Histori

Qendresa e Keshtjelles se Rozafes nder shekuj…

Rrëzë kodrave që rrethojnë qytetin në anën jugore të tij janë zbuluar gjurmë arkeologjike që fillojnë nga Bronzi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloj ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot.Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir.

I vogël e i madh e di legjendën e famshme të Rozafatit, gruas që u sakrifikua për të ngritur kalanë që edhe sot e kësaj dite qëndron po aq madhështore sa edhe më parë. Por cila është historia e vërtetë e saj? Si ka nisur dhe çfarë ka pësuar kjo kala ndër shekuj? Le ti hedhim një sy më nga afër të bazuar në shkrimet e studiuesve.

Kalaja e Rozafës në Shkodër është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës.

Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja.

Rrëzë kodrave që rrethojnë qytetin në anën jugore të tij janë zbuluar gjurmë arkeologjike që fillojnë nga Bronzi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloj ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve dhe jo rastësisht historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”.

Në këtë kohë qyteti merr hov të madh zhvillimi dhe si fakt për këtë përparim është monedha e përdorur qysh në vitin 230 p.e.s. Nga monedha mësojmë se Qyteti në këtë kohë është quajtur Scodrinon.

Në vitin 181 p.e.s qyteti bëhet kryeqendër e Mbretërisë Ilire me mbretin Genti në krye. Në këtë periudhë qyteti shtrihej në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe porte hyrëse ndërsa mbi kodrën ku sot ngrihet Kalaja ishte ndërtuar Akropoli ilir.

Gjurmët më të dukshme të periudhës ilire në Kala i gjejmë në oborrin e vogël mes Barbakanës dhe portës së dytë si dhe në të majtë të kthesës hyrëse tek porta e dytë.

Pikërisht në Kala dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftërat me perandorin romake dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet nga ushtrija perandorake. Në periudhën e Dioklecianit qyteti (nga reformat e tij) bëhet qendër administrative e provincës së Prevalit.

Me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe gjatë shek.XI bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës (në vitin 1040). Më vonë qyteti pushtohet një kohë të shkurtër nga bullgarët, por deri me sot nuk janë zbuluar gjurmë ndërtimesh të kësaj periudhe në Kala.

Në shek.XIV qyteti bëhet qendër e rëndësishme autonome, madje më 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Më 1396 kalon nën sundimin e Venedikut dhe në këtë kohë qyteti quhet me emërtimin Scutari.

Në këtë periudhë, mes sundimit të Balshajve dhe pushtimit Venedikas Kalaja merr formën që ka dhe sot. Kullat mbrojtëse në oborrin e parë i përkasin kësaj kohe.

Pas Balshajve ishin Venedikasit që vunë dorë në Kala, kryesisht në fortifikime dhe ndërtime me karakter ushtarako-administrativ. Me 1407-1414 ndërtohet Barbakania me qëllim mbrojtjen e hyrjes në kështjellë.

I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi më 1468 kur pasi përballoi kryengritjet e popullsisë vendase në vitet 1405-1410 kundër sundimit Venedikas, kështjella po bëhej gati të përballonte pushtimin osman. Venedikasve i përket dhe një ndërtesë monumentale në oborrin e tretë me tre kate dhe e pajsur me fengjij topash e njohur si Kapiteneria.

Me 1478 Sulltan Mehmeti II rrethon Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë si kështjella e fundit e pa pushtuar deri atëkohë. Mbrojtja e Shkodrës zgjati për rreth 8 muaj nga vetëm një garnizon prej 1600 vetash shkodran dhe venedikas brenda në Kala pasi pjesa tjetër e popullsisë ishte larguar nga frika e pushtimit osman.

Kjo qëndresë heroike e Shkodrës para Sulltan Mehmet fatihut u përshkrua nga historiani i parë shqiptar i asaj kohe Marin Barleti në Librin e tij “Rrethimi i Shkodrës“ që u botua në Itali në vitin 1504.

Në fund kështjella u dorëzua me kusht pas marrëveshjes së nënshkruar mes Venedikut dhe osmanëve më 25 Prill 1479. Gjate pushtimit qyteti dhe vetë Kalaja pësuan dëmtime të mëdha, të cilat u riparuan nga pushtuesit osman kryesisht në fortifikime dhe riparimin e dëmeve tjera të shkaktuara nga sulmet. Rimëkëmbja e qytetit bëri që në shek.XVII të bëhet qendër e Sanxhakut. Nga fundi i shek XVII fillimi i shek.XVIII fillon shtrirja e qytetit në fushën ku shtrihet sot.

Deri nga fundi i shek.XVIII qendër e qytetit shërbente Xhamia e Plumbit ndërtuar nga Mehmet Pashë Plaku Bushatllij në vitin 1768. Lëvizja drejt fushës së krijuar nga Liqeni i Shkodrës ndodhi dhe për shkak se tashmë lumi Drin kishte ndryshuar shtratin e tij dhe Shkodra ishte kthyer në port lumor nëpërmjet lumit Buna.

Në gjysmën e dytë të shek.XVIII Shkodra bëhet kryeqendër e Pashallëkut të familjes vendase Bushatllij që qeverisi Shkodrën në vitet 1757-1831 pallati i së cilës ndodhej në kështjellë, por që fatkeqësisht u dogj nga një zjarr i rënë aty në vitin 1858.

Gjatë kësaj periudhe të sundimit të Bushatllijve, Shkodra mori një zhvillim të shpejtë. U ndërtua Pazari, i cili numëronte më shumë se 2500 dyqane dhe që ishte më i madhi në Ballkan. Në këtë kohë qyteti numëronte 50.000 banore.

Deri në vitin 1858 pallati ka shërbyer si banesë e Valiut të qytetit. Bushatllijt vunë dorë edhe në Kala kryesisht në kulla mbrojtëse dhe vrojtimi siç është ajo në jug-perëndim të kështjellës e ndërtuar për të kontrolluar rrugën nga Lezha dhe zonën ku bashkohet lumi Drin me Bunën.

Kjo kullë është e pajisur dhe me një dalje të maskuar në raste rrethimi nga Kalaja. Bushatllijve i përket dhe muri që ndan pothuajse në mes kështjellën i pajisur dhe me portë hyrëse me qemer të trefisht.

Përfundimisht Kalaja e Rozafës – Shkodrës u braktis në vitin 1865 kur administrata e qytetit u shpërngul për në qendrën ku është dhe sot dhe pastaj Kalaja shërbeu vetëm si qendër e garnizonit osman.

Kështjella njihet me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Marin Barleti, në shek. XV – në veprën e tij, “Rrethimi i Shkodrës” tregon se: “Na patën rënë në dorë disa shkrime…

Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themelueset e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa”. Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin.

Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi. Emri i Kështjellës është i lidhur me legjendën e murimit. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.

Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatërronte muret për çdo natë.

Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënja e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë që t’shoh birin t’em, krahun e djathtë qi t’a mbâj, gjinin e djathtë qi t’a ushqej, kâmben e djathtë qi m’e përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur.

Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndodhet kisha e Sh.Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe (kodra e Pashës). Të tria këto ekzistojnë edhe sot.

Po si ka qenë e ndërtuar kjo kala gjigande dhe me një funksion tejet strategjik?

Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës.

Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.

Brenda tij ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej të cilave uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Aty ruhen dhe një depo, një burg si dhe një kishë e kthyer më vonë në xhami. Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë.

Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik.

Qendresa e Keshtjelles se Rozafes nder shekuj… Read More »

Ana, historia tragjike e dashurisë, që përfundoi me prerjen e kokës

“Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”.

Mbreti Henri VIII i Anglisë donte të dinte me padurimin se çfarë zemra e Ana Bolenës mendonte për të. Dhjetëra letra ai nisi në adresë të gruas që më vonë do të shënjonte historinë më dramatike të dashurisë në oborrin anglez. Historia e tyre është si në përralla. Mbreti i Anglisë, i cili ishte martuar në atë kohë, ra në dashuri me një shërbëtoren e tij, që quhej Ana. Ai e donte aq shumë divorcin, me qëllim që të mund të martohej me Anën, sa që hyri në konflikt me Kishën Katolike (që shumëkush, në atë kohë, besonte se kontrollonte fatin e shpirtit tonë të pavdekshëm).

Edhe pse martesa e tyre do të përfundonte në tragjedi, dashuria e tyre tronditi themelet e qiejve. Ana Bolena u bë Mbretëreshë pas martesës si gruaja e dytë e Mbretit Henri VIII dhe mbretëroi nga viti 1533-1536; gjithashtu ishte dhe Markeze e Pembroke-s. Historia e saj shumë e përfolur mbetet një nga historitë më dramatike të Anglisë, pavarësisht se historianët anglezë thonë se ishte nga Italia, ajo mbetet një personazh ku familja e saj arbërore nga Bolena e Vlorës, ka ikur nga Arbëria në Itali pas vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeu.

Ardhja e familjes së saj të pasur në Angli nuk dihet mirë. Mbreti Henri pati një dashuri të sëmurë për të, kjo gjë shihet dhe nga letrat e dashurisë që janë të pafundme në arkiva. Aq sa iu errën sytë nga fjalët dhe besoi se mund ta kishte tradhtuar duke i prerë kokën. Kjo histori tragjike vijon të frymëzojë artistët që kanë shkruar opera për të, apo libra.

“E dashura ime, zemra ime dorëzohet në duart e tua, duke u lutur ta mbash aty përgjithnjë. Sa e lëndon zemrën time mungesa jote. Sa të gjata janë ditët dhe sa i largët duket dielli, dhe kurrë më parë nuk më janë dukur më të nxehta sesa tani nga mungesa jote. Po ju dërgoj imazhin tim me një byzylyk ta mbash në duar e të më kujtosh gjithnjë…Uroj të të pëlqejë”, shprehej Henri në një nga letrat para se të lidhnin kurorë.

Ana, historia tragjike e dashurisë, që përfundoi me prerjen e kokës Read More »

Këta ishin 3 vëllezërit shqiptarë që shpëtuan në ‘Titanik’

Tragjedi që do të jetojë nga pavdekësia

Kaloi mbi një shekull nga gjëma mbinjerëzore, që 100 vjet përpara, mori 1517 jetë njerëzish e sot po merr gjithnjë e më shumë përmasa legjende. Fundosja e Titanikut që konstruktorët e WIHTE STAR LINE e quajtën të pafundosshëm, u fundos, u përmbyt i papërmbytshmi, por legjenda e tij rri pezull e nuk përmbytet.

Enigma e mbytjes  në atë mesnate të errësirtë, mes 14 -15 prillit 1912, s’do të “flasë” kurrë. Ajo do të rrijë pezull e do të stërmundojë kokat e shumë studiuesve, shkencëtarëve, shkrimtarëve, gazetarëve, regjisorëve e do të vërtitet nëpër fundoqeanin, duke u ngurosur. Enigma do të mbetet një mister e do të jetojë nga pavdekësia. Ora e vdekjes e “Titanikut” u bë dhe ora e lindjes së historisë tragjike të tij, legjenda e tij.

Asnjë copë Titaniku, as i gjithi sikur të nxirret mbi tokë nga fundoqeani, s’do të “flasë” kurrë më shumë se ç’kanë folur të 700 të mbijetuarit. Më së shumti ai do të jetë një muze psherëtimash, dhimbjesh e kureshtjesh turistësh e vizitorësh. Në atë mesnatë tragjike u dëgjuan edhe zëra shqiptarësh. Por askush, asnjë qeveri shqiptare nuk pyeti për 100 vjet me radhë: Kishte a nuk kishte shqiptarë në Titanik. Interesim i ngrirë si lotët e “Lëndinës së Lotëve”.

Karvanarët Tullga

Në një faqe të njërit prej regjistrave të vjetër të Zyrës së Gjendjes Civile të qytetit të Korçës gjendet trungu i familjes Tullga, mes të tjerëve edhe emrat e tre vëllezërve: Vangjelit, Kristaqit dhe Thanasit. Të bëjnë përshtypje të dhënat e hollësishme për secilin, gjuhët që flisnin, profesioni – karvanarë dhe së fundi: Larguar në kurbet në Amerikë, më 1912. Siç më tregon Vangjoja, i cili i ka hyrë studimit me hollësi të trungut familjar, e veçanërisht ngjarjes së Titanikut e cila për dhjetë dekada me radhë ka qenë prezente në familjen e fisin e tij, mbiemri Tullga u kishte mbetur nga nofka “tullë”, (“tullkë” në dialektin korçar, (tullgë), sepse burrat e këtij fisi ishin tullacë.

Ata banonin në Malavecin e Sipërm, mbi Dishnicë, fshat që nuk ekziston më, veç murishteve, që koha i ka rrafshuar e fshehur nëntokë. Burrat e këtij fisi ushtronin profesionin e karvanarit, u shërbenin njerëzve me llandonë e karroca me kuaj për t’i transportuar nga një vend në një tjetër, por edhe në Maqedoni, Greqi e Bullgari. Ishte koha kur Amerika kishte ngjallur interes për gjithë botën, por edhe për shqiptarët. Edhe familja Tullga vendosi të përcillte në Amerikë tre djemtë, Vangjelin (Gelan) 30 vjeç, Kristaqin (Kicen) 27 vjeç dhe Thanasin (Naskën) 25 vjeç. Të tre të martuar, të tre të fuqishëm, të mësuar me vështirësi e që u hanin duart për punë.

Pasi nxorën “navllot” – (vizat), u nisën nga Korça, nga “Lëndina e Lotëve”, për në Greqi. Udhërrëfyes u bë Visari ose Viska, siç i thoshin me përkëdheli, i cili ishte fis i Tullgave e jetonte në Athinë dhe merrej me udhërrëfime për mërgimtarë. Pasi kishin ndenjur disa ditë në Pire, i kishte përcjellë tre vëllezërit Tullga me një vapor grek për në Ingliterë. Fjalët kishin marrë dhenë, se do të nisej nga Anglia për në Amerikë, një “pamporr” shumë i madh, shumë luksoz, i paparë ndonjëherë, i ri fringo dhe shumë i sigurt. Krenaria e deteve, i thoshin.

Tre vëllezërit Tullga nuk mund ta humbitnin shansin për të udhëtuar me këtë gjigand. Familja, kur mori vesh se djemtë do të udhëtonin me të, u gëzua pamasë se u sigurua që ata do të arrinin shëndoshë e mirë, sepse anija ishte e pambytshme.

Kaluan javë e muaj… Familja Tullga priste me ankth lajm për mbërritjen e djemve në Amerikë. Pritja u thye në makth, pasi lajmi i zi për mbytjen e Titanikut kishte pushtuar edhe Shqipërinë. Në shtëpinë e Tullgave vërtitej një si kob shqetësimi: “Kanë shpëtuar djemtë, vallë”?!  Pas shumë kohësh mbërriti një letër nga Bostoni. Zarfi nuk ishte rrethuar me shirita të zinj anash çka do të thoshte se nuk sillte kob. E shkruante vëllai i madh, Gela. Pak a shumë, thoshte: Jemi gjallë. Shpëtuam me ndihmën e të madhit Zot. Kemi parë vdekjen me sy. Kemi zënë punë. Unë dhe Kicja në një fabrikë emaljoje, Naska ka hyrë berber në Boston. Mos u bëni merak për ne.

Thanasi kishte lënë në Shqipëri gruan, Sofinë dhe një vajzë të vogël. I dërgojnë haber se vajza nuk ishte mirë… Ai diçka parandjeu dhe kthehet. Me mbërritjen e tij në shtëpi rinisi kuja. I kishin vdekur edhe çupa edhe gruaja, Sofia. Sofia ishte nga Fisi i Beçkave, motra e Nasi Beçkës nga Çifligu. Dhembje mbi dhembje! Plagë mbi plagë. Kishte vdekur edhe nusja e vëllait të mesëm, Kristaqit që kishte lënë një djalë…

Rrëfimi i Thanasit: “Si hipëm në një mal prej hekuri”

Rrëfimet e Thanasit, për mesnatën e 14-15 prillit 1912, u bënë ngjarje të ditës në shtëpinë e Tullgave. Kushdo që vinte ta takonte për kryeshëndoshë apo t’i uruar mirëseardhjen do ta pyeste patjetër edhe për tragjedinë e Titanikut  Ato rrëfime kaluan gojë më gojë e brezpasbrezi dhe kanë arritur deri në ditët tona, që Vangjoja m’i tregon me aq emocion e korrektësi sikur ta kishte përjetuar vetë atë ngjarje, ndonëse gjyshi i vdiq kur ai ishte maturant në gjimnaz, në Korçë. Im gjysh, Thanas Tullga, tregon Vangjoja, kishte një kujtesë fenomenale dhe ishte kureshtar i madh.

Ai mbante mend me hollësi çdo detaj të udhëtimit. Ishte 10 prill 1912, ditë e mërkurë kur hipën në Titanik në portin i Southamptonit dhe kishin mbetur gojëhapur kur e kishin parë. Nuk ishin përhapur kot llafet se, gjer atëherë, asnjë vapor i tillë madhështor nuk kishte çarë detet e oqeanet. Ishte i pambytshëm. Ishte si një “mal pe hekuri, sa Morava, një qytet më vete që voziste në det e deti llamburiste nga dritat e luksi, sa të erreshin sytë e të merreshin mentë”, – tregonte Naska.

Biletat Viska ua kishte prerë të lira, në Klasin III, ku të tërë ishin mërgimtarë, të varfër që shkonin në botën e re për punë. Gjatë udhëtimit kishin zënë muhabet me ca grekë, se merreshim vesh, pasi dinin greqisht, kurse ca grekë dinin anglisht se kishin qenë në Amerikë e bënin për ta edhe përkthyesin.

“Ishte si në një çmendinë ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre”

E diel, 14 prill 1912. Ora shënoi 23.40 minuta. Duheshin edhe 20 minuta që të vinte mesnata. Ndërsa udhëtonte në ujërat e ftohta të veriut të Atllantikut, Titaniku u drodh sikur të goditej nga një mal. Ajzbergu… Mali i nëndheshëm prej akulli sulmoi pabesisht malin prej hekuri nga poshtë. Sipër, në Klasin I kishte filluar tmerri. “Ne të Klasit III, nuk dinim se ç’bëhej lart, – tregonte Naska. Një përfaqësues i ekuipazhit u kishte dhënë lajmin fatal që ua kishin perkthyen grekët. Anija për rreth 2 orë e gjysëm fundoset… Kapideni Eduard Smith urdhron braktisejen e saj.

Të shpëtojë kush të mundë… Tashmë kapideni i madh Smith komandonte mbytjen. Ishin ngjitur të tre në kuvertë. Lemerinë që kishin parë nuk ka gojë ta tregojë as penë ta shkruaj. Skena të çuditëshme plot tmerr e rrënqethje. “Ishte si në një çmendinë ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre”- kishte thënë Naska…  Vetëm muzikantët u binin veglave më të qarë. Qanin veglat muzikore, qanin dhe muzikantët tek përcillnin njerëzit dhe veten e tyre me muzikë në botën tjetër! Një tmerr!

“Na kishte ikur zëri nga tmerri. Se është e bukur jeta sidomos kur vdekja të sheh në sy e ti nuk e afron, thoshte Naska. Na duhej të merrnim një vendim. Dhe e morëm. Të hidheshim të tre në ujë. Si të ishte shkruar nga Zoti. Sido që të jetë puna duhet të ishim bashkë, pranë njëri-tjetrit, qoftë edhe në fund të oqeanit. Duhet të shpëtonim.  Vendimi na jepte forcë e shpresë për të jetuar. Po si? Pa një mjet lundrimi në mes të oqeanit! Pamë rretheqark. Tavolina të boshatisura që dridheshin, karrike që rrëshqisnin… Kush mund të bëhej mjeti i shpëtimit?! E vendosën…  Hodhën tavolinën, pastaj morën nga një karrike… dhe u hodhëm “fiu” me to drejt në ujë… Ulërimat e lemeritë sikur dilnin nga uji e ngjiteshin në qiell si një lutje e mallkim. Duke notuar me karrike iu afruan tavolinës, që kishin hedhur e rrinte mbi ujë. Vumë duart te ajo. Luftonim me vdekjen. Duhet t’i shpëtonim vdekjes. Por vdekja na ndiqte pas. Duhej guxim timëri e fat”.

Ata e përzunë vdekjen me guximin e moshës edhe të njerëzve të papërkulshëm. Befas u zë syri një varkë të përmbysur që plluskonte mbi ujë. Sikur panë një fije dritë shpëtimi të vogël. Iu vunë asaj, bashkë me disa të tjerë dhe e kthyen së mbari. Një varkë e përmbysur përmbysi përsëri fatin dhe e ktheu drejt jetës. Ajo varkë u bë shpëtimtarja e mbijetesës. E ngisnin me duar. Iknin që t’i shpëtonin thithjes së vorbullës që do të bënte anija kur të fundosej plotësisht. Iknin tutje nëpër oqean, pa drejtim, iknin dhe e ftohta e madhe para vdekjes së akullt, nuk ndihej.  Pas 2 orë e 40 minutash mali i pabesë prej akulli e mundi malin prej hekuri… Kaq kohë iu desh oqeanit ta gëlltiste atë mal hekuri. Dhe, me që s’e gëlltiste dot menjëherë e çau më dysh, pastaj, si lëshoi një hungërimë llahtari sa u drodh oqeani, e përpiu dhe e çoi 2787 m thellë. Titaniku kishte “pirë” brenda mushkërive të tij 25 milion litra ujë. Dhe mbi të gjitha aq njërëz sa nuk ishin mbytur kurrë.

Ja pse thoshte Tanas Tuglla se “Titanikun” e mbyti qibra

Thanas Tullga si sistemoi familjen edhe djalin e Kristaqit, pasi edhe atij i kishte vdekur e shoqja, mori përsëri udhën për në Amerikë. Më 1920 u kthye përsëri në Korçë, u martua me Vangjelinë dhe nuk iku më. Vdiq në Korçë në vitet ‘60 duke lënë pas fëmijë, nipër e mbesa dhe historinë e jashtëzakonshme të mbijetesës. Shumë e kishin pyetur: përse u mbyt Titaniku?

Dhe ai me logjikën e njeriut të thjeshtë e ironinë e korçarit kishte thënë: “E mbyti qibra e fodullëku dhe humbja e toruas… Mund të mos kishte vdekur asnjë, po t’i kishin dëgjuar sinjalet e kolegëve të anijeve të tjera që i lajmëruan me shqetësim të devijonin rrugën se kishte male me akuj. Mund të kishin vdekur shumë pak njerëz, s’kishte varka dhe ato që ishin ikën pa u mbushur plot. Në këtë botë nuk ka të pavdekshëm e të pambytshëm”. Sot në Amerikë jetojnë fëmijët e nipërit e mbesat e Kristaqit, njërit prej vëllezërve Tullga.

Ilo Deti, i konfirmuar hershëm si “një shqiptar në Titanik”

20 vjet më parë, te shihnim në TVSH, në familjen time në Tiranë filmin “Titaniku” (të vjetrin), nëna vithkuqare Olimbi Stoja, ndërsa s’ia ndante sytë ekranit me një ngulm e kureshtje të patreguar, përsëriste vazhdimisht me dhembje: I shkreti Ilua i Kovit paska parë vdekjen me sy”! “I gjori Lui ç’ka hequr”! (I thoshin shkurt amerikanët “Lui”).

Ajo më habiti kur më tregoi, se në atë “pamporr të madh që u mbyt” ishte kushëriri i saj Ilo Deti nga Vithkuqi. Përmes habisë, kureshtjes e mosbesimit, për javë të tëra, shfrytëzova shtypin e kohës në Bibliotekën Kombëtare, shfletova libra, aq sa munda, por nuk munda ta gjej askund emrin e Ilo Detit, shqiptarit të mbijetuar në tragjedinë e Titanikut.

Por në kontaktet që mora me familjarët e Ilo Detit në Korçë, u binda për të vërtetën dhe botova në vitin 1992, në gazetën “Pasqyra” ku isha kryeredaktor, shkrimin “Një shqiptar në “Titanik”. Pas meje, shkruan për këtë ngjarje edhe të tjerë, thjesht duke u rrotulluar pas fakteve që sillte shkrimi “Një shqiptar në Titanik”, por i vetmi që tregoi interes profesional, që ndoqi me këmbëngulje e kurreshtje gazetari këtë ngjarje dhe solli edhe fakte të reja, që unë i lashë në mes, ishte gazetari Ferdinand Murati. Por habia vazhdon.

etëm yjet e qiellit mund ta tregojnë atë natë tmerri

Edhe tri orë të tjera tmerr e lemeri duke u vërtitur mbi oqean me atë varkë. Hënë nuk kishte. Yjet lëviznin të tmerruar e keqardhës mbi oqean e shkonin ato skena që s’i kishin parë kurrë. Kalonin kokë më kokë e puthnin duke qarë për të vdekurit e gjysëmtëvdekurit, por dhe të gjallët që dridheshin e mbanin kokën drejt qiellit… Vetëm yjet mund t’i tregojnë të gjitha ato që ndodhën atë natë. Por ata yje sikur dërguan një mrekulli, një sihariq, se vdekja po mbaronte.

Një anije… anija greke Carpathia… pas pesë-gjashtë orësh të sinjalit “SOS” erdhi në fushëpërmbytjen e fushëvdekjen për t’i shëpëtuar. Kishte dhënë e para sinjalin “SOS” për zonën me akullnaja, për aisbergun, por nuk ja kishin varur. U ndanë marinarët trima si rrufe mbi det e i mbodhën të vdekurit (ata që mundën), gjysëm të vdekurit e të gjallët bashkë. Vetëm 700 kishin mbijetuar. Vinin vërdallë ca varka të vogla e thërrisnin me një si buri: A ka të gjallë… A ka njeri të gjallë?!!… Ato thirrje dhimbjeje e lutjeje i përpinte Oqeani…

Pastaj qe nisur në heshtje drejt Amerikës, New Yorkut, me ngakesën që nuk do ta dëshironte askush dhe me dashurinë e atyre që Carpathia u bë “Perëndia e shpëtimit”. Kishin ardhur pastaj edhe anije të tjera.  Vaporri Carpathia, pas tre-katër ditësh, më 18 prill, na shpuri në Neë York, tregonte Naska. Si na rregulluan na dërguan në Boston, se atje kërkuam vetë. Zumë punë. Qeveria Amerikane na përkrahu, na dha ndihma edhe shpërblim, të gjthë ne të mbijetuarve se humbëm gjithçka, por rifituam, jetën dhe një histori që nuk ishte thjesht histori, ishte edhe tragjedi, që do të rrëfehet si legjendë.

Në këtë botë nuk ka të pavdekshëm e të pambytshëm
Pas 2 orë e 40 minutash mali i pabesë prej akulli e mundi malin prej hekuri. Kaq kohë iu desh oqeanit ta gëlltiste atë mal hekuri. Dhe, me që s’e gëlltiste dot menjëherë e çau më dysh, pastaj, si lëshoi një hungërimë llahtari sa u drodh oqeani, e përpiu dhe e çoi 2787 m thellë. Titaniku kishte “pirë” brenda mushkërive të tij 25 milionë litra ujë.

Edhe tre orë të tjera tmerr e lemeri duke u vërtitur mbi oqean me atë varkë. Një anije… anija greke Carpathia… pas pesë-gjashtë orësh erdhi në fushëpërmbytjen e fushëvdekjen për t’i shpëtuar. Kishte dhënë e para sinjalin “SOS” për zonën me akullnaja, për ajsbergun, por nuk ja kishin varur. U ndanë marinarët e shkretë si rrufe mbi det e i mblodhën të vdekurit (ata që mundën), gjysmë të vdekurit e të gjallët bashkë. Vetëm 700 kishin mbijetuar.

Pastaj anija qe nisur në heshtje drejt Amerikës, New Yorkut, me ngarkesën që nuk do ta dëshironte askush dhe me dashurinë e atyre që Carpathia u bë “Perëndia e shpëtimit”. Kishin ardhur pastaj edhe anije të tjera. Vaporri Carpathia, pas tre-katër ditësh, më 18 prill, na shpuri në New York, tregonte Naska. Si na rregulluan na dërguan në Boston, se atje kërkuam vetë. Zume punë. Qeveria Amerikane na përkrahu, na dha ndihma edhe shpërblim, të gjithë ne të mbijetuarve se humbëm gjithçka, por rifituam, jetën”.

Këta ishin 3 vëllezërit shqiptarë që shpëtuan në ‘Titanik’ Read More »

Ja si dukej kalendari i lashtë Shqiptar

Populli shqiptar ka patur që në kohëra të lashta një kalendar të vetin, i cili është kalendar unik në botë përkah veçoritë e tij, dhe ka qenë në përdorim vetëm nga shqiptarët. Më pas gjatë periudhave të ndryshme historike, janë adoptuar dhe kalendarë tjerë si grekë e romakë, që kanë arritur të stabilizohen si variante ‘shqiptare’ të atyre kalendarëve. Pikërisht në këtë punim do të marrim përsipër, që përveç rregullimit të disa problemeve deri më tani të patrajtuara, gjithashtu të bëjmë një paraqitje sa më të qartë të këtyre kalendarëve, veçanërisht të kalendarit të lashtë shqiptar. Me një fjalë kemi qëllimin të përditësojmë të dhënat dhe njohuritë tona rreth kësaj çështje.

Kalendari i lashtë, siç po e quajmë në këtë punim, ka qenë një kalendar origjinal, të cilin populli shqiptar e ka praktikuar gjer vonë, e madje mbahet mend dhe sot. I vetmi deri më tani ka qenë studiuesi Rrok Zojzi që mori shënime nga populli për këtë kalendar[1]. Duke qenë se Zojzi e ka publikuar njëherë, ne nuk do të ndalemi gjatë në përsëritjen e të dhënave të tij. Në këtë punim fillimisht do shqyrtojmë vendosjen e datave dhe më pas disa çështje tjera. Një kalendar i tillë tradicional, mijëravjeçar, ka vlerë të madhe nëse përgatitet në formën e tij burimore për përdorim, sepse si i tillë do të mund të ishte në dispozicionin e popullit, si një vepër e artit popullor shqiptar, madje duke qenë i njëjtë në tërë Shqipërinë do të ishte një nga elementet unifikuese të kulturës shqiptare.
Kalendari në formën siç na e jep Rrok Zojzi është si vijon: Viti është baraz me 365 ditë, të ndara kësisoj: 3 ditë janë festat për fillimin e vitit (“kryet e motmotit”), 180 ditë janë të verës, 2 ditë janë festat e mesit të vitit dhe 180 ditë janë të dimrit. Secila nga dy gjysmat e vitit (stinë) ndahet në 4 pjesë me nga 45 ditë secila, të cilët Zojzi konvencionalisht i quan muaj.[2]
Ndërsa të dhënat që Zojzi i merr nga terreni janë të sakta, përllogaritjet e tij përkundrazi e çojnë atë në gabime gjatë përpilimit të kalendarit. Ai na jep gabim datat e festave dhe muajve. Ai fillon me Mesdimrin, i cili është më 5 shkurt, por të cilin Zojzi e vendos 45 ditë (një ‘muaj’) më herët, pra më 22 dhjetor. Ky gabim më pas shkon në mënyrë zingjirore me të gjitha festat dhe muajt tjerë. Festën e kryevitit apo Kryet e Motmotit që njihet edhe si Shëngjergj e vendos në ekuinoksin pranveror më 21 mars, gjë që nuk ndodh askund në asnjë krahinë shqiptare. Shëngjergji gjithmonë ka qenë më 6 maj, dhe vetëm kisha katolike në emër të reformës gregoriane e pat vendosur më 23 prill. Rrjedhimisht, vendosja e Shëngjergjit më 21 mars, duket zhvendosje shumë e madhe për të mos thënë e tepërt. Edhe tek Mark Tirta i cili ka shkruajtur gjerësisht për festat popullore, Dita e Pranverës dhe Shëngjergji dalin si dy festa të ndryshme.[3] Pastaj me atë radhitje gabimet vazhdojnë: Shmitri apo Shmarti si fillim i dimrit vendoset më 23 shtator, por Shmitri në të vërtetë është shumë më vonë, afro 45 ditë më vonë, dhe i bie zakonisht kah fillimi i nëntorit; festa e Kerstovit apo e Shënkollit, nga ana e Rrok Zojzit vendoset më 5 nëntor, kur në të vërtetë kjo festë gjithkund tek shqiptarët kremtohet më 6 dhjetor; Dita e pranverës vendoset më 5 shkurt, kur është acari më i madh. Të njëjtën zhvendosje e pësojnë edhe muajt e vjetër 45-ditësh, pasi secili prej tyre fillon me një festë ‘të vetën’.[4]
Siç kemi rastin të shohim, gabimi fillon në rastin kur Zojzi e barazon Buzmin me mjedisin e dimnit. Që ne ta përmirësojmë këtë gabim dhe të vendosim rregullimin origjinal të kalendarit të lashtë, do të bëjmë vetëm një hap: do të luajmë datat e dhëna nga Zojzi për 45 ditë më vonë, në mënyrë që ato të kthehen në vendin e tyre. Madje edhe vetë Zojzi thotë: “Fillimi i vjetit, simbas shënimeve të mbledhuna, asht Shëngjergji ase në shkurtim Shnjergji.” Dhe siç e dimë të gjithë, Shëngjergj në muajin mars nuk ka, por shumë më vonë në fillim të majit.[5]
Kalendari siç na e jep Rrok Zojzi:
Kështu sipas radhitjes që i bëjmë ne, Buzmi mbetet më 22 dhjetor, por nga ky ndahet mjedisi i dimnit i cili vendoset më 5 shkurt, e ky është parakusht për t’i kthyer festat në datat e veta. Në këtë rast edhe emri “mjedisi i dimnit” është kuptimplotë, sepse në këtë datë ai gjendet pikërisht në midis të stinës së dimrit duke qenë 90 ditë larg nga Shmitri (mesi i vitit) dhe po aq ditë larg nga Shëngjergji (Kryet e motmotit). Për më tej japim listën e festave me datat përkatëse:
Kryet e motmotit – 6, 7, 8 maj
Festa e të korrave – 23 qershor
Festa e maleve – 7 gusht
Dita e Vjeshtës – 21 shtator
Mesi i vitit – 5, 6 nëntor
Buzmi – 22 dhjetor
Mesdimri – 5 shkurt
Dita e Pranverës – 22 mars
Me këtë datim të festave rregullohet edhe datimi i muajve, pasi këta të gjithë fillonin me një festë:
Kryet e Motmotit – muaji i parë i verës
Festa e të korrave – “Korriku”
Festa e maleve – “Djegaguri”
Dita e vjeshtës – “Vjeshta”
Mesi i vitit – muaji i parë i dimrit
Buzmi – “Brymsi”
Mesdimri – “Ngrijsi”
Dita e Pranverës – “Pranvera”
Sa i përket emrave të dy muajve që Zojzi nuk ka arritur të gjejë, ne nuk kemi asnjë të dhënë por do ishte mirë t’i gjenim emra të natyrshëm sipas një kriteri siç do t’a shohim më poshtë, emra që do t’i përgjigjeshin këtyre muajve. Kështu shohim që “Korriku” dhe “Djegaguri” të kalendarit të lashtë, kanë shërbyer si emra për muajt në kalendarin e ri (romak / 12-muajsh), duke zëvendësuar muajt latinë ‘jul’ dhe ‘august’. Sipas këtij parimi, meqë muaji i parë i dimrit në kalendarin e lashtë ka shtrirje pjesërisht në nëntor dhe pjesërisht në dhjetor (nga tri javë secili), atëherë do ketë patur emrin e njërit prej tyre, ndonjë emër jo-kristian të gurrës shqipe. Kështu nëntori ndryshe quhej brymor, vjeshtë e tretë, britëm i tretë, ndërsa dhjetori quhej edhe dimëror. Por termi ‘brymor’ nuk mund të ketë qenë ndonjëherë emër i këtij muaji sepse do të shkaktonte konfuzion në popull, duke qenë i ngjashëm me “Brymës” që gjendet menjëherë pas tij. Termi “Vjeshtë” nuk bën sepse si muaj 45-ditësh gjendet para tij, e nuk mund të bëhen dy muaj me një emër. Britëm, mbase mund të jetë i përdorshëm, porse ky në ditët tona ka kuptimin e vjeshtës dhe është sinonim me të. Kështu na mbetet e lirë shprehja dimëror/dimnor, me të cilin në kalendarin e ri quhej dhjetori deri vonë. Tri javë të dhjetorit bëjnë pjesë në këtë 45-ditësh, prandaj emri i tij dimëror mund të ketë qenë emër i këtij 45-ditëshi, njëjtë sikurse tri javë të gushtit bëjnë pjesë në ‘djegagur’, prej nga edhe gushti e mori këtë emër shqip. Përveç kësaj ky është muaji me të cilin fillon dimri. Për muajin e parë të verës, Zojzi dyshon se mund të ketë qenë “Qershor”, mundësi të cilën as ne nuk e përjashtojmë, duke qenë se qershori me afro tri javë të tij futet në muajin e parë të verës të kalendarit të lashtë. Ndoshta edhe ka ndonjë krahinë ku ruhen ende emrat e pavjelur të këtyre dy muajve (nëqoftëse nuk kanë qenë të tillë siç po i paraqesim).[6]

Ja si dukej kalendari i lashtë Shqiptar Read More »

Në Orikum, atje ku bashkohen perënditë Iliriane – Nga Laureta Petoshati

Reportazh nga Laureta PETOSHATI

Në Orikum, atje ku bashkohen perënditë Iliriane.

Një diell kaq të bukur, që bën të shkëlqejnë valët si mijëra pasqyra vezulluese, të gërshetuara nga rryma detare në mënyrë të tillë, sa që të duket se vetë deti ashtu, luspa-luspa është në sfidë të hapur edhe me shtatë ngjyrat e ylberit. Këtu, ku bregu zbret shkallë-shkallë, edhe ngjyra zbret shkallë-shkallë, kemi dhjetëra nuanca të bojë-qiellit, po aq të jeshiles, po aq të së bardhës. Në këtë bregdet, ku ndihet pushteti i krenarisë që je bir i kësaj toke Arbënore, për të gjithë shqiptarët, edhe mrekullia që ka bërë zoti, shkrihet me mrekullitë që po ndërton njeriu shqiptar ditë pas dite. Këtu, fillon dhe njësohet deti Jon me atë Adriatik, këtu njësohet era e detit me të malit, këtu njësohet rëra me zallin, sa dhe ngjyrat e ndërtesave njësohen e luajnë me natyrën përreth si luan pranvera me ngjyrën e luleve të saj. Sa kemi lënë pas Vlorën dhe kemi kaluar në atë që quhet “Përroi i Vrizit”, jemi futur në atë kufi institucional, që i përket bashkisë së Orikumit. Nuk ka njeri të kësaj zone që të mos e dijë se futesh në Radhimë , ku të vjen në mend një këngë e këtyre viseve: “Dukat, Tragjas e Radhimë/ U derëzeza o djem” .Kjo është zona ku tre fshatrat e një krahine që quhet Dukat, janë të lidhur me njëri –tjetrin me gjak, vëllazëri e krushqi të përjetshme. Kjo zonë, që kufirin fillestar e ka direkt mbas shkëmbit natyror që ngrihet si një ballkon madhështor mbi det e që vlonjatët e quajnë me emrin “Kalaja” , mbaron mbi Qafën e Llogorait, kur zbret për në Palasë, dhe ashtu si fillon dhe mbaron, në një vijë natyrore ku qielli, toka, deti bëhen njësh, ashtu bëhet njësh dhe e shkuara me të sotmen, duke folur me të njëjtën gjuhë, duke kënduar të njëjtat këngë.

Kur ecën në rrugën gjarpëruese të Radhimës, aty ku mushmollat, limonët, ullinjtë, ndërthurën me pishat, gjineshtrat e verdha e xinat buzë rrëzomave, që herë bëhen njësh me detin, e herë bien thikë duke u zvarritur nëpër hone, mahnitesh se sa shumë ka ecur kjo zonë në këta pak vjet, sa bukur ka ndërhyrë njeriu e sa afër dukesh me Mesdheun e përtejmë, ku konkurrenca kalon deri në marrëzi. Kohët e fundit, këtu kanë ardhur dhe turistë që ecin e lëvizin shpateve në këmbë, e me mushka duke mohuar edhe makinat e shtrenjta që as këtu nuk mungojnë. Duke i parë kështu grupe-grupe, të kujtohet koha që kjo zonë u përshkua në të njëjtën mënyrë në 29 maj 1920, kur u bë Kuvendi i Barçallait që përgatiti Ultimatumin dhe u morën vendimet e rëndësishme të Luftës së Vlorës. Me mendje, po të kthehemi mbrapa në ato vite, lexojmë se çfarë ka lënë të shkruar për këtë krahinë një nga udhëheqësit kryesor të asaj lufte, mëmëdhetari i madh Osmën Haxhi Muhameti: “Kur i hipa kalit për në Radhimë e Barçalla nëpër penxhere kishin vënë flamurë kuq e zi me shkabë. Njerëzit ishin gati të linin punën dhe të vinin në luftë. Kurse nëpër sokakët ndihej era e fortë e petullave. Në Tragjas e mbyllën shkollën dhe ishin gati që burra dhe gra të vinin me mua. Piva dhallë të ftohtë në shumë stane. Në Dukat ishin mbledhur të gjithë burrat dhe ata që nuk kishin dyfek kishin marrë kërrabën ose shkopin prej drize. Aty pashë dhe gjeta një nocion nacional që Shqipëria është Dukati, apo Dukati është Shqipëria.

Është bukur kur sheh njerëz që vijnë për mallin e largët, për kureshtje, për gëzim në këto anë, që më shumë kanë pritur ushtri të huaja dhe i kanë përballuar ato me dinjitetin e shqiptarit. Në horizont ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit, janë aq afër dhe aq larg, si dhe rrëfenjat që flasin gjuhën e sotme. Dikur ishte vetëm një gadishull, por si pasojë e një tërmeti dhe shkëputje nënujore ai u nda dhe u krijua ishulli i Sazanit. Kjo zonë dikur përfshihej në zonën e Himarës prej 50 fshatrash, dhe nga njëri prej tyre, Radhima e ka prejardhjen dhe arbëreshi i famshëm Jeronim De Rada. Pra pak kohësh këto gurë i preku dhe studiuesi francez me origjinë shqiptare, Mathieu Aref, autor i librit “Shqipëria-Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” i cili duke studiuar ato që shkruan Hamund se në malet Akrokeraune (në malet e Vetëtimës) në Dukat, ka lindur Zeusi, erdhi këtu për t’i parë e shkelur këto troje mitike. Ndoshta, studiuesin që ka bërë të mendohen shumë shkencëtarë, e kanë shtyrë përpara dy fakte: i pari është fakti se dijetari C.Roth në librin e tij shkruan se në malet Keraune jeton fisi Albanoi, domethënë Albanopoli i dikurshëm, dhe i dyti se E.Gilbert thotë se emri Labëri është emri i vjetër i Albanopolit që ndodhet në malet e Akrokeraunëve.

Ptolemeu në hartat e tij të famshme ka dhënë koordinata të sakta për Vlorën, Orikun, Pashalimanin, Palermon, ndaj mendohet që s’ka si të ketë gabuar kur Albanopolin e ka vendosur në juglindje të Keraunisë, në krye të rrjedhës së lumit të Celydnos. Si për koincidencë, lumi i Dukatit burimin lindor e ka në Vrizë. Këtu, në Fushë-Dukat ndodhej qyteza ilire Erihoi, ndërsa ku shtrihet Orikumi,ndodhet qyteza 2500 vjeçare me rrënojat e lashta të saj, me amfiteatrin, që i kanë dhënë të drejtë ministrisë së Turizmit e Kulturës për ta shpallur atë “Park Arkeologjik Kombëtar”. Në fakt, koha e saktë për themelimin e Orikumit nuk dihet. Ka shumë gjasa që kjo qytezë është themeluar si koloni mbi ndonjë vendbanim ilir më të vjetër, se shekulli VI p.e.s , ashtu si ka ndodhur edhe për shumë qyteza të tjera ilire, sepse dihet që Orikumi është pjesë e tokës së fisit ilir të amantëve. Në gjithë këtë zonë ka shumë shpella që brenda tyre ka shumë histori për të dalë në dritë. Dikur Lukiani shkruante se “këtu strehohen varkëtarët, kur Adriatiku të gjitha fuqitë e veta i vë në lëvizje dhe kur Keraunia fshihet ndërmjet reve.” Mbas Karaburunit gjendet një liman që quhet Gramata e banorët i thërrasin Grama. Ky liman, në ditët e sotme, është një kompleks, me tuma, qeramikë, amfora nënujore, aty është gjetur dhe një anije me vela ilire. Dijetari i shquar gjerman Hans Treidler ka shkruar se Gramata e sotme ka qenë limani i fisit të vogël ilir Encheler, që nuk mund të dilte drejtpërsëdrejti në Orikum, ku ish vendosur kolonia greke, ndërsa mitologu grek Apolonius Phoius thotë se Zeusi i drejtonte vetëtimat për të dëbuar gjindin e racës së Encheler. Në një nga shpellat e famshme të kësaj zone do të strehohej, për tu ruajtur në shekujt që do të vinin më pas edhe ulqinakasi i famshëm Haxhi Aliu, emrin e të cilit e mban kjo shpellë sot e kësaj dite.

Nga gërmimet që ka bërë në trevën e Dukatit arkeologu shqiptar Pr. Neritan Ceka, ka gjetur varreza të lashta ilire të mijëvjeçarit të tretë p.e.r. Në thikat prej bronzi, karficat, sendet e tjera të stolisjes, që u gjendën në ato tuma, tregohej qartë se ilirët kaonë kanë jetuar në këto troje në periudhën kur shoqëria fisnore ishte duke u shkatërruar. Në Dukat toponimi “Gropa e Pirit”, vjen nga emri i lashtë “Gropa e Epirit”, ku i pirë do të thotë i pjerrët, që laget nga uji. Këtu ndodhet edhe një hon që quhet Gërxhinë, që s’është gjë tjetër veçse një gërxh i vogël, banorët fjalës Greqi i thonë Gërqi, dhe njerëzit e gërxheve, i quajnë me fjalën “grekërit” apo “gërxhianët” dhe është plotësisht e mundshme që romakët t’i kenë quajtur banorët e gërxheve, “graccianë” e vendin “Grecia”, nga që bregu ka qenë gjithmonë gërxhe-gërxhe. Këtu shtrohet dhe pikëpyetja e aludimi i madh i shumë shkencorëve, gjuhëtarë e historianë, se s’ka pasur kurrë grekë të vjetër, por ata ishin pallazgo-ilirët e gërxheve. Në se duam të studiojmë të vërtetat tona të mohuara, duhet gërmuar thellë në këtë zonë, sepse këtu është filli që pështjellon lëmshin, kjo zonë është palca e shqiptarisë.

Në Orikum gjendet dhe Kisha e Marmiroit, e ngritur në kodër me gurë të punuar të ardhur nga Paleokastra. Këtu, thuhet se rrugën bregdetare, në rrëzë të së cilës ndodhet kisha, Akili e bllokoi me dy anije. Më vonë, Pompeu i Ri, sulmoi dhe mori me flotën egjiptiane hyrjen e bllokuar të Limanit, dogji e shkrumboi muret e qytetit. Në vendin ku është kisha e lashtë, që është shpallur monument kulture, janë dhe varret e lashtë të mbuluar me gurë, shumë prej tyre janë ndërtuar me tulla. Si për të bashkuar historinë e re me atë të vjetër krahas rrënojave të lashta, ndodhet pak më tutje Tragjasi i vjetër, një shkrumbim i mëvonshëm. Tragjasi i djegur dy herë, një herë nga italianët e një herë nga gjermanët… Kush tha se hebrenjtë vuajtën dhe u persekutuan më keq! Edhe mbas luftës, thonë se bijtë e Tragjasit, vendit të “Heroinës së Popullit” Zonja Çurre e patriotit Alem Mehmeti, që i kish ngritur kullat e tij, atje ku ishin rrënojat amante, bënin karrierë deri diku, por jo më shumë se ç’duhej, se në fund të fundit, ata ishin pjellë, gjak e mish me dukatasit, këta disidentë të përjetshëm. Nuk e thotë kot dhe kënga e dy shekujve më parë kur ata nën komandën e Dervish Ali Dukatit, shkonin e vriteshin bashkë në luftë kundër turkut: “Dukat e Tragjas shumë /Djemuria një furtunë/ Ngrehu Kanina me vulë.”
Ka aq shumë histori, aq sa ka dhe gurë e shkrepa. Nga Tragjasi ishte dhe shoqëruesi i Ismail Qemalit. Kur vajti në Tragjas, Ismail Qemali pyeti: ‘A ka ndonjë djalë nga fisi i Kamber Delos, bashkëluftëtarit e mikut të babait tim?’ ‘Po ka!’-ishte përgjigjja. Plaku i urtë i tha Xhafer Halil Xhuvelit: ‘Biro, Atdheu, është në rrezik. Ti do të vish me mua!?

Xhuveli nuk iu nda më Ismail Qemalit dhe bashkë me miqtë e tij dukatas e mbajtën fjalën para e mbas pavarësisë. Lufta e tyre kundër andartëve grekë në vitin 1914, ishte ajo që vendosi edhe një herë fatin e atdheut. Nuk mund të flitet për trimat e Dukatit si Hamit Selmani, Imer Çelo, Skëndo Kulluri, Pilo Andoni, Mezin Hasko si dhe “Heroina e Popullit” Sado Koshena, Hodo Zeqiri, pa përmendur dhe trimat e Alem Mehmetit, aq sa përmendet edhe sot e kësaj dite fjala profetike e Ismail Qemalit : “Llogorai s’bie se Dukati e bastuni im e mban frontin e Llogorait.” Dhe kur thoshte Dukati, kishte ndër mend një krahinë të tërë, sepse Dukati është i madh si ajo shprehja : ‘Dukat e gjysmë e Misirit’.

Për këtë zonë janë mijëra shkrime, për historinë, bukurinë, traditat. Jo më kot ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Ylli Pango, kur bëri çeljen e sezonit turistik të kësaj zone tha se “bukurinë kësaj zone ia ka falur natyra, por ne do t’i japim përparësi turizmit kulturor dhe atij rural”. Kryetari i Bashkisë së Orikumit, dukatasi Kanan Braho, e shpreh që kjo zonë është lënë mbas dore dhe gjithçka që është bërë në infrastrukturë është bërë nga vetë njerëzit dhe jo nga shteti. Edhe pse kjo është një e vërtetë që dhëmb, duhet thënë se Orikumi po vihet në rrugë të mbarë. I pari, e çeli rrugën ish kryeministri Ilir Meta, duke zgjeruar e shtruar rrugën deri në Palasë, pastaj ish ministri vlonjat i Kulturës Bujar Leskaj me përpjekjet e tij për Parkun Arkeologjik. Edhe deputeti i zonës Ardian Kollozi, bën përpjekje që kjo zonë, nga më të bukurat e Vlorës dhe Shqipërisë të futet në turizmin elitar. Por këtu, nuk mungon me vizitat e tij të shpeshta e me mall edhe ministri i Komunikacionit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, i cili ka kaluar fëmijërinë e tij në Orikum si bir i një ushtaraku të Flotës Detare. Konsulli italian në Vlorë, Tomassoni është bërë si i shtëpisë sepse në Orikum ngrihet dhe Porti Turistik i Jahteve që popullohet çdo verë nga italianët, ai ka vendosur që këtu të festojë dhe Ditën e Republikës Italiane. Duhet thënë se pothuajse në të gjithë fshatrat turistikë të kësaj zone, kamerierët gjatë verës vijnë nga Tirana sepse Vlora mbipopullohet.

Tek kjo zonë, që tashmë mbushet me pushues, dikur, kanë ardhur e shkuar shumë pushtues. Orikumi zilepste romakët jo vetëm për bukurinë, por edhe për pozicionin gjeografik. Në Llogora shkoi dhe Qesari në luftën e tij me Pompeun, sot e kësaj dite ka një rrugë që quhet Rruga e Qezarit. Të parafundit ishin rusët e bazës ushtarake, të fundit kinezët…
Kjo zonë, që të josh me gjithçka, ka pushues të veçantë sidomos ata nga Kosova, që tashmë nuk porosisin më dhoma 15 ditore, por porosisin blerje shtëpish e pallatesh. Është peshku i famshëm, i quajtur “koce Dukati”, është mishi i pjekur në hell nga meratë e Llogorait, është dhia e zezë që kacavirret shpateve, është misri i bardhë që bëhet arapashi i famshëm me zorrë qengji, është kënga labe “treshja e Dukatit”… është hëna që bie mbi det e pasqyruar. Këtu është mrekullia që duhet jetuar, këtu flenë të vërtetat që duhen zbuluar. Këtu ndodhen edhe restorantet që ndoshta edhe shtetet më të zhvilluara do t’i kishin pasur zili. E dini ç’ka thënë një udhëtar i famshëm që ka kaluar para dy shekujve në Llogora, që edhe kjo është pjesë e Dukatit brez pas brezi ? Çdo shqiptar duhet të mbajë shënim këto që ai ka shkruar : “ Në këtë udhëtim mbërrita në Qafë të Llogorait, për të shijuar magjinë e atij vendi, që ndoshta është më i bukuri që unë kam parë në të gjitha udhëtimet e mia të shumta në Evropë e Azi. Është Qafa e Llogorait”, një simfoni e mrekullueshme e përbërë prej pyjeve, livadheve, luleve, shkëmbinjve, ujit dhe ajrit balsamik. A duhen të zhduken trupat madhështorë të pishës së rrallë në Llogora!? Shpëtoni Llogoranë për stërnipat e brezat që do të vijnë!’

Të parët tanë e kanë bërë punën e tyre, kanë luftuar, na kanë mbrojtur, na kanë lënë histori, kulturë, dinjitet, tani e kemi radhën ne, për të ecur më shumë, më shpejt, sepse mrekullia për shqiptarët, ndodhet vetëm në Shqipëri, sepse ajo nuk është kalimtare por është brenda nesh, perceptohet me ndjenjat tona dhe shihet me sytë e dashurisë, me sytë e perëndive që e kanë zanafillën në detet tanë e janë treguar në djep nga nënat tona, nga gjuha jonë e madhërishme shqipe. Orikumi është ajo pjesë e Shqipërisë, që si vetë trojet tona me të shkuarën na nxisin për një të ardhme më të mirë.

Nga Laureta Petoshati

Në Orikum, atje ku bashkohen perënditë Iliriane – Nga Laureta Petoshati Read More »

27-vjeçari që guxoi të vriste Esad Pashën. Gjyqi në Francë dhe pritja si hero në Shqipëri

Nëse do të flasim për tri nga ngjarjet më të rëndësishme të ndodhura në 1920, janë vrasja e Esad Pashë Toptanit nga Avni Rustemi dhe gjyqi i tij në Francë, lufta e përgjakshme e Vlorës dhe ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme, Kongresi i Lushnjës. Në këtë artikull do të flasim për gjyqin e famshëm të Avni Rustemit, pasi ai vrau në mes të rrugës me dy plumba Esad Beun.

Avni Rustemi lindi në Libohovë, më 22 shtator 1895 dhe vdiq në një atentat në Tiranë, më 24 prill 1924. Ai ishte mësues, publicist, atentator dhe deputet shqiptar.

Themelues dhe drejtues i shoqatës “Bashkimi” dhe anëtar i opozitës demokratike para Lëvizjes së qershorit. Familja në të cilën u rrit Rustemi ishte oxhaku i Libohovës Arsllan-Pashalinjt. Avni Rustemi, në vitet 1920, shfaqet si figurë shumë aktive dhe revolucionare për kohën.

Që kur ka qenë 14 vjeç, Avniu ka kërkuar që të bëhet pjesë e çetës së Çerçiz Topullit, por nuk është pranuar për shkak të moshës. Më vonë arrin që të shkollohet dhe në moshën 17-vjeçare fillon punën në Tepelenë si mësues.

Më vonë Rustemi u zhvendos në Vlorë për të zhvilluar profesionin e tij, pikërisht në fshatrat Tragjas dhe Radhimë. Por ai nuk do të rrinte i qetë.

Në vitin 1920 krijohet një organizatë nga djelmoshat e Vlorës, pjesë e të cilëve ishte edhe Rustemi, nga kjo organizatë do të dilte edhe urdhri për të vrarë Esad Pashë Toptanin.

Komploti për vrasjen e Esad pashë Toptanit u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku, siç dihet, shorti i ra Avni Rustemit.

Avniu shkon dhe e vret Esadin. Ja çfarë thonë gazetat franceze të kohës rreth kësaj çështjeje, fakte të mbledhura nga Aurenc Bebja.

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esad Pasha po dilte nga hotel «Continental», i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën «Castiglione». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Si rrjedhim, gazeta franceze «Le Matin» ka botuar në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi procesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të «Seine». Gazeta e përshkruan autorin 27-vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20-vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurt kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht «klishetë».

Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze:

“Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.

Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.

E veja e Esad Pashës përfaqësohet, si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.

Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.

Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.

I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim «lirimin e Epirit».


Drioux: Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esad Pashën?

Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të!

Drioux: Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do t’ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.


Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esad Pashën.

…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esadiste ». Në vijim niset për në Paris.


Drioux: Çfarë burimesh financiare keni?

Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.

Drioux: Nga vijnë këto para?

Avni Rustemi : Nga vëllai im.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.


Rustemi e përgjonte Esadin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esadi. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.


Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.

Drioux: Dhe pastaj, ju qëlluat?

Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës!

Drioux: Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare.

Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esadi ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.


Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit:

Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.


Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esadit.


Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.

Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.


Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esadit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin?


Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.

Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esadit. Z. Edouard Julia e konsideron Esadin si një mik të Francës.


Julia: Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve.

Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esadin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.

Avokati i Rustemit, De Monzie: Esadi, a nuk e dorëzoi Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë».


Eskpertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.

Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.

Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin.

Një ngjarje tjetër që nuk mund të harrohet, është ajo e komisarit të bashkisë, mikut të Avni Rustemit, Tol Arapi, i cili hipi në anijen që solli Avni Rustemin, nxori nga brezi nagantin dhe qëlloi 5 herë në ajër duke brohoritur “Rroftë djalëria shqiptare, Rroftë Avni Rustemi!”.

Ngjarja e dytë ka qenë marrja në krahë e Avni Rustemit, ku një pjesë të rrugës për në Vlorë e mbajtën në krahë, dhe pjesën tjetër të rrugës e hipën në karrocë dhe i hoqën kuajt, dhe populli i Vlorës e shtyu karrocën deri në Bashki, në qendër të qytetit.

Po atë natë për nder të Avni Rustemit u shtrua një darkë e madhe ku përveç parisë së Vlorës, merrte pjesë edhe kryeministri i asaj kohe, Sulejman bej Delvina dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit. Por gëzimi nuk do të zgjaste shumë.

Njerëzit e Esad Pashë Toptanit u rikthyen përsëri për të, dhe atë ditë 22 prilli të vitit 1924 në Pazarin e Ri në Tiranë, teksa ishte i shoqëruar nga një deputet demokrat i quajtur, Hoxha Kadriu nga Prishtina, papritur një njeri i armatosur e qëllon dy herë.

Rustemi jeton vetëm për dy ditë dhe vdes nga plagët e rënda që kishte marrë. Njeriu që vrau Avni Rustemin, ishte Jusuf Reçi, një nga njerëzit e Esad Pashë Toptanit.

Sot Avni Rustemi mban titullin “Hero i Popullit”.

27-vjeçari që guxoi të vriste Esad Pashën. Gjyqi në Francë dhe pritja si hero në Shqipëri Read More »

HISTORIA/ Një shqiptar ‘kërcënon’ të hedhë në gjyq Italinë, ja arsyeja e rrallë

Një shqiptar, tani 40-vjeçar i cili në vitin 1995 kreu gabimisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Itali, ka nisur  një betejë ligjore për të marrë shtetësinë italiane.

Armando Panariti kishte mbërritur në Puglia me prindërit e tij në marsin e vitit 1991, ku zbarkoi në Brindisi. Familja e tij u vendos në provincën e Tarantos, ku Armando, atëherë një adoleshent, filloi të shkojnë në shkollë dhe pastaj në punë.

Ai u thirr më pas “nën armë”, pavarësisht se ishte një shtetas shqiptar. Vetëm në fund të shërbimit ushtarak, të bërë në Leçe, u vu re gabimi. Ai u njoftua ëpr dëbim sepse nuk mund të punonte dhe merte lejen e qëndrimit.

Asistuar nga avokatët Raffaele Mascolo dhe Massimo Santoro, 40-vjeçar i cili aktualisht jeton në Tiranë, ndërsa familja e tij është ende në Itali, ka bërë aplikim për shtetësinë italiane, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në ditët e ardhshme, ai do të paraqesë një ankesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

HISTORIA/ Një shqiptar ‘kërcënon’ të hedhë në gjyq Italinë, ja arsyeja e rrallë Read More »

Rruga e Llogarasë, si u ndërtua për 100 ditë nga italianët ! Foto të rralla!

Rruga automobilistike nga Vlora në Sarandë është një nga më piktoresket në Shqipëri. Por pak kush e di që atë rrugë e ka ndërtuar ushtria italiane 100 vite më parë. Në luftën e Parë Botërore, Italia pushtoi Vlorën dhe shumë zona të jugut të Shqipërisë. Ajo do të largohej vetëm në vitin 1920, falë luftës së armatosur të organizuar nga qeveria e Kongresit të Lushnjës dhe ndikimit të faktorit ndërkombëtar.

Por gjatë qëndrimit të italianëve në Vlorë, ka pasur disa ndërhyrje në infrastrukturë të cilat vendi i trashëgon ende sot. Italianët ndërtuan në mes të luftës rrugën e Qafës së Llogarasë. Më pas ata u investuan që rruga të lidhte Sarandën dhe Vlorën. Fotografitë e rralla në Arkiv Britanik tregojnë rrugën e sapo ndërtuar si dhe ndërtimin e disa urave në dalje të Vlorës në vitet 1917-1918.

Po ashtu, italianët nisën edhe ndërtimin e një linje hekurudhore që mbeti në mes. Këto investime në infrastrukturë nga pushtuesit nuk ishin çudi, kjo për shkak se ndërtimi i tyre kishte avantazh ushtarak. Po ashtu, edhe mjaft investime të ngjashme bënë në veri edhe austro-hungarezët. Shqipëria ishte vendi më i prapambetur i kohës dhe kishte shumë pak rrugë automobilistike.

Vetëm në qeverisjen e mbretit Zog u bë e mundur që Shqipëria të ketë një rrjet disi të mjaftueshëm, të cilin ende e trashëgojmë sot. Ironia më e madhe qëndron se që në hapat e para të shtetit shqiptar, rrugët kanë qenë problemi thelbësor dhe ende sot rrugët dhe infrastruktura në tërësi janë një dobësi e madhe e shtetit shqiptar. newsbomb

Rruga e Llogarasë, si u ndërtua për 100 ditë nga italianët ! Foto të rralla! Read More »