Histori

Zbulohen Fakte Historike në Austri për Shpalljen e Pavarësisë dhe Flamurin e sajë

Flamuri që kemi njohur deri më sot është thjesht një legjendë.Fakte historike befasuese zbulohen në Austri për Shpalljen e Pavarësisë dhe flamurin e saj.Burimi i parë i studiueses ka qenë suplementi javor Das Interessante Blat.Gazeta e ka botuar në gjitha rastet shqiponjën e flamurit me qafën e drejtë…

106 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, studiuesja Eleni Laperi trondit opinionin shkencor me zbulimin e botuar sot në gazetën Shqiptarja.com.
Ajo shkruan se studiuesit kanë folur për variante të ndryshme të flamurit duke shtuar detaje sipas dëshirës, por edhe duke ngatërruar ngjarje e data.

Laperi ka zbuluar një ilustrim te suplementit “Das Interessante Blatt” në gazetën vjeneze Wiener Illustrierte dhe shkruan se kjo është një provë e fortë se shqiponja e flamurit, i cili u valëvit në Vlorë në 28 nëntor 1912 nuk është ajo, që jemi mësuar të shohim në fotografitë e filmat shqiptarë të gjithë këtyre viteve.

Burimi i parë i studiueses ka qenë suplementi javor Das Interessante Blat.

Laperi ka kërkuar më tej, jo vetëm imazhin e ngritjes së flamurit në Vlorë, të botuar një muaj më pas, në datën 12 dhjetor të vitit 1912, po edhe shumë fotografi e ilustrime  të tjera nga Shqipëria e shqiptarët e atyre viteve.

Studiuesja ka konstatuar se  shqiponja e flamurit të pavarësisë është me një qafë nga ku dalin dy koka.

Ky është imazhi i vërtetë i flamurit, që u ngrit në Vlorë, shkruan Laperi.

Gazeta e ka botuar në gjitha rastet shqiponjën e flamurit me qafën e drejtë, nga e cila dalin dy koka me sqepin e hapur, me një gjuhë të valëzuar, me krahët me shtatë pendë të mëdha, midis të cilave ka nga një pendë të hollë, pra gjashtë të tilla.

Bishti i shqiponjës është edhe ai si qafa, një formë e ngjeshur, që mbaron me një ndarje treshe në formë gjethesh, ku dy anësoret përfundojnë me nga një zgjatim si grep.

Ilustrimi i suplementit vjenez është varianti më i besueshëm që kemi për flamurin e 28 nëntorit 1912, shkruan Eleni Laperi duke shtuar se “Ndoshta ishte po ai, si shkruan revista “Hylli i Dritës”, nr 11, viti 1937, që Ismail Qemali, duke u kthyer nga Vjena, e mori në Kotorr nga Lec Shkjezi: një flamur i thjeshtë, rreth dy metra të gjatë, ashtu si e donte ai: as tepër të madh, as tepër të vogël.

Zbulohen Fakte Historike në Austri për Shpalljen e Pavarësisë dhe Flamurin e sajë Read More »

Jeta tragjike e të diplomuarit për drejtësi, shok shkolle me ish-diktatorin Enver Hoxha

Janë të njohura veprat dokumentare mbi figura që kanë lënë gjurmë me jetën e tyre. Autorët e këtyre botimeve, përcjellin për te lexuesi doemos edhe një marrëdhënie të caktuar specifike të tyre me figurat dhe ngjarjet e pasqyruara. Mund të jenë raportues të rrjedhshëm e neutral/objektiv të biografive njerëzore, por mund që edhe të implikohen vetë në shkrimin e jetës së tyre. Ka pak kohë që është botuar libri “Përtej harrimit”, me autore Ermira Xhomaqi.

Libri është shkruar si peng nderimi i mbesës për gjyshin e vet, Abdulla Rami. Ajo mban emrin që ia vuri gjyshi, i cili u nda nga jeta kur ajo nuk ishte as 2 vjeçe. Pra, autorja ndjek instinktin e pengut njerëzor për t’u ritakuar me njeriun më të afërt të gjakut. Dhe kështu, përmes dokumenteve që mund të gjenden apo dromcave të kujtimeve prej të tjerëve, përpiqet nëpër ethet e dashurisë për njerëzit e gjakut të rindërtojë portretin e gjyshit të saj të dashur, ndonëse nuk e pati njohur asnjëherë dot. Dhe kështu, duke shkruar librin e jetës së gjyshit, ajo shkruan edhe librin e saj. Konstruktohen kësisoj, si në një pranëvendosje e shkrirje të etertë këto dy vepra, ashtu si tekstet palimpsest në pergamenat e lashta egjiptiane.

Po kush është A. Rami?

Lindi në Tatzat të Delvinës, një fshat i njohur për tradita atdhetare dhe arsimdashëse. Pas djegies së fshatit prej bandave shoviniste greke, gjatë Luftës së Parë Botërore, largohet me familjen dhe vendoset në Egjipt. Më 1920 kthehet në atdhe dhe, pas shkollimit fillimisht në Delvinë e në Gjirokastër, kryen studimet në Liceun Francez të Korçës. Pas këtyre studimeve, punon për disa vite me përkushtim si mësues në Përmet, Fier e Delvinë.

Në vitin 1936 nis studimet universitare në Montpelje të Francës, të cilat i kryen me sukses dhe diplomohet për drejtësi. Pasi kthehet menjëherë në atdhe, emërohet gjykatës në disa qytete: në Shqipëri dhe në Kosovë. Punon me pasion e përkushtim, falë edhe karakterit dhe formimit të tij të gjerë profesional e intelektual. Krahas njohjes së thellë të sistemit juridik e mentalitetit perëndimor, është zotërues i disa gjuhëve: frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht.

Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Abdullai vendos të radhitet përkrah forcave nacionaliste. Kjo kishte të bënte me besimin e tij se orientimi nacionalist do t’i siguronte vendit garancinë e shpëtimit prej rrezikut sllavo-komunist. Në këto pikëpamje të tij, kishte pasur ndikimin e vet tradita familjare, si dhe e mjedisit të krahinës e fshatit nga vinte. Nga ky fshat, sado i vogël për nga numri i shtëpive, ishin disa krerë të lartë të Ballit Kombëtar, ashtu siç kishte edhe drejtues të njohur në brigada e çeta partizane, si dhe pesë dëshmorë.

Në qeveritë e para luftës, prej këtij fshati – me shtëpitë prej guri ngjitur me njëra-tjetrën dhe rrugët e shtruara me kalldrëm posi Gjirokastra në miniaturë, kishte pasur mjaft mësues të shkollës shqipe e nëpunës të administratës, deputet e deri ministër të luftës. Por edhe fakti se kishte punuar në Kosovë dhe kishte njohur nga afër represionin shovinist serb ndaj shqiptarëve, kjo rrethanë do të kishte pasur rolin e vet në këtë zgjedhje të rreshtimit të tij politik. Me mbarimin e luftës, arrestohet qysh në ditët e para si kundërshtar i regjimit.

Qëndron në burgun e rëndë të Burrelit, deri në vitin 1962. Më pas, e kalon jetën me punë krahu në internim, deri sa ndahet nga jeta më 1973. Të njëjtin fat e kalojnë edhe vajzat e tij, që u endën internimeve, së bashku me familjet e tyre. Me sa duket, edhe njohja nga afër me bashkëmoshatarin e tij, E. Hoxhën, qysh në vitet e shkollës në Gjirokastër, pastaj në Liceun e Korçës, madje edhe më pas në Francë, do të kishte gjithsesi rolin e vet destin në këtë kalvar vuajtjesh. Është folur se prej shokut të viteve të rinisë, i ishte dërguar fjala që t’i bashkohej lëvizjes çlirimtare partizane. Por Abdullai e kishte bërë zgjedhjen e vet.

Ndofta e kishte bërë edhe përmes trazimeve e mëdyshjeve të brendshme, pasi është kohë lufte. Por këto nuk do t’i ketë kurrë më pas. Shokët e tij të burgjeve dëshmojnë se kur ndonjë i burgosur, në gjendje dëshpërimi, u pohonte autoriteteve të burgut për konformizëm: Po, e pranoj, edhe kemi gabuar, ashtu ishte koha…, Abdullai ia priste me vendosmëri: Jo, nuk kemi gabuar! Sidomos tani, për të ishte e qartë si në dritë të diellit se duhej ndalur me vendosmëri e nuk duhej instaluar kurrsesi ky regjim në Shqipëri, i cili po e dëshmonte ditaditës dështimin e tij. Kjo ishte jeta e Abdullait.

Ky do të jetë, pra, edhe libri i kësaj jete, i përcjellë prej mbesës së vet, me synimin për të qenë sa më besnik. Por brenda këtij libri, është edhe libri tjetër, ai që endet prej gjykimeve e vlerësimeve prej saj. Doemos, tashmë prej një kohe e një vizioni/raporti tjetër me kohën. Është e njohur se pjesëmarrja në furinë e ngjarjeve e bën njeriun militant, kurse distanca prej tyre e bën filozof. Autorja e ka këtë privilegj, se gjykon nga sot, por e ka edhe aftësinë intelektuale e shpirtin human.

Në gjurmët e gjyshit, vendoset në Francë dhe pasi në Shqipëri ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë, fillon studimet në Universitetin Paris XII, ku diplomohet me rezultate shumë të mira në Ekonomi-Drejtë- si-Administrim Internacional.

Aktualisht, mes projektesh të tjera, ajo është e angazhuar edhe pranë delegacionit shqiptar në UNESCO. Duke lexuar librin, të duket sikur Ermira është nisur me gjyshin përdore për të ndjekur rrugën e tij, qysh nga fshati i vendlindjes, pastaj në Egjipt, Francë, Kosovë, në burgun e Burrelit, për të përfunduar në Gosë, gjatë kohës së viteve të internimit të tij. Janë skena prekëse kur ajo, së bashku me të ëmën, nisen nga Parisi ku jetojnë prej vitesh, drejt Montpeljesë, për të ndjekur tashmë në mënyrë të rikrijuar/imagjinuar momentet e jetës së tij atje.

Fillimisht, mbërrijnë në auditoret e Fakultetit të Drejtësisë të atij qyteti, atje ku kishte studiuar njeriu i tyre i dashur. U dukej se kishin ndjerë praninë e tij atje, apo duke u endur në sheshin e bukur mbresëlënës para Operës së Komedisë, nëpër rrugët e qendrës historike të qytetit, në kafenetë ku ai mund të kishte qëndruar me shokë e miq.

Me adresat që i ruanin si fort të shtrenjta prej vitesh, shkuan edhe në banesat modeste, ku kishte qëndruar studenti i ri i atyre viteve. E gjetën edhe lokalin e thjeshtë, ku ai ushqehej të shumtën e herëve, që mos t‘i rëndonte ekonomikisht njerëzit e shtëpisë, në fshatin e largët. Ky mund të përjetohet gjatë leximit si “libri” tjetër, ai i autores për jetën e heroit të saj. Thua se ajo i është përveshur punës plot ngulm e pasion, si për ta ringjallur njeriun e gjakut. Ka dashurinë, mallin, por edhe kërshërinë për gjithçka që ai ka menduar e realizuar.

Sigurisht, që këtu lindin natyrshëm edhe gjykimet e refleksionet. Por këto, nuk nisen nga një partipri e paracaktuar, e kalcifikuar prej saj. Gjykuar nga koha e sotme dhe sidomos prej formimit dhe vizionit të iluminuar e të emancipuar të autores, qëndrime të tilla do të ngjanin të tejkaluara.

Kur Abdullai shprehej guximshëm me zë të lartë në burg: “Jo, nuk kemi gabuar”, kishte brenda edhe pengun, e mbase njohjen e gabimit prej tyre, se nuk kishin mundur të bënin dot atë që duhej. Pra, për t`i prerë iniciativën e për ta penguar instalimin e vendosjes së diktaturës. Autorja ndjek dy rrugë kryesore për ta ringjallur para lexuesit portretin e kësaj figure. Përmes dokumenteve zyrtare të proceseve gjyqësore, dëshmive të njerëzve që e njohën nga afër, si dhe përmes rënies në gjurmë dhe publikimit të blloqeve të shënimeve e dorëshkrimeve të tij.

Këto të fundit, janë me mjaft interes për të zbuluar një intelektual të nivelit të lartë, por, për fat të keq, të penguar skajshmërisht për t‘u realizuar në kushte normale. Edhe pse i duhej të endej për të punuar fushave, me shatin në sup e bukën me vete, brenda vetes ai ndjehej një zotëri i vërtetë, njerëzor dhe krenar. Pas ditëve të lodhshme me vapë apo me acar, kur kthehej në banesën modeste, zhytej deri natën vonë në lexime e shkrime pa fund.

Në bibliotekën e tij personale, ndonëse të mpakur së tepërmi prej rrethanave të burgosjes e internimeve, kanë mbetur ende libra fondamentalë nga fusha e jurisprudencës dhe filozofisë, të cilat, ai i lexonte dhe mbante shënime përmbi to. Po ashtu, përkthen pjesë të ndryshme nga Shekspir, Victor Hugo, Lord Byron, Walter Skott, Andre Chènier, Chateoaubriand, Aragon etj… Shkruan edhe vetë jo pak poezi dhe shkrime në trajtë eseje – me nëntekste pritjeje e shprese.

Nëse viti që mbaroi nuk shënoi për shumë njerëz, datën e vendimeve burrërore e të punëve fisnike, viti që vjen do t‘ju sjellë, së paku, shpresën…, shkruan ai, duke medituar për ardhjen e Vitit të Ri 1968. Përmes zgjedhjes së përkthimeve që bënte, Abdullai synonte të përcillte me tendencë mesazhin për domosdoshmërinë e rizgjimit të ndërgjegjes së kombit. Te përkthimi i veprës së V. Hugo-së për Shekspirin, mes të tjerash, janë edhe këto pjesë aq kuptimplota sidomos për realitetin e sotëm në Shqipëri: Të formohet populli! Dhe në krye ideali.

Të kujt janë gjenitë, po të mos jenë të tutë, o popull? Ata të përkasin ty, ata janë bijtë dhe etërit e tu. Këta bëjnë në kaosin tënd, depërtime drite… Dhe diku më tej, një pasazh që e nxjerr në dritë të diellit mizerabilitetin vajtues të popullit, në ato raste kur ai pajtohet me dhunën dhe nënshtrimin e tij: Jo, popujt nuk kanë të drejtë t‘ua hedhin gjithnjë fajin qeverive.

Përfundimi i shtypjes nga shtypësi përfundon në bashkëfajësi. Vuajtja është për t‘u nderuar, ndërsa nënshtrimi për t‘u përbuzur… Këto e të tjera tekste origjinale apo të përkthyera prej tij, janë fondi i munguar e i anatemuar për shumë vite për lexuesin. Autorja premton se është në gjurmë edhe të disa shkrimeve të tjera, që kanë mundur t‘i shpëtojnë humbjeve e asgjësimeve dhe që premton se do t‘i bëjë gati për botim. E kemi theksuar qysh në titull se vargu i përkthimeve e krijimeve origjinale të A. Ramit, janë një libër më vete, brenda librit të jetës së tij – të kaluar nëpër kalvarin e burgjeve dhe internimeve të gjata, që vazhduan pa u ndalur dot, deri në fund të jetës së tij.

Të dy këta libra, e plotësojnë dhe i japin peshë njëri-tjetrit – me fisnikërinë dhe klasin e njeriut qëndrestar dhe intelektual. Duke qenë si libër brenda librit, pra, kemi një libër të dyfishtë. E doemos, që zgjon te lexuesi edhe një emocioni të dyfishtë. Emocion që vjen prej përjetimit të triumfit të kujtesës ndaj shkretëtirës së harresës. Në pritje të veprave e përkthimeve të tjera të Ramit, i urojmë autores dhe librit të saj të parë, udhë të mbarë…/Panorama

Jeta tragjike e të diplomuarit për drejtësi, shok shkolle me ish-diktatorin Enver Hoxha Read More »

“Seks në zyrë për 3 vite me rradhë!” Si e dënonte Enver Hoxha “imoralitetin” në vitin 73’

Një dokument i Sigurimit të Shtetit në vitin 1973 ka hedhur dritë mbi mënyrën me të cilën “procedonte” Partia Komuniste e Enver Hoxhës, me rastet e skandaleve seksuale në zyrat e shtetit. Dokumenti, i publikuar nga ish drejtuesi i arkivit në Ministrinë e Brendshme Kastriot Dervishi, tregon për rastin e një punonjësi të njëri prej komiteteve të shumta të partisë dhe daktilografistes së atij komiteti, ku kjo e fundit ishte grua e martuar. Në dokument, shkruhet se është mësuar nga “Partia” se instruktori i partisë dhe daktilografistja nuk kryenin detyrën e shenjtë të mësimit të Marksizëm- Leninizmit, por në të kundërt, kryenin akte imorale në zyrën e partisë.

Për më tepër detaje lexoni postimin e Dervishit:

1973/Imoralitet në komitetin e partisë

Kush ka dëshirë të lexojë se çfarë bëhej në kartotekën e një komiteti partie, midis instruktorit të partisë dhe daktilografistes së atij komiteti, bashkëlidhur gjen infon përkatëse.

Komitetet e Partisë së Punës ishin strukturat vendore të kësaj partie dhe vepronin në bazë territori (rrethi kryesisht). Organi udhëheqës i tyre ishte Byroja, e cila përbëhej nga krerët më të lartë të pushtetit të rrethit. Brenda komitetit vepronte një aparat i cili imitonte në formë të vogël aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Ky aparat, përveç punës ideologjike që bënte dublonte punët e qeverisjes. Gjithë ditët shkonin kot duke sajuar raporte të kota e pa lidhje. Nga ky stil pune, shumë herë në orarin e punës, zyrat përdoreshin edhe për gjëra të tjera, pikërisht atëherë kur idili i dashurisë së instruktorëve ndizej më shumë se kurrë. Në një komitet partie në vitin 1973 punonin një instruktor dhe një daktilografiste. Kjo e fundit kishte edhe burrin shofer të sekretarit të parë të komitetit të partisë. Në mënyrë të fshehtë, instruktori dhe daktilografistja nuk po bënin punët që u kish ngarkuar partia. Rasti u bë shembull. Por të tilla që nuk u bënë shembuj kishte me qindra.

Sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, instruktori për një periudhë prej 3 vjetësh mbante marrëdhënie me daktilografisten, duke anashkaluar detyrat që partia i kishte ngarkuar për edukimin marksist-leninist të masave. Më 17.3.1973 dy sevdallinjtë u gjetën të mbyllur në kartotekën e komitetit të partisë, pikërisht aty ku mbaheshin larg syve të armikut dosjet e kuadrit komunist./Gazeta Express

“Seks në zyrë për 3 vite me rradhë!” Si e dënonte Enver Hoxha “imoralitetin” në vitin 73’ Read More »

Janë me mijëra dokumente, që e vërtetojnë që Çamëria e Himara ishin shqiptarë në mesjetë

Pëllumb Xhufi

Që Çamëria e Himara ishin shqiptarë në mesjetë, historiani Pëllumb Xhufi nuk ka asnjë dyshim. Janë me mijëra dokumente, që e vërtetojnë këtë.

Në veprën e tij voluminoze “Arbërit e Jonit, Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII”, ky është një fakt i kryer. Në çdo dokument të huaj, nga Vlora në Prevezë, thërriteshin shqiptarë e flisnin shqip.

Dje, në sallën “Aleks Buda”, historiani Pëllumb Xhufi prezantoi veprën e tij, me të cilën fitoi Çmimin “Çabej”, akorduar nga Akademia e Shkencave. Një vepër e mbështetur nga Instituti i Albanologjisë dhe botuar nga “Onufri”. Përpara një auditori studiuesish e historianësh, Xhufi bëri një ekspoze të punës së tij disavjeçare, duke vënë në dukje se sa shumë dokumente ka për historinë e Shqipërisë, por që fatkeqësisht nuk shfrytëzohen. Të tilla janë arkivat e Venedikut, që sipas tij janë një thesar i vërtetë. “Arbërit e Jonit” shtrihet në një periudhë kohore mes shek. XV-XVII dhe ofron një informacion të gjerë mbi jetën e shqiptarëve në këto treva. Jetën politike, ekonomike, kulturore, pushtimin osman dhe marrëdhënien me Perëndimin.

Xhufi evidenton rolin e luajtur në ngjarjet historike të atyre shekujve nga shqiptarët e Labërisë, të Himarës, të Delvinës e të Çamërisë. Fushata ushtarake, beteja e kryengritje shpeshherë të panjohura mbushin e pasurojnë njohuritë e deritashme për historinë e së ashtuquajturës “Shqipëri e Poshtme” në shek. XV-XVII.

STUDIMI

Ngasja për t’u marrë me këtë periudhë dhe këtë hapësirë, duket se ka qenë e hershme për historianin, por gjetja e një dokumentacioni të pasur e bëri atë realitet. “Nxitja për këtë vepër ka ardhur për të sjellë diçka të re në fushën përkatëse, konkretisht në periudhën e Mesjetës, në të cilën shihja zbrazëtira.

Këtë zbrazëti, sidomos në trevat e jugut, e kemi hasur që herët, që në periudhën kur unë isha student. Zbrazëtira që vinin edhe nga premisa konceptuale, po t’u referohemi edhe kolosëve austriakë të mesjetës shqiptare, të cilët kanë bënë një punë të lëvdueshme, kanë botuar një korpus prej dy vëllimesh me dokumente mesjetare, kanë bërë edhe vepra, monografi, studime, artikuj, por për ta Shqipëria mesjetare vete deri në Vlorë. Kjo përkon edhe me pozicionin politik që kishte Austro-Hungaria në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX.

Kur Austro-Hungaria erdhi në Shqipëri gjatë Luftës I Botërore u shtri deri në afërsi të Vlorës”, thotë Xhufi, teksa shton se edhe albanologë të tjerë të shquar kanë marrë si objekte studimi zonën e Shkodrës e të Vlorës. “Dyzimi im ka ardhur në vitet e studimeve, që përkuan me dy momente të rëndësishme: botimin e korpusit të dokumenteve veneciane nga Giuseppe Valentini, një korpus me 24 vëllime, i cili për herë të parë e shtrin vështrimin në të gjithë habitatin jugor të shqiptarëve, duke sjellë dokumente me rëndësi që në shek. XV, për të cilat ia vlente të shkruaje.

Një tjetër nxitje më ka ardhur nga një profesor i imi, Giuseppe Schiro, me origjinë arbëreshe, i cili kishte gjetur një kronikë të divulguar në gjuhën greke që qe botuar në vitin 1974, një histori e shqiptarëve në zonat e jugut, në Delvinë, Çamëri etj.”. Edhe pse kishte dokumente të bollshme, sërish nuk ishin të mjaftueshme për të kapur të gjitha aspektet e jetës së arbërve të Jonit gjatë mesjetës.

“Nuk dëshiroja të ishte thjesht një histori politike, por të përfshinte të gjitha aspektet, ekomomike, kulturore, të institucioneve, të feve, madje diapazoni u hap edhe më tepër, duke pasur në dorë një dokumentacion venecian”. Dokumentacioni i përdorur përbëhet nga 33 dosje voluminoze.

DEFORMIMET

Historia ka qenë gjithnjë nën shërbimin e politikës dhe ideologjisë e, me sa duket, kjo ka shërbyer jo vetëm në hartimin e saj, por edhe përkthimin e dokumenteve. Gjatë punës studimore, Xhufi vuri re se në dokumentet e përkthyera në gjuhën greke, kishte deformime termash.

“Fatkeqësisht, rreth 20 dokumente janë botuar në gjuhën greke. Kërshërinë time e shtoi edhe fakti që në këto dokumente në gjuhën greke, ndesha në disa gjëra, që më shtynë të dyshoja dhe të shihja origjinalin venecian. Ndeshja shprehje si kryengritësit epirotë, krerët epirotë. Nga eksperienca ime këta terma zhduken në mesjetë dhe doja të dija nëse ishte e vërtetë që përdorej termi epirot në dokumentet veneciane. Dhe më doli se kisha të drejtë. Nuk ishte e vërtetë. Në rastet kur përdoret epirot, origjinali e ka shqiptarë.

Me këtë dua të them edhe se sa i rëndësishëm është kontakti me dokumentet origjinale. Dhe nëse kam bërë një punë të vlefshme është raporti im me këtë dokumentacion venecian”, thotë Xhufi, sipas të cilit në Venecia ka një minierë të jashtëzakonshme. “Unë jam e bindur se historia e Shqipërisë nga shek. XV-XVIII do të ribëhej nëse do të kishim mundësi të sillnim ato dokumente.

Vetëm në një fond unë arrita të shoh rreth 100 regjistra, por janë 1140 regjistra, vetëm në një fond. Dhe fondet me interes për Shqipërinë janë mbi 20 dhe kanë nevojë të shkohet të punohet në mënyrë sistematike, të programuar, me grupe pune, që do të dojë vite”. Sipas tij, ne kemi studiues të rinj që e njohin latinishten, që mund të merren me qëmtimin e dokumentacionit të vlefshëm për historiografinë shqiptare.

HAPËSIRA SHQIPTARE

Dokumentet që ka shfletuar Pëllumb Xhufi, nuk lënë asnjë shteg për manipulime. Habitati shqiptar sipas tyre shtrihet deri në gjirin e Prevezës. Kësisoj, debatet për Çamërinë, e aq më shumë Himarën, janë të ezauruara tashmë. Xhufi e ka thënë edhe më herët se

“Nuk kam gjetur asnjë dokument venecian, spanjoll… që të thotë se Himara është greke”. Për veprën e tij, ai ka marrë në shqyrtim “pjesën e bregut të Jugut që i përkiste habitatit shqiptar, që shtrihet nga Vlora, afërsisht deri në Gjirin e Prevezës, e cila në të gjitha periudhat e Mesjetës ka përbërë një etnitet të veçantë gjeopolitik, dikur si provinca e Epirit të Vjetër, në antikitetin e vonë, më tej si Nikopoli, në periudhën osmane si Sanxhaku i Vlorës, i cili jetoi rreth 50 vjet dhe kishte shtrirjen nga Vlora, Berati deri poshtë në Gjirin e Prevezës, për të shkuar në periudhën e Ali Pashë Tepelenës që nyjën kryesore të territoreve të tij e kishte në këtë shtrirje gjeografike.

Pra, ishte një etnitet i veçantë, i cili ka pasur shkëmbime ekonomike, tregtare etj.”, territoret shqiptare kanë shërbyer herë si urë, e herë si hendek për Perëndimin. Për Perandorinë Osmane ishte porta për në Perëndim. “Gjatë periudhës që unë kam marrë në studime në shek. XV-XVII, kjo është një nga zonat më nevralgjike të atij kufiri që Perandoria Osmane vuri me Perëndimin.

Që këtu Perandoria Osmane tentoi të çajë drejt Perëndimit për të pushtuar Italinë në Jug, nga Vlora në 1481, ku patën një farë suksesi me pushtimin e Otrantos dhe po prej këtij territori u nisën ushtri dhe flotat osmane për të pushtuar bastionet e fundit të Venedikut si ishulli Korfuzit apo ishujt e Jonit. Është një periudhë e mbushur me ngjarje të mëdha si lufta e Lepantos, me rezonancë të jashtëzakonshme në këtë trevë, që dokumentet e fillimit të shek.

XV e njohin si Shqipëria e poshtme. Lufta veneto-osmane, pastaj lufta për pushtimin e Kretës. Për të gjitha këto ngjarje ky territor ka shërbyer si një prapavijë, ku venecianët, të interesuar për të ruajtur korridorin në detin Adriatik, donin të ngrinin vatra rezistence të popullsisë shqiptare që t’i krijonin probleme Perandorisë Osmane, në mënyrë që ajo të mos e përdorte flotën e saj në frontin e Kretës apo të Danubit, në Veri me austrohungarezët, por t’i mbante të gozhduara në këto territore”, sqaron Xhufi.

HISTORI POLITIKE

Histori sulmesh, tërheqjesh, pushtimesh e shkatërrimesh. “Është një histori politike e mbushur me ngjarje, personazhe, kryengritje, luftëra, me emra e data (historia kjo është) dhe mendoj se ka ngjarje të cilat trajtohen për herë të parë, si pushtimi i Vlorës nga venecianët në 1690, në kohën e luftës së Kretës dhe ripushtimi i kështjellës së Vlorës dhe Kaninës rreth 6 muaj më vonë.

Për këtë kam shfrytëzuar një dosje, ku përshkruhet me hollësi të habitshme edhe historia e kështjellës tetëkëndëshe, e cila nuk ekziston më, hedhja në erë, shkatërrimi i saj. Dhe kapitulli mbyllet me venecianët që tërhiqen duke parë nga deti si hidhet në erë kështjella. Por historia nuk mbaron këtu. Në një nga kërkimet e mia të mëvonshme, në një dokument zbulova se kështjella e Vlorës dhe e Kaninës u rindërtuan nga turqit pas 10 vjetësh.

Po kështu, edhe Kalaja e Butrintit, e cila merret dhe rimerret nga venedikasit dhe turqit dhe që rezulton të jetë ndërtuar nga turqit”. GJUHA SHQIPE Edhe pse jo e dokumentuar, ishte e sigurt se në këto troje flitej shqip. “Në aspektin kulturor jemi në një zonë, ku ndryshe nga Veriu shqiptar, nuk kemi të dhëna për kultivimin e gjuhës shqipe. Të dhënat flasin për një identitet shqiptar gjithsesi, sepse shqiptarët në këto dokumente shoqërohen me etiketën shqiptar. Fshati shqiptar, shqiptari, shqiptari Gjon etj.

Ajo që është interesante është që faktori i gjuhës te të huajt është shumë i fortë edhe në Jug. Ne e dimë nga historia e gjuhës shqipe që përmendja e parë e gjuhës shqipe është një dokument i vitit 1285 në afërsi të Raguzës, ku në një proces gjyqësor një tregtar thotë: ‘Dëgjova në mal një zë që bërtiste në gjuhën shqipe’.

Në Jug kemi të dhëna të tjera që shqiptarët flisnin gjuhën e tyre, gjuhë nga e cila identifikoheshin kryesisht. Për gjuhë të shkuar kemi një të dhënë në vitin 1590, kur Mbretëria e Napolit interesohej shumë për këtë trevë. Në krye të këtij rrjeti që vinin nga Napoli, në Himarë kryesisht ishte Jeronim Kombi. Ai ishte një shqiptar, nga ata të emigracionit shqiptar në Qipro, i cili kishte kaluar në Itali. Për këtë personazh, dokumenti napolitan thoshte se ishte caktuar si shef i rrjetit në Shqipëri, sepse di të flasë dhe të shkruajë shqip.

Për fat të keq, ai ka lënë edhe letra të shkruara, por ato janë në gjuhën italiane. Pastaj dihet se në fillim të shekullit XVIII kemi një aksion të Patrikanës për të fituar pozitat në këto treva; Himarë, Delvinë, Çamëri, për të ngritur shkolla greke dhe forcuar kisha. Frekuentuesit kanë qenë edhe shqiptarë, por nuk mund të flasim për shkolla shqipe”, shprehet historiani, Pëllumb Xhufi.

Janë me mijëra dokumente, që e vërtetojnë që Çamëria e Himara ishin shqiptarë në mesjetë Read More »

Kur Kosova dhe Çamëria e kishin Qeverinë në Tiranë

Kaluan katër breza nga koha e Luftës se Dytë Botërore dhe në arenën publike të ujërave të ndotura me ideologji kanë mbetur më  pak njerëz që  gjykojnë kombin me syzet e ideologjisë politike.
Pas 100 vjetësh do kalojnë edhe katër breza të tjera të cilët  akoma me shume nuk do duan t’ia  dine për ideologjitë e viteve 1940.

Ndërkohë që tek fqinjët tanë ideologjia është etni , që përdoret vetëm për të zmadhuar territoret mbi kurrizin e shqiptarëve, në Shqipëri ndodh e kundërta.
Të jetosh në Tokë dhe të sillesh sikur banon në Hënë do të thotë ti përkasësh ‘elitës  shqiptare’ nga ana e ideologjike sepse vetëm shqiptarët nuk gjykojnë si etni por gjykojnë mes ideologjisë fetare dhe politike.

Rexhep Mitrovica i përkiste asaj elite që interesohej për mëmëdhe dhe jo për ideologji por mjerisht shpura ideologjike me fole në Beograd ia doli të nxis vëllavrasjen ideologjike shqiptare.
Kjo shpurë i ka rrënjët e thella dhe sot kësaj dite. Me 1944 vdiq koha e burrave dhe ka ardhur koha e ‘burecave’. Altin Kocaqi

Rexhep Mitrovica

Më 14 shtator 1943 në Tiranë u formua një këshill provizor prej 22 vetash, i cili shpejt zgjodhi një Komitet Ekzekutiv Provizor prej shtatë vetash që kryesohej nga Ibrahim Biçaku. Ky Komitet Ekzekutiv Provizor do të drejtonte punët e shtetit deri në formimin e një qeverie legale, do të bënte shpalljen publike mbi gjendjen në Shqipëri të njohur nga Berlini si shtet të pavarur, do të marrë masa për të sjellë rregull e qetësi në kryeqytet e në vendet e tjera, do të pranojë dorëheqjen e qeverisë së kohës të kryesuar nga Eqrem Libohova, do të ndikojë në lirimin e dy mijë të burgosurve politik që mbaheshin në kampin Porto-Romano në Durrës etj.

Berlini e pranoi qeverinë, nuk mori masa të imponimit të një administrate ushtarake që zakonisht e karakterizon sundimi e zaptimi i huaj në kohë lufte. Organet e sigurimit ushtarak gjerman vazhduan të mbajnë qëndrim të mospërzierjes në çështjet e brendshme shqiptare.
Pushtuesit gjerman nuk arritën të shfrytëzojnë prodhimet e ekonomisë shqiptare. Në saje të pasurisë bujqësore-blegtorale të Kosovës, në Shqipëri kishte një bollëk të jashtzakonshëm në gjëra ushqimore dhe në mallëra industriale. Ushtarët gjerman ishin të detyruar që të blejnë mallra në tregun shqiptar me franga shqiptare.

Më 16 tetor 1943 u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës” të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, Anton Harapi, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943 Regjenca emëroi qeverinë me kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore.

Asambleja Kombëtare e përgjithshme që përbëhej nga përfaqësues të të gjitha viseve të Shqipërisë dhe atyre të përtej kufijve të vitit 1913, pra kurrë në historinë shqiptare nuk ishte përfaqësuar nga të gjitha krahinat që flasin gjuhën shqipe, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe neutralitetin e saj.

Bashkëpunimi i kryeministrit me gjeneralin gjerman për Evropën Juglindore, Nojbaher, në fillim jepte rezultate të kënaqshme për kapërcimin e vështirësive të shumta me të cilat po ballafaqohej populli shqiptar.
Ish deputeti i parlamentit të parë demokratik shqiptar, ish Ministri për Arsim, pjesëmarrsi në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i parë i Lidhjes Popullore Shqiptare në Mitrovicë, kryetari i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, nacionalisti dhe personaliteti i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare, që u sakrifikua shpesh për t’i shërbyer momentit kritik në të cilin po kalonte kombi, Rexhep Mitrovica, formoi kabinetin e tij që kishte në përbërje mjaft personalitete me edukatë shkollore të lartë, që nuk ishin vegla të fuqisë së huaj me këtë formacion: Rrok Kolaj, Ministër i Drejtësisë, Xhafer Deva, Minitër i Punëve të Brendshme (shtator 1943-qershor 1944), Ago Agaj, Ministër i Ekonomisë, Sokrat Dodbiba, Ministër i Financave, Musa Gjylbegaj, Ministër i Botores, Kolë Tromara, Ministër i Kulturës e Propagandës, Eqrem Çabej, Ministër i Arsimit, Bahri Omari, Ministër i Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, Qazim Bllaca e Ernest Çoba- nënsekretarë të shtetit.

Qeveria e tij kishte nën administrimin e vet pjesën më të madhe të Kosovës të bashkuar me Shqipërinë. Ajo nuk kishte përfaqësimin e asnjë force politike ose konsensusin e forcave politike kryesore që dominonin skenën luftarake në Shqipëri, përkundrazi, përfaqësonte kombin shqiptar deri në Mitrovicë, mbështetej brenda vendit dhe premtonte se do të siguronte normalitetin në kushte të pushtimit në mënyrë që Shqipëria mos të dilte e shkatërruar nga lufta.

Partia Komuniste e denonconte qeverinë e Rexhep Mitrovicës duke e quajtur qeveri kolaboracioniste, qeveri kukull naziste, tradhtare të idealeve kombëtare etj. Zjarri i luftës vëllavrasëse po ndizej dhe atij më shumë po i frynin Dushan Mugosha e Miladin Popoviqi përmes disa komunistëve shqiptarë.
Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave në një letër që ua dërgonte komunistëve shqiptarë të udhëhequr nga D. Mugosha e Enver Hoxha, ndër të tjera, me cinizëm, thuhej: “Të ngresh çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, do të thotë t’u japësh dorën reaksionarëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe vetë armikun…Jugosllavia e re që po ndërtohet, do të jetë një vend i kombeve të lira dhe, si rrjedhim, nuk do të ketë vend për shtypje kombëtare të pakicave shqiptare”(Rexhinald Hilbert, Fletorja e Hidhur, f. 12.).

Gjatë kohës së qeverisjes së Rexhep Mitrovicës nuk ka pasur parti naziste në Shqipëri, nuk kanë ekzistuar formacione përkatëse të organizuara të rinisë shqiptare. Në godinën shtetërore ose në qendrat tjera publike ka valuar vetëm flamuri shqiptar pa asnjë shenjë, nuk janë ekspozuar fotografi të udhëheqësve të huaj, as nuk janë përkrahur përshëndetjet e huaja. Qeveria e Tiranës, të cilën e ushëheqte Rexhep Mitrovica, i vuri vetes për detyrë që të parandalojë depërtimin e ideologjisë komuniste dhe ndikimin serbosllav.

Rexhep Mitrovica kishte shpresë të madhe dhe shpesh e përkrahte mendimin e Xhafer Devës se vetëm anglo-saksonët janë shpresë e vetme e shqiptarëve që t’i shpëtojnë ata nga kuçedra sllavo-komuniste. Kabineti i qeverisë me Rexhep Mitrovicën, Kolë Tromarën, Xhafer Devën etj. punoi në drejtim të ruajtjes së rendit e qetësisë, duke iu kundërvënë asaj kategorie njerëzish, të cilët thoshin se Kosova nuk i përkiste Shqipërisë, se nuk e donin bashkimin e Kosovës për të mos ndryshuar përpjestimin fetar etj. Në këtë kohë, thoshte Ago Agaj, kur populli shqiptar kishte humbur plotësisht orientimin, duhet bërë përpjekje të mëdha, duhet bërë sakrifica të mëdha për ta vetëdijësuar e bashkuar atë.

Kur Kosova dhe Çamëria e kishin Qeverinë në Tiranë Read More »

Shqipëria e Ali Pashë Tepelenës, kishte mbi 150 mijë kilometra katrorë

Të gjithë sot flasin për Shqipërinë e madhe, ndërsa kur numërojmë territorin e saj, ai nuk i kalon as 6o mijë kolometra katrorë. Pra, sikur e ngatërrojnë qëllimisht Shqipërinë etnike, e cila edhe aktualisht më shumë se një qindmijë kilometra katrorë, dhe prapë është shumë e vogël se “Shqipëria e pavarur” – “Indipendent Albania” e Ali Pashë Tepelenës.

Ky projekt që për fatkeqësinë e shqiptarëve nuk u realizua u kthye në kob për një komb të tërë, është Shqipëria e vërtetë, e mbijetuar pjesërisht prej Ilirisë, kur ishte disa herë më e madhe se sa ky projekt-shtet i Ali Pashës.

Por, shteti i Ali Pashës përfshinte gati të gjithë shqiptarët në Ballkan, dhe pa dyshim që sot do të ishte shteti më i madh me territor pas Rumanisë, dhe po ashtu popullsia nuk do të ishte më pak se njëzet milionë shqiptarë.

Greqia vështirë se do të ekzitonte si shtet, po ashtu as Mali i Zi nuk do të krijohej dot, dhe as që bëhet fjalë për ekzistimin e Maqedonisë, ndërsa Serbia edhe nëse do të ishte krijuar nuk do të kishte as sot territor më të madh se sa pashallëku i Beogradit.

Sipas dokumenteve të gjetura në Angli nga Irakli Koçollari, Ali Pasha kishte marrë të gjitha masat për krijimin e shtetit shqiptar dhe këtë e kishte bërë në pajtim me tre pashallqet tjera shqiptare. “Ali Pasha kishte deklaruar: “Unë jam përgatitur dhe i kam marrë të gjitha masat që në një moment të caktuar, unë të shkëputem dhe të shpall pavarësinë e atdheut tim”.

Vetëm territori i principatës së Ali Pashës do të shtrihej në këtë hapësirë: Nga Elbasani, pra si veri kishte Shkumbinin dhe më pas në Ohër, deri në afërsi të Manastirit, gjithë territoret e Maqedonisë së sotme, deri në afërsi të Selanikut më pas në Thesali, Magnezi e Peloponez, pa përfshirë këtu Athinën, edhe pse në atë kohë nuk ishte ende një qytet, por një fshat i banuar nga arvanitasit”.

Ku do të shtrihej më tej ky shtet?

Ali Pasha ishte kategorik se marrëveshja ishte bërë me dy pashallarët tjerë në veri, por edhe me një pasha më në jug në Greqi, që sundonte tokat shqiptare: “Unë kam biseduar edhe me ata të dy dhe ne kemi rënë dakord që të krijojmë një shtet të përbashkët me të gjitha pashallëqet, madje bashkë edhe me ne të tre, pra Shkodrës, Beratit dhe Janinës, do të bashkohet edhe Selim Pasha i Seresit”. Seresi është një qytet në Greqi, u kishte deklaruar Ali Pasha britanikëve.
Sipas shtrirjes së Pashallallëkut të Janinës, dhe të atij të Serezit, i bie që rreth gjysma e Greqisë së sotme të ishte shtet shqiptar, më së paku 6o mijë kilometra katrorë, plus territori i Shqipërisë së sotme, dhe territori i Maqedonisë së sotme, që bëjnë së bashku afër 54 mijë kilometra katrorë, Kosova e sotme dhe Sanxhaku, shumica e territorit të Malit të Zi dhe një pjesë tjetër e Serbisë deri tek portat e Nishit, do të përbënin rreth 50 mijë kilometra katrorë të tjera, dhe me një përfarim, shteti shqiptar i Ali Pashë Tepelenës së bashku me tri pashallëqet tjera do të kishte jo më pak se 150 mijë kilometra katrorë dhe mund të shkonin me një nxitje të bashkimit të shqiptarëve për rreth deri në rreth 200 mijë kilometra katrorë. Dhe vërtetë Athina sot do të fliste shqip, dhe do të kishte qenë punë e kryer bashkimi i saj, meqë ishte fshat që në lindjen e shtetit shqiptar.
Pra, kjo është historia e fshehur dhe e patreguar nga historianët tanë, dhe e mbajtur fshehur me detyrën e imponuar nga fqinjët sllavë dhe grekët e sotëm, që kryesisht janë shqiptarë.SHQIPTARI.EU

Shqipëria e Ali Pashë Tepelenës, kishte mbi 150 mijë kilometra katrorë Read More »

Enver Hoxha lejoi UDB të pushkatonte në Shqipëri mbi 1000 shqiptarë të Kosovës

Për librin e historianit Paskal Milo, “Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore”, Uran Butka ka rezervat e tij. Ai ka bërë një replikë me Milon, duke u ndalur veçmas te Masakra e Tivarit, e vitit 1945, që është një nga tragjeditë më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve.

Masakra e Tivarit është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së vërtetës.

Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar. Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviqit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”.

Për Çubriloviqin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, hercegovas, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare. Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim konkret i PKJ dhe i Lëvizjes NÇJ ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dhanë, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50 për qind të banorëve shqiptarë” (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1).

Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944 komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë, gjenerallejtënant Peko Dapçeviq. Tito, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V. Stoiniq, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç (Arkivi i FA, F.Shtabi i Pergj.).

Pala shqiptare u tregua e gatshme. Pasi vrau me mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të Veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (!943-1944), komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, më 12 shtator 1944, i dha urdhër korparmatës të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë (Dokumente, Shtabi Përgj.vol.II). Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviq, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I: “Lajmëro Pavlen (Pavle Joviçeviq, shën.im UB) se dy brigadat shqiptare, së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!” (Aqsh, Fondi 14). Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I: “Të mos i tregohet inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”( AQSHs, F.14). Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit e më pas “Besa Kombtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH ), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij kombëtare. Në këto kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”. E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve, pa treguar as më të voglën tolerancë”(Arkivi i FA dosja 45 v.1944).

Në muajin nëntor 1944, u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI (brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Komisari politik Ramiz Alia thotë në një intervistë se ka qenë në Bosnjë, kur ndodhi masakra. Nuk është e vërtetë. Më 3 mars 1945, ai dhe Divizioni V ndodheshin në Mitrovicë, mandej në gjithë Kosovën (Dokumenti i datës 3.03. 1945 i Shtabit të Përgjithshëm).

Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në URDHËRVEPRIMIN e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë: “Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet” (AQSH Foni.181 d.45).

Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovice e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviç (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411). Masakra e Drenicës ishte prologu i Masakrës së Tivarit.

Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito, pushteti ushtarak. Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, deri sa Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe deri sa u bënë zgjedhjet, ku fitoi Fronti NÇ i Jugosllavisë. E konfirmojmë këtë edhe me Radiogramin e Reiz Maliles, zv.komisarit të Div.V: “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë.”

Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim te brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e divizioneve e brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që u vunë nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivorë, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonet) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është i dokumentuar.

Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim, si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz.V dhe VI tek ushtria jugosllave. Rahman Perllaku, i implikuar në këto ngjarje, për t’i shpëtuar përgjegjësisë, thotë se janë të falsifikuara(!) Lista e parë përmban 190 veta, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës. Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar (AQSH, F.14 d.206 v.1945).

Po kështu edhe lista të Divizionit VI dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin tek ushtria jugosllave.

Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës: “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë” (AQSH, F.206, v.1945).

Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, që besonin te thirrjet e Komandës së Divizioneve të V dhe VI të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht Oznës dhe Komandës Ushtarake jugosllave dhe përfundonin si mish për top në kolonat e vdekjes, që ushtria jugosllave i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar apo më tutje. Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, tregonte sesa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhet të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit.

Të dhënat burimore ushtarake jugosllave tregojnë se ata që u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut, ishin 13.323 rekrutë shqiptarë. Nuk kishte asnjë rekrut serb, malazez apo maqedonas. Përse? Dihet, për të asgjësuar vetëm shqiptarë. Përse i kaluan nëpër territorin e Shqipërisë, kur kishin edhe rrugë të tjera për në Istria? Për t’i asgjësuar. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur “Golgota e madhe Shqiptare”, konstatonte Zekeria Cana.

Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe u bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën( Arkivi i Luftës i Jugosllavisë, k.1411).

Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (Ark.Min.Jashtme, v.1949, D.191).

Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu: “Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundër tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin” (B.Spahiu, Pretenca ne gjyqin e K.Xoxes, 1949). Autorizimin (lejen) për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e më se 1000 kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë ia faturuan Koçi Xoxes, si një kokë turku, për t’ia ngarkuar atij gjithë përgjegjësitë e kësaj masakre.

Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmëshekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë. Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes (Arkivi MB, D.1623).

Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare. “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish”( A.Hajdini, Letër e hapur).

Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie. Kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj. “Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare dhe i pushkatuan para syve të kolonës, si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, deri sa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!” (A.Hajdini, Masakra e Tivarit).

Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë. Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit, ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.

Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviç. Edhe nga kolonat e tjera me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën. Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 – 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por, sipas dëshmive të të mbijetuarve, ky numër i kalon të 4 000. Nga këta, sipas dokumenteve të Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër. Sipas Azem Hajdinit dhe dëshmitarëve të tjerë, nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën 1500 shqiptarë të Kosovës.

Enver Hoxha lejoi UDB të pushkatonte në Shqipëri mbi 1000 shqiptarë të Kosovës Read More »

Dokumentet e CIA, ja si u lëshua në Shqipëri agjenti T5

Dokumentet e CIA, ja si u lëshua në Shqipëri agjenti T5, përplasjet me armë me jugosllavët dhe grekët, vështirësitë gjatë misioneve dhe përballja me fshatarët, ja si shfrytëzoheshin nga UDB shqiptarët e arratisur

Dalin në dritë të tjera detaje mbi lëvizjet e shërbimit inteligjent amerikan gjatë regjimit komunist, për rrëzimin e Enver Hoxhës. Në disa dokumente të deklasifikuara tregohen detaje nga misionet. Në një dokument të vitit 1953 tregohet se si një agjent i CIA, i njohur si “T5” u dërgua në vendin tonë bashkë me një grup tjetër. Aty tregohen detaje nga aktivitetit i tij. Sipas dokumentit, agjenti gjatë lëshimit humbi kontaktet me grupin tjetër dhe u detyra të operonte i vetëm.

Bëhet fjalë për një agjent me origjinë nga Kosova. Aty tregohet se si ai u detyrua të luftonte me ushtarë jugosllavë dhe grekë, teksa tregohen dhe kontaktet e tij me fshatarë të ndryshëm. Po ashtu tregohet se një pjesë e madhe e shqiptarëve që arratiseshin drejt Jugosllavisë kryesisht dërgoheshin për të punuar për hapje rrugësh dhe ndërtime, ose bëheshin agjentë të UDB.

23 nëntor 1951

Raport i detajuar operacioni infiltrimi

Për arsye të nervozizmit të lartë të shfaqur nga agjenti T5 para lëshimit, ka mundësi që të mos ketë marrë rrahjen në shpatull (sinjalin e hedhjes) para daljes nga avioni, edhe pse T5 insiston se është goditur nga shpërndarësi. Ndryshimi i planeve të grumbullimit gjatë udhëtimit për në vendin e lëshimit është diçka e vështirë për të kuptuar dhe kjo bëri që T5 të mendonte se po braktisej qëllimisht nga grupi. Pas lëshimit agjentët ishin aq të shpërndarë sa nuk u shërbeu as trajnimi i tyre për grumbullimin me anë të sinjaleve të zërit. Taktikat e rigrupimit kanë funksionuar me grupe të tjera kur ato kanë rënë në distancë të mbulueshme nga dëgjimi. T1 dhe pjesa tjetër e grupit kishin urdhër të vendosnin sa më shpejt komunikimet radio dhe nuk është e mundur që ato të kenë menduar të braktisin T5, veçanërisht kur vareshin prej tij për mbështetje. T1, 2 e 3 e njihnin mirë zonën dhe besonin se do të gjenin së shpejti T5, por ky gabim gjykimi ndodh shpesh dhe një plan i parapërgatitur është shumë më mirë sesa përpjekja për të gjetur njëri-tjetrin me shans.

Përplasja me jugosllavët

Tre të shtëna pushke të dëgjuara nga T5 mund të kenë qenë pistoleta e përdorur nga grupi për grumbullim, në rast urgjence. T5 pati disa përplasje me patrullat jugosllave dhe ka vrarë disa ushtarë jugosllavë, e në një rast një informator civil. Autoritetet jugosllave nuk kanë dyshime se T5 është një agjent i besueshëm shqiptar me mision të CIA. Por veprimet e T5 në Jugosllavi tregojnë një urrejtje të madhe të tij për Titon dhe kjo mund të ndikojë te informacionet e kaluara te ne mbi Jugosllavinë. Më 16 gusht 1951, T5 u nis me avionin drejt zonës së lëshimit, por raportonte disa detaje që mund të hedhin dritë mbi mungesën e organizimit të operacionit. T5 raporton se u ndje i trullosur sapo u hap dera e avionit dhe kjo nuk u shkaktua vetëm ngaqë shikonte jashtë por ngaqë dalloi disa shenja të dukshme zjarri që lëshoheshin drejt avionit. Agjenti T1 bëri dy ndryshime të instruksioneve gjatë rrugës, në lidhje me vendin dhe kohën e lëshimit. T5 raporton se ndryshimi i vendit të takimit iu tregua vetë agjentëve T1, 2 e 3. T1 instruktoi T2 e T3 që nëse nuk takoheshin në lëshim, ta gjenin njëri-tjetrin me anë të miqve që njihnin në zonë, kurse T5 nuk u përfshi në këtë plan, në një kohë që ai nuk e njihte zonën.

Kur iu dha sinjali i përgatitjes, T5 u pozicionua pranë derës së avionit, dhe do të lëshohej kur të merrte sinjalin e rrahjes në shpatull. Sapo e ndjeu atë T5 doli nga avioni dhe hapi parashutën. Ai thotë se u habit kur gjeti tokën e pjerrët me rreth 20-30 gradë, teksa parashuta e përfshiu dhe e bëri të rrokullisej poshtë dishezës. T5 nuk e njihte zonën por u mundua të qëndronte disa kilometra pranë zonës së lëshimit me shpresën për të rigjetur grupin e agjentëve të tjerë.

Takimi me banorët

Rreth shtatë ditë pasi u lëshua në Shqipëri T5 i foli në gruaje të vjetër në jë fshat për t’i kërkuar ushqim. Ajo e paralajmëroi se kishte patrulla pranë fshatit dhe se ishte e rrezikshme të shkonte në shtëpi me të. Ajo i dha më vonë ca bukë me djathë. Një ditë më vonë T5 mori drejtimin për në Jugosllavi. Rrugës hasi në disa fshatarë që e pyetën nëse ishte Liman Peposi. T5 u përgjigj fillimisht se ishte Peposi, por kur po dukej se nuk ishte Peposi, u tha se ishte njeriu i Peposit. Burri i vjetër i tha nuk kishin dëgjuar prej kohësh për të dhe vrisnin mendjen ç’ishte bërë me të.

Përplasja me grekët

Dy ditë para se T5 të arrinte në kufirin me Jugosllavinë, hasi tre patrulla në drejtim të tij, të cilat pasi morën pozicionet, hapën zjarr kundër tij. Uniformat e tyre ngjanin me ato të ushtarëve grekë. Pas rreth një orë përpjekje ai arriti të çante rrethimin. Më 30 gusht T5 kaloi në Jugosllavi dhe takoi një burrë të vjetër në zonën e ndaluar të kufirit. Burri i vjetër i tha se Gostivari ishte gjashtë orë larg nga juglindja. T5 eci për disa ditë por në vend të vazhdonte në drejtim të Greqisë, shkoi në fshatin e tij, Gjilan të Kosovës, ku ishte i sigurt se do të merrte ushqim dhe strehim. Më tej ai vizitoi fshatin e Kabashit ku vizitoi shtëpinë e Xhemal Hazizit. Ata fillimisht kishin frikë ta strehonin T5, por e pranuan me kusht që fëmijët e tyre të mos dinin për prezencën e tij. Pesë ditë pasi kishte ardhur në Kabash T5 i tha Selmanit të sillte kunatin e tij Rexhep Tërpeza, i cili është kryetari i komunës së Tërpezës. Pasi erdhi ai tha se shqiptarët e Kosovës ishin anti-titoistë dhe dëshironin fuqimisht bashkimin me Shqipërinë, qoftë edhe nën regjimin e Hoxhës. Sipas tij kosovarët mendonin se nëse bashkoheshin me Shqipërinë ata do të kishin mundësi të vepronin më shumë kundër regjimit të Hoxhës. Terpeza informoi gjithashtu T5 se kosovarët janë konfuzë me afrimin aktual në marrëdhëniet Jugosllavi-SHBA. Ata nuk e kuptojnë përse SHBA ndihmon Titon, i cili pretendon se është komunist. Kosovarët kanë parë shumë produkte amerikanë, edhe pse ato shiten me anë të kooperativave. Terpeza the se vetëm një pjesë e vogël shiten në tregun e lirë dhe kjo ndodh në qytetet e mëdha ku ka amerikanë. Terpeza tha se shqiptarët që largoheshin në Jugosllavi viheshin në punë në ndërtimin e rrugëve dhe në disa raste ato dërgoheshin si klandestinë ne Shqipëri për llogari të shërbimeve sekrete UDB. Ai tha se edhe një grup britanik kishte ardhur në Jugosllavi nga Shqipëria. Atyre u ishte thënë të largoheshin në Jugosllavi në rast nevoje, pasi jugosllavët do të siguronin lirimin e tyre. Por pasi u vunë në punë në riparimin e rrugëve disa prej tyre u larguan përsëri për në Shqipëri me shpresë të arrinin në Greqi.

T5 mësoi prej tij se jugosllavët kishin një kamp për refugjatët shqiptarë në Vuçiterna. Aty shqiptarët ndaheshin në dy kategori: ata që viheshin në punë dhe ato që merrnin ushqim dhe strehim pa punuar. Ai nuk dinte arsyet e kësaj ndarjeje. Terpeza tha se kishte aktivitete rezistence në zonat e Jakovës e Rugovës, por nuk dinte më shumë. Ai tha se Hasan Alia nga Remniku kërkohet nga forcat qeveritare që prej vitit 1944. Ai mund të ketë dalë në mal dhe mund të jetë aktiv me grupet e sipërpërmendura të rezistencës. Kur arriti në Greqi T5 u mor në pyetje nga një oficer grekpër rreth tre-katër orë, ku T5 tregoi detaje të aktivitetit të tij në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Komentet

Meqenëse T5 nuk i gjeti dot shokët e tij të lëshimit, ai mendon se është braktisur nga tre anëtarë të grupit, të cilët ndryshuan vendin e takimit dhe nuk e përfshinë në planin e ri. Sipas një memorandumi të 17 prillit 1951, Liman Peposi dhe Tahir Vata janë rekrutuar nga CIA në prill 1951. Rekomanduesi i tyre ka qenë Muharrem Bajraktari. Ministria e Brendshme ka raportuar se agjenti T6 është vrarë prej tyre. Sipas edicionit të qershorit 1951 të gazetës Atdheu, Hasan Kabashi është vrarë gjatë përpjekjeve me komunistët jugosllavë më 15 tetor 1951. Atdheu është organ i partisë së Legalitetit. Duket se personi me të cilin janë takuar T2 e T3 në Kastoria, është Tahir Ademi.

6 tetor 1952

Memorandum

Dyshimet greke për bashkëpunim britaniko-jugosllav

Më 1 tetor 1952 ne bëmë një intervistë me Zyrtarin 2 të ministrisë së jashtme greke dhe raporti i mëposhtëm është informacioni i marrë prej tij: Zyrtari 2 nuk pranoi të jepte emrat e britanikëve që kishin vizituar kufirin Jugosllavo-grek, por na tha se njëri ishte një kolonel atashe i misionit britanik në Beograd që kishte vizituar Athinën kohët e fundit. Ai na informoi se kishte pasur një takim me një tjetër Zyrtar 3, temën e të cilin ata po përpiqeshin ta qartësonin në mendjet e grekëve. Ne lidhje me pozitën britanike mbi Shqipërinë dhe Lidhjen e Prizrenit të sponsorizuar nga jugosllavët, Zyrtari 3 pranoi se politika britanike është “larg duart” nga Shqipëria dhe se britanikët nuk do të bashkëpunojnë e nuk janë të interesuar në aktivitetet jugosllave, përveçse në një pozicion vëzhgues. Zyrtari 2 siguroi se grekët nuk besonin se kjo ishte politika e vërtetë e britanikëve, dhe se ai vazhdonte të besonte se ata janë të interesuar, apo deri në një farë mase mbështesin pozitën jugosllave. Zyrtari 2 theksoi se ministria e Jashtme greke mendonte se mendësia e SHBA mbi Shqipërinë ishte shumë e relaksuar, prandaj ata po mendonin që ambasadori i tyre në Uashington ta paraqiste çështjen te Departamenti i Shtetit, dhe nëse ishte e mundur të shtonte presionin mbi jugosllavët për të vetëpërmbajtur ambiciet dhe aktivitetet e tyre.

Zyrtari 2 përsëriti se Greqi nuk mund të lejonte nga ana morale apo logjike që jugosllavët të ndërhynin në Shqipëri, qoftë kjo e nxitur nga revolta e brendshme apo gjendja e luftës. Ai tha se “Greqia nuk do të qëndrojë duarkryq”, duke dhënë si arsye minoritetin grek në zonën e Gjirokastrës, të cilin Greqia duhet ta mbronte, dhe shtoi se kjo do të thoshte zhvendosjen e kufirit nga një vend komunist te një tjetër vend komunist, por më i fortë. Kur zyrtari 2 u pyet nëse ky problem ishte diskutuar me jugosllavët apo nëse do të diskutohej në të ardhmen, ai tha se nuk do të bëhej pasi në rast të tillë sipas tij, jugosllavët do të ndrinin menjëherë problemin e Maqedonisë greke, të cilin edhe grekët nuk pranojnë ta diskutojnë në asnjë rrethanë. Zyrtari 2 – Vasile Mostras; Zyrtari 3 – Sër Peake, ambasadori britanik;

24 prill 1953

Pozita e Titos

Ky memorandum do të shërbejë për të lidhur disa fije të shkëputura informacioni në lidhje me Shqipërinë dhe kohën e grushti shteti të mundshëm atje. Ju e mbani mend se gjatë javës së parë të prillit zoti Jackson deklaroi se e kuptonte zotin Adam Uatson të ambasadës britanike kur thoshte se gjatë vizitës së fundit të Titos në Londër, ai kishte deklaruar se grushti i shtetit kundër Shqipërisë duhet të bëhet menjëherë, dhe se ai ishte i gatshëm të negocionte me britanikët dhe amerikanët, nëse mund të arrihet një marrëveshje me grekët e italianët. Tito tha se do të ishte i lumtur të merrte pjesë në një ndërmarrje të tilla, ku nuk përfshihet aneksimi i Shqipërisë dhe ruhet integriteti politik e gjeografik i saj. Unë i thashë zotit Jackson se Tito nuk mendon ende se është koha e duhur për grushtin e shtetit në Shqipëri, dhe ashtu siç ka thënë më parë me departamentin e shtetit, ai mendonte se për momentin situata duhet të lihej pa u prekur. Ai është zotuar të mos ndërhyjë në pavarësinë e Shqipërisë, duke besuar se edhe qëllimet e grekëve ishin të ngjashme. Ai nuk kishte dhënë një përshtypje se mendonte se pushteti në Shqipëri mund të bjerë së shpejti.

biseda

Kur unë fola me zotin Uatson, ai më informoi se britanikët kishin biseduar si më poshtë:

Marshall Tito kishte ngritur vetë temën e Shqipërisë në bisedën me kryeministrin dhe mua më 17 mars. Ai tha se qeveria jugosllave ishte e bindur se Shqipëria duhet të mbetej e pavarur. Vetëm në një rast agresioni ndaj Jugosllavisë, kjo e fundit do të duhej të merrte masa mbrojtëse dhe veprimi do të kryhej vetëm pas konsultimeve me Greqinë dhe Turqinë. Zoti Uatson pranoi se kishte folur me Titon në linja dakordësie, por kishte pranuar se ministria e jashtme britanike mund të kundërshtonte veprimin në Shqipëri, derisa të ishin eksploruar të gjitha rrugët e paqes për Korenë dhe deri në mbarimin e zgjedhjeve në Itali. Pas bisedës time me Uatson, Jackson pranoi se kishte keqkuptuar zotin Uatson duke dalë në konkluzionin e gabuar se Tito mendonte se ishte momenti për të vepruar. Unë kuptoj se nëse nuk marrim direktiva të reja nga nivele të larta të politikave, duhet të vazhdojmë aktivitetin në nivelet e programeve aktuale, që do të thotë ruajtja e nivelit aktual të propagandës dhe sulmeve mediatike, si dhe nxitja e rezistencës pasive të popullatës apo depërtimit me anë të agjentëve të nivelit të lartë dhe të zgjedhur. Gjithashtu duhet të vazhdojnë tentativat e përçarjes dhe të shkaktimit të frikës mes zyrtarëve të qeverisë duke shkaktuar dyshim e mosbesim mes tyre.

Tre të shtëna pushke të dëgjuara nga T5 mund të kenë qenë pistoleta e përdorur nga grupi për grumbullim, në rast urgjence. T5 pati disa përplasje me patrullat jugosllave dhe ka vrarë disa ushtarë jugosllavë, e në një rast një informator civil. Autoritetet jugosllave nuk kanë dyshime se T5 është një agjent i besueshëm shqiptar me mision të CIA. Por veprimet e T5 në Jugosllavi tregojnë një urrejtje të madhe të tij për Titon dhe kjo mund të ndikojë te informacionet e kaluara te ne mbi Jugosllavinë. Më 16 gusht 1951, T5 u nis me avionin drejt zonës së lëshimit, por raportonte disa detaje që mund të hedhin dritë mbi mungesën e organizimit të operacionit…

T5 mësoi prej tij se jugosllavët kishin një kamp për refugjatët shqiptarë në Vuçiterna. Aty shqiptarët ndaheshin në dy kategori: ata që viheshin në punë dhe ato që merrnin ushqim dhe strehim pa punuar. Ai nuk dinte arsyet e kësaj ndarjeje. Terpeza tha se kishte aktivitete rezistence në zonat e Jakovës e Rugovës, por nuk dinte më shumë. Ai tha se Hasan Alia nga Remniku kërkohet nga forcat qeveritare që prej vitit 1944…

Terpeza informoi gjithashtu T5 se kosovarët janë konfuzë me afrimin aktual në marrëdhëniet Jugosllavi-SHBA. Ata nuk e kuptojnë përse SHBA ndihmon Titon, i cili pretendon se është komunist. Kosovarët kanë parë shumë produkte amerikanë, edhe pse ato shiten me anë të kooperativave. Terpeza the se vetëm një pjesë e vogël shiten në tregun e lirë dhe kjo ndodh në qytetet e mëdha ku ka amerikanë.

Dokumentet e CIA, ja si u lëshua në Shqipëri agjenti T5 Read More »