Histori

Misteri i Kishës së Laçit, çfarë u ndodhi 32 ushtarëve që shkuan për ta shkatërruar

Në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës në Laç shkuan për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit, në Kishën e “Shën Ndoit”.

Për herë të parë, shembja kishte ndodhur në vitin 1967, kohë kur shteti komunist i asaj kohe i shpalli luftë besimit fetar.

Edhe pse një pjesë e godinës ishte shembur pjesërisht, besimtarët gjatë viteve shkonin ende, gjë që për regjimin ishte një shqetësim. Për këtë motiv, ushtarët morën urdhër të asgjësonin muret, në mënyrë që askujt të mos i shkonte në mend për të bërë pelegrinazh.

Pasi rrëzuan një pjesë të rrethimit, toga prej 32 vetash mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë në mënyrë të pashpjegueshme. Disa ushtarë u dërguan nga pushteti popullor i kohës për kurim në Austri, për 6 muaj, ndërsa të tjerët në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Të gjithë mbetën me pasoja, duke u ngritur në këmbë vetëm pas një trajtimi intensiv të gjatë. Fenomeni mbeti i pashpjegueshëm dhe u vesh me mister.

Historia u përhap shpejt në Laç, duke u treguar si diçka mistike. Pushteti i asaj kohe tha se fajin për ngjarjen e pazakontë e kishte ushqimi, si pasojë e një helmimi, po ky fakt nuk u pranua kurrë shkencërisht. Historia është ende e veshur me mister, edhe sot e kësaj dite…

Misteri i Kishës së Laçit, çfarë u ndodhi 32 ushtarëve që shkuan për ta shkatërruar Read More »

Çfarë futi “në gjak” Haklajt me Berishën, 14 viktima nga fisi “Haklaj”, asnjë nga fisi “Berisha”

Pikënisja e armiqësisë së “Haklajve”, me PD dhe Sali Berishën

Deri ne fillimin e viteve ’90 familja Haklaj ishte një nga mijëra familjet e thjeshta të Tropojës, që jetonte “në punë të vet” dhe me “hallet e veta”. Ishte një familje e madhe, prej një fisi të madh e të nderuar në krejt Tropojën e më gjerë. I pari i familjes Haklaj, i mirënjohuri Isuf Groshi, ishte një nga burrat më të nderuar në Malësinë e Gjakovës, aq sa edhe sot kujtohen urtësitë dhe mençuritë e tij, në kuvendet e burrave dhe në kullat e kësaj malësie. I biri, është Muharrem Haklaj, babai i 14 djemve e nipave të vrarë.

Pak muaj pas ardhjes në pushtet të PD dhe Sali Berishës në vitin 1992, Hamdi Haklaj dhe i vellai i tij, Halil Haklaj, arrestohen me urdhër të SHIK të Sali Berishës, me porosi të Sali Berishës, me akuzën e vrasjes me mjete të forta, të një ekonomisti në “Bajram Curri”. Dy djemtë e mëdhenj të Muharrem Haklajt, qëndruan 6 muaj në burg dhe u liruan për mungesë provash. Pas daljes nga burgu, të irrituar prej kësaj padrejtësie, ata aktivizuan krejt familjen dhe fisin “Haklaj” kundër politikës së Berishës dhe personalisht kundër Sali Berishës, duke marrë frenat e opozitës politike në këtë rreth e zonë. Këtë qëndrim, Sali Berisha nuk e priti aspak mirë dhe nisi sulmin ndaj tyre, me largime nga puna, kërcënime, arrestime, burgosje e përgojime deri morale.

Nga ana e tyre, Haklajt, që faktikisht ishin familje dhe fis i fortë, iu kundërvunë ashpër Sali Berishës e PD-së. Armiqësimi i tyre me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën, faktikisht kishte arritur kulmin, kur Sali Berisha në atë kohë President Republike, kishte akuzuar dy vëllezërit Hamdi Haklaj e Halil Haklaj, për vrasjen e dy të rinjve në Malin e Shkëlzenit dhe kërkonte me çdo kusht arrestimin e tyre. Trazirat e vitit 1997 ishin një rast i mirë për Haklajt, për t`u pozicionuar kundër Sali Berishës. Eskorta e Sali Berishës u vu në shënjestër gjatë rrugës për në Bajram Curri, më 22 qershor të vitit 1997. Pasi zbritën nga trageti deri në Bajram Curri, Sali Berisha dhe Azem Hajdari u ndeshën në dy kthesa, me grupe të armatosura që hapnin zjarr në ajër dhe bënin thirrje që eskorta të kthehej pas. Policia hezitoi të lejonte vazhdimin e udhëtimit, por Sali Berisha urdhëroi hapjen e rrugës. Në pritë, sipas dëshmitarëve, ishte Feriz Kërnaja dhe Fatmir Haklaj.

Mitingu i 22 qershorit 1997, që futi “në gjak” Haklajt” me Sali Berishën

Sali Berisha, më 22 qershor 1997 ishte në Tropojë në një miting elektoral, ku Haklajt i prishën mitingun dhe iu vërsulën me sharje Sali Berishës, duke e quajtur të “pabesë e intrigantë, armik të shqiptarëve dhe përçarës e vrasës të tropojanëve”. Madje, i kanë sulmuar me armë edhe foninë e mitingut, duke mos e lejuar të zhvillonte aktivitet politik të qetë. Ka qenë Shkëlqim Haklaj, ai që ka denigruar Berishën në Tropojë. Pas kësaj, Sali Berisha nëpërmjet mikrofonit të mitingut, urdhëroi gardën dhe policinë ta arrestonin, por ata nuk vepruan. Pas skandalit, Sali Berisha, mbajti një fjalim publik inatçor, me thirrje kërcënuese e hakmarrëse kundër Haklajve, të cilin po e publikojmë të plotë:

“Ju falënderoj dhe ju jap fjalën se më datën 29(qershor 1997) e mbrapa, bandat dhe banditët, kriminelët dhe fundërrinat do të marrin vendin që u përket. Ju jap fjalën se ju do të gëzoni rendin, do të gëzoni qetësinë, do të gëzoni dinjitetin që meritoni. S’do të mund t’ju nëpërkëmb kurrë kush, ju malësorëve trima. Do të shfarosim komunizmin, do të ç’rrënjosim komunizmin, farën e serbit, farën e përçarjes, farën e ndasive kombëtare. Do t’i them dy fjalë atij deputetit socialist. Në qoftë se mendon se do të marrë vota me kriminelë, jap fjalën para jush, se s’do ta gëzojë asnjë ditë, asnjë ditë, asnjë ditë! Ta dijë mirë fjalën time, unë mbaj mirë fjalën. Atyre, atyre që ju vranë juve nën breshëri, që ju vranë fëmijët tuaj nën breshëri me porosi të serbit dhe të Fatos Nanos, do tua tregojmë atë që meritojnë. Ju të jeni të sigurt se ne do fitojmë, se ne do rivendosim Shqipërinë atje ku është. Le të qëllojnë sot, edhe tetë ditë kanë afat, edhe tetë ditë. Pas tetë ditësh kanë fundin e turpit, fundin e historisë, fundërrina siç janë….

“Merrni masa për atë që u thashë. E dua me vete atë unë, e dua me vete atë unë. Ai do vijë direkt me ne …”(Urdhëron Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës për Shkëlqim Haklajn, që nuk ndalon së fyeri presidentin) Vëllezër e motra… “Merr Saliun, me të gjithë tani. Unë e dua, e dua të gjallë atë unë.”(Urdhëron serish Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës). Vëllezër dhe motra, 29 qershori do të ndajë Shqipërinë nga rebelimi, do të ndajë Shqipërinë nga e shkuara, do të rivendosë demokracinë, do të vendos dinjitetin, do të vendosë integritetin, do të vendosë unitetin kombëtar. Tropojas, Fatos Nano dhe Din Selimi ju vinë juve me horra, por ne do t’iu tregojmë vendin të gjithëve.

Ju jap fjalën e nderit, do marrin vendin që meritojnë. Ata që mendojnë të marrin vota me serbin, do marrin atë që u ka dhënë gjithmonë Tropoja. Ata që duan të marrin vota me serbin, do ta paguajnë shumë shtrenjtë votën e serbit. Ju bëj thirrje vëllazërore socialistëve të Tropojës, të ndahen, të largohen nga bandat e serbit në Tropojë. Të largohen prej tyre, të bashkohemi bashkë për demokracinë, për dinjitetin, për Shqipërinë. Rroftë populli i Tropojës, rroftë Shqipëria! Vëllezër, unë kam ardhur sot te ju, të paraqes kandidat për deputet, njërin nga bijtë më të shquar të Malësisë së Gjakovës, tribunin e lëvizjes studentore për liri, zotin Azem Hajdari. Vëllezër, unë kam besim të madh te ju, asnjë votë serbit, asnjë votë serbit, votat demokracisë, votat Shqipërisë.

“Nisi njerëzit ë. Nisi njerëzit që tani, se ajo është kategorike. Nuk dal nga Tropoja pa e marrë me vete atë unë” (Urdhëron serish eskortën e tij Berisha. Gjatë kësaj kohe Shkëlqim Haklajt i janë bashkuar dhe 4-5 persona të tjerë që shajnë presidentin). Vëllezër dhe motra, unë kam ardh sot te ju për të paraqit Xhevdet Mehmetin, një nga demokratët e parë të Partisë Demokratike në Tropojë. Unë jap fjalën se, unë jap fjalën se të dy deputetët tuaj do të punojnë pa u lodhur për të realizue të gjithë projektet që u ndërprenë nga rebelimi në Tropojë. Para së gjithash për të zhdukur bandat e ndyra, hajdutë e banditë, terroristë të shitur te serbi. Dhe pastaj do të sjellim te ju energjinë elektrike, shkollat dhe të gjitha. Rendin e çfarë ju nevojitet ju. Edhe njëherë, edhe njëherë ju falënderoj nga zemra për këtë pritje madhështore. Ju siguroj se jam krenuar krenarë çdo herë me ju, se keni qenë dhe mbeteni krenaria ime. Dhe se përveç detyrimit ndaj jush nuk ndjej asgjë tjetër. Ju falënderoj për pritjen. Rroftë Tropoja! Rroftë Shqipëria! Rroftë uniteti kombëtar! Rroftë demokracia! Pas këtij mitingu ish-presidenti Berisha, tani kryeministër i Shqipërisë, nuk ka shkuar më në Tropojë”.

Letra e Fatmir Haklajt, drejtuar Sali Berishës

Duke e ndjerë lakun që i ishte ngushtuar së tepërmi Fatmir Haklaj boton në një të përditshme një letër të hapur për akuzat e bëra ndaj tij nga opozita dhe lideri i saj Berisha. Haklaj fajësoi Berishën se ishte urdhëruesi i atentateve ndaj tij dhe vëllezërve të vrarë. Ai e akuzoi ish-presidentin se ishte përgjegjës dhe për vrasjen e Azem Hajdarit. Prova ku Fatmir Haklaj mbështeste akuzat e tij ishte një kasetë e regjistruar gjatë mitingut të PD-së më 22 qershor 1997 në Bajram Curri. Një ditë para këtij mitingu mbeti i vrarë ndihmësgjyqtari Sokol Haklaj, djali i xhaxhait të Fatmirit. Përpara se të niste mitingu në sheshin “Kosova” të Bajram Currit, ku pritej prezantimi i dy kandidatëve të PD-së për Tropojën, liderit të dhjetorit Azem Hajdari dhe Xhevdet Mehmetit, ndodhi një incident që e acaroi së tepërmi situatën. Vëllai i vogël Haklajve, Ylli, qëlloi me kallashnikov impiantin e fonisë nga ku do të fliste presidenti Berisha, duke e nxjerrë atë krejtësisht jashtë përdorimit. Presidenti Berisha hyri në Bajram Curri me masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga dhjetëra trupa të Gardës dhe mbështetës të PD-së.

Çfarë futi “në gjak” Haklajt me Berishën, 14 viktima nga fisi “Haklaj”, asnjë nga fisi “Berisha” Read More »

Marin Barleti, ura e parë lidhëse mes Shqipërisë dhe Evropës

Në gjithë aradhën e humanistëve me prejardhje nga tokat shqipfolëse, dallohet si kryesues e si xhevahir ndriçues i madhi dhe i pakrahasueshmi, historiani, kronikani e shkrimtari, prifti i urdhrit të fretërve minorë Marin Barleti. Figura e tij është aq e shquar, sa studimet për të vazhdojnë akoma edhe sot, shekuj pas vdekjes së tij.

Të dhënat biografike, sado që shtrëmbërohen me ose pa dashje nga studiues të huaj e shqiptarë, na vijnë nga dy veprat e tij kryesore “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Historia e Skënderbeut”. Ndër këto dy vepra, Barleti përmend Shkodrën time çka do të thotë se ai ishte shkodran. Vendlindja e tij ndikoi aq shumë në jetën dhe formimin e tij, por edhe ai ndikoi shumë në ruajtjen e historisë së Shkodrës së shquar.

Studiues, kryesisht rumun, kapen pas mbiemrit të tij duke e lidhur me krahina në Itali apo të tjerë vende të Evropës, por profesori Eqrem Çabej është i prerë kur thotë se mbiemri Barleti lidhet me mbiemrin Barleci si patronim në Veriun e Shqipërisë. Disa nga studimet e Jahja Drancollit na e japin Marinin jo me mbiermin Barleti, por Barleci, prandaj shpjegimi etimologjik i bërë nga Çabej, me sa duket është i drejtë dhe me baza gjihësore e historike.

Një tjetër fakt interesant që vjen tërthorazi nga jeta e Barletit është fakti se ai, shkollimin e hershëm e ka marrë në Shkodër, çka rrjedhimisht do të thotë se në Shkodër ka pasur shkolla qysh në shekullin XV. Disa kohë më parë kam bërë disa përpjekje për të zbuluar të parat shkolla shqiptare të cilat datojnë diku rreth shekullit XIII, sipas revistës “Hylli i Dritës”.

Vepra e Barletit, e botuar në latinisht, ka qenë dhe vijon të jetë baza e studimit të historisë së Skënderbeut dhe asaj të qytetit të Shkodrës. Sipas profesoreshës Ermira Alija, përkrah shtatores së Skënderbeut duhet të jetë edhe një bust i Barletit, pasi po të mos kishim këtë kolos të humanizmit, me shumë mundësi historia e heroit tonë Kastriotas do të ishte larguar, ose të paktën venitur, bashkë me historinë.

Gjithashtu, vepra e Barletit “merret seriozisht” pasi ndryshe nga pjesa dërrmuese e veprave të kohës që trajtojnë tema për kohën aktuale por tani historike, ajo ndërtohet mbi disa burime, ku përfshihet Marin Beçikemi dhe Gjergj Merula.

Figura e Barletit nuk duhet lënë asjëherë mënjanë dhe duhet të vijohet të studiohet, me do e mos, edhe sot e mot.

Marin Barleti, ura e parë lidhëse mes Shqipërisë dhe Evropës Read More »

Qëndroi 29 vite i fshehur në xhungël duke menduar se Lufta e Dytë Botërore ende nuk ka përfunduar (Foto)

Toger Hiroo Onoda është ushtari më i famshëm japonez nga të paktët që ka vazhduar rezistencën në Paqësorin e Jugut për vite të tëra pas fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Onoda u dërgua në ishullin Filipineve Lubang në vitin 1944, dhe atje ai qëndroi 30 vjet, për të mbledhur informacione në lidhje me “armikun” dhe e gjithë kjo për shkak se ai nuk e kishte ditur se Lufta kishte përfunduar. Ai assesi nuk kishte menduar ndodnjëherë se Japonia ishte dorëzuar.

Hiroo Onoda ishte një qytetar i thjeshtë japonez i cili para luftës ka punuar për një kompani kineze tregtare.
Në moshën 20 vjeçare u ftua ti bashkohej ushtrisë japoneze – gjë që menjëherë e bëri. Trajnimi i tij u zhvillua në një shkollë të rreptë ushtarake. Deri në fund të trajnimit, Hiroo ishte tashmë gati për të shkuar prapa linjave të armikut me një numër të vogël të ushtarëve, dhe për të mbledhur informacione nga armiku në mënyrë që t’ua përcjellë ato japonezëve.

Pas mbërritjes, Onoda u lidh me grupe të vogla të ushtarëve të cilët ishin tashmë në ishull, por aleatët shpejt përparuan në ishull, duke bërë që të gjithë ushtarët japonezë të tërhiqen në xhungël dhe të ndahen në grupe të vogla prej 3 ose 4.
Shumica e këtij grupi të vogël u vranë shpejt apo u kapën, dhe grupi i Onodas, në të cilin ishin tre ushtarë: Yuichi Akatsu, Siochem Shimada dhe Kinshichi Kozuka arritën të ikin.

Deri në fund të luftës, ky grup i vogël i ushtarëve japonezë ishin ende duke rezistuar, për të mbledhur informacione në lidhje me aleatët.

Kur Japonia kapitulloi, Perandori Hirohito për herë të parë iu drejtua publikut në radio më 15 gusht 1945. Ai kurrë nuk foli për ‘dorëzim’ ose ‘humbje’, por thjesht përmendi se lufta “nuk ka shkuar në favor të Japonisë.

Për shumicën e japonezëve ky ishte një lehtësim i madh, por jo të gjithë ishin të gatshëm të lëshojnë armët e tyre. Dhjetëra mijëra ushtarë japonezë mbetën në Kinë dhe vazhduan luftën në tokën e askujt e cila ishte vendosur në mes të komunistëve dhe nacionalistëve dhe grupe të tjera më të vogla ishin ende duke luftuar në pjesë të ndryshme të Filipineve deri në vitin 1948.

Por Hiroo Onoda nuk hoqi dorë aq lehtë – ai dhe grupi i tij vazhduan luftën … një luftë që për të ka zgjatur edhe për 30 vjet.
Pasi banorët e ishullit lokal pësuan disa sulme nga ana e Onodas dhe grupeve të tjera të ushtarëve të shpërndarë japonezë, ata vendosën të marrin me qira një Boeing B-17 për të shpërndarë fletushka në të gjithë xhunglën. Kjo ishte mënyra e vetme për tu komunikaur ushtarëve të mbetur se lufta ka përfunduar. Pas kësaj, grupet e disa ushtarëve të mbetur u takuan për të diskutuar vërtetësinë e fletushkave. Aty shkruhej se Japonia u dorëzua, mirëpo ata refuzuan të besojnë këtë dhe arritën në përfundim se fletushkat ishin propagendë e aleatëve.

Kur plani me fletushka dështoi avionët hodhën edhe më shumë të tilla, por tani fletët nga Japonia ishin të shoqëruara edhe me fotografi dhe letra nga familjet e ushtarëve. Ata madje dërguan edhe delegatë që kishin për qëllim të gjenin ushtarët e mbetur dhe ti kthenin në shtëpi. Për grupin e Onodas, kjo vazhdonte të ishte një propaganda dinake e aleatëve.
Vitet kalonin, dhe katër ushtarët e mbetur ishin ende duke e kryer detyrën e tyre; ‘sulmonin armiqtë’ dhe të mblidhin informacione. Në një pikë të caktuar, kur vunë re se të gjithë njerëzit që ata i hasnin ishin në rroba civile, ata mendonin kjo ishte vetëm një tjetër përpjekje për mashtrim. Më në fund, pas pesë viteve një nga anëtarët e grupit, fshehurazi vendosi të dorëzohej. Në vitin 1949 ai u arratis dhe pas 6 muajsh u dorëza me sukses. Onoda më pas u bë më i kujdesshëm, sepse ai ishte i sigurt se shoku i tij i arratisur ishte kapur.

Rreth 5 vjet më vonë, Shimada, anëtari i tretë, u vra në një përleshje në plazh. Në ishull mbetën vetëm dy ushtarë: Onoda dhe Kozuka.
Në 17 vitet e ardhshme sa jetuan në xhungël, ata dy gjatë asaj kohe kanë vrarë dhe plagosur qindra filipinas të pafajshëm. Ata ishin ende të bindur se Japonia do të dërgojë trupa shtesë të cilat ata do ti trajnojnë dhe ti njoh nga afër me terrenin. Megjithatë, kjo që nga dita e parë e ishte detyra e tyre.

Në tetor të vitit 1972, pas 27 viteve i fshehur Kozuka u vra gjatë një beteje me një patrullë filipineze. Japonezët kishin menduar se ai një kohë të gjatë ishte i vdekur, por kur  e panë trupin e tij të vdekur ata filluan të mendojnë se ndoshta edhe Onoda ende ishte gjallë, edhe pse kishte kohë që ishte shpallur i vdekur.

Pasi trupi i Kozukinos u gjet, japonezët përsëri vendosën të dërgojnë një njësi të veçantë që kishte për qëllim të gjente ushtarin e vetëm të mbetur – Hiroo Onoda. Për fat të keq, ata dështuan.

Me 27 vjet praktikë në xhungël, Onoda ishte shumë mirë i fshehur, dhe pa menduar ai vazhdoi misionin e tij.
Së fundi, në vitin 1974, një student, Nario Suzuki, vendosi të udhëtojë nëpër botë. Ai bëri një listë të gjërave që do të bëjë në udhëtim dhe një prej tyre ishte zbulimi Onoda. Çuditërisht, pati sukses në këtë mision- ai gjeti strehimoren e fshehur të ushtarit të fundit japonez.

Onoda refuzoi të kthehej në shtëpi. Ai nuk besoonte se lufta ka mbaruar për aq kohë sa nuk e thotë rreshteri i tij.

Suzuki pas takimit u kthye në Japoni dhe gjeti rreshterin e Onodas, i cili pas luftës ishte punësuar në librari, dhe menjëherë lëshoi urdhërin që Onoda të kthehet.

“Ne me të vërtetë kemi humbur luftën! Si mund të ishim kaq të ngathët?”, ishin fjalët e para të Onodoës kur për herë të parë pas më shumë se 29 vjetëve me të vërtetë besoi se lufta ka mbaruar.

Më 10 mars 1975, në vitin e tij të 52-të të jetës, Onoda ishte në uniformë ushtarake, të cilën e kishte ruajtur në mënyrë perfekte, dhe duke dalë nga xhungla i dorëzoi shpatën Presidentit të Filipineve, Ferdinand Marcos. Marcos ia fali atij të gjitha krimet që ka kryer në 30 vitet e fundit.

Onoda pastaj u kthye në Japoni, ku u prit si hero ku mori pagë për 30 vitet e fundit.

Pasi Japonia kishte ndryshuar në masë të madhe  nuk mund të mësohej me jetën moderne, ai u transferua në Brazil, ku bleu një fermë dhe ku përfundimisht u martua.

Hiroo Onoda ndërroi jetë më 16 janar 2014 në shtëpinë e tij në moshën 91 vjecare.

Hiroo-Onoda-3

Qëndroi 29 vite i fshehur në xhungël duke menduar se Lufta e Dytë Botërore ende nuk ka përfunduar (Foto) Read More »

Njihumi me fshatin ‘Sebep’ që ka patur lidhje me fshatin Dukat ! – Nga Xhelo Petoshati

Solidariteti i Dukatit me fshatin Sebep dhe detarin Haxhi Aliu

Nga Xhelo Petoshati

Fshati Sebep

Emrin e fshatit Sebep e kam dëgjuar qysh i vogël nga gjyshja ime Nxhiko Hasko, kur fliste për ndonjë hasmëri me vëllanë e saj, Isa Haskon. Kur i pyesja se ku binte ky Sebepi, dajua i babait tim Mulla Isai, më thoshte me të qeshur: ‘Matanë detit, ku ha pula gurë.’ Kur unë dola oficer më 1957, më emëruan në Sazan. Gjyshja ime, në atë kohë, ishte gjallë rreth 90 vjeç, më thotë: ‘Djalë për çfarë sebepi të çojnë në Sebep?’ Aty e mora vesh që Sebepi paskësh qenë në Sazan dhe pse kisha dëgjuar shumë biseda për këtë vend, madje edhe nga mësuesi Gaqo Kaporre, me të cilin ishim në një lagje në Thilpat të Dukatit. Kur ne fëmijët bënim ndonjë marrëzi të moshës, ai na qortonte duke na thënë: ‘Djemo, mos i hapni sebepe vetes, se ju, me këto që bëni do përfundoni në Sebep.’ Për fshatin Sebep, kur u ndodha në ishullin e Sazanit, më tregoi dhe nënkoloneli Feti Rugji me detyrë Komandant i ishullit në atë kohë. Ai ishte i mirinformuar për ishullin e Sazanit në përgjithësi dhe të fshatit Sebep në veçanti. Më tha që të mësoja diçka më shumë meqë isha me origjinë nga Dukati, pasi Sebepi kishte pasur shumë lidhje me Dukatin. Furnizimet me ushqimet blegtorale ai fshat i merrte nga Dukati, ndërsa dukatasit merrnin në këmbim kripën dhe mallrat që ata i blinin me anije nëpër tregjet e Europës, madje dhe më gjerë. Ajo, që unë munda të mësoj nga njerëzit e mi të asaj kohe, ishte vetëm një këngë që thotë kështu:

Ku do shkosh o djalë me dhëntë,

Unë do vete në Otrënt

Të të sjell një thes ergjënd.

Kjo flet për shkëmbimet që fola më sipër, por nuk e përjashton dhe faktin që në flotën e madhe të Sebepit të shkonte dhe të punonte dhe ndonjë djalë dukatas. Shumë gjëra për Sazanin i mësova nga patrioti Ibrahim Shyti, me origjinë nga Tragjasi, të cilin e kisha komshi në lagjen Skelë të Vlorës, ku u vendos familja ime pas çlirimit. Ai më foli me hollësi për ishullin, sepse në kohën e Luftës të Vlorës kundër pushtimit italian më 1920, kishte qenë i internuar aty. Ndërsa për fshatin Sebep më foli në mënyrë të përgjithshme, ndaj m’u krijua përshtypja se nënkoloneli Feti Rugji dinte gjëra më shumë se ai, siç duket kishte hulumtuar prej kohësh. Megjithatë, unë bie plotësisht dakord me ato që shkruan Pr. Bardhosh Gaçe, në librin “Rilindasi i Vlorës –Ibrahim Abdullahu”, botimet “Toena” –Tiranë, 2009, faqe 11-12, kur thotë se: “Qysh në regjistrimet osmane 1431  e kohë më parë, në marrëdhëniet tregtare e kancelarike, në ishullin e Sazanit ngre krye një vendbanim i veçantë me emrin Sebep.

Ky vendbanim përmendet edhe nga kronikani turk Abu Ali Evrenozi, rreth vitit 1658, si dhe në kohën e zotërimit të Pashait të Janinës Ali Pashë Tepelena. Fshati Sebep në ishullin e Sazanit, në vitin 1780 zotëronte rreth 47 shtëpi, si dhe Kishën e Shën Kollit. Banorët e këtij fshati ishin detarë të zotë, ata kishin marrëdhënie tregtare me Brindisin, Venezia-n, Tristen, Dubrovnikun, Spanjën, Francën, Egjiptin, Maltën, Ulqinin, Prevezën, Himarën, Vlorën dhe Durrësin. Flota detare e Sebepit, në vitin 1802 përbëhej nga 34 anije. Për riparimin dhe ndërtimin e tyre, në Gjirin e Shën Kollit ishte ngritur dhe një kantier anijesh. Në fshatin Sebep, në kishën e Shën Kollit, në vitet 1765 – 1792 shërbente prifti Dhimitër Nota, ose siç dëshmohet në kronikat e kohës Papa Dhimitri, i cili kishte kryer shkollën fetare në Spanjë…Familja Nota në fshatin Sebep të Sazanit qysh në shek. XVII kishte pasur miqësi të ngushta me familjen Vlora, si dhe me mjaft të tjerë në Dukat, Kaninë, Vlorë, Fier dhe Berat…’

Pra, qartazi, Dukati renditet i pari, si më i afërt me Sebepin, fshat i cili u shkatërrua nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1811 dhe banorët u shpërndanë pas një qëndrese që zgjati prej rreth një vit. Banorët e fshatit Sebep, që prodhonin vetëm kripë nga uji i detit, sepse ishin mjeshtra në këtë drejtim, kishin solidaritet me fshatarët e Dukatit dhe në  rast mësymjeje nga piratët e huaj ndihmonin njëri –tjetrin.  Kur shërbeja si ushtarak në Sazan shëtisja herë pas here nëpër ishull me komandant Feti Rugjin, por më shumë me komandantin e grupit bregdetar Adem Xhaka, me origjinë nga Tërbaҫi. Me Ademin, në anën e lindjes së ishullit shikonim për së largu, madje dhe me dylbi, malin e Shashicës dhe grykën e Dukatit.

Kur shkonim mbi kinemanë e ishullit, afërisht 300- 400 metro larg saj, kalonim afër varrezave të ish fshatit Sebep. Ato dalloheshin se ishin lart në një kodër dhe në lindje të tyre ishin rrethuar me një pyll me pisha të larta, ndërsa kinemaja vinte si më në gropë, në krahë të majtë të rrugës që të çonte në ndërtesën e zyrave të komandës së ishullit.  Kur vinte pranvera, ajo varrezë e vogël gjelbëronte e para me disa lule të verdha e të bardha, por dhe me disa zambakë që ngrinin krye mbi gurët e varreve. Shumica e varreve të paktë, që kishim mbetur pa i zënë gjelbërimi, kishin ende në krye kryqe që ishin bërë me gurë të gdhendur. Shkrimi mbi pllaka ishte latin, por kishte dhe ndonjë shkronjë që unë nuk e kuptoja. Madje, mbaj mend që kur shkonim me Ademin atje, të cilin e kisha dhe komshi në Sazan, për shkronjat që nuk i kuptonim i shënonim nëpër  ndonjë bllok për të pyetur ndonjë njeri që ishte kompetent për gjuhën. Mbaj mend gjithashtu, se kur kam ardhur në Zvërnec e në Nartë si oficer kur u transferova në Vlorë, kam takuar disa banorë të kësaj treve që më kanë thënë se kishin ardhur aty nga fshati Sebep në kohë të Ali Pashë Tepelenës.

Dukati dhe detari Haxhi Aliu

Dukatasit, krahas tregtarëve dhe mjeshtrave të fshatit Sebep, kishin rënë në marrëveshje me detarin e famshëm ulqinakas Haxhi Aliu, i cili me pëlqimin e përbashkët të fshatarëve të Dukatit dhe Sebepit, strehonte anijen ku qëndronte dhe vetë në një shpellë të madhe në zonën e Karaburunit. Ai ishte me origjinë nga Ulqini.

Dr. Bahri Brisku me origjinë nga Ulqini, në librin e tij  ‘Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare‘, në pjesën ‘Detarët dhe kusarët shqiptarë” për Haxhi Aliun shkruan kështu: ‘Pleqtë tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero deti, ujk i gjallë, që nuk i trembej as kohës së keqe, as përleshjeve me piratët e shumtë, çfarë kishte në kohën e tij nëpër Mediteran. Legjenda e kishe zmadhuar çdo veprim dhe trimëri të tij. ‘Deti ishte shtëpia ime-thotë Haxhi Aliu. Pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë, ato do t`jenë dhe guri i varrit tim’.

Një legjendë tjetër që tregohet për këtë ujk të detit është kjo: “Një pirat turk me origjinë algjeriane nga Afrika i dërgon një letër Haxhi Aliut. “Arrnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam ma i fortë se ti. Përndryshe, do t`a rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkrue në të syret e kuranit. “
Me të marrë letrën Haxhiu ju përgjigj kështu: …’Kafkën tënde unë do ta baj kokë për çibukun tim.’
Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat dhe u ndesh me piratin turk, u hodh në anijen e tij dhe ia vrau çdokënd që i duel përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte rrëshanë nëpër kuvertë të anijes.’

Pra, siç shikohet, Haxhi Aliu, ishte që në atë kohë legjendë e gjallë. Por ai nuk ishte pirat deti i rëndomtë. Ai ishte ushtarak, specialist i detarisë me gradën më të lartë, atë të admiralit që osmanët i thonin ‘vezir.’ Ai ishte i zoti edhe të ndërtonte anije me lëndë druri nga pyjet e Dukatit dhe kishte lidhje me familjen Vlora, e cila e kishte pajtuar për të mbrojtur Gjirin e Dukatit, Kanalin e Otrantos dhe Sebepin nga grabitjet e piratëve të huaj.  Ish ushtaraku i lartë i Flotës Luftarake Detare dhe pedagog i Akademisë së Marinës, Seit Jonuzi, në studimin e tij ‘Tradita e detarisë në trevën e Vlorës’ të librit ‘ Konferenca shkencore – Vlora në rrjedhën e kohës faqe 294, na sqaron më mirë për këtë fakt. Ai thotë se: ‘Turqia në Adriatik nuk kishte flotë tjetër, përveç flotës shqiptare (nën flamurin turk), por prestigjin më të madh detarët shqiptarë e rifituan në gjysmën e parë të shek. XVIII.

Kështu për shembull, Haxhi Aliu, me të birin, të dy kapitenë në dy tartane, mbanin nën kontroll ngushticën e Otrantos për të mos lejuar anije të futeshin në Adriatik. Këta strehoheshin në një shpellë të madhe nëpërmjet Kepit të Gjuhëzës dhe Kepit të Gallovecit, në skajin veriperëndimor të Karaburunit. Kjo shpellë edhe sot e kësaj dite quhet Shpella e Haxhi Alisë. Në një përpjekje të rreptë me një ekspeditë angleze, që donte t’i hapte rrugën Anglisë për t’u futur në Adriatik, Haxhiu me gjithë të birin u vranë. Trupat e tyre u nxorën dhe u varrosën në ishullin e Sazanit.” Kjo tregon përkujdesjen dhe mirënjohjen e fshatit Sebep për këtë luftëtar të detit që i pat mbrojtur me vetëmohim. Për veprën e tij heroike nga detarët shqiptarë pas viteve 1950 është ngritur dhe një bust i tij në sheshin e molit të Sazanit. Atë e kam parë vetë kur kam shërbyer atje si ushtarak. Duke kujtuar detarin Haxhi Alia, dua të theksoj faktin se Dukati ka dhënë dhe ka marrë mbrojtje në rast rreziku duke bashkëpunuar me fshatin Sebep, me Haxhi Aliun dhe me familjen Vlora, pinjollët e së cilës në ato kohëra kanë qenë sanxhakbej të Vlorës.

Janar 2017

Njihumi me fshatin ‘Sebep’ që ka patur lidhje me fshatin Dukat ! – Nga Xhelo Petoshati Read More »

Kur Nënë Tereza i tregoi botës se nga vinte. Regjistrimi i rrallë në shqip (Video)

Kanë qenë të shumta pretendimet mbi origjinën e Nënë Terezës. E njohur si Gonxhe Bojaxhiu ajo lindi në Shkupin e pushtuar prej Perandorisë otomane në 26 gusht të vitit 1910 në një familje shqiptarësh. Tri ditë pas lindjes u pagëzua në Kishën e Zemrës së Krishtit nga famullitari dom Zef Ramaj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut nga Prizreni dhe Drane Bojaxhiut.

Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy prej të cilëve vdiqën pas lindjes. Ajo kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazer Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake ndërsa e motra për shumë vite jetoi në Tiranë së bashku me të ëmën.
Familja ku ajo u rrit ishte një familje e njohur për vlerat e saj atdhetare. Babai i Gonxhes merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij shumë artistë dhe patriotë shqiptarë.
Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë me 1 janar 1918, në bazë të traktatit të Versajës. I ati, që ishte i përfshirë në lëvizjet politike të asaj kohe, vdes në vitin 1919 kur ajo ishte 8 vjeçe.

Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Gonxhja në rininë e saj kishte tri pasione: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.

Karriera e saj brilante deri në shkëlqimin e saj si bamirëse dhe më pas si shenjte e njohin të gjithë. Konica.al ka zbuluar në Mediat kosovare një regjistrim të rrallë realizuar nga shqiptarët e Amerikës ku nënë Tereza fliste shqip. Një bukuri e paparë. Shenjtja më e madhe e shqiptarëve flet në gjuhën e bukur shqipe… në gjuhën e saj të mëmës…Regjistrimi është i 17 qershorit 1988 me shqiptarët e Amerikës në Bronks.

https://youtu.be/o9yF0iyf2E8

Kur Nënë Tereza i tregoi botës se nga vinte. Regjistrimi i rrallë në shqip (Video) Read More »

93 vjeçari me 23 fëmijë: Kur më pyeti serbi pse kaq shumë, i thashë …

Hajzer Bojku, nga fshati Druvarë i Vushtrrisë, është 93 vjeçar dhe është ndër më të moshuarit në rrethinën e Vushtrrisë.

Ai përgjatë këtyre viteve është martuar tre herë dhe është baba i 23 fëmijëve.

Bojku në një rrëfim për emisionin “Pasdite” në RTV Dukagjini, tregon mbi jetën dhe sfidat në të cilat ka kaluar ai.

“Jam martuar në moshën 18 vjeçare dhe i kam pasur tre fëmijë me gruan e parë, pasi më vdiq gruaja e parë u martova me të dytën dhe i bëra gjashtë djem, por edhe atë e vrau reja, e gjeti vdekja. Baballaku im hulumtonte, dhe më gjeta gruan e tretë. Kjo i kishte 19 vjeç ndërsa unë 45, por u martuam me pajtim”, rrëfen 93 vjeçari nga Vushtrria.

Ai thotë se këta fëmijë i bëri për të mirën e Kosovës.

“Më ka pyet serbi sa i ke, i kam thënë se i kam 23, më ka thënë çka ke dashtë më gjithë këta fëmijë, i kam thënë me përparua Kosova”, rrëfen i moshuari bisedën me një serb.

Edhe pse në moshë të shtyrë ai sot merret me pajtimin e gjaqeve.

“Nga dukagjini deri në kufi me Serbi, kam marrë pjesë në pajtime. Edhe sot kur i kam bërë 93 vjet, kam pas rast kur ka nderua jetë djali i vëllait dhe nuk kam mundur me shkua, më kanë thirr në telefon për të më pyetur qysh me zgjidhë atë problem”, thotë me tej 93 vjeçari nga Vushtrria.

https://www.facebook.com/tvdukagjiniofficial/videos/2240365615990181/?t=0

93 vjeçari me 23 fëmijë: Kur më pyeti serbi pse kaq shumë, i thashë … Read More »