdamit dhe Helena Gjika”, Marin Barleti, Tiranë, 1994. Koli Xoxi, “Franca sipas Dora D’Istrias”, Tiranë 1997. Ahmet Kondo, “Dora D’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, Tiranë 2002. Cristia Maksutoviç, “Elena Gjika dhe shqiptarët e Rumanisë”, Tetovë 2001.

Elena Gjika, shqiptarja e famshme në Bukuresht Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com